Zubejr ibn Avami r.a., Sahabi i Profetit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Zubejr ibn Avami r.a., Sahabi i Profetit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në vazhdë të temës mbi jetën e sahabëve të Bedrit, sot do të flasim rreth jetës së Hazret Zubejr ibn Avamit r.a.. Babai i tij quhej Avam ibn Huvejlit ndërsa e ëma quhej Safja bint Abdul Muttelib, dhe qe halla e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Gjenealogjia e familjes së tij ndërthuret me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në brezin e Kusej ibn Kilabit. Hazret Zubejri ishte gjithashtu nipi I Hatixhes r.a., bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Hazret Zubejri r.a. ishte martuar me vajzën e Ebu Bekrit r.a. Hazret Esma r.a., ndërsa I Dërguari I Allahut s.a.v.s. me motrën e saj Aishe r.a. Në këtë mënyrë, Zubejr ibn Avami r.a. ishte baxhanak me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Përveç këtyre, Zubejri r.a. kishte dhe lidhje të tjera me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., p.sh.: Zubejri njihej me nofkën Abdullah (një zakon arab sipas të cilit prindërit referohen sipas emrave të fëmijëve të tyre), ndërsa nëna e tij Safja r.a. i kishte dhënë epitetin Ebu Tahir Zubejr ibn Abdul Muttelib, sipas emrit të vëllait të saj. Mirëpo, Hazret Zubejri zgjodhi për veten teknonimik Abdullah, sipas emrit të djalit të tij, dhe ky u bë më i njohur si epitet.

Hazret Zubejri kishte pranuar Islamin pas Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe ai radhitej i katërti ose i pesti që kishte pranuar Islamin. Hazret Zubejri r.a. ishte 12 vjeç, kur ai kishte pranuar Islamin, ndërsa sipas transmetimeve të tjera, ai duhet të kishte qenë 8 ose 16 vjeç.

Hazret Zubejri u përkiste atyre sahabëve të zgjedhur me fat, të cilëve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte dhënë sihariq për të hyrë në xhenet qysh në këtë jetë tokësore. Ai ishte gjithashtu një prej atyre gjashtë sahabëve, të cilët kishte emëruar Hazret Omeri r.a. para se të ndërronte jetë, me detyrën e zgjedhjes së kalifit të ardhshëm.

Kur Avami, i ati i Zubejrit r.a., ndërroi jetë, xhaxhai i tij Nevfel ibn Huvejlid mori përsipër kujdestarinë e nipit të tij. Kur Safia, e ëma e Zubejrit, e qortonte djalin e saj apo e qëllonte atë me dorë, Nevfeli e kundërshtonte dhe njëherë i tha: “Kush sillet kështu me fëmijët? Ti e rreh atë, sikur i mban inat atij”. Safia i recitoi disa vargje:

مَنْ قَالَ إِنِّي أُبْغضه فقد كـذب وَإِنَّمَا أَضْرِبُهُ لِكَـي يَلَبْ

وَيَهْزِمَ الجَيْشَ وَيَأْتِـي بَالسَّلَبْ وَلا يَكُن لِمَالِهِ خَبْأٌ مُخَبْ

يَأْكُلُ فِي البَيْتِ مِنْ تَمْرِ وَحَبْ

Po gënjyeka ai i cili mendon se unë mbaj inat me Zubejrin. Unë sillem rreptë me të, që ai të bëhet trim, të mposhtë ushtrinë armike, të përvetësojë plaçkat dhe jo të rrijë ngujuar në shtëpi duke ruajtur plaçkat e veta dhe të përlajë të gjitha ushqimet.

Kjo ishte metoda e saj për ta edukuar djalin dhe për t’i ngjallur trimëri dhe guxim. Ne nuk mund ta mbështesim këtë duke e cilësuar si një metodë të shkëlqyer, sepse sipas asaj që konstatojmë në përgjithësi, arrijmë në përfundimin që kjo metodë i privon fëmijët nga vetëbesimi. Megjithatë, Allahu i Madhërishëm e mbrojti Zubejrin nga pasojat e kësaj sjellje të rreptë, madje dashuria amnore i kundërvihet rreptësisë. Ngjarjet e mëvonshme gjithashtu vunë në dukje trimërinë dhe guximin e Zubejrit. Vetëm Zoti e di se si i ishin ngjallur Zubejrit këto veti të veçanta, por e rëndësishme është rritja e tij në kushte mjaft të rrepta disiplinore, nuk i kishin shkaktuar pasojat negative. Nëse dikush tenton të provojë këto metoda për të edukuar fëmijët e tij, do të përballet me ndërhyrjen e menjëhershme të personelit të shërbimit social, të cilët do t’ua marrin fëmijët. Prandaj, nënat nuk duhet të guxojnë të provojnë këto metoda ndaj fëmijëve të tyre.

Kur Hazret Zubejri kishte pranuar Islamin, xhaxhai i tij e mbërthente në qilim dhe e tymoste vendin nga të gjitha anët dhe kështu e detyronte të largohej nga Islami, por Zubejri përgjigjej gjithmonë trimërisht se nuk do t’i kthehej kurrë gjendjes së mosbesimit.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë ngjarje me këto fjalë:

“Zubejr ibn Avami ishte një trim i madh, i cili u shfaq si një kryekomandant i pashoq në fitoret e Islamit. Por, xhaxhai i tij e dhunonte ashpër duke i shkaktuar  vuajtje të rëndë. Ai e lidhte Zubejrin brenda një qilimi dhe pastaj i bllokonte frymëmarrjen duke mbushur vendin me tym të dendur, pastaj e sfidonte duke thënë: “A akoma nuk heq dorë nga Islami?” Por Zubejri duronte çdo dhimbje dhe si përgjigje i thoshte “Unë kam zbuluar të vërtetën, prandaj s’mund ta mohoj atë.”

Hisham ibn Urva transmeton nga babai i tij se njëherë Hazret Zubejri, i cili ishte ende i vogël, ishte zënë keqas me dikë tjetër. Zubejri ishte një fëmijë i vogël, kurse tjetri ishte një burrë i rritur, megjithatë Zubejri i theu dorën dhe e rrahu keq. Të afërmit e tij e ngarkuan personin i cili kishte mbetur i plagosur në një kalë dhe e sollën para Safijes, nënës së Zubejrit, për t’i treguar se çfarë kishte bërë djali i saj. Ata nuk i shpjeguan aspak se kush kishte faj, por thjesht i treguan gjendjen e të plagosurit. Hazret Safja u recitoi disa vargje duke çmuar trimërinë e Zubejrit dhe u tha:

كيف رأيت زبرا أقطا وتمرا أو مشمعلا صقرا

Si e gjete Zubejrin? A e kishe kujtuar si bukë e djathë se do ta përlash kollaj dhe do të sillesh me të, si të teket ty. Me siguri, ai është një skifter që i sulet presë dhe e rrëmben vrullshëm.

Hazret Zubejri kishte mërguar dy herë drejt Abisinise dhe kur mbërriti në Medinë pas hixhretit, ai ndenji te Mundhir ibn Muhammedi.

Bashkëshortja e Zubejrit, Hazret Esmaja r.a. përcjell këtë rrëfim dhe thotë: “Isha shtatzënë Kur u nisëm për hixhret nga Meka në Medinë. Kemi bërë ndalim në Kuba, ku më lindi Abdullah ibn Zubejri. Unë shkova te i Dërguari i Allahut me foshnjë dhe Profeti e mbajti në prehër. Pastaj, ai kërkoi një hurmë, të cilën e përtypi dhe zbuti pak. Pastaj, futi pështymën e tij në gojën e foshnjës, e cila ishte lëngu i parë që ishte futur në gojë pas lindjes. Pastaj, i vuri në gojë hurmën e zbutur dhe u lut që të ishte e bekuar për të. Ky ishte fëmijë i parë që ishte musliman i lindur.

Sipas transmetimit të Sahih Muslimit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte ngjitur emrin Abdullah, këtij djali të Esmasë r.a.. Kur mbushi moshën 7 a 8 vjeç, Hazret Zubejri r.a. e porositi këtë djalë të hynte në bejt me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Profeti u gëzua kur e pa Abdullahun duke ardhur drejt tij, dhe i mori bejtin.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. lidhi muslimanët e mekës me njëri-tjetrin si vëllezër shpirtëror, ai e lidhi Hazret Zubjerin r.a. me Abdullah ibn Mas’udin r.a.. Pas ngjarjes së Hixhretit, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi lidhje vëllazërore midis muhaxhirëve të Mekës dhe ensarëve medinas, ai e lidhi Zubejrin r.a. me Selma ibn Selamen r.a..

Hazret Zubejri r.a. u kishte ngjitur emra djemve të tij, sipas emrave të dëshmorëve, duke shpresuar që edhe të vdisnin si martirë. Abdullahu u quajt si Abdullah ibn Xhehesh r.a., Mundhiri si Mundhi ibn Amru, Urva si Urva ibn Mas’udi, Hamza si Hamza ibn Abdul Muttelib, Xhaferi si Xhafer ibn Ebu Talib, Mus’abi si Mus’abi ibn Umejr, Ubejde si Ubejde ibn Harith, Halit si Halit ibn Sa’id dhe Amru si Amru ibn Sa’id.

Amru ibn Sa’id kishte rënë dëshmor në luftën e Jermukut dhe nuk dihet saktësia e këtij transmetimi. Nuk dihet as viti i lindjes së Abdullahut, i cili ishte fëmija e tij i parë. Allahu e di më së miri se a ishin martirizuar ata deri në atë kohë apo jo. Megjithatë, Hazret Zubejri u kishte ngjitur djemve të tij emrat e dëshmorëve.

Urva ibn Zubjeri transmeton se Hazret Zubejri ishte aq shtatlartë saqë kur kalëronte, këmbët i arrinin deri në tokë.

Hazret Abdullah ibn Zubjeri përcjell se e kishte pyetur babain e tij Hazret Zubejr se përse nuk transmetonte fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ashtu siç transmetonin Hazret Abdullah ibn Mas’udi dhe sahabë të tjerë.  Ai i tha: “Që kur kam pranuar Islamin, unë nuk i jam ndarë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Mirëpo e kam dëgjuar Profetin duke thënë që nëse dikush i ngit atij qëllimisht diçka të pavërtetë, atëherë ka siguruar xhehenemin për veten. Kjo nuk do të thotë që të tjerët kanë trilluar fjalët në emër të Profetit, por unë për veten time pëlqej të jem i kujdesshëm në këtë aspekt dhe nuk dua t’ia referoj atij gabimisht diçka që nuk ka thënë dhe si rrjedhojë pësoj ndëshkimin e Zotit”.

Hazret Sa’id ibn Musejbi r.a. transmeton që Hazret Zubejr ibn Avami r.a. isthe i pari, i cili e kishte zhveshur shpatën e tij në rrugë të Allahut. Ai rrëfen se njëherë ndërsa po pushonte në luginën e Metabihut, i cili ndodhej pranë Mekës, Hazret Zubejri dëgjoi një zë që e kanë mbytur Muhammedin s.a.v.s.. Ai menjëherë nxori shpatën dhe doli nga shtëpia, por rrugës e takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Profeti i bëri thirrje për t’u ndaluar dhe e pyeti se çfarë kishte ndodhur. Ai i tregoi se kishte dëgjuar se dikush e kishte martirizuar. Profeti e pyeti Zubjerin: “Çfarë do të kishe bërë, nëse me të vërtetë do të kisha rënë martir?” Ai i tha: “Pasha Allahun! Unë kisha vendosur të mbysja çdo banor të Mekës”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri një lutje të veçantë për Hazret Zubjerin dhe për shpatën e tij. Hazrez Sa’id ibn Musejbi r.a. ka thënë që ai shpreson se Allahu nuk ta privojë Zubejrin kurrë nga bekimet e kësaj lutjeje.

Hazret Zubejri r.a. qëndroi krahë për krahë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në të gjitha betejat e tij, përfshirë Bedrin dhe Uhudin. Në fitoren e Mekës, Hazret Zubejri kishte mbajtur njërin prej tre flamujve të muhaxhirëve. Në luftën e Bedrit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shoqërohej vetëm nga dy kuaj, dhe në njërin prej tyre ishte hipur Hazret Zubejri. Urva r.a transmeton se Hazret Zubejri kishte marrë tri plagë të thella nga shpata në luftën e Bedrit dhe Jermukut. Hazret Urva shton se dy prej këtyre plagëve, të cilat Hazret Zubejri i kishte marrë në luftën e Bedrit, kishin lënë shenja kaq të thella, saqë ai mund të fuste gishtat në të.

Musa ibn Muhammedi transmeton nga babai i tij se Hazret Zubejr ibn Avami dallohej nga çallma e tij e verdhë. Këtë çallmë e kishte lidhur edhe në ditën e Bedrit dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë atij që edhe engjëjt që ishin zbritur në fushën e Bedrit, i ngjanin Zubejrit.

Hisham ibn Urva transmeton nga babai i tij se Hazret Zubejri i kishte thënë: “Në luftën e Bedrit duhet të përballoja Ubejde ibn Sa’idin i cili njihej me nofkën Ebu Dhatil Kirsh. Ai ishte veshur nga koka deri në këmbë në parzmore dhe atij i dukeshin vetëm sytë. Sapo më tha se ishte Ebu Dhatil Kirsh, unë iu vërsula dhe ngula shtizën midis syve të tij. Goditja ishte fatale dhe ai vdiq aty për aty”. Hazret Zubejri gjithashtu kishte thënë që shtiza ishte ngulur kaq thellë në kokën e Ebu Dhatil Kirshit, saqë i duhet të mbante këmbën mbi krye, për ta nxjerrë shtizën. Madje, kur arriti të nxirrte shtizën me shumë vështirësi, tehet i ishin prishur dhe deformuar.

Urva ka shtuar që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte kërkuar Zubejrit atë shtizë, dhe ajo mbeti me Profetin s.a.v.s. derisa ai ndërroi jetë. Pastaj, Hazret Zubejri e mori prapë, por më vonë Hazret Ebu Bekri ia kërkoi shtizën dhe Zubejri i dorëzoi atij. Pas vdekjes së Hazret Ebu Bekrit r.a., Hazret Omeri r.a. i kërkoi Zubejrit atë shtizë dhe ai ia dorëzoi atij. Më vonë, kur ndërroi jetë Hazret Omeri r.a., Hazret Zubejri r.a. e mori prapë shtizën, por kur Hazret Osmani ia kërkoi shtizën ai ia dorëzoi atij. Pas martirizimit të Hazret Osmanit r.a., kjo shtizë kishte kaluar në pronësinë e familjes së Hazret Aliut, por Hazret Abdullah ibn Zubejri r.a. e mori prej tyre, dhe ajo mbeti nën pronësinë e tij, derisa ra dëshmor.

Hazret Zubejr ibn Avami r.a. transmeton “Në luftën e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkoi prindërit e tij për mua. Pra, ai m’u drejtua duke thënë: “Të flijofshin prindërit e mi!”

Hazret Zubjeri r.a. rrëfen se në ditën kur u zhvillua lufta e Uhudit, një grua po i afrohej fushës së betejës me shpejtësi. Ajo ishte afruar kaq shumë, saqë mund të shikonte kufomat e martirëve. Meqë armiqtë i kishin gjymtuar dhe shëmtuar trupat e martirëve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk pëlqeu që ajo ta shikonte këtë pamje të rëndë, dhe na porositi për ta ndaluar atë grua. Hazret Zubejri r.a. kishte kuptuar se ajo ishte nëna e tij Hazret Safija. Ai nxitoi drejt saj për ta ndaluar atë dhe e gjeti kur ajo akoma nuk kishte arritur te kufomat e martirëve. Hazret Safija ishte një grua e fort dhe e fuqishme, andaj sa e pa Zubejrin, ajo e shtyju me forcë dhe i tha të largohej dhe ajo nuk dëshiron të flasë me të. Hazret Zubejri r.a. iu lut se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka porositur që ajo të mos shikonte ato kufoma të gjymtuara. Hazret Safija u ndal menjëherë dhe nxori dy copë pëlhure dhe tha: “Kam mësuar se vëllai im Hamza ka rënë dëshmor, prandaj kam sjellë këto pëlhurë për ta qefinosur atë”. Sipas një rrëfimi tjetër, Hazret Safja i kishte thënë: “Unë e di që e kanë gjymtuar vëllain tim. Hamzai ka dhënë këtë sakrificë në rrugën e Allahut, andaj dashtë Allahut, do të përmbaj veten dhe nuk do të shfaq pakënaqësinë, madje do t’ia kërkoj mirësinë prej Allahut”. Kur Hazret Zubejri dëgjoi përgjigjen e së ëmës, ai shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s dhe i rrëfeu fjalët e saj. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dha leje që ajo të shikonte trupin e vëllait të saj. Hazret Safja doli përpara dhe pa trupin e pajetë të vëllait të saj. Ajo recitoi ajetin إِنَّا لِلَّٰهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ‎ dhe u lut për të. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi për ta varrosur Hazret Hamzain.

Transmetuesi shton më tej se kur ata qefinosnin Hamzain në ato dy pëlhura, ata panë trupin e një sahabi ensar, i cili gjithashtu kishte rënë dëshmor në luftë, dhe armiku e kishte trajtuar me barbari, njësoj siç kishin bërë me Hamzain. Sahabëve u erdhi keq që të varrosnin Hamzain me dy pëlhura, ndërsa ai sahab ensar të mos kishte asgjë për qefin. Ata vendosën të mbështillnin Hamzain dhe atë sahab ensar me një qefin për secilin. Por, pas matjes, ata mësuan që njëri prej tyre ishte më i gjatë, prandaj ata zgjodhën këtë çështje në bazë të shortit dhe varrosën ata sipas qefinit që i kishte rënë secilit. Megjithatë, pëlhura nuk ishte e mjaftueshme, dhe u duhet të plotësonin trupin e zbuluar me bar.

Hazret Xhabir ibn Abvdullahu transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në luftën e Hendekut kishte bërë thirrje që dikush ta njoftonte atë lidhur me çështjen e Benu Kurejdhës. Hazret Zubejri r.a. menjëherë iu përgjigj thirrjes dhe tregoi gatishmërinë e tij për të kryer detyrën. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri këtë thirrje sërish, dhe prapë Hazret Zubejri r.a. iu përgjigj thirrjes së Profetit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri këtë thirrje për herë të tretë dhe Hazret Zubejri r.a. prapë iu përgjigj thirrjes së tij.  Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha që çdo profet ka një dishepull dhe Zubejri ishte dishepulli i tij.

Hazret Abdullah ibn Omer r.a. transmeton se njëherë ai dëgjoi dikë duke thënë që ishte djali i dishepullit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Abdullah ibn Omeri iu drejtua atij dhe i tha: Ke të drejtë vetëm nëse je prej djemve të Hazret Zubejrit”. Abdullah ibn Omeri r.a. nuk dinte se a i Dërguari i Allahut këto fjalë për dikë tjetër.

Abdullah ibn Zubejri r.a. transmeton se në ditën e Ahzabit, e kishin caktuar atë dhe Omer ibn Ebi Selma si mbikëqyrës mbi gratë. Kur hodha vështrim në terren, pashë një kalorës duke shkuar dy apo tri herë drejt fortesave të Benu Kurejdhës. Ai ishte Hazret Zubejr ibn Avami r.a.. Kur u ktheva, e pyeta: “O babë! Ju kam parë sot duke kalëruar disa herë andej këtej”. Ai më vështroi habitshëm dhe më pyeti: A më ke parë përnjëmend, o bir!? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte kërkuar që dikush ta njoftonte atë lidhur me gjendjen e Beni Kurejdhës. Prandaj, kisha shkuar unë drejt fortesave të tyre. Madje, kur u ktheva te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ai bashkoi prindërit e tij për mua dhe më tha: Prindërit e mi flijofshin për ty!”

Në luftën e Hajberit, Hazret Muhammed ibn Meslema kishte mbytur liderin e njohur të hebrenjve Merheb. Për hakmarrjen vëllai i tij Jasiri hyri në fushë dhe lëshoi kushtrimin duke thirrur sloganin “Men Jebarez”. Hazret Zubjeri r.a. doli përpara për t’u ballafaquar me të. Nëna e tij Hazret Safja, e cila po shikonte këtë pamje i tha Profetit: “O i Dërguar i Allahut! Më duket se sot djali im do të kurorëzohet me gradën e martirit”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Përkundrazi, djali yt do të ketë epërsi ndaj kundërshtarit, i cili do të vritet nga Zubejri”.

Fjalët e Profetit s.a.v.s. dolën të vërteta dhe kur Jasiri doli në fushëbetejë për dyluftim, ai gjeti vdekje nga dora e Zubejrit.

Hazret Zubejri r.a. ishte njëri prej atyre tre personave, të cilët i Dërguarit Allahut s.a.v.s. kishte nisur  për ta zbuluar gruan, e cila mbarte fshehurazi letrën e Hazret Hatib ibn Ebi Beltas për mohuesit e Mekës. Ndonëse, ky episod është përcjellë edhe më parë, megjithatë, dua ta cek këtë ngjarje shkurtimisht në lidhje me Hazret Zubejrin r.a..

Hazret Aliu transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi Hazret Zubejrin dhe Hazret Mikdadin me një mision dhe u tha që kur do të mbërrinin në Roda Khakh, ata do të gjenin një grua, e cila mban një letër. Ata duhet t’ia merrnin letrën dhe të ktheheshin në Medinë. Në këtë mënyrë, ne u nisëm derisa mbërritëm në vendin Roda Khakh, i cili ndodhej midis Mekës dhe Medinës. Aty në fakt ne gjetëm një grua. Ne i thamë që të na dorëzonte letrën që kishte fshehur. Ajo nuk pranoi se posedonte ndonjë letër. Ne i thamë me rreptësi se të na dorëzonte letrën pa u rezistuar, ndryshe ne do ushtronim dhunë, madje do t’ia hiqnim rrobat. E detyruar nga rrethanat, ajo nxori letrën, që kishte fshehur në flokë të saj. Ne shpejtuam drejt Medinës, dhe ia dorëzuam letrën të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Kur u hap letra, ne zbuluam se e kishte shkruar Hazret Hatib ibn Ebi Belta r.a. drejtuar idhujtarëve të Mekës, në të cilën, ai informonte rreth vendimit të Profetit s.a.v.s. për të sulmuar Mekën. Profeti s.a.v.s. e pyeti Hazret Hatibin arsyen për të shkruar një letër të tillë sekrete. Hazret Hatibi u përgjigj: O i Dërguar i Allahut! Ju lutem mos nxitoni në çështjen time. Unë nuk kam lidhje me kurejshët e Mekës, por thjesht desha t’u bëj favor ndaj tyre. Unë nuk jam kthyer në mosbesim e as që kam lënë fenë islame dhe këtë veprim nuk kam bërë duke zgjedhur mosbesimin në vend të besimit. Unë veç desha t’i ktheja favor popullit mekas”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pranoi përgjigjen e Hazret Hatibit dhe e vërtetoi arsyen e tij.

Hazret Omeri r.a. ishte xhindosur nga kjo ngjarje dhe nga veprimi i Hazret Beltas. Ai i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për ta mbytur atë. Profeti s.a.v.s. i tha: Ai ka marrë pjesë në luftën e Bedrit. A di ti se Allahu u ka hedhur vështrim nga qielli pjesëmarrësve të Bedrit dhe ka thënë “Unë kam falur pjesëmarrësit e Bedrit, pavarësisht çfarë kanë bërë ata.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. udhëhoqi ushtrinë muslimane në fitoren e Mekës, Hazret Zubejr ibn Avami r.a. po drejtonte ushtarët në krah të majtë, kurse Hazret Mikdad ibn Esvedi r.a. po i drejtonte ata në krah të majtë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në Mekë, të gjithë banorët e Mekës përjetuan paqe dhe siguri. Hazret Zubejri dhe Hazret Mikdadi u paraqitën para kalit të Profetit s.a.v.s., i cili e hoqi zhulin nga fytyra dhe tha: Unë kam vendosur 2/3 pjesë për kuajt dhe 1/3 për çdo kalorës. Allahu i pakësoftë riskun atij, që bën zvogëlim në vendimin tim.

Hazret Kalifi II r.a. ka rrëfyer një ngjarje interesante të Hazret Zubejrit. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. goditi idhullin e Hubulit me shkopin e tij, që e rrëzoi dhe copëtoi atë, Hazret Zubejri iu drejtua Ebu Sufjanit me buzëqeshje dhe i tha: O Ebu Sufjan! A të kujtohet ajo kohë kur muslimanët e rraskapitur ishin tkurrur në një qoshe të fushës, kurse ti krenarisht po lëshonte slogan “U’lu Hubul! ‘Ulu Hubul (I lartësuar qoftë Hubuli, i lartësuar qoftë Hubuli) gjoja ai ju kishte dhënë fitore kundër muslimanëve. A nuk sheh se është thërrmuar dhe copëtuar Hubuli para jush?” Ebu Sufjani ia kthehu atij: O Zubejr! Mos i përmend këto fjalë tani. Ne po shohim fare qartë që po të ekzistonte sot ndonjë zot tjetër përveç Zotit të Muhammedit, nuk do të kishte ndodhur gjithë kjo. Sot ka vetëm një Zot, dhe Ai është Zoti i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Në luftën e Hunejnit, ushtarët e fisit Hevazin lëshuan një breshëri shigjetash drejt ushtrisë muslimane, në të cilën merrnin pjesë dy mijë muslimanë të rinj. Sulmi ishte kaq i befasishëm dhe i papritur saqë muslimanët u zmbrapsën duke lënë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të vetmuar në fushëbetejë ndërsa Hazret Abasi r.a. mbante frenat e kalit të Profetit. Malik ibn Aufi, komandanti i ushtrisë armike, i cili ndodhej në një luginë, këqyrte bashkë me kalorësit e tij, lëvizjen e ushtarëve muslimanë. Kur u shfaqën disa kalorës në horizont, ai pyeti ushtarët e tij se cilët ishin ata? Ata i treguan se ishin disa kalorës, të cilët kishin lënë shtizat midis veshëve të kuajve të tyre. Malik ibn Aufi u tha: ”Këta duhet të jenë nga fisi Benu Sulejm, dhe nuk na sjellin asnjë dëm”. Ata erdhën dhe marshuan drejt luginës tjetër. Pak më vonë, u shfaq një grup tjetër kalorësish. Malik ibn Aufi i pyeti ushtarët e tij se çfarë po shikonin. Ata i thanë: Janë disa kalorës që mbajnë heshtë në dorë. Maliku u tha: Këta duhet të jenë nga fiset Eus dhe Hazrexh, dhe edhe këta nuk përbëjnë ndonjë rrezik. Ata iu afruan luginës, por duke ndjekur gjurmët e Benu Sulejmit, marshuan drejt vendbanimit. Pak më vonë u shfaq një kalorës i vetëm. Maliku i pyeti shokët se çfarë po shikonin. Ata i përshkruan me këto fjalë: Është një kalorës shtatlartë, i cili mban shtizën mbi sup dhe ka një çallmë të kuqe në krye”. Maliku u tha: Ky duhet të jetë Zubejr ibn Avami. Pasha Latin! Bëhuni gati dhe do të ndesheni me të”. Kur Hazret Zubejri zbriti në luginë, ai vërejti praninë e kalorësve mosbesimtarë. Zubejri si një shkëmb qëndroi para atyre ushtarëve, dhe luftoi trimërisht me shtizën e tij dhe u dha goditje kaq të forta, saqë grupi i ushtarëve armike u detyruan të lironin luginën dhe merrnin rrugën e arratisë.

Hazret Urva transmeton nga babai i tij që në luftën e Jermukut, sahabët i thanë Hazret Zubejrit: Përse nuk po sulmoni armikun? Nëse do të hidheni në sulm, ne me siguri do t’ju shoqërojmë. Hazret Zubjeri u tha: Nëse hidhem në sulm, ju do të mbeteni prapa. Megjithatë, ata këmbëngulën se do t’i qëndrojnë përkrah në çdo vështirësi. Kështu, Hazret Zubejri r.a. u hodh në sulm, duke përmbysur radhët e ushtarëve armik dhe duke qarë rezistencën e tyre. Kur doli Hazret Zubejri r.a. në krahun tjetër, ai hodhi një vështrim pas tij dhe gjeti që ishte plotësisht i vetëm. Ai u kthye dhe u hodh prapë në sulm, por mosbesimtarët arritën të kapnin frenat e kalit të tij dhe i shkaktuan dy plagë të rënda në sup.

Urva tregon se Hazret Zubejri kishte pësuar një plagë të thellë në luftën e Bedrit. Kur ishte i vogël, Urva luante me Zubejrin, duke futur gishtat në vrimat e plagëve.

Urva gjithashtu tregon se në luftën e Jermukut, Hazret Zubjerin e shoqëronte djali i tij Abdullah ibn Zubejri, i cili ishte vetëm 10 vjeç. Hazret Zubejri e mbante djalin në kalë dhe kishte caktuar një person që ta ruante atë.

Pas fitores së Sirisë, muslimanët sulmuan Egjiptin nën komandën e Amru ibn Asit r.a.. Ai vendosi të niste sulmin ushtarak në Aleksandri dhe për këtë qëllim urdhëroi të ngrinin një bazë ushtarake në jug të qytetit, afër lumit Nil. Meqë, muslimanët kishin vendosur çadrat ushtarake në atë vend, atij i mbeti emri Fustat. Më vonë, ky vend u zhvillua si qytet dhe zona moderne e këtij qyteti është Kairo e sotme. Hazret Amru ibn Asi r.a. kishte rrethuar Aleksandrinë. Por, duke parë fortifikimin e kalasë dhe numrin e vogël të ushtrisë muslimane, Hazret Amru ibn Asi njoftoi Hazret Omerin r.a. për gjendjen dhe i kërkoi shtimin e forcave. Hazret Omeri r.a. nisi 10 mijë ushtarë nën drejtimin e 4 komandantëve. Ai gjithashtu tha që secili komandant ishte i barabartë me një mijë ushtarë. Hazret Zubejri r.a. ishte njëri prej këtyre katër oficerëve. Me mbërritjen e tij në Egjipt, Hazret Amr ibn Asi r.a. ia dorëzoi udhëheqjen ushtarake dhe rrethimin e kalasë. Hazret Zubjeri hipi në një kalë dhe lëvizi rrotull kalasë. Pastaj, ai rregulloi ushtrinë sipas një plani dhe caktoi trupat ushtarake tokësore dhe kalorësie në vende të ndryshme dhe urdhëroi gjuajtjen e kalasë me gurë përmes katapultave. Rrethimi vazhdoi për 7 muaj, por pa asnjë rezultat.

Një ditë, Hazret Zubejri u tha ushtarëve, “Sot u flijohem muslimanëve”. Ai zhveshi shpatën, ngriti shkallën dhe kapërceu murin e kalasë. Disa ushtarë muslimanë gjithashtu iu bashkuan në këtë aksion. Kur mbërritën në murin e kalasë, ata të gjithë ngritën një slogan të fuqishëm, që u përsërit fuqishëm nga ushtria muslimane duke kumbuar brohoritje shurdhuese që lëkundi gjithë vendin. Të krishterët që gjendeshin brenda kalasë, u trullosën nga zhurma e menjëhershme dhe kujtuan se muslimanët kanë hyrë në kala. Ushtarët e tyre të hutuar u arratisën, ndërsa Hazret Zubejri hapi portën kryesore dhe kështu ushtria muslimane arriti të fitonte kalanë.

Imam Buhariu ka përshkruar imtësisht emërimin e anëtarëve të komisionit të kalifatit si dhe zgjedhjen e kalifit të ardhshëm pas vdekjes së Hazret Zubejrit r.a.. Imam Buhariu shënon: Kur Hazret Omeri r.a. ishte në prag të vdekjes, muslimanët i thanë: O prijësi i besimtarëve! Na lini amanet se kush do të jetë kalifi pas jush. Hazret Omeri u tha: Unë nuk konsideroj askënd më të denjë për detyrën e kalifatit përveç disa personave. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i kënaqur prej tyre, kur ai ndërroi jetë. Hazret Omeri r.a. përmendi këta emra:

  1. Hazret Aliu
  2. Hazret Osmani
  3. Hazret Zubejri
  4. Hazret Talhai
  5. Hazret Sa’adi
  6. Hazret Abdurrahman ibn Aufi

Ai gjithashtu tha që Abdullah ibn Omeri do t’i shoqërojë ata, por nuk do të ketë asnjë të drejtë në zgjedhjen e kalifit. Pastaj tha: Nëse e zgjedhin Sa’adin si Kalif, ai do të mbajë këtë detyrë, për ndryshe, kushdo që zgjidhet kalif, duhet të konsultojë me Sa’adin. Unë e kisha liruar Sa’adin nga detyra, jo për shkak të ndonjë dobësie apo mospërmbushje të detyrës. Unë i lë një amanet kalifit të ardhshëm që të njohë të drejtat e muhaxhirëve dhe të kujdeset për nderin e tyre. Unë gjithashtu i lë amanet që të sillet me dhembshuri e mirësi ndaj ensarëve, të cilët kishin hapur shtëpitë e tyre për vëllezërit e tyre muhaxhirë. Çdokush që kontribuon me vepra të mira prej muhaxhirëve, duhet vlerësuar, ndërsa ai që shfaq dobësi, duhet shmangur. Unë i lë amanet që të kujdeset për çdo qytetar, sepse ai është nën mbrojtjen e Islamit, sepse ai kontribuon me paratë e tij dhe kundërshtari plaset nga smira duke parë shembullin e tyre. Ata që mbledhin zekatin, duhet ta llogarisin atë mbi pasurinë e tepruar të muslimanëve që nuk qarkullon dhe është lënë anash. Zekati duhet të grumbullohet me pëlqimin e besimtarëve dhe paratë e tij duhet t’i jepen shtresës së ulët dhe nevojtare të shoqërisë. Unë gjithashtu i bëj porosi që të sillet mirë me arabët beduinë, sepse ata përbëjnë boshtin kryesor të kulturës arabe dhe lëndën e parë të Islamit. Unë e lë nën mbrojtjen e Allahut dhe nën mbrojtjen e betimit me të Dërguarin e Allahut. Ai duhet të përmbushë zotimet ndaj atyre, të cilëve u ka dhënë premtim, t’i mbrojë ata, dhe t’u kërkojë zekatin sipas mundësive të tyre.

Kur Hazret Omeri r.a. ndërroi jetë dhe përfundoi xhenazja dhe varrimi i tij, u mblodhën ata 6 persona, të cilët i kishte emëruar ai. Hazret Abdurrahman ibn Aufi tha i pari: Tre nga ne t’u japin të drejtën tre të tjerëve. Hazret Zubejri tha: Unë i jap të drejtën time Hazret Aliut. Hazret Talhai tha: Unë po i jap të drejtën time Hazret Osmanit. Hazret Sa’adi tha: Unë po i jap të drejtën time Hazret Abdurrahman ibn Aufit. Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. u tha Hazret Aliut dhe Hazret Osmanit: “Ne do t’i besojmë çështjen e kalifatit, atij i cili tërhiqet nga e drejta e tij prej ju të dyve, dhe Allahu dhe Islamit do të jenë mbrojtës dhe udhërrëfyes për të. Allahu do ta zgjedhë vetëm atë, i cili është më i denjë dhe më i përshtatshëm për këtë detyrë”. Por, asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj dhe ata zgjodhën të rrinë heshtur. Atëherë, Hazret Abdurrahman ibn Aufi u tha: “A jeni dakord për të ma besuar këtë çështje. Allahu qoftë mbikëqyrësi im, unë nuk do të lë asnjë mangësi për të zgjedhur më të mirin prej ju të dyve”. Ata të dy u pajtuan me propozimin e tij. Pastaj, Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. shtrëngoi dorën e njërit prej tyre dhe i tha: “Ju keni lidhje gjaku me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe gëzoni një pozitë të lavdishme në Islam. Allahu qoftë mbrojtësi juaj! A do të veproni me drejtësi, nëse ju emëroj kryetarin? A do t’i bindeni dhe do t’i zbatoni porositë e Osmanit, nëse e emëroj kryetar?” Pastaj, Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. e shoqëroi tjetrin në një anë dhe i tha po ato fjalë që i kishte thënë personit të parë. Kur mori zotimin prej të dyve, Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. i tha Hazret Osmanit r.a.: Ju lutem, ngrini dorën dhe lidhi betimin me të. Pastaj, Hazret Aliu gjithashtu hyri në besëlidhje me të. Pastaj erdhën anëtarët e shtëpisë dhe ata gjithashtu lidhën betim me Hazret Osmanin r.a..

Ngjarjet lidhur me jetën e Hazret Zubjerit r.a. vijojnë edhe në hutben e ardhshme. InshaAllah

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp