Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kurani Famëlartë

Kurani Famëlartë përbëhet nga shpalljet që Zoti i Lartësuar i dërgoi Profetit Muhammed s.a.v.s. përgjatë një periudhe prej 22 vjetësh. Ai është Libri i shenjtë i muslimanëve, që përmban ligjet, urdhëresat, kodet e duhura për jetën e tyre shoqërore, morale dhe gjithashtu një filozofi të përsosur të fesë. Gjuha në të cilën zbriti Kurani Famëlartë është arabishtja.

Përveç emrit të tij të përveçëm, Kurani njihet edhe me këta emra: el-Furkan (Dalluesi); edh-Dhikr (Këshilla); el-Bajan (Shprehja); err-Rahmah (Mëshira) en-Nur (Drita) el-Burhan (Argumenti); el-Hak (E vërteta); et-Tenzil (Shpallja); el-Hikmah (Urtësia); el-Huda (Udhëzimi); el-Hakam (Vendimi); el-Kitab (Libri); etj.
Kurani Famëlartë është ndarë në 114 sure (kapituj) dhe çdo sure përbëhet nga ajete (vargje). Disa nga suretë e Kuranit janë relativisht të gjata, kurse disa janë edhe të shkurtra. Për shembull, sureja e dytë El-Bekare ka 287 ajete, kurse sureja 108, e quajtur El-Keuther ka vetëm 4 ajete.

Teksti i Kuranit Famëlartë mbetet i pandryshuar që nga koha kur ai i ishte zbritur Profetit Muhammed s.a.v.s., pra, që para 14 shekujve. Kjo do të thotë që miliona kopje të Kuranit Famëlartë që gjenden sot në botë, jo vetëm që janë identike në gjuhën arabe, por teksti i tyre është po ai që Profeti Muhammed s.a.v.s. ia paraqiti botës. Kjo nuk është e çuditshme, po të kihet parasysh premtimi i Zotit të Lartësuar që Ai bën në Kuran për mbrojtjen e tij, duke thënë:

Padyshim, Ne e kemi zbritur këtë Këshillë dhe Ne patjetër e mbrojmë atë.

(Kurani Famëlartë 15:10)

Mbrojtja e Kuranit Famëlartë prej Zotit Vetë tregon edhe faktin që, si libër i shenjtë, ai do të mbetet i fundit deri në fund të botës. Si i tillë, padyshim, ai duhet të jetë i pajisur me dijet e plota e bindëse që mund t’i nevojiten njeriut për jetën e tij trupore dhe shpirtërore, duke praktikuar të cilat, njeriu të arrijë synimin më të lartë të krijimit të tij, që është komunikimi me Krijuesin e Madhërishëm.