Vrasja e Ka'b ibn el-Eshrefit dhe taktikat e luftës sipas fesë islame
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Vrasja e Ka’b ibn el-Eshrefit dhe taktikat e luftës sipas fesë islame

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Muhammed ibn Mesleme el-Ensariu | محمد بن مَسْلَمَة بن سَلَمَة

Sot, do t’ju rrëfej historinë e sahabiut Muhammed ibn Mesleme r.a.. I ati i tij quhej Mesleme ibn Selema.  Në librat e historisë, gjyshi i tij është përmendur me emrin Seleme ose Halit. E ëma e tij quhej Hulejde bint Ebu Ubejde, ndërsa ajo njihej me nofkën Umi Sehm. Muhammed ibn Meslema r.a. i përkiste fisit Eus të ensarëve, dhe ishte aleat me fisin Abdi Esh’al. Ai njihej me nofka të ndryshme p.sh. Ebu Abdullah, Abdurrahman dhe Ebu Said. Sipas Allama Ibn Hexher el-Askalaaniut nofka Ebu Abdullah është më e besueshme.

Sipas një transmetimi, ai ishte lindur 22 vjet para ardhjes së Profetit dhe ishte ndër ata persona, të cilëve u ishte vënë emri Muhammed qysh në kohën e injorancës. Hebrenjtë e Medinës prisnin ardhjen e një profeti, të cilin e kishte parashikuar Musai a.s. dhe i cili do të njihej me emrin Muhammed. Kur banorët arabë të Medinës dëgjuan këtë lajm nga hebrenjtë, ata filluan t’ua vinin emrin Muhammed fëmijëve të tyre. Sipas librave të historisë, që hedhin dritë mbi jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., numri i personave, të cilëve u ishte vënë emri Muhammed, për ogur të mbarë në kohën e injorancës, varionte nga 3 deri në 15. Allama Suhejli, i cili ka komentuar veprën e njohur “Siret Ibn Hisham” ka shënuar tre persona të tillë, me emrin Muhammed, ndërsa Ibni Asiri ka përmendur pesë persona të këtillë. Sipas Abdul Vehab Shiraniut, në Medinë gjendeshin 15 persona me emrin Muhammed.

Për informacion, dua të citoj këta 15 emra këtu. Ata janë:

  1. Muhammed ibn Sufjan
  2. Muhammed ibn Ohejha
  3. Muhammed ibn Humran
  4. Muhammed ibn Huzai
  5. Muhammed ibn Adi
  6. Muhammed ibn Usame
  7. Muhammed ibn Bara’
  8. Muhammed ibn Harith
  9. Muhammed ibn Hirmaz
  10. Muhammed ibn Holi
  11. Muhammed ibn Jahmed
  12. Muhammed ibn Jezid
  13. Muhammed ib Usejdi
  14. Muhammed Fukejmi dhe
  15. Muhammed ibn Mesleme r.a.

Muhammed ibn Meslema r.a. ishte ndër të parët që përqafoi Islamin në Medinë në dorën e Mus’ab ibn Umejrit r.a.. Ai kishte pranuar Islamin para Sa’d ibn Mu’adhit. Me ardhjen e tij në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi lidhje vëllazërore midis tij dhe Ubejda ibn Xherrahit.

Muhammed ibn Meslema r.a. kishte marrë pjesë në ekspeditën e sahabëve për të ekzekutuar Ka’b ibn Eshrefin dhe Ebu Rafi Selam ibn Ebu Hakikin. Këta dy sherrxhinj, ishin përpjekur gjithmonë për t’u sjellë dëm muslimanëve, madje kishin kurdisur intrigë për të sulmuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. gjatë disa ekspeditave ushtarake, e kishte caktuar Muhammed ibn Meslemen mbikëqyrës në Medinë. Djemtë e tij Xhaferi, Abdullahu, Sa’di, Abdurrahmani dhe Omeri konsiderohen ndër sahabë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Përveç betejës së Bedrit, Uhudit dhe Tebukut, ai kishte marrë pjesë në të gjitha betejat e tjera. Në betejën e Tebukut, ai kishte mbetur në Medinë me lejen e Profetit s.a.v.s..

Siç u tha, pak më lartë se Muhammed ibn Meslema kishte marrë pjesë në ekzekutimin e dy kundërshtarëve ngatërrestarë të Islamit. Ndonëse kjo ngjarje është përshkruar hollësisht, para një viti e gjysmë në lidhje me jetën e ‘Ubade ibn Bishrit, dua ta ndaj këtë histori me ju me disa detaj të tjerë.

Armiqësia e Ka’b ibn Eshrefit kundër Islamit

Mirza Beshir Ahmedi ka përshkruar ngjarjen e K’ab ibn Eshrefit me këto fjalë:

“Beteja e Bedrit kishte nxjerrë në pah armiqësinë e thellë të hebrenjve të Medinës, dhe përmes intrigave të ndyra dhe planeve të djallëzuara, ata përshkallëzuan urrejtjen e tyre ndaj muslimanëve. Episodi i Ka’b ibn Eshrefit është veç një hallkë e këtij zinxhiri të gjatë.

Ndonëse, nga përkatësia fetare Ka’bi ishte hebre, por ai nuk ishte i tillë nga prejardhja racore. Ai ishte arab. Babai i tij Eshrefi ishte njeri tinëzar dhe i lëvizshëm, që i përkiste fisit Benu Nebhan. Ai ishte shpërngulur në Medinë dhe përmes lidhjeve me fisin Benu Nedir ishte bërë aleati i tyre. Për pak kohë, kishte arritur aq shumë ndikim e autoritet, saqë kryetari i Benu Nedirit, Ebu Rafi’ ibn Ubel Hukejk, i dhe vajzën e tij për grua. Nga kjo martesë lindi Ka’bi, i cili do të arrinte një pozitë dhe famë më të madhe se babai i tij, derisa të gjithë hebrenjtë e Arabisë e pranuan si udhëheqësin e tyre.

Nëse i hedhim një vështrim karakterit dhe moralit të tij, Ka’b ibn Eshrefi ishte një njeri i ulët dhe i poshtër, i cili shquhej për qëllimet tinëzare dhe përpjekjet djallëzore. Ai dallohej vetëm në nxitjen e urrejtjes, në ndezjen e konflikteve dhe në përhapjen e trazirave.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mbërritur në Medinë, Ka’biibn Eshrefi bashkë me hebrenj të tjerë, ishte firmëtar i marrëveshjes që u nënshkrua midis Profetit dhe hebrenjve për sigurinë, paqen dhe mbrojtjen e ndërsjellë. Megjithatë, Ka’b ibn Eshrefi po plasej nga inati dhe armiqësia prandaj ai nisi të ngrinte kurthe dhe të thurte dredhi ndaj Islamit dhe të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Gjatë viteve në vazhdim, Ka’bi vetëm u ashpërsua në kundërshtimin e tij dhe veçanërisht pas luftës së Bedrit, ai nisi një fushatë tejet të përlyer dhe përçarëse, duke u krijuar muslimanëve situata jashtëzakonisht të rrezikshme.

Muslimanët shënuan një fitore madhështore në fushën e Bedrit dhe shumica e krerëve të Kurejshit ranë në këtë luftë. Nga kjo situatë e re, Ka’b ibn Eshrefi kishte kuptuar që feja islame nuk mund të zhdukej aq shpejt dhe me aq lehtësi. Andaj, menjëherë pas luftës së Bedrit, ai u përbetua se do të përqendronte të gjitha fuqitë në shfarosjen e Islamit.

Ai kishte kuptuar se fitorja e Bedrit ka fuqizuar Islamin, rezultat ky që ai as nuk kishte imagjinuar. Menjëherë pas Bedrit, ai u nis drejt Mekës dhe shfryu gjithë mllefin e inatin para Kurejshve. Përmes thirrjeve nxitëse dhe vargjeve poetike, ai u ngjalli mekasve ndjenjat e hakmarrjes dhe u shtoi zjarrin e urrejtjes kundër muslimanëve. Ai bëri këtë propagandë me aq patos, saqë i mbushi mendjet me urrejtje të fuqishme ndaj muslimanëve. Kur nxitja e Ka’bit u kishte thelluar armiqësinë dhe u kishte zgjuar ndjenjat e hakmarrjes, ai i bëri kurejshët të betoheshin duke kapur perdet e Qabes se nuk do të qetësoheshin derisa nuk shfarosej emri i Islamit nga sipërfaqja e tokës.

Ka’bi vazhdoi misionin e tij të djallëzuar duke hapur vatrat e reja të urrejtjes në fise të tjera arabe. Ai nxiti çdo fis kundër muslimanëve. Duke u kthyer në Medinë, Ka’bi nisi të përshkruante gratë muslimane në poezinë e tij të ndyrë, me shprehje të ulëta e vulgare. Në vargjet nxitëse, ai u referohej grave muslimane me një banalitet të skajshëm që kapërcente çdo nivel moral. Ai nuk kurseu asnjë përpjekje për të njollosur karakterin e bashkëshorteve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., përmes krijimtarisë së tij të shpifur e të ndyrë dhe i përhapi këto vargje anembanë Arabisë. Ai gjithashtu kurdisi një plan për të vrarë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ai kishte planifikuar se do ta ftonte Profetin në një gosti në shtëpinë e tij dhe më pas duke drejtuar një atentat kundër tij nga disa të rinj hebrenjsh. Plani i tij dështoi, pasi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte zbuluar me kohë.

Çështja e Ka’bit kishte arritur kulmin, dhe tashmë i ishin vërtetuar krimet e tij si pabesi, përgatitja e kryengritjes, thirrje për një luftë të armatosur, nxitje për urrejtje, shprehje të pahijshme e të pamoralshme dhe intriga për vrasje. Në bazë të marrëveshjes ndëretnike, e cila ishte nënshkruar midis popujve të ndryshëm që banonin në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte kryetari dhe sunduesi i qytetit. Në cilësinë e kryetarit të qeverisë demokratike të Medinës, ai mori vendimin se Ka’b ibn Eshrefi për shkak të veprimeve të tij të rrezikshme dhe shkeljeve të rënda, meriton të dënohet me vdekje. Intrigat dhe pabesia e Ka’bit kishin pështjelluar harmoninë shoqërore. Situata ishte bërë e tillë që shpallja publike e këtij vendimi mund të nxiste gjakderdhje dhe luftë civile në Medinë, ndërsa i Dërguar i Allahut s.a.v.s. donte të parandalonte çdo konflikt të përgjakshëm midis komuniteteve që jetonin në Medinë. Prandaj, në vend të një dënimi publik, ai porositi që ekzekutimi i Ka’bit të bëhej në mënyrë të fshehur e sekrete.

Këtë detyrë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., i besoi një sahabiu besnik të fisit Eus, i cili quhej Muhammed ibn Mesleme. Profeti gjithashtu ia tërhoqi vëmendjen se për çdo udhëzim, duhet të këshillohej me kryetarin e fisit Eus Sa’d ibn Muadh r.a.. Muhammed ibn Meslema e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Për ta kryer këtë mision në mënyrë të fshehur, do të më duhej të bisedoj me të, dhe për këtë më duhet të sajoj ndonjë arsye. Sepse vetëm kështu, unë mund t’ia mbush mendje që të më shoqërojë në një vend të sigurt ku mund ta qëlloj atë”. Duke llogaritur pasoja të rënda, që mund të shfaqeshin në rast se nuk do të kryhej ekzekutimi i tij në mënyrë të fshehur, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha pëlqimin.

Muhammed ibn Meslema së bashku me Ebu Naila dhe 2-3 sahabë të tjerë, shkoi në shtëpinë e Ka’bit. Ata i thanë se prijësi i tyre Muhammedi (s.a.v.s.) po u kërkon sadaka (lëmoshë), ndërsa ata gjenden në vështirësinë ekonomike. Pastaj i thanë: “A mund të na bësh favor, duke na dhënë hua për pak kohë?” Ka’bi u gëzua pa masë dhe u tha: “Pasha Zotin! Nuk është larg ajo ditë kur Muhammedi do t’ju bëhet i padurueshëm dhe ju do ta braktisni atë”. Muhammed ibn Meslema i tha: “Ne tashmë i jemi nënshtruar atij dhe nuk kemi rrugëdalje tjetër. Duhet të na përgjigjesh për çështjen të cilën të kemi parashtruar. A mund të na ndihmosh apo jo?” Ka’bi u tha: “Në rregull, por duhet të më lini diçka si garanci”. Muhammedi e pyeti: “Çfarë duhet të lëmë?” Ka’bi u tha plot poshtërsi “gratë tuaja!” Muhammedi mezi u përmbajt dhe ia ktheu: “Si mundet të të lëmë gratë tona?” Ka’bi i tha: “Atëherë, na lini djemtë tuaj!” Muhammedi e përjashtoi edhe këtë dhe tha: “Kjo është e pamundur. Nuk mund të lejojmë të bëhemi gazi dhe tallja e krejt Arabisë. Na bën nder, nëse pranon armët tona si garanci”. Ka’bi u pajtua me këtë propozim, ndërsa Muhammedi me shokët e tij u largua me premtimin dhe do të ktheheshin në darkë.

Në darkë, Muhammedi dhe shokët e tij mbërritën te shtëpia e Ka’b ibn Eshrefit. Ata e thirrën jashtë dhe duke bërë muhabet, ecën pak më tutje. Muhammed ibn Mesleme ose ndonjë prej shokëve të tij, i vuri dorë mbi kokë me shkathtësi dhe e tërhoqi vrullshëm prej flokësh. Pastaj menjëherë u bëri thirrje të tjerëve për t’iu vërsulur Ka’bit. Sahabët që rrinin në pritë, menjëherë e qëlluan me shpata dhe e kërdisën në vend. Muhammed ibn Meslema dhe shokët e tij ia mbathën me të katra dhe e raportuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për këtë ngjarje.

Lajmi i vrasjes së Ka’bit ngjalli panik në qytet dhe hebrenjtë u mbushën me mllef. Mëngjesin e së nesërmes, një delegacion i hebrenjve takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i parashtruan ankesë për vrasjen e kryetarit të tyre Ka’b ibn Eshref. Pasi që i dëgjoi me vëmendje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shtroi një pyetje: “A jeni në dijeni për krimet dhe shkeljet e Ka’bit?” Më pas, ai u tregoi në mënyrë të përmbledhur krimet e tij si pabesi, thirrje për luftë, nxitje urrejtje, përdorimi i shprehjeve të pahijshme, shpifje si dhe për intrigën e vrasjes etj. Hebrenjtë heshtën para listës së gjatë të krimeve të Ka’bit. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Pas kësaj ngjarjeje, ju duhet të respektoni parimet e paqes dhe harmonisë dhe nuk duhet të mbillni farat e urrejtjes, përçarjes dhe çrregullimit”.

Me pëlqimin e palës hebre, u hartua një marrëveshje e re midis hebrenjve dhe muslimanëve. Hebrenjtë u betuan edhe një herë se do t’u përmbaheshin paqes dhe bashkëjetesës, ndërsa do t’u shmangeshin përçarjes dhe pështjellimit.

Nëse Ka’bi do të ishte i pafajshëm, hebrenjtë kurrë nuk do të pajtoheshin për të rishkruar marrëveshjen dhe do të protestonin ashpër për hakmarrjen e tij. Në asnjë vepër të historisë nuk përmendet që hebrenjtë i kishin akuzuar muslimanët për vrasjen e Ka’b ibn Eshrefit, sepse ata e dinin se ai kishte marrë dënimin që meritonte.

Disa nga historianët perëndimorë kanë trajtuar gjerësisht vrasjen e Ka’b ibn Eshrefit. Ata e kanë përshkruar këtë ngjarje si një njollë të zezë mbi karakterin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe kanë ngritur akuzë ndaj tij. Për t’iu përgjigjur akuzave të tyre, në fillim duhet të analizojmë se a ishte i drejtë akti i vrasjes? Së dyti, duhet të shqyrtojmë se a ishte e drejtë metoda që u përdor në kryerjen e aktit?

Së pari, duhet të kemi parasysh se Ka’b ibn Eshrefi kishte firmosur një marrëveshje zyrtare me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për paqen dhe stabilitetin e Medinës. Sipas marrëveshjes së nënshkruar, ai jo vetëm që duhet t’i shmangej çdo veprimtarie që mund t’u sillte dëm muslimanëve, por duhet të mbështeste palën muslimane në ekspeditën e tyre ndaj kundërshtarëve të jashtëm si dhe që do të ruante marrëdhëniet miqësore me muslimanët. Në bazë të kësaj marrëveshje, ai kishte pranuar se qeveria demokratike e Medinës do të udhëhiqet nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe duke qenë autoriteti ekzekutiv, Profeti gëzonte të drejtën për të lëshuar vendim në raste mosmarrëveshjesh. Historia na tregon se për shkak të kësaj marrëveshje, hebrenjtë i vinin me mosmarrëveshjet e tyre, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjykonte çështjet e tyre.

Nëse në këto rrethana, Ka’b ibn Eshrefi do të vepronte me tradhti e pabesi ndaj autoritetit, të shkaktonte anarki e pështjellim në Medinë, të angazhohej në përhapjen e konflikteve të përgjakshme në vend, të nxiste fiset arabe kundër muslimanëve dhe së fundmi të orkestronte intrigën e vrasjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., atëherë i gjithë ky bagazh krimesh nuk ishte i tillë që të mos ndërmerrej asnjë masë ndëshkimore ndaj tij? A ndonjë dënim më i vogël se ekzekutimi, mund të frenonte fushatën e rrezikshme të hebrenjve? A nuk u japin edhe sot vendet e ashtuquajtura të civilizuara, dënimin e vrasjes fajtorëve të spiunazhit, tradhtisë kombëtare, shkeljes së marrëveshjes, nxitjes së luftës dhe komplotit të vrasjes?

Pyetja që mbetet tani për t’u shtjelluar, lidhet me metodën që u përdor gjatë ekzekutimit të Ka’b ibn Eshrefit. Ne duhet të dimë se në Arabinë e asaj kohe, nuk ekzistonte ndonjë autoritet apo pushtet formal, përkundrazi çdo njeri apo fis vepronte në mënyrë të lirë e të pavarur. Në këtë situatë, në cilën gjykatë mund të paditej çështja e Ka’bit dhe të kërkohej urdhër ekzekutimi? A duhet të bëhej kjo padi para hebrenjve, të cilët e mbanin Ka’bin si lider a prijës dhe të cilët vetë në të kaluarën kishin bërë pabesi ndaj Muslimanëve dhe vazhdimisht thurnin intriga të reja ndaj muslimanëve? A duhet të ngrihej kjo padi para kurejshve, të cilët ishin armiq të përbetuar të muslimanëve? A t’u kërkohej mbështetje prej fiseve Sulejm dhe Getfan, të cilët vetëm gjatë katër muajve të fundit, kishin tentuar po aq herë për të bërë sulme të befasishme në Medinë?

Merrni me mend se muslimanëve nuk u kishte mbetur asnjë rrugëdalje tjetër, veçse të vepronin vetë, si masë vetëmbrojtëse, kundër këtij individi, i cili për shkak të nxitjeve të vazhdueshme ndaj dhunës, thirrjeve për luftë të armatosur, përhapjes së anarkisë dhe komplotit të vrasjes, ishte bërë i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin e vendit. Kjo zgjidhje ishte shumë herë më efikase dhe më e arsyeshme se sa të rrezikohet jeta e qytetarëve të pafajshëm apo të nëpërkëmbet rendi dhe stabiliteti i vendit.

Nuk duhet të harrojmë se në bazë të marrëveshjes së arritur midis muslimanëve dhe hebrenjve të Medinës pas ngjarjes së hixhretit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ishte më një qytetar i thjeshtë, por ishte kryetar i pushtetit demokratik që ishte themeluar në Medinë. Atij i ishte besuar e drejta për të marrë vendim në të gjitha mosmarrëveshjet si dhe në çështjet e rëndësishme politike. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shfrytëzoi këtë të drejtë vetëm në interes të paqes dhe stabilitetit në Medinë dhe ia shpalli Ka’bit dënimin e vdekjes për shkak të shkeljeve të rënda.

Në këtë mënyrë, nuk qëndron asnjë bazë për të ngritur pikëpyetje ndaj vendimit të ekzekutimit ndaj tij. Historia gjithashtu na tregon se edhe bashkëkombësit e tij hebrenj e konsideruan këtë dënim të drejtë dhe legjitim, pasi që nuk e kundërshtuan, madje mbajtën heshtje e plotë.

Nëse ngrihet akuza që përse hebrenjtë nuk u lajmëruan për shkeljet dhe krimet e Ka’bit, para se të lëshohej vendimi i ekzekutimit të tij sepse kështu, masa e ndëshkimit mund të kryhej në mënyrë zyrtare e të hapur, do t’i përgjigjemi duke thënë që ndjekja e kësaj metode në rrethanat e asokohe, do të përshkallëzonte jashtëzakonisht shumë rreziqet e prishjes së marrëdhënieve ndëretnike dhe të bëhej pikënisja e konflikteve të përgjakshme dhe luftës civile në Medinë.

Si një punë që duhej kryer nxitimthi dhe fshehurazi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori në shqyrtim faktorët që do të ndikonin rendin shoqëror dhe mendoi që ishte arsyeshme të jepej dënimi i Ka’bit në mënyrë të fshehur. Megjithatë, në këtë çështje, nuk bënte pjesë absolutisht dredhia apo mashtrimi dhe as që i kishte ndërmend të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të mbajtur këtë ndëshkim të fshehur përgjithmonë. Të nesërmen, kur i erdhi delegacioni i hebrenjve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u rrëfeu gjithë ngjarjen dhe duke marrë përsipër autorësinë e këtij akti, dëshmoi se nuk sillej me dinakëri apo dredhi. Ai i bëri të njohur haptazi hebrenjtë se Ka’bi ishte shpallur fajtor për këto krime të rrezikshme dhe meritonte dënimin e vdekjes, i cili u shpall me vendimin e tij.

Për sa i përket akuzës se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte dhënë leje sahabëve për të gënjyer dhe për të vepruar me dredhi, duhet të themi se kjo akuzë është plotësisht e pabazë, të cilën e hedhin poshtë hadithet e sakta. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kurrsesi nuk kishte lejuar që sahabët të gënjenin. Sipas transmetimit të Buhariut, kur Muhammed ibn Meslema i tha Profetit se do t’i duhej të sajonte diçka për të biseduar me Ka’b ibn Eshrefin, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke marrë parasysh rrjedhojat e një ekzekutimi të fshehtë, si përgjigje i tha vetëm “po”. As Profeti dhe as Muhammed ibn Meslema nuk e zgjeruan a shtjelluan këtë çështje.

Me këtë përgjigje të shkurtër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka lënë të kuptohet se Muhammed ibn Meslema apo shokët e tij me doemos duhet të sajonin diçka, që t’i mbushnin mendje Ka’bit dhe ai të pajtohej për të dalë jashtë me sahabët. Kjo praktikë nuk mban asgjë të keqe. Spiunët që përmbushin detyrat e tyre në kohë lufte, gjithashtu duhet të trillojnë diçka gjatë shërbimit sekret, dhe asnjëri nuk ngre akuzë ndaj tyre.

Në këtë mënyrë, karakteri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. është i pastër nga çdolloj baltosje. Për sa i  përket çështjes së Muhammed ibn Meslemas, i cili në fakt kishte çelur bisedë me Ka’bin, nuk kishte thënë diçka që binte ndesh me parimet morale. Ai nuk kishte thënë diçka të pavërtetë, megjithatë për shkak të qëllimit të misionit, kishte përdorur disa fjalë të dykuptimta, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Në kushtet e luftës, një devijim i vogël nga përdorimi i gjuhës së thjeshtë dhe të qartë, për shkak të një qëllimi të drejtë dhe madhor, nuk mund të konsiderohet një shkelje e rëndë.

Kuptimi i hadithit se “lufta është mashtrim”

Këtu disa persona kanë ngritur akuzën se a është i drejtë përdorimi i gënjeshtrës dhe dredhimit në luftë. Sipas disa rrëfimeve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

حدثنا عبد الله بن محمد حدثنا عبد الرزاق أخبرنا معمر عن همام عن أبي هريرة رضي الله عنه عن النبي صلى الله عليه وسلم قال هلك كسرى ثم لا يكون كسرى بعده وقيصر ليهلكن ثم لا يكون قيصر بعده ولتقسمن كنوزها في سبيل الله وسمى الحرب خدعة

“Lufta është mashtrim”. Duke u bazuar në këtë hadith, njerëzit nxjerrin përfundimin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. meazallah ka lejuar mashtrimin dhe dredhinë gjatë luftës. Së pari, fjalët الحرب خدعة nuk mund të përkthehen se mashtrimi lejohet në luftë. Këto fjalë kanë kuptimin që vetë lufta është njëlloj mashtrimi, sepse nuk mund të thuhet se si do të përfundojë ajo. Një sërë kushtesh dhe faktorësh ndikojnë në luftë, saqë është e pamundur të parashikohet përfundimi i saj. Ky shpjegim i hadithit vërtetohet nga fakti se hadithi në fjalë është transmetuar në mënyra të ndryshme. Në një transmetim, ky hadith është përcjellë me fjalët الحرب خدعة lufta është mashtrim, ndërsa në transmetimin tjetër, fjalët e hadithit janë سمي الحرب خدعة  lufta quhet mashtrim. Kur bëjmë përqasjen e këtyre dy transmetimeve, arrijmë në përfundimin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ka dashur të thotë se mashtrimi qenka lejuar në luftë, por që vetë lufta është mashtruese.

Megjithatë, nëse hadithi përkthehet se mashtrimi është lejuar në luftë, duhet të dimë se këtu mashtrimi nuk nënkupton gënjeshtrën apo shpifjet, por vetëm taktikat dhe metodat luftarake. Kjo tregon se në luftë lejohet që t’i tërhiqet vëmendje armikut përmes planit e dinakërisë dhe të mbizotërohet ai në befasi.

Dredhitë dhe taktikat luftarake mund të jenë të llojllojshme. Për shembull, hadithit e sakta na tregojnë se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisej për ndonjë ekspeditë, ai në përgjithësi nuk kallëzonte destinacionin e tij. Nganjëherë, nëse i duhej të udhëtonte nga Jugu, ai në fillim merrte drejtimin e veriut, e pastaj bënte një qark të gjerë rreth atij vendi dhe fillonte të udhëtonte nga Jugu. Nganjëherë, nëse dikush e pyeste se nga po vinte, ai në vend të Medinës, i tregonte emrin e një vendi tjetër, të afërt apo të largët, që kishte shkelur gjatë udhëtimit ose përdorte taktika të tjera të luftimit.

Kurani Famëlartë gjithashtu ka përshkruar këtë metodë duke thënë se sahabët ngadonjëherë zbytheshin nga fushëbeteja dhe kur armiku bëhej i shkujdesur dhe pa rend e pa rregull, ushtria muslimane u vërsuleshin në befasi. Këto metoda bëjnë pjesë në kuptimin e hadithit الحرب خدعة lufta është mashtrim. Këto taktika janë të lejueshme edhe sot, siç kanë qenë të lejuara në kohën e Profetit s.a.v.s., megjithatë Islami e dënon ashpër përdorimin e gënjeshtrës e dredhisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë në mënyrë të përsëritur se pas idhujtarisë dhe mosrespektimit të prindërve, mëkati më i rëndë në Islam është gënjeshtra. Ai gjithashtu ka thënë se besimi dhe frika mund të bashkohen në një vend, por besimi dhe gënjeshtra kurrsesi jo. Ai gjithashtu ka thënë që njeriu që shfaq mosbindje dhe frymë rebelizmi, do t’i nënshtrohet ndëshkimit të rëndë të Zotit në ditën e Kijametit.

Pra, ajo që lejohet në luftë, nuk është mashtrimi apo gënjeshtra, por është taktika e luftimit që përdoren për të shmangur vëmendjen e armikut si dhe për ta nënshtruar atë. Nganjëherë, këto taktika në pamjen e parë, u ngjajnë dredhisë dhe gënjeshtrës, por në fakt ato nuk janë të tillë. Hadithi i mëposhtëm mbështet qëndrimin tonë:

عن أم كلثوم بنت عقبة قالت: ما سمعت رسول الله صلى الله عليه وسلم يرخص في شيء من الكذب إلا في ثلاث: كان رسول الله صلى الله عليه وسلم يقول: لا أعده كاذباً الرجل يصلح بين الناس، يقول القول ولا يريد به إلا الإصلاح، والرجل يقول في الحرب، والرجل يحدث امرأته والمرأة تحدث زوجها.

Umi Kulthume bint Akaba transmeton se përveç tri rasteve, ajo nuk ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke lejuar të thuhet diçka që nuk është gënjeshtër, por populli e quan të tillë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte: Së pari në luftë. Së dyti për të thënë diçka që pajton dy persona. Së treti, fjalët që thotë bashkëshorti bashkëshortes apo anasjelltas me qëllim të kënaqin njeri-tjetrin.

Ky hadith nuk i lë asnjë vend dyshimit se ajo lloj taktike që është lejuar në luftë, nuk është as gënjeshtër e as dredhi, por është thjesht tërësia e mjeteve dhe metodave që përdoren në kohën e luftës, dhe që konsiderohen të lejueshme në çdo popull apo fe.

Pasi që përmend ngjarjen e Ka’b ibn Eshrefit, Ibn Hishami ka cituar një transmetim sipas të cilit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte porositur sahabët për të mbytur hebrenjtë kudo që të gjendeshin. Atëherë, një sahab me emrin Muhajasa kishte mbytur një hebre. Këtë transmetim, e ka cituar Ebu Davudi. Burimi i këtyre dy transmetimeve është Ibn Is’haku.

Hazret Mirza Beshir Ahmedi ka komentuar këtë hadith dhe ka thënë:

“Sipas parimeve të rivajetit (të shkencës së transmetimit), ky hadith është i dobët dhe i pabesueshëm. Ibn Hishami e ka cituar këtë transmetim, pa përmendur burimin përkatës, ndërsa zinxhiri i transmetuesve në Ebu Davud është i dobët. Në këtë transmetim Ibn Is’haku ka thënë që ai e kishte dëgjuar këtë hadith nga skllavi i liruar i Zejd ibn Thabitit r.a., megjithatë nuk i dihet emri këtij skllavi të panjohur, ndërsa ai e kishte dëgjuar prej vajzës së panjohur të Muhajasas.

Çdokush mund të merret me mend se një transmetim i tillë është i papranueshëm, derisa dy personat nga zinxhiri i transmetuesve janë të panjohur dhe paemra. Po ashtu, nëse e shqyrtojmë nga ana e dirajetit (për në bazë të përmbajtjes), kjo ngjarje nuk mund të jetë e vërtetë, përderisa i kundërvihet dukshëm praktikës së përgjithshme të Profetit s.a.v.s.. Nëse supozojmë se me të vërtetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte lëshuar një urdhër të tillë, atëherë jo një, por duhet të ishin kryer disa vrasje, ndërkohë hadithi në fjalë përmend vetëm për një vrasje. Kjo na çon në përfundimin se urdhri nuk ishte i përgjithshëm.

Përveç kësaj, kur hadithet e sakta vërtetojnë se të nesërmen i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nënshkruar një marrëveshje të re me hebrenjtë, është e pakuptimtë që në të njëjtën kohë, ai të lëshonte një urdhër të tillë.

Po ashtu, nëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të kishte shpallur një urdhër të tillë, hebrenjtë me doemos do të kishin protestuar kundër tij dhe të ngrinin zërin kundër kësaj padrejtësie. Ndërkohë, asnjë nga burimet historike nuk na tregojnë se hebrenjtë kishin shprehur kundërshtimin e tyre.

Si përfundim, mund të themi që parimet e rivajetit dhe dirajetit e përgënjeshtrojnë këtë histori. I vetmi kuptim që mund t’i vishet këtij transmetimi është që vrasja e Ka’b ibn Eshrefit u kishte ngjallur ndjenjat e zjarrta hebrenjve të Medinës dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte ndjerë rrezikun prej tyre, prandaj ai u kishte dhënë porosi sahabëve të tij, që të jenë vigjilentë ndaj ndonjë sulmit si hakmarrje. Në këtë kontekst, ai gjithashtu u kishte thënë që nëse nuhasin rrezik prej ndonjë hebreu, i cili hidhet në sulm ndaj tyre, ata mund ta eliminojnë në vetëmbrojtje. Duket se kjo gjendje duhet të kishte qëndruar vetëm për disa orë, pasi të nesërmen ishte nënshkruar marrëveshja e re midis muslimanëve dhe hebrenjve dhe ishte kthyer rendi dhe paqja në vend.

Ai gjithashtu ka shkruar që ekziston një mosmarrëveshje lidhur me datën e ekzekutimit të Ka’b ibn Eshrefit. Sipas Ibn Sa’dit, kjo ngjarje kishte ndodhur në Rabiul Evel, sipas Ibn Hishamit kjo kishte ndodhur pas ekspeditës së Zejd ibn Harithes, për të cilën ka një konsensus se ajo kishte ndodhur në Xhemadiul Ahira. Hazret Mirza Beshir Ahmedi i është mbështetur renditjes së Ibn Hishamit.

Ngjarje të tjera të kësaj historie do të rrëfehen në të ardhmen. Insha-Allah

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp