Zgjidhja e konfliktit në dritën e jetës së Profetit Muhammed a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Zgjidhja e konfliktit në dritën e jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.

Emir i Xhematit Musliman Ahmedia të Gjermanisë
zgjidhja e mosmarrëveshjeve

(Abdullah Uwe Wagishauser, Amir i Xhematit të Gjermanisë ka mbajtur këtë temë “Zgjidhja e konfliktit në dritën e jetës së Profetit Muahmmed s.a.v.s.” më 27 gusht 2017 në Xhelsa Salanën e Gjermanisë që u mbajt në Karlsruhe.)

Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.[1]

Ne të gjithë kemi sfidat tona

Ne të gjithë kemi sfidat tona që duhet t’i mposhtim në jetë: një fatkeqësi, një sëmundje e rëndë, humbje e një të dashuri etj. Të papriturat na habisin përditë, na ngjallin çudi, nganjëherë na hidhërojnë dhe herë na rrëmbejnë përgjithmonë gëzimin, qetësinë e arsyetimin tonë.

Teksa po flas, jam i bindur se secili nga ju po bluan në mendje ndonjë problem të tillë. Fatimeja po lufton me kancerin që po i përhapet në trup, ndërsa Mesutin e tremb ikja e vendit të punës. Atifenë e trishton rënia e djalit të saj në shoqëri të keqe, ndërkohë Valbona ka mbetur në mëdyshje për zgjedhjen e partnerit të saj dhe Junusi është merakosur për humbjen e flokëve të tij.

Zgjidhja e konfliktit

Fatkeqësi të tilla, të mëdha a të vogla, shkaktohen nga faktorë të jashtëm ose vetë nga njeriu. Ndonjëherë nuk dimë se si t’ia dalim mbanë, sepse jemi të dobët dhe vazhdimisht biem në kurthin e gabimeve. Ndonëse jemi të vetëdijshëm se nuk kemi fuqi për të ndryshuar çdo gjë që na ndodh, mirëpo e kemi në dorë se si të reagojmë ndaj këtyre ngjarjeve, se si të merremi me veten tonë dhe si të sillemi me njerëzit e tjerë rreth nesh. Islami na nxit për t’u bërë shembullor e të përkryer, dhe në ndërgjegjen tonë rrënjos dëshirën për të hedhur çdo ditë hapa përpara.

Kalifi i tretë i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Nasir Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) i dha botës parullën e famshme “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”. Sot kjo parullë është në buzët e të gjithëve. Mesazhi “Muslimanët për Paqe” është shtypur bukur nëpër fletushka, postera dhe bluzat tona, dhe na zbukuron pamjen kur u afrohemi bashkëqytetarëve për një bisedë miqësore.

Por a e pyetni veten: Sa të qetë ndihemi me veten tonë? Sa dashuri kemi në zemër, poshtë asaj bluze që kemi veshur? Sa paqe ndiejmë brenda vetes? Si reagojmë kur na trokasin mysafirët papritur në derë? A i ruani nervat kur dikush ju godet pa dashje apo shoferi para jush bën një shkelje? A ju prishet qejfi, kur bashkëshortja ju harron diçka të rëndësishme? A inatoseni, kur djali apo vajza juaj ju lë ta prisni për një kohë të gjatë? A zemëroheni kur hasni pengesë në rrugë, dhe në inat e sipër e shkelni prapë dhe kështu nxirrni dufin? Ndonëse, është një sjellje absurde, kjo i përshtatet vetëm atij që ka nevojë për një valvul për të shfryer mllefin dhe frustrimin e tij.

Karakteri i vërtetë i një personi shfaqet në kohë të mira dhe të këqija, në fitim dhe humbje, në fitore dhe në dështim. Në këto situata, ne vihemi përballë sprovës, të cilën mund të kapërcejmë vetëm me anë të dashurisë e besnikërisë ndaj Zotit. Vetëm Ai ka fuqi për të drejtuar punët tona dhe për të siguruar mjetet që na duhen për të arritur lumturinë në jetë.

Një shembull i përkryer

Kam nderin dhe kënaqësinë të flas për një njeri, jeta e të cilit ishte mbushur me ngjarje të stuhishme. Fjalët dhe veprimet e tij lanë gjurmë të thellë në historinë e njerëzimit. E gjejmë në më shumë se një hadith, se Zoti nuk do ta kishte krijuar gjithësinë, po të mos kishte krijuar Muhammedin s.a.v.s. si një model i përsosur për mbarë njerëzimin.

Në baticën dhe zbaticën e jetës, në vorbullën e ngjarjeve, në përndjekje dhe në rrezikun e vdekjes, ai u tregua i patundur e i pamposhtur. Me një qëndresë të lartë, ai ndoqi misionin e tij fisnik. Kur retë e zeza të kundërshtimit paralajmëronin për një shtrëngatë të ashpër ndaj tij, duke mos lënë asnjë shenjë suksesi në horizont, ai përmbysi gjithë situatën dhe doli triumfues. Mbi të gjitha: ai gjeti Zotin duke jetuar midis një popull pafe. Ai jetoi me frymën e Zotit, dhe këtë frymë ua ngjalli edhe të tjerëve. Kjo është trashëgimia e tij shpirtërore, që mbetet e gjallë edhe sot në zemrat dhe veprat e ndjekësve të tij.

Zgjidhja e konfliktit

Që nga fëmijëria, Muhammedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) mendonte dhe meditonte rreth gjendjes së shoqërisë. Rrinte larg grindjeve apo konflikteve të të tjerëve, madje angazhohej për t’i pajtuar palët kundërshtare dhe për t’u dhënë fund padrejtësive.

Kur dëgjoi për themelimin e një shoqërie nga disa të rinj, që synonin t’i ndihmonin të shtypurit, ai menjëherë iu bashkua me zell të madh. Rrjedha e viteve, i dha famë të madhe për sinqeritetin dhe dhembshurinë e tij. Njerëzit anembanë Mekës e njihnin atë si njeri i sinqertë, i ndershëm dhe i gjindshëm.

Megjithatë Zoti, nuk donte që ai të ecte në këtë rrugë vetëm, dhe vetitë e tij shembullore të mbeteshin me aq. Ai e kishte zgjedhur Muhammedin (a.s.) për një mision madhështor. Atij do t’i besohej një detyrë hyjnore, për të qenë mësues dhe ndihmës, paralajmërues dhe udhërrëfyes, mbrojtës dhe shpëtimtar, dhe për të udhëhequr njerëzit në rrugën drejt Krijuesit të tyre, që të shijonin dashurinë e Tij, të përjetonin kënaqësinë e përhershme dhe arrinin lumturinë e vërtetë.

Reagimi i bashkëkohësve dhe misioni i Profetit a.s.

Cili ishte reagimi i bashkëkombësve ndaj deklaratës së Muhammedit s.a.v.s., të atyre që e quanin njeri me karakter fisnik? Ata reaguan njësoj, sikur çdo popull tjetër, të cilit Zoti i dërgoi një profet si shenjë mirësie dhe mëshire. Kurani Famëlartë përshkruan sjelljen e tyre në këtë mënyrë:

Zgjidhja e konfliktit

Kur u lexohen atyre ajetet Tona të qarta, ata thonë: “Ky është një njeri i thjeshtë, që dëshiron t’ju largojë nga ajo që etërit tuaj kanë adhuruar”. Dhe ata thanë “Kjo është vetëm një shpifje e trilluar!” Dhe kur u erdhi e vërteta, mosbesimtarët thanë “Kjo nuk është veçse një magji e qartë”.[2]

Sipas Kuranit, nuk është e rastësishme që mbartësit e mesazhit hyjnor u përndoqën nga bashkëkohorët e tyre dhe u persekutuan për dekada të tëra. Ata u quajtën të pushtuar nga djalli, magjistarë të rrezikshëm, rebelë, blasfemues dhe armiq të popullit. Ata që iu bashkuan kësaj thirrjeje, u vranë në mënyrë të pamëshirshme. Ata hoqën vuajtje dhe sfilitje të rënda, sepse zgjodhën vështirësinë në vend të lehtësisë, dhe përqafuan të vërtetën në vend të mashtrimit.

Mesihu i Premtuar a.s. në kryeveprën e tij Brahin-e Ahmedia përshkruan sakrificat e Profetit s.a.v.s.:

“Duhet reflektuar se si i Dërguari i Allahut a.s. pavarësisht rreziqeve të shumta, daljes së qindra mijëra armiqve, kundërshtarëve dhe kërcënuesve, i qëndroi besnik deklaratës së profetësisë deri në fund, dhe mbeti i palëkundur e i pathyeshëm në këtë qëndresë. Ai hoqi mundime sfilitëse për vite me radhë, dhe duroi vuajtje që shtoheshin çdo ditë e më tepër dhe i prisnin çdo shpresë fitoreje. … Edhe atë pak mbështetje që kishte, e humbi pas kësaj deklarate. Duke thënë vetëm një fjalë ndezi qindra konflikte dhe tërhoqi mijëra telashe. Ata që i kishte dashamirës, iu kthyen në keqdashës, dhe ata që i kishte miq iu bënë armiq. E dëbuan nga vendlindja, e ndoqën për ta vrarë dhe e helmuan disa herë. Ia morën shtëpinë dha ia shkatërruan plaçkat. Ai hoqi mundime të rënda për një kohë të stërzgjatur, duke mbajtur një qëndresë të papërkulur që assesi nuk mund të karakterizojë gënjeshtarin dhe mashtruesin”.[3]

Do të thoni se: Në një anë ai u shmangej konflikteve, e gjithmonë përpiqej t’i zgjidhte ato, ndërsa nga ana tjetër, ai vetë shkaktoi konflikte. Por çfarë i dallon këto konflikte nga njëri-tjetri? Konfliktet që iu lindën si rrjedhojë e deklaratës së tij nuk buronin nga gjykimet, interesat e ndjenjat e tij personale, por nga vullneti i Zotit.

Raporti i Profetit a.s. me pushtetin

Abraham Linkoln kishte thënë:

“Pothuajse të gjithë njerëzit përballojnë fatkeqësi, por nëse doni të provoni karakterin e një njeriu, jepini atij pushtet”.

Mesihu i Premtuar a.s. përshkruan marrëdhëniet e Profetit Muhammed a.s. me pushtetin si më poshtë:

“Kur pas një kohe të gjatë Islami arriti të mbizotëronte, ai përsëri nuk mblodhi asnjë pasuri për vete, edhe pse ishte koha kur të ardhurat ishin të majme. Ai nuk ngriti asnjë pallat, nuk ndërtoi kështjella, e as nuk bëri diçka për të shfaqur madhështinë mbretërore. Ai nuk nxori asnjë përfitim personal, por çfarëdo të ardhurash që u siguruan, i përdori për të mbështetur të varfrit, jetimët, të vejat dhe ata që ishin të zhytur me borxhe”.[4]

Si do të bëni nëse …

Zgjidhja e konfliktit

Tani unë do të doja t’ju shtroja një pyetje: Si do të bëni nëse ju jepet njëfarë autoriteti si udhëheqës mbi njerëzit e tjerë si Amir (kryetar), Sadr, Kaid, Nazim Atfal në komunën, qytetin apo rajonin tuaj? A ju pëlqen të qëndroni në krye, t’u jepni urdhra të tjerëve, t’i gjykoni ata dhe t’i nënshtroni të tjerët? A doni të gëzoni privilegje?

Nëse një nga motivet e lartpërmendura përcakton detyrën tuaj, atëherë duhet ta mposhtni e ta asgjësoni atë. Secili nga këto motive negative ngjall dhe krijon pështjellim e ndjenja të pakëndshme, gjë që nxit urrejtje dhe konflikt, të cilat në fund të fundit thellojnë konfliktet. Këto nuk mund të përcaktojnë realitetin tonë.

Rruga përpara nesh është e gjatë por suksesi është i garantuar

Përgjegjësit e xhematit janë përfaqësues të Kalifatit, zbatues të drejtësisë dhe bartës të së vërtetës. Ata janë shembull për të rinjtë dhe të rejat e xhematit, për të moshuarit si dhe për gjeneratat e ardhshme. Kurrë mos harroni se ne përballemi me një sfidë të vështirë. Rruga përpara nesh është e gjatë, e mundimshme dhe më pak e shkelur, por ne duhet të vijojmë në këtë rrugë sepse ia vlen. Ju kujtoj sërish se kemi trashëguar një detyre të madhe.

Ne, muslimanët ahmedianë, jemi njerëz me guxim të madh. Kemi një histori të përbashkët, një qëllim të përbashkët, një fat të përbashkët. Ne jemi ëndërrimtarë por jemi edhe punëtorë dhe dimë të punojmë për të kthyer ëndrrën në realitet. Ne jemi luftëtarë por jemi edhe pajtues, jemi paralajmëtarë por jemi edhe reformatorë të botës. Mjeti më efektiv që gjithmonë mbajmë me vete është dashuria dhe afërsia me Krijuesin tonë. Vetëm nëpërmjet një dashurie të sinqertë për Të, ne mund t’i duam më shumë dhe më mirë të tjerët. Vetëm duke kultivuar këtë dashuri në shpirtin tonë, mund të fitojmë zemrat e njerëzve.

Përpjekje të vogla që sjellin ndryshime të mëdha

Mund të jetë buzëqeshja në fytyrat tona kur takohemi me kolegun e punës! Mund të jetë selami me të cilin i përshëndesim vëllezërit dhe motrat tona besimtare! Mund të jetë një fjalë përkëdhelëse apo një vështrim ledhatues, me të cilët e inkurajojmë fëmijën tonë në punën e tij! Mund të jetë puthja në ballin e bashkëshortes për t’i treguar se e vlerësojmë dhe i jemi mirënjohës asaj! Mund të jetë një dhuratë për një të varfër, ushqimi për të uriturit, ndihma ndaj një nevojtari, vizita te një i sëmurë për t’i dhënë atij shpresë, ngushëllim dhe forcë!

Zgjidhja e konfliktit

Por mund të jetë edhe lutja e sinqertë për të afërmit, miqtë, të njohurit dhe të panjohurit tanë. Ajo është arma jonë më e fuqishme, e cila sjell ndryshim pozitiv në jetën e tyre e jo vetëm. Vetë Xhemati Musliman Ahmedia ka lindur nga ky ndryshim. Tani, kur e krijojmë këtë ndryshim në vetvete, bota rreth nesh do të shndërrohet në një mjedis më të mirë, më të bukur dhe më paqësor.

Si mund ta prekim këtë ndryshim?

Por, ne nuk mund të prekim këtë ndryshim, nëse nuk zbatojmë shembullin e Pejgamberit Muhammed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) në jetën tonë, nëse nuk marrim dijen dhe urtësinë e Kuranit Famëlartë, nëse nuk ndjekim udhëzimin e Mesihut të Premtuar a.s., dhe nëse nuk veprojmë sipas porosive të kalifit tonë të dashur (Allahu e ndihmoftë fuqimisht).

Para 14 shekujve, ngjau një mrekulli aq madhështore në shkretëtirën arabe saqë nuk mund të merret me mend. Mesihu i Premtuar a.s. e përshkruan në librin e tij “Barakat-ud-Dua” (Bekimet e lutjes):

“Ajo ngjarje e çuditshme që ndodhi në shkretëtirën e Arabisë; kur brenda pak ditësh rierdhën në jetë qindra mijëra të vdekur, të kequdhëhequrit prej brezash, morën ngjyra hyjnore; të verbrit ­fituan shikimin; memecët fi­lluan të flasin për njohjen hyjnore, dhe bota përnjëherë pati një revolucion të tillë, që nuk ishte parë a dëgjuar më parë! A e dini se çfarë e shkaktoi këtë? Ishin përgjërimet gjatë netëve të errëta të dikujt që ishte përhumbur pas Allahut, që lëshuan një britmë në të gjithë botën dhe shfaqën mrekulli të tilla, saqë dukeshin të pamundura për një të paarsimuar e të papërkrahur si ai”.[5]

Ky thesar, që na është dhënë nga Kurani Famëlartë, përmes haditheve profetike dhe shkrimeve të Mesihut të Premtuar a.s., nuk është një suvenir që ta shikojmë herë pas here për të kujtuar diçka dhe për t’u ndierë mirë. Nuk është një përrallë që na argëton dhe na vë në gjumë. Është një thesar që shërben për të reformuar karakterin tonë dhe për të mbrojtur të ardhmen tonë.

Kur citojmë porositë e Mesihut të Premtuar a.s. p.sh. “përhapni paqe në tokë” apo kur përmendim thënien e Kalifit tonë të dashur që “Mesazhi i Islamit përbëhet nga dashuria, dhembshuria, mirësia dhe paqja”, ne duhet ta dimë se këto nuk janë thjesht parulla idealiste. Nuk bëhen stërvitje gjimnastike në qiellin blu. Por, këto parime duhet të jenë në planin e praktikës sonë të përditshme që njerëzit ta njohin si thelbin e Islam-Ahmediatit.

Një ngjarje mbresëlënëse nga jeta e Profetit a.s.

Dua t’ju rrëfej një ngjarje nga jeta e Profetit a.s., që ju sigurisht duhet ta keni dëgjuar më parë. Një pasdite, në vapën e shkretëtirës, ​​Pejgamberi a.s. nxitoi përgjatë një rruge ku një grua e moshuar mbante plaçkat e saj në kokë. Profeti a.s. i kërkoi leje për t’ia mbartur plaçkat. Ai e pyeti “Ku keni ndër mend të shkoni”. Ajo u përgjigj se donte të dilte nga qyteti, sepse kishte dëgjuar se një magjistar me emrin Muhammed jetonte në këtë qytet. Profeti a.s. u përmbajt dhe nuk i shprehu ndjenjat. Ai qëndroi i durueshëm, teksa ajo po ankohej. Kur arritën në vendin e caktuar, Profeti ia zbriti plaçkat për tokë. Ai ishte gati të largohej, kur plaka i tha: “O njeri i mirë! Të lutem më trego së paku emrin tënd”. Profeti a.s. u përgjigj: “Unë jam personi për fajin e të cilit po largohesh nga qyteti”. Plaka ishte aq e prekur nga sjellja e tij, e habitur nga moralet e tij dhe e magjepsur nga karakteri i tij saqë menjëherë e pranoi Islamin.

Kur dëgjojmë këtë ngjarje, duhet të pyesim veten: Kush jemi ne? Pse jemi muslimanë ahmedianë? Çfarë na dallon nga turma? Çfarë kemi bërë në Islam-Ahmediatin? Sa i lartë është karakteri ynë? Fuqitë tona magjike a janë aq të forta që të fitojnë zemrat e njerëzve dhe t’u lëmë përshtypje të thella? Kalifi ynë i dashur (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) na kërkon të bëhemi të tillë njerëzish, me këto cilësi magjepse.

Përshtypjet mbresëlënëse të një prifti katolik ndaj Kalifit

Në dhjetor 2012, Kalifi V a.b.a mbajti një fjalim historik në Parlamentin Evropian. Në audiencë ishte i pranishëm një prift nga Zvicra. Z. Amen Howard zgjodhi fjalët e mëposhtme për të përshkruar Kalifin tonë të dashur (a.b.a.)

“Ky person nuk është magjistar, por fjalët e tij kanë një efekt magjik. Toni i tij është i butë, por fjalët që i dalin rrezatojnë një forcë dhe hijeshi të jashtëzakonshme. Unë kurrë nuk kam parë një person kaq të guximshëm në tërë jetën time. Nëse kjo botë kishte tre njerëz si ai, nuk duheshin muaj por ditë për të realizuar paqe në botë dhe kjo botë do të ishte një vend i paqes dhe vëllazërisë. Unë nuk kisha përshtypje të mira për Islamin, por fjalimi i tij ndryshoi kryekëput pikëpamjen time për Islamin”.

Imagjinoni se çfarë efekti magjik duhet t’i kenë pasur fjalët e Huzurit këtij personi që ai dha një përshtypje aq mbresëlënëse.

Durimi, përulësia, dhembshuria dhe vetëreflektimi, çelës për paqen e brendshme

Dhe tani, imagjinoni sa do të tronditet, zhgënjehet dhe pikëllohet Imami ynë i dashur përmes letrave a ankesave se si disa nga ne i shkelim nëpër këmbë vlerat themelore të marrëdhënieve të mira me prindërit, vëllezërit, motrat dhe bashkëshortet tona, dhe konfliktohemi me të afërmit ose vëllezërit e motrat tona në besim. Kjo dukuri e shëmtuar nuk është shfaqur vetëm tani së fundmi, por ajo i ka vënë pritë zhvillimit të gjithanshëm të xhematit jo prej javësh apo muajsh, por prej vitesh me radhë.

Gjatë gjithë vitit unë marr letra dhe e-mail nga anëtarët e xhematit. Sigurisht ka mesazhe të gëzueshme, zhvillime pozitive dhe arritje. Megjithatë, e them me keqardhje që gjithashtu në mënyrë të përsëritur gjej ankesa dhe konflikt.

Dikush është mosmirënjohës dhe i pamatur në kritikat e tij. Dikush shkel kontratat e marrëveshjet dhe tallet me të tjerët me qesëndi. Dikush është ziliqar, arrogant, kërkon gjëra që ai vetë nuk i respekton dhe gënjen pa ndërgjegje fajtore. Duhet të dimë se të gjitha këto konflikte lindin vetëm sepse nuk kemi gjetur paqe, sepse durimi dhe përulësia, dhembshuria dhe vetëreflektimi nuk dominojnë karakterin tonë.

zgjidhja e konfliktit me anë të fjalëve profetike

Qëllimi ynë kryesor është të asgjësojmë çdo konflikt nga rrënjët. Profeti a.s. ka dhënë metoda praktike që na ndihmojnë në këtë drejtim. Disa prej tyre dëshiroj t’i ndaj me ju:

Pasi Hazret Aisha r.a. kishte folur keq për Safijen r.a.(se ishte e shkurtër) Profeti s.a.v.s. i tërhoqi vërejtjen dhe tha: “Ke thënë një fjalë (aq të rëndë saqë) nëse hidhej në det, do të turbullonte gjithë ujin e detit”.[6] Kjo tregon se çfarë pasojash mund të nxisin fjalët e rënda a të përdorura gabimisht ndaj personit tjetër.

Forma më e shkëlqyer e xhihadit është fjala e drejtë para sundimtarit tiranik.[7]

Nëse dikush nga ju sheh padrejtësi ose ndonjë të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij, por nëse nuk mund ta bëjë këtë, atëherë le ta kundërshtojë me gjuhën e tij, por nëse nuk mund ta bëjë as këtë, atëherë le të ndiejë neveri ndaj saj në zemrën e tij, mirëpo ky është besim më i dobët.[8]

Nëse jeni tre, atëherë nuk duhet të flasin dy nga ju me njëri-tjetrin duke përjashtuar personin e tretë, pasi kjo do ta trishtojë atë.[9]

Mjerë ai që argëton të tjerët duke gënjyer dhe i bën të qeshin. Mjerë për të, mjerë për të.[10]

Nëse dikush nga ju zemërohet duke qenë në këmbë, le të ulet menjëherë. Nëse nuk i kalon zemërimi atëherë le të shtrihet.[11]

Njeriu më i urryer tek Allahu është ai që është më grindavec.[12]

Ai që heq dorë nga e drejta e tij për t’iu shmangur konfliktit, i garantoj një banesë në afërsi të xhenetit. Ai që ruhet nga gënjeshtra qoftë edhe me humor, i siguroj banesë në mes të xhenetit. Ai që zbukuron karakterin e moralin, i siguroj vendin më të lartë në xhenet.[13]

Ruhuni nga zilia, sepse zilia i ha veprat e mira, sikur zjarri e ha lëndën djegëse.[14]

Ruhuni nga paragjykimi, sepse paragjykimi është gënjeshtra më e madhe. Mos e spiunoni njëri-tjetrin, mos i hulumtoni të metat e njëri-tjetrit, mos e keni zili njëri-tjetrin, mos ia prishni lidhjen njëri-tjetrit, mos e urreni njëri-tjetrin dhe bëhuni robër të Allahut dhe vëllezër mes jush.[15]

Nuk i lejohet muslimanit të prishet (të ndërpresë bisedën) me vëllain e tij për më shumë se tri ditë.[16]

Nëse dikush nga ju e do vëllain e tij, atëherë le t’ia tregojë (ndjenjat e tij).[17]

Për secilën gjymtyrë të njeriut ka sadaka; çdo ditë që lind dielli ka shpërblimin e sadakasë për atë që pajton dy veta.[18]

Këto janë vetëm disa nga udhëzimet për themelimin e një bashkëjetese miqësore mes njerëzve. Në i ndjekim, ne sigurisht mund të shmangim një sërë konfliktesh.

Me mëshirën e Allahut, ne kemi zgjedhur të vërtetën në vend të mashtrimit dhe shpresën në vend të frikës. Kemi pranuar rrugëtimin e përbashkët drejt një destinacioni dhe qëllimi të përbashkët, dhe u kemi kthyer shpinën konfliktit dhe mosmarrëveshjes.

Ne jetojmë në një shoqëri ku dominojnë mekanizmat si materializmi, lakmia, smira, zilia, arroganca, egoizmi etj. të cilat na largojnë nga natyra jonë e pastër dhe përpiqen të na devijojnë nga kuptimi i vërtetë i jetës sonë. Ata duan të na mashtrojnë që ta zëvendësojmë ndjeshmërinë dhe solidarësinë tonë me dukuri të tjera negative.

Në Kuranin Famëlartë thuhet:

Zgjidhja e konfliktit

O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë, prandaj nuk duhet t’ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe as t’ju mashtrojë mashtruesi (djalli) për Allahun.[19]

Njeriu, i cili sillet si i plotfuqishëm mbi natyrën dhe botën, largohet nga Perëndia për shkak të vetive të tij të sundimit dhe dominimit. Arsyeja njerëzore që nuk i bindet më rendit moral po shndërrohet me shpejtësi në një instrument për zbatimin e qëllimeve egoiste. Sot njeriu ka planifikuar zhvillimin e jetës dhe i ka përcaktuar qëllimin duke bazuar në arsye të ftohtë, dhe është më pak i dhembshur dhe autentik në rolin e tij.

Vetëm lutja dhe përmendja e Zotit e mbajnë të përqendruar vëmendjen tonë, e cila na zhvillon ndërgjegjen dhe organizon sjelljen tonë ndaj të tjerëve. Prandaj, njeriu duhet të përvetësojë atributet hyjnore. Megjithatë, ai është në mëshirë të kufizimeve sociale dhe mekanizmave të pushtetit.

Zgjidhja e konfliktit

Abdullah Uwe Wagishauser, Amir i Xhematit të Gjermanisë duke mbajtur fjalim “Zgjidhja e konfliktit në dritën e jetës së Profetit Muahmmed s.a.v.s.” më 27 gusht 2017 në Xhelsa Salanën e Gjermanisë në Karlsruhe.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë “Jeto në këtë botë sikur je i huaj, ose si udhëtar.” Ibni Umeri r.a. thoshte “Kur të ngrysesh, mos e prit mëngjesin, dhe kur të zgjohesh, mos e prit mbrëmjen. Përfito nga koha e shëndetit para se të zërë sëmundja dhe (përfito) nga jeta para vdekjes”.[20] Të jesh udhëtar do të thotë se qëndrimi gjatë rrugës do të përfundojë së shpejti. Duke ditur se njeriu është i kufizuar, mësojmë që dëshirat tona t’i drejtohen vetëm Perëndisë, në mënyrë që të jemi me të vërtetë të lirë e të lumtur.

Kjo tregon që një besimtar i vërtetë kurrë nuk mund të jetë viktimë e manipulimit dhe mashtrimit, apo t’u shërbejë si skllav dëshirave të ulëta. Ata që i nënshtrohen verbërisht këtij sistemi të konsumit masiv e argëtimit masiv, nuk mund të gjejnë asgjë për të shuar etjen e tyre në këtë shkretëtirë të nxehtë pa fund. Mesihu i Premtuar a.s. përshkruan këtë fenomen:

“Të bekuar janë ata të burgosur që nuk lodhen duke u lutur, sepse do të lirohen një ditë. Të bekuar janë ata të verbër që nuk lodhen duke u lutur, sepse do të fitojnë shikimin një ditë. Të bekuar janë ata që janë varrosur, të cilët me anë të lutjes i kërkojnë ndihmë Allahut, sepse një ditë do të nxirren nga varret. I bekuar je ti që nuk lodhesh duke u lutur, kur shpirti yt shkrihet dhe sytë e tu lotojnë duke bërë lutje, mandej ajo të ngjall një zjarr në gjoksin tënd, dhe për të gjetur kënaqësinë e vetmisë të çon në kasolle të errëta e në vende të shkreta dhe të çmend e të shqetëson ty jashtë mase. Kështu ndodh, sepse më pas ti do të bekohesh. Ai Zot, drejt të cilit ne të ftojmë ty, është shumë Bujar, shumë i Mëshirshëm, shumë i Hijshëm, shumë Besnik dhe i Vërtetë, që mëshiron ata që janë të paaftë. Prandaj edhe ti bëhu besnik dhe lutu me plot besim dhe besnikëri, sepse Ai do të të mëshirojë ty”.[21]

Allahu na mundësoftë të jemi prej këtyre njerëzve të bekuar, që shkëlqejnë dhe fitojnë zemrat e njerëzve me sjellje magjepsëse, moral të pastër dhe karakter fisnik. Allahu na largoftë nga çdo e keqe dhe na pastroftë zemrat nga urrejtja dhe konflikti. Amin


[1] Kurani Famëlartë 33:22
[2] Kurani Famëlartë 34:44
[3] Brahin-e-Ahmedia, Ruhani Khezain, vëll. I, f.108-9
[4] Brahin-e Ahmedia, Ruhani Khazain, vëll. I,  f.109
[5] Barakat-ud-Dua, Ruhani Khazain, vëll. VI, f. 9-10
[6] Sunen Ebu Daudi, Libri 42, hadith 4857
[7] Musned Ahmed bin Hanbel, nr. 18449
[8] Muslimi, libri I, hadithi 84
[9] Sunen Ibni Maxha, nr. i hadithit 3775
[10] Tirmidhiu, nr. i hadithit 2315
[11] Sunen Ebu Davudi, nr. i hadithit 4782
[12] Buhariu, libri 65, nr. i hadithit 4523
[13] Sunen Ebu Davudi, libri 42, nr. i hadthit 4782
[14] Sunen Ebu Davudi, nr. i hadithit 4903
[15] Buhariu, nr. i hadithit 6064
[16] Buhariu, nr. i hadithit 6065
[17] Tirmidhiu, nr. i hadithit 2392
[18] Buhariu, nr. i hadithit 2707
[19] Kurani Famëlartë 35:6
[20] 40 Hadithet e Imam Neveviut, nr. 40
[21] Lekçer Sialkot, Ruhani Khezain, vëll. XX f. 222-223.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp