
Kur Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte rreth njëzet e pesë vjeç, ishte bërë i njohur në gjithë qytetin për ndershmërinë dhe mirësinë e tij. Njerëzit ia bënin me gisht: “Ja ai është njeri i vërtetë, njeri i besueshëm”. Këto bëma i dëgjoi edhe një grua e ve, e pasur, e cila i kërkoi Ebu Talibit, xhaxhait të Profetit s.a.v.s. që nipi i tij t’i printe karvanit të saj tregtar që shkonte për në Siri. Ebu Talibi e pyeti Muhammedin s.a.v.s. për këtë dhe ai pranoi. Udhëtimi rezultoi mjaft i suksesshëm dhe ai u kthye me më shumë fitim sesa ishte parashikuar.
Hatixhja r.a. ndjeu se ky fitim nuk i doli vetëm për shkak të gjendjes së tregut, por për shkak të ndershmërisë së udhëheqësit të karvanit të saj. Ajo u sqarua hollësisht edhe nga skllavi i saj Mejserah, i cili gjithashtu ndante të njëjtin mendim me të dhe i tregoi që me një ndershmëri dhe dashamirësi që kishte udhëhequr Muhammedi s.a.v.s. karvanin e saj, nuk mund ta bënte dikush tjetër. Kjo gjë i la mbresë të thellë Hatixhes r.a.. Edhe pse ishte dyzet vjeçe dhe dy herë e mbetur e ve, ajo i dërgoi Muhammedit një shoqe të saj, për të ditur se a mund të pranonte propozimin e martesës me të.
Shoqja e saj kur e pyeti: “Përse nuk martohesh?”, ai iu përgjigj: “S’kam ndonjë pasuri që të martohem me dikë”. “Po nëse të largohet ky problem dhe një grua fisnike dhe e pasur dëshiron të martohet me ty, si do të bësh?” pyeti ajo. “Kush është ajo?” e pyeti Muhammedi s.a.v.s.. Ajo tha: “Hatixhja r.a.”. Muhammedi s.a.v.s. e pyeti: “Si mund të arrij tek ajo?” “Ma lër mua këtë punë”, e këshilloi ajo. “Atëherë, jam dakord” u shpreh ai. Më pas Hatixhja r.a. nëpërmjet xhaxhait të tij. vendosi për martesë dhe kështu më në fund u realizua bashkëshortësia e Muhammedit s.a.v.s. me të. Një djaloshi të varfër dhe bonjak, për herë të parë iu hap një derë e begatshme, por mënyra që përdori ai për të shfrytëzuar begatinë e saj, mbetet mësim për gjithë botën.
Lirimi i skllevërve dhe ngjarja e Zejdit r.a.
Pas martesës, kur Hatixhja r.a. ndjeu që zemra e ndjeshme e bashkëshortit nuk do të ndihej rehat, nëse ajo mbetej e pasur ndërsa bashkëshorti nevojtar i saj, atëherë i shprehu dëshirën që gjithë pasurinë dhe skllevërit e saj t’i dorëzonte në shërbim të tij. “Me të vërtetë e ke?”, e pyeti Muhammedi s.a.v.s.. Ajo pohoi. “Atëherë, më së pari unë do t’i liroj të gjithë skllevërit”, i tha ai. Pasi i mblodhi skllevërit e saj, u tha:
“Që sot, të gjithë jeni të lirë”.
Gjithashtu, edhe pjesën më të madhe të pasurisë ua shpërndau të varfërve. Njëri ndër skllevërit që ai liroi, qe edhe Zejdi, i cili ishte më i mprehtë dhe më i mençur se të tjerët. Edhe prejardhjen e kishte nga një familje fisnike. I rrëmbyer nga banditët dhe i shitur disa herë, më në fund kishte ardhur deri në Mekë. Mençuria dhe urtësia e tij i thoshte që ai më mirë të rrinte në robërinë e Muhammedit sesa të lirohej. Kështu që, kur Muhammedi s.a.v.s. i liroi të gjithë skllevërit, ai i tha:
“Ju po më lironi mua, por unë nuk dua të lirohem, dua të qëndroj me ju”.
Në këtë mënyrë ai mbeti te Profeti Muhammed s.a.v.s.. Dashuria ndaj tij sa vinte rritej. Nga ana tjetër, babai dhe xhaxhai i tij, që ishin një familje e pasur, ishin nisur në kërkim të djalit të tyre. Duke u vënë pas gjurmëve të banditëve, përfundimisht kishin mbërritur në Mekë, ku morën vesh që djali i tyre jeton me Muhammedin s.a.v.s.. Shkuan tek ai, e takuan dhe i bënë kërkesë që t’ua lironte djalin, duke i ofruar para sa të donte në këmbim të tij. “E kam liruar Zejdin qyshkur. Me shumë kënaqësi ai mund të shkojë me ju”, iu përgjigj Profeti Muhammed s.a.v.s.. Pastaj, ai e thirri Zejdin dhe ua prezantoi familjarëve të tij. Pasi u takuan, u çmallën dhe u përlotën, babai i tij i tha: “Ky njeri i mirë të liroi ty, eja të shkojmë në shtëpi që të qetësohet nëna jote, sepse ajo po vuan shumë për ty”. Zejdi iu përgjigj: “Kush është ai që nuk i do prindërit e tij?! Por, ta dini se kaq shumë dashuri kam ndaj Muhammedit s.a.v.s., saqë nuk mund t’i ndahem. Gëzohem që ju gjeta, por nuk kam forcë t’i ndahem Muhammedit s.a.v.s.”. Babai dhe xhaxhai i tij këmbëngulën shumë të kthehej në shtëpi, por ai nuk pranoi.
Duke e parë këtë dashuri të Zejdit ndaj tij, Profeti Muhammed s.a.v.s. u ngrit dhe tha:
“Ai ishte i lirë kaherë, por që sot ai është edhe djali im”.[1]
Duke e parë situatën, të afërmit e Zejdit s’kishin ç’të bënin, veçse të ktheheshin në vendin e tyre, ndërsa Zejdin e lanë në Mekë përgjithmonë.
[1] Esadul-Gabah, vëll. II, Rijad, 1285 Hixhri, f. 225.