Jeta e Hazret Abdurrahman ibn ‘Aufit r.a. dhe Hazret Sa’ad ibn Mu’adhit r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Abdurrahman ibn ‘Aufit r.a. dhe Hazret Sa’ad ibn Mu’adhit r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pas recitimit të shehadetit dhe el-Fatihasë Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) tha:

Hazret Abdurrahman ibn Auf r.a.

Hazret Abdurrahman ibn Auf r.a. | عبد الرحمن بن عوف رضي الله عنه Në hutben e fundit, ishte folur rreth jetës së Hazret Abdurrahman ibn Aufit r.a.. Në hutben e sotme, do ta vijoj këtë temë.

Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. shquhej për bujarinë e tij dhe për të shpenzuar në rrugën e Allahut. Shumica nga rrëfimet që do të ndaj me ju, lidhen me këtë aspekt. Sipas një rrëfimi, Abdurrahman ibn Aufi kishte lënë amanet që secili pjesëmarrës në luftën e Bedrit t’i jepet 400 dinar nga trashëgimia a tij. Familjarët ia çuan në vend amanetin dhe kështu njëqind  sahabë të Bedrit morën hise në trashëgiminë e tij.

Njëherë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi sahabët për t’u përgatitur për luftën e Tubukut, ai gjithashtu u bëri thirrje muslimanëve të pasur që të shpenzojnë në rrugën e Allahut duke kontribuuar me pasurinë dhe kuajt. I pari që iu përgjigj kësaj thirrje ishte Ebu Bekri, i cili solli katër mijë dirham, pra e gjithë pasurinë e shtëpisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti Ebu Bekrin: A keni lënë diçka për familjen tuaj? Ai iu përgjigj: I kam lënë familjes Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Hazret Omeri r.a. kishte sjellë gjysmën e pasurisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pyeti: A keni lënë diçka për familjen tuaj? Ai i tha se kishte lënë gjysmën e pasurisë. Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. dhuroi 100 okije. Meqë një okije vlente sa dyzet dirham, andaj ai kishte dhuruar gati 4 mijë dirhamë.

Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë që Osman ibn Affani dhe Abdurrahman ibn Aufi janë dy nga thesaret e Allahut në tokë, të cilët shpenzojnë pasurinë e tyre për të arritur pëlqimin e Tij.

Hazret Umi Bekr bint Mesuri transmeton se njëherë Hazret Abdurrahman ibn Aufi i bleu Hazret Osmanit r.a. një tokë në këmbim të 40 mijë dinarësh dhe pastaj e ndau mes të varfërve të fisit Benu Zuhra dhe grave të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Misver ibn Mekhzema transmeton se kur e njoftova Aishenë r.a. për pjesën që i takonte, ajo më pyeti se prej kujt ishte kjo dhuratë. Unë i tregova se ishte prej Hazret Abdurrahman ibn Aufit r.a.. Ajo tregoi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë që ai i cili do të sillet mirë me të, pas vdekjes së tij, do të jetë i durueshëm. Pastaj Aisheja r.a. u lut me këto fjalë: o Allah! Dhuroji Abdurrahman ibn Aufit ujë nga burimi Selesebil të xhenetit. Sipas një transmetimi tjetër, i Dërguari Allahut s.a.v.s. ka thënë që pas vdekjes së tij, vetëm një njeri i sinqertë dhe i drejtë do të kujdeset për familjen time. Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. organizonte udhëtimin e bashkëshorteve të Profetit s.a.v.s. me devetë e tij. Ai vetë u vinte perde samarëve dhe për ndalesa zgjidhte ato lugina, ku kishte shumë pak lëvizje në përgjithësi, me qëllim që ato të ndiejnë rehat dhe të mos kishin vështirësi në zbatimin e mbulesës.

Njëherë në Medinë u shfaq gjendja e vështirë pasi kishte mungesa në furnizimin e artikujve ushqimorë. Mu në këtë situatë, mbërriti në Medinë një karvan i madh tregtar me 700 deve, të ngarkuara me grurin, miell dhe prodhime të ndryshme ushqimore. Duke dëgjuar një zhurmë të pazakonshme në qytet, Aisheja r.a. pyeti se çfarë po ndodhej? Dikush e njoftoi se karvani tregtar i Hazret Abdurrahman ibn Aufit prej 700 devesh ka mbërritur në Medinë dhe ka sjellë grurin, miellin dhe prodhime të tjera ushqimore. Nëna e besimtarëve Hazret Aisheja r.a. tha se kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që Abdurrahman ibn Aufi r.a. do të hynte në xhenet gjunjazi duke u zvarritur. Dikush i përcolli këtë transmetim të Aishjes r.a. Abdurrahman ibn Aufit. Ai menjëherë erdhi tek ajo dhe i tha: O nëna e besimtarëve! Jini dëshmitare se kam dhuruar gjithë mallin me drithëra dhe ushqime, në rrugën e Allahut, madje edhe samarët e deveve, me qëllim që të hy në xhenet duke ecur në këmbë.

Historianët kanë përmbledhur disa ngjarje nga jeta e Hazret Abdurrahman ibn Aufit r.a. të cilat lidhen me shpenzimin në rrugën e Allahut. P.sh. në veprën Esedul Ghabbah shkruhet që Abdurrahman ibn Aufi r.a. shpenzonte bujarisht në rrugën e Allahut dhe njëherë kishte liruar tridhjetë skllevër brenda një dite. Njëherë Hazret Omeri r.a. kishte nevojë për paratë dhe ai i kërkoi borxh Hazret Abdurrahman ibn Aufit. Ai iu përgjigj me habi: O prijësi i besimtarëve! Përse po kërkoni borxh prej meje, ndërkohë ju mund të merrni hua edhe nga Bejtul Mali (drejtoria qendrore e financës) apo nga Osmani ose dikush tjetër? Hazret Omeri r.a. i tha: Unë bëj kështu sepse ndoshta harroj ta kthej atë. Nëse i kërkoj borxh dikujt tjetër, kam frikë se ai për shkak të pozitës sime apo për ndonjë arsye tjetër, nuk më kërkon shlyerjen e borxhit dhe unë gjithashtu e harroj atë. Ndërsa, ti do të më kërkosh paratë dhe nuk do të harrosh. E tillë ishte miqësia e ngushtë midis tyre, dhe sa herë që kishte nevojë Hazret Omeri r.a. i merrte borxh atij.

Ibrahimi, djali i Hazret Abdurrahman ibn Aufit, transmeton nga babai i tij që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: O ibn Auf! Do të hysh në xhenet duke u zvarritur sepse je i pasur. Andaj shpenzo në rrugën e Allahut që të hysh në të duke ecur me këmbët e tua. Ky transmetim është i ngjashëm me transmetimin e Hazret Aishjes r.a.. Hazret Abdurrahman ibn Aufi e pyeti: O i Dërguar i Allahut! Çfarë duhet të jap në rrugën e Allahut? Ai i tha: Shpenzoje atë që posedon! Ai e pyeti: O i Dërguar i Allahut! A duhet të jap gjithçka që kam? Profeti s.a.v.s u përgjigj me pohim. Hazret Abdurrahman ibn Aufi u nda nga Profeti s.a.v.s. dhe bëri nijet se do të jepte gjithçka nga pasuria e tij në rrugën e Allahut. Pas pak kohe, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e thirri atë dhe tregoi se i kishte ardhur Xhibrili a.s.. dhe i ka thënë për të porositur Abdurrahmanin që të nderojë mysafirët, të ushqejë të varfrit, t’u japë nevojtarëve dhe t’u japë epërsi të afërmve. Nëse ai vepron në këtë mënyrë, do t’i pastrohet pasuria dhe ai do të hyrë në xhenet duke ecur me këmbë.

Njëherë Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. dha gjysmën e pasurisë, prej 4 mijë dirhamësh në rrugë të Allahut. Njëherë ai dha 40 mijë dirhamë dhe njëherë tjetër 40 mijë dinarë në bamirësi për hir të Allahut. Në një rast, ai kontribuoi me pesëqind kuaj dhe herën tjetër pesëqind deve. Djali i tij, Ebu Selma ka transmetuar se babai i tij kishte lënë amanet për një kopsht, i cili kaloi në pronësinë e bashkëshorteve të Profetit s.a.v.s.. Ky kopsht kishte një vlerë prej 400 mijë dirhamësh.

Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. kishte lënë amanet që pesëdhjetë mijë dirhamë nga trashëgimia e tij të shpenzohen në bamirësi, për hir të Allahut. Ai kishte lënë një mijë deve, tre mijë krerë dhi dhe njëqind kuaj, të cilat kullotnin në luginën Beki’.

Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. merrej me bujqësi në Xherf, i cili ndodhej pothuaj 5 kilometra në veri të Medinës. Në këtë vend, Hazret Omeri r.a. gjithashtu kishte disa prona. Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. kishte lënë 20 deve, të cilat tërhiqnin ujë për bujqësi, dhe të korrat i mjaftonin për nevojat e familjes gjatë vitit. Sipas një transmetimi, Hazret Abdurrahman ibn ‘Aufi r.a. kishte lënë pas aq shumë ari, saqë punëtorëve u duheshin sëpata për ta prerë dhe u ishin mbetur flluska në dorë.

Hazret Abdurrahman ibn Aufi r.a. ndërroi jetë në vitin 31 apo 32 hixhri. Sipas burimeve të ndryshme ai kishte jetuar për 72 apo 78 vjet dhe ishte varrosur në Xhenetul Beki’. Hazret Osmani r.a. ose sipas një transmetimi Hazret Zubejr ibn el-Avami r.a. ia kishte udhëhequr namazin e xhenazes. Hazret S’ad ibn Maliku i cili qëndronte pranë trupit të tij, ishte shprehur se një njeri i madh si një mal ishte ndarë prej tyre. Hazret Aliu r.a. kishte thënë që Abdurrahman ibn Aufi u nda kjo botë. Ai piu nga uji i kthjellët i dynjasë dhe iu shmang ujit të turbullt, d.m.th. gëzoi një periudhë të qetë e të mbarë, dhe u nda nga bota para se ta gjenin taksirat.

Ai kishte lënë pas tri bashkëshorte dhe secila prej tyre sipas rregullit një të tetë kishte trashëguar 80 mijë dirhamë. Sipas një transmetimi tjetër, ai kishte lënë pas 4 bashkëshorte dhe secila prej tyre kishte trashëguar 80 mijë drihamë.

S’ad ibn Mu’adhi r.a.

S’ad ibn Mu’adhi r.a. | سعد بن معاذ رضي الله عنه Rrëfimi tjetër është për Hazret Sa’d ibn Mu‘adh r.a.. Ai i përkiste fisit Eus të ensarëve, dhe saktësisht degës Benu Abdul Eshhel të tij. Ai ishte prijësi i fisit Eus. Babai i tij quhej Mu’adh ibn Numan dhe nëna Kebhsa bint Raf’i. Nëna e tij ishte sahabija e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai njihej me epitetin Ebu Amru. Bashkëshortja e tij Hind bint Simati ishte gjithashtu sahabija e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Nga kjo martesë, i lindën dy djem Amru dhe Abdullah.

Hazret Sa’d ibn Mu’adhi dhe Hazret Husejn ibn Uzejri kishin pranuar Islamin përmes Hazret Mus’ab ibn Umejrit r.a.. Hazret Mus’ab ibn Umejri r.a. kishte mbërritur në Medinë para ngjarjes së besëlidhjes së dytë të Akabasë, kur 70 sahabë kishin bërë besëlidhje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Hazret Mus’abi r.a sipas porosisë së Profetit s.a.v.s. u bënte thirrje njerëzve për Islamin dhe u lexonte ajetet e Kuranit. Pasi që pranoi Islamin, Hazret Sa’d ibn Mu’adhi r.a. i tha popullit të tij Benu Abdil Esh’hel se e kishte haram të bisedonte me ndonjë burrë apo grua të fisit, derisa ata nuk do të pranonin Islamin. Fisi i tij iu përgjigj thirrjes së tij, dhe që të gjithë pranuan Islamin. Klani i Benu Abdul Esh’helit ishte i pari ndër ensarët, të cilët që të gjithë, burra apo gra, kishin pranuar Islamin.

Hazret Sa’d ibn Mu’adhi r.a. solli Hazret Mus’ab ibn ‘Umejrin dhe Hazret Es’ad ibn Zerarën në shtëpinë e tij. Këta dy predikonin mësimet e Islamit në shtëpinë e Hazret Sa’d ibn Mu’adhit. Ai ishte tezak me Es’ed ibn Zerarën. Pas pranimit të Islamit, Hazret Sa’d ibn Mu’adhi dhe Hazret Usejd ibn Hudejri kishin thyer vetë të gjithë idhujt e klanit të tyre Benu Abdul Esh’hel.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjen e tij vëllazërore me Hazret Sa’d ibn Ebi Vekasin dhe sipas një transmeti tjetër, kjo lidhje ishte vendosur me Hazret Ebu Ubejde ibn Xherrah.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. në veprën Siret Khatimun Nebijjin ka përshkruar ngjarjen e tij se si kishte pranuar Islamin. Ai shkruan:

“Duke u nisur nga Meka, këta 12 muslimanë të rinj e kishin kërkuar Profetin s.a.v.s. që të dërgohej një mualim bashkë me ta, i cili t’u mësojë Islamin dhe t’i ftojë bashkëkombësit e tyre idhujtarë në Islam. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. zgjodhi Mus’ab ibn ‘Umejrin për këtë detyrë, një djalosh të devotshëm nga fisi Abdudar. Në atë kohë, misionarët musliman njiheshin si recitues ose مُقْرِئ mukriun, për derisa detyra e tyre kryesore ishte recitimi i Kuranit dhe ajo ishte mënyra më e mirë për thirrje ndaj Islamit. Mus’abi gjithashtu u bë i njohur si “Mukriun” në Medinë.

Mus’abi r.a. pas mbërritjes në Medinë, qëndroi në shtëpinë e Es’ed ibn Zurarës, i cili ishte muslimani i parë në Medinë dhe qe një figurë e ndershme e me ndikim në shoqëri. Mus’abi r.a. e ktheu atë shtëpi në qendrën e aktiviteteve misionare dhe nisi përmbushjen e detyrave me zell të madh. Meqë muslimanët e Medinës gëzonin jetën shoqërore dhe paqe e harmoni në krahasim me Mekën, prandaj pas sugjerimit të Es’ed ibn Zurarës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi Mus’ab ibn ‘Umejrin për të zhvilluar namazin e Xhumasë në Medinë. Kështu nisi të ngjizej shoqëria muslimane në Medinë dhe falë mëshirës së Allahut, Islami u bë tema kryesore në çdo shtëpi. Fiset Eus dhe Hazrexh filluan të pranonin Islamin masivisht dhe në rastin më të mirë një fis i tërë përqafonte Islamin brenda një dite. Fisi Benu Abdil Esh’hel, i cili ishte pjesë e respektuar e fisit Eus të ensarëve, pranoi Islamin në një ditë të vetme. Sa’d ibn Mu’adhi nuk ishte vetëm kryetari i fisit Benu Abdul Esh’hel por lideri i mbarë fisit Eus”.

Në fillim, kur diskutohej rreth Islamit në Medinë, Sa’d ibn Mu’adhi nuk e shikonte këtë me sy të mirë, madje ai vendosi ta ndalojë atë rreptësisht. Sa’di ishte tezaku me Es’ed ibn Zurarën ndërsa ky i fundit kishte pranuar Islamin. Në fillim Sa’d ibn Mu’adhi nuk donte të ndërhynte në këtë mesele nga frika që t’u mos prishen lidhjet familjare. Për t’iu shmangur prishjes së marrëdhënieve, ai foli me një të afërm Usejd ibn el-Hudejr dhe i tregoi se kishte rezerva ndaj Es’ed ibn Zurarës, derisa ai kishte pranuar Islamin, madje po ndihmonte në përhapjen e kësaj feje. Ai gjithashtu i tha për të ndaluar Mus’abin, sepse ai, sipas tij, po përhapte mosbesim në shoqëri. Po ashtu, ai i kërkoi që të paralajmëronte Es’ed ibn Zurarën se sjellja e tij është e gabuar.

Usejdi ishte prej krerëve të shquar të fisit Abdul Esh’hel dhe i ati i tij kishte qenë kryetar i mbarë fisit Eus në luftën e Bu’athit. (Kjo luftë e përgjakshme ishte zhvilluar midis fiseve Eus dhe Hazrexh në kohën para Islamit)

Pas Sa’d ibn Mu’adhit, Usejd ibn Hudejri gjithashtu gëzonte autoritet të lartë në fisin e tij. Kështu, sipas porosisë së Sa’dit ai takoi Mus’ab ibn ‘Umejrin dhe Es’ed ibn Zurarën. Në fillim ai iu drejtua Mus’abit dhe i tha plot inat: Përse po i çon njerëzit tanë në mosbesim? Po të lajmëroj për të hequr dorë nga veprimtaria jote, ndryshe pasojat do të jenë të rënda?” Para se t’i përgjigjej Mus’abi, Es’ed ibn Zurara i pëshpëriti në vesh “Ky është kryetar i fuqishëm i fisit të tij. Flisni me butësi e dashamirësi”. Mus’abi veproi sipas këshillës së tij dhe tha: “Ju lutem, mos u zemëroni! Urdhëroni këtu vetëm për pak çaste dhe dëgjoni me qetësi çështjen tonë. Pastaj, jeni i lirë për të gjykuar vetë”. Usejdi ishte njeri i drejtë, dhe meqë kërkesa e Mus’abit ishte plotësisht e logjikshme, ai u ul pranë tyre. Mus’abi i recitoi një pjesë nga Kurani Famëlartë dhe me shumë dashamirësi i shpjegoi mësimet e Islamit. Fjalët e tij, i depërtuan thellë në zemër dhe ai aty për aty pranoi Islamin. Pastaj tha që pas tij qëndron një njeri, i cili nëse pranon Islamin, i gjithë fisi i tij do të bëhet musliman. Ai gjithashtu premtoi se do ta dërgonte atë menjëherë për të biseduar rreth Islamit.

Usejdi u largua nga vendi dhe pak më vonë me pak marifet, dërgoi Sa’d ibn Mu’adhin te Mus’abi dhe Es’edi. Sa’d ibn Mu’adhi doli përpara dhe i foli ashpër Es’edi ibn Zurarës dhe i tha: O Es’ed! Nuk është e drejtë që të përfitosh nga lidhjet farefisnore. Unë deri tani nuk kam reaguar vetëm për shkak të kësaj lidhjeje. Andaj, mos e keqpërdor këtë për qëllimet e tua!” Mus’abi i ftohu gjakrat duke folur me butësi e dhembshuri, njësoj sikur kishte bërë me Usejdin. Ai i tha: “Ju lutem, uluni këtu dhe na dëgjoni vetëm pak. Nëse ju duket diçka e papranueshme apo e padrejtë, ju keni plotësisht të drejtë për ta kundërshtuar atë”. Sa’di iu përgjigj: “Në rregull, kërkesa juaj është e drejtë”. Ai e shtriu shtizën për tokë dhe u ul bashkë me ta. Mus’abi i recitoi edhe atij disa pjesë nga Kurani Famëlartë dhe pastaj i shpjegoi bukuritë e mësimeve të Islamit në një mënyrë mbresëlënëse. Nuk vonoi shumë dhe Sa’di gjithashtu u magjeps nga vërtetësia e Islamit. Ai sipas zakoneve islame, lau veten dhe dëshmoi Islamin duke recituar shehadet.

Pastaj, Sa’d ibn Mu’adhi dhe Usejd ibn el-Hudejri shkuan te populli i tyre. Sa’di iu drejtua popullit të tij dhe shtroi një pyetje: “O populli Abdul Esh’hel! Si më vlerësoni mua?” Ata iu përgjigjën njëzëri: “Ju jeni prijësi ynë. Ju jeni prijës dhe babai juaj ishte gjithashtu prijës. Ne ju besojmë plotësisht”. Sa’di u tha: “Atëherë, nuk do të kemi asnjë lidhje, derisa nuk besoni në Allah dhe në të Dërguarin e Tij”. Pastaj Sa’di u shpjegoi parimet dhe mësimet e Islamit. Nuk kishte mbaruar dita akoma, kur i gjithë fisi kishte pranuar Islamin. Sa’di dhe Usejdi nxorën vetë idhujt e fisit, dhe i shkatërruan me duart e tyre.

Sa’d ibn Mu’adhi dhe Usejd ibn el-Hudejri renditen ndër sahabë të shquar, ndërsa ndër sahabët ensarë, ata padyshim gjenden në shkallën më të lartë. Veçanërisht, Sa’d ibn Mu’adhi r.a. gëzonte të njëjtën pozitë në ensarët e Medinës, siç e kishte Ebu Bekri ndër sahabët muhaxhirë të Mekës.

Ky djalosh shquhej për sinqeritetin dhe besnikërinë e tij ndaj Islamit si dhe për dashurinë vetëmohuese ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai ishte shumë i zgjuar. Duke qenë kryetar i mbarë fisit, ai arriti atë pozitë të lartë, që gëzonin vetëm disa sahabë të zgjedhur. Fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilat ai shprehu në vdekjen e Sa’dit në lulen e rinisë, vulosin një të vërtetë madhore se “vdekja e Sa’dit ka tronditur Arshin e të Gjithëmëshirshmit”.

Kështu Islami u përhap dhe lulëzoi me shpejtësi në fiset Eus e Hazrexh. Hebrenjtë i shikonin me ankth këto zhvillime dhe shfaqnin frikë për të ardhmen”.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi shkruan më tej:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte pak kohë që kishte mbërritur në Medinë dhe kurejshët e Mekës i shkruan një letër kërcënuese drejtuar Abdullah ibn Ubej ibn Seluluit dhe krerëve idhujtarë që ata të hiqnin dorë menjëherë nga strehimi dhe mbrojtje që i kishin dhënë Muhammedit (s.a.v.s.), ose të përballeshin me pasojat. Fjalët e letrës ishin si një vijim:

Ju keni strehuar njeriun tonë Muhammedin. Ne ju bëjmë të qartë, duke u betuar në Zot, që ose të luftoni kundër tij ose të paktën ta dëboni nga qyteti juaj, ose të bëheni gati për t’u ballafaquar me ushtrinë tonë. Ne do t’ju masakrojmë meshkujt dhe do t’i robërojmë femrat tuaja.

Abdullah ibn Ubej ibn Selelui dhe shokët e tij kishin inat ndaj Islamit qysh prej fillimit dhe kjo urrejtje po shtohej dita ditës. Ata digjeshin dhe përvëloheshin në këtë inat kundër Profetit dhe Islamit. Të fryrë nga urrejtja ata nisën përgatitje për të luftuar me Profetin s.a.v.s.. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për planet e tyre, ai menjëherë takoi Abdullah ibn Ubej ibn Selulin dhe shokët e tij dhe i shpjegoi se një konflikt i tillë do të sjellë pasoja të rënda për ta, pasi përballë tyre do t’i gjejnë vëllezërit e tyre bashkëkombës. Sepse, ata që kishin pranuar Islamin ishin banorët e Medinës dhe pjesëtarët e fiseve të tyre, andaj shpallja e luftës kundër Profetit s.a.v.s., do të nënkuptonte konflikti i ri me fiset Eus dhe Hazrexh. Ai gjithashtu u kujtoi që lufta ndaj tij, do të thoshte që ata të nxirrnin shpatën kundër bijve, vëllezërve dhe baballarëve të tyre. Pra, të mendonin mirë para se të hidhnin ndonjë hap.

Abdullahu dhe shokët e tij nuk kishin harruar akoma shkatërrimet e luftës së Bu’athit, që kishin zhvilluar me njëri-tjetrin, andaj e hoqën nga mendja mundësinë e një konflikti të ri.

Kur kurejshët dështuan në planin e tyre, ata nisën një letër të ngjashme drejtuar hebrenjve të Medinës. Qëllimi i tyre i vetëm ishte zhdukja e Islamit. Kur muslimanët e Mekës kishin mërguar në Abisini, për t’iu shmangur dhunës dhe shtypjes së kurejshve, ata i ndoqën deri aty. Mekasit nuk kursyen asnjë përpjekje për t’ia mbushur mendjen mbretit të drejtë Nexhashi që ai t’ua dorëzonte atyre këta refugjatë të përndjekur. Ndërsa, tani kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mërguar nga Meka në Medinë, ata sërish po ushtronin çdo mjet për ta ndaluar atë dhe për ta vënë nën zgjedhë.

Deri tani, ata nuk kishin humbur asnjë mundësi për të shfarosur të Dërguarin e Allahut dhe fenë islame, por tani kur ai dhe sahabët e tij kishin mbërritur në Medinë dhe Islami po përhapej me shpejtësi, ata dërguan një letër kërcënuese drejtuar banorëve të Medinës që ata ose të luftojnë me Muhammedin s.a.v.s. e të zhdukin Islamin dhe të heqin dorë nga mbrojtja që u kishin dhënë dhe t’i dëbojnë muslimanët nga Medina.

Kjo letër hedh dritë mbi zakonet dhe traditat arabe që ata kryenin gjatë kohës së luftës. Arabët e konsideronin të ligjshme masakrën e krejt meshkujve të palës kundërshtare dhe robërimin e femrave të tyre. Madje, qëllimet e tyre ndaj muslimanëve ishin më të llahtarshme, pasi kishin zgjedhur ndëshkime kaq të rënda për ata që kishin strehuar muslimanët. Nëse kurejshët kishin vendosur për strehuesit që të masakronin burrat dhe t’i skllavëronin gratë e tyre, mund të marrim me mend se qëllimet e tyre për muslimanët me siguri duhet të ishin shumë herë më të tmerrshme se këto.

Kjo letër kërcënuese e kurejshve nuk ishte rezultati i një mllefi të çastit, por ata kishin vendosur si politikë të përhershme se nuk do t’i linin rehat muslimanët dhe të zhduknin Islamin në çfarëdo mënyre.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka cituar një ngjarje, e cila gjithashtu hedh dritë mbi qëllimet e rrezikshme të mekasve. Ai shkruan:

“Sipas një transmetimi në Buhari, vetëm pak kohë pas ngjarjes së hixhretit, Sa’d ibn Mu’adhi, kryetari i fisit Eus i cili tashmë ishte bërë musliman, udhëtoi në Mekë për të kryer tevafin e Qabes. Meqë kishte marrëdhëniet miqësore me Umeje ibn Halefin, prijës mekas që prej kohës së injorancës, ai qëndroi në shtëpinë e tij. Ai dinte se mekasit do të gjenin ndonjë shkas për ta ngacmuar atë, prandaj zgjodhi t’i bënte tevaf Qabes vetëm. Prandaj, për t’iu shmangur çdolloj ngatërrese, ai i tha shokut të tij Umeje: Unë dua t’i bëj tevaf Qabes. Të lutem, më mundëso të bëj tevaf vetëm në qetësi dhe pastaj të nisem drejt shtëpisë. Umeje ibn Halefi zgjodhi kohën e drekës dhe e shoqëroi në Qabe. Por ngjau që edhe Ebu Xhehli doli andej pikërisht në atë çast. Sa e pa Sa’din, ai u mbush me mllef, megjithatë e përmbajti veten dhe iu drejtua Umejes dhe e pyeti: O Ebu Sefvan! Kush është ky zotëri që të shoqëron? Umeja i tha: Ky është Sa’d ibn Mu’adhi, kryetari i fisit Eus. Tani Ebu Xhehli shfreu tërë dufin dhe i tha: A kujtoni se duke e strehuar këtë pafe (meazallah, Muhammedin s.a.v.s.), ju akoma mund të bëni tevafin e Qabes, papengesë? Nëse mendoni ashtu, a keni fuqi për ta mbrojtur apo për ta përkrahur atë? Pasha Zotin! Po të mos shoqëronte ty Ebu Sefvani, ti kurrë nuk ishe kthyer i gjallë në shtëpi”. Sa’d ibn Mu’adhi donte t’i shmangej ngatërresës, por kishte gjak udhëheqësi, dhe sedër për besim, prandaj ia ktheu hazërxhevap: Vëllahi! Nëse do të na pengoni nga Qabeja, nuk do të gjeni më siguri në rrugën tregtare drejt Sirisë. Ne ndodhemi mu në mes, dhe t’ju përgjigjemi ashpër”. Kur Umeja dëgjoi përgjigjen e ashpër të Sa’d ibn Mu’adhit, ai u mat ta qetësonte atë dhe i tha: O Sa’d! Mos e ngre zërin kundër Ebul Hikemit! Ai është lideri ynë”. Banorët e Mekës e quanin Ebul Hikem. Por Sa’di nuk përmbahej dot dhe i tha Umejes: Mos u ngatërro ti me këtë çështje! Vëllahi, nuk mund të harroj profecinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se ti do të vritesh nga muslimanët. Umejes i hyri frika dhe kur u kthye në shtëpi, ai ia rrëfeu këtë bisedë gruas së tij dhe i tha: Pasha Zotin! Unë nuk do të dal më kurrë nga Meka kundër muslimanëve.

Ai ishte i bindur se fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dalin gjithmonë të vërteta, andaj kjo profeci do të përmbushej. Por, ajo që ishte e caktuar, do të përmbushej. Në luftën e Bedrit, Umeja u detyra të udhëtonte drejt Mekës, dhe gjeti vdekjen duke u vrarë nga muslimanët. Umeja ibn Halefi ishte po ai, i cili ushtronte dhunë ndaj Hazret Bilalit.

Sipas një hadithi të Buhariut, Hazret Abdullah ibn Mes’udi r.a. transmeton se Hazret Sa’d ibn Mu’adhi udhëtoi drejt Mekës për Umreh. Ai qëndroi në shtëpinë e Ebu Sefvan Umeje ibn Halefit. Ata kishin marrëdhënie të vjetra. Kur Umeja udhëtonte në Siri, ai bënte ndalim në Medinë në shtëpinë e Hazret Sa’dit. Prandaj, edhe kësaj here Hazret Sa’di vendosi të qëndronte në shtëpinë e Umejes. Kur Hazret Sa’di e tregoi se kishte dëshirë t’i bënte tevaf Qabesë, Umeja e këshilloi për të pritur deri në drekë, kur njerëzit në përgjithësi pushojnë në shtëpi. Kur Hazret Sa’di sillej rreth Qabesë, doli Ebu Xhehli dhe pyeti se kush ishte ai. Hazret Sa’di iu paraqit me emrin dhe vendin e origjinës. Ebu Xhehli i tha: A kujtoni se mund të bëni tevaf rehat, ndërkohë i keni strehuar Muhammedin dhe shokët e tij. Biseda midis tyre u ashpërsua dhe të dy këmbyen fjalë të rënda.

Umeja i tha Sa’dit për të mos ngritur zërin kundër Ebul Hikemit, derisa ishte lideri i krejt banorëve të Mekës. Hazret Sa’di iu përgjigj ashpër që nëse Ebu Xhehli do ta pengonte atë nga tevafi i Qabesë, ai si kundërpërgjigje do t’i mbyllte rrugën tregtare drejt Sirisë. Por Umeja vazhdoi ta qetësonte Sa’din dhe i tha për të ulur zërin para Ebu Xhehlit. Hazret Sa’di u nxeh dhe i tha Umejes plotë zemërim: Mos ndërhy në bisedën tonë! Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se ky (d.m.th. Ebu Xhehli) do të jetë shkak i vrasjes sate. Umeja e pyeti i habitur: i vrasjes sime? Sa’di ia përsëriti fjalët. Umeja i tha: Pasha Allahun! Muhammedi kurrë nuk gënjen. Pastaj ai shkoi te gruaja dhe i rrëfeu se Sa’di ka dëgjuar prej Muhammedit se Ebu Xhehli do të më vrasë. Gruaja i tha: Pasha Allahun! Muhammedi nuk tregon kurrë fjalë të rreme.

Hazret Abdullah ibn Mes’udi r.a. shton se kur mekasit dolën për luftën e Bedrit, dhe një lajmëtar erdhi në shtëpinë e Umejes për të njoftuar për udhëtimin, gruaja e tij i tha: A nuk të kujtohen fjalët e vëllait tënd medinas? Umeja deshi të mos nisej, por Ebu Xhehli insistoi se duke qenë ndër krerët e Mekës, ai le të vinte vetëm për dy ditë. Në këtë mënyrë, ai nisi këtë udhëtim, dhe gjeti vdekjen.

Në një transmetim tjetër, përmendet që Hazret Sa’di i tha Umejes: Betohem në Zot! Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që ata d.m.th. shokët e tij do ta arrijnë ta vrasin atë. Umeja e pyeti: Në Mekë? Sa’di nuk kishte përgjigje, por Umejes i hyri frika. Kur u kthye në shtëpi, ai i tha gruas së tij Safije ose Karime bint Mumer: O nëna e Sefvanit! A ke dëgjuar çfarë ka thënë Sa’di rreth meje? Gruaja e pyeti se çfarë i kishte thënë Sa’di? Umeja i tha: Sa’di ka thënë që Muhammedi e ka lajmëruar se ata do të më vrasin. Kur e pyeta se a do të ndodhte kjo në Mekë, ai më tregoi se nuk e dinte. Pastaj Umeja i tha: Pasha Zotin, s’kam për të dalë nga Meka. Por, kur erdhi koha e luftës së Bedrit, Ebu Xhehli u bëri thirrje njerëzve që të nisen për luftë. Ai gjithashtu i çoi një mesazh Umejes që të vinte në këtë ekspeditë ushtarake për të mbrojtur karvanin e tyre tregtar. Por, Umeja refuzoi të vinte. Atëherë, Ebu Xhehli i shkoi personalisht dhe i tha: O Ebu Sefvan! Ti je ndër krerët e luginës. Kur njerëzit do të të shohin se ke mbetur mbrapa, ata gjithashtu do t’i shmangen luftës. Më në fund, Ebu Xhehli arriti t’i mbushte mendje atij. Pastaj, Umeja i tha gruas që të bënte gati plaçkat për rrugë. Ajo e pyeti se a kishte harruar fjalët e vëllait të tij medinas. Ai iu përgjigj se nuk kishte harruar, veç do të udhëtonte deri diku me ushtrinë e jo deri në fund. Kudo që ndalej ushtria, Umeja e lidhte devenë, derisa Allahu i Madhërishëm i dha vdekje në fushën e Bedrit.

Kjo ngjarje e vrasjes së Umejes është rrëfyer edhe më parë, në lidhje me jetën e Hazret Abdurrahman ibn Aufit r.a., kur Hazret Bilali r.a. u bëri thirrje ensarëve dhe për shkak të dhunës dhe vuajtjes që kishte hequr nga Umeja, ai i nxiti ata për ta mbytur atë.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka rrëfyer këtë ngjarje. Ai shkruan:

“Një ndër krerët e Medinës Sa’d ibn Mu’adhi, kryetari i fisit Eus, udhëtoi në Mekë me qëllim t’i bënte tevaf Qabes. Kur e pa Ebu Xhehli duke kryer tevaf, ai iu drejtua plot mllef: A kujtoni se do të vazhdoni t’i bëni tevaf Qabesë papengasë, edhe pse që e keni strehuar Muhammedin pafe (Meazallah) dhe a me të vërtetë besoni se keni fuqi për ta mbrojtur dhe për ta ndihmuar atë? Pasha Zotin! Nëse nuk të shoqëronte Ebu Sefvani tani, nuk do të të kisha lënë të shkoje i gjallë në shtëpi. Sa’d ibn Mu’adhi ia ktheu një përgjigje të atypëratyshme: Vëllahi! Nëse do të na pengoni nga Qabeja, nuk do të gjeni më siguri në rrugën tuaj tregtare drejt Sirisë.

Hazret Sa’d ibn Mu’adhi r.a. shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në luftën e Bedrit, Uhudit dhe Handekut. Në ditën e Bedrit, ai mbante flamurin e fisit Eus. Një ngjarje në luftën e Bedrit, tregon më së miri dashurinë dhe besnikërinë e tij ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kur ai ia shprehu mendimin. Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka shënuar këtë ngjarje në veprën e tij Siret Khatemun Nebijjin.

“Kur muslimanët mbërritën në vendin Zefran, i cili ndodhej vetëm një ndalesë para fushës së Bedrit, duke kaluar anash luginës së Sufrasë, e cila ndodhej midis Medinës dhe fushës së Bedrit, ata mësuan që një ushtri e madhe është nisur nga Meka dhe po marshon drejt Medinës, për të mbrojtur karvanin e tyre tregtar. Mekasit kishin frikë se Mediansit do ta sulmonin këtë karvan, andaj ata ishin nisur për ta mbrojtur.

Meqë, nuk kishte më nevojë për ta mbajtur të fshehur këtë lajm, andaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mblodhi të gjithë sahabët dhe i lajmëroi për këtë zhvillim të ri. Pastaj, ai u kërkoi mendimin se çfarë duhet të bënin. Disa sahabë i thanë që duke parë mjetet që posedonin, ishte e udhës të ndesheshin me karvanin, pasi nuk ishin të përgatitur për t’u ballafaquar me një ushtri. Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk e vlerësoi këtë mendim. Në anën tjetër, sahabët e mëdhenj ligjëronin me pasion të madh për të sakrifikuar jetën dhe pasurinë për hir të Allahut. Atëherë u ngrit gjithashtu Mikdad ibn Esvedi, i cili ndryshe njihet me emrin Mikdad ibn Amru dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Ne nuk do të përgjigjemi si popull i Musait a.s. se

اذهب أنت وربك فقاتلا ، ولكنا نقاتل عن يمينك وعن شمالك وبين يديك ومن خلفك ،

“Shko ti dhe Zoti yt dhe të luftoni. Përkundrazi, ne do të luftojmë përkrah jush, në të djathtë dhe në të majtë, para jush dhe mbrapa jush. Ne jemi të gatshëm, për të ecur bashkë me ju, kudo që dëshironi.

Fytyra e Profetit s.a.v.s. po shkëlqente nga ngazëllimi, por ai akoma priste përgjigjen e ensarëve. Ai dëshironte të dëgjonte fjalë të tilla bindëse nga krerët e ensarëve, pasi mendonte se ndoshta ensarët akoma besojnë që sipas besëlidhjes së Akabasë, përgjegjësia e tyre për ta mbrojtur atë, vlente vetëm në rast se kundërshtari të sulmonte qytetin. Prandaj, edhe pse kishte dëgjuar fjalë kaq të ngrohta dhe frymëzuese, ai vazhdonte të thoshte: këshillomëni, këshillomëni. Sa’d ibn Mu’adhi ia kuptoi qëllimin dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Ndoshta doni të dini opinionin tonë. Pasha Allahun! Derisa ju kemi pranuar si i vërtetë prej Zotit dhe ju kemi dhënë dorë, tani mund të na prini kudo të doni. Betohem për Atë, i Cili ju ka dërguar me të vërtetë, që nëse na jepni urdhër për t’u hedhur në det, ne do të hidhemi pa ngurrim, dhe asnjëri prej nesh nuk do të mbetet mbrapa. Dashtë Allahu! Do të na gjeni trim dhe të palëkundur në luftë, dhe do ndieni kënaqësi prej nesh.

Pasi që dëgjoi Sa’d ibn Mu’adhin, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. s’përmbahej më nga gëzimi dhe dha urdhër: Marshoni përpara me emrin e Allahut dhe gëzohuni sepse Allahu më ka premtuar se do të na bëjë triumfues mbi njërin prej dy grupeve të mosbesimtarëve d.m.th. ose ndaj ushtrisë ose ndaj karvanit tregtar. Betohem në Allah! Unë sikur po shoh vendet, ku do të bien ushtarët armiq. Fjalët e Profetit s.a.v.s. u përmbushën me përpikëri pas asnjë ndryshim.

Ngjarjet e tjera, do të vijoj në hutben e ardhshme.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp