Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Pse besoj në fenë Islame?

(Nga Hazret Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia)

Radio “Bombej” më ka kërkuar që të tregoj se pse unë besoj në fenë Islame. Kur i bëra këtë pyetje vetes, mora përgjigjen se besoj në vërtetësinë e kësaj feje me të njëjtin argument, në bazë të të cilit besoj edhe në vërtetësinë e gjërave të tjera të vërteta.

Pra, sipas meje, çështja kryesore e një feje është ekzistenca e Zotit. Feja që arrin të krijojë lidhje të sinqertë midis robit dhe Zotit është fe e vërtetë dhe vërtetësia e diçkaje është vetë një argument i mjaftueshëm për të pasur bindje ndaj saj. Sepse, ai që nuk e beson të vërtetën, detyrohet të besojë gënjeshtrën, rrjedhimisht bëhet armik i vetvetes dhe i njerëzimit. Feja Islame pohon se kjo botë ka një Krijues dhe Zot të Gjallë, i cili u manifestohet robërve të Tij edhe në kohët tona, ashtu siç u manifestohej të parëve tanë në të kaluarën.

Ky pohim mund të provohet vetëm në dy mënyra: ose t’i shfaqen mrekullitë e Zotit, kërkuesit të Tij, ose të ndjekësh dikë, të cilit i janë shfaqur shenjat e Zotit. Me bekimin e Zotit, ngaqë kam përvojë dhe vetë jam ndër ata, të cilëve Zoti i Madhërishëm shpesh u shfaqet me shenja të Tij të jashtëzakonshme, nuk më duhet ndonjë argument tjetër sepse e kam provuar vetë vërtetësinë e fesë Islame. Por, për ata që ende nuk kanë një përvojë të tillë, dua të përmend disa argumente të vërtetësisë së fesë Islame përveç argumentit të përvojës personale, argumente të cilat më bindën drejt kësaj feje.

Së pari, besoj në fenë Islame, sepse në të gjitha çështjet që mund të ketë një fe, ajo asgjë nuk më kërkon ta besoj me zor, por për çdo gjë më jep argument. Qenia e Zotit, atributet e Tij, engjëjt, lutja, efekti i saj, caktimi dhe rrethi i tij, adhurimi dhe nevoja e tij, sheriati dhe dobia e tij, shpallja dhe rëndësia e tij, jeta pas vdekjes, xheneti, xhehenemi, të gjitha këto feja Islame i ka sqaruar gjerësisht e i ka arsyetuar me argumente shumë të forta, të cilat i duhen mendjes njerëzore për t’u bindur. Kështu që, feja Islame nuk më dha vetëm një fe, por më mundësoi dijen bindëse, e cila më mbush mendjen dhe më bën të pranoj edhe nevojën e fesë.

Së dyti: Besoj në fenë Islame sepse ajo nuk mbështetet vetëm në histori, por fton çdokënd ta provojë vetë dhe thotë që çdo e vërtetë mund të shqyrtohet po në këtë botë, në ndonjë mënyrë apo tjetrën, dhe kështu kjo ma qetëson zemrën.

Së treti: Besoj në fenë Islame sepse ajo më mëson se s’ka kontradiktë midis fjalës së Zotit të Madhërishëm dhe veprës së Tij dhe kështu ajo më liron nga grindjet që bëhen midis shkencës dhe fesë. Feja Islame nuk më thotë që unë t’i anashkaloj ligjet e natyrës dhe të besoj në gjërat që janë kundër tyre. Madje, ajo mëson t’i përsiat ligjet e natyrës dhe të përfitoj nga ato, dhe më thotë se është Zoti Ai që zbriti Kuranin dhe është po Ai që krijoi botën, kështu fjala dhe vepra e Tij nuk mund të jenë kundër njëra-tjetrës. Ndaj, të duhet ta vëzhgosh veprën e Tij për ta kuptuar fjalën e Tij dhe anasjelltas. Kështu pra, feja Islame më ndrit mendjen e më qetëson.

Së katërti, besoj në fenë Islame sepse ajo nuk na ndrydh emocionet, por na i drejton ato. Ajo as nuk më trajton si diçka jo të gjallë duke m’i ndrydhur emocionet e as nuk më shndërron mua në ndonjë bishë duke m’i lënë ato pafre. Madje, feja Islame, si një inxhinier i zoti, arrin të grumbullojë ujëra të shumta e t’i kthejë ato në kanalizime të sistemuara në mënyrë që toka të thata të gjelbërohen e të lulëzojnë.

Në të njëjtën mënyrë edhe Islami, me ca kufizime të përshtatshme, dëshirat dhe emocionet e mia m’i kthen në morale të larta. Ai nuk më thotë që Zoti të ka dhënë një zemër që mban dashuri, por nuk ke të drejtë të kesh një bashkëshorte, ose që Zoti të ka dhënë një gjuhë që shijon dhe krijon dëshira në zemër për të ngrënë, por ti nuk mund t’i shijosh gjërat e shijshme.

Përkundrazi, feja Islame më thotë: ti mund të ndiesh dashuri ndaj dikujt, por dashuria jote duhet të jetë e drejtë dhe e pastër, madje duhet t’i ruajë synimet e tua përgjithmonë përmes pasardhësve të tu; ti sigurisht mund të hash ushqime të mira e të shijshme, por brenda kufijve. Të mos ndodhë që ti të ushqehesh mirë dhe fqinji yt të ngelet pabukë. Kështu që, feja Islame m’i drejton të gjitha instinktet duke u vënë atyre kufizime të përshtatshme dhe pastaj m’i kthen ato në morale të larta dhe kështu ajo më qetëson dhe rregullon të qenët tim si njeri.

Së pesti: Besoj në Islam sepse ai jo vetëm me mua, por me të gjithë botën është sjellë me drejtësi e dashuri. Ai më mësoi të përmbush detyrat jo vetëm ndaj vetvetes, por më mëson të jem i drejtë ndaj çdo gjëje që ekziston në këtë botë dhe për këtë na ka dhënë edhe udhëzime të nevojshme. Feja Islame në njërën anë ka treguar detyrimet që kanë fëmijët ndaj prindërve të tyre, duke i urdhëruar të sillen mirë me ta e madje i porosit t’i përcaktojnë pjesëtarë të trashëgimisë së tyre, dhe në anën tjetër prindërve u ka mësuar të kujdesen mirë për fëmijët e tyre, t’i edukojnë, t’i formojnë e t’u përcjellin morale të larta, të kujdesen për shëndetin e tyre dhe gjithashtu, përcaktoi që edhe fëmijët të jenë pjesëtarë të trashëgimisë së tyre.

Në të njëjtën mënyrë, feja Islame dha porosi për çiftet bashkëshortore që të kenë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin dhe të kujdesen për emocionet e njëri-tjetrit. Sa bukur e ka shprehur Profeti i nderuar i fesë Islame:

Ai që ditën sillet keq me gruan e vet e natën bën dashuri me të, harron bukurinë e natyrshmërisë njerëzore.

Gjithashtu ai tha:

Më i miri prej jush është ai që sillet mirë me gruan e tij.

Diku tjetër tha:

Gruaja është delikate si qelqi. Ashtu siç përdorni me kujdes një qelq delikat, në të njëjtën mënyrë duhet të keni kujdes kur silleni me gratë.

Veç kësaj, feja Islame nuk ka anashkaluar as të drejtat e vajzave. Ajo ka vënë theks të veçantë mbi arsimimin dhe edukimin e vajzave duke thënë se xheneti është i sigurt për atë që i arsimon dhe i edukon mirë vajzat e tij. Gjithashtu, feja Islame edhe vajzave u jep të drejtën e trashëgimisë nga prona prindërve.

Feja Islame ka vënë drejtësi edhe ndërmjet popullit dhe udhëheqësve. Këtyre të fundit ajo u thotë se qeveria nuk është pronë e tyre, por është vetëm një amanet që u është lënë me mirëbesim. Ndaj, ata si njerëz të drejtë duhet të kryejnë punën e tyre dhe për këtë duhet të këshillohen me popullin. Ndërsa popullit feja Islame i thotë: Shtetin jua ka dhënë Zoti i Madhërishëm si një bekim, prandaj, zgjidhni udhëheqës të tillë që të jenë të denjë për udhëheqje, dhe pas zgjedhjeve, bashkëpunoni me ta dhe mos u bëni rebelë, sepse përndryshe ju vetë do ta shkatërroni shtëpinë tuaj.

Feja Islame ka gjykuar drejtësisht si të drejtat e punëdhënësit ashtu edhe të punëtorit. Të parit Islami i thotë: Nëse punëson dikë, atëherë paguaje ashtu siç e meriton dhe hakun e punës duhet t’ia japësh para se t’i thahet djersa. Atë që është nënkujdesin tënd, mos e nëpërkëmb dhe mos e nënçmo, sepse ai është vëllai yt dhe Zoti ta dha që të kujdesesh për të dhe përmes tij Ai të ka forcuar. Prandaj, nga injoranca ti mos e thyej vetë forcën tënde. Edhe punëtorit feja Islame i dha porosi që kur të punojë diku, të tregohet besnik dhe obligimin ta kryejë me sinqeritet dhe të mos tregohet i pakujdesshëm dhe përtac.

Po ashtu, ata që gëzojnë shëndet të mirë, feja Islame i porosit: nuk duhet të keqpërdorni aftësitë tuaja; mos u bëni mizori të dobëtëve e as mos përqeshni ata që kanë dobësi fizike, madje dobësia e atyre që jetojnë në rrethin tuaj shoqëror, juve duhet t’ju ngjallë mëshirë.

Feja Islame të pasurit i porosit: Keni për detyrë të kujdeseni për të varfrit dhe çdo vit t’u jepni atyre një të dyzetën nga pasuria juaj, që ajo të shpenzohet në uljen e varfërisë. Gjithashtu, kur një i varfër ka probleme financiare, nuk duhet t’ia shtoni problemet duke i dhënë kredi me kamatë. Sepse Zoti nuk ju ka dhënë pasuri që të bëni jetë sa më luksoze, por për të marrë pjesë në zhvillimin e botës, duke fituar kështu shpërblimet e të dyja botëve. Feja Islame edhe të varfërve u thotë të mos shikojnë me lakmi pasurinë e të pasurit, sepse lakmia ua nxin zemrën dhe nuk i lë të zhvillojnë aftësitë e mira. Me ndihmën e Zotit, ata duhet të fitojnë ato aftësi që ndihmojnë në zhvillim.

Veç kësaj, feja Islame e këshillon shtetin që t’i ndihmojë të varfrit në përpjekjet e tyre dhe se si ai e ka për detyrë të vëzhgojë që pasuritë të mos grumbullohen vetëm në duart e disa njerëzve.

Atyre, baballarët e të cilëve fituan dinjitet dhe nder nga punët e tyre fisnike, u thotë se e keni për detyrë ta ruani dinjitetin dhe nderin e paraardhësve tuaj. Islami gjithashtu u tërheq vëmendjen të mos i nënvlerësojnë popujt e tjerë, sepse Zoti të gjithë i ka bekuar dhe të gjithë i ka bërë të barabartë. Ai u drejtohet: Ai Zot që juve ju dha nder, mund t’i japë nder më shumë popullit tjetër, andaj, nëse bëni padrejtësi ndaj dikujt, edhe ai popull mund të bëjë padrejtësi ndaj jush në të ardhmen. Kështu që, ata nuk duhet të mburren duke treguar madhështinë e tyre mbi të tjerët, por të krenohen duke i bërë të mëdhenj të tjerët, sepse i madh është ai që ngre vëllanë e tij të rrëzuar.

Feja Islame thotë se asnjë shtet apo popull nuk duhet të ketë armiqësi ndaj shtetit apo popullit tjetër dhe se nuk duhet t’i marrin të drejtën dikujt tjetër. Madje, të gjithë njerëzit bashkërisht duhet të përpiqen për zhvillimin e botës. Nuk duhet të ndodhë që disa popuj, shtete apo njerëz të bashkohen për të shtypur popuj, shtete apo njerëz të tjerë, madje ata duhet të bëjnë marrëveshje që secilin prej tyre ta ndalojnë të kryejë një akt të tillë.

Shkurt, unë shoh që në këtë botë feja Islame mua e njerëzve të tjerë, kushdo e çfarëdo qofshin ata, të gjithëve na sjell paqe e lumturi. Në cilindo pozicion ta vendos veten, unë shoh që, duke i ndjekur mësimet e Islamit, nuk privohem nga rrugët e suksesit e të përparimit.

Përderisa zemra ime dëshmon për mua se feja Islame është e dobishme për të gjithë: për miqtë e mi, për fqinjët e mi, për ata që unë as nuk i njoh fare, për gratë e për burrat, për të moshuarit, për të pasurit e për të varfrit, për vendet e fuqishme e për ato të pafuqishme, për ata që dëshirojnë bashkimin e popujve, për ata që duan atdheun e tyre; përderisa ajo mundëson kontakt të gjallë midis meje dhe Zotit tim, atëherë unë besoj fuqimisht në vërtetësinë e saj dhe si mund ta lë këtë dhe të besoj në ndonjë gjë tjetër?

(Revista “The Review of Religions“, mars 1940, f. 26-31)

Tema të ngjashme