
Kundërshtimi egërsohej. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe sahabët e tij bindshëm u jepnin mesazhin e Islamit banorëve të Mekës:
Krijuesi i kësaj bote është Zoti i Vetëm dhe se nuk mund të adhurohet me të denjë ndonjë tjetër përveç Atij. Edhe profetët e kaluar, që të gjithë e deklaruan njëshmërinë e Tij dhe i thirrën bashkëkombësit e tyre drejt këtij mësimi: adhuroni Zotin, të Vetëm dhe braktisni idhujt që janë vetëm gurë, krejtësisht të padobishëm e të pafuqishëm.
O banorët e Mekës! A nuk shihni që ata nuk kanë fuqi as për të larguar mizat, të cilat mblidhen rreth ushqimeve, që ju ua kushtoni atyre; po t’i sulmojë dikush, ata nuk mund ta mbrojnë as veten e tyre; po t’i pyesë dikush, ata nuk mund t’i përgjigjen; po t’i kërkojë ndokush ndihmë, nuk e ndihmojnë dot. Kurse Zoti i Vetëm ia plotëson nevojat atij që i kërkon; i përgjigjet thirrjes së lutësit; e ndihmon atë që i përgjërohet; i mund armiqtë e Tij; i lartëson adhuruesit e Tij; Ai lëshon një dritë që ndriçon zemrat e adhuruesve të Tij. Atëherë, pse prishni jetën tuaj duke u përkulur para idhujve të pajetë, duke e lënë pas Zotin që ka këto veti?
A nuk vëreni se jo vetëm që mendimet i keni të papastra, por edhe zemrat i keni të errëta, për shkak se keni hequr dorë nga adhurimi i Zotit të Vetëm? Jeni zhytur në besëtytni nga më të ndryshmet. Nuk bëni dallim midis asaj që është e lejuar dhe asaj që nuk është e lejuar. Nuk bëni dallim as midis së mirës dhe të keqes. Çnderoni edhe nënat tuaja. Dhunoni motrat dhe vajzat tuaja dhe nuk ua jepni të drejtat. Nuk silleni mirë as me bashkëshortet tuaja. Nëpërkëmbni jetimët dhe keqtrajtoni vejushat. Zhvatni të varfrit dhe të dobëtit. Vallë, a dëshironi të tregoheni të mëdhenj duke rrëmbyer të drejtat e të tjerëve?
Nuk ngurroni aspak kur gënjeni apo mashtroni, as nuk e urreni vjedhjen e as rrëmbimin. Kumari dhe alkooli janë bërë zakoni juaj. Nuk i kushtoni vëmendje kërkimit të dijes dhe shërbimit kombëtar. Deri kur do tregoheni të pavëmendshëm ndaj Zotit të Vetëm?! Ejani dhe përmirësohuni! Lëreni dhunën dhe jepuani të drejtat atyre që u takojnë! Nëse Zoti ju ka begatuar, shërbejini popullit e kombit dhe shpenzojeni pasurinë tuaj për zhvillimin e jetës së të dobëtëve dhe të varfërve! Nderoni gratë dhe jepuani të drejtat edhe atyre! Jetimët kujtojini si amanete të Zotit të Lartësuar, kujdesuni për ta dhe këtë konsiderojeni si një mirësi madhore! Përkrahni vejushat! Bëni mirësi dhe vendosni takvanë![1] Jo vetëm drejtësinë, përvetësoni edhe mëshirën dhe mirëbërësinë!
Të mos shkojë kot ardhja juaj në këtë botë. Lini gjurmë të mira, në mënyrë që të quheni mbjellës të mirësive të përhershme! Nderi i vërtetë qëndron, jo në rrëmbimin e të drejtave, por në sakrificë dhe vetëmohim, prandaj, bëni sakrificë që t’i afroheni Zotit! Tregohuni vetëmohues para robërve të Tij, në mënyrë që e drejta juaj të sigurohet te Ai!
Padyshim, ju jeni që qeverisni, por mos e nënvlerësoni gjendjen tonë të dobët, sepse tashmë u mor vendimi në qiell që së vërtetës do t’i jepet qeverisja! Përmes Profetit Muhammed s.a.v.s. do të vendoset peshorja e barazisë dhe do të ngrihet sundimi i drejtësisë dhe mëshirës, në të cilin askush nuk do të dhunohet, askush nuk do të ndërhyjë në çështjen e fesë, atëherë do të zhduken edhe padrejtësitë që u bëhen grave dhe skllevërve dhe në vend të pushtetit të shejtanit, do të vendoset sundimi i Zotit të Vetëm.
[1] Takua, në arabisht, do të thotë drojë prej Zotit. Ajo gjithashtu nënkupton që një besimtar i vërtetë, duke qenë i devotshëm, gjithmonë i shmanget mospëlqimit të Zotit dhe mundohet ta kënaqë Atë. [Përkthyesi]