Jeta e Muhammed ibn Meslemas r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Muhammed ibn Meslemas r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në fjalimin e fundit, është folur mbi jetën e Hazret Muhammed ibn Meslemes r.a., dhe kjo temë do të vijojë edhe në hutben e sotme. Pyetjet që ishin përgjigjur në atë fjalim, ishin që:

  1. Muhammed ibn Meslema r.a. ishte ngarkuar me misionin e ekzekutimit të Ka’b ibn Eshrefit. Për ta arritur këtë, ai me hile ia kishte mbushur mendjen Ka’bit për të dalë nga shtëpia dhe e shoqëroi pak larg, ku përfundimisht e mbyti. A nuk ishte ky një mashtrim dhe gënjeshtër?
  2. U shqyrtua gjithashtu një thënie profetike, sipas së cilës disa dijetarë pretendojnë që kinse lejohet të gënjejmë në tri rrethana. A është një keqinterpretim që i jepet këtij hadithi që përligj dredhinë në tri situata të caktuara?

Në hutben e fundit, kam shtjelluar dhe qartësuar këto çështje me argumente bindëse në bazë të librit Siret Khaten Nebijjin. Mesihu i Premtuar a.s. gjithashtu ka shpjeguar me hollësi këtë çështje, në veprën e tij, Nurul Kuran, si përgjigje ndaj një akuze nga një i krishterë. Dua t’ju rrëfej një pjesë të atij shkrimi, i cili argumenton bindshëm se Islami në asnjë mënyrë e në asnjë rrethanë nuk e lejon gënjeshtrën. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. i referohet kësaj akuze dhe shkruan:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka lejuar gënjeshtrën në tri rrethana. Kurani Famëlartë gjithashtu i lejon besimtarët me një urdhër të prerë që mund të fshehin besimin në vështirësi, ndërkohë bibla nuk e lejon që besimtari të fshehë bindjen fetare.

Ne e hedhim poshtë këtë akuzë sepse bibla nuk ka as 1/10 të asaj që porosit Kurani Famëlartë për mbrojtjen e së vërtetës. Kurani e krahason gënjeshtrën me idhujtarinë, siç thotë:

فَاجْتَنِبُوا الرِّجْسَ مِنَ الْأَوْثَانِ وَاجْتَنِبُوا قَوْلَ الزُّورِ

“…Shmanguni prej ndotësisë së idhujtarisë dhe largohuni prej fjalëve të rreme!” (el-Haxhxh 22:31)

Ai gjithashtu deklaron:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ بِالْقِسْطِ شُهَدَاءَ لِلَّـهِ وَلَوْ عَلَىٰ أَنفُسِكُمْ أَوِ الْوَالِدَيْنِ وَالْأَقْرَبِينَ

“O ju që besuat! Si dëshmitarë për hir të Allahut, bëhuni të qëndrueshëm në vendosjen e drejtësisë, edhe sikur ju duhet të dëshmoni kundër vetes suaj, kundër prindërve apo të afërmve”. (Ali-Imran 3:136)

Mesihu i Premtuar a.s. i drejtohet akuzuesit dhe thotë:

“O njeri shpirtzi! Shfleto pak biblën dhe tregona ndonjë varg që i jep aq shumë peshë ndalimit të gënjeshtrës. Ju keni thënë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. paska lejuar gënjeshtrën në tri situata. Më vjen keq se keni gabuar nga padituria. Me të vërtetë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ka lejuar gënjeshtrën në asnjë rrethanë, përkundrazi ka thënë:

وإن قُطِعْتَ ، وإن حُرِّقْتَ

“Nuk do të gënjesh, edhe nëse rrezikohesh të mbytesh apo të hidhesh në zjarr”.

Në një anë kemi Kuranin Famëlartë i cili deklaron qartë se të qëndroni të vendosur në drejtësi dhe mos u largoni nga e vërteta, edhe nëse ju duhet të flijoheni për këtë qëllim, kurse në anën tjetër kumbojnë fjalët e hadithit që flisni vetëm të vërtetën edhe nëse vriteni apo hidheni në zjarr. Nëse një hadith u kundërvihet dukshëm urdhrave të Kuranit Famëlartë dhe haditheve të sakta, ai do të përjashtohet dhe nuk do t’i kushtohet asnjë vlerë, sepse ne e pranojmë të mirëqenë vetëm atë hadith, që përputhet me Kuranin Famëlartë dhe hadithe të sakta. Megjithatë, disa hadithe tregojnë se torija (التَوْرِية) d.m.th. përdorimi i fjalëve me kuptime të dyfishta me maturi është e lejueshme. Për të nxitur urrejtje, keqdashësit e ilustrojnë këtë lloj lejimi si gënjeshtër. Kur një njeri i përciptë dhe mendjelehtë, has një fjalë të tillë në hadith, që është përdorur për arsye shpjegimi apo thjeshtësimi, ndoshta ai e konsideron si diçka të pavërtetë e të rremë. Ndoshta, ai është i paditur nga vendimi i prerë i Islamit, sipas të cilit gënjeshtra dhe shpifja janë të ndyra e të ndaluara në Islam njësoj si idhujtari.

“Torja” pra fjalët me kuptimet e dyfishta nuk është e njëjtë me gënjeshtër, ndonëse populli e përdor atë si dredhi në situatë të vështira dhe kujton se ai është lejuar në hadith. Megjithatë, të dëlirët janë ata që u shmangen dhe fjalëve të dykuptimta.

Torja është një term islamik e cila përkufizohet si të shprehurit me anë të shembujve dhe simboleve, për të mbuluar diçka apo për të mbajtur të fshehur ndonjë sekret, në mënyrë që të kuptohet nga njerëzit me shkallë të lartë intelektuale, dhe të mos kuptohet nga njerëzit e thjeshtë, apo t’u drejtohet vëmendje në një drejtim të kundërt nga qëllimi i folësit. Shprehje të tilla, mund të deshifrohen dhe kuptohen vetëm me anë të vëmendjes dhe përqendrimit të thellë. Folësi në kësisoj rastesh, nuk mund të pandehet si gënjeshtar sepse ka thënë vetëm të vërtetën, dhe nuk ka treguar asgjë të paqenë dhe as nuk ka dashur kurrsesi të gënjejë.

Në disa hadithe, gjejmë lejimin e torijes apo të përdorimit të fjalëve të dykuptimta, nëse përmes tyre synohen pajtimi i dy muslimanëve, shmangja e një ngatërrese a mosmarrëveshje me jetën bashkëshortore apo fshehja e interesave strategjike prej kundërshtarit apo shpërqendrimi i vëmendjes në një drejtim tjetër. Megjithatë, ekzistojnë edhe hadithe të tjera, të cilat tregojnë se torja i kundërvihet standardit të lartë të takuas (druajtjes) dhe një e vërtetë e qartë është akoma më e mirë, edhe nëse i duhet të japë jetë apo të hidhet në zjarr duke mbrojtur atë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka porositur që besimtari derisa është mundur, t’u shmanget shprehjeve të tilla të dykuptimta, me qëllim që përmbajta e fjalëve edhe në formën e jashtme, të mos ngjajë me diçka të pavërtetë. Unë gjithashtu shoh se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. edhe pse mbeti i vetmuar në fushëbetejën e Uhudit, deklaronte trimërisht përpara shpatave të zhveshura se unë jam Muhammed, unë jam i Dërguar i Allahut dhe jam i biri i Abdul Mutalibit”.

Dua të bëj një sqarim se në librin Nurul Kuran, prej të cilit është marrë ky citat, ka një fusnotë, sipas së cilës i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë fjalë të lartpërmendura në betejën e Hunejnit e jo në Uhud. Departamenti i hulumtimit tashmë kanë gjetur një referencë nga libri i historisë Siretul Halbija se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë këto fjalë si në Hunejn po ashtu në Uhud. Prandaj, departament i botimeve duhet ta heqë këtë fusnotë nga teksti për botime të ardhshme. Unë kam vërejtur se nganjëherë, për të shtjelluar fjalët e Mesihut të Premtuar a.s., veprohet me nxitim e ngutje. Kjo fusnotë gjithashtu kishte një gabim, edhe pse ajo duhet t’i nënshtrohej studimit të gjatë dhe kërkimit shkencor. Meqë, kam hasur këtë referencë, prandaj dëshiroj të qartësoj se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte shprehur këto fjalë në dyja ngjarjet pra si në Hunejn po ashtu në Uhud.

Mesihu i Premtuar a.s. shkruan më tutje:

“Nëse ndonjë hadith përshkruan përdorimin e fjalëve të dykuptimta, për arsye shpjegimi si një lloj gënjeshtër, prapëseprapë torja nuk mund të barazohet me gënjeshtër. Përqasja e gënjeshtrës me përdorimin e fjalëve të dykuptimta është një injorancë e hatashme, ndërkohë Kurani Famëlartë dhe hadithet e sakta përnjëmend e cilësojnë njëzëri gënjeshtrën si haram dhe të ndyrë. Hadithet e sakta i japin torijes një përkufizim të drejtë e të plotë. Të zëmë, në vend të torijes, kemi hasur fjalën “kidhb” (gënjeshtër) në tekstin e ndonjë hadithi, por meazallah si mund t’i referohet ajo gënjeshtrës në kuptimin e plotë të fjalës. Përkundrazi, përdorimi i fjalëve të dykuptimta është tregues për nivelin e takuas (drojtjes) së transmetuesit të këtij hadithi, i cili ka kuptuar torijen si gënjeshtër, dhe e ka zëvendësuar torije me fjalën kidhb (gënjeshtër). Ne jemi të detyruar t’u bindemi Kuranit dhe haditheve të sakta dhe nëse ndonjë çështje bie ndesh me ata, ne do ta përjashtojmë atë kuptim, që u kundërvihet atyre.

Kurani i ka mallkuar gënjeshtarët dhe ka thënë që ata shoqërohen me djajtë. Gënjeshtarët janë pabesimtarë, prandaj u zbresin djajtë. Kurani nuk na porosit vetëm për të thënë të vërtetën, por gjithashtu na urdhëron për t’iu shmangur gënjeshtarëve, për t’u mos miqësuar me ta. Kurani na porosit për t’iu frikësuar Allahut dhe për të qëndruar në shoqërinë e atyre që janë të vërtetë (me fjalë e vepra) (et-Teube 9:120). Në një vend ai thotë “Kur të flasësh, duhet të thuash vetëm të vërtetën dhe nuk duhet të gënjesh as për shaka”.

Muhammed ibn Mesleme el-Ensariu | محمد بن مَسْلَمَة بن سَلَمَة

Pas këtij shpjegimi, i kthehem temës së sotme, pra historisë së Muhammed ibn Meslemes r.a. si e do t’ju rrëfej ngjarje të tjera nga jeta e tij.

Hebrenjtë e fisit Benu Nedir kishin kurdisur një plan për të kryer atentat kundër jetës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. duke rrëzuar mokrën e mullirit mbi të. Allahu i Madhërishëm përmes shpalljes e lajmëroi të Dërguarin e Tij me komplotin e tyre. Profeti brofi nga vendi, sikur kishte punë të ngutshme dhe nxitoi për në Medinë. Sahabët e pritën për pak kohë, e pastaj ata gjithashtu u kthyen. Me të mbërritur në Medinë ata mësuan se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thirrur Muhammed ibn Meslemen. Ebu Bekri r.a. i tha: “O i Dërguar i Allahut! Përse u larguat aq shpejtë, ndërsa ne nuk e dinim?” Ai iu përgjigj: “Hebrenjtë donin të bënin dredhi me mua, por Allahu më njoftoi nga plani i tyre. Prandaj, u largova nga vendi”.

Allahu i Madhërishëm ka zbritur një ajet rreth kësaj ngjarjeje:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا نِعْمَتَ اللَّـهِ عَلَيْكُمْ إِذْ هَمَّ قَوْمٌ أَن يَبْسُطُوا إِلَيْكُمْ أَيْدِيَهُمْ فَكَفَّ أَيْدِيَهُمْ عَنكُمْ ۖ وَاتَّقُوا اللَّـهَ ۚ وَعَلَى اللَّـهِ فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُؤْمِنُونَ ﴿﴾

“O ju që besuat! Kujtojeni bekimin e Allahut që keni mbi vete, kur një popull kishte vendosur t’i zgjaste duart drejt jush (për t’ju dëmtuar), por Ai i pengoi ato. Kini druajtje ndaj Allahut. Allahut le t’i mbështeten besimtarët”. (el-Maideh 5:12)

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua Muhammed ibn Meslemes dhe tha: Shko te hebrenjtë e Benu Nedirit dhe thuaju: “Kam ardhur me urdhrin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që t’ju lajmëroj për t’u dëbuar nga qyteti im”. Duke vepruar sipas porosisë së Profetit s.a.v.s., Muhammed ibn Meslema shkoi te hebrenjtë e Benu Nedirit dhe i njoftoi se “i Dërguar i Allahut s.a.v.s. më ka dërguar t’ju përcjell një mesazh. Por, para se t’ju tregoj mesazhin, dua t’ju kujtoj një bisedë të vjetër, që shpesh keni shprehur në kuvendet tuaja?” Hebrenjtë e pyetën: “Për ç’bisedë bëhet fjalë?” Muhammed ibn Meslema u tha: “Ju bëj thirrje në emër të tevratit, të cilin Allahu ia zbriti Musait, a mbani mend se ju kisha vizituar njëherë para se të vinte i Dërguar i Allahut, Muhammedi s.a.v.s.. Ju kishit hapur Tevratin para meje dhe më kishit thënë: “O Ibn Meslema! Nëse dëshiron që të shtrojmë bukë, ne do të bëjmë këtë. Nëse dëshiron të pranojmë në fenë hebre, ne mund ta përmbushim edhe këtë dëshirë”. Atëherë, ju pata thënë, se më mirë më shtroni sofër se sa të më ftoni në fenë tuaj. Pasha Allahun! Unë kurrë nuk do të kthehem në fenë hebre. Pastaj ju më shtruat ushqim në një tas të madh. Pastaj, ju më thatë që nuk dua të pranoj fenë tuaj, sepse ishte feja e hebrenjve e gjoja unë kërkoja rrugën e Ibrahimit. Profecia për ardhjen e një lajmëtari nuk përmbushej në qenien e murgut Ebu Amir. Pastaj, ju më kishit thënë që së shpejti do të vijë ai zotëri fisnik e i ngazëlluar, i cili do të shpallë luftë. Ai do të jetë me sy të kuq e do të shfaqet nga drejtimi i Jemenit. Ai do të udhëtojë në deve, e do të mbështillet me një çarçaf dhe të mbajë një shpatë. Ai do të kënaqet me pak e do të bisedojë me urtësi, sikur është i afërmi juaj. Pasha Allahun, ky qytet do të përjetojë plaçkitjet, kërditë dhe çnderimin e trupave pajetë”. Hebrenjtë që e dëgjonin me vëmendje, iu përgjigjën njëzëri: “Është e vërtetë. Ne ashtu kemi thënë, por ky (d.m.th. Muhammedi s.a.v.s.) nuk qenka ai profet i parashikuar”. Muhammed ibn Meslema u tha: “Tashmë kam kryer detyrën time, për t’ju përcjellë mesazhin. Unë thjesht doja t’ju kujtoja diçka”. Pastaj tha: “Më ka dërguar i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe ai ka thënë që ju e keni shkelur marrëveshjen që ai kishte nënshkruar me ju dhe jeni orvatur të bëni dredhi me të”. Pastaj ai i njoftoi hebrenjtë për komplotin e tyre dashakeq, që e kishin kurdisur kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai ua rrëfeu hollësisht planin e tyre për ta mbytur Profetin, se si duke e ngjitur Amr ibn Xhehashin në çati, do të lëshonin mokrën e mullirit mbi atë.

Hebrenjtë i zuri heshtja dhe ata nuk nxorën asnjë fjalë nga goja. Muhammed ibn Meslema u shpalli dekretin dhe tha: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka lëshuar vendimin që të largoheni nga qyteti i tij. Ai ju ka dhënë dhjetë ditë afat, për t’u larguar nga qyteti, dhe kushdo që do të mbetet këtu pas këtij afati, atij do t’i pritet koka”.

Hebrenjtë i thanë: “Ne as që kishim menduar se një përfaqësues i fisit Eus do të na përcillte një lajm kaq të zymtë”. Ibn Meslema u tha: “Zemrat tashmë kanë ndryshuar”

Gjatë ditëve në vazhdim, hebrenjtë morën masat për t’u shpërngulur. Bagëtitë e tyre gjendeshin në Dhu Xhedr, i cili është një kullotë që ndodhej afër 10 kilometra nga Medina në drejtim të Kubasë. Ata i mbanin bagëtitë e tyre në këtë vend për kullotje. Ata huazuan devetë nga fisi Benu Eshxhe’ dhe përfunduan përgatitjet për t’u nisur nga Medina.

Kalifi II r.a. ka përshkruar me hollësi, sjelljen e hebrenjve. Ndonëse, kjo ngjarje që lidhet me tradhtinë e tyre, është rrëfyer njëherë në kontekstin e jetës së Amar ibn Jasirit r.a., por për shkak të rëndësisë historike, ia vlen të përsëritet edhe njëherë. Ai shkruan:

“Pabesia e tyre nuk ishte e tillë që mund të anashkalohej. Profeti Muhammed s.a.v.s. u dërgoi njoftimin sahabëve r.a. që të mos pushonin nëpër shtëpi, por të gjendeshin te fortesat e Benu Kurejdhëve, përpara rënies së muzgut. Ai dërgoi Aliun r.a. tek ata për t’i pyetur se përse kishin dalë të pabesë duke vepruar kundër marrëveshjes. Në vend që të tregoheshin të penduar, t’u kërkonin falje ose të paktën t’u jepnin ndonjë arsye, ata zunë ta fyenin Aliun r.a. dhe shokët e tij, e fyenin Profetin s.a.v.s. dhe gratë e familjes së tij dhe thanë: “Ne nuk e njohim Muhammedin (s.a.v.s.). Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje me të”.

Aliu r.a. u kthye me përgjigjen e tyre, ndërkohë Profeti s.a.v.s., bashkë me sahabët r.a., po shkonte drejt kështjellave të tyre. Ngaqë ata e fyenin keq Profetin s.a.v.s., gratë dhe vajzat e tij, Aliu r.a. ndjeu që Profetit s.a.v.s. do t’i vinte shumë keq. Prandaj ai i tha të kthehej dhe se sahabët ishin të mjaftueshëm për t’u marrë me hebrenjtë. Por, Profeti s.a.v.s. tha: “E kuptoj që ata po më shajnë dhe ju mendoni që unë të mos i dëgjoj”.

Aliu r.a. iu përgjigj me pohim. Profeti s.a.v.s. tha:“Çfarë ndodh nëse ata më shajnë?! Musai a.s. ishte profeti i tyre, të cilin ata e lënduan më keq”.

Me këto fjalë, Profeti s.a.v.s. vazhdoi rrugën e tij drejt kështjellave të tyre. Por, ata i mbyllën dyert për t’u ngujuar në fortesë, dhe shpallën luftë kundër muslimanëve. Në këtë luftë morën pjesë edhe gratë e tyre. Teksa ishin ulur disa muslimanë poshtë murit të kështjellës, një grua hebre hodhi një gur dhe vrau një musliman. Pas rrethimit disaditor, hebrenjtë e kuptuan që ata nuk mund të luftonin gjatë në këtë mënyrë. Atëherë, i kërkuan Profetit s.a.v.s. që t’u dërgonte Ebu Lebaba Ensarin, i cili ishte mik i tyre, njëkohësisht kryetari i fisit Eus. Ata donin të këshilloheshin me të. Profeti s.a.v.s. ua dërgoi Ebu Lebabanë. Hebrenjtë e pyetën: “A të pranojmë propozimin e Muhammedit (s.a.v.s.) i cili thotë që të dorëzohemi dhe t’ia lëmë në dorë atij të na gjykojë?”

Këshilltari i tyre me gojë u tha “Po”, por duke e çuar dorën te fyti i tij, bëri një shenjë në atë mënyrë, që i la të kuptonin se do të vriteshin. Profeti s.a.v.s. gjer atëherë nuk kishte shfaqur ndonjë vendim të tijin. Por, Ebu Lebaba vetë gjykoi që pabesia e tyre nuk meritonte gjë tjetër përveçse ndëshkim me vdekje dhe ai pa menduar thellë ua bëri një shenjë që do të bëhej shkak i shkatërrimit të tyre.

Nëse ata do ta pranonin gjykimin e Profetit s.a.v.s., atëherë, maksimumi, do të dëboheshin nga Medina, ashtu siç u dëbuan fise të tjera hebraike. Fatkeqësisht, ata kthyen përgjigje: “Ne nuk jemi gati të pranojmë vendimin e Muhammedit (s.a.v.s.). Ne do të pranojmë atë që do të vendosë Sad bin Muadhi, kryetari i fisit Eus, aleati ynë”.

Ndërkohë, hebrenjtë u përçanë. Disa prej tyre thanë: “Populli ynë bëri pabesi dhe sjellja e muslimanëve tregon që feja e tyre është e drejtë”. Këta e lanë fenë e tyre dhe përqafuan Islamin. Amr bin Ma’di r.a., njëri prej krerëve të tyre, i qortoi hebrenjtë duke thënë: “Keni bërë pabesi duke shkelur marrëveshjen. Ose bëhuni muslimanë, ose pranoni ta paguani xhizjen”. Ata thanë: “As nuk do të bëhemi muslimanë, as nuk do ta paguajmë xhizjen. Për ne, më mirë të vdesim”.

“Mirë atëherë, unë po çlirohem nga përgjegjësia”, duke thënë këto fjalë, Amri u largua. Tek po dilte nga fortesa, atë e pa një njësi trupash muslimane, komandanti i së cilës ishte Muhammed bin Meslema r.a.. Ai e pyeti: “Kush je?”. Amri i tregoi për veten. Muhammed bin Meslema r.a. tha: “Mund të shkosh lirisht”, dhe më pas bëri këtë lutje:

“O Allah! Kurrë mos më privo t’ua mbuloj gabimet njerëzve të mirë”.

Kjo do të thoshte se ngaqë Amri ishte penduar për veprimin që kishte bërë ai dhe populli i tij, muslimanët moralisht ishin të detyruar t’ia falnin. Muhammed bin Meslema, për këtë arsye, nuk e kishte kapur Amrin dhe i lutej Zotit që t’i mundësonte gjithmonë për të bërë mirësi të tilla. Kur Profeti s.a.v.s. u vu në dijeni për këtë ngjarje, ai nuk i bëri ndonjë vërejtje se pse e kishte lënë të lirë hebreun, madje, e përgëzoi për këtë veprim.

Për shkak të porosive dhe edukimit prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., muslimanët kanë vepruar gjithnjë me drejtësi. Por vrsaja e hebreut Ebu Rafiu kishte ardhur si pasojë e shkeljes së banorëve të Hajberit. Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka përshkruar ngjarjen e vrasjes së Ebu Rafiut me hollësi, se si një grup sahabësh, përfshirë Muhammed ibn Meslemen ishte ngarkuar me këtë mision. Ai shkruan: “Hujej ibn Akhtab ishte një prej krerëve të hebrenjve, të cilët përmes veprimeve provokuese dhe propagandës shpifëse, në vitin 5 pas hixhretit, kishin nxitur luftën e rrezikshme të Ahzabit kundër muslimanëve. Hujej ibn Akhtabi kishte pësuar vdekjen, së bashku me Benu Kurejdhët, por Selam ibn Ebil Hukejku, i cili njihej me nofkën Ebu Rafi, vazhdonte lirisht veprimtarinë e tyre kërcënuese e luftënxitëse në rajonin e Hajberit. Madje, humbja e thellë në luftën e Ahzabit dhe përfundimi i tmerrshëm i Benu Kurejdhëve, e kishin ashpërsuar akoma në armiqësi. Fiset e Gatfanit nuk ishin shumë larg, ndërsa hebrenjtë e Hajberit dhe fiset barbare e luftarake të Nexhedit ishin fqinjë me njëri-tjetrin. Prandaj, Ebu Rafiu, i cili ishte një tregtar i pasur, kishte bërë si zakon, që të nxiste këto fise barbare kundër muslimanëve. Në armiqësi me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., Ebu Rafiu i ngjante plotësisht Ka’b ibn Eshrefit.

Në atë kohë, Ebu Rafiu i ndihmoi gatfanitë me para dhe mjete për t’u hedhur në sulm kundër të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Sipas burimeve të historisë, në muajin Shaban, u nis një njësi ushtarake nën drejtimin e Aliut r.a. nga Medina për të asgjësuar rrezikun që u kanosej nga fisi Benu Sa’d. Mbrapa kësaj situate, qëndronte dora e fshehtë e hebrenjve të Hajberit, të cilët, nën udhëheqjen e Ebu Rafiut, vijonin pandërprerë dredhitë e tyre.

Por, Ebu Rafiu nuk u ndal me kaq. Armiqësia e tij e thellë ishte e etur për gjakun e muslimanëve, dhe qenia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e mundonte si gjemb në sy. Përfundimisht, ai kurdisi planin për të udhëtuar në fiset e Nexhdit si Gatfan etj, njësoj siç kishte vepruar në luftën e Ahzabit. Në këtë mënyrë, ai nisi t’i mobilizonte ata si një ushtri të madhe për të kërdisur muslimanët. Kur situata arriti deri në këtë pikë dhe muslimanëve edhe njëherë u vinin ndërmend pamjet e Ahzabit, disa sahabë nga fisi Hazrexh takuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i thanë që e gjithë kjo katrahurë mund të pushojë vetëm me zhdukjen e kokës së saj, që ishte Ebu Rafi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e mori në shqyrtim gjithë situatën e krijuar, dhe arriti në përfundimin që vrasja e një njeriu të rrezikshëm dhe luftënxitës ishte më e mirë se gjakderdhje masive në vend. Në këtë mënyrë, ai u dha miratim, për ekzekutimin e Ebu Rafiut dhe nisi 4 sahabë të fisit Hazrexh nën drejtimin e Abdullah ibn Utejkut. Para se t’i përcillte ata, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u dha porosi të qarta dhe tha: “Mos mbytni ndonjë grua apo fëmijë!”

Kjo ekspeditë ishte nisur në muajin ramazan të vitit 6 pas hixhretit dhe përmbushi misionin me zgjuarsi e në mënyrë profesionale. Me këtë zhvillim, u larguan rreziqet që i kanoseshin Medinës. Imam Buhariu ka përshkruar këtë ngjarje në sahihun e tij në mënyrë të hollësishme.

Bera ibn Azibi r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi një njësi këmbësorie të sahabëve te Abu Rafi hebreu, nën drejtimin e Abdullah ibn Utejk el-Ensariu r.a.. Ebu Rafiu gjithmonë mundohej t’i shkaktonte dëm të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe nxiste njerëzit kundër tij.

Kishte perënduar dielli, kur Abdullah ibn Utejku dhe shokët e tij mbërritën pranë kështjellës së Ebu Rafiut. Abdullah ibn Utejku i la shokët mbrapa dhe vetë iu afrua portës së kështjellës. Ai mbështolli veten mirë me një çarçaf, dhe u ul pranë shkurreve sikur po kryente nevojat. Kur erdhi rojtari i kështjellës, ai vuri re dikë që qëndronte aty, prandaj iu drejtua për të hyrë brenda, para se të mbyllej porta. Abdullahu, i cili e kishte mbështjellë veten me çarçaf, menjëherë hyri brenda dhe u mblodh në një qoshe të fshehur. Rojtari kyçi portën dhe u largua duke lënë çelësin në varëse.

Pastaj Abdullah ibn Utejku rrëfen këtë ngjarje: “Unë dola nga vendi ku isha i fshehur dhe në fillim e hapa portën me çelës, që në rast nevojë, mund të dilja me shpejtësi nga porta.

Ebu Rafiu ndodhej në shesh, i rrethuar nga njerëzit dhe bënin muhabet. Kur mbaroi kuvendi dhe njerëzit u shpërndanë, unë u ngjita me nxitim përpjetë shkallëve. Çdo derë që kaloja, e mbyllja nga brenda, derisa hyra në dhomën e Ebu Rafiut. Ai kishte shuar qiririn dhe ishte gati për të fjetur. Dhoma kishte errësirë të plotë. Unë e thirra Ebu Rafiun me emër dhe e ai më pyeti se kush isha. Unë lëviza në drejtimin e zërit dhe qëllova shpatën me gjithë fuqinë. Por për shkak të errësirës dhe gjendjes emocionale, goditja shkoi kot. Ebu Rafiu ulëriu fort dhe  menjëherë dola nga dhoma. Pas pak çastesh, hyra prapë në dhomë dhe e pyeta duke ndryshuar zërin “Ebu Rafi! Ç’ishte kjo zhurmë?” Ai nuk më dalloi dhe tha: “Të rëntë pika! Dikush sapo më ka goditur me shpatë”. Unë sërish iu vërsula dhe e qëllova fort. Goditja ishte fatale por ai akoma nuk kishte dhënë shpirt. Atëherë i dhashë goditjen e tretë që e la pajetë.

Pastaj, unë dola nga dhoma, duke çelur dyert njëra pas tjetrës me nxitim. Kur zbrisja prej shkallëve, kujtova se i kam kaluar të gjitha edhe pse kishin mbetur akoma dy-tri shkalla. Kështu për shkak të errësirës, u rrëzua nga shkallët dhe theva kyçin e këmbës. Sipas një transmetimi, kyçi i këmbës i kishte dalë nga vendi. Megjithatë, e lidha me çallmë dhe duke u zvarritur dola nga porta kryesore. Në atë moment, vendosa që derisa nuk jam bindur se Ebu Rafiu është vrarë, nuk kam për t’u larguar nga ai vend. Prandaj, gjeta një vend afër kështjellës, për t’u fshehur. Ndaj të gdhirë, dëgjova një zë nga kështjella se tregtari Ebu Rafiu ka vdekur.

Pasi që u sigurova për vdekjen e tij, u ngrita nga vendi dhe u bashkova me shokë të mi. Me t’u kthyer në Medinë, e njoftuam të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për ekzekutimin e Ebu Rafiut. Ai dëgjoi gjithë ngjarjen dhe më porositi për të nxjerrë përpara këmbën time. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e fërkoi duke bërë lutje. Pastaj, m’u duk sikur nuk kisha pasur kurrë dhimbje në atë këmbë”.

Sipas një transmetimi tjetër, kur Abdullah ibn Utejku goditi Ebu Rafiun, gruaja e tij nisi të ulërinte me zë të lartë. Ai u frikësua se njerëzit do të alarmohen nga zëri i saj, dhe nga frika, ngriti shpatën për ta vrarë, por në atë çast, iu kujtuan fjalët e Profetit s.a.v.s. dhe ndërroi mendjen.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi në veprën “Siret Khatemun Nebijjin” ka shkruar që nuk kemi nevojë aspak për të hyrë në polemikë lidhur me ligjshmërinë e ekzekutimit të Ebu Rafiut. Veprimtaritë e tij luftënxitëse dhe gjakatare janë një kapitull i hapur i historisë. Një shkrim i argumentuar, është përmendur në lidhje me ngjarjen e Ka’b ibn Eshrefit.

Muslimanët ndodheshin në gjendje shumë të dobët dhe ishin rrethuar nga rreziqet e mëdha. I gjithë vendi ishte ngritur në këmbë për t’i kërdisur ata. Në një gjendje të tillë, Ebu Rafiu takonte fise të ndryshme dhe i nxiste ato kundër Islamit. Ai me dinakëri kishte organizuar një komplot të madh, dhe duke i mobilizuar të gjitha fiset barbare arabe kundër muslimanëve, kishte bashkërenduar forcat për të sulmuar Medinën, njësoj siç kishte ndodhur në luftën e Ahzabit. Në arabinë e asaj kohe, nuk ekzistonte një sundim legjitim që pushtonte mbarë vendin, dhe të cilit mund t’i ankohej. Çdo fis ishte i lirë e i pavarur. Përveç marrjes së masave të duhura në vetëmbrojtje, nuk ekzistonte ndonjë mënyrë tjetër, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. drejtonte një sundim legjitim në Medinë. Çfarëdo veprimesh dhe misionesh që sahabët kanë realizuar në atë kohë e në ato rrethana, janë plotësisht të drejta dhe legjitime. Në një gjendje lufte, kur një popull përballet me pyetje ekzistenciale, kësisoj masash konsiderohen plotësisht të ligjshme.

Gjatë periudhës së Kalifatit të tij, Omeri r.a. e kishte caktuar Muhammed ibn Meslemen si përgjegjës për të mbledhur paratë e zekatit nga fisi Xhuhejna. Sa herë që i bëhej ndonjë ankesë ndaj përfaqësuesve, Omeri r.a. e dërgonte Muhammed ibn Meslemen për hetim. Kalifi kishte besim mbi të, prandaj e dërgonte gjithashtu për të mbledhur taksat shtetërore. Omeri r.a. e kishte caktuar për të zgjidhur çështje të ndërlikuara në vende të ndryshme. Kur Sa’d ibn Ebu Vekas ndërtoi një kështjellë në Kufe, Omeri r.a. dërgoi Muhammed ibn Meslemen si përfaqësues i tij për të inspektuar dhe për ta hetuar atë.

Sipas këtij rrëfimi, Omeri r.a. kishte mësuar që Sa’d ibn Ebi Vekasi r.a. ka ndërtuar fortesën me një portë të tillë, që nuk dëgjohej zëri i jashtëm. Omeri r.a. dërgoi Muhammed ibn Meslemen me porosinë që kur të mbërrinte në Kufe, t’i vinte flakë asaj porte. Me të mbërritur në Kufe, Muhammed ibn Meslema nxori çakmakun dhe i vuri flakë portës. Kur Sa’di doli jashtë për të parë çfarë kishte ndodhur, Muhammed ibn Meslema ia rrëfeu porosinë e Omerit r.a. për t’i vënë zjarr asaj porte.

Në histori përmendet se pas martirizimit të Osmanit r.a., Muhammed ibn Meslema r.a. jetonte në vetmi. Ai kishte bërë një shpatë prej drurit, të cilën e mbante me vete. Ai tregonte se ashtu e kishte porositur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ai rrëfen: “i Dërguar i Allahut s.a.v.s. më dhuroi një shpatë dhe porositi që të bëja xhihad me të kundër idhujtarëve, deri në atë kohë që ata na sulmojnë dhe ushtrojnë dhunë ndaj nesh. Por, nëse shikon se muslimanët kanë nisur vëllavrasje dhe kanë shpallur luftë kundër njëri-tjetrit, atëherë shkatërroje këtë shpatë duke e goditur në shkëmb. Pastaj, vendosu në shtëpi, derisa të afrohet dora e ndonjë keqbërësi ose të vjen vdekja”. Muhammed ibn Meslema veproi sipas porosive të Profetit s.a.v.s. dhe nuk mori pjesë në konfliktet dhe mosmarrëveshje të brendshme të muslimanëve dhe nuk mori pjesë në luftën e Xhemelit dhe Safejn.

Zubejr ibn Husejn Th’elebi transmeton se ishim ndenjur te Hudhejfa r.a.. Ai na tregoi se njihte një person, të cilit fitnetë dhe mosmarrëveshjet nuk mund t’i sillnin asnjë dëm. Ne e pyetëm se kush ishte ai. Hudhejfa r.a. na tregoi se ai është Muhammed ibn Meslema el-Ensariu.

Pas pak kohe, Hudhejfa r.a. ndërroi jetë dhe shfaqi fitneja (anarki e ngatërresa). Unë iu bashkova atyre që largoheshin nga Medina dhe u ndalëm në një oazë. Aty pashë një tendë të vjetër. Ajo ishte prishur nga një anë dhe era e tundte andej këndej. Unë pyeta se kush rrinte aty dhe njerëzit më thanë se ajo i përkiste Muhammed ibn Meslemes. Kur iu afrova për të përshëndetur, e gjeta në moshë të vjetër. Unë i thashë: “Allahu ju mëshiroftë! Me të vërtetë jeni ndër muslimanët më të mirë. Keni braktisur qytetin, shtëpinë, familjen dhe farefiset tuaja”.  Ai u përgjigj: “Unë i kam lënë ato sepse e urrej të keqen”.

Lidhur me datën e vdekjes së tij, ka disa mendime. Sipas transmetimeve të ndryshme, ai duhet të ketë ndërruar jetë në vitin 43, 46 ose 47 pas hixhretit në Medinë. Në kohën e vdekjes, ai ishte 77 vjeç. Mervan ibn Hekemi ia udhëhoqi namazin e xhenazes. Sipas disa transmetimeve, ai kishte rënë dëshmor.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp