Kushtet e pranimit të lutjes (duasë)

Shahid Ahmad Butt

Shahid Ahmad Butt


Shahid Ahmad Butt është misionar i Xhematit Musliman Ahmedia.

Më shumë rreth autorit

Lutja është një lloj lidhje midis robit dhe Zotit. Robi, duke gjetur veten të pafuqishëm dhe të dobët, i drejton kërkesat e tij Zotit të Plotfuqishëm. Ai i nxjerr të gjitha brengat, shqetësimet dhe problemet, dhe shpreson në mirësinë e Tij. Me anë të përulësisë, dashurisë dhe sinqeritetit, ai ia tërheq Zotit mëshirën dhe beson që plotfuqia e Tij do të përmbushë përgjërimet e tij. Por, lutja nuk është vetëm mjeti i shpëtimit nga për brengat e tij, ajo është gjithashtu rruga për t’iu afruar Zotit dhe për të fituar pëlqimin e Tij.

Pranimi i lutjes lidhet ngushtë me filozofinë e lutjes. Mesihu i Premtuar a.s. ka përshkruar mrekullisht esencën e lutjes. Ai shkruan:

“Robi i sinqertë dhe ekzistenca e një lidhjeje tërheqëse midis tij dhe Zotit të tij, përbëjnë realitetin e lutjes. Së pari, mëshira e Zotit të Lartësuar e tërheq robin drejt Vetes e më pas, tërheqjet që shkaktohen nga sinqeriteti i robit, bëjnë që Zoti t’i afrohet atij. Kjo lidhje midis tyre, në kohën kur bëhet lutja, arrin një pozitë aq të lartë, saqë shkakton rezultate të çuditshme. Kështu, gjatë një vështirësie të madhe, robi përulet para Zotit me besim të përsosur, me shpresë të përsosur, me dashuri të përsosur, me besnikëri të përsosur, me kurajë të përsosur dhe me vetëdije të plotë gris një nga një perdet e errëta të paditurisë dhe i bëhet gjithnjë më e qartë gjendja e tij e të qenët hiç. Pikërisht atje ai shikon pragun e Zotit, ku nuk shoqëron askënd e asgjë me Të. Në atë moment shpirti i tij vë kokën në pragun e Tij. Fuqia tërheqëse që i është dhuruar robit, fillon të tërheqë mirësitë e Zotit. Atëherë Zoti ndërmerr përmbushjen e kërkesës së tij dhe me efektin e lutjes së tij vë në lëvizje të gjitha mjetet e nevojshme, me të cilat, më në fund, realizohet përmbushja e kërkesës së lutësit”.

(Berakat-ud-Dua, Ruhani Khezain, vëll. 6, f. 9-10)

Megjithatë, nuk duhet harruar se jemi robër dhe Zoti është Zot. Zoti është padroni ynë, dhe është e drejta e Tij të pranojë apo të refuzojë kërkesën tonë. Robi nuk duhet të kapërcejë cakun që përcakton kompetencën dhe aftësinë e tij, madje duhet t’i nënshtrojë të menduarit dhe të vepruarit e tij atij rregulli që i përshtatet qeniess së tij si rob. Prandaj, në radhë të parë, lutësi duhet të vetëdijesohet se Zoti nuk mund të detyrohet për të pranuar çdo kërkesë, të vogël apo të madhe qoftë, sepse një gjë e tillë bie ndesh me qenien e Tij. Allahu është Krijuesi, Furnizuesi dhe Sovrani, qysh prej fillimit e deri në përjetësi, ndërsa njeriu është krijesë kalimtare, shërbëtor dhe i nënshtruar.

Që të arrijë lutja në pragun e pranimit, robi duhet t’u përgjigjet disa parimeve të rëndësishme. Këto parime burojnë nga Kurani Famëlartë, thëniet profetike dhe porositë e Mesihut të Premtuar a.s.[1]

1. Robi duhet të synojë pëlqimin e Zotit

Allahu ka thënë

“Kur robërit e Mi të pyesin rreth Meje, Unë pa dyshim jam afër. I përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai Më lutet. Prandaj, edhe ata le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, që të udhëzohen”.

(Kurani Famëlartë 2:187)

Kushti i parë i pranimit të lutjes është afërsi me Zotin. Si mund të krijohet kjo afërsi? Zoti përgjigjet duke thënë se ata “le t’i përgjigjen thirrjes sime”. Atyre, do t’u pranohen lutje, nëse ata ndjekin porositë e Zotit, dhe veprimet e tyre ia nënshtrojnë ligjit hyjnor. Përse? Sepse Zoti e shpërblen robin, kur ky i fundit e kënaq Atë. Kështu, kushti i parë për pranimin e lutjes është që asnjë veprim i besimtarit, nuk duhet t’i kundërvihet pëlqimit të Zotit. Allahu e quan veten miku i besimtarëve, pra, ashtu siç Ai ua pranon kërkesat, edhe ata duhet t’i binden Atij në mënyrë reciproke. Kështu, ata hyjnë në një besëlidhje me Zotin, me anë të së cilës, u obligohen disa detyrime, përmbushja e të cilave u siguron disa të drejta.

2. Besimi i patundur

Ajeti i lartpërmendur përmban edhe kushtin e dytë të pranimit të lutjes. Që t’u pranohen lutjet, lutësit duhet të kenë besim të palëkundur në qenien e Zotit. Pra, nuk mjafton vetëm zbatimi i plotë i urdhrave hyjnorë, por duhet edhe bindja që Zoti pranon lutje. Nganjëherë njeriu lutet me shumë mallëngjim, por në të njëjtën kohë shpreh dyshime në pranimin e lutjes, herë duke arsyetuar në pamundësinë e realizimit të punës së tij, herë duke u bërë pesimist për shkak të jetës së tij të papastër. Robit si mund t’i pranohen lutjet, kur ai vetë nuk beson në pranimin e tyre? Allahu thotë:

Mos e humbisni shpresën nga mëshira e Allahut”. (Kurani Famëlartë 12:87)

Si mund të humbasë shpresën ai që ka dëshmuar shenja të panumërta të mëshirës së Allahut? Edhe nëse robi të jetë i rrethuar nga gjëma të mëdha, ai është i sigurt se vetëm me anë të një urdhri, Zoti mund të ndryshojë gjithçka, prandaj ai kurrë nuk pushon së luturi.

3. Përpjekjet për t’u larguar vuajtje njerëzve të tjerë

Nëse dikush sillet mirë me të afërmit tanë në këtë jetë, vetvetiu na ngjallet dhembshuri ndaj tij. Robi mund ta shfrytëzojë këtë parim edhe në lutje, duke ushqyer shpirtin me ndjenjat dhembshurie ndaj njerëzve të tjerë. Duke rrezatuar mirësi dhe humanizëm, ai jo vetëm që fiton dashurinë dhe respektin nga njerëzit e përvuajtur, por edhe mëshirën e të madhit Zot. Prandaj, nëse robi gjendet në një situatë të vështirë, ai para se të lutej, duhet të orvatet për t’i larguar hallin apo vuajtjen dikujt tjetër. Nëse njeriu kultivon këtë sjellje ndaj të tjerëve, edhe Zoti do t’ia heq hallin.

Mundet që robi është i sinqertë dhe vullnetmirë, por nuk arrin t’ia zgjidhë vështirësinë robit tjetër, por Zoti i Plotfuqishëm është Krijuesi i gjithësisë, e nëse do Ai, mund të largojë të gjitha pengesat në synimin e tij.

4. Dërgimi i salavateve Muhammedit s.a.v.s.

Robi para se të shtrojë kërkesën e tij, le t’i dërgojë salavate Muhammedit s.a.v.s. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. është krenaria e njerëzimit dhe më i miri i tyre. Ai gjendet në një shkallë aq të lartë saqë dallohet nga gjithë të tjerët, përfshirë dhe ata që ishin para tij apo që kanë ardhur a do të vijnë deri në fund të kohës. Kjo është arsyeja që emri i këtij Profeti madhor është përfshirë edhe në deklaratën e teuhidit. Lutësi që i dërgon salavate Profetit Muhammed s.a.v.s., e pastaj parashtron kërkesën e tij, i pranohen lutje më shumë se të tjerët. Nuk ka njeri në botë, të cilit nuk i nevojitet Zoti, prandaj kur robi i përgjërohet Atij dhe i parashtron kërkesa, duke madhëruar Profetin e Tij më të dashur, atëherë edhe Zoti tregon mirësi dhe mëshirë ndaj tij.

5. Madhëroni Zotin

Ky kusht përgjithësisht përputhet dhe me natyrën njerëzore, dhe mund të kuptohet me një shembull të thjeshtë. Lypësi që shkon derë më derë, në një anë paraqet veten si nevojtar i përvuajtur dhe i gjendur në mjerim, ndërsa në anën tjetër lavdëron njerëzit që i lyp, duke u thurur lëvdata të shumta. Ai beson se kështu u ngjall mëshirë e dhembshuri atyre, dhe arrin të fitojë diçka prej tyre. Po Zoti, të cilit i përkasin të gjitha cilësitë dhe atributet e bukura, dhe që është i shenjtë nga çdo e metë, meriton më shumë se çdo kush tjetër nderimin dhe lavdërimin nga ana jonë. Çdo lëvdatë që i bëjmë Zotit, është e vërtetë, prandaj para se t’i lutemi diçka, duhet të madhërojmë Zotin tonë të dashur. Këtë metodë Zoti na ka mësuar qysh në ajete të para të el-Fatihasë.

Kur njeriu tregon gjendjen e tij të mjerueshme dhe pranon pafuqinë e tij, ndërkohë lavdëron Zotin duke pranuar plotfuqinë e Tij, atëherë Zoti i Gjithëmëshirshëm e Mëshirëbërës mëshiron atë duke pranuar lutjen e Tij. Pra, lavdërimi i ngjall Allahut mëshirë e dashuri.

6. Pastërti në trup e veshje

Kur njeriu i lutet Zotit, ai krijon një lidhje të ngushtë me Të. Shpirti i tij tërhiqet pas Zotit dhe shkrihet plot përulësi në pragun e Tij. Meqë, dëlirësia e shpirtit lidhet ngushtë me pastërtinë trupore sikundër ligësia e shpirtit lidhet me papastërtinë trupore, andaj papastërtia e trupit ndikon negativisht mbi shpirtin e njeriut dhe anasjelltas. Islami ka tërhequr aq shumë vëmendje ndaj këtij aspekti, saqë ka kushtëzuar të gjitha ibadetet me pastërti. Lutja krijon një intimitet midis Zotit e robit, prandaj edhe robi duhet t’i heqë pengesat që ia vështirësojnë afërsinë me Zotin, përfshirë këtu edhe higjienën trupore. Njeriu i papastër nuk pranohet te pragu i Tij. Për këtë arsye, sufijtë kanë pasur veshje të veçanta, të pastra dhe të parfumosura që ata përdornin vetëm për ibadet. Kështu, një ndër kushtet e pranimit të lutjes është pastërtia në trup e veshje.

7. Zgjedhja e vendit dhe kohës

Një tjetër kusht për pranimin e lutjes është zgjedhja e një vendi të veçuar dhe e kohës së qetë. Gjatë ditës, lutësi le të zgjedhë një vend ku askush nuk mund e shqetëson atë, apo le të lutet gjatë natës, kur të tjerët janë në gjumë. Në këtë mënyrë, nuk i përzihen mendimet nga zhurma që vjen, dhe ai mbetet i përqendruar dhe i kthjellët në lutje. Kur njeriu gjen një vend të posaçëm dhe një kohë të qetë, vëmendja dhe ndjenjat e tij lundrojnë vetëm në një drejtim, duke u shkrirë në një lutje të përshpirtshme.

8. Reflektim mbi dobësitë e brendshme

Njeriu kur lutet për ndonjë çështje, ai gjithashtu duhet të reflektojë mbi gjendjen e tij të brendshme. Ky reflektim duhet të jetë aq i thellë, saqë ai të ndiejë neveri nga dobësitë e nefsit të tij. Në njëfarë mënyre, brendësia e tij le të pohojë pafuqinë dhe ligësinë e tij, dhe se ai nuk mund të bëjë asgjë përveçse me ndihmën e Zotit. Në këtë gjendje, Zoti kujdeset për robin e Tij, ashtu sikur prindërit që tregojnë përkujdesje të veçantë për foshnjën e tyre. Njeriu kur i paraqitet Zotit, duhet t’i ngjajë kësaj krijese të brishtë, por nëse i ngjan Faraonit duke treguar arrogancë e mendjemadhësi, atëherë nuk i pranohet asnjë kërkesë.

Pra, përulësia dhe thjeshtësia është kushti i rëndësishëm për pranimin e lutjes.

9. Mirënjohje ndaj mirësive të Allahut

Kur njeriu është në lutje, ai duhet të sjellë ndërmend të gjitha mirësitë dhe favoret e Allahut. Duke kujtuar dhuntitë e panumërta, le të mbushet çdo grimcë e trupit të tij me dashuri e besnikëri ndaj Zotit. Shpresa e tij do të vetëtijë me një besim e zell të fuqishëm, saqë çdo lutje që ai bën në këtë çast, arrin në shkallën e pranimit. Shpirti i tij do të dëshmojë se Ai Zot që i ka bërë kaq shumë mirësi që ai nuk i ka kërkuar, si mund t’i refuzojë diçka që i lutet?!

10. Druajtje nga zemërimi i Zotit

Ashtu sikur kujtojmë favoret e Zotit, duhet të sjellim ndër mend edhe zemërimin e Tij. Pra, robi le të mendojë se si do të ishte gjendja e tij, nëse Zoti do t’i kishte mohuar ato favore?Ai gjithashtu le të reflektojë mbi gjendjen e njerëzve të tjerë, të cilët më parë kishin gëzuar favoret e Zotit, ndërsa tani janë privuar prej tyre. Le të reflektojë mbi popujt e shkatërruar apo vende të rrënuara dhe më pas të angazhohet në lutje. Kjo lutje, që gjendet midis frikës dhe shpresës, e vendos robin midis dy mureve që e ndajnë nga bota, dhe e shpien drejt Zotit.

11. Gjallëri në vetvete

Njeriu duhet të ketë gjallëri kur i drejtohet Zotit me lutje. Kur bie në plogështi, edhe shpirti ndien ngathtësi e mungesë vullneti. Prandaj, të gjitha lëvizjet e namazit, qëndrimi në këmbë, përkulja, sexhdet etj tregojnë gjallëri e shkathtësi. Kjo gjendje gjallëron dhe shpresën e lutësit, dhe ai parashtron kërkesën e tij në mënyrën sa më të mirë.

12. Shkallëzim në lutje

Një tjetër kusht për pranimin e lutjes është që njeriu para se të bëjë lutje për çështjen kryesore, le të lutet për çështje të tjera. Zoti ka vënë këtë parim edhe në jetën njerëzore. Çdo punë e tij ka një zanafillë të ngadaltë, që zhvillohet gradualisht me ritëm të shpejtuar. Nganjëherë, njeriu lutet për një çështje, por pas njëfarë kohe, kur nuk sheh rezultat, e ndërpret atë. Ai do që lutja të pranohet sa hap e mbyll sytë, ndërkohë ajo kërkon një vrull dhe forcë që e ngre atë. Prandaj, është e udhës që para se të bëjmë lutje për çështjen kryesore, le të lutemi për çështje të tjera. Kur arrijmë shkallën më të lartë të përshpirtshmërisë dhe ndiejmë një vrull të fuqishëm brenda vetes sonë, ai është momenti që t’i paraqesim Zotit kërkesën tonë të veçantë.

13. Në fillim duhen bërë ato lutje që pranohen patjetër

Lutësi në fillim duhet të parashtrojë kërkesat, që Allahu do t’i pranojë patjetër. Për shembull, le të lutet për fitoren e Islamit, për shpërfaqjen e madhështisë së Tij, për ngritjen e pozitës dhe nderit të profetëve, dhe më pas le të paraqesë dhe problemin e tij. Në këtë mënyrë njeriu jo vetëm që ndien një ngazëllim e gjallëri, ai e kënaq edhe Zotin, prandaj lutja që bëhet në këtë çast arrin shkallën e pranimit.

14. Vendi ku bëhet lutja ndikon në pranimin e saj

Kushti tjetër i pranimit të lutjes është që ajo të bëhet në një vend të bekuar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se namazi që falet në Mekë, Medinë apo në Xhaminë el-Aksa mban më shumë vlerë se në vende të tjera. Këto mjedise kanë ndikime që lënë gjurmë dhe tek ata që falen atje. Me kalimin e kohës, popujt privohen nga bekimet për shkak të devijimit të tyre dhe humbasin bereqetin, por sendet e pajetë që i bekon Allahu mbeten gjithnonë të bekuara. Prandaj, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. parapëlqente të kishte një vend në shtëpinë e tij, që shërbente vetëm për adhurimin e Zotit, e jo për diçka tjetër.

Në këtë kohë, kur sfidat dhe vështirësitë janë shtuar tej mase, si për besimtarin ashtu dhe për umetin musliman, nuk ka rrugë më të sigurt drejt suksesit, sesa t’i lutemi Zotit e Atij t’i kërkojmë ndihmë e udhëzim.

Allahu na mundësoftë t’u përmbahemi këtyre kushteve dhe i pranoftë lutjet tona për veten, familjen, fenë dhe kombin tonë! Amin!

 

[1]Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi r.a. Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia ka trajtuar gjerësisht këtë temë në dy fjalime të tij të të xhumave, të mbajtura gjegjësisht më 21 dhe 28 korrik 1916. Ky shkrim bazohet në këto fjalime.

Shpërndaje