Statusi i gruas në Islam
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Statusi i gruas në Islam

Nga: Shahid Ahmad Butt

Shoqëria Islame me më shumë se 1 miliard ndjekës dhe me një shtrirje të gjerë gjeografike përbën një pjesë të madhe të popullsisë botërore. Fatkeqësisht në shumë vende ku praktikohet feja Islame, si Afganistan, Pakistan, Afrikë Veriore apo në Lindjen e Mesme, gratë trajtohen keq apo u mohohen të drejtat e tyre për shkak të kulturës së atyre vendeve. Këto steriotipe, në vende të ndryshme, që nuk përputhen aspak me pozitën, vendin dhe dinjitetin që Islami u jep atyre, kontribuojnë në formimin e perceptimit dhe idesë së gabuar rreth trajtimit të grave në Islam. Përveç këtij qëndrimi të mangët dhe të cungët ku mbartësit e këtij mendimi nuk interesohen të studiojnë burimet Islame, është edhe ndikimi i propagandës së përhapur kundër Islamit, që njihet si Islamofobia.[1]

Me anë të këtij shkrimi orvatemi të shqyrtojmë të drejtat e grave në aspekte dhe sfera të ndryshme të jetës njerëzore duke u referuar burimeve kryesore të Islamit, d.m.th. Kuranit të shenjtë dhe thënies së Profet Muhammedit s.a.s. Para se ta nisim studimin tonë është me rëndësi të mësojmë gjendjen e gruas para një mijë katërqind vjetësh në qytetërime të mëdha dhe vendin e pozitën që i caktonin fetë e tjera. Le të kthehemi në histori për të parë fetë e mëdha se si e përshkruajnë ato gjininë femërore.

Trajtimi i gruas në fe dhe kultura të ndryshme 

1.1. Hinduizmi

Sipas shkrimeve të fesë hinduiste, përshkrimi i një gruaje fisnike është:

“një grua, mendja, gjuha dhe trupi i së cilës është në nënshtrim (të shoqit), do të fitojë më shumë famë në këtë botë, ndërsa, në botën tjetër, të njëjtën vendbanim me bashkëshortin e saj.”[2]

‘Ligjet e Manus’ është një shkrim i rëndësishëm për sa i përket rregullave fetare në hinduizëm. Atje shkruhet “Ditë e natë gruaja duhet të jetë në varësi të meshkujve (të familjes) së saj.” Kjo sepse sipas Manus “ajo kurrë nuk është e denjë për liri”[3]  bile edhe brenda mureve të shtëpisë.[4]  Ajo nuk lejohet të kryejë sakrificat fetare, ndërsa mund të agjërojë vetëm për burrin e saj.

1.2. Judaizmi

Trajtimi i gjinisë femërore në traditat Judo-Krishtere orientohet nga imazhi i Evës që paraqitet si joshëse në Bibël. Besohet se të gjitha gratë kanë trashëguar, nga nëna e tyre – Eva, fajin e saj. Prandaj të gjithë ato janë të pabesueshme, të dobëta moralisht dhe të liga. Prandaj menstruacioni, shtatzënia dhe rritja e fëmijëve u konsideruan dënim i merituar për to. Po të shqyrtojmë Dhjatën e vjetër do t’i gjejmë fjalët e Predikuesit, të birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit që përshkruan gruan në këtë mënyrë

“dhe gjeta një gjë më të hidhur se vdekja; gruan, zemra e së cilës është kurth dhe grackë dhe duart e së cilës janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë, i shpëton asaj; por mëkatari do të kapet nga ajo. Ja ajo që gjeta”, thotë Predikuesi, duke i shqyrtuar një për një gjërat, për të gjetur shkakun e tyre.”

[Predikuesi 7:26-27]

Në literaturën hebraike që njihet edhe nga kisha Katolike, lexojmë:

“Asnjë ligësi nuk mund t’i përngjajë ligësisë së femrës… mëkati filloi nga një grua dhe fal saj ne të gjithë do të pësojmë vdekjen.”

[Ecclesiasticus 25:19,24]

Sipas rabinëve hebre, femra u dënua me nëntë ndëshkime për shkak të daljes nga parajsa:

“Gruas i dha (Zoti) nëntë mallkime dhe vdekjen: barra e gjakut të menstruacionit dhe gjakut të virgjërisë; detyrimi i shtatzënisë; detyra e rritjes së fëmijëve; koka e saj është mbuluar sikurse mban zi; ajo shpon veshin e saj si një skllav apo shërbëtore të përhershme; ajo nuk duhet besuar si dëshmitare; dhe pas gjithçkaje – vdekja.”[5]

Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim.

“Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.”

[1 e Timoteut 2:11-12]

Sipas përshkrimit të Zanafillës:

“Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë.”

[Zanafilla 2:7]

Por pastaj duke parë që njeriu është i vetëm dhe kishte nevojë për ndihmë që i leverdiste Ai i çoi njeriut tërë kafshët e dheut dhe tërë zogjtë e qiellit por “nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të”.

“Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. Dhe njeriu tha “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri.”

[Zanafilla 2:21-23]

Termi ndihmë është interpretuar historikisht si Eva ishte e varur prej Adamit dhe kishte një rol inferior.
Sipas Zanafillës, Lameku ishte i  pari që u martua dy herë. Judaizmi nuk jep asnjë udhëzim për numrin e grave. Andaj në Dhjatën e vjetër përmendet që: Esau mori 3 gra, Jakobi:2; Ashuri:2; Gideoni:shumë; Davidi:shumë; Solomoni:700; Abixhah:14 etj.

Një sërë vargjesh cilësojnë femrat prona të prindërve të tyre dhe pas martesës, të burrave të tyre.

“Në rast se dikush shet bijën e tij si shërbëtore, ajo nuk do të shkojë ashtu si shkojnë skllevërit.”

[Eksodi 21:7]

Domethënë nëse do babai, ai mund ta shesë vajzën e tij. Ndonëse skllevërit liroheshin pas gjashtë vjetësh, femrat mbeteshin si shërbëtore përgjithmonë.

Sipas ligjit të përtërirë femra kur martohet duhet të jetë e virgjër dhe nëse ajo kishte marrëdhënie seksuale para martesës, pra,  në shtëpinë e babait të saj, atëherë ajo dënohej me vdekje me gurë. Ndërkohë ligji nuk parashikonte ndonjë ndëshkim për mashkullin.

“Në qoftë se një burrë martohet me një grua, hyn tek ajo dhe pastaj fillon ta urrejë,
dhe e padit për gjëra të turpshme dhe i nxjerr një nam të keq, duke thënë: “Mora këtë grua, por kur iu afrova nuk gjeta tek ajo shenjat e virgjërisë”, babai dhe nëna e së resë (vajzës) do të marrin shenjat e virgjërisë së saj dhe do t’ua tregojnë pleqve të qytetit, te porta; dhe babai i së resë (vajzës)do t’u thotë pleqve: “Unë ia dhashë time bijë për grua këtij burri, por ai filloi ta urrejë, dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme, duke thënë: Nuk gjeta tek jote bijë shenjat e virgjërisë; por këto janë shenjat e virgjërisë të bijës sime”. Dhe do të shpalosin çarçafin përpara pleqve të qytetit. …Por në qoftë se vërtetohet fakti dhe tek e reja (vajza) nuk janë gjetur shenjat e virgjërisë, atëherë do ta nxjerrin të renë (vajzën) te pragu i shtëpisë së babait të saj dhe njerëzit e qytetit të saj do ta vrasin me gurë, dhe ajo ka për të vdekur, sepse ka kryer një vepër të turpshme në Izrael, duke u bërë kurvë në shtëpinë e atit të saj. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri juaj”

[Ligji i Përtërirë 21:13-21]

Ligji i Përtërirë gjithashtu nuk ia jep gruas të drejtën për të kërkuar divorc. Ky akt mund të kryhet vetëm nga burri dhe jo nga gruaja:

“Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t’ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj;”

[Ligji i Përtërirë 24:1]

1.3. Krishterimi

Feja krishtere trashëgon imazhin e gruas nga judaizmi dhe i jep një kuptim më të rëndë. Mëkati i saj do të luante rolin qendror në fenë krishtere sepse, qëllimi i ardhjes së Krishtit dhe sakrificës së tij ishte vetëm çlirimi i njeriut nga makthi i mëkatit që kreu Eva dhe kështu pastrimi i njerëzimit nga trashëgimi i mëkatit.

Në 1 e Korintasve shkruhet:

“…burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin”

[1 e Korintasve 11:7-9]

Shën Pauli u drejtohet grave në këtë mënyrë:

“Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.”             [Efesianëve 5:22-24]

Gjuha e Sh. Tertullianit është akoma më e ashpër. Ai u drejtohet motrave të tij të dashura në fe, duke thënë:

“A dini se secila prej jush është një Evë? Nëse dënimi i Zotit mbi seksin tuaj qëndron edhe sot e kësaj dite, atëherë sigurisht edhe faji duhet të ekzistojë. Ju jeni derë hyrëse për djallin. Jeni ju që prekët pemën e ndaluar; ju jeni dezertoret e para të ligjit hyjnor. Ju jeni që e kandisët Adamin, të cilën as djalli nuk guxonte ta sulmonte. Ju shkatërruat aq lehtë imazhin e Zotit, njeriun. Për shkak të mëkatit tuaj edhe i biri i Zotit duhej të vdiste.”[6]

Sot Greqia e vjetër konsiderohet si djep i kulturës evropiane dhe grekët e lashtë mbahen si pararendësit e epokës së re. Por edhe atje gruaja nuk ishte në një gjendje tjetër:

“Gratë athinase gjithmonë ishin të parëndësishme, varur prej një mashkulli, prej babait të tyre, vëllait apo një burri nga fisi i tyre.”[7]

“Zakonisht miratimi i saj për martesë nuk konsiderohej si diçka e rëndësishme dhe pritej që ajo t’i nënshtrohej dëshirës së prindërve dhe burrin e padronin e saj ta merrte prej tyre, pavarësisht që ai mund të ishte krejtësisht i huaj për të.”[8]

Enciklopedia ‘Britanike’ përshkruan statusin ligjor të gruas që i jepte perandoria romake. Sipas këtij përshkrimi:

“Në ligjin romak gruaja historikisht trajtohej si plotësisht e varur. Nëse martohej, ajo dhe pasuria e saj kalonte te burri i saj… gruaja ishte prona e blerë e burrit të saj, dhe si një shërbëtore merrej vetëm për dobinë e tij. Gruaja nuk mund të ushtronte ndonjë detyrë civile apo publike, nuk mund të paraqitej si dëshmitare, garantuese, mësuese apo përgjegjëse. Nuk kishte të drejtë për të adoptuar as për t’u adoptuar ose të linte testamentin dhe të bënte marrëveshje.”[9]

Tani në diskutimin e mëtejshëm do të kthehemi te Islami se si ai shquhet nga fetë e tjera në aspekte të ndryshme të jetës njerëzore, d.m.th. shpirtërore, shoqërore dhe ekonomike dhe politike.

Statusi i gruas në Islam

1. Aspekti shpirtëror

Islami i jep gruas të gjitha të drejtat politike dhe shoqërore, që gëzon edhe mashkulli. Ajo përfiton të gjitha privilegjet që përpara ishin të caktuara vetëm për gjininë mashkullore. Përveç çështjeve materiale, barazia gjinore shtrihet edhe në sferën shpirtërore. Islami e shfajësoi gruan nga akuzat dhe fajësimet shekullore sipas të cilave ajo ishte fajtore dhe përgjegjëse sepse ishte ajo që mëkatoi duke marrë mollën e ndaluar. Sipas Kuranit, të dy Ademi dhe Eva, kishin gabuar por ishin të pavetëdijshëm për atë veprim dhe pastaj të dy u penduan dhe Zoti ua fali të dyve. [el-Bakrrah 2:37, El-A’rraf 7:21-24]. Madje në suren Ta Ha [20:122] thuhet se ishte Ademi a.s., ai që nuk e zbatoi urdhrin e Allahut. Veç kësaj Kurani e quan këtë veprim gabim sepse nuk ishte bërë qëllimisht. Kështu Islami liroi bijtë e Evës nga dogma të rreme shekullore që i dënonte për atë krim që ajo nuk kishte kryer kurrë. Islami ia dha dinjitetin, nderin dhe vetëbesim që i mungonte gjatë shekujve të tërë. Kurani i Madhërishëm e kurorëzoi femrën në pozicion të barabartë me burrin dhe e nënvizon barazinë shpirtërore në mënyrë të përsëritur. Fjala bie:

“Me të vërtetë që myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.”

[El-Ehzab 33:36]

“… do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”

[El-Ehzab 33:74]

Islami u premton burrave dhe femrave mbrojtje të barabartë. Për shembull:

“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.”

[El-Ehzab 33:59]

“Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie.”

[El-Buruxh 85:11]

Burrat dhe gratë do të shpërblehen baras në jetën e pastajme:

“Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.”

[En-Nisa 4:125]

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, me kusht që të jetë besimtar, Ne do t’i bëjmë që të kalojnë jetë të bukur dhe do t’i shpërblejmë sipas veprave më të mira, që kanë bërë.”

[En-Nahl 16:98]

“… ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, qofshin meshkuj apo femra, do të hyjnë në Xhenet. Aty do të begatohen pa kufizim.”

[El-Ghafir 40:41]

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Përjetësisë. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitore madhështore.”

[Et-Taubeh 9:71-72]

“(Ai e bëri këtë) për t’i çuar besimtarët dhe besimtaret në kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përherë, si dhe që t’ua largojë mangësitë atyre. Kjo, në sytë e Allahut, është fitorja më e madhe.”

[El-Fet’h 48:6]

(Allahu do t’u thotë): “O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni. … Hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe shokët tuaj.”

[Ez-Zukhrruf 43:69-70]

“Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për gjë tjetër, veç lumturisë së tyre. Ata dhe gratë e tyre do të jenë në hije, të mbështetur në ndenjëse. Për ata do të ketë aty fruta dhe çdo gjë që dëshirojnë.”

[Ja Sin 36:56-58]

…ditën që do të shohësh besimtarët dhe besimtaret, me dritën e tyre që shkëlqen para dhe në të djathtë të tyre (e do t’u thuhet): “Lajm i mirë sot për ju: (Ju gëzojnë) kopshtet e Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të banoni përgjithmonë. Kjo është fitorja më e ma-dhe!”

[El-Hedid 57:13]

Kur Kurani i Madhërishëm flet për shpirtin e njeriut, ai nuk bën dallime gjinore.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një shpirti, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni prej njëri-tjetrit dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”

[En-Nisa 4:2]

Këtu fjala “shpirt” përfshin të dy gjinitë, atë mashkullore dhe femërore. Ato janë dy pjesë përbërëse që së bashku kryejnë një funksion. Kjo vërteton që këta të dy i përkasin të njëjtit lloj dhe specie dhe kanë të njëjtën prirje.

Këtu ndryshimi në formën dhe trajtën fizike thyhet dhe në sferën shpirtërore të dy shkrihen në një formë të vetme. Kjo barazi në gjendjen shpirtërore theksohet edhe më shumë kur Kurani deklaron se mashkulli dhe femra plotësojnë njeri-tjetrin. Ai thotë:

“Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre (dhe tha): “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni prej njëri-tjetrit. Prandaj, atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.”

[Ale-Imran 3:196]

2. Aspekti Shoqëror

Familja është njësi bazë e çdo shoqërie, nën hijen e së cilës formohet dhe mishërohet e ardhmja. Është pikërisht ambienti i shtëpisë ku fëmija jo vetëm rritet por merr edhe mësimet e para të jetës. Ai ushqehet me moralet, vetitë dhe virtytet e larta pikërisht në prehrin e nënës. Aty fiton edukatën e duhur dhe merr formimin, botëkuptimin dhe zhvillimin e tërësisë së cilësive shpirtërore, mendore, fizike e kulturore etj.

Familja paraqet marrëdhënie shembullore midis burrit dhe gruas si dhe midis prindërve dhe fëmijëve. Prandaj Kurani ua mëson besimtarëve këtë lutje:

“edhe ata (besimtarë të devotshëm) që thonë: “O Zoti ynë, falna dhe na dhuro gëzim e qetësi nga ana e bashkëshortëve dhe bashkëshorteve tona e nga ana e trashëgimtarëve tanë, atë që është prehje për sytë tanë dhe bëna udhëheqës për të devotshmit!”.

[El-Furkan 25:75]

Po kjo gjini që shfaqet herë si nënë, herë si vajzë, herë si motër dhe herë si grua dhe në shumë e shumë role të tjera në shoqëri,është shtylla kryesore e jetës familjare dhe asaj shoqërore në përgjithësi.

Le t’i kthehemi Islamit për të parë se çfarë udhëzimesh dhe mësimesh ai na jep për këto role shoqërore që ka një grua.

2.1. Vajza

Në dogmat fetare para Islamit lindja e vajzës krahasohej si humbje e madhe[10] dhe shkaku i mundshëm i turpërimit.[11] Pikërisht ishte kjo ide për t’i trajtuar vajzat si burimet e mundshme të turpërimit që shkaktoi praktikën e vrasjes së vajzave në foshnjëri. Kurani, në radhë të parë, kundërshtoi dhe hodhi poshtë këtë praktikë me fjalë të ashpra:

“…kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet për çfarë faji ishte vrarë.”

[Et-Tekvirr 81:9-10]

Duke kritikuar fort këtë sjellje diskriminuese ndaj vajzave Kurani i tërheq vëmendje lexuesve duke thënë:

“Dhe, kur ndonjëri prej tyre merr lajmin se i lindi një vajzë, fytyra i nxihet (nga hidhërimi) dhe ai ndrydh (ndjenjat). Ai fshihet nga njerëzit për shkak të lajmit të keq që mori dhe s’di: a ta mbajë këtë fëmijë, pavarësisht poshtërimit apo ta varrosë në dhé. Ah! Sa mbrapsht që gjykojnë ata!”

[En-Nahl 16:59-60]

Islami u kërkon myslimanëve trajtim të barabartë midis djalit dhe vajzës. Islami jo vetëm theu dhe eliminoi këtë zakon të rrezikshëm por i dha vajzës të drejta të barabarta brenda familjes. Prej thënieve të të Dërguarit të Allahut s.a.s. shënojmë këtu poshtë disa që theksojnë sjellje të njëllojta:

Cilido që ka një vajzë dhe ai nuk e varros atë për së gjalli, nuk e fyen e as nuk i jep epërsi djalit mbi të, Zoti do ta lejojë në xhenet.[12]

Cilido që i mbështet dy vajza derisa ato arrijnë pjekurinë, ai dhe unë do të vijmë në Ditën e Gjykimit si kështu (dhe ai tregoi dy gishta të tij të bashkuar).

Është një hadith që përforcon këtë mësim:

“Aisheja r.a. rrëfen: Më erdhi një grua e varfër me dy vajza të saj. Unë i dhashë tri hurma. Ajo i dha nga një secilës dhe ia afroi vetes atë të fundit për të ngrënë, por vajzat i kërkuan edhe atë. Atëherë ajo e ndau në dy pjesë dhe ua dha atyre. Unë u çudita shumë nga veprimi i saj dhe i tregova të Dërguarit s.a.s. atë që kishte ndodhur. Ai u përgjigj “Allahu e shpërbleu me xhenet si rezultat të këtij veprimi”, ose në këtë mënyrë: “Allahu e liroi nga zjarri si shpërblim i kësaj sjelljeje”.

Në kundërshtim me qëndrimin e Biblës, Kurani e vlerëson lindjen e vajzës si një dhuratë dhe bekim prej Zotit, ashtu siç është e djalit bile edhe pak më e spikatur sepse ai e radhit këtë gjini para gjinisë mashkullore.

“Allahut i takon pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë.”

[Esh-Sh’ura 42:50]

2.2. Gruaja

Para Islamit gruaja trajtohej jo më shumë se një shërbëtore dhe nuk gëzonte asnjë të drejtë, ndërsa me ardhjen e Islamit jo vetëm që ajo fitoi dinjitetin dhe respektin por edhe të drejtat e barabarta në të gjitha nivelet me burrin e saj.

“Dhe një prej shenjave të Tij është (edhe kjo) që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shumë shenja, për njerëzit që mendojnë.”

[Err-Rrum 30:22]

Martesa është bashkimi i harmonizuar i dy shpirtrave, me qëllimin kryesor që të dy të gjejnë kënaqësi nga njëri-tjetri. Kurani i Madhërishëm shpjegon barazinë dhe ekuilibrin e kësaj marrëdhënie reciproke në këtë ajet duke thënë:

“Ato janë petk për ju e ju jeni petk për to.”

[El-Bekarrah 2:188]

Një herë i Dërguari i Allahut savs tha:

“Myslimani më i përkryer në çështjen e besimit është ai që ka sjellje të shkëlqyeshme; dhe më të mirët ndër ju janë ata që sillen mirë me gratë e tyre”.

[Tirmidhiu, nr. 278]

Duke theksuar sjelljen ndaj gruas, i Dërguari i Allahut s.a.s. thotë: “O njerëz! Kini frikën Allahut lidhur me sjelljen ndaj grave”. Në një rast tjetër, tha: “Pranojeni këtë këshillë dhe silluni me mirësi lidhur me të drejtat e grave.” Burri duhet të kujdeset për çështjet shtëpiake dhe të plotësojë nevojat e shtëpisë, siç thotë Hazret Aliu r.a.: “Burri nuk mund të quhet zoti i shtëpisë nëse ai mban qëndrim mospërfillës ndaj shtëpisë së tij.”

Domethënë Islami i jep gruas të drejta të barabarta që  ajo të përmbushë sa më mirë detyrat e saj për rritjen, edukimin dhe mësimin e fëmijëve të saj.

2.3. Nëna

Pavarësisht nga fakti që mund të gjejmë shumë udhëzime shumë të bukura në Dhjatën e vjetër rreth respektit të printerëve[13] ne nuk gjejmë dot mësime të veçanta për sjelljen ndaj nënave. Ndërkohë po të lexojmë Dhjatën e re, ajo na bën përshtypja sikur dashuria ndaj nënës është një pengesë në rrugën e Zotit. Mund të gjejmë Krishtin duke ua treguar ndjekësve të tij kushtin e ndjekjes së tij:

“Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.”

[Luka 14:26]

Kurse në një vend tjetër shohim se Krishti ishte indiferent ndaj nënës dhe vëllezërve të tij. Për shembull një herë kur ai i predikonte një turme, erdhi nëna e tij duke e kërkuar, por ai nuk i kushtoi asaj aspak vëmendjen.

“Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin. Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë”. Por ai u përgjigj atyre duke thënë: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?”. Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!”.

[Marku 3:31-35]

Islami i përkushton nënës respekt dhe nder të pakrahasueshëm. Mirësjellja ndaj prindërve radhitet pas adhurimit të Zotit.

“Zoti yt ka vendosur, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i qorto, por drejtoju atyre me butësi dhe respekt. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”

[El-Isrraa 17:24-25]

Kurani gjithashtu vë në dukje mundimet dhe vuajtjet e jashtëzakonshme që përjeton nëna gjatë shtatzënisë. Ai thotë:

“Ne e kemi urdhëruar njeriun në mënyrë të veçantë në lidhje me prindërit e tij. Nëna e ka bartur atë, duke duruar mundim pas mundimi…”

[Lukman 31:15]

I Dërguari i Allahut savs ka sqaruar gjithashtu vendin e veçantë që zë nëna në shoqërinë islame.

Një person e pyeti të Dërguarin e Allahut s.a.s.: “Kë duhet të respektoj më shumë? I Dërguari i Allahut s.a.s.iu përgjigj: “Nënën tënde.” “Kush radhitet më pas?” pyeti ai. I Dërguari i Allahut s.a.s iu përgjigj: “Nëna jote”. Po pastaj kush? Dhe përsëri Profeti i shenjtë s.a.s. i tha “Nëna jote”. Po pastaj kush vjen? E pyeti personi. Profeti i shenjtë s.a.s. iu përgjigj “Babai yt”.

[Buhariu & Muslimi]

Në një nga thëniet më të famshme të Profetit të shenjtë savs që tregon më së miri pozitën e lartë të gruas, thuhet:

“Xheneti gjendet nën këmbët e nënës”.

Ky është vlerësimi më i madh që Islami i jep gruas, që tejkalon edhe pozitën e mashkullit. Ai i jep asaj një vlerësim që nuk mund të gjendet në asnjë fe apo qytetërim tjetër.

Është një fjali që përmban kuptime të thella, se mos varni shpresat tuaja vetëm me xhenetin e botës tjetër por ju mund të bëni pjesë edhe në atë parajsë tokësore ku çdo nënë është mbretëresha e shtëpisë dhe krijon një parajsë të vogël brenda familjes. Është ajo parajsë ku fëmijët edukohen, ushqehen dhe mbruhen në atë drejtim, mbi bazat e të cilit, ndërtohet shoqëria modele shembullore. Ku rrënjosen vlerat morale, shpirtërore dhe kulturore, ku marrëdhëniet e ndërsjella bazohen mbi sinqeritetin, dashurinë dhe respektin dhe jo mbi interesa vetjake. Ku dashuria e Zotit lëshon rrënjë dhe pastaj kjo dashuri shndërrohet në burimin e çdo lloj dashurie. Kështu që parajsa këtu i përgjigjet edhe parajsës shoqërore tokësore edhe asaj qiellore.

Në një rast tjetër i Dërguari i Allahut s.a.s.  u drejtua besimtarëve duke thënë:

Allahu ju ka ndaluar të jeni mospërfillës ndaj nënave tuaja”. [Buhariu]

Ashtu si një shkollë apo universitet, që i ngarkon mësuesit dhe pedagogët me detyrën e mësimdhënies së nxënësve dhe studentëve, ato gjithashtu kujdesen që mësuesit apo pedagogët të kenë njohuri dhe trajnim të mjaftueshëm për të kryer këtë detyrë. Po në të njëjtën mënyrë Islami jo vetëm që i cakton detyrat, por, gjithashtu dikton mënyrën për përmbushjen e tyre duke i dhënë modele dhe sjellje për t’i përvetësuar. Që nga fëmijëria, krijohen kushte të përshtatshme dhe ambienti mësimor ku formohet dhe krijohet mësuesja e së ardhmes që do të ushtrojë këtë detyrë më vonë.

Pavarësisht nga statusi i barabartë midis dy gjinive, akoma ekziston njëfarë dallimi midis mashkullit dhe femrës, që buron nga natyra fizike e tyre. Po të mos merrej parasysh ky dallim, atëherë nuk do të kishim dallim midis lojtarëve meshkuj dhe femra në lojëra sportive. Pikërisht në varësi të kësaj larmie, ekziston edhe dallimi midis detyrave shoqërore.

Shembulli i funksioneve dhe aftësive të ndryshme mund të kuptohet më mirë nëse shohim se vetëm gruaja mund të lindë fëmijë ndërsa burri jo, veç kësaj ajo është pajisur me aftësi fiziologjike dhe psikologjike si dhe cilësi të tjera si durimi, butësia dhe lidhja unike që i bën më të përshtatshme për t’i rritur fëmijët.

Në shoqëri burri dhe gruaja gëzojnë të drejtat e barabarta. Prandaj Kurani thotë:

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”

[Et-Taubeh 9:72]

Fjala “evlija” e përdorur në këtë ajet, tregon më së miri, të drejtat dhe detyrat e ndërsjella të grave, si dhe përgjegjësitë dhe autoritetet e përbashkëta që ndajnë meshkujt e gratë ndaj shoqërisë. Ndalimi i së keqes dhe urdhri i së mirës është orbita e veprimtarisë së saj që mbulon të gjitha aktivitetet e saj shoqërore e politike. Si shembull Kurani përmendet mbretëreshën e Shebës që sundonte në vendin e saj.[14]

2.4. E drejta e arsimit

Arsimi dhe shkollimi është i detyrueshëm për çdo mysliman apo myslimane. Para Islamit ajo kalonte një jetë injorante dhe mbizotërohej plotësisht nga mashkulli. Islami i dha të drejta të barabarta edhe në fushën e arsimimit. Në Islam dija dhe arsimimi janë tema të theksuara, bile janë pjesë përbërëse të kulturës Islame. Përveç Kuranit edhe në hadithe arsimimi dhe dituria vlerësohen së tepërmi. Faktikisht gjithë synimi i shpalljes hyjnore dhe dërgimi i profetëve te njerëzit, sipas Kuranit është komunikimi i diturisë.

Në Kuran gjenden shumë ajete që lëvdojnë njerëz të arsimuar, që inkurajojnë gjurmimin origjinal, kërkimin personal dhe denoncojnë besime të kota. I Dërguari i Allahu savs thotë: “Profetët lënë diturinë si trashëgim pas tyre dhe të diturit trashëgojnë këtë pasuri.” Në një rast tjetër tha: “Ai që merr përsipër udhëtim në kërkim të diturisë, (konsiderohet se) është në rrugë të Allahut derisa mbaron këtë udhëtim.” Prandaj dituria dhe arsimi u trajtuan si pjesë të besimit, dhe si rrjedhojë të gjitha shtresat e shoqërisë morën pjesë në këtë proces. Profeti i shenjtë s.a.s. tha: “Trajtojini me drejtësi studentët e varfër si dhe të pasur, që ulen para jush për arsim.”

Islami e thekson arsimin e femrave jo vetëm në fushën fetare por edhe në atë laike. Këtu nuk ka asnjë dallim dhe të dy inkurajohen që të arsimohen. Profeti i shenjtë s.a.s. thotë: “Kërkojeni dijen nga djepi deri në varr” (domethënë në çdo moshë). Profeti i shenjtë s.a.s. është shprehur një herë se: “Kërkimi i diturisë është detyra e çdo myslimani dhe myslimaneje”. Ai hapi të gjitha rrugët për përhapjen e dijes. Ai vetë i mësonte gratë ashtu siç mësonte meshkujt. Kishte caktuar ditë kur u bënte predikime grave. Duke ndjekur udhëzimet e Kuranit dhe të Profetit të shenjtë savs një pjesë e madhe e grave u shquan në arsimin fetar, sidomos në shkencën ehadithit apo të ligjit fetar. Gratë myslimane luajtën rol të rëndësishëm në krijimin e shumë institucioneve arsimore Islamike. Sipas dijetarit suni Ibne Asakir të shekullit XII, në botën Islame të mesjetës, gratë kishin mundësi të barabarta në fushën e arsimit. Ato mund të shkruanin, mund të vazhdonin studime të larta, mund të fitonin gradë shkencore dhe të diplomoheshin si studiuese apo mësuese.[15] Në shek. XV, El-Sahavi ia përkushtoi një vëllim të tërë studiueseve myslimane nga fjalori i tij biografik prej 12-vëllimesh “Dav al-lami”duke dhënë informacion rreth 1075 prej tyre.[16]

Siç përmendëm më sipër, nuk ka asnjë ajet në Kuran apo thënia e Profetit të shenjtë savs që ndalon kategorikisht arsimin e femrave, por fatkeqësisht shpeshherë dëgjohen zëra kundër arsimit të femrave. Shembulli më i freskët është i atyre talibanëve, të cilët menjëherë pas pushtetit të Kabulit, në shtator 1996, shpallën urdhrat, sipas të cilëve femrave u ndalohet që të ndjekin shkollat.[17] “Më 16 qershor 1998, talibanët lëshuan urdhër për të mbyllur më shumë se 100 shkolla private ku mijëra vajzat mësonin zanate dhe mjeshtëri të ndryshme, që mund t’i kishin ndihmuar për të mbështetur familjet e tyre. … Sipas ligjeve të reja arsimi për vajzat do të vazhdojë deri në moshën 8 vjeçare dhe i kufizuar vetëm te Kurani.”[18] Fatkeqësisht steriotipe të tilla, veprimet e të cilëve nuk e përkojnë aspak Islamin, gjejnë mjaft publicitet dhe reklamë nëpër gazeta apo televizione dhe kështu shkaktojnë përshtypje negative rreth Islamit.

  1. Aspekti ekonomik

Në vendet perëndimore gratë në përgjithësi dhe gratë e martuara në veçanti kishin pak apo aspak të drejtë në çështjet e trashëgimisë së pronave. Deri në shek. XVI grave u mohohej e drejta për t’i trashëguar pronat.[19]

Para Islamit, në shoqërinë arabe edhe nënat konsideroheshin pjesë e trashëgimisë dhe ndaheshin midis fëmijëve.

Encyclopedia American International përshkruan përmbledhjen e ligjeve që zbatoheshin në Anglinë e viteve 1850. Sipas tij:

“E gjithë pasuria e paluhatshme që zotëronte gruaja para martesës, kalonte në pronësinë e burrit të saj. Ai kishte të drejta të plota për të marrë qira nga pronat apo ndonjë fitim nga menaxhimi i pronësisë së saj gjatë kohës sa ishin të martuar. Pastaj si kaloi koha, Gjykata Angleze mori masat për t’ia ndaluar burrit transferimin e pronave të paluhatshme pa pëlqimin e bashkëshortes, por ai akoma gëzonte të drejtën për të menaxhuar pronat e saj dhe për të marrë paratë që prodhonin ato. Për sa i përket pasurisë personale të gruas, burri kishte fuqi absolute. Ai kishte të drejtën ta shpenzonte atë ashtu siç dëshironte.”[20]

Islami përkrah drejtësinë. Ai jo vetëm i cakton pozitën e barabartë por i krijon mundësi të njëllojta në çështje ekonomike. Feja Islame është e para që i dha të drejtën e trashëgimisë. Tani ajo duke qenë bashkëshorte trashëgonte pronat e burrit, duke qenë vajzë trashëgonte pasurinë e babait dhe duke qenë nënë trashëgonte pronat e fëmijëve. Bernard Lewis-i shkruan:

“Islami vendos një barazi në aspektin shoqëror midis burrit dhe gruas, gratë myslimane kanë pasur historikisht të drejtat e pronësisë, diçka që ka qenë e pashembullt në perëndimin modern relativisht deri në kohët e fundit.”[21]

Kurani jep udhëzimet rreth trashëgimisë në këtë mënyrë:

“Meshkujve u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por, edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit qoftë ajo pak apo shumë, si pjesë e caktuar dhe e detyruar.”

[En-Nisa 4:8]

“Në qoftë se nuk keni fëmijë, atyre (grave) u takon një e katërta e pasurisë që keni lënë e, nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që keni lënë, pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi.”

[En-Nisa 4:13]

“…e për çdonjërin prind të të vdekurit – u përket një e gjashta nga pasuria e trashëguar, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë…”

[En-Nisa 4:12]

Prof. Almaric Rumsey (1825-1899), që punoi në King’s College, University of London, shkroi në një ndër librat e tij për çështjet ligjore:

“Ligji islamik rreth trashëgimisë, padyshim përbëhet nga një sistem rregullash që mbetet sistemi më i detajuar dhe më i përparuar për ndarjen e pronave që ka njohur bota e qytetëruar.”[22]

Zakonisht mendohet se Islami diskriminon femrën në ndarjen e trashëgimisë duke i dhënë gjysmën e asaj që ai përcakton për mashkull, por ky është gabim i perceptimit sepse ajo ka pjesë edhe në trashëgiminë e burrit, si dhe mashkullit i ngarkohet përgjegjësia financiare. Veç kësaj kur ajo martohet, burri i saj i jep meher (prikë) ndërsa ajo nuk detyrohet të paguajë një gjë të tillë. Nëse ata ndahen, atëherë Islami si mbrojtësi i saj, nuk e lejon burrin që të kërkojë diçka prej saj që ai i kishte dhënë. Kështu që Islami jo vetëm mbron të drejtën e saj, por edhe e ruan nga abuzimet e mundshme.

Islami e lejon femrën të punojë nëse e detyron gjendja ekonomike duke respektuar rregullat dhe udhëzimet të parashtruara nga feja, por është burri ai që është përgjegjës për të siguruar nevojat e shtëpisë. Megjithatë ajo duhet të dijë se detyra e saj parësore është rritja dhe edukimi i fëmijëve. Kurani gjithashtu siguron shpërblime të barabarta për punët e tyre:

“Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me qëllim të plotë, në mënyrë që çdo njeri të shpërblehet për atë që ka punuar. E, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.”

[El-Xhathije 45:23]

Pavarësisht se Islami i jep femrës pozitën e barabartë me mashkullin por në disa ajete theksohet një farë epërsi për mashkull, siç thuhet:

“Gratë kanë aq të drejta (ndaj burrave) sa kanë ata (ndaj tyre), sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”

[El-Bekareh 2:229]

“Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.”

[En-Nisa 4:35]

Hazret Mirza Tahir Ahmadira, Kalifi i Katërt i Mesihut të Premtuar, shpjegon këto ajete:

“Nga fjala arabe kauvvamun (kujdestarët, përgjegjësit për të orientuar ata që janë nën kujdesin e tij në rrugë të drejtë), disa ulema (dijetarë fetar) me botëkuptimin mesjetar, nxjerrin përfundimin dhe pohojnë epërsinë e meshkujve mbi femrat, ndërkohë ajeti i referohet vetëm asaj epërsie që gëzon zoti i shtëpisë mbi ata që varen prej tij. Kështu që, kujdestari është më kompetent që të ushtrojë presionin moral mbi ata që varen prej tij, që ata gjithmonë të rrugëtojnë në kah të drejtë. Për sa i përket të drejtave të saj elementare si qenie njerëzore, ky ajet në asnjë mënyrë nuk thotë se gratë nuk janë të barabarta me burrat apo meshkujt kanë një farë epërsie mbi to. Pjesa e fundit e ajetit i referohet kësaj epërsie të lartpërmendur dhe e bën më të qartë që pavarësisht nga ky avantazh, të drejtat themelore të grave janë pikërisht të barabarta me ato të burrave.”[23]

Kështu që epërsia e burrit është faktikisht përgjegjësia e tij ndaj familjes, që i obligohet jo vetëm për çështjet financiare por edhe për ato morale.

Nëse shikojmë historinë e përpjekjeve apo lëvizjeve për të drejtat e grave do të gjejmë se gjatë viteve 1800 në Amerikë dhe në Angli kishin filluar të sfidonin ligjet që u merrte të drejtat mbi pasuritë e tyre nëse martoheshin. Në fillim të viteve 1840, legjislaturat në SHBA[24] dhe në parlamentin e Anglisë[25] paraqitën statutet që mbronin pronat e grave nga bashkëshortët e tyre apo nga huadhënësit e tyre. Këto ligje njihen në histori si Married Women’s Property Act (Ligji i pronës së gruas së martuar).[26] Që në shekujt e parë Islami kishte vendosur këto ligje që gruas qoftë në rolin e vajzës, bashkëshortes apo të nënës, të mos i mohohet trashëgimia e saj.

  1. Aspekti ligjor

Sipas Kuranit kur në ndonjë çështje gjyqësore ka nevojë për dëshmi atëherë “Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra nga ata që i quani të përshtatshëm”. Tani nuk duhet kuptuar se dallimi midis burrit dhe gruas nuk nënvlerëson aftësinë e saj fizike apo mendore, sepse këtu udhëzimi i referohet faktit që gratë zakonisht nuk janë të mësuara me procedurat tregtare ku hollësira të specifikuara duhen shpjeguar sipas aspekteve ligjore, atëherë ka më pak rrezik që burrat do të gabojnë, Prandaj sipas Kuranit krahas një burri duhen dy gra sepse “nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra.” [El-Bekrrah 2:283] Kështu që del qartë se ky urdhër mbron dinjitetin e saj dhe mbron atë nga gabimet e mundshme. Kurani qartëson këtë pikë duke shtuar që “kjo mënyrë është më e drejtë para Allahut, më e saktë për dëshmi dhe më e përshtatshme për të mos dyshuar.” [El-Bekrrah 2:283]

Martesa 

Sipas Islamit, qëllimi kryesor i martesës është që të fitohet pëlqimi i Zotit.  Martesa synon vazhdimësinë e jetës, mbrojtjen e dëlirësisë morale e jetën familjare bazuar mbi dashuri dhe kënaqësi. Islami e konsideron martesën si një akt ligjor që synon vijimësinë e jetës. Një nga thëniet e Profetit të shenjtë s.a.s. thotë: “Martesa është praktika ime dhe ai që i shmanget praktikës sime nuk është prej nesh.” Në një rast tjetër tha: “Cilido prej jush që ka mundësi për t’u martuar, duhet të martohet sepse ajo është mënyra më e mirë për mbrojtjen e moralit dhe frenimin e syve.”[27] Kështu që ajo është mënyra për të mbrojtur moralet nga sulmet e djallit dhe për të siguruar një jetë të qetë familjare. Sipas Islamit, baza e kësaj marrëdhënie reciproke duhet të jetë mirësia.

“Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.”

[En-Nisa 4:20]

Karakteri i kësaj marrëdhënieje mund të kuptohet më mirë nga thënia e të Dërguarit savs:

“Kur i afroheni njeri-tjetrit, bëni këtë lutje: O Allah, mbrona kundër shejtanit, dhe mbaje shejtanin larg prej asaj që do na dhurosh Ti.”

Por meqenëse martesa është një marrëdhënie e përjetshme që kryhet me miratimin e të dyja palëve, prandaj nëse ata nuk mund të vazhdojnë këtë marrëdhënie atëherë Islami u jep leje për t’u ndarë. I Dërguari i Allahuts.a.s. ka cilësuar ndarjen se “leje më e papëlqyer”. Islami u jep këshilla të vazhdueshme për të ruajtur këtë lidhje por nëse mosmarrëveshja është e tillë që ata vetë nuk mund të pajtohen, atëherë sipas Kuranit duhet caktuar një këshill i përbashkët nga secili prej tyre, për t’i pajtuar ata.

“Nëse i druheni konfliktit midis burrit e gruas, atëherë caktoni një ndërmjetës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas. Në qoftë se ata dëshirojnë pajtim, Allahu sjell marrëveshje midis tyre. Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i di të gjitha qëllimet.”

[En-Nisa 4:36]

Sipas Kuranit nëse dështojnë të gjitha përpjekjet për pajtim midis çiftit atëherë divorci mbetet e vetmja rrugë qetësie. Islam i jep secilit të drejtën për të kërkuar divorcin. Ndërkohë në rast se divorcin e kërkon gruaja atëherë veprimi bëhet me anë të gjykatës që të mos cenohen të drejtat e saj. Nëse burri nuk pranon t’i japë divorcin atëherë gruaja ka të drejtë të kërkojë divorc duke kthyer mehrr-in (prikën) dhe përfitime të tjera financiare që kishte marrë nga burri. Për vendimin e kërkesës së saj, i mjafton kadiut (gjykatësit) që të bindet se gruaja kërkon divorcin në mënyrë të pavarur. Ligji nuk i kërkon të shprehë ndonjë arsye apo dëshmi për këtë. Janë raste kur gratë i kanë kërkuar Profetit të shenjtë savs shkurorëzim nga burrat e tyre vetëm duke thënë se nuk i pëlqenin.[28]

“O Profet (dhe besimtarë)! Nëse i ndani gratë, ndajini ato sipas kohës së tyre të pritjes dhe llogaritni kohën e tyre të pritjes dhe frikësojuni Allahut,”

[Et-Telak 65:2]

Duke sqaruar kohën e pritje Allahu thotë:

“Gratë e ndara duhet të presin tri cikle mujore.”

[El-Bekrrah 2:229]

Domethënë gjithë afati i pritjes zgjatet tri cikle mujore. Ky afat shërben për të mundësuar burrin që të mendojë thellësisht rreth këtij vendimi. Nëse pas ciklit të parë ata pajtohen atëherë lejohet kurorëzimi. Nëse pas pak kohe ata shkurorëzohen për së dyti, atëherë përsëri ata ose mund të pajtohen dhe vazhdojnë jetën martesore ose të presin për ciklin e fundit mujor, pas të cilit ata nuk mund të kurorëzohen më. Kurani e sqaron këtë me këto fjalë:

“Ndarja mund të bëhet dy herë. Më pas, gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të ikë me të mirë.”

[El-Bekrrah 2:230]

“Më pas, nëse burri e ndan sërish gruan (për të tretën herë), nuk mund të martohet më me të, pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Por, në qoftë se ai ( burri i dytë) i jep divorc asaj, atëherë nuk është gjynah nëse ajo dhe burri i parë të martohen sërish me njëri-tjetrin, nëse mendojnë se do t’i respektojnë kufijtë e Allahut; këto janë urdhrat e Allahut, që Ai ua shpjegon njerëzve që kuptojnë.”

[El-Bekrrah 2:231]

Nuk mund të bëhet martesa tjetër derisa nuk përfundon koha e pritjes:

“Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes.”

[El-Bekrrah 2:236]

Sipas Kuranit nëse divorcin e kërkon burri atëherë ai vetë do të përballojë të gjitha shpenzimet e gruas gjatë kohës së pritjes. Ajo duhet të qëndrojë në shtëpinë e tij gjatë kësaj periudhe por burrit kurrsesi nuk i lejohet ta keqtrajtojë atë.

“Gratë e ndara në periudhën e pritjes, le të banojnë aty ku banoni edhe ju, sipas mundësive tuaja dhe mos u bini në qafë për t’i detyruar (të largohen).”

[Et-Telak 65:7]

“Nëse janë shtatzëna, shpenzoni për ato deri sa të lindin. Nëse fëmija ushqehet me gjirin e nënës, paguajuni atyre shpërblimin dhe merruni vesh me të mirë. Por, nëse keni vështirësi të merreni vesh, atëherë le ta ushqejë me gji një (mëndeshë) tjetër.”

[El-Bekrrah 2:234]

Pas këtij episodi të trishtuar Islami e inkurajon gruan e ndarë që të martohet dhe të formojë jetë martesore me dikë tjetër pasi kjo është mënyra më e ndershme dhe e virtytshme. Allahu thotë:

“Kur t’i ndani gratë dhe ato të kenë plotësuar kohën e pritjes, mos i pengoni ato që të martohen me burrat e tyre, nëse merren vesh me të mirë. Kështu këshillohet çdokush prej jush që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo është më e ndershme dhe më e virtytshme. Allahu di, kurse ju nuk dini.”

[El-Bekrrah 2:233]

Vejushat 

Njësia bazë e shoqërisë është familja, prandaj Islami inkurajon jetën martesore. Për të eliminuar plotësisht fenomene të  rrezikshme dhe prirje të dëmshme për shoqëri, ai thekson jetën normale martesore, dhe për të arritur këtë qëllim ai e lejon rimartesën. Sipas tij nëse një pjesë e shoqërisë mbetet papërkrahje dhe mbështetje morale dhe ekonomike, ajo detyrohet të përfshihet në punë të zeza. Fatkeqësisht një pjesë e të vejave, për të siguruar mbijetesën përfundojnë në prostitucion. Islami merr masat parandaluese kundër gjithë këtyre dukurive. Prandaj Allahu thotë:

“Gratë të cilave iu vdes burri, duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë (pas vdekjes së tij). Pas kalimit të këtij afati, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë ato me jetën e tyre sipas rregullave. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.”

[El-Bekrrah 2:235]

Asnjë mashkull nga familja e ish-burrit nuk mund ta detyrojë të venë të rimartohet apo t’i rrëmbehet trashëgimia e saj.

“O besimtarë! – nuk ju lejohet të bëheni përdhunisht trashëgimtarë të grave dhe mos i pengoni ato me qëllim që t’ua merrni një pjesë nga dhuratat që ua keni dhënë, përveç nëse bëjnë gabime sheshazi.”

[En-Nisa 4:20]

Sipas William Montegomery Watt, profesori i studimeve Islamike, Islami përmirësoi statusin e gruas duke “themeluar të drejtat e pronësisë, trashëgimisë, arsimit dhe të divorcit.”[29]

Përfundim

E vërteta është që Islami cakton detyrat e mashkullit dhe femrës në përputhje me natyrën e aftësinë e tyre. Nëse këta dy u përmbahen detyrave të tyre si dhe të drejtave të njeri-tjetrit, atëherë sigurisht ambienti i familjes do të mbushet me dashuri, paqe dhe harmoni dhe nga këto mjedise do të themelohet baza e shoqërisë së re, të shoqërisë hyjnore-të parajsës. Pikërisht ky është qëllimi i jetës së individit, të kontribuojë në krijimin e asaj shoqërie në tokë derisa të marrë këtë lajm të gëzuar prej Zotit të Gjithëmëshirshëm.

“O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” [El-Fexhrr 89:28-31]


Young Muslim Women Enjoying the afternoon at Trafalgar Square, Image Courtesy Garry Knight, Under Creative Commons.


 

[1]  Islamofobia është një term i ri që i përgjigjet armiqësisë dhe diskriminimit ndaj fesë Islame apo myslimanëve. Shih Sandra Fredman, Discrimination and Human Rights, Oxford Uni 3 In Mace, David and Vera, marriage East and west. Dolphin Books, Doubleday and Co., Inc., N.Y., 1960

[2] Laws of Manu IX, 3

[3] Laws of Manu V, 147

[4] Laws of Manu V, 155

[5] Leonard J. Swidler, Women in Judaism: the Status of Women in Formative Judaism (Metuchen, N.J: Scarecrow Press, 1976) f. 115

[6] Për të parë të gjitha citimet e shenjtorëve të mëdhenj, shih Karen Armstrong, The Gospel According to Woman (London: Elm Tree Books, 1986) f. 52-62. Shih edhe Nancy van Vuuren, The Subversion of Women as Practiced by Churches, Witch-Hunters, and Other Sexists (Philadelphia: Westminister Press) f. 28-30.

[7] Allen E.A., History of Civilisation, vëll. 3, f. 444

[8] Si më lart

[9] Encyclopedia American International, vëll 29, f. 108

[10] Ecclesiasticus 22:3

[11] Ecclesiasticus 42:11

[12] Ibni Hanbal nr. i hadithit 1957

[13] “Kushdo që mallkon të atin ose të ëmën, do të dënohet me vdeke” [Levitiku 20:9] ”Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.”         [Fjalët e urta 15:20]

[14] En-Neml 27:24

[15] Lindsay, James E. (2005), Daily Life in the Medieval Islamic World, Greenwood Publishing Group, pp. 196 & 198, ISBN 0313322708

[16] Guity Nashat, Lois Beck (2003), Women in Iran from the Rise of Islam to 1800, University of Illinois Press, p. 69, ISBN 0252071212

[17] Physicians for Human Rights, The Taliban’s war on Women, f. 39, ISBN 1-879707-25-X

[18] 100 Girls’ Schools in Afghan Capital Are Ordered Shut, The New York Times, June 17, 1998. (Associated Press, June 16, 1998.)

[19] Atkinson, Thomas,  Handbook of the law of wills and other principles of succession including intestacy and administration of decedents’ estates, botimi II, 1953

[20] Encyclopedia American international (edition), Vol. 29, p. 108.

[21] Lewis, What Went Wrong? 2002, pages 82-83

[22] Rumsey, A. Moohummudan Law of Inheritance. (1880), lamic inheritance jurisprudence. (2009, July 12). In Wikipedia, The Free  Encyclopedia. Retrieved 05:39, July 12, 2009, from http://en.wikipedia.org/w/index.php?title=Islamic_inheritance_jurisprudence&oldid=301649307

[23] Hazret Mirza Tahir Ahmad, Islam’s Response to Contemporary Issues, Islam International Publications Ltd.,Surrey, Angli, 2007, f. 94, ISBN-1-85372-888-8

[24] http://womenshistory.about.com/od/marriedwomensproperty/a/property_1848ny.htm

[25] http://www.umd.umich.edu/casl/hum/eng/classes/434/geweb/PROPERTY.htm

[26] http://www.britannica.com/EBchecked/topic/366305/Married-Womens-Property-Acts

[27] Ebu Daud, kitabun Nikah, Baabut-Tahrriid elen-Nikaah

[28] Buhariu, Kitabut-Talaak, babul Khula’

[29] Maan, Bashir and Alastair McIntosh. “’The whole house of Islam, and we Christians with them…’: An interview with ‘the Last Orientalist’ – the Rev Prof William Montgomery Watt.” Internet version from www.alastairmcintosh.com. Also published in The Coracle, the Iona Community, summer 2000, issue 3:51, pp. 8-11.

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp