Kush ishte Ka'b ibn Eshrefi dhe pse u vra ai?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Kush ishte Ka’b ibn Eshrefi dhe pse u vra ai?

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në fund të hutbes së fundit, po trajtohej historia e Islamit në lidhje me jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe në këtë aspekt ishte përmendur edhe ngjarja e Furat ibn Hajanit, sesi ai e kishte pranuar Islamin. Detajet e tjera që hedhin dritë mbi ngjarjen e pranimit të Islamit prej tij, janë si në vijim.

Pranimi i Islamit nga Furat ibn Hajani

Furat ibn Hajani ishte një prej robërve të luftës. Në luftën e Bedrit, ai kishte mbetur i plagosur, megjithatë kishte arritur t’i shpëtonte burgimit. Tani kishte rënë sërish në duart e muslimanëve. Kur Hazret Ebu Bekri e pa Furatin në Medinë, ai i tha: “A akoma nuk do të ndryshosh sjelljen tënde?” Furati iu përgjigj: “Po i shpëtova këtë herë Muhammedit, nuk do të më kapni kurrë”. Hazret Ebu Bekri e këshilloi të pranonte Islamin. Pra, nëse donte të lirohej nga muslimanët njëherë e përgjithmonë, mënyra më e mirë ishte të pranonte Islamin. Furat ibn Hajani dëgjoi këshillën e Hazret Ebu Bekrit, dhe vendosi të takonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Rrugës, kur kaloi pranë shokut të tij ensar, ai i tha atij se tashmë ishte bërë musliman. Ky sahab ensar shkoi menjëherë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e lajmëroi se Furati paska pranuar Islamin. Profeti s.a.v.s. këtë çështje i besoi Allahut dhe tha: إن منكم رجالاً نَكِلُهم إلى الله se njëmend disa nga ju janë të tillë, që çështjen e besimit të tyre, ia dorëzojmë Allahut. Nëse thotë se ka pranuar Islamin, çështja e tij tani i përket Allahut. Kështu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e liroi atë.

Në përshkrimin e kësaj ngjarjeje, Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi ka shkruar që në muajin Xhemadiul Ahir në 3 hixhri, çeta e Hazret Zejd ibn Harithes ishte dërguar në vendin Kerede. Ai shkruan më tej:

“Sapo shpëtuan nga sulmet e Benu Sulejmit dhe Benu Ghatfanit, muslimanëve u duhej të niseshin nga Medina për të neutralizuar një tjetër rrezik. Deri tani, kurejshët e kishin përdorur rrugën bregdetare të Hixhazit për udhëtimet e tyre tregtare drejt veriut, por meqë fiset e hixhazit tashmë ishin bashkuar në aleancën e muslimanëve, kurejshët tashmë e shmangnin këtë rrugë. Aq më tepër, ata nuk kishin më mundësi për të bërë ndonjë sherr dhe e konsideronin këtë rrugë të rrezikshme për lëvizjen e tyre. Ata e kishin zgjedhur tashmë rrugën e Nexhdit, e cila shkonte drejt Irakut dhe rreth së cilës banonin fiset Benu Sulejm dhe Ghetfan, të cilat kishin lidhur aleancë me ta dhe mbanin mëri e armiqësi ndaj muslimanëve.

Në muajin Xhemadul Akhir, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori informacionin se një karvan tregtar i kurejshëve do të kalonte nga rruga e Nexhdit. Nëse kalimi i karvanëve kurejsh nga rruga bregdetare të Hixhazit, u kanosej muslimanëve, udhëtimi i tyre nga rruga e Nexhdit përbënte një rrezik më i madh, sepse ndryshe nga rruga e Hixhazit, në rrugën e Nexhdit banonin më shumë fiset aleate të Kurejshëve, të cilat i urrenin muslimanët dhe kishin armiqësi të thellë ndaj tyre. Kurejshët tashmë kishin mundësi, të kurdisnin plane dhe i ekzekutonin fare lehtë në bashkëpunim me këto fise. Ata mund të bastisnin Medinën apo të bënin ndonjë fitne tjetër.

Përveç kësaj, muslimanët gjithashtu duhet të bënin përpjekjen e tyre për t’i dobësuar kurejshët ekonomikisht, që ata të detyroheshin për të nënshkruar traktat paqeje me muslimanët. Në këto rrethana lindi nevoja e kontrollit të lëvizjes së karvanëve në këtë rrugë. Pikërisht për këtë arsye, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. menjëherë pas marrjes së lajmit, nisi një çetë sahabësh nën udhëheqjen e shërbëtorit të tij besnik Zejd ibn Harithe.

Në këtë karvan tregtar, merrnin pjesë disa prej krerëve të shquar kurejshë, si Ebu Sufjan ibn Harbi dhe Sefvan ibn Umejja. Hazret Zejd ibn Haritha përmbushi detyrën e tij me mendjemprehtësi dhe mënyrë të matur dhe e zuri armikun në vendin Kerede të Nexhdit. Sulmi i befasishëm i muslimanëve ngjalli panik në karvan dhe kurejshët e hutuar u hodhën në arrati, duke lënë pas pasuritë dhe mjetet e tyre. Kështu, Zejd ibn Haritha dhe çeta e tij u kthyen si triumfues në Medinë, duke sjellë me vete një sasi të madhe plaçkash.”

Disa historianë kanë shkruar që një person me emrin Furat, i cili e shoqëronte këtë karvan, muslimanët e kishin zënë si rob lufte, por meqë ai e kishte pranuar Islamin, ata e lanë të lirë. Ndërsa burimet e tjera tregojnë se ai qe spiuni i idhujtarëve, por pas pranimit të Islamit, kishte mërguar në Medinë.

Vrasja e Ka’b ibn Eshrefit

Një ngjarje e rëndësishme që lidhet me atë kohë, është ajo e vrasjes së Ka’b ibn Eshrefit. Ai ishte një prej krerëve të Medinës, dhe prej firmëtarëve të marrëveshjes me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Por, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes, ai tentoi të krijonte trazira dhe ngatërresa në vend, prandaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lëshoi urdhrin për vrasjen e tij. Në Buhari gjejmë këtë ngjarje me këto fjalë:

Hazret Xhabir ibn Abdullahu r.a. ka përcjellë se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Kush do të merret me Ka’b ibn Eshrefin? Ai e ka hidhëruar Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Muhammed ibn Meselma brofi menjëherë dhe tha: “A dëshironi që ta vrasim atë?” Profeti s.a.v.s. mbështeti mendimin e tij. Kështu Muhammed ibn Meselma shkoi te Ka’bi dhe tha: “Ky njeri (d.m.th. Hazret Muhammedi s.a.v.s. ) na kërkon sadaka dhe na ka nxjerrë telashe. Kam ardhur që të kërkoj ty pak borxh”. Ka’bi i tha se pasha Zotin! Ju do të mërziteni prej tij dhe përfundimisht do të largoheni prej tij. Muhammed ibn Meselma i tha: “Por derisa kemi lidhur besë me të, nuk kemi të drejtë të ndahemi prej tij, veçse nëse i kemi parë fundin. Ne kemi ardhur që të kërkojmë një apo dy visk si borxh”. Ka’bi u kërkoi për të lënë peng diçka. Kur ata pyetën se çfarë mund t’i linin si peng, Ka’bi u tha për të lënë gratë e tyre. Muhammed ibn Meselma i tha: “Si mund të të lëmë peng gratë tona, kurse ti je më i hijshmi dhe më i pashmi në krejt arabi?” Atëherë, Ka’bi u kërkoi për t’i lënë peng djemtë e tyre. Muhammed ibn Meselma e kundërshtoi edhe këtë sugjerim dhe tha: “Si mund të të lëmë peng djemtë tanë, pasi njerëzit do të na përbuzin se kishim lënë ata peng vetëm për 1 apo 2 visk. Do të bëhemi gazi i botës. Më mirë, merri peng mburojat dhe parzmoret tona.” Me këtë, ai nënkuptonte edhe mjete dhe armë të ndryshme ushtarake.

Ata premtuan për t’u takuar sërish pasdite. Kështu, natën Muhammed ibn Meselma erdhi te Ka’bi bashkë me kushëririn e tij Ebu Naile.

Ka’bi i kishte ftuar në fortesën e tij. Kur ata shkuan në fortesë, Ka’bi zbriti nga kati i sipërm. Kur gruaja e tij e pyeti se ku po shkonte, Ka’bi iu përgjigj se po shkonte për të takuar Muhammed bin Meselmen dhe vëllain e tij Ebu Naile. Gruaja e tij kishte parandier diçka të keqe. Ajo e paralajmëroi duke thënë: “Zëri e këtij njeriu është i tillë, sikur po pikon gjaku prej tij”. Por Ka’bi nuk i përfilli fjalët, dhe i tha se kur prijësit i bëhet thirrje për të sulmuar, ai duhet t’i përgjigjej kësaj thirrjeje, edhe pse të ketë rënë nata.

Në anën tjetër, Muhammed ibn Meselma kishte marrë dy persona me vete. Ai u kishte thënë atyre se kur të vinte Ka’bi, ai do t’i afrohej gjoja për t’ia marrë erën nga flokët, dhe kur të shohin se ai i ka shtrënguar mirë kokën, ata duhet ta qëllojnë menjëherë me shpatat e tyre dhe ta vrasin në vend.

Kështu, Ka’bi, i cili kishte hedhur shall krahëve, zbriti poshtë, duke lëshuar aromë të këndshme. Muhammed ibn Meselma i tha: “Nuk kam nuhatur kurrë një aromë kaq të mirë.” Ka’bi i tha se në haremen e tij, ka gra më të bukura në krejt Arabi, të cilat lëshojnë aromë akoma më të këndshme”. Muhammed ibn Meselma i tha: “Zotëri! A më lejoni të marrë pak erë nga flokët tuaj?” Kështu, ai iu afrua Ka’bit, gjoja për t’i nuhatur flokët. Pastaj Muhammed ibn Meselma i tha: “A më jepni leje…?” dhe ia zuri fort kryen dhe kur e mbizotëroi Ka’bin, ai u bëri me shenjë shokëve të tij, të cilët iu vërsulën menjëherë dhe e vranë në vend. Më vonë Muhammed ibn Meselma shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ia rrëfeu gjithë ngjarjen.

Në lidhje me plagët që kishte marrë Ka’bi, gjejmë detaje të tjera në shpjegimin e Buhariut “‘Umdetul ‘Kari”. Aty shkruhet:

“Muhammed ibn Meselma dhe shokët e tij u hodhën në sulm ndaj Ka’b ibn Eshrefit dhe e vranë atë në vend. Megjithatë, gjatë këtij aksioni, një nga shokët e tij Harith ibn Ausi gjithashtu mori plagë nga tehu i shpatës. Shokët e tij e ndihmuan për t’u larguar nga vendi dhe e shpurën nxitimthi në Medinë. Ata e sollën te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i cili leu pështymën e tij mbi plagën e Harithit dhe u lut për të. Atij i iku dhimbja dhe më vonë ai u shërua plotësisht”.

Në veprën historike “Siret Khatem un-Nebijin” gjejmë një shënim mbi vrasjen e Ka’b ibn Eshrefit. Do t’jua rrëfej edhe këtë shënim në mënyrë të përmbledhur. Aty shkruhet:

Kush ishte Ka’b ibn Eshrefi?

“Lufta e Bedrit në njërën anë kishte nxjerrë në pah marazin dhe armiqësinë e hebrenjve kundër muslimanëve. Atyre u ishte shtuar kaq shumë smirë, saqë as dëbimi i fisit Benu Kajnuka nuk u solli ndonjë dobi. Ata përshkallëzuan komplotet dhe provokimet e tyre ndaj muslimanëve. Ngjarja e vrasjes së Ka’b ibn Eshrefit është një hallkë e këtij zinxhiri. Ndonëse fetarisht ai ishte hebre, por nuk i përkiste racës hebre, madje ishte me origjinën arabe. Babai i tij, Eshrefi, i përkiste fisit Benu Nebhan dhe qe një njeri dinak, që sillej gjithmonë me dredhi. Eshrefi kishte krijuar lidhje të ngushta me fisin Benu Nedir dhe dalëngadalë arriti të krijonte kaq shumë ndikim, saqë kryetari i fisit Benu Nedir, Ebu Rafi ibn Ebil-Hakik, ia dha vajzën. Nga kjo martesë lindi Ka’bi, i cili arriti një pozitë më lartë se babai i tij në shoqëri. Kishte arritur kaq shumë autoritet, saqë hebrenjtë në Arabi e konsideronin prijësin e tyre.

Shkaqet që çuan në vrasjen e tij

Ka’bi nuk ishte vetëm një njeri i pashëm dhe simpatik, ishte dhe një poet i shquar dhe një pasanik i madh. Përmes dhuratave, ai mbante dijetarët dhe njerëz të tjerë të shquar t’i rrinin poshtë dhe nuk ia kthenin fjalët. Por, nga ana morale, ishte një njeri i poshtër dhe i ndyrë. Po të bëhej fjalë për dinakëri, tinëzi apo djallëzi, asnjëri nuk krahasohej me të. Nuk kishte asnjë poshtërsi, që nuk gjendej në të.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Medinë, Ka’b ibn Eshrefi bashkë me hebrenjtë e tjerë të qytetit nënshkroi një traktat i cili parashikonte marrëdhëniet miqësore midis të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe komunitetit hebre, si dhe siguronte paqen, rendin dhe sigurinë e përbashkët. Ai nënshkroi këtë marrëveshje vetëm për sy e faqe, pasi përbrenda digjej nga inati e smira. Kështu ai nisi të bënte plane dhe komplote të fshehta kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe muslimanëve.

Ka’bi u jepte çdo vit dijetarëve dhe studiuesve hebre dhurata dhe ndihma. Njëherë, pas ardhjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në Medinë, kur këta njerëz shkuan tek ai për t’i kërkuar ndihma, ai nisi qëllimisht bisedën rreth Profetit s.a.v.s. dhe ua kërkoi gjykimin për pozitën e tij, në bazë të shkrimeve të shenjta. Ata i thanë se sipas të gjitha gjasave, Muhammedi mundet të ishte i njëjti profet, të cilin u kishte premtuar Zoti në Dhjatën e Vjetër. Ka’bit i hipi inati nga kjo përgjigje dhe nisi t’i qortonte rëndë. Ai i quajti dembelë dhe përdori nofka të tjera fyese dhe kështu përzuri nga shtëpia, pa u dhënë asgjë.

Kur dolën duarbosh nga shtëpia e tij, dhe iu ndërprenë ndihmat, dijetarët hebre shkuan prapë te Ka’bi dhe thanë: ‘Kemi gabuar në interpretimin e shenjave. Ne kemi shqyrtuar dhe analizuar ato edhe një herë, dhe kemi arritur në përfundimin se Muhammedi nuk është i njëjti profet, që na është premtuar në Teurat’. Me këtë përgjigje, Ka’bi ia arriti qëllimin që ai synonte, dhe menjëherë shpërndau ndihmat vjetore midis dijetarëve.

Ndonëse, ky ishte një kundërshtim nga pikëpamja fetare, të cilin e kishte arritur përmes mjeteve të pandershme, por nuk përbënte ndonjë shkak, përmes të cilit mund të ndëshkohej Ka’bi apo të ngrihej padi kundër tij. Por me kalimin e kohës, armiqësia e Ka’bit mori një vrull dhe pas luftës së Bedrit, ai tregoi një sjellje tërësisht armiqësore dhe tinëzare që synonte të shkaktonte trazira në vend. Armiqësia e tij e hapur, shkaktoi rrethana të rrezikshme për muslimanët. Në fakt, deri në luftën e Bedrit, Ka’bi kishte menduar se ndjenjat e zellshme fetare të muslimanëve janë të përkohshme dhe së shpejti, ky përkushtim do të dobësohej dhe ata do të kthehen sërish në fenë e baballarëve të tyre. Megjithatë, kur muslimanët shënuan një fitore të jashtëzakonshme në Luftën e Bedrit, dhe shumica e krerëve mekasë u vranë, ai kuptoi se kjo fe e re nuk do të zhduket kaq shpejt.

Pas luftës së Bedrit, ai u zotua se do të përqendronte të gjitha përpjekjet e tij në zhdukjen dhe shpartallimin e Islamit. Kjo urrejtje dhe vrer i brendshëm u shfaq për herë të parë atëherë kur lajmi i fitores së muslimanëve mbërriti në Medinë. Ka’bi e përgënjeshtroi publikisht këtë lajm dhe u zotua se nuk ishte e mundur që Muhammedi (s.a.v.s.) dhe muslimanët të shënonin fitore mbi një ushtri të tillë kurejshe, dhe të mposhtnin krerë të shquar mekasë. Ai gjithashtu tha: “Më mirë, vdeksha nëse lajmi qenka i vërtetë.” Megjithatë, kur lajmi doli i vërtetë dhe Ka’bi u bind se përnjëmend, fitorja e Bedrit i kishte dhënë Islamit atë mbështetje të cilën ai as që kishte imagjinuar, ai u bë helm e vrer, dhe menjëherë mori rrugën për në Mekë.

Në Mekë, përmes një gjuhe të zhdërvjellët dhe një poezi provokuese, ai u ndezi një zjarr në gjirin e mekasve dhe shkëndijën e ktheu në një zjarr të cilit i brambullonin flakët. Ai u ngjalli një etje për gjakun e muslimanëve dhe ua mbushi zemrat me ndjenjat e mërisë dhe hakmarrjes. Kur arriti t’u nxiste një forcë të vrullshme ndjenjave të mekasve, ai i mori në oborrin e Qabesë, dhe duke i shtyrë të shtrëngonin perdet e saj, i bëri që të zotoheshin se nuk do të qetësoheshin derisa nuk do të shpartallonin Islamin dhe themeluesin e tij nga faqja e dheut.

Pasi që ktheu atmosferën e Mekës në një vullkan urrejtjeje, Ka’bi u interesua për fiset e tjera arabe. Ai shkoi një nga një në çdo popull dhe u ngjalli urrejtje kundër muslimanëve. Pastaj, u kthye në Medinë dhe nisi të thurte vargje provokuese dhe propagandistike, në të cilat përshkruante gratë muslimane në një gjuhë të ndyrë e të shëmtuar. Madje, nuk kurseu të vinte në shënjestër të këtyre vargjeve të turpshme e të fëlliqura edhe gratë e familjes së Profetit s.a.v.s.. Ai përhapi këto vargje anembanë Arabisë. Pastaj, përgatiti komplotin për vrasjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai kishte planifikuar se do ta ftonte me hile Profetin s.a.v.s. te një gosti në shtëpinë e tij, dhe disa të rinj hebrenj do ta qëllonin atë me armë. Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zbuloi planin e tij dhe komploti i tij dështoi tërësisht.

Pse e vranë Ka’b ibn Eshrefin fshehurazi?

Kur çështja arriti deri në këtë pikë, dhe të gjitha akuzat ndaj Ka’bit si tradhti, nxitje për rebelim, nxitje për luftë, prishje e rendit dhe qetësisë publike, shpifje dhe komplot vrasjeje tashmë ishin vërtetuar, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori vendimin se për shkak të shkeljeve të rënda dhe veprimtarisë kundërligjore, Ka’b ibn Eshrefi dënohet me vdekje. Në bazë të marrëveshjes multi-etnike, e cila ishte nënshkruar midis të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe banorëve të Medinës, ky i pari ishte zgjedhur udhëheqësi dhe administratori i pushtetit demokratik të Medinës. Megjithatë, për shkak të kundërvajtjeve dhe komploteve të tilla, atmosfera e Medinës ishte bërë e tillë, që nëse ky vendim të shpallej zyrtarisht, do të plasej një luftë e përgjakshme civile në qytet, e cila do të shkaktonte gjakderdhje e masakra në qytet. Meqë qëllimi i të Dërguari të Allahut s.a.v.s. ishte që në çdo kusht të shmangej gjakderdhja midis popujve të Medinës dhe të parandalohej në çdo mënyrë përplasja midis hebrenjve dhe muslimanëve, ai nuk deshi që Ka’bi të dënohej në mënyrë publike e në praninë e njerëzve. Prandaj, ai vendosi që Ka’bi të ekzekutohej në mënyrë të fshehur nga disa persona, në kohën, vendin dhe rrethanat e përshtatshme.

Këtë detyrë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia besoi një sahabi të tij besnik nga fisi Aus, Muhammed ibn Meselmes. Ai gjithashtu e porositi se para se të merrte ndonjë hap, të këshillohej me kryetarin e fisit Aus, Sa’d ibn Muadh. Muhammed ibn Meselma e pyeti Profetin s.a.v.s.: “O i Dërguar i Allahut! Edhe nëse e vrasim fshehurazi, duhet të sajojmë një arsye”. D.m.th. për ta bindur atë, që të dalë nga kështjella e tij dhe të na shoqërojë në një vend të sigurt, duhet të sajojmë ndonjë arsye. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte llogaritur të gjitha situatat me ndikime të jashtëzakonshme që mund të dilnin nga një ekzekutim publik, prandaj pranoi kërkesën e Muhammed ibn Meselmes që vrasja e Ka’bit të bëhej në fshehtësi e në heshtje.

Kështu, Muhammed ibn Meselma u këshillua me Sa’d ibn Mu’adhin dhe mori kushëririn e tij Ebu Naile dhe 2-3 shokë të tjerë dhe mbërriti në kështjellën e Ka’b ibn Eshrefit. Ai e thirri për një bisedë dhe i tregoi se prijësi i tyre (Muhammed s.a.v.s.) u kishte bërë thirrje për të dhënë sadaka, kurse ata ishin në një gjendje të ngushtë financiare. Ai i kërkoi Ka’bit borxh për këtë qëllim. Ka’bi u gëzua pamasë nga kjo kërkesë dhe tha “Pasha Allahun! Nuk është larg dita që ju të gjithë do ta braktisni atë”. Muhammed ibn Meselma i tha: ‘Sido që të jetë, ne tashmë i kemi dhënë besëlidhje dhe jemi betuar se atij do t’i tregojmë vetëm besnikëri. Ne po shohim dhe të ardhmen e kësaj lëvizjeje, por na trego, a na jep borxh apo jo?’ Ka’bi i vuri një kusht, që mund t’i jepte borxhin me kushtin që ai t’i linte diçka si peng. (Siç kam përmendur edhe më lartë në bazë të hadithit të Buhariut, në fillim ai kërkoi lënien e grave dhe më pas të djemve të tij si peng). Por në  fund, ata u pajtuan për të lënë disa armë si peng. Muhammed ibn Meselma i premtoi se do të vinin sërish në darkë.

Kur erdhi nata, ky grup i vogël, mbërriti në kështjellën e Ka’bit, ndërkohë që ata ishin të përgatitur dhe të pajisur me armë. Ata filluan bisedën me të, dhe e bindën atë që t’i shoqëronte pak larg nga banesa e tij. Teksa ecnin, ata e mbizotëruan atë, dhe sahabët e armatosur, e qëlluan me shpata dhe e vranë në vend. Ky ishte fundi i Ka’bit, ndërkohë Muhammed ibn Meselma shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e njoftuan për kryerjen e misionit.

Lajmi i vrasjes së Ka’bit shkaktoi panik në qytet, dhe ngjalli valën e zemërimit në popullatën hebre. Të nesërmen, një grup prej hebrenjve vizitoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe u ankuan se prijësi i tyre Ka’b ibn Eshrefi ishte vrarë në rrethanat misterioze. Profeti s.a.v.s. i dëgjoi me vëmendje dhe pastaj i pyeti: “A jeni në dijeni edhe për krimet për të cilat ishte akuzuar Ka’bi?” Pastaj, ai u foli atyre përmbledhtas dhe renditi një nga një të gjitha krimet e tij si shkelja e traktatit, nxitja për luftë, thurja e komploteve, përdorimi i gjuhës së ndyrë e të paturpshme, tentativa për vrasje etj. Kur dëgjuan këto akuza, hebrenjtë u frikësuan dhe nuk i thanë asgjë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i këshilloi “Ju duhet të mësoni të jetoni të paktën në të ardhmen me paqe e bashkëpunim dhe mos mbillni farën e armiqësisë dhe urrejtjes”. Pastaj me dëshirën dhe dakordësinë e hebrenjve, u shkrua një marrëveshje e re dhe hebrenjtë u zotuan se do të jetonin në paqe e siguri me popullsinë muslimane, dhe do t’u shmangeshin sjelljeve të fitnes dhe përçarjes. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia besoi këtë marrëveshje të re Hazret Aliut r.a.. Ne gjithashtu nuk gjejmë asnjë dëshmi që vërteton se hebrenjtë të kenë përmendur ndonjëherë rastin e Ka’b ibn Eshrefit dhe të kenë akuzuar muslimanët për këtë vrasje. Kjo dëshmi historike vërteton se edhe ata ishin të vetëdijshëm se Ka’bi përnjëmend e gjeti atë që meritonte.

A ishte e drejtë vrasja e Ka’b ibn Eshrefit?

Heshtja e plotë dhe moskundërshtimi i hebrenjve ndaj masave të marra kundër Ka’b ibn Eshrefit, në përputhje me ligjet dhe normat e asaj kohe, na bind se hebrenjtë kishin pranuar këtë ndëshkim dhe trajtim të tij.

Disa nga historianët kanë akuzuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte urdhëruar këtë vrasje pa asnjë të drejtë dhe si e tillë ky veprim duhet dënuar. Le të dihet se kjo vrasje nuk ishte e padrejtë, pasi Ka’b ibn Eshrefi kishte nënshkruar zyrtarisht një trakt paqeje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe sipas këtij traktati jo vetëm që nuk kishte të drejtë për të bërë veprimtarinë kundër muslimanëve, madje kishte detyrim ligjor për të ruajtur marrëdhënie miqësore me ta. Sipas këtij traktati, ai gjithashtu kishte shprehur bindjen e plotë se çfarë sistem politik që do vendosej në Medinë, do të udhëhiqet nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe vendimi i tij në të gjitha mosmarrëveshjet do të konsiderohet si fjala e fundit, të cilit duhet t’i nënshtroheshin të gjitha partitë”.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi shton më tej:

“Historia na tregon se pikërisht në përputhje me këtij traktati hebrenjtë sillnin mosmarrëveshjet e tyre para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., i cili pas shqyrtimit merrte urdhrat e drejtpërdrejtë. Pikërisht në situata të tilla, Ka’bi e shkeli rëndë marrëveshjen e nënshkruar, dhe nuk i ndoqi as urdhrat. Me fjalë të tjera, ai shpalli kryengritje kundër shtetit. Këtu nuk bëhet fjalë për kundërshtimin e tij të muslimanëve, por plasjen e kryengritjes kundër pushtetit aktual, të cilin e udhëhiqte vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ai mbolli farën e përçarjes dhe urrejtjes në Medinë, tentoi të ndizte luftën anekënd vendit, nxiti fiset arabe kundër muslimanëve, komplotoi për vrasjen e Profetit s.a.v.s. dhe ai i bëri të gjitha këto, në një kohë, kur muslimanëve u kishin marrë anët rreziqet dhe fatkeqësitë. Në rrethana të tilla, shkeljet e Ka’bit nuk ishin të tilla, që mund të liheshin pa i ndëshkuar, dhe kështu u veprua. Madje edhe sot, a nuk ndëshkohet personi që tenton të mbjellë anarki në vende të ashtuquajtura të civilizuara, i cili i shkel marrëveshjet, nxit gjakderdhjen e luftën dhe thur komplote për vrasje njerëzish. Nëse përgjigja është po, atëherë ku qëndron akuza? Madje, ajo që bëhet sot midis Izraelit dhe Palestinës, është në përmasat gjigande, dhe është plotësisht e padrejtë në mjaft aspekte.

Pyetja e dytë lidhet me metodën e vrasjes, d.m.th. përse u ekzekutua Ka’bi në terrin e natës. Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të themi se në Arabinë e asaj kohe, nuk ekzistonte asnjë shtet normal. Ndonëse, ata kishin zgjedhur një udhëheqës nga mesi i tyre, ai nuk gëzonte të drejtën absolute në vendimmarrje. Çdo fis kishte të drejtë ligjore për të marrë vendime në çështjet e tyre të brendshme. Nëse vendimet duhet të merreshin në mënyrë kolektive, atëherë ato shqyrtoheshin nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., por fiset mund të merrnin vendime në mënyrë individuale. Kur e tillë ishte gjendja e organeve që merrej me dhënien e drejtësisë, atëherë cilit organi duhet t’i drejtohej çështja kundër Ka’bit për shqyrtim dhe drejtësi. A kjo padi t’i drejtohej  popullsisë hebre, të cilët e mbanin Ka’bin si prijës dhe kishin shpallur luftë ndaj muslimanëve. Derisa ata bënin gati çdo ditë ndonjë sajesë, kundër muslimanëve, nuk qëndronte as si pyetje që ata t’u drejtoheshin hebrenjve. A t’u kërkonin drejtësi fiseve Benu Sulejm dhe Ghatfan, të cilët gjatë muajit të fundit, kishin tentuar 3-4 herë për të bastisur Medinën. Ata ishin fiset e tyre, prandaj nuk mund të pritej ndonjë drejtësi në këtë rast.

Nëse merrni në mend situatën e asaj kohe, dhe pastaj të mendoni se çfarë mundësie u kishte mbetur muslimanëve për të ballafaquar shkeljet e rënda provokuese, nxitjen për luftë, mbjellje përçarjeje e urrejtjeje, dhe tentativat për vrasje. Nëse, ata e shikonin jetën e këtij personi si rrezik për paqen, stabilitetin dhe rendin e atij vendi, dhe e vrisnin atë duke gjetur mundësinë si një mënyrë për vetëmbrojtje, padyshim eliminimi i një njeriu të tillë të lig e të rrezikshëm, do të ishte më i mirë sesa të rrezikohej jeta e shumë qytetarëve paqësorë apo të shkatërrohet paqja e vendit. Edhe Allahu ka përmendur në Kuran se përçarja është më e rëndë se vrasja.

Sipas traktatit të Medinës, i cili ishte nënshkruar pas ngjarjes së hixhretit, midis muslimanëve dhe hebrenjve të Medinës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tashmë nuk ishte më një qytetar i thjeshtë, por ishte kryetari i asaj qeverie demokratike, e cila ishte ngritur në Medinë. Atij gëzonte autoritet për të gjykuar dhe për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dhe çështjet politike. Prandaj, nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në interes të paqes dhe rendit në vend, dhe për t’i dhënë fund fushatës së rrezikshme të Ka’b ibn Eshrefit, mori vendimin për vrasjen e tij, asnjëri nuk ka të drejtë ta kritikojë vendimin e tij. Ata orientalistë që kritikojnë sjelljen e tij pas 1300 vjetësh, duhet të dinë se as hebrenjtë e kohës së Profetit s.a.v.s. nuk e kundërshtuan dhe protestuan vrasjen e prijësit të tyre.”

Martesa e Hazret Hafsa bint Omerit r.a.

Në këtë periudhë u zhvillua edhe martesa e Hazret Hafsës, të bijës së Omerit r.a. me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Kjo ishte martesa e saj e dytë. Bashkëshorti i saj kishte shkuar për të luftuar në Bedër, dhe kishte marrë disa plaga, të cilat nuk u shëruan dhe ndërroi jetë në Medinë. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me të. Imam Buhariu ka shënuar këtë zhvillim në veprën e tij, ku thuhet:

“Hazret Abdullah ibn Omeri r.a. ka përcjellë se (motra e tij) Hazret Hafsa bint Omeri kishte mbetur e ve nga Hunejs ibn Huzafa es-Samiu, i cili ishte një ndër sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit.

Hazret Omeri r.a. ka treguar se ai e takoi Osman ibn Afanin dhe i tregoi për Hazret Hafsen. Ai i tha se nëse dëshironte mund të merrte Hazret Hafsen për grua. Hazret Osmani i kërkoi kohë për të menduar dhe për t’i kthyer përgjigjen. Hazret Omeri r.a. priti disa ditë, gjersa Hazret Osmani i tha se kishte menduar gjatë, dhe që kishte arritur në përfundimin të mos martohet atëherë.

Hazret Omeri r.a. pastaj e takoi Hazret Ebu Bekrin. Ai edhe atij i tha se nëse pëlqente, mund të martohej me Hafsen r.a.. Por, Hazret Ebu Bekri nuk i dha asnjë përgjigje. Hazret Omerit i erdhi akoma më keq nga heshtja e Hazret Ebu Bekrit. Ai priti disa ditë, derisa vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kërkoi Hafsen për grua dhe Hazret Omeri e martoi vajzën me të.”

Në “Siret Khatemun Nebijjin” këtë ngjarje e gjejmë në këtë mënyrë:

“Hazret Omer ibn Hatabi kishte një vajzë që quhej Hafse. Ajo ishte martuar me Hunejs ibn Huzafen, i cili ishte një sahab i sinqertë. Hunejsi kishte shkuar në luftën e Bedrit. Pas kthimit nga lufta e Bedrit, ai u sëmur, dhe nuk i mbijetoi sëmundjes dhe ndërroi jetë. Kur i kaloi njëfarë kohe vdekjes së dhëndrit, Hazret Omerin e zuri meraku në lidhje me të bijën e tij. Hafsa ishte pak më shumë se 20 vjeçe. Hazret Omeri r.a. e takoi Osman ibn Afanin dhe me shumë thjeshtësi i tregoi rastin e vajzës së tij se kishte mbetur e ve, dhe nëse i pëlqente, Osmani mund ta merrte për grua, por Hazret Osmani nuk ia pranoi këtë propozim. Pastaj, Hazret Omeri bisedoi me Hazret Ebu Bekrin, por ai vetëm heshti dhe as më vonë, nuk i ktheu asnjë përgjigje.

Hazret Omeri u pikëllua shumë dhe në këtë gjendje shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ia tregoi hallet e tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: ‘Omer! Mos u pikëllo. Dashtë Allahu, Hafsa do të gjejë një bashkëshort më të mirë se Osmani dhe Ebu Bekri, ndërsa Osmani do të gjejë një bashkëshorte më të mirë se Hafsa’. Ai i tha Omerit këto fjalë se tashmë kishte vendosur se të martohej me Hafsen dhe t’i jepte Osmanit vajzën e tij Umi Kulthum. Hazret Osmani dhe Hazret Ebu Bekri ishin në dijeni për këtë vendim, prandaj nuk i kishin pranuar kërkesën e Omerit.

Disa ditë më vonë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dërgoi Omerit shkuesin dhe i lypi dorën e vajzës për ta marrë për grua. Çfarë më tepër mund të kërkonte Omeri? Ai e pranoi këtë lidhje me kënaqësi dhe në muajin shaban 3 hixhri, u shpall nikahu i Hazret Hafses me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Kur përfundoi martesa, Hazrert Ebu Bekri i tha Omerit se ndoshta i kishte mbetur hatri nga heshtja e tij dhe nga moskthimi i përgjigjes. Në fakt, ai ishte në dijeni për dëshirën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por në të njëjtën kohë, pa lejen e tij, nuk mund t’i zbulonte dikujt këtë sekret. Por, po të mos kishte vendosur i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ai me kënaqësi do të pranonte të martohej me Hafsen.”

Përse u martua Profeti Muhammed s.a.v.s. me Hafsen r.a.

Arsyeja pas martesës me Hafsen ka qenë që ajo ishte vajza e Hazret Omerit r.a., i cili konsiderohej sahabiu me gradën më të lartë pas Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe një ndër shokët më besnikë dhe më të afërt me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Prandaj, në anë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zgjodhi Hafsen për grua, për të përforcuar lidhje reciproke, dhe në anën tjetër, për të lehtësuar dhimbjen që i kishte shkaktuar vdekja e parakohshme të bashkëshortit të saj Hunejs ibn Huzafe. Përveç kësaj, ka qenë edhe një arsye e përgjithshme, pra me sa më shumë gra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte mundësi të realizonte në masë më të gjerë e në mënyrë më efikase detyrën e thirrjes, predikimit dhe të edukimit të grave, pasi ato përbëjnë gjysmën e shoqërisë.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. shkruan:

“Kur u martua me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., mosha e Hazret Hafses ka qenë afërsisht 21 vjeçe. Ajo gëzonte një pozitë të veçantë ndër të gjitha bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., sepse ishte vajza e një prej sahabëve më të shquar. Ajo kishte një lidhje të ngushtë me Hazret Aishen r.a.. Përveç disa rasteve të veçuara të mosmarrëveshjeve, që ndodhin shpesh në lidhje të tilla, ato shkonin shumë mirë me njëra-tjetrën. Hazret Hafsa dinte shkrim e lexim, dhe sipas një hadithi, një sahabije Shifa bint Abdullah kishte mësuar shkrim e lexim prej saj. Ajo ndërroi jetë në vitin 39 hixhri, në moshën pak a shumë 63 vjeçare.”

Lindja e Hazret Hasanit r.a.

Hazret Imam Hasan ibn Ali ibn Ebu Talibi lindi në mesin e muajit ramazan në 3 hixhri. Sipas disa burimeve, Hazret Hasani kishte lindur në muajin shaban, ndërsa disa thonë se 1 vit pas luftës së Uhudit dhe disa mendojnë se 2 vjet më vonë. Interpretuesi i Buhariut Alama Ibn Haxher Askalaniu e mbështet mendimin e parë dhe e quan më të saktë dhe të besueshëm.

Hazret Aliu i kishte vënë emrin Harb, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ndërroi këtë emër me Hasan. Në ditën e shtatë pas lindjes, u mbajt ceremonia e Akikes, iu hoqën flokët dhe aq sa ishte pesha e flokëve, u shpërnda argjendi në bamirësi. Një herë Umi Fazli iu drejtua Profetit s.a.v.s. dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Kam parë në ëndërr, sikur një pjesë juaji është në shtëpinë time, ose (tha) në dhomën time”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pëlqeu këtë ëndërr dhe tha: “Fatimes do t’i lindë një djalë dhe ti do të kujdesesh për të, dhe t’i japësh gji bashkë me Kasamin.”

Umi Fazli ishte bashkëshortja e Hazret Abasit, xhaxhait të Profetit s.a.v.s. dhe Kasami ishte emri i djalit të saj. Kur lindi Hasani, Umi Fazli i dha gjirin së bashku me djalin e saj Kasam.

Njëherë Hazret Hasani u pyet se a mbante mend ndonjë kujtim me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ai tha: “Unë mbaj mend një ngjarje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Njëherë kisha futur një hurmë në gojë, nga hurmat që ishin dhënë si sadaka. Kur Profeti s.a.v.s. e pa këtë, ai menjëherë e nxori nga goja ime, edhe pse ajo ishte e njomë me pështymën time dhe e kaloi sërish në hurmat e sadakasë. Dikush i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ajo ishte vetëm një kokërr”. Ai iu përgjigj: “Nuk i lejohet familjes së Muhammedit të përdorë sadakanë”.

Hazret Enes ibn Maliku ka përcjellë se askush nuk i ngjante të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. më shumë se Hasani. Hazret Ibn Abasi ka thënë se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte vënë Hazret Hasanin në supet e tij dhe dikush i tha: “O djalë! Sa i mirë është mjeti që të mbart ty”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: “Edhe udhëtari qenka i mirë”. Kështu shprehu dashurinë e tij ndaj nipit.

Hazret Braja r.a. ka përcjellë se kishte parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., duke mbartur nipin e tij Hasan ibn Ali mbi supet dhe lutej me këto fjalë: “O Allah! Unë e dua atë me gjithë zemër. Duaje edhe ti”. Sipas disa transmetimeve, Hazret Imam Hasani kishte ndërruar jetë nga helmi.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka shkruar një shënim për Hazret Hasanin. Ai shkruan:

“Në ngjarjet e vitit 2 hixhri është përmendur martesa e Hazret Aliut me Hazret Fatimen. Në muajin ramazan 3 hixhri, d.m.th. 10 muaj pas martesës, atyre u lindi një djalë, të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e quajti Hasan. Ky është i njëjti Hasan, i cili më vonë u bë i njohur me nofkën Imam Hasan (mëshira e Allahut qoftë atë). Hasani kishte një ngjashmëri të skajshme me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në fizionomi. Ashtu siç Profeti s.a.v.s. kishte një dashuri të veçantë për vajzën e tij Fatime, po ashtu një dashuri të veçantë e kishte kursyer për fëmijët e saj. Shpeshherë ai lutej: O Allah! Unë i dua këta fëmijë me gjithë zemër. Duaji Ti këta fëmijë dhe duaji edhe ata që i duan këta. Shpeshherë, Hasani i merrte ndër krahët këmbët e Profetit s.a.v.s. dhe kur ai përkulej në Ruku, Hasani kalonte përmes këmbëve. Kur sahabët donin ta ndalonin atë, Profeti s.a.v.s. i ndalonte ata. Meqë hedhja e krahëve të Hasanit, nuk e shpërqendronte Profetin s.a.v.s., ai nuk donte të pengonte shfaqjen e dashurisë së tij fëmijërore. Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Ky fëmijë im është “Sjed” d.m.th. prijës dhe Zoti do t’i pajtojë dy grupe përmes tij, profeci kjo që u përmbush në kohën e vet.”

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka shkruar rreth Hazret Hasanit:

“Sipas mendimit tim, Hazret Hasani bëri një punë të mirë, që u mënjanua nga gara e kalifatit. Deri në atë kohë mijëra njerëz ishin vrarë për këtë çështje, dhe ai nuk deshi të derdhet gjaku i muslimanëve, dhe kështu u pajtua me Muavijen. Meqë veprimi i Hazret Hasanit i kundërvihet qëndrimit të shiitëve, prandaj as ata nuk pajtohen plotësisht me Hazret Hasanin. Ne i lëvdojmë të dy, hem Hasanin, hem Husejnin. Faktikisht, çdo njeriu i janë dhuruar aftësi dhe fuqi të ndryshme. Hazret Imam Hasani nuk pranoi as vëllavrasjen dhe as gjakderdhjen. Ai synonte vetëm paqen. Ndërsa Hazret Imam Husejni nuk deshi të hynte në besëlidhje në dorën e një njeriu të poshtër e mizor, sepse ky veprim mbillte shtrembërim në fe. Të dy ata kishin qëllim të mirë dhe të drejtë. إنَّما الأعمالُ بالنِّيَّاتِ (Veprat varen nga nijeti).

Një thirrje për lutje për popullin palestinez

Siç kam folur gjatë shumë hutbeve, dhe ju kam bërë thirrje për të bërë dua për popullin palestinez, edhe sot dua t’ju kujtoj për ta. Mos i ndërprisni lutjet tuaja. Tashmë mizoria ka arritur kulmin. Në emër të luftës kundër Hamasit, po vriten fëmijët, grat, pleqtë dhe të sëmurët e pafajshëm. E ashtuquajtur bota e qytetëruar ka hedhur prapa shpine çdo parim apo normë luftarake. Allahu i udhëzoftë edhe vendet muslimane! Para 72-73 vjetësh Hazret Kalifi II r.a. i kishte paralajmëruar ata dhe kishte thënë: “Muslimanët duhet të zgjedhin vetë. Ata ose të bashkohen dhe të qëndrojnë si një trup i vetëm dhe të mbijetojmë. Por nëse nuk bashkohen, le të bëhen gati për t’u shkatërruar një nga një. Ah sikur ta kuptojnë këtë dhe të bëhen një.

Por realiteti është krejtësisht ndryshe. Dikush më tregoi se ata që shkojnë në Arabi për të bërë Umre, u thuhet të mos bisedojnë hiç për luftën e Palestinës dhe Izraelit. Shteti i Arabisë jep udhëzime të tilla, kur u japin vizë njerëzve. Po të jetë i vërtetë ky lajm, mjerë ky shtet musliman, që tregohet tmerrësisht frikacak. Sidoqoftë, njerëzit le të shkojnë për të kryer adhurimin e Umrasë, dhe sigurisht gjatë umrasë nuk bëhen biseda të tilla, por të paktën duhet të luten patjetër për popullin e shtypur palestinez. Ata që shkojnë për Umre, nuk duhet të harrojnë këto lutje.

Disa shtete muslimane kanë ngritur zërin e tyre, porse zëri i tyre është tejet i dobët. Ndoshta disa politikanë, intelektualë apo shtete jo muslimane kanë folur me zë më të fuqishëm. Allahu u dhëntë muslimanëve guxim dhe urtësi!

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka dhënë disa deklarata të mira këto ditë, por duket se fjalët e tij nuk kanë asnjë peshë. Ndoshta kjo luftë merr fund këtu, përndryshe nëse përhapet, ajo do të kthehet në një luftë botërore dhe kështu do të marrë fund edhe OKB-ja. Allahu e udhëzoftë botën! Por duket sikur bota po e ndjell dhe tërheq shkatërrimin e saj gjithnjë e më pranë. Allahu i udhëzoftë ata që do t’i mbijetojnë këtij shkatërrimi global dhe i mundësoftë t’i drejtohen vetëm Zotit dhe të kthehen tek Ai!

Duhet të vazhdojmë lutjet tona pandërprerë. Allahu pastë mëshirë mbi këtë botë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp