Gjashtë shtyllat e besimit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Gjashtë shtyllat e besimit

Islam e ka quajtur Zoti i Madhërishëm fenë tonë në Kuranin Famëlartë. Islami është një fjalë arabe, që fjalë për fjalë do të thotë nënshtrim, bindje dhe paqe. Kjo fjalë rrjedh nga rrënja salima, që do të thotë, nënshtrim, paqe e bindje. Kështu që, islami është rruga e atyre që janë të nënshtruar para Zotit dhe që përhapin paqe në krijesat e Tij. Ndjekësit e kësaj feje quhen muslimanë.

Islami, në thelb, nuk është një fe e re. Esenca e tij është njëshmëria e Zotit dhe të gjithë profetët para Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. kishin ardhur pikërisht për t’u dhënë këtë mësim popujve të tyre. Siç e thekson Kurani Famëlartë:

“Thuaj (o Muhammed) “Ne besojmë Allahun, atë që na është shpallur neve, atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve dhe në atë që i është dhënë Musait, Isait dhe profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe ne vetëm Atij i nënshtrohemi”.

(Al-Imran 3:85)

Besimi në fenë Islame bazohet në gjashtë shtylla. Ato janë:

1. Besimi në një Zot

Besimi në një Zot është një koncept mjaft i thjeshtë dhe elementar. Nuk duhet të jetë e vështirë për ndonjë person të kuptojë se Zoti është një, dhe këtu kjo çështje zgjidhet. Por, në realitet, ka shumë gjëra të fshehta përtej asaj që sheh syri i njeriut në këtë koncept të thjeshtë.

Kur një person thellësisht e shqyrton konceptin e Unitetit, e tërë bota fetare duket se rrotullohet rreth këtij boshti thelbësor. Ky besim ndikon në jetën e njeriut në të gjitha aspektet e saj. Ky gjithashtu nënkupton mohimin e të gjithë të tjerëve, përveç Allahut. Pra, besimi në njëshmërinë e Zotit nuk është mbarimi i gjithë besimit, por të gjitha besimet e tjera dalin nga ky burim kryesor i vërtetësisë absolute. Gjithashtu, ky besim na jep mesazhin e çlirimit nga të gjitha zgjedhat e tjera dhe na liron nga të gjitha obligimet, përveç atyre që lidhen me bindjen ndaj Tij.

Ky koncept është sqaruar më tutje nga kahe të ndryshme, nga të dyja kahet: sipas Kuranit Famëlartë dhe sipas thënieve të Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s. P.sh. deklarata,

La heula vela kuata il-la Bil-lah

(Askush nuk ka fuqi gjithëpërfshirëse përveç Allahut), i hap dritare të reja për të kuptuar më thellë dhe më gjerë njëshmërinë e Zotit. Kjo thënie mohon çdo frikë përveç frikës së Zotit. Pjesa e dytë e saj na tërheq vëmendjen për një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm të njëshmërisë së Zotit, që fuqia për të fituar çdo të mirë varet vetëm prej Zotit, dhe se Ai është Pronar i të gjitha burimeve të fuqisë dhe energjisë. Kështu që, nëse pjesa e parë tregon aspektet negative të fuqisë, pjesa e dytë tregon aspektet pozitive të saj.

Pikërisht këto dy forca përfshijnë në mënyrë të gjithanshme veprat e njeriut, qëllimet dhe arsyet e tij etj. Qëllimet e njeriut dhe veprat e tij që burojnë prej tyre gjithnjë udhëzohen dhe kontrollohen nga frika ose nga shpresa, dhe nuk ka përjashtim në këtë parim. Ata që bëjnë vepra të mira, bëjnë për shkak të frikës ose të shpresës, po ashtu edhe ata që veprojnë të kundërtën, po nga këto dy gjëra motivohen. Frika e jobesimtarëve i takon kategorisë negative, asaj johyjnore, dhe ata e trajtojnë jetën e tyre sipas frikës së kësaj bote. Herë ata frikësohen se mos të tërheqin zemërimin e monarkëve apo të autoritarëve, herë frikësohen përgjithësisht nga shoqëria apo nga despotët dhe tiranët. Ata veprojnë keq nganjëherë prapë për shkak të frikës së varfërisë, humbjes etj. Pra, në një botë plotë me vese, një pjesë e madhe e veprave njerëzore mund të shpjegohet në lidhje me këto frika.

Besimi në njëshmërinë e Zotit i largon të gjitha këto frika dhe e sjell në mendjen e njeriut rëndësinë e frikës së Zotit, që do të thotë se njeriu nuk duhet të frikësohet nga mospëlqimi dhe zemërimi i personave jo-hyjnorë, por ai gjithnjë duhet të përpiqet e të orvatet për t’iu larguar mospëlqimit të Zotit dhe për ta formuar jetën e tij vetëm sipas kësaj frike. E njëjta gjë aplikohet në të gjitha motivacionet njerëzore dhe në aksionet konsekuente edhe në kuptimin pozitiv. Njeriu gjithnjë jeton me ndonjë motiv, për të kënaqur dikë, ku edhe vetvetja e tij nuk përjashtohet. Në të vërtetë, më shpesh ai punon për ta kënaqur veten, edhe sikur t’i kushtojë humbjen e atyre që janë të dashur për të.

Një formë tjetër më e ekzagjeruar e kësaj sjelljeje e bën njeriun ta adhurojë egon e vet. Për të arritur qëllimin e tij, njeriu duhet t’i kënaqë ata, prej të cilëve varet kënaqësia e tij. Si i tillë, ai prapë duhet të përpiqet e të rropatet vazhdimisht për të fituar favoret e monarkëve, autoritarëve etj. Ajo që jemi duke shpjeguar është forma më e shëmtuar e skllavërisë. E gjithë Shpresa dhe frika e një skllavi varet prej tekave, pëlqimeve e mospëlqimeve të pronarit të tij. Por, njeriu që nuk beson në Zot, nuk ka vetëm një pronar. Çdo njeri tjetër që ka lidhje me interesat e tij personale, mund të luajë rolin e Zotit për të. Nëse analizoni shkakun themelor të ligështive shoqërore, morale apo politike, do të dalë në pah se bëhet fjalë për adhurim të tillë të njeriut që jua shkatërron qetësinë e mendjes, sepse shoqëria në tërësi fillon të degjenerohet e të përkeqësohet pambarim.

Nga kjo pikëpamje, kur i hidhni një sy tjetër kësaj deklarate thelbësore, që, “nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një dhe Vetëm”, të gjitha këto shpresa dhe frika që lidhen me objektet përveç Zotit, zhduken, sikur me tundim të një shkopi magjik. Me fjalë të tjera, duke  zgjedhur vetëm një pronar, ju liroheni nga robëria dhe skllavëria e të gjithë të tjerëve. Të jesh rob i të tjerëve, ashtu siç ata vetë janë robë të zotave të panumërt, pa dyshim është një pazarllëk i dobët. Mirëpo, nuk mbaron vetëm me kaq. Zotat që njerëzit e tillë i adhurojnë, shpesh janë produkt i imagjinatës së tyre, të cilët nuk mund t’u sjellin asnjë dobi e as dëm. Në anën tjetër, ka shumë njerëz që nuk adhurojnë askënd, përveç qenieve të vdekshme dhe egot e tyre dalin në krye në mesin e të gjithë këtyre. Kështu, secili prej tyre gjunjëzohet para zotave të panumërt egoist, interesat e të cilëve bie ndesh me njeri-tjetrin, duke krijuar një situatë krejtësisht kaotike.

Koncepti islamik i njëshmërisë së Zotit, gjithashtu ngulit në mendjen e njeriut ndërgjegjësimin e trajtimit të njerëzimit në mënyrë të paanshme dhe i largon të gjitha pengesat që ndajnë njeriun në kategori race, etnie apo ngjyre, besim ky, lind konceptin universal të barazisë në Islam, që është një tipar dallues i tij. Kështu, nga pikëpamja e avantazhit të Zotit, të gjithë njerëzit, kudo qofshin dhe i çfarëdo epoke i përkisnin, qëndrojnë të barabartë në sy të Zotit. Kjo është baza, ku mbështeten të gjitha besimet dhe doktrinat e tjera thelbësore në Islam, këtë do ta shpjegojmë më poshtë. Siç u përmend shkurtimisht më parë, doktrina e njëshmërisë së Zotit në Islam është absolute dhe e pathyeshme dhe se ajo nuk ka vend për të shtuar ndonjë zot në asnjë formë. Ai as nuk ka baba e as nënë, as nuk ka ndonjë bashkëshorte. Është e papërfytyrueshme që Ai të lindë ndonjë djalë apo vajzë.

Një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm i njëshmërisë së Zotit, siç paraqitet nga Kurani Famëlartë, është harmonia e plotë në krijimin e Tij. Pikërisht ky është ai koncept i harmonisë që tërhoqi fuqimisht Ajnshtajnin. Ai u detyrua t’i bënte nderim simetrisë së përsosur në natyrë, e cila, sipas tij, kërkon njëshmërinë e krijuesit. Ai ishte një shkencëtar dhe perceptimi i tij për harmoninë ishte e kufizuar në universin material. Mirëpo, Kurani Famëlartë flet për harmoninë e krijimit në të gjitha aplikimet e saj të mundshme. Kurani i Madhërishëm pohon se në natyrë, siç është krijuar nga Zoti, dhe në librat Hyjnorë të diktuar nga Zoti, nuk ka ndonjë mungesë harmonie, sepse ka një pajtim të plotë midis një zone dhe zonës tjetër të krijimit të Zotit, midis një libri dhe librit tjetër të Tij.

Sërish, kjo deklaratë vazhdon të tregojë se ka një pajtueshmëri të plotë midis Fjalës së Zotit dhe Veprës së Tij dhe se nuk mund të ketë asnjë kontradiktë midis natyrës dhe fjalës hyjnore që u diktohet profetëve të Tij. Kjo temë është shpjeguar në mënyrë shumë të bukur në pesë ajetet e para të Sures El-Mulk, po ashtu, është trajtuar nga kënde të ndryshme në shumë ajete të tjera të Kuranit Famëlartë.

Për sa u përket individëve, besimi në njëshmërinë e Zotit luan një rol shumë të rëndësishëm në edukimin dhe në zhvillimin e njerëzve. Kjo kërkon përputhje midis pikëpamjeve të njeriut dhe veprave të tij, një përputhje midis marrëdhënieve të tij me Zotin dhe me njerëzit e tjerë, kështu duke e lidhur gjithë krijimin me një zinxhir unik e të pathyeshëm. Kjo mund të kuptohet më mirë duke sjellë në fokus praktikat e disa të ashtuquajturve “njerëz fetar” të cilët i predikojnë një grupi të caktuar të shoqërisë njerëzore urrejtje kundër një grupi tjetër në emër të të vetmit Zot. Parimi i njëshmërisë së Zotit nuk përputhet me këtë praktikë, pasi ai nuk lejon njerëzit që ata, duke qenë brenda krijimit të Zotit, të krijojnë ndarje midis Tij dhe krijesave të Tij.

2. Besimi në engjëjt

Pages: 1 2 3 4 5

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp