Përvetësoni takvanë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Përvetësoni takvanë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë të shkëputura nga kjo hutbe. Për hutben e plotë, ndiqeni videon)

Tri kushte të pendesës

Pendesa në të vërtetë shërben si një shtysë shumë e fuqishme për të arritur virtyte dhe pikërisht ajo e përsos njeriun. Pra, ai që dëshiron të përmirësojë sjelljet e tij, i duhet që të pendohet me zemër të sinqertë dhe me vullnet të patundur. Duhet pasur parasysh që pendesa ka tri kushte dhe pa i plotësuar ato, pendesa e vërtetë, që quhet tevbeten-nasuha, nuk arrihet.

Kushti i parë është ajo që në gjuhën arabe i thonë اِقْلاع ikla’, që do të thotë, t’i largosh mendimet e këqija që janë burimi i veseve. Realisht, mendimet ndikojnë shumë, sepse çdo vepër, përpara se të realizohet, vjen në formë mendimi. Andaj, kushti i parë për pendesën është që të heqësh dorë nga mendimet e liga dhe imagjinatat e këqija.

Për shembull, nëse dikush ka lidhje jashtëmartesore me një grua, atëherë për t’u penduar, atij i duhet, në radhë të parë, ta konsiderojë të shëmtuar fytyrën e saj dhe t’i ketë parasysh huqet e saj të këqija, sepse siç ju thashë, mendimet kanë ndikim shumë të fortë. Kam lexuar përshkrimet e sufistëve, të cilët i çojnë mendimet deri në atë shkallë, saqë kanë parë njeriun në formë majmuni ose derri. Shkurt, njeriu siç do të mendojë, atë ngjyrë do ta marrë. Prandaj, duhet t’i thërrmosh mendimet që janë burimi i kënaqësive të këqija. Ky është kushti i parë.

Kushti i dytë është نَدَم nedem, që do të thotë të reflektosh e të pendohesh. Çdo njeri ka një forcë në natyrën e tij, e cila e paralajmëron për çdo vepër të keqe, por fatligu e lë atë jashtë funksionit. Pra, pas mëkatit dhe ligësisë, njeriu duhet të vërë në lëvizje pendesën dhe të mendojë se këto kënaqësi janë të përkohshme. Ai duhet të reflektojë edhe për faktin se kënaqësia e tij pakësohet çdo herë dhe kështu do të vijojë, derisa në pleqëri, atij do t’i dobësohen të gjitha forcat dhe ato nuk do të kenë fuqi. Përfundimisht, ai detyrohet të heqë dorë nga të gjitha kënaqësitë e botës. Kështu që, kënaqësitë që do të të lënë që në këtë botë, çfarë do të fitosh duke i përvetësuar ato?! Është shumë fatlumë ai që kthehet te pendesa, i cili, së pari angazhohet për të larguar mendimet e këqija dhe imagjinatat e liga, dhe pasi të pastrohet nga ndyrësitë, reflekton dhe pendohet për veprimet që ka bërë.

Kushti i tretë është عزم ezm, që do të thotë vendosmëri. Pra, njeriu të krijojë vullnet të patundur që nuk do të kthehet më në të këqijat që ka bërë. Kur ai do të tregojë qëndrueshmëri, Zoti do t’i japë mundësi për të bërë pendesën e sinqertë, derisa atij do t’i largohen të këqijat tërësisht, duke iu zëvendësuar me virtytet dhe veprat e lavdishme. Kjo është fitore mbi sjelljet. Është Zoti Ai që ia jep forcën njeriut për ta arritur këtë, sepse atij i takojnë të gjitha forcat dhe fuqitë. Siç thotë:

mrekullia“Fuqia, e gjitha është e Allahut” (El-Bekare 2:166)

Kurse njeriu është krijesë e dobët. Thotë:

mrekullia“Njeriu është krijuar i dobët” (En-Nisa 4:29)

Andaj, që të ketë forcë nga Zoti i Madhërishëm, njeriu duhet t’i përsosë të gjitha këto tri kushte dhe, të lërë përtacinë dhe dembelinë e të angazhohet tërësisht për t’iu lutur Zotit të Madhërishëm. Zoti i Madhërishëm do t’ia ndryshojë sjelljet.

Kush është trim i vërtetë?

Në xhematin tonë nuk kemi nevojë për të fortët dhe mundësit fizikë, por na nevojiten ata që mund të përpiqen për të ndryshuar sjelljet e tyre. E vërteta është që i fortë dhe mundës nuk është ai që lëviz malin nga vendi i tij. Jo, jo. Trim i vërtetë është ai që arrin të ndryshojë sjelljet e tij. Ndaj, shfrytëzojeni gjithë kurajën dhe forcën tuaj për të sjellë virtyte në jetën tuaj, sepse kjo pikërisht është trimëria dhe forca e vërtetë.

….

virtyti i njeriut është një mrekulli e tillë, të cilën askush nuk mund ta kundërshtojë. Kjo është arsyeja që mrekullia më e madhe dhe më e fortë që i është dhënë Profetit tonë të Allahut s.a.v.s., ka qenë pikërisht ajo e virtyteve. Siç thotë:

Sigurisht, ti qëndron mbi virtyte madhore. (El-Kalem 68:5)

Ndonëse mrekullitë e Profetit Muhammed s.a.v.s., në çdo aspekt, ishin më shumë se sa të gjithë profetët e mëparshëm, por e para prej tyre ishte ajo e virtyteve, shembulli i të cilit nuk gjendet në historinë e botës.

Sipas mendimit tim, çdokush që heq dorë nga moralet e këqija dhe sjelljet e gabuara të tij dhe përvetëson virtyte të mira, kjo është mrekullia e tij. Për shembull, ai që është shumë i rreptë në natyrë dhe që zemërohet shpejt, nëse arrin t’i largojë këto sjellje dhe përvetëson dhembshurinë dhe faljen; ose ai që është koprrac, nëse heq dorë nga koprracia, duke e zëvendësuar me bujarinë; ose ziliqari shpëton nga zilia dhe krijon dhembshuri në veten e tij, kjo pa dyshim është mrekulli. Gjithashtu, kur njeriu heq dorë nga vetëpëlqimi dhe vetëlavdërimi dhe përvetëson modesti dhe përulësi, përulësia e tij është mrekullia e tij.

Andaj, kush është nga ju që nuk dëshiron të bëhet mrekullibërës? E di që çdokush dëshiron të bëhet i tillë. Atëherë, dijeni se kjo është mrekulli e gjallë dhe e përhershme, që njeriu të arrijë ta përmirësojë moralin e tij. Sepse, kësaj mrekullie kurrë nuk i humbet vlera, madje dobia e saj përhapet deri larg.

Besimtarit i duhet që të bëhet mrekullibërës si para krijesave (njerëzve), ashtu edhe para Krijuesit. Ka shumë nga ata që ishin pijanecë dhe qejfli, të cilët nuk u bindën nga asnjë shenjë e jashtëzakonshme, por ulën kokën, kur dëshmuan virtytet e dikujt dhe nuk gjetën asnjë rrugë, përveçse ta pranonin atë. Në jetëshkrimet e shumë njerëzve mund të lexoni se ata e kanë pranuar besimin, vetëm sepse panë mrekullinë e virtyteve.

(Shënim: Hazret Mesihu i Premtuar a.s. po mbante këtë fjalim në mënyrë tejet ndikuese, ndërkohë erdhën disa njerëz të fesë sikhe në veshje të lypësve dhe që ishin krejtësisht të dehur. Ata filluan të bërtasin dhe mundej që këtë mbledhje të bekuar ta prishnin, por imami ynë i vërtetë alejhiselam, me shembullin e tij tregoi mrekullinë e virtyteve, për të cilën po na udhëzonte. Kjo bëri një ndikim kaq të fortë tek audienca, saqë shumë prej tyre filluan të qanin me dënesa, kurse dashakëqijtë u kapën nga policia dhe u iku edhe rakia. Kryeredaktor)

……….

 

Të ligjtë që dolën kundër profetëve, sidomos ata që ishin kundër Profetit tonë fisnik Hazret Muhammed s.a., më në fund e pranuan të vërtetën jo për shkak të mrekullive pasi ato nuk u jepnin qetësi, por për shkak të virtyteve madhore të të Dërguarit të Allahut s.a.. Mrekullitë që burojnë nga virtytet bëjnë atë që nuk mund ta bëjnë mrekullitë që i përkasin sferës së plotfuqishmërisë. Prandaj thuhet:

اَلْاِسْتِقَامَۃُ فَوْقَ الْکَرَامَۃِ

“Qëndrueshmëria është mbi mrekullinë”.

Provoni vetë se çfarë mrekullish mund të bëjë qëndrueshmëria. Kurse mrekullitë e mirëfillta njerëzit zakonisht nuk i përfillin, sidomos në kohën e sotme.

Por dikush nëse merr vesh se filani është një njeri shumë i virtytshëm, nuk mund të frenojë veten pa iu afruar atij. Virtytet e mira ndikojnë edhe mbi ata që nuk qetësohen edhe sikur të kenë parë një mori shenjash. E vërteta është që ka njerëz që e pranojnë besimin duke parë shenja dhe mrekulli të dukshme dhe ka edhe të tillë që e pranojnë duke njohur të vërtetat dhe urtësinë, por shumica janë ata që e pranojnë udhëzimin dhe gjejnë qetësi duke parë virtytet madhore.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp