Ndeshja midis tërheqjes së tokës dhe asaj të qiellit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
ndeshja imam mehdiu

Në këtë libërth, kam ndërmend t’i tregoj botës se epoka jonë, sa më shumë është zhvilluar nga ana materiale, aq më shumë ka rënë nga ana shpirtërore, madje shpirtrat nuk e kanë më as durimin për të ndierë vërtetësitë fisnike. Po t’i hedhim një sy të vëmendshëm gjendjes së njerëzve, do të dalim në përfundimin se një forcë shumë tërheqëse fshehtas po i ndjell ata drejt rënies, saqë ata po lëvizin çdo çast e më shumë drejt një gremine, të cilën, me fjalë të tjera, mund ta quajmë si “gjendja më e ulët”[1].

Aftësitë njerëzore kanë pësuar një ndryshim rrënjësor të atillë, saqë lëvdojnë e përlëvdojnë çdo gjë që u ngjan e bukur, por që është krejt e papëlqyer dhe e shëmtuar nga këndvështrimi shpirtëror. Ndërgjegjja e çdokujt e ndien fort që një forcë tërheqëse po e merr tatëpjetë. Pikërisht për shkak të ndikimeve rrënuese të këtyre tërheqjeve, një botë e tërë është shkatërruar tashmë. Njerëzit nënçmojnë e përqeshin të vërtetat fisnike, ndërsa atë që i përkushtohet sinqerisht Zotit, e quajnë naiv. Të gjithë shpirtrat që banojnë në botë duken sikur janë të kërrusur drejt tokës, thua se janë të sakatuar e të detyruar prej një tërheqjeje të fshehtë!

Njerëzit lëvdojnë e prlëvdojn çdo gjë që u ngjan e bukur por që është krejt e shëmtuar nga kndvështrimi shpirtëror. Click to Tweet

Kjo është pikërisht ajo që kam thënë edhe më përpara, që e gjithë puna e botës varet nga tërheqjet. Ajo palë që ka më shumë forcë tërheqëse e afron palën tjetër drejt vetes. Kjo filozofi është tërësisht e vërtetë, që një forcë tërheqëse e caktuar mund të mposhtet vetëm nga një forcë tjetër më e madhe e më tërheqëse sesa ajo, prandaj, edhe bota, që për shkak të tërheqjes nga poshtë po shkon tatëpjetë gjithnjë e më shumë, kurrsesi nuk mund të ngrihet lart, derisa të mos kundërveprojë prej qiellit një forcë tjetër akoma më tërheqëse, për t’i siguruar më shumë bindje palës së vet. Domethënë, ashtu sikurse njerëzit ndiejnë fort dobi e kënaqësi në pasionet vetjake, duhet të gjejnë dobi më me bindje në porositë e të Gjithëmëshirshmit e të ndiejnë më me bindje se mëkati është vdekje.

Ai që thotë se nuk dua të marr dritë nga ky diell, guxon të thyejë ligjin e pandryshueshëm të Zotit. Click to Tweet

Kjo dritë bindjeje vjen vetëm nga qielli përmes atij dielli që quhet Imam i kohës. Prandaj është thënë se të mos e njohësh këtë Imam është njësoj sikur të vdesësh në padituri. Ai që thotë se nuk dua të marr dritë nga ky diell, guxon të thyejë ligjin e pandryshueshëm të Zotit. A është e mundur që sytë tuaj të shikojnë pa diell? Megjithëse edhe sytë kanë një dritë, ajo dritë është e kushtëzuar nga dielli. Dielli është drita e vërtetë që vjen nga qielli dhe që e ndriçon Tokën. Pa të, sytë janë të verbër. Kështu, ai që fiton bindje përmes kësaj drite qiellore, fiton edhe një tërheqje drejt të vepruarit mirë.

Është e natyrshme që të ndodhë një luftë midis tërheqjes qiellore dhe asaj tokësore, sepse njëra të tërheq drejt virtytit dhe tjetra drejt mëkatit; njëra drejt lindjes dhe tjetra drejt perëndimit. Kjo luftë medoemos do të bëhej shumë e ashpër, kur të dyja forcat do të kishin aftësinë më të madhe të tërheqjes së tyre, prania e të cilave ishte e pashmangshme pikërisht në kohën kur bota do të kishte kulmuar zhvillimin e saj. Prandaj, kur do të shihni se bota ka kulmuar në përparimin e saj, duhet të kuptoni se pikërisht ato janë edhe ditët e përparimit qiellor dhe binduni që edhe në qiell bëhen përgatitje shpirtërore për të krijuar edhe atje një forcë tërheqëse, e cila synon të luftojë me forcën tërheqëse të tokës. Andaj, një kohë e tillë do të jetë e llahtarshme, kur bota do të pushtohet tërësisht nga shpërfillja dhe ligësia, sepse, pikërisht ajo është koha e premtuar për betejën shpirtërore, të cilën profetët e kanë përshkruar me lloj-lloj metaforash. Disa prej tyre e kanë përshkruar si një betejë të fundit midis engjëjve qiellorë dhe djajve tokësorë, që do të pararendë fundin e botës. Disa njerëz nga injoranca dhe naiviteti mendojnë se kjo betejë do të jetë fizike ku luftohet me shpata e pushkë, por ata gabojnë. Për shkak të mendjengushtësisë dhe marrëzisë së tyre, ata presin që lufta shpirtërore të bëhet me përballje fizike.

Kështu që, një ndeshje e fortë pritet të ndodhë këto ditë, midis errësirës tokësore dhe dritës qiellore. Të gjithë profetët fisnikë të Zotit, që nga Ademi e gjer te Profeti ynësa, kanë dhënë shenja për këtë luftë, duke treguar edhe emra të ndryshëm të dy komandantëve të secilës palë; njëri që do të zbulojë të vërtetat dhe tjetri që do t’i fshehë ato, ose me fjalë të tjera, njëri do të zbresë prej qiellit me engjëj prej drite dhe që do të jetë pasqyrim i Mikailit dhe tjetri do të shfaqet nga toka me errësirat satanike e që do të jetë pasqyrim i Iblisit.

Sikurse e shohim që ushtria tokësore tregon gatishmëri, duke qënë tërësisht e armatosur dhe e angazhuar në punën e saj, madje e ka mbaruar një pjesë të madhe të punës, andaj natyrshëm na lind një dëshirë e sinqertë dhe, edhe urtësia na kërkon që edhe qeveria qiellore të mos jetë e shkujdesur në përgatitjet e saj. Në fakt, qeveria qiellore nuk parapëlqen të bëjë bujë e zhurmë dhe shumë nga masat i merr heshturazi, ndërsa njerëzit, as nuk e marrin vesh se çfarë është duke ndodhur, atëherë në qiell shfaqet një shenjë, në Tokë ngrihet një minare e ndritur dhe e bardhë dhe drita qiellore bie mbi atë minare, e cila, më pas, ndriçon tërë botën. Kjo fjali e shkurtër do shpjegim që do të jepet në vijim.

Sistemi shpirtëror i ngritur nga Zoti i Madhërishëm, ndonëse përputhet me sistemin fizik, në disa çështje i pari ka cilësi të çuditshme, të cilat nuk janë aq të dukshme në sistemin fizik. Për shembull, kur përgatitet tërheqja tokësore, ajo vetvetiu shkakton përgatitjen e tërheqjes qiellore, edhe pse të dyja i kundërvihen njëra-tjetrës. Është e kuptueshme, pra, që gjatë kohës kur të dyja këto forca do të ishin në kulmin e tyre, që do të ishte edhe epoka e fundit e botës, duhet të ndodhte një betejë midis tyre, sepse epërsia kërkon që kundërshtari të asgjësohet. Andaj, atje ku të dyja palët do të jenë baras në forcë e në madhështi, lufta midis tyre është e pashmangshme. Një gjë e tillë është e parashikuar në të gjithë librat e profetëve të Zotit. Edhe logjika po ashtu e kërkon si të nevojshme. Kur dy palë kundërshtare, që janë shumë të fuqishme në tërheqjen e tyre, do të ndeshen, është e domosdoshme që njëra prej tyre ta eliminojë tjetrën, ose të eliminohen që të dyja.

Sipas profecive të parathëna në librat e profetëve rreth kësaj lufte, kur do të kishte kaluar mijëvjeçari i parë pas Hazret Mesihutas (Jezusit), gjatë të cilit, shejtani do të mbetej i prangosur, tërheqja tokësore do të fillonte të hidhte rrënjët e saj. Kjo ishte pikërisht ajo kohë, kur Islami kishte filluar të binte, nga shmangia prej parimeve të tij fisnike. Edhe përparimet e tij shpirtërore kishin ndalur, madje, edhe fitoret materiale kishin marrë fund. Islami kishte lindur në ditët kur shejtani ishte vënë në pranga dhe kështu duhej të ndodhte, sepse të gjithë profetët, deri te Gjoni i mençur kështu e kishin parashikuar. Pas lirimit të shejtanit, domethënë në mijëvjeçarin e parë pas Krishtit, filloi rënia e tij. Islami nuk përparonte më. Atëherë, veprimtaritë satanike zunë të shfaqeshin me ngjyra të ndryshme dhe pema e djallit vazhdoi të lulëzonte në Tokë. Disa prej degëve të saj u përhapën në Lindje, e disa të tjera arritën edhe në vendbanimet e skajshme të Perëndimit, disa në Jug e disa të tjera morën drejtimin e Veriut. Sikundër u tha që afati i burgimit të shejtanit ka zgjatur një mijë vjet, këtë gjë e dëshmuan edhe ngjarjet që ndodhën. Po ashtu, sipas parashikimeve të profetëve, edhe liria e shejtanit do të vazhdonte për një mijë vjet të tjerë, e cila do të fillonte pikërisht në krye të shekullit katërmbëdhjetë hixhri. Duhet sqaruar se kjo periudhë mijëvjeçare llogaritet në bazë të të dhënave hyjnore, pra në bazë të kalendarit hënor, sepse Zoti këtë mënyrë llogaritjeje ua ka mësuar hebrenjve dhe muslimanëve për t’u përcaktuar kohët profecive të ndryshme. Kurse sistemi i ndarjes së kohës në bazë të diellit është një risi e njerëzve që nuk përputhet me konceptin e librave hyjnorë.

Shkurt, sipas kalendarit hënor, pikërisht koha që ne po kalojmë përbën ditët e fundit që shejtanit i kanë mbetur nga afati i lirisë, të cilit madje i kanë kaluar edhe nëntëmbëdhjetë vjet. Por shejtani nuk do që t’i rrëmbehet liria dhe qeverisja, prandaj, lufta midis dy tërheqjeve do të ndodhë pashmangshmërisht, e cila, në fakt, është parathënë që nga fillimi. Fjala e Zotit nuk mund të gabojë.

Një tjetër dëshmi për këtë kohë na vjen që nga koha e fillimit të botës, domethënë nga koha e ardhjes së Ademit deri më sot ka kaluar mijëvjeçari i gjashtë, në të cilin duhej të lindte Ademi i dytë. Kjo sepse dita e gjashtë ishte ajo e lindjes së Ademit dhe, sipas librave hyjnorë, një ditë llogaritet si një mijë vjet. Kështu që, në bazë të premtimeve të Zotit, duhet të pranojmë se ai Adem ka lindur tashmë, edhe pse ai nuk u njoh plotësisht deri më tani. Po ashtu, duhet të pranojmë se vendndodhja e atij Ademi, e përcaktuar vetë nga dora e Zotit, është në Lindje, e jo në Perëndim, sepse, në Teurat (Zanafillë), në vargun 8 të kapitullit 2, dëshmohet se Ademit i ishte siguruar një vendbanim në një kopsht në drejtim të Lindjes. Prandaj, duhet që edhe ky Adem të shfaqej në ndonjë vend lindor, në mënyrë që të përputhej analogjia vendore midis të parit e të fundit. Si muslimanët, ashtu edhe të krishterët janë të detyruar ta pranojnë, veçse nëse i pengon fryma e mosbesimit.

Pra, e vërteta është shumë e qartë dhe e perceptueshme, që kjo epokë është epoka e luftës midis dritës dhe errësirës. Përderisa errësira vijon të jetë në kulmin më të madh të veprimtarisë së saj, nuk mund të shpresohet se pa zbritur drita qiellore, dikush të mund ta mbizotërojë atë. Nuk ka asnjë dyshim që ajo po përhapet me gjithë dendësinë e saj dhe llamba gjysmëvdekur e fisnikërisë po platitet. Vetëm doktrinat rituale, dija e ngurtësuar dhe faljet rituale nuk e mbajnë dot gjallë dritën që tashmë është në shuarje e sipër. A mund t’i tregojë udhën i verbri të verbrit? Kurrsesi! A mund të largojë errësira errësirën? Nuk është e mundur! Tanimë, duhet një minare e re, e cila duhet të përgatitet në Tokë dhe të ngrihet lart, duke kapërcyer gjindjen tokësore, në mënyrë që t’i zbresë drita qiellore e të vendoset llamba hyjnore e më pas e gjithë bota të ndriçohet me dritën e saj. Përndryshe, nëse ajo llambë nuk do të vendoset në një vend të lartë, si mund të përhapet drita e saj në të katër anët?!

Ju mbetet tani të kuptoni se çfarë është kjo minare? Ajo nënkupton natyrshmërinë e shenjtë, të dëlirë dhe vullnetin e lartë, që i jepet njeriut të përsosur, atij që e meriton ta gëzojë dritën qiellore. Ky interpretim buron vetë nga cilësitë e qenësishme të minares. Pra, lartësia e minares simbolizon vullnetin e lartë të atij njeriu; fortësia e saj shënjon qëndrueshmërinë e tij që shfaqet në gjithfarë sprovash dhe bardhësia e saj tregon pafajësinë e tij që zbulohet përfundimisht. Kur do të ketë ndodhur e gjithë kjo, pra kur do të jenë shfaqur si një minare e ndritur vullneti i tij i lartë, qëndrueshmëria e tij e palëkundur, durimi i tij i pakundshoq dhe gjithashtu, pafajësia e tij e mbështetur me argumente, atëherë do të përfundojë shfaqja e tij e përvuajtur dhe do të fillojë shfaqja madhështore e tij. Spiritualiteti, i praruar me madhështinë hyjnore, zbret mbi atë njeri që qëndron i vendosur si minare, e atëherë, me lejen e Zotit, ai fiton aftësi hyjnore. E gjithë kjo ndodh në shfaqjen e dytë. Pikërisht kështu në një mënyrë të veçantë do të bëhej ardhja e Mesihut të Premtuar.

Kështu do të realizohej ardhja tipike e Mesihut të Premtuar dhe kështu do t’u përshtatej ajo rrëfimeve që gjenden te muslimanët, të cilat tregojnë se Mesihu i Premtuar do të zbresë pranë një minareje. Zbritja e tij simbolizon një ardhje madhështore, të pajisur me një ngjyrë hyjnore, megjithatë, kjo nuk do të thotë se para asaj kohe, ai nuk gjendej në Tokë. Por është e sigurt që qielli do ta përmbajë atë, gjersa të vijë koha e tij, që është e caktuar prej Zotit.

Ndër praktikat e Zotit është edhe kjo që, për t’u mësuar njerëzve çështjet shpirtërore, Ai përdor përshkrime fizike të tyre, ashtu si tempulli i Bejtul Mukadesit dhe Meka e shenjtë janë simbole të shfaqjeve shpirtërore. Pikërisht mbi këtë bazë mësohet në fenë Islame se Mesihu i Premtuar do të zbresë mbi një minare ose pranë saj, në një vend që ndodhet në lindje të Damaskut. Edhe Ademit, siç dihet, i ishte siguruar një vend në drejtim të Lindjes. Nuk ka ndonjë pengesë që të ndërtohet edhe ndonjë minare fizike, para shfaqjes madhështore që u përmend më lart, sepse në hadithe parashikohet që minarja do të jetë një shenjë e ardhjes madhështore të Mesihut të Premtuar dhe që do të ndërtohet para ardhjes së tij.

Pra, është e caktuar që Mesihu i Premtuar të vijë në dy mënyra: së pari, në mënyrë të thjeshtë, e cila do të jetë e mbushur me një varg sprovash, në një kohë me lloj-lloj vështirësish, e kur do të kenë përfunduar ato ditë, do të vijë përfundimisht edhe koha e shfaqjes madhështore. Por para kësaj, siç përmendet në hadithe, do të ndërtohet një minare fizike, e cila do ta faktojë minaren shpirtërore e do t’i shëmbëllejë asaj.

Bota nuk e do Mesihun, sepse ajo nuk e do as Zotin prej të cilit ai ka ardhur. Click to Tweet

Bota nuk do ta njohë Mesihun e Premtuar përpara se ai të shfaqet në mënyrën madhështore, sepse ai nuk është prej botës. Bota nuk e do atë, sepse ajo nuk e do as Zotin prej të cilit ai ka ardhur. Prandaj, është e pashmangshme që ai të shqetësohet, të torturohet e të paditet me gjithfarë akuzash, ashtu sikurse tregojnë profecitë në Islam se Mesihu i Premtuar nuk do të pranohet në fillim. Njerëzit e pamend do të harxhojnë veten e tyre për të nxjerrë helm e vrer e për të kurdisur çdo sherr kundër tij, aq shumë saqë, dikush duke e sulmuar mizorisht, do të mendojë se ka bërë një mirësi të madhe, e dikush tjetër duke e lënduar atë, do të kujtojë se e ka kënaqur Zotin me veprimin e tij. Kështu do të vijojë. Atij do t’i bien gjithfarë tërmetesh, ai do të përballet me çdolloj vështirësie, derisa zakoni i Allahut do të përmbushet në lidhje me të. Atëherë do të vijë koha e shfaqjes madhështore të tij. Njerëzve të parapërgatitur do t’u hapen sytë dhe ata vetë do të fillojnë të mendojnë: “Çfarë pune qenka kjo e ç’gënjeshtar qenka ky që nuk mposhtet?! Pse ndihmën e Zotit e paska ai e jo ne?!” Atëherë një engjëll i Zotit do të zbresë në zemrat e tyre dhe do t’u mësojë: “Profecitë që keni përcaktuar ju prej haditheve dhe rrëfimeve a janë aq vendimtare që ju janë bërë pengesë kaq e pakapërcyeshme?! A nuk ekziston mundësia që disa prej tyre të jenë të sajuara ose të pasakta?! A nuk është e mundur që disa profeci edhe mund të përmbushen në mënyrë metaforike?! Vallë, cili ishte shkaku tjetër i fatligësisë dhe i mosbesimit të hebrenjve, përveç faktit se ata nuk reshtën së insistuari se të gjitha çështjet të përmbusheshin në mënyrë fizike e të realizoheshin mu sipas mendimeve të tyre, gjë që nuk ndodhi?! E, tani ngaqë kemi të njëjtin Zot, me të njëjtën praktikë, si nuk mundet që e njëjta sprovë të mos ju bjerë edhe juve?!” Kështu që, zemrat e njerëzve do të pushtohen vetvetiu nga këto mendime, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë [me çdo profet].


[1]. “Esfelus safilin”.

SHËNIM

Për arsye të ndarjes së librit nëpër kapituj, në librin Online, redaksia ka shtuar disa nën tituj, pa prekur tekstin origjinal të librit. Andaj, për referencë, të përdoret libri në formatin PDF ose të botuar.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp