Adhurimi i Allahut dhe dashuria për Allahun shkojnë së bashku
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Adhurimi i Allahut dhe dashuria për Allahun shkojnë së bashku

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Profeti Muhammed s.a.v.s. si shembull i përsosur

Ashtu siç na ka thënë Allahu, se Profeti Muhammed s.a.v.s. është për ne shembull i përsosur dhe në çdo çështje është shembull i përsosur. Në hytbet e kaluara, në këtë kuadër, kam folur për dashurinë e tij ndaj Allahut. Gjatë përmendjes së dashurisë ndaj Allahut, kam folur edhe për standardin e lartë të ibadetit, të adhurimit për Allahun. Mendoja se pas dashurisë ndaj Allahut, temën e radhës do ta zgjedh adhurimin e tij për Allahun, por kur filloi përmendja e dashurisë ndaj Allahut, aty u përfshinë edhe shumë ngjarje të adhurimit. Megjithë dëshirën, nuk munda t’i ndaj dot këto dy tema, sepse të dyja janë të pandashme. Adhurimi nuk bëhet pa dashurinë ndaj Allahut dhe dashuria ndaj Allahut nuk ekziston pa adhurimin. Nëse nuk ka dashuri ndaj Allahut, atëherë adhurim i vërtetë nuk mund të ketë.

Qëllimi përfundimtar: dashuria e Allahut

Sidoqoftë, në këtë kuadër, ajo që do të shtoj sot, edhe pse e kam marrë në lidhje me adhurimin, përfundimi i saj, ashtu siç e kam përmendur edhe në hytben e kaluar, shkon dhe përfundon tek dashuria ndaj Allahut. Allahu e ka përshkruar këtë standard dashurie të tij në Kuranin e Shenjtë, shpjegimin e të cilit e kam bërë në hytbet e kaluara, duke iu referuar një ajeti ku Allahu thotë:

قُلْ اِنَّ صَلَاتِيْ وَنُسُكِيْ وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِيْ لِلّٰهِ رَبِّ الْعَالَمِيْنَ

“Thuaju: Sigurisht, namazi im, sakrificat e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botëve.” (Kurani i Shenjtë 6:163)

Siç thashë, shpjegimi i këtij ajeti është bërë tashmë në hytbet e kaluara, prandaj nuk ka nevojë ta përsëris.

Pastaj Allahu i tha atij që të shpallë: فَاتَّبِعُونِيْ يُحْبِبْكُمُ اللّٰهُ, (më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë ju) dhe në këtë mënyrë na udhëzoi edhe neve që t’i arrijmë këto standarde. Allahu i thotë

– Thuaju njerëzve ‘nëse më ndiqni, Allahu do t’ju dojë ju dhe ju do ta fitoni dashurinë e Allahut’.

Pra, duke i thënë atij që ta shpallë këtë, Allahu na ka udhëzuar edhe neve që t’i arrijmë këto standarde, që të bëjmë përpjekje të vërtetë për t’i arritur.

Qëllimi i krijimit: adhurimi

Sa i përket adhurimit, Allahu në Kuranin e Shenjtë, përmes tij, na ka dhënë urdhra të panumërt. Në një vend thotë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْاِنْسَ اِلَّا لِيَعْبُدُوْنِ

“Unë i kam krijuar xhindët dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë.” (Kurani i Shenjtë 51:57)

Pra, në këtë mënyrë, Profeti s.a.v.s. na e bëri të qartë se nëse doni të më ndiqni, atëherë dëgjoni se ashtu siç unë e kam kuptuar qëllimin e krijimit të njeriut, edhe ju përpiquni ta kuptoni atë dhe ta përmbushni të drejtën e tij. Vetëm atëherë do ta arrini qëllimin e krijimit tuaj dhe vetëm atëherë do ta fitoni dashurinë e Allahut.

Pastaj Allahu, duke tërhequr vëmendjen drejt adhurimit, në një vend thotë:

يَا اَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوْا رَبَّكُمُ الَّذِيْ خَلَقَكُمْ وَالَّذِيْنَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُوْنَ

“O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj që ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush, në mënyrë që të keni druajtje.” (Kurani i Shenjtë 2:22)

Pra, për ta fituar afërsinë e Allahut dhe për të arritur druajtjen, është e domosdoshme të adhurojmë Allahun dhe të ngrejmë standardin tonë të dashurimit ndaj Tij.

Urdhri për përulësi dhe vepra të mira

Pastaj Allahu thotë:

يَا اَيُّهَا الَّذِيْنَ اٰمَنُوا ارْكَعُوْا وَاسْجُدُوْا وَاعْبُدُوْا رَبَّكُمْ وَافْعَلُوا الْخَيْرَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُوْنَ

“O ju që besuat! Përkuluni, bëni sexhde, adhuroni Zotin tuaj dhe bëni mirësi, që të keni sukses.” (Kurani i Shenjtë 22:78)

Pra, kur Profeti s.a.v.s. na i dha këto urdhra, ai e tregoi kulmin e tyre edhe me veprën e tij dhe pastaj na tërhoqi vëmendjen se bindja dhe ndjekja e vërtetë do të plotësohen vetëm atëherë kur të përpiqeni ta sillni veten në këtë standard.

Lutjet që ai bëri për umetin e tij, do të na përfshijnë dhe do të jenë të dobishme për ne vetëm atëherë kur, duke pasur gjithmonë parasysh shembullin dhe urdhrat e tij, do të përpiqemi t’i zbatojmë ato. Vetëm me shfaqje dhe me fjalë nuk mund të fitojmë dot asgjë. Sidoqoftë, këta shembuj që ai vendosi, shumë prej tyre i kam paraqitur tashmë, ndërsa disa të tjerë po i paraqes.

Përqendrimi i plotë në adhurim

Ai nuk linte të ikte asnjë rast për ibadetin e Allahut, madje edhe gjatë gjumit bënte ibadet, ashtu siç ka thënë vetë:

Syri im flen, por zemra ime nuk është e pakujdesshme nga përkujtimi dhe adhurimi i Allahut.

Ai i këshilloi edhe pasuesit e tij që standardi i tyre duhet të jetë që Allahu të jetë gjithmonë para syve të tyre.

Në çështjen e adhurimit të tij, ai bënte një vetëllogaritje me aq hollësi, sa që për këtë në një transmetim thuhet se Hazret Aishja r.a. rrëfen:

Profeti s.a.v.s. u fal mbi një çarçaf që kishte zbukurime. Ai u hodhi një shikim zbukurimeve dhe, kur përfundoi, tha:

Çojeni këtë çarçaf te Ebu Xhehmi dhe sillmani një çarçaf të thjeshtë të Ebu Xhehmit, sepse ky çarçaf më largoi vëmendjen nga namazi.

Pra, për veten e tij ai nuk lejoi qoftë edhe një shikim të lehtë mbi diçka tjetër, që vëmendja e tij të mos largohej nga Allahu.

Hazret Aishja r.a. tregoi se Profeti s.a.v.s. tha:

Unë i shikoja zbukurimet e tij ndërsa isha në namaz dhe u frikësova se mos më fuste në sprovë.

Në shpjegimin e kësaj, Sejid Zejnulabidin Velijullah Shah sahib ka shkruar:

Tema e këtij kapitulli është që rrobat të jenë të thjeshta dhe të mos kenë shkëlqime që ta largojnë vëmendjen. Me zhvillimin mendor, njeriu natyrshëm anon nga thjeshtësia.

Ai shkruan:

Edhe sot shohim se njerëzit me shije të hollë, në përzgjedhjen e rrobave, u japin përparësi ngjyrave të thjeshta.

Por sot ka edhe të tillë që vazhdimisht shikojnë rrobat e tyre dhe janë të përqendruar në rregullimin e hekurosjes së tyre. Ndërsa në namaz, e gjithë vëmendja duhet të jetë aty, e jo te ndonjë rrobë. Pastaj ai shkruan:

Në namaz kërkohet përqendrim i plotë, domethënë namazi mund të jetë namaz i vërtetë vetëm atëherë kur njeriu zhytet plotësisht në të dhe e fal namazin me përqendrim të plotë. Për këtë arsye, shenjat e Islamit e kanë konsideruar të papëlqyeshme praninë e çdo gjëje në mjedisin e atij që falet, e cila mund t’ia tërheqë vëmendjen.

Ndalesa nga gjërat që shpërqendrojnë në namaz

Nga kjo kuptohet se me çfarë përqendrimi Profeti s.a.v.s. dëshironte ai ta adhuronte Allahun, saqë as një shikim i lehtë të mos binte mbi ndonjë gjë që ta largonte vëmendjen nga Allahu. Për këtë çështje, në hadithe të ndryshme është përmendur se nuk duhet të ketë figura, nuk duhet të ketë rroba me figura përballë dhe nuk duhet të ketë perde me figura përballë, sepse të gjitha këto gjëra mund të bëhen shkak për largimin e vëmendjes nga namazi. Prandaj janë ndaluar. Gjatë namazit, përpara nuk duhet të ketë perde apo figura të tilla që, duke u drejtuar nga ato, të largohet vëmendja. Nuk duhet të jenë përballë kibles gjëra të tilla.

Thjeshtësia e jetesës së Profetit s.a.v.s.

Në të njëjtën mënyrë, vjen një rrëfim tjetër që na tregon standardin e ibadetit të Profetit a.s.. Hazret Xhafer bin Muhammed transmeton nga babai i tij se Hazret Aishja r.a. u pyet se si ishte shtrati i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në shtëpinë e saj. Ajo tha se ishte prej lëkure dhe ishte i mbushur me fije hurme.

Hazret Hafsa r.a. u pyet se si ishte shtrati i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në shtëpinë e saj. Ajo tha se ishte prej leshi, domethënë i bërë nga qimet e buta të kafshës. Unë i vendosja dy shtresa, ai bëhej pak më i butë dhe Profeti s.a.v.s. flinte mbi të. Një natë mendova pse të mos i vendos katër shtresa që të bëhet edhe më i butë dhe më i rehatshëm, që të jetë më i përshtatshëm për të. Kështu, i vendosëm katër shtresa.

Në mëngjes, Profeti s.a.v.s. tha: Çfarë më keni shtruar mbrëmë?

Hazret Hafsa thotë: I thashë: Ishte shtrati yt, vetëm se i vendosëm katër shtresa që të bëhej më i rehatshëm për ty. Profeti s.a.v.s. tha:

Lëreni ashtu siç ishte më parë, sepse butësia e tij po më bëhej pengesë për namazin e natës.

Kulmi në ibadet

Edhe pse butësia e shtratit nuk mund të bëhej pengesë në adhurimin e tij, megjithatë, as ky mendim nuk i pëlqeu atij që, për shkak se shtrati është i butë, të shtrihej pak më shumë dhe të mos ngrihej për adhurimin e Allahut, dhe që ai të shihte në të një lloj rehatie. Ky ishte standardi i tij i ibadetit, që është një standard shumë i lartë.

Gjendjen e adhurimit të tij, nëna e besimtarëve Hazret Sevda r.a. e ka përshkruar diku. Ajo thotë:

Një herë u fala pas Profetit s.a.v.s. dhe ai bëri rukū aq gjatë, saqë unë e mbajta hundën time.

Domethënë rukūja ishte aq e gjatë sa ajo u frikësoua se mos i fillonte gjakderdhja nga hunda.

Sidoqoftë, kjo gjendje është e mundur vetëm atëherë kur ka një dashuri të tillë, që zemra e njeriut nuk bëhet për t’u larguar nga pragu i të Dashurit. Në cilindo vend që të shkojë dhe në çfarëdo gjendjeje që të jetë, njeriu i tillë është plotësisht me të Dashurin absolut.

Po ashtu, lidhur me standardin e adhurimit, ka edhe një transmetim tjetër. Mutarrif transmeton nga babai i tij, i cili ka thënë: Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke u falur në një gjendje të tillë që, për shkak të të qarit, nga kraharori i tij dëgjohej një zhurmë si zhurma e gurit të mullirit kur sillet.

Domethënë ashtu siç punon mulliri apo grirëseja, po ashtu dëgjohej zhurmë. Në një vend tjetër është dhënë edhe shembulli i tenxheres që zien.

E drejta e Allahut dhe e drejta e robërve

Pastaj, në një transmetim tjetër thuhet se Hazret Muadh bin Xhebel r.a. tregon:

Unë isha ulur mbi kafshë pas Profetit Muhammed s.a.v.s., dhe ndërmjet meje dhe tij ishte pjesa e pasme e shalës.

Ai tha: O Muadh bin Xhebel.

Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut, iu përgjigja unë, jam i lumtur që jam me ty.

Pastaj ai vazhdoi të ecë pak dhe përsëri tha: O Muadh bin Xhebel. Unë përsëri thashë: Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut, dhe jam i lumtur që jam me ty. Pastaj ai eci edhe pak dhe përsëri tha: O Muadh bin Xhebel. Unë thashë: Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut, jam i lumtur që jam me ty.

Profeti më pyeti: A e di se cila është e drejta e Allahut mbi robërit? Unë thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Atëherë ai tha: E drejta e Allahut mbi robërit është që ata ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë Atij asnjë shok. Pastaj ai eci pak dhe përsëri tha: O Muadh bin Xhebel. Unë thashë: Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut, jam i lumtur që jam me ty.

Ai tha: A e di se cila është e drejta e robërve mbi Allahun, kur ata janë adhurues të Tij?

Më parë ishte e drejta e Allahut, tani cila është e drejta e robërve,

Unë thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.

Atëherë ai tha: E drejta e tyre është që Ai të mos i dënojë ata,

Pra, që Allahu të mos i dënojë robërit.

Standarde që jo thjesht u thanë, por u jetuan

Pra, Profeti Muhammed s.a.v.s. jo vetëm që i vendosi standardet e tij, por edhe këshilloi që këto standarde të arrihen, se nëse edhe ju veproni në këtë mënyrë, do ta fitoni dashurinë e Allahut dhe do të shpëtoni edhe nga ndëshkimi i Allahut.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s., duke e lavdëruar Profetin Muhammed s.a.v.s., në një vend thotë:

Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte i dërguar për përhapjen e Kuranit të Shenjtë, po ashtu ishte i dërguar edhe për vendosjen e Sunetit. Pra, ashtu siç Kurani i Shenjtë është i sigurt, po ashtu edhe Suneti praktik i transmetuar në mënyrë të vazhdueshme është i sigurt, domethënë ai Sunet që lidhet me Profetin s.a.v.s., që vërtetohet nga veprimi i tij dhe që transmetuesit e përcjellin vazhdimisht këtë çështje, duke formuar një zinxhir transmetimesh.

Këto dy shërbime Profeti Muhammed s.a.v.s. i përmbushi me dorën e tij dhe i konsideroi të dyja si detyrë të tij. Kur u dha urdhri për namazin, Profeti Muhammed s.a.v.s. e shpjegoi me veprën e tij fjalën e Allahut dhe e shfaqi atë në formë praktike, se këto janë rekatet e namazit të sabahut, këto të akshamit, dhe për namazet e tjera këto e këto rekate.

Po ashtu e tregoi edhe haxhin, dhe pastaj, me dorën e tij, i bëri mijëra sahabë të përkushtuar ndaj këtij veprimi dhe e vendosi fuqishëm vazhdimësinë e praktikës. Ai vetë e tregoi dhe pastaj i bëri ata të qëndrojnë në këtë praktikë.

Pra, shembulli praktik që edhe sot e kësaj dite shihet dhe ndjehet në ummet në formën e praktikës së vazhdueshme, quhet Sunet. Ai shkruan se hadithi nuk u shkrua përpara Profetit s.a.v.s. dhe nuk u bë ndonjë përpjekje e veçantë për mbledhjen e tij.

Dallimi ndërmjet Sunetit dhe Hadithit

Pra, në këtë mënyrë, ai po bënte krahasimin ndërmjet Sunetit dhe hadithit, se cili është dallimi mes tyre. Ai tha se Suneti vjen i pari dhe vendi i hadithit vjen më pas. Çdo hadith që nuk bie ndesh me Kuranin e Shenjtë dhe me Sunetin e Profetit s.a.v.s., ai hadith është i saktë.

Pra, aty ku ai po përmend standardet e adhurimit të Profetit Muhammed s.a.v.s., po ashtu ka theksuar edhe se ai i tregoi të gjitha këto me vepra dhe i këshilloi ndjekësit e tij që t’i zbatojnë, madje i bëri edhe t’i zbatojnë ato.

Pra, ky është ai Sunet që ka arritur deri te ne sot. Shembujt e sahabëve që kanë arritur deri te ne, kanë arritur për shkak të edukimit të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ai i edukoi sahabët në një mënyrë të tillë që standardet e adhurimit të tyre vazhdimisht u ngritën gjithnjë e më lart dhe po ashtu u ngrit edhe standardi i dashurisë së tyre ndaj Allahut. Ky është ai shembull që Profeti Muhammed s.a.v.s. e vendosi, që sahabët e tij e përvetësuan, dhe për ne gjithashtu ky është i njëjti urdhër.

Këshillat për namazin e tehexhudit

Ai ka dhënë shumë këshilla për namazin e tehexhudit dhe ka thënë se tehexhudi duhet falur. Hazret Musleh Maudi r.a., në shpjegimin e kësaj, në një vend ka shkruar:

Profeti Muhammed s.a.v.s. kujdesej kaq shumë për këto namaze nafile, saqë, pavarësisht se ishin nafile, ai dilte natën për të parë se cili nga sahabët i falte këto namaze. Ai ecte nëpër rrugicat e Medinës, sepse kuptohej se ku dëgjoheshin zërat e namazit, se kush ishte zgjuar për tehexhud dhe kush jo. Domethënë, ai bënte edhe këtë vlerësim, se kush po e falte tehexhud-in dhe kush jo.

Sot, nëse dikë e pyesim për namazet, ose edhe vetëm t’i thuash se namazet duhet falur në xhami, se në sa namaze vjen në xhami, atëherë fillon të të kundërshtojë duke thënë se kjo është çështje personale; kush jeni ju që na pyesni; ose se çfarë nevoje ka xhemati të pyesë për këtë; kjo është çështje mes nesh dhe Allahut.; etj.. Ndërsa Profeti Muhammed s.a.v.s. vetë bënte vlerësim edhe për namazin e tehexhudit.

“Njeri shumë i mirë… po të falë tehexhud”

Një herë, në mexhlisin e tij, u përmend Hazret Abdullah bin Umer r.a., se ai është shumë i mirë dhe ka këto e këto cilësi. Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:

Po, është njeri shumë i mirë, me kusht që ta falë tehexhudin.

Abdullah bin Umeri ishte i ri dhe përtonte pak në tehexhud, prandaj Profeti s.a.v.s. ia tërhoqi vëmendjen në këtë mënyrë.

Një pikë ujë për t’u zgjuar për Allahun

Pastaj Profeti Muhammed s.a.v.s. tha se Allahu e mëshiroftë atë burrë dhe atë grua që, kur burri zgjohet natën, ngrihet dhe fal tehexhud dhe e zgjon edhe gruan që të ngrihet dhe të falë tehexhud, dhe nëse ajo nuk zgjohet, i hedh pak ujë në fytyrë për ta zgjuar. Po ashtu, nëse gruaja zgjohet natën, ajo ngrihet dhe fal tehexhud dhe e zgjon burrin, dhe nëse ai nuk zgjohet, i hedh pak ujë në fytyrë.

Shihni, nga njëra anë, Profeti Muhammed s.a.v.s. e ka konsideruar jashtëzakonisht të domosdoshëm respektin e gruas ndaj burrit, dhe nga ana tjetër, për ta zgjuar për tehexhud, nëse duhet edhe t’i hidhë pak ujë, e ka lejuar këtë. Kjo tregon se sa të rëndësishëm e konsideronte Profeti Muhammed s.a.v.s. namazin e tehexhudit.

Zgjimi i natës për tehexhud ta rregullon shpirtin

Pastaj Kurani i Shenjtë thotë se namazi i natës ia drejton nefsin (shpirtin) njeriut. Pikërisht për këtë arsye, Profeti Muhammed s.a.v.s. u thoshte sahabëve që duhet të falni namazin e tehexhudit, qoftë edhe dy rekate. Pastaj, nga hadithet vërtetohet gjithashtu se në pjesën e fundit të natës Allahu i Lartësuar afrohet dhe pranon shumë lutje. Prandaj falja e tehexhudit, pra e namazit të natës, është shumë e rëndësishme dhe shumë e dobishme.

As Profeti s.a.v.s. nuk u mbështet te veprat e tij

Nuk ka dyshim se shpëtimi vjen vetëm me bekimin e Allahut dhe askush nuk mund të pretendojë se do të shpëtojë mbi bazën e veprave të tij, sepse më i madhi ndër vepruesit dhe më i madhi ndër të bindurit ndaj Allahut është vetë Profeti Muhammed s.a.v.s. Edhe ai nuk u mbështet te veprat e tij, siç vjen në hadith, dhe siç e kam përmendur edhe në hytben e kaluar, se Profeti Muhammed s.a.v.s. i tha këtë Hazret Aishes dhe sahabëve të tjerë, kur ata pyetën: O Profet, ti do të hysh në xhenet me veprat e tua. Ai tha: Jo, o Aishe, edhe unë do të hyj vetëm me bekimin e Allahut.

Çdo frymëmarrje e Profetit s.a.v.s. ishte adhurim

Pra, kur një njeri si Profeti Muhammed s.a.v.s., i cili me çdo frymëmarrje, me ecjen dhe lëvizjen e tij ishte në adhurim, gjumi dhe zgjimi i tij llogariteshin si adhurim, çdo lëvizje dhe çdo qëndrim i tij ishte adhurim, madje edhe shkuarja për nevoja personale dhe shkuarja te bashkëshortet e tij ishte adhurim; një adhurues kaq i madh i Zotit, kur thotë –  unë nuk do të hyj në xhenet për shkak të veprave të mia, por vetëm me bekimin e Allahut,  atëherë kush tjetër mund të thotë se do të hyjë në xhenet me veprat e veta?

Mos u çuditni se si çdo veprim i Profetit Muhammed s.a.v.s. u bë adhurim. Kjo është kështu sepse Allahu i Madhërishëm ka bërë të qartë se çdo gjendje e tij ishte adhurim. Një i paditur mund të thotë se si çdo lëvizje e Profetit Muhammed s.a.v.s. u bë ibadet, por ne duhet ta mbajmë mend se kjo është plotësisht e vërtetë: çdo veprim i Muhammedit s.a.v.s. ishte ibadet. Po, përveç tij, askujt tjetër nuk mund t’i quhet çdo veprim ibadet.

Ai është shembulli i përsosur; prandaj çdo veprim i tij ishte për kënaqësinë e Allahut, dhe çdo gjë që bëhet për kënaqësinë e Allahut, bëhet ibadet. Për askënd tjetër nuk ndodh që çdo veprim të bëhet ibadet. Për Profetin Muhammed s.a.v.s., Allahu ka thënë:

لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ

– për ju, në të Dërguarin e Allahut, ka një shembull të përsosur. [Kurani i Shenjtë 33:22]

A nuk do të thotë kjo se Profeti Muhammed s.a.v.s., me veprat e tij, na tregoi se cili veprim është i lejuar dhe cili i ndaluar, cili është i pëlqyeshëm dhe cili i papëlqyeshëm, cili është hallall dhe cili haram?

Pra, çdo veprim i Profetit Muhammed s.a.v.s. ishte një shpjegim dhe një përshkrim praktik. Për shembull, falja e namazit prej tij nuk ishte vetëm zbatim i një urdhri të Allahut, por edhe shpallje se këto janë farze, këto sunete dhe këto janë nafile që janë përveç farzeve, të cilat janë të domosdoshme për të fituar afërsinë me Allahun.

Ushqimi i tij ishte shpallje se ajo që ai hante ishte hallall dhe se ato gjëra që ai nuk i hante, nuk janë për t’u ngrënë. Pra, për shkak se çdo veprim i tij ishte bërë shembull për njerëzit, ato gjëra që ai i shpalli të lejuara dhe i përdori, ishin ibadet; dhe po ashtu, ato nga të cilat ai ndaloi dhe vetë nuk i përdori, mospërdorimi i tyre për të ishte gjithashtu pjesë e ibadetit.

Edhe vonesa në namaz – një mësim adhurimi

Me pak fjalë, çdo veprim i tij ishte ibadet, sepse ishte nën urdhrin e Allahut. Një shembull për këtë është se një person e pyeti për kohën e namazit të ikindisë. Dihet se falja e namazit në kohën e parë është e pëlqyeshme, por Profeti Muhammed s.a.v.s. e vonoi aq shumë, saqë koha u bë shumë e ngushtë. Kjo vonesë e tij në namaz ishte gjithashtu ibadet. Pse? Sepse ai po jepte mësimin se, nëse për ndonjë arsye njeriu nuk mund ta falë namazin në kohën e parë, atëherë edhe nëse e fal deri në kohën e fundit, namazi i tij është i vlefshëm.

Farze, sunete e nafile – të gjitha shpallje adhurimi

Pra, te farzet kishte shpallje, te detyrimet kishte shpallje, dhe te nafilet e sunetet kishte shpallje se të gjitha këto janë adhurim ndaj Allahut. Megjithatë, edhe në këtë gjendje, ai thoshte se do të hyjë në xhenet vetëm me bekimin e Allahut. Domethënë, Allahu i Madhërishëm i kishte thënë se çdo veprim i tij ishte ibadet, por përsëri ai tha:

Unë do të hyj në xhenet vetëm me bekimin e Allahut.

Sa i domosdoshëm qenka bekimi i Allahut!

Atëherë, si mund të themi ne, veprat e të cilëve janë shumë të pakta, se do të hyjmë në xhenet me veprat tona? Kjo tregon qartë se sa i domosdoshëm është bekimi i Allahut. Bekimi i Allahut është shumë i domosdoshëm, por as ai nuk fitohet vetëm me pretendim. Për ta fituar atë, nevojitet edhe diçka tjetër.

Me pretendim të thjeshtë të besimit nuk arrihet asgjë. Ajo që duhet është veprimi: zbatimi i Sunetit të Profetit Muhammed s.a.v.s., përpjekja për të vepruar sipas tij, përpjekja për ta ngritur standardin e ibadetit dhe përpjekja për ta fituar dashurinë e Allahut. Vetëm atëherë, siç e thashë edhe në fillim, ibadeti nuk mund të ekzistojë pa dashurinë ndaj Allahut dhe dashuria ndaj Allahut nuk mund të ekzistojë pa ibadet.

Kur lutja bëhet vetëm fjalë, jo gjendje

Sa i përket gjendjes së lutjes së Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Musleh Maudi r.a. ka shkruar në një vend në tefsirin e tij,  dhe disa fjalë do t’i shpreh edhe me fjalët e mia, por gjithsesi kjo temë është marrë prej andej:

Shumë njerëz luten, por sytë, zemra, mendja dhe kraharori i tyre nuk e mbështesin lutjen. Ata janë duke u lutur, por sytë janë diku tjetër, zemra diku tjetër, mendja endet gjetkë, dhe në kraharor nuk ka atë dashuri që duhet të ketë, nuk ka atë dashuri për Allahun.

Kur lutja nuk gjen mbështetje, ajo humbet

Dhe cili është përfundimi? Përfundimi është se, meqë këto gjëra nuk ecin bashkë me lutjen dhe nuk e mbështesin atë, lutja mbetet vetëm një lutje sa për të thënë. Sytë nuk lagen, zemra nuk shkrihet. Gjatë lutjes, sytë duhet të lagen, zemra duhet të shkrihet, mendja duhet të përqendrohet dhe të drejtohet nga Allahu. Kur kraharori nuk zien nga ndjenja, përfundimi është se lutjen ta merr era, siç e merr pluhurin.

Si lutej Profeti s.a.v.s.?

Kush mund të jetë më i lirë dhe më i çliruar se Profeti Muhammed s.a.v.s.? Megjithatë, për të vjen se, kur lutej, ndonjëherë nga kraharori i tij dilte zë si zierja e tenxheres, dhe ai qante aq shumë sa mjekra e tij e bekuar lagej. Por ka shumë njerëz që, sipas zakoneve të tyre, tregojnë edhe mendjemadhësi ndaj Allahut dhe e konsiderojnë të papëlqyeshme të qarët në lutje.

Rëndësia e përuljes në namaz

Në namaz, edhe përgjërimi dhe përulësia janë të domosdoshme dhe njeriu duhet të përpiqet për këtë. Për këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka treguar edhe një metodë: që përpiqu të qash në mënyrë artificiale, sepse kjo gjendje e jashtme ndikon në zemër dhe do të fillosh të qash përpara Zotit.

Pra, Profeti Muhammed s.a.v.s., nga njëra anë na tregoi se këto janë standardet e adhurimit tim, dhe nga ana tjetër tha se unë jam mirënjohës; bekimi i Allahut do të më shpëtojë. Për ta fituar këtë bekim, unë adhuroj dhe falënderoj Allahun për mirësitë e Tij. Sepse Allahu i Lartësuar është i Pavarur; nëse unë nuk falënderoj, kush e di se çfarë sjelljeje do të ketë Allahu ndaj meje.

Pra, kur një njeri si Profeti Muhammed s.a.v.s., prijësi i të gjithë të mirëve, nuk u bë i pavarur nga veprat, atëherë si mund të bëhen të tjerët të pavarur nga veprat? Dhe si mund të thonë njerëzit se ne nuk kemi nevojë për vepra, Allahu do të na falë? Këto janë fjalë jobesimtarësh, jo fjalë besimtarësh.

Ajetul Kursij dhe tre kulë në darkë, dhikri i Profetit Muhammed s.a.v.s.

Edhe përmendja e Allahut nga Profeti Muhammed s.a.v.s. është një sunet. Ai vazhdimisht e përmendte Allahun. Në lidhje me këtë, në një hytbe, Hazret Musleh Maudi r.a. ka thënë:

Një nga dhikret është ai që bëhet në kohën e gjumit. Profeti Muhammed s.a.v.s., para se të flinte, e lexonte Ajetul Kursinë, Suren el-Ihlas, Suren el-Felek dhe Suren en-Nas — këto janë tri suret e fundit të Kuranit të Shenjtë — i lexonte tri herë, pastaj frynte në duar dhe i kalonte duart mbi trupin e tij. Ai i kalonte duart mbi trup duke filluar nga koka dhe deri aty ku mund të arrinin duart.

Kjo është suneti i Profetit Muhammed s.a.v.s.: çdo vepër që ai e ka konsideruar vepër fetare dhe e ka vazhduar rregullisht dhe përherë, quhet sunet. Meqë edhe ky dhikr ishte diçka që ai e bënte gjithmonë, pra, leximin e Ajetul Kursisë dhe të tri kul-eve në darkë, atëherë edhe respektimi i këtij suneti duhet të bëhet nga çdo mysliman, madje duhet bërë pjesë e domosdoshme e jetës së tij.

As ta nënvlerësojmë, as ta mbivlerësojmë dhikrin

Prandaj, përmendja e Allahut nuk duhet lënë duke menduar se nuk është aq e domosdoshme saqë mosbërja e saj të të çojë në xhehenem; por po ashtu nuk duhet menduar se vetëm ky dhikr të mjafton për të hyrë në xhenet dhe se nuk ka nevojë për vepra të tjera. Farzet (obligimet) duhet të përmbushen patjetër.

Çfarë është dhikri?

Disa njerëz më shkruajnë edhe mua letra dhe pyesin: na tregoni ndonjë lutje të vogël, ndonjë dhikr që ta bëjmë vazhdimisht, që të na lindin brenda nesh të mirat, të na largohen mëkatet, të na zgjidhen punët dhe të fitojmë afërsinë me Allahun. Pra, gjëja e parë është ibadeti (adhurimi), domethënë namazet farz. Profeti Muhammed s.a.v.s., pas farzeve, ka falur edhe nafile.

Prandaj, fillimisht duhet të arrihen standardet e paraqitjes para Allahut në namaz. Pas kësaj vijnë nafilet, dhe më pas përmendja e Allahut (dhikri). Dhikri e drejton njeriun më shumë drejt të mirave, por krahas kësaj është e domosdoshme të përmbushen edhe moralet dhe veprat e tjera; njeriu duhet të ketë edhe morale të larta.

Afërsia e Allahut kërkon bindje të plotë

Për ta fituar afërsinë e Allahut, për zgjidhjen e problemeve dhe për pranimin e lutjeve, është e domosdoshme të veprohet sipas çdo urdhri të Allahut dhe ashtu siç Profeti Muhammed s.a.v.s. na e ka treguar me vepër. Duhet bërë përpjekje dhe duhet ndjekur i gjithë ky sunet në mënyrë të plotë.

Për dhikrin: as frikë e rreme, as shpresë e rreme

Sidoqoftë, për dhikrin nuk duhet menduar se, po ta lëmë, do të shkojmë në xhehenem; dhe as se vetëm dhikri do të na çojë në xhenet ose do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona. Veprat janë të domosdoshme dhe farzet janë të domosdoshme. Kur një njeri si Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte nevojë për këto dhikre për përparimin e tij shpirtëror, si mund të themi ne se nuk kemi nevojë për to?

Ky ishte suneti i Profetit Muhammed s.a.v.s.: ai gjithmonë, para se të flinte, lexonte Ajetul Kursinë dhe tri “kul”-et nga tri herë, siç u përmend, pastaj frynte në duar dhe i kalonte duart mbi trup.

Kur udhëheqja fetare kthehet në shfaqje

Hazret Musleh Maudi r.a. ka tërhequr vëmendjen edhe në disa çështje të tjera me shumë hollësi. Në një vend ai shkruan:

Njerëzit që janë prijës fetarë, shpesh kanë mendimin se adhurimet dhe dhikri i tyre duhet të jenë më të shumta se të tjerëve. Ka edhe të tillë që quhen liderë fetarë, dijetarë ose kryetarë organizatash fetare, që mendojnë se adhurimet e tyre duhet të duken më të shumta dhe, për këtë arsye, qëllimisht shtiren, që njerëzit t’i konsiderojnë si të devotshëm.

Edhe liderët e mëdhenj politikë në vendet myslimane kanë filluar të bëjnë të njëjtën gjë. Rrinë me tespihe në duar. Ose ata që janë imamë xhamish, zyrtarë organizatash, që e konsiderojnë veten si shembull për botën ose përpiqen t’ua imponojnë të tjerëve ndjesinë se “ne jemi shembull për ju”. Ata shtiren dhe e bëjnë këtë vetëm për sy e faqe. Këto gjëra gjenden edhe te myslimanët, edhe te jomyslimanët; madje edhe në traditat e disa fiseve.

Ibadeti për sy të botës

Sidoqoftë, te disa myslimanë, shfaqja e jashtme e gjendjes së tyre ka arritur deri aty sa, kur marrin abdes, i lajnë gjymtyrët për një kohë të gjatë dhe madje thonë se pikat e ujit që bien gjatë abdesit nuk duhet të bien mbi trup, sepse sjellin papastërti. Bëjnë rukū dhe sexhde shumë të gjata, vetëm për të shfaqur në pamje përulësie dhe nënshtrimi, pra vetëm për t’u dukur.

Nëse kjo bëhet për të fituar dashurinë e Allahut, atëherë është tjetër gjë; por ata e bëjnë për t’ua treguar njerëzve. Para njerëzve lexojnë shumë lutje, me tespihe në duar, duken sikur janë në dhikr, por Profeti Muhammed s.a.v.s., ndonëse ishte më i devotshmi dhe më i druajturi nga Allahu, dhe askush nuk mund të arrijë nivelin e tij të frikës ndaj Allahut, megjithatë ishte i thjeshtë në të gjitha këto çështje. Jeta e tij ishte plotësisht e pastër nga këto teprime dhe shtirje.

Thjeshtësia që vjen nga madhështia hyjnore

Hazret Ebu Katade r.a. transmeton se Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë: Nganjëherë ngrihem për namaz dhe kam ndërmend ta zgjas namazin, por kur dëgjoj të qarat e ndonjë fëmije, e shkurtoj namazin, nga frika se mos e vë nën vështirësi nënën e fëmijës. Me çfarë thjeshtësie e tha Profeti Muhammed s.a.v.s. këtë! “E shkurtoj namazin kur dëgjoj të qarat e fëmijës.”

Disa “sufi” të sotëm ndoshta do ta konsideronin një fjalë të tillë si fyerje për veten. Ata krenohen duke thënë se janë aq të zhytur në namaz, saqë nuk dinë çfarë ndodh rreth tyre, edhe sikur të bien daulle pranë tyre. Por Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte i lirë nga këto teprime.

Madhështia e tij ishte dhuratë e Allahut, jo diçka e dhënë nga njerëzit. Atij nuk i duhej nder nga njerëzit; atij i duhej nderi nga Allahu. Prandaj ai ishte i lirë nga këto gjëra. Shfaqja dhe shtirja janë vetëm për ata që mendojnë se nderi vjen nga njerëzit. Ata që e konsiderojnë Allahun si Dhënësin e nderit, ashtu siç ishte Profeti Muhammed s.a.v.s., dhe siç ai e vendosi sunetin me veprën e tij, nuk mund të kenë një mendësi të tillë. Te ta mbizotëron thjeshtësia. Të tillë duhet të jenë robërit e Allahut.

Edhe namazi me këpucë: larg teprimeve

Hazret Enes r.a. transmeton se një herë u pyet nëse Profeti Muhammed s.a.v.s. falej ndonjëherë me këpucë. Nga njëra anë ka adhurime dhe përpjekje për standarde të larta, por aty ku ka nevojë për lehtësi, ka edhe lehtësi. Siç e përmenda më parë në lidhje me kohën e namazit të ikindisë, Profeti s.a.v.s. i merrte parasysh të gjitha anët, por thelbi ishte gjithmonë që adhurimi i Allahut të jetë në qendër dhe që synimi të jetë kënaqësia e Tij. Sidoqoftë, kur ai u pyet nëse Profeti Muhammed s.a.v.s. falej me këpucë, ai u përgjigj: Po.

Kundër teprimeve dhe shtirjes

Nga ky rast kuptohet se sa shumë u shmangej ai teprimeve. Disa myslimanë që janë të paditur për besimin dhe për mësimet e Islamit, nëse shohin dikë duke u falur me këpucë, do të bërtasin me të madhe dhe, derisa të mos përmbushen të gjitha kushtet sipas mendimit të tyre, as nuk mund ta durojnë ta shohin atë. Por Profeti Muhammed s.a.v.s. është për ne shembull i përsosur. Metoda e tij ishte që t’i shikonte realitetet e ngjarjeve dhe të mos ishte i lidhur pas teprimeve.

Shembulli që çliron umetin

Edhe sot gjendja është e njëjtë. Një ahmedi më ka shkruar se dikush e kritikoi duke thënë: pse thua shehadet ose pse përmende këtë fjalë islame?

Ahmediani në fjalë iu përgjigj: Ti as nuk fal namaz, as nuk di namaz, as nuk ke lexuar Kuran; ç’lidhje ke ti me këto gjëra?

Ai i thotë: “Nuk ka rëndësi unë di të falem apo nuk di të falem, por meqë je ahmedian, je mirzai, kadijani, ti nuk duhet të falësh namaz dhe as të dish namaz.”

Kjo është gjendja e njerëzve sot. Kundërshtarët tanë vetë nuk veprojnë, por i gjykojnë të tjerët!

Pastërtia po – teprimet jo

Sidoqoftë, për adhurimin e Allahut, pastërtia dhe dëlirësia janë kusht dhe kjo vërtetohet nga Kurani i Shenjtë dhe hadithet. Prandaj, nëse këpuca është e pastër dhe nuk është përdorur në vende ku ka rrezik për papastërti, atëherë, në rast nevoje, nuk ka asgjë të keqe që namazi të falet me të. Duke vepruar kështu, Profeti Muhammed s.a.v.s. i bëri umetit një mirësi shumë të madhe: i shpëtoi ata nga teprimet dhe shtirjet për të ardhmen.

Nga ky shembull i përsosur duhet të përfitojnë ata që sot grinden për këto çështje dhe janë të dhënë pas teprimeve. Me një veprim që nuk sjell ndryshim në madhështinë hyjnore dhe në devotshmëri, nuk mund të ketë as ndryshim në madhështinë e njeriut.

Namazi me xhemat, takimi i njeriut me Allahun

Pastaj, lartësimi i namazit (ikamet-i salat) është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Në të përfshihet: Të falësh vetë namazin, të inkurajosh edhe të tjerët për ta falur, të falesh me sinqeritet dhe me zjarr shpirtëror, me abdes, me qetësi e përqendrim, me xhemat dhe me përmbushjen e plotë të kushteve. Në hadithe thuhet se namazi është një mjet takimi ndërmjet Allahut dhe robit. Sikur, përmes tij, ajo ngjyrë hyjnore që Allahu dëshiron ta krijojë nëpërmjet Profetit, u përcillet besimtarëve dhe ata ngjyrosen me ngjyrën e Allahut.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kushtonte aq shumë rëndësi namazit me xhemat, sa që një herë erdhi tek ai një sahab i verbër dhe tha:

O i Dërguari i Allahut s.a.v.s., shtëpia ime është shumë larg nga xhamia dhe, për shkak se e kam shumë të vështirë të arrij deri atje, a më lejon që në ditët me shi ta fal namazin në shtëpi?

Në Medinë shtëpitë ishin prej balte; për shkak të shirave, në rrugica mblidhej ujë dhe njerëzit duhej të ecnin pranë mureve. Për t’i mbrojtur muret nga shiu, ishte zakon që pranë tyre vendosnin gurë, që uji të mos i dëmtonte muret që ishin prej balte. Sahabiu i verbër tha: Unë nuk mund të ec në mes të rrugës për shkak të ujit; nëse ec anash, nuk shoh dhe gurët më ngulen në këmbë, ka rrezik të lëndohem ose të rrëzohem. A mund ta fal namazin në shtëpi?

Profeti s.a.v.s. tha: Në rregull, fale në shtëpi; nëse ke këtë lloj pengese, nuk ka problem të falësh në shtëpi. Kur ai u largua, pas pak kohe Profeti s.a.v.s. u tha sahabëve: Shkoni dhe thirreni përsëri. Kur u kthye, ai e pyeti: A arrin zëri i ezanit deri në shtëpinë tënde? Ai tha: Po, o i Dërguari i Allahut, zëri i ezanit arrin. Atëherë Profeti s.a.v.s. tha: Nëse zëri i ezanit arrin në shtëpinë tënde, atëherë, edhe nëse pengohesh apo lëndohesh, duhet patjetër të vish në xhami.

Lartësimi i namazit dhe ibadeti i vërtetë sipas Hazret Mesihut të Premtuar a.s.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Unë e them përsëri se pema e dashurisë së Allahut do të mbillet, do të rritet dhe do të nxjerrë fruta të ëmbla të saj te ata njerëz, që janë shembull i asaj që thotë Kurani “Fryti i tij është i përhershëm”. [Kurani i Shenjtë 13:36]. Mbani mend se ky është ai vend ku përfundon udhëtimi shpirtëror i sufinjve; kur kërkuesi arrin këtu, ai sheh vetëm manifestimin e Allahut dhe asgjë tjetër jo.”

Ai gjithashtu thotë:

Përmirësimi i gjendjes së ibadetit është ibadeti i vërtetë. Një gjendje ku Allahu të jetë i pranishëm në mendje, ku gjatë adhurimit Allahu të jetë përpara syve të zemrës, ajo gjendje është ibadeti i vërtetë.

Ai thotë:

 اِنَّنِيْ لَكُمْ مِّنْهُ نَذِيْرٌ وَّبَشِيْرٌ

Unë jam për ju, nga ana e Zotit, paralajmërues dhe përgëzues.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shpjegon:

Meqë ky adhurim i plotë dhe i pastër për Allahun është një punë jashtëzakonisht madhështore, njeriu nuk mund ta arrijë pa një shembull të përsosur dhe pa ndikimin e një fuqie të shenjtë. Prandaj Profeti s.a.v.s. thotë: Unë kam ardhur si sihariqdhënës dhe si alarmues nga ana e Allahut; nëse më bindeni dhe më pranoni, për ju ka përgëzime të mëdha, sepse unë jam përgëzues; dhe nëse më refuzoni, mbani mend se kam ardhur edhe si paralajmërues, dhe atëherë do të përballeni me ndëshkime dhe vuajtje të mëdha.

Ndjekja e shembullit profetik kërkon përpjekje dhe sakrificë

Kjo është ajo çështje që duhet ta shohim me kujdes. Ne, duke e pranuar Profetin s.a.v.s. dhe duke e ndjekur shembullin e tij të përsosur, e kemi pranuar si sihariqdhënës. Por këto përgëzime mund t’i fitojmë vetëm atëherë kur t’ia japim të drejtën adhurimit dhe të përpiqemi ta arrijmë standardin e ndjekjes së shembullit të tij.

Duhet mbajtur mend se kjo kërkon sakrificë dhe përpjekje, madje edhe xhihad me veten. Disa thonë: Ne po përpiqemi t’i falim pesë namazet. Por kjo mund të jetë mashtrim i vetes. Nëse përpjekja jote është e sinqertë, do të shqetësohesh për të, do të kesh merak dhe do të bësh vetëllogaritje. Prandaj secili prej nesh duhet të bëjë vlerësim të sinqertë: a janë vërtet përpjekjet tona, përpjekje reale?

Frika ndaj Allahut të largon të gjitha frikërat e tjera të dynjasë

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë se si ishte adhurimi i Profetit s.a.v.s.: ai shkonte në shpellën Hira, edhe pse atje kishte rrezik nga kafshë të egra, gjarpërinj e grabitqarë. Kjo është përmendur edhe më parë: atje ai bënte lutje. Duke e përmendur këtë, ai shpjegon se kur tërheqja nga njëra anë rritet shumë, frika nga ana tjetër largohet nga zemra. Kur dashuria ndaj Allahut rritet dhe vëmendja përqendrohet te adhurimi i Tij, frikërat e tjera të botës zhduken.

Ai jep shembullin e disa grave shumë frikacake, por të njëjtat, në raste sëmundjeje të fëmijëve të tyre, në netë të errëta, shkojnë patjetër në vende ku ditën mezi do të guxonin të shkonin. Kur frika ndaj Allahut dhe dashuria për Të bëhen mbizotëruese, të gjitha frikërat dhe dashuritë e tjera zbehen.

Për një lutje të tillë, edhe vetmia është e nevojshme; me atë lidhje të plotë shfaqen dritat shpirtërore, sepse çdo lidhje kërkon privatësi. Pra, vetëm kur ka privatësi mes dy qenieve, krijohet lidhja mes tyre.

Adhurim pa shfaqje, pa uniformë, pa shtirje

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Adhurimi duhet të jetë vetëm për Allahun, jo për sy e faqe. Në bindje, adhurim dhe shërbim, nëse punon me durim, Allahu kurrë nuk ta humb përpjekjen. Në Islam ka pasur mijëra njerëz që janë njohur vetëm nga drita e tyre shpirtërore; nuk kanë pasur nevojë për rroba të veçanta, mantela të gjata apo veshje dalluese. Të dëlirët e Allahut as nuk kanë veshur uniforma për t’u dukur si të mëdhenj, si sufi apo si shumë të devotshëm.

Profeti i Allahut s.a.v.s. nuk kishte ndonjë veshje të veçantë që ta dallonte nga njerëzit. Madje një herë, një person e pandehu Hazret Ebu Bekrin r.a. për Profet dhe filloi ta nderonte. Atëherë Hazret Ebu Bekrit iu desh të ngrihej dhe t’i bënte fresk Profetit s.a.v.s., duke treguar jo me fjalë, por me vepër, se Profeti ishte ai, ndërsa vetë ishte shërbëtor i tij.

Kur njeriu i nënshtrohet Allahut, ç’nevojë ka për rroba të veçanta, për varëse, për tespihe të gjata në duar? Të tillët janë robërit e botës, jo të Allahut. Kërkuesit e Allahut nuk kanë as kohë e as vetëdije për t’u marrë me veshje dhe uniforma. Ata duan të qëndrojnë të fshehur nga sytë e botës. Po, disa prej tyre vetë Allahu me urtësinë e Tij i nxjerr në dritë, që të dëshmojë fuqinë e Njëshmërisë së Tij.

Profeti s.a.v.s. nuk kishte aspak dëshirë që njerëzit ta quanin Profet dhe t’i bindeshin. Prandaj ai adhuronte në një shpellë, që ishte më e ngushtë se varri, dhe nuk kishte qëllim të dilte prej andej. Por Allahu, sipas urtësisë së Tij, e nxori dhe përmes tij e shfaqi dritën e Vet në botë.

Allahu na dhëntë mundësinë të përfitojmë nga kjo dritë; na dhëntë mundësinë ta përmbushim të drejtën e adhurimit që kemi ndaj Tij; na dhëntë mundësinë ta përvetësojmë shembullin e përsosur të Profetit s.a.v.s. dhe të përpiqemi ta ndjekim atë në mënyrë të vërtetë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via