Rrethimi i shtëpisë së Hazret Uthmanit, Kalifit të Tretë, nga rebelët
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Rrethimi i shtëpisë së Hazret Uthmanit, Kalifit të Tretë, nga rebelët

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hutben e kaluar ju tregova rreth ngatërresës (fitne) që u shfaq në kohën e Kalifatit të Hazret Uthmanit. Do ta vijoj temën edhe sot, sërish duke iu referuar Hazret Kalifit të Parë të Mesihut të Premtuar a.s.. Shumicën e referencave ai ka marrë nga Taberi dhe më pas bëri analizë të tyre duke treguar pikëpamjen e tij. Ai thotë:

Nga sahabët ishin vetëm tre që u mashtruan nga rebelët

Muhammed bin Ebu Bekr, Muhammed bin Hudhejfe dhe ‘Amar bin Jaseri ishin tre sahabë që u mashtruan dhe iu bashkuan rebelëve. Përveç këtyre, asnjëri nga banorët e Medinës, qoftë sahab, qoftë jo-sahab, nuk i përkrahu rebelët. Përkundrazi, çdokush prej banorëve të Medinës i qortonte dhe i mallkonte. Por medinasit nuk e kishin më kontrollin në duart e tyre.

Rrethimi i shtëpisë së Hazret Uthmanit r.a.

Për 20 ditë rebelët bënë negociata me Hazret Uthmanin r.a. që ai të dorëhiqej nga Kalifati. Por Hazret Uthmani e refuzoi tërësisht kushtin e tyre duke thënë:

– Këmishën që Allahu i Madhërishëm më ka veshur, unë nuk e heq dot. As umetin e Muhammedit s.a.v.s. nuk mund ta lë dot vetëm që ju t’i bëni mizori sipas qejfit tuaj!

Hazret Uthmani r.a. pra bëri përpjekje të vazhdueshme për t’i bindur dhe për t’i qetësuar rebelët.

Sahabëve ai u thoshte:

– Këta njerëz sot po shkaktojnë trazira dhe kërkojnë jetën time. Por kur unë nuk do të jem më, këta do të rënkohen dhe thonë – Eh sikur çdo ditë e Uthmanit të ishte kthyer në një vit dhe ai të mos largohej kaq herët nga ne! Kjo sepse pas meje do të shikoni gjakderdhje të mëdha dhe mizori të madhe.

Dhe kështu ndodhi. Në kohën e Benu Umejjes, Kalifati u kthye në mbretëri dhe këta rebelë u ndëshkuan aq fort, sa nuk e kishin imagjinuar kurrë.

Rebelët i ndaluan Hazret Uthmanin bukën dhe ujin

Sidoqoftë, kaluan 20 ditë. Rebelët ndjenin se nuk kishin shumë kohë në dispozicion, sepse kishin frikë se do të mbërrinin ushtritë nga shtetet e tjera muslimane dhe ata do të ndëshkoheshin. Ata e dinin shumë mirë se po bënin gabim të rëndë dhe se shumica e muslimanëve ishin në krahun e Hazret Uthmanit. Prandaj, futën Hazret Uthmanin në arrest shtëpie. Më pas, i ndaluan edhe ushqimin dhe ujin, duke menduar se mbase Kalifi do të detyrohej të pranojë kushtet e tyre. Por ai ua kishte dhënë përgjigjen edhe më parë:

– Këmishën që ma ka veshur Allahu i Madhërishëm, unë nuk e heq dot!

El-Gafiki bin Harb, drejtues i rebelëve në Medinë

Rebelët bashkërisht zgjodhën kryekomandantin e ushtrive të Egjiptit, Gafiki [الغافقی بن حرب El-Gafiki bin Harb], si lider të tyre. Tanimë i gjithë kontrolli i Medinës ishte në duart e rebelëve. Kështu, pikërisht Gafiki u bë drejtues de fakto i Medinës. Kurse ushtrinë e Kufës e drejtonte Eshteri dhe atë të Basrasë Hekimi bin Xhebla. Ky i fundit ishte i njëjti person që u kishte grabitur paratë dhimive (jomuslimanëve) dhe për këtë krim të tij, Hazret Uthmani e kishte dënuar me burgim.

Pra, grabitësi i djeshëm sot ishte bërë drejtuesi i një prej qyteteve kryesore. Të dy këta, Eshteri dhe Hekimi bin Xhebla, filluan të punonin me urdhrat e Gafikit. Kjo provon edhe një herë që autorët kryesorë të këtij komploti ishin egjiptianë, aty ku punonte ‘Abdullah bin Sebe’ [عبد الله ابن سبأ الحميري].

Në Xhaminë e Profetit s.a.v.s. namazet i drejtonte Gafiki, kurse sahabët e Profetit një pjesë u vetëmbyllën në shtëpitë e tyre, dhe një pjesë tjetër ishin të detyruar të falnin namazet mbrapa tij. Për sa kohë që rebelët ende nuk e kishin rrethuar shtëpinë e Hazret Uthmanit, edhe banorët e Medinës nuk i shqetësonin kaq shumë, por sapo vendosën rrethimin, ata filluan t’i shtrëngonin edhe banorët. Medina tashmë nuk ishte qyteti i paqes, por i luftës. Nderi dhe jeta e banorëve të Medinës ishin në rrezik ekzistencial. Askush nuk mund të guxonte të dilte nga shtëpia pa qenë i armatosur. Kushdo që u ballafaqua me rebelët, u vra.

Hazret Aliu ndeshet me rebelët pranë shtëpisë së Hazret Uthmanit r.a.

Rebelët kur i ndaluan Hazret Uthmanit bukën dhe ujin, ai dërgoi një djalë të fqinjit te Hazret Aliu, te Hazret Talha, te Hazret Zubejri dhe te Nënat e besimtarëve (Gratë e nderuara të Profetit s.a.v.s.), me mesazhin që rebelët ia kishin ndërprerë bukën dhe ujin dhe, në qoftë se kishin mundësi, ta ndihmonin atë dhe familjen e tij, duke i sjellë ujë.

Hazret Aliu r.a. ishte i pari ndër burrat që erdhi për të ndihmuar. Ai iu drejtua rebelëve duke thënë

– Veprimet tuaja nuk u ngjajnë as besimtarëve e as mohuesve. Mos i ndaloni ushqimin dhe ujin Uthmanit. Edhe romakët dhe persët kur burgosin, u japin të burgosurve për të ngrënë e për të pirë. Kurse veprimet tuaja nuk përligjen aspak me Islamin. Çfarë të keqe ju ka bërë Uthmani, që jeni bërë gati ta burgosni dhe ta vrisni atë?!

Fjalët e Hazret Aliut ranë në vesh të shurdhrit. Rebelët këmbëngulën që në shtëpinë e Hazret Uthmanit të mos hynin as ushqimi e as uji. Këtë përgjigje ata i kishin dhënë atij të cilin e quanin trashëgimtar dhe mëkëmbës të Profetit Muhammed s.a.v.s.. Pas kësaj përgjigjeje, a ka nevojë më për ndonjë dëshmi tjetër për të provuar se këta nuk kishin dalë nga shtëpia për të përkrahur të vërtetën dhe as për hir të dashurisë ndaj Ehli-Bejtit, por vetëm për interesat e tyre të ulëta, pavarësisht se pretendonin se Hazret Aliu të ishte trashëgimtari i Profetit?!

Poshtërimi i Ummu Habibes r.a., nënës së besimtarëve, nga rebelët te dera e Hazret Uthmanit

Ndër Nënat e besimtarëve, e para që doli për të ndihmuar Hazret Uthmanin ishte Hazret Ummu Habibe[امّ حبیبہ]. E hipur në një mushkë, duke mbartur një bidonë me ujë, ajo mbërriti te shtëpia e Hazret Uthmanit. Por qëllimi i vërtetë i ardhjes së saj ishte tjetër gjë. Hazret Uthmani kishte testamentet e jetimëve dhe të vejave të Benu Umejjes. Ummu Habibe kur pa që rebelët e kishin rrethuar shtëpinë e Hazret Uthmanit, pati frikë se testamentet do të dëmtoheshin. Ajo deshi t’i siguronte testamentet përpara se të asgjësoheshin. Ujin mund t’ia çonte në ndonjë mënyrë tjetër.

Kur Ummu Habibja mbërriti te dera e shtëpisë së Hazret Uthmanit, rebelët tentuan ta ndalonin. – Është Nëna e besimtarëve!, u thanë disa njerëz. Por ata sërish nuk u tërhoqën. Filluan t’i godisnin mushkën. Ummu Habibja iu drejtua duke thënë:

– Kam frikë se do të dëmtohen testamentet e jetimëve dhe të vejave të Benu Umejjes, andaj dua të hyj, që t’i siguroj ato.

– Ti po gënjen!, Iu përgjigjën të ligjtë bashkëshortes fisnike të Profetit Muhammed s.a.v.s..

Rebelët ia sulmuan mushkën Ummi Habibes dhe ia këputën litarët e samarit. Samari iu rrëzua dhe edhe ajo gati do të rrëzohej përtokë dhe do të shkelej nën këmbët e rebelëve, po të mos kishin ndërhyrë disa nga banorët e Medinës që kishin mbërritur atje, të cilët e mbajtën dhe më pas e përcollën te shtëpia e saj.

Dashuria dhe sedra e Ummu Habibes për Profetin Muhammed s.a.v.s.

Këtë sjellje të neveritshme rebelët i bënë jo ndokujt tjetër, por bashkëshortes fisnike të Profetiti Muhammed s.a.v.s.. Hazret Ummu Habibe kishte kaq shumë dashuri dhe sedër për Profetin s.a.v.s., saqë kjo mund të shihet nga një ngjarje e jetës së saj.

Ajo kishte rreth pesëmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë vjet që ishte ndarë nga prindërit dhe nuk i kishte parë më. Babai i saj ishte një prej prijësve arabë dhe jetonte si mbret në Mekë. Një herë, ai erdhi në Medinë me një mision politik dhe, pas një periudhe kaq të gjatë, vizitoi edhe të bijën. Tek po ulej ai, Hazret Ummi Habibe pa që aty ishte shtruar çarçafi i Profetit s.a.v.s.. Ajo menjëherë ia hoqi çarçafin, sepse nuk mund të duronte që një idhujtar i papastër ta prekte çarçafin e bekuar të Profetit Muhammed s.a.v.s..

Por sa e çuditshme që ishte ajo që ndodhi! Hazret Ummi Habibja në mungesë të Profetit u kujdes edhe për shenjtërinë e rrobave të tij, por rebelët (të ashtuquajtur muslimanë), në mungesë të Profetit s.a.v.s. nuk u kujdesën as për bashkëshorten e tij, e cila ishte edhe nderi i Profetit s.a.v.s.! Ata thanë se bashkëshortja e Profetit s.a.v.s. po gënjente, ndërkohë ajo e thoshte vetëm të vërtetën. Hazret Uthmani r.a. ishte kujdestari i jetimëve të Benu Umejjes. Duke parë armiqësinë e rebelëve që shtohej çdo ditë e më shumë, ishte plotësisht me vend frika e Ummi Habibes për sa u përket testamenteve të jetimëve dhe të vejave të Benu Umejjes. Realisht, gënjeshtarët ishin rebelët që pretendonin dashurinë për Profetin Muhammed s.a.v.s., por kishin ndërmarrë shkatërrimin e fesë së tij.

Përpjekjet e Hazret Aishes r.a. gjatë trazirave

Lajmi për sjelljen e vrazhdë që iu bënë rebelët Hazret Ummi Habibes u përhap në Medinë. Sahabët dhe banorët e qytetit mbetën të shtangur dhe e kuptuan shumë qartë që ishte kot të prisnin ndonjë mirësi prej tyre. Hazret Aishja r.a. vendosi të shkonte për Haxh. Ajo filloi edhe përgatitjet e udhëtimit. Kur njerëzit mësuan se ajo do të largohej nga Medina, disa iu lutën të mos shkonte, se ndoshta nga prania e saj ajo do të ndihmonte sadopak në shuarjen e konfliktit dhe rebelët ndoshta të paktën asaj do t’ia respektonin fjalën. Por ajo refuzoi dhe tha:

– A doni që ata të sillen edhe me mua njësoj siç janë sjellë me Ummu Habiben? Për Zotin! Nuk dua të rrezikoj nderin tim! [Ajo e tha këtë sepse nderi i saj ishte nderi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..] Cila është garancia për mbrojtjen time?! Vetëm Zoti e di se deri ku do ta tejkalojnë këta rebelë dhe ku është fundi i tyre.

Megjithatë, duke shkuar për në Haxh, Hazret Aishja r.a. tentoi të bënte diçka, gjë që po të kishte sukses, ndoshta do ta qetësonte situatën ndopak. Ajo i dërgoi mesazh vëllait të saj, Muhammed bin Ebu Bekrit, që ta shoqëronte në Haxh. Vëllai i saj deri atëherë kishte rënë në mashtrimet e rebelëve dhe për shkak se ishte i vogël në moshë, i paditur dhe me besim të dobët, ishte rreshtuar me rebelët. Ai e refuzoi ftesën e motrës së tij. Hazret Aishja r.a. u shpreh:

– Asgjë nuk mund të bëj më shumë. Sikur të kisha fuqi, nuk do të lejoja kurrë që këta të kishin sukses në planet e tyre.

Hazret Aishja r.a. u nis për në Haxh. Disa sahabë që mundën, gjithashtu u larguan. Të tjerët dhe disa nga sahabët e vjetër mbetën në shtëpitë e tyre në Medinë.

Letra e Hazret Uthmanit drejtuar Drejtuesve të shteteve muslimane

Edhe Hazret Uthmani r.a. përfundimisht e ndiente se rebelët nuk do të tërhiqeshin më. Ai dërgoi një letër drejtuar të gjithë drejtuesve të shteteve islamike, në të cilën, në thelb ai thoshte:

Pas Ebu Bekrit dhe Omerit, pa pasur asnjë kërkesë apo dëshirë nga ana ime, mua më përfshinë në këshillin e Kalifatit. Pa pasur dëshirë apo kërkesë nga ana ime, mua më zgjodhën edhe Kalif. Unë vazhdova detyrat që i bënin edhe Kalifët para meje. Nuk shpika asnjë bid’at nga ana ime. Por, u mboll një farë e keqe në zemrat e disa njerëzve kundër meje. Ata filluan të bënin komplote kundër meje. Para njerëzve ata shfaqnin diçka tjetër, kurse në zemër kishin diçka tjetër. Zunë të më bënin akuza, të cilat i bënin edhe ndaj Kalifëve të mëparshëm. Megjithëkëtë, unë heshta. Por këta njerëz keqpërdorën mëshirën time dhe u shtuan edhe më shumë në keqbërje. Përfundimisht, njësoj si mohuesit, e sulmuan Medinën. Prandaj, është pikërisht kjo kohë kur ata prej jush që kanë mundësi të ndihmojnë, duhet të më ndihmojnë.

Letra e Hazret Uthmanit drejtuar haxhinjve

Po kështu, një letër të tillë, Hazret Uthmani r.a. ua dërgoi edhe haxhinjve që do të mblidheshin në Mekë. Në këtë letër ai u thoshte (përmbledhje e letrës):

Ju tërheq vëmendjen drejt Allahut të Madhërishëm dhe ju kujtoj bekimet e Tij që Ai ka bërë për ju. Në këtë kohë, disa njerëz po bëjnë ngatërresa dhe tentojnë të përçajnë Islamin, por ata nuk menduan se Kalifin e bën Zoti i Madhërishëm, siç Ai Vetë e ka thënë:

وَعَدَ اللّٰہُ الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا مِنۡکُمۡ وَ عَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ لَیَسۡتَخۡلِفَنَّہُمۡ فِی الۡاَرۡضِ

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besuan dhe bënë të mira, se patjetër do t’i bëjë kalifë në tokë”[1]

Këta rebelë nuk vlerësojnë bashkimin, edhe pse Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar:

وَ اعۡتَصِمُوۡا بِحَبۡلِ اللّٰہِ جَمِیۡعًا

Kapeni fuqimisht litarin e Allahut![2]

Po këta rebelë u besuan atyre që më akuzonin mua, edhe pse Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar në Kuran:

یٰۤاَیُّہَا الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡۤا اِنۡ جَآءَکُمۡ فَاسِقٌۢ بِنَبَاٍ فَتَبَیَّنُوۡۤا

“O ju që besuat! Nëse ju vjen një i pabindur me ndonjë lajm, kontrollojeni mirë (para se ta besoni).”[3]

Dhe këta rebelë nuk respektuan bejatin (besëlidhjen) e tyre me mua, edhe pse Allahu i Madhërishëm për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. ka thënë:

اِنَّ الَّذِیۡنَ یُبَایِعُوۡنَکَ اِنَّمَا یُبَایِعُوۡنَ اللّٰہَ

“Ata që bënë bejatin tënd, në të vërtetë kanë bërë bejatin e Allahut.”[4]

Dhe unë jam zëvendësi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., andaj ky ajet i Kuranit aplikohet edhe mbi mua. Asnjë popull nuk mund të përparojë pa një udhëheqës. Asnjë xhemat nuk mund të ketë sukses pa imam. Kurse këta duan ta shkatërrojnë umetin musliman.

Kushtet e rebelëve për Hazret Uthmanin r.a.

Këta nuk duan asgjë tjetër përveç shkatërrimit, sepse unë ua kam pranuar kushtin për t’i ndërruar drejtuesit e shteteve. Por tani, këta më vendosin kushte të reja dhe nuk tërhiqen. Këta më kërkojnë njërën prej tri alternativave:

  1. Ata që janë ndëshkuar gjatë periudhës së Kalifatit tim, duan të hakmerren me mua për ta.
  2. Ose duhet të jap dorëheqje nga Kalifati dhe këta të vendosin dikë tjetër në vendin tim.
  3. Nëse nuk do të pranoj asnjërën nga këto dy, më kërcënojnë që do të nxisin të gjithë bashkëmendimtarët e tyre që të tregojnë mosbindje ndaj meje.

Përgjigjja e kushtit të parë është që vendime të tilla kanë marrë edhe Kalifët para meje dhe disa prej vendimeve të tyre edhe ishin të gabuara. Por askush nuk u hakmor me ta për to. (Pra, nëse ka qenë i gabuar ndonjë vendim për të ndëshkuar dikë, Kalifi nuk u detyrua të paguante shlyerjen). Andaj, kushtet e rebelëve synojnë vetëm vrasjen time.

Hazret Uthmani r.a. vijoi:

Për sa i përket pikës që kërkon dorëheqjen time nga Kalifati, unë u them se nëse më vrasin duke më bërë copë-copë trupin tim, jam gati të vritem, por nuk mund të dorëhiqem nga Kalifati. Allahu më ka veshur këtë këmishë, të cilën unë nuk e heq dot.

Kurse për pikën e tretë që këta do të angazhojnë njerëzit e tyre anekënd për të nxitur mosbindjen kundër meje, atëherë le të dëgjojnë se unë nuk jam përgjegjës për këtë pranë Allahut. Nëse këta duan ta kundërshtojnë Kalifatin, le ta kundërshtojnë. Edhe bejatin nuk ua kam kërkuar me detyrim. Kushdo që dëshiron të prishë bejatin me mua, le ta prishë. Unë nuk e detyroj atë, por nuk do të pajtohem me të dhe as Allahu nuk do të jetë i kënaqur me të.

Ngaqë po afroheshin ditët e Haxhit dhe njerëzit nga të katra anët po mblidheshin në Mekë, Hazret Uthmani mendoi që rebelët mund të krijojnë ndonjë ngatërresë edhe atje. Po kështu, ai donte t’u bënte thirrje muslimanëve që do të vinin për Haxh, të ndihmonin banorët e Medinës. Ai caktoi Hazret Abdullah bin Abasin, Emir të Haxhit dhe e porositi të shkonte në Mekë. Por Abdullah bin Abasi i tha:

– Dua më shumë xhihadin kundër rebelëve sesa të shkoj në Haxh si drejtues i pelegrinazhit.

Por Hazret Uthmani nuk e pranoi dhe e detyroi të shkonte për në Haxh dhe të shërbente si drejtues atje, në mënyrë që rebelët të mos krijonin ngatërresa edhe atje, dhe gjithashtu, t’u bënte thirrje edhe haxhinjve për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Medinës. Letrën e sipërpërmendur Hazret Uthmani ia dorëzoi pikërisht Hazret Abdullah bin ‘Abasit.

Rebelët gjuajnë me gurë Hazret Uthmanin dhe familjen e tij

Kur rebelët mësuan për dërgimin e letrave, ata filluan të ushtronin dhunë edhe më shumë ndaj Hazret Uthmanit. Filluan ta provokonin në mënyra të ndryshme, në mënyrë që ai t’u kundërpërgjigjej, dhe këta të gjenin pretekstin për ta sulmuar e për ta vrarë Hazret Uthmanin. Por Hazret Uthmani nuk u kundërpërgjigjej dhe ata dështonin në tentativat e tyre. Kur nuk gjetën asnjë metodë tjetër, filluan ta gjuanin me gurë gjatë natës. Donin që edhe Hazret Uthmani ose ndonjë nga anëtarët e tij të familjes të provokohej e t’u përgjigjej të paktën me të njëjtën monedhë, në mënyrë që ata të thoshin se – Ja, po na gjuajtkan me gurë, andaj, edhe ne duhet të sulmojmë. Por Hazret Uthmani i ndaloi anëtarët e familjes të mos u përgjigjeshin atyre.

Një ditë, Hazret Uthmani gjeti mundësi të vinte deri te ballkoni dhe u tha:

O njerëz! Sipas jush unë jam fajtori juaj. Po pse shqetësoni anëtarët e tjerë të familjes sime? Nga gurët që po gjuani ju, mund të lëndohet edhe dikush tjetër përveç meje.

Ata refuzuan haptas duke thënë:

– Nuk të kemi gjuajtur me asnjë gur!

– Kush po na gjuan atëherë, nëse nuk po gjuani ju? I pyeti Hazret Uthmani.

– Allahu, ndoshta! Iu përgjigjën ata.

Me’adhaAllah!

Hazret Uthmani r.a. iu përgjigj: – “Po gënjeni. Nëse Allahu i Madhërishëm do të na qëllonte ne me gurë, do të qëllonte në shenjë dhe nuk do të dështonin gurët e Tij. Janë pikërisht gurët tuaj që gjuani andej e këtej.”

Pas kësaj Hazret Uthmani u largua prej tyre.

Përpjekjet e sahabëve në këtë kohë kritike

Sahabëve ndonëse nuk u jepej më mundësia për t’u mbledhur te Kalifi i kohës, ata nuk ishin të pavëmendshëm ndaj detyrave të tyre. Ata i kishin ndarë detyrat në dy pjesë. Sahabët e vjetër që kishin ndikim te njerëzit për shkak të moralit të tyre të lartë, u caktuan të bënin takime me njerëzit e t’u flisnin rreth situatës. Kurse ata që ishin të rinj, u ngarkuan për të mbrojtur Hazret Uthmanin.

Në grupin e parë Hazret Aliu dhe fituesi i Persisë Hazret Sa’d bin Vekkasi u spikatën më shumë se të gjithë në realizimin e përgjegjësisë së tyre. Sidomos Hazret Aliu, gjatë këtyre ditëve kritike, kishte lënë çdo punë personale apo familjare dhe i tëri u angazhua në zbutjen e situatës. Një prej dëshmitarëve të këtij fakti që quhet Abdurrahman, rrëfen:

– Në ato ditë trazirash, kam parë Aliun që kishte lënë të gjitha punët e veta dhe bënte çdo përpjekje për t’i qetësuar armiqtë e Uthmanit nga njëra anë, dhe nga tjetër për t’u kujdesur natë e ditë për Uthmanin. Një herë furnizimi i ujit te shtëpia e Hazret Uthmanit u vonua. Hazret Aliu u tregua shumë i pakënaqur ndaj Hazret Talhasë, i cili ishte i ngarkuar me këtë detyrë. Më pas, nuk pushoi derisa u sigurua që e furnizuan me ujë shtëpinë e Hazret Uthmanit.

Nga grupi i dytë i muslimanëve, sa herë që dilte mundësia, nga dy ose tek e tek, shkonin në shtëpinë e Hazret Uthmanit ose në ndonjë shtëpi fqinje me të. Këta ishin zotuar të vriteshin por të mos lejonin armikun t’i afrohej Hazret Uthmanit. Në këtë grup ishin bijtë e Hazret Aliut, bijtë e Hazret Talhasë, bijtë e Hazret Zubejrit dhe përveç tyre edhe një grup prej sahabësh. Këta natë e ditë i qëndronin rojë shtëpisë së Hazret Uthmanit dhe nuk lejonin asnjë armik t’i afrohej.

Rojat muslimanë në krahasim me rebelët ndonëse ishin të paktë në numër dhe nuk mund të ndesheshin me ta, por edhe rebelët nuk i trazonin dot ata, për shkak se ata kërkonin që Hazret Uthmani të provokohej dhe ai vetë t’u jepte pretekstin e sulmit ndaj tij.

Sa largpamës ishte Hazret Uthmani për mbrojtjen e Islamit!

Ngjarjet që ndodhën gjatë kësaj periudhe, hedhin dritë të fuqishëm mbi dashurinë e Hazret Uthmanit për Islamin. Përpara shtëpisë së tij po qëndronte një ushtri rebelësh që ishin rreth 3000 veta. Ai nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi. Megjithatë, ai i ndalonte muslimanët t’i bënin rojë atij dhe u thoshte:

– Largohuni dhe mos e rrezikoni veten! Këta kanë armiqësi vetëm me mua, e jo me mu.

Sytë e tij e shihnin të ardhmen, kur Islami do të ishte në një rrezik të madh për shkak të këtyre ngatërrestarëve dhe Islamit jo vetëm që i rrezikohej bashkimi fizik, por edhe sistemi shpirtëror i tij. Ai e dinte se në një kohë të tillë kritike, Islamit do t’i nevojiteshin për mbrojtjen e tij sa më shumë sahabë të Profetit. Prandaj, Hazret Uthmani nuk donte që sahabët të humbnin jetën e tyre në një përpjekje të pasuksesshme për ta mbrojtur atë, por të kursenin veten për mbrojtjen e fesë. Ai praktikisht i këshillonte ata të mos ballafaqoheshin me rebelët. Donte që ky xhemat i sahabëve që patën shoqërimin me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., të mbetej i mbrojtur dhe të jepte kontributin e tij në shuarjen e trazirave të ardhshme.

Por, pavarësisht nga këshilla e Hazret Uthmanit, ndër sahabët kushdo që gjente mundësi, arrinte te shtëpia e tij për ta mbrojtur atë. Prioriteti i tyre ishte situata aktuale e jo ditët e vështira të ardhshme. Sahabët vijonin të jetonin pa u lënduar dhe kjo vetëm për arsye se, deri më tani, rebelët nuk kishin ndonjë nguti, dhe se ata shfrytëzonin kohën e tyre për të gjetur pretekst për sulmin përfundimtar.

Filloi t’u ngushtohej laku në fyt rebelëve; ndikimi i letrave të Hazret Uthmanit

Përfundimisht, erdhi edhe koha kur rebelët nuk mund të prisnin më gjatë. Mesazhet emocionuese të Hazret Uthmanit që ai u kishte dërguar haxhinjve, ishin lexuar para tyre dhe kishin bërë jehonë në çdo cep të Mekës. Muslimanët haxhinj vendosën që pas haxhit, nuk do të humbnin shpërblimin e xhihadit, duke i shpartalluar ngatërrestarët (rebelët) egjiptianë.

Spiunët e rebelëve e sollën lajmin te ta edhe në Medinë. Në kampin e tyre filloi të ndihej rreziku. Ata i pëshpëritnin njëri-tjetrit se nuk kishin rrugëdalje pa e vrarë njeriun të cilin e kishin rrethuar tashmë prej shumë ditësh. Ata thoshin:

– Po nuk e vramë Uthmanin, muslimanët nuk do të na lënë të gjallë!

Sikur të mos mjaftonte lajmi i haxhinjve, letrat e Hazret Uthmanit mbërritën edhe në qytetet Sham, Kufa dhe Basra, dhe njerëzit edhe atje që ishin në pritje të ndonjë urdhri të Hazret Uthmanit, tashmë ishin me plot patos për t’iu përgjigjur thirrjes së tij. Sahabët ndien prëgjegjësinë e tyre. Ua tërhoqën vëmendjen gjithë muslimanëve nëpër xhami e nëpër takime dhe lëshuan fetvatë e tyre duke shpallur të lejuar xhihadin kundër rebelëve.

– Ai që nuk bëri xhihad sot, nuk ka bërë asnjë vepër të mirë!, u thoshin sahabët muslimanëve.

Në qytetin e Kufës ‘Ukba bin ‘Amri, ‘Abdullah bin Ebi Eufa, Hanzala bin Rebi’ Et-Temimi dhe sahabë të tjerë nxitën muslimanët për të ndihmuar banorët e Medinës. Në Basra Emran bin Husejni, Enes bin Maliku, Hisham bin ‘Amiri dhe sahabë të tjerë e bënë këtë detyrë. Kurse në Sham punuan në këtë drejtim Ubada bin Thabiti, Ebu Amama dhe sahabë të tjerë. Në Egjipt Kharixhe (ibn Hudhafa) dhe të tjerë përgatitën ushtrinë. Këndej rebelët mësuan se ushtritë nga të gjitha këto vende tashmë ishin nisur drejt Medinës.

Nga këto lajme filloi t’u ngushtohej laku në fyt ngatërrestarëve. Përfundimisht, ata tentuan të hynin forcërisht në shtëpinë e Hazret Uthmanit. Sahabët u rreshtuan para tyre duke bërë qëndresë të fortë. Ndodhi një përplasje e fuqishme. Sahabët ndonëse ishin të paktë në numër, sedra e fortë e tyre për besimin po ua kompensonte numrin e vogël. Edhe vendi ku u bë përplasje, pra oborri i shtëpisë së Hazret Uthmanit, qe shumë i ngushtë. Për këtë arsye, ngatërrestarët nuk përfituan dot mjaftueshëm, pavarësisht se ishin shumë në numër.

Hazret Uthmani kur mori vesh për këtë luftë, u bëri thirrje sahabëve të tërhiqeshin. Por sahabët e quanin kundër besimit braktisjen e tij në këtë situatë. Andaj, edhe pse Hazret Uthmani u bëri thirrje duke u betuar në Allahun e Madhërishëm, sahabët refuzuan të tërhiqeshin. Përfundimisht, Hazret Uthmani mori mburojën e tij, doli përjashta, i futi sahabët brenda shtëpisë dhe i mbylli dyert. Edhe sahabët, edhe ndihmësit e tyre i porositi duke thënë:

– Zoti i Madhërishëm ju dhuroi jetën jo që të anoni nga bota, por që të mblidhni pasurinë e ahiretit përmes saj. Kjo botë është e vdekshme dhe ajo që do të mbetet është vetëm ahireti. Andaj, e vdekshmja nuk duhet t’ju shpërqendrojë. Jepini përparësi asaj që do të mbetet mbi atë që është e vdekshme. Prisni takimin me Allahun e Madhërishëm dhe mos e lejoni xhematin të shpërndahet. Mos harroni bekimin e Allahut mbi ju, kur ju ishit buzë gremine të shkatërrimit dhe Allahu me bekimin e Tij ju shpëtoi dhe ju bëri vëllezër.

Më pas, Hazret Uthmani u tha lamtumirë dhe pohoi:

– Allahu qoftë Mbrojtësi juaj! Shkoni dhe thirrni sahabët që nuk erdhën dot këtu.

Hazret Uthmani thirri veçanërisht Hazret Aliun, Hazret Talhanë dhe Hazret Zubejrin.

Njerëzit dolën nga shtëpia e tij dhe thirrën sahabët e tjerë që kërkonte Hazret Uthmani. Atmosfera sa vinte bëhej më ndikuese, aq sa edhe rebelët nuk mbeteshin pa u prekur. Ishte pikërisht ky ndikim që kur këta njerëz dolën nga shtëpia e Hazret Uthmanit, rebelët nuk guxuan t’i shqetësonin. Më pas erdhën edhe sahabët e tjerë që ishin thirrur. Dhe si nuk do të vinin! Ata po shihnin me sy se njëra prej dritave të ndezura nga Profeti Muhammed s.a.v.s. po shuhej për të kaluar nga kjo botë në botën tjetër.

Fjalim i fundit i Hazret Uthmanit

Shkurt, rebelët nuk guxuan të kundërshtonin shumë dhe lejuan që sahabët të mblidheshin pranë Hazret Uthmanit. Atëherë Hazret Uthmani doli nga ballkoni dhe iu drejtua atyre. – Afrohuni, u tha. Kur të gjithë iu afruan, u tha të uleshin. Në këtë moment fjalët e Uthmanit patën ndikim kaq të madh, saqë bashkë me sahabët, u ulën edhe rebelët. Hazret Uthmani mbajti një fjalim të shkurtër:

– O banorë të Medinës! Po ju lë në dorë të Zotit dhe i lutem Atij që Ai të zgjedhë Kalif më të mirë pas meje. Nga dita e sotme, unë nuk do të dalë nga shtëpia derisa Allahu i Madhërishëm të vendosë rreth meje. Nuk i lë të drejtën askujt mes jush që ai t’ju sundojë në botë e në besim. Këtë çështje po ia lë Allahut të Madhërishëm që Ai të zgjedhë kë të dojë.

Reagime të ndryshme të sahabëve pas urdhrit të Hazret Uthmanit

Pas kësaj, Hazret Uthmani i porositi banorët e Medinës dhe sahabët duke u betuar në Allah që ata nuk duhet të rrezikonin jetën e tyre duke e mbrojtur atë, dhe të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Urdhri i tij krijoi një kundërshtim të fortë mes sahabëve, kundërshtim që nuk mund t’ia gjesh dot shembullin në historinë e Islamit.

Sahabët ishin njerëz që nuk dinin gjë tjetër përveç bindjes. Por sot disa prej tyre e quanin pabesi pikërisht bindjen. Kurse disa të tjerë nuk e lëshuan bindjen, dhe zemërthyer u tërhoqën nga ballafaqimi me rebelët. Ndoshta ata menduan se detyra e tyre është vetëm bindja dhe se ata nuk kishin kompetencë të analizonin pasojat që do të vinin për shkak të zbatimit të këtij urdhri.

Sidoqoftë, disa sahabë e refuzuan bindjen ndaj këtij urdhri. Bindja ndaj Kalifit të kohës pa dyshim që ishte e obliguar, por kur vetë Kalifi u jep urdhrin ta braktisnin atë, sipas tyre, kjo përkthehej në shkëputjen e lidhjes së tyre me Kalifatin. Prandaj, sipas tyre bindja në rastin konkret ishte pabesi.

Përveç kësaj, ata shikonin që Hazret Uthmani u thoshte të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe ishin të vetëdijshëm se kjo porosia e tij ishte për t’ua mbrojtur jetën atyre, pra sahabëve. E si mund të ktheheshin nëpër shtëpi, duke e braktisur dikë që ishte kaq i dashuruar me ta dhe duke e lënë të vritej nga duart e rebelëve?! Ishte e pamundur për ta. Në këtë grup ishin të gjithë sahabët kryesorë të Profetit s.a.v.s.. Prandaj, pavarësisht nga urdhri i prerë i Hazret Uthmanit, djemtë e Hazret Aliut, të Hazret Talhasë dhe të Hazret Zubejrit zbatuan urdhrin e baballarëve të tyre. Ata nuk u larguan prej atje dhe nuk i futën shpatat e tyre në këllëf.

Njerëzit nga Meka, pas kryerjes së Haxhit, tek tuk filluan të hynin në Medinë. Rebelët u shqetësuan tej mase. Ata e kuptuan se fati i tyre së shpejti do të vendosej. Mughira bin El-Ekhnesi ishte i pari që hyri në Medinë pas Haxhit me synimin për të marrë pjesë në xhihad. Menjëherë pas kësaj, rebelëve u erdhi lajmi që ushtria e muslimanëve nga Basra që ishte nisur për të ndihmuar muslimanët e Medinës, mbërriti në Serar, vend i cili ndodhej një ditë udhëtimi larg nga Medina. Duke u ndikuar nga këto lajme, rebelët vendosën t’i jepnin drejtimin përfundimtar qëllimit të tyre.

Rebelët i vunë zjarr derës së shtëpisë së Hazret Uthmanit

Sahabët dhe ndihmës të tjerë muslimanë që nuk e kishin pranuar urdhrin e Hazret Uthmanit për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, haptas i kishin thënë – Pavarësisht se nuk kemi fuqi të luftojmë kundër rebelëve, por me çfarë fytyre do të paraqitemi përpara Zotit, nëse do të të braktisim sot këtu. Por këta ishin të paktë në numër, andaj, e mbronin Hazret Uthmanin duke qëndruar brenda shtëpisë së tij. Për këtë arsye, rebelët e kishin të lehtë t’i afroheshin derës së shtëpisë. Ata mblodhën dru te dera dhe u vunë zjarr. Donin që zjarri ta rrëzonte derën dhe ata të hynin brenda.

“Unë liroj nga bindja ndaj meje çdokënd që është i obliguar të më bindet!”

Sahabët kur e panë zjarrin, menduan të mos rrinin më brenda. Ngrehën shpatat dhe vendosën të dilnin për t’u ballafaquar. Por Hazret Uthmani i ndaloi dhe tha:

– Çfarë ka mbetur pas vënies së zjarrit në shtëpinë time për të kuptuar synimet e tyre! Andaj, mos e rrezikoni ju jetën tuaj dhe kthehuni në shtëpitë tuaja. Ata kërkojnë vetëm jetën time, por së shpejti do të pendohen nga veprimet e tyre. Unë liroj nga bindja ndaj meje çdokënd që është i obliguar të më bindet dhe ia fal të drejtën time

Një luftë e pazakontë

Por sahabët dhe të tjerët që ishin të pranishëm aty, sërish nuk pranuan t’i bindeshin, dhe me shpatat e tyre dolën përjashta. Në këto momente aty mbërriti edhe Hazret Ebu Hurejre. Pavarësisht se nuk ishte ushtarak, edhe ai iu bashkua mbrojtësve dhe tha:

– Nuk ka luftë më të mirë sesa lufta e sotme!

Më pas duke iu drejtuar rebelëve, ai citoi:

وَ یٰقَوۡمِ مَا لِیۡۤ اَدۡعُوۡکُمۡ اِلَی النَّجٰوۃِ وَ تَدۡعُوۡنَنِیۡۤ اِلَی النَّارِ

O populli im! Ç’është kjo që unë ju thërras drejt shpëtimit, kurse ju më thërritni drejt zjarrit![5]

Princi i pajtimit u rreshtua për të luftuar

Kjo luftë ishte shumë e pazakontë. Një grusht sahabësh që arritën të grumbulloheshin aty, u përballën me mish e me shpirt ushtrinë madhështore të rebelëve. Hazret Imam Hasani që ishte tejet pajtues me karakter, madje njihej se princi i pajtimit, rrëfeu trimëri të madhe duke luftuar kundër rebelëve. Ai po luftonte me armikun duke kënduar njëkohësisht vargje me patos Në fakt, kushtrimi i tij dhe i Muhammed bin Talhasë vlen për t’u përmendur, sepse rrezaton fort ndjenjat e tyre.

Hazret Imam Hasani po këndonte këto vargje, tek po i sulmonte armiqtë:

لا دینھم دینی ولا أنا منھم

حتی أسیر الی طمار شمام

Feja ime nuk është feja e tyreEdhe unë nuk jam prej tyreDo të luftoj me taDeri sa të arrij majën Shemamit

Shemami është një mal i Arabisë dhe arritja në majën e Shemamit ishte si shprehje për të nënkuptuar arritjen e qëllimit. Shkurt, Hazret Imam Hasani thoshte se do të luftonte dhe nuk do të pajtohej me rebelët, derisa të arrinte qëllimin, kjo sepse, sipas tij, kundërshtia mes tyre nuk ishte një kundërshti e thjeshtë, por ishte diçka krejt e papajtueshme. Këto ndjenja vërshonin në zemrën e Princit të pajtimit. Le të shohim kushtrimin edhe të Muhammedit, birit të Talhasë. Ai thoshte:

أنا إبن من ھاد علیہ أحد

ورد احزاب علی رغم معد

Jam biri i atijqë e mbrojti në Uhud (të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.)Dhe që i mposhti ushtritë (e arabëve)pavarësisht nga gjithë forca e tyre

Pra, ai thoshte se edhe sot kishte situatën e betejës së Uhudit, kur dora e babait të tij tij ishte bërë shoshë nga vërshimi i shigjetave, duke mbrojtur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Në këtë luftë mori pjesë edhe Hazret Abdullah bin Zubejri dhe u plagos rëndë. Edhe Mervani u plagos rëndë aq sa mezi shpëtoi nga vdekja. Mugira bin El-Akhnesi ra dëshmor. Ai që e vrau atë, pasi e pa që nuk u plagos por kishte rënë dëshmor, bërtiti me të madhe:

إنا للہ و إنا إلیہ راجعون

(Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi!)

Komandanti i tij e qortoi për këtë reagim, sepse në vend që të gëzohej, tregonte pakënaqësinë e tij. Ai iu përgjigj:

– Mbrëmë pashë në ëndërr një njeri që thoshte – Vrasësit e Mugirës jepi lajmin e xhehenemit! Ku ta dija se unë qenkam ai që do ta vrisja atë!

Përveç këtyre njerëzve që u përmendën më lart, u plagosën edhe të tjerë dhe disa prej tyre ranë edhe dëshmorë, duke e ulur edhe më shumë numrin e mbrojtësve të Hazret Uthmanit. Rebelët, megjithatë, nuk u tërhoqën nga insistimi i tyre, pavarësisht nga alarmimet qiellore që iu bënë, dhe vijuan ta luftonin xhematin e dashur të Allahut të Madhërishëm. Nga ana tjetër, edhe të sinqertët muslimanë nuk pakësuan patosin e tyre dhe vijuan ta mbronin Kalifin e kohës.

Kjo temë do të vijojë edhe xhumanë tjetër, inshaAllah.

Thirrje e përsëritur për lutje

Ju bëj sërish kërkesë për lutje për ahmedianët e Pakistanit, si dhe për ahmedianët e Algjerisë, sepse atje kundërshtarët prapë kanë hapur gjyqet kundër tyre. Allahu ua lehtësoftë gjendjen të gjithë ahmedianëve dhe i largoftë sa më shpejt shtrëngimet e kundërshtarëve.

Pas namezeve, do të udhëheq disa xhenaze gaib.

[Pas kësaj, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, njoftoi se pas namazit të së xhumasë do të udhëhiqte xhenazet gaib të këtyre të ndjerëve, dhe gjithashtu përmendi shkurtimisht të dhënat e jetës dhe vlerat e tyre si besimtarë të devotshëm muslimanë:

  • I ndjeri Maulvi Muhammed Nexhib Khan, Naib Naizir Da’vet-e-ilellah, Kadijan
  • I ndjeri Nedhir Ahmed Khadim
  • I ndjeri Haxhi Dr. Nana Mustafa Eti Bateng i Ganës
  • I ndjeri Ghulam Nebi i Rabvasë

Për të ditur ngjarjet e këtyre të ndjerëve që përmendi Huzuri, ju lutem ndiqeni videon.]

LEXONI:


[1] Kurani i Shenjtë 24:56.
[2] Kurani i Shenjtë 3:104.
[3] Kurani i Shenjtë 49:7.
[4] Kurani i Shenjtë 48:11.
[5] Kurani i Shenjtë 40:42.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp