Sahabët e Muhamedit a.s. | Talha ibn Ubejdullah r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Sahabët e Muhamedit a.s. | Talha ibn Ubejdullah r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Përmbledhja e fjalimit të së xhumasë, të mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 13.03.2020.

Talha ibn Ubejdullah r.a. | طلحة بن عبيد الله بن عثمان بن كعب 

Sot do të diskutohet rreth sahabiut Talha ibn ‘Ubejdullah r.a.. Ai i përkiste fisit Tejm ibn Murrah. Ubejdullah ibn Osmani ishte babai i tij, ndërsa e ëma quhej Sa’ba. Ajo ishte e bija e Abdullah ibn Imad Hadramiut dhe motra e ‘Ala ibn Hadramiut. Ai ishte i njohur me nofkën Ebu Muhammed.

I ati i Talha ibn Hadramiut ishte Abdullah ibn Ibad Hadramiu dhe kishte prejardhje nga vendi Hadrami. Ai kishte lidhje miqësore me Harr ibn Umeja. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte caktuar guvernator në territorin e Bahrainit, përgjegjësinë kjo që ai përmbushi deri në fund të jetës. Ai kishte ndërruar jetë në vitin 14 pas hixhretit, në periudhën e kalifatit të Omerit r.a..

Një ndër vëllezërit e tij, Amir ibn Hadramiu kishte rënë në luftën e Bedrit si mosbesimtar, ndërsa vëllai tjetër Amr ibn Hadramiu ishte i pari ndër idhujtarët, të cilin e kishte mbytur një musliman, dhe një e pesta e plaçkës së të cilit ishte përvetësuar nga muslimanët në përputhje me dispozitën rreth një të pestës (el-Enfal 8:42). Pema gjenealogjike e Talhait, përmes Murrah ibn Ka’abit, piqet me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në brezin e shtatë dhe me Ebu Bekrin r.a. në brezin e katërt.

Babai i tij Ubejdullahu kishte ndërruar jetë para periudhës së Islamit, ndërsa e ëma e tij pati jetë të gjatë dhe pranoi Islamin para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe fitoi gradën e sahabijes. Ajo kishte pranuar Islamin para ngjarjes së hixhretit. Talha ibn Ubejdullahu nuk kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit, megjithatë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dhënë pjesë në plaçka. Arsyeja përse nuk kishte marrë pjesë ai në luftën e Bedrit është përmendur nëpër librat e historisë. Kur i Dërguari i Allahut llogariti për datën e mundshme të nisjes së karvanit kurejsh nga Siria, ai nisi Talha ibn Ubejdullahun dhe Sa’id ibn Zejdin për të mësuar më shumë rreth karvanit, pothuaj dhjetë ditë para nisjes së tij. Këta dy sahabë mbërritën në vendin Haurah dhe qëndruan atje, derisa panë kalimin e karvanit para tyre. Haurah ndodhej pranë detit të kuq, dhe shërbente si vend pushim për karvanet që udhëtonin midis Hixhazit dhe Sirisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mësuar rreth marshimin e ushtrisë mekase, kur Talha ibn Ubejdullahu dhe Sa’id ibn Zejdi akoma nuk ishin në Medinë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u bëri thirrje sahabëve të tij, dhe marshoi për t’u ndeshur me karvanin, ndërkohë grupi i mosbesimtarëve shpëtoi duke shpejtuar nga rruga tjetër e Sehlit. Karvani u kishte shpëtuar gjurmuesve, pasi kishte marshuar pa asnjë pushim.

Ndërkohë Talha ibn Ubejdullahu dhe Sa’ib ibn Zejdi ishin nisur me synim për të mbërritur sa më shpejt në Medinë dhe për të njoftuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe ata nuk dinin aspak se Profeti s.a.v.s. është nisur për luftën e Bedrit. Ata mbërritën në Medinë atë ditë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ballafaquar me Kurejshët në fushën e Bedrit. Ata u nisën nga Medina dhe takuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në Turban, teksa ai po kthehej nga lufta. Turbani është një luginë që ndodhet 19 milje larg nga Medina dhe njihet për puset me ujë të ëmbël. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ndalur në Turban, edhe gjatë rrugës për në Bedr.

Siç u përmend më lartë se Talha ibn Ubejdullahu dhe Sa’id ibn Zejdi nuk ishin të pranishëm në luftën e Bedrit, megjithatë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte dhënë pjesë në plaçkat e luftës, për këtë arsye ata të dy konsiderohen si pjesëmarrës në Bedr.

Talha ibn Ubejdullahu r.a. kishte marrë pjesë në Uhud dhe luftëra të tjera. Ai ishte gjithashtu i pranishëm në marrëveshjen e Hudejbijes. Talhai r.a. ishte ndër ata dhjetë sahabë, të cilëve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte dhënë sihariqin e xhenetit në jetën e tyre. Ai ishte gjithashtu një prej tetë personave, të cilët e kishin pranuar Islamin në fillim dhe një ndër pesë njerëzve, që përqafoi thirrjen e Islamit përmes Ebu Bekrit r.a.. Talhai r.a. ishte një ndër gjashtë anëtarëve të këshillit të themeluar nga Omeri r.a.. Talhai r.a. ishte prej atyre sahabëve, me të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i kënaqur deri në fund.

Jezid ibn Romani ka transmetuar se një ditë Osmani dhe Talha ibn Ubejdullahu shkuan pas Zubejr ibn Avamit dhe takuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. u dha mesazhin e Islamit dhe u recitoi ajetet e Kuranit. Ai ua tregoi detyrimet në Islam si dhe shpërblimet që ka premtuar Allahu i Madhërishëm. Osmani dhe Talha ibn Ubejdullahu atypëraty pranuan Islamin dhe dëshmuan se Muhammedi ishte i Dërguar i Allahut.

Osmani r.a. i tha Profetit: O i Dërguar i Allahut! Unë sapo jam kthyer nga Siria. Duke u kthyer nga Siria, ne bëmë një ndalesë në një vend midis Ma’anit dhe Zarkasë. Teksa po flinim, dëgjova thirrjen e një thirrësi, i cili thoshte: Zgjohuni se Ahmedi është shfaqur në Mekë. Kështu që kur u kthyem në Medinë, dëgjuam rreth jush. Ma’ani është po ai vend, në të cilin gjatë luftës së Motasë, ushtria muslimane ishte përballuar me ushtrinë romake, e cila kishte 200 mijë ushtarë. Sahabët ishin vendosur këtu për dy ditë.

Talha ibn Ubejdullahu r.a. ka rrëfyer duke thënë: Basra është një qytet i madh sirian, në të cilin i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte udhëtuar disa herë për tregti bashkë me xhaxhain e tij. Një herë kur ndodhesha në pazarin e qytetit, dëgjova një murg hebre, i cili në Sinagogë po pyeste për dikë që mund të kishte ardhur nga toka e Haremit. Unë iu përgjigja me pohim. Atëherë ai shtroi pyetjen se a ishte shfaqur Ahmedi? Unë e pyetja plot habinë se kush ishte Ahmedi? Ai më tregoi se ai është djali i Abdullahut dhe nipi i Abdul Mutelibit. Ky është muaji në të cilin duhet të shfaqet ai. Ai është profet i fundit dhe do të shfaqet në harem, ndërsa vendi ku do të shpërngulet ai, do të ketë kopshte me hurma dhe tokë shterpe e shkëmbore. Ju nuk duhet ta braktisni atë. Fjalët e tij m’u nguliten fort në zemër. Unë mbarova punën dhe u nxitova për t’u kthyer në Mekë. U interesova se çfarë kishte ngjarë në Mekë gjatë mungesës sime. Ata më thanë se Muhammed ibn Abdullahu, të cilin e quanin Emin (të besueshëm) ka deklaruar se është i Dërguar i Allahut dhe Ebu ibn Kahafa (nofka e Ebu Bekrit r.a.) ka nisur ta ndjekë atë. Unë shkova menjëherë te Ebu Bekri dhe e pyeta: A me të vërtetë i bindesh atij? Ai u përgjigj me entuziazëm: Po. Ejani të shkojmë tek ai, dhe ti gjithashtu duhet t’i bindesh atij sepse ai fton nga e vërteta.

Atëherë, Talha ibn Ubejdullahu r.a. ia rrëfeu krejt ngjarjen që i kishte ngjarë me murgun hebre në Siri. Ebu Bekri r.a. e shoqëroi atë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ku Talahi e pranoi Islamin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu shprehu kënaqësi mbi ngjarjen e murgut hebre.

Sipas veprës së njohur Tabakatul Kubra, pas pranimit të Islamit nga Talha ibn Ubejdullahu, Nofel ibn Huvejlid ibn Edeveija e lidhi atë dhe Ebu Bekrin me litar. Për këtë arsye, Talha ibn Ubejdullahu dhe Ebu Bekri r.a. njihen me emrin “Karinejn” (dy shokë). Vëllai i Talhait, Osman ibn Ubejdullahu ishte gjithashtu përfshirë në aktin e prangosjes së tij. Qëllimi i ndalimit ishte që ata të mos takoheshin me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe të hiqnin dorë nga Islami. Sipas Imam Bejhekiut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte këtë lutje: O Allah! Ruaji ata nga sherri i Adavijas”.

Mas’ud ibn Hajashi transmeton se një ditë po sillesha midis kodrave Safa and Mervah, kur pashë një turmë njerëzish, e cila po ndiqte një djalosh, të cilit i ishte lidhur dora me qafë. Unë pyeta se kush ishte ai djalë? Njerëzit i thanë që Talha ibn Ubejdullahu është bërë i pafe. Nëna e tij Sa’ba po vinte nga pas, duke e sharë djalin me zemërim.

Abdullahibn Sa’di ka transmetuar nga babai i tij se Harai është një luginë që ndodhet afër Hixhazit, dhe është ndër luginat e Medinës. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri hixhret drejt Medinës, ai kishte shkelur edhe këtë luginë. Aty e takoi Talha ibn Ubejdullahu, i cili po kthehej me karavan nga udhëtimi i Sirisë, dhe i dhuroi Profetit veshje siriane, dhe e njoftoi se banorët e Medinës po e prisnin me padurim. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi të ecte me shpejtësi, ndërsa Talhai vazhdoi rrugën drejt Mekës. Kur përfundoi punën në Mekë, ai bashkë me familjen e Ebu Bekrit r.a. mbërriti në Medinë. Kur Talhai dhe Zubejri pranuan Islamin në Mekë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur vëllazëri midis tyre, para se të nisej ai për Medinë. Ndërsa, kur muslimanët e Mekës mbërritën në Medinë pas hixhretit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi lidhje vëllazërore midis Talhait dhe Ebu Ejub el-Ensariut. Sipas një rrëfimi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjen vëllazërore të Talhait, me Said ibn Zejdin. Ekziston dhe një variant i tretë, dhe sipas këtij burimi Profeti kishte vendosur lidhjen vëllazërore të Talhait me Ubej ibn Ka’b. Pas mbërritjes në Medinë, Talhai ishte vendosur në shtëpinë e Esed ibn Zuraras.

Fal disa kontributeve dhe sakrificave shembullore, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte përshkruar Talhain si bujar. Në histori përmendet një ngjarje se njëherë gjatë luftës së Dhi-Kirdit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pranë një burimi. Kur pyeti rreth tij, i treguan se ai quhet Bejsan dhe ka ujë të kripur. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: jo, ai quhet N’uman dhe ka ujë të ëmbël e të pastër. Talha ibn Ubejdullahu e bleu atë burim dhe e dhuroi për përdorimin e popullit. Pas pak kohe, uji i burimit u bë i ëmbël, dhe Talhai ia rrëfeu të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. këtë ndodhi. Profeti s.a.v.s. e inkurajoi duke e përshkruar si bujar. Pas kësaj, njerëzit nisën ta quanin Talha Fajaz (ose Talha bujar).

Musa ibn Talhai transmeton nga babai i tij Talha që në ditën kur u zhvillua lufta e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e quajti atë si Talhatul-Khejr (Talha e mirësisë). Në luftën e Tebukut dhe të Dhi-Kirdit i dha epitet “Talhatul Fajjaz” (Talha bujar) ndërsa në luftën e Hunejnit i dha epitetin “Talhatul Xhaud” (Talha i zemërgjerësisë).

Said ibn Jezidi ka transmetuar se ai gjithmonë e shoqëronte Talha ibn Ubejdullahun në udhëtim apo në qëndrim dhe ai nuk kishte parë njeriun më bujar dhe shpirtmadh se ai në dhënien e parave, veshjembathjes dhe ushqimit. Në luftën e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte lidhur sahabët me be, se do të luftonin deri në vdekje. Muslimanët ishin detyruar të zmpraseshin gjatë luftës, andaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte kërkuar be disa sahabëve. Këta sahabë treguan një qëndresë të pathyeshme përballë sulmit të armikut dhe nuk kursyen as jetën për të mbrojtur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Në këtë përpjekje, disa sahabë ranë martirë. Sahabët që kishin lidhur këtë be ishin: Ebu Bekri, Omeri, Talhai, Sa’di, Sehl ibn Hanifi dhe Ebu Dexhana.

Hazret Talhai kishte marrë pjesë në luftën e Uhudit dhe ishte ndër ata sahabë që luftuan me trimëri e dhanë qëndresë të lartë dhe u betuan për të luftuar deri në vdekje. Kur Malik ibn Zahiri qëlloi shigjetë për të goditur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., Talhai doli përpara dhe mori shigjetën në dorë dhe kështu mbrojti fytyrën e Profetit. Shigjeta i nguli në gishtin e vogël dhe e sakatoi atë. Kur e goditi shigjeta e parë, ai lëshoi një klithmë nga dhimbja e madhe. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Talhait që nëse do të kishte recituar bismillahin, do të hynte në xhenet. Atë ditë, një idhujtar e sulmoi Talhain dhe i dha dy goditje të forta në kokë. Njëherë kur Talhai po marshonte drejt tij, dhe herën tjetër kur ai po tërhiqej. Kjo i kishte shkaktuar gjakderdhje të madhe.

Kjo ngjarje përmendet në librin e historisë “Siretul Halbije” në mënyrë pak më të hollësishme. Kejs ibn Hidhime ka transmetuar se në ditën e Uhudit, ai kishte parë dorën e Talha ibn Ubejdullahut, e cila ishte gjymtuar duke mbrojtur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. nga shigjetat. Sipas një transmetimi tjetër, dora e tij ishte goditur nga shtiza dhe i ishte derdhur aq shumë gjak, saqë ai kishte humbur ndjenjat. Ai ishte përmendur vetëm pasi Ebu Bekri kishte spërkatur pikat e ujit mbi fytyrën e tij. Sa e mori veten pasi i kishte rënë të fikët, Talhai pyeti për gjendjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ebu Bekri r.a. e siguroi se Profeti ishte mirë e shëndoshë dhe ai e kishte dërguar atë. Talhai r.a. u përgjigj:

الحمدلله كل مصيبة بعده جرا

Lavdërimi është i Allahut dhe çdo hidhërim është i vogël para të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Sipas një rrëfimi të kësaj lufte, Hazret Zubejri ka thënë se në luftën e Uhudit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbante dy mburojë. Ai deshi të ngjitej në shkëmb, por pesha e rendë e mburojave dhe pafuqia trupore, për shkak të plagëve të marra dhe derdhja e gjakut nga koka e fytyra nuk e lejuan të ngjitej. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi Talhain të ulej poshtë, dhe ai hipi mbi të për t’u ngjitur në shkëmb. Zubejri transmeton se kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë se Talhai ka fituar xhenetin.

Sipas një rrëfimi, Talhai ishte i çalë nga një këmbë, dhe si pasojë nuk ecte drejt. Kur e ngriti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ai u mundua shumë të ecte drejt e me ekuilibër dhe që këmba e tij e çalë të mos i sillte ndonjë dëm Profetit s.a.v.s.. Por, pas kësaj ngjarje, iu zhduk kjo mangësi trupore përgjithmonë.

Bijat e tij, Aishja dhe Umi Is’haku kanë rrëfyer se në ditën e Uhudit, babai i tij kishte marrë 24 plagë. Koka e tij kishte një të çarë në formë katrore. I ishte prerë vena e këmbës dhe gishti ishte sakatuar plotësisht. Plagët gjendeshin në çdo pjesë të trupit, ndërsa i kishte humbur ndjenjat. Dy dhëmbët e përparme të Profetit s.a.v.s. ishin thyer. Profeti s.a.v.s. ishte lënduar në fytyrë dhe nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm. Hazret Talhai ngriti Profetin s.a.v.s. në krah dhe lëvizi mbrapsht për ta nxjerrë Profetin s.a.v.s. nga fushë beteja. Ai luftonte me idhujtarët në këtë gjendje derisa mbërriti në luginë, ku e vendosi Profetin me mbështetje.

Në luftën e Uhudit, Halit ibn Velidi kishte sulmuar muslimanët në mënyrë të befasishme. Sulmi i beftë u kishte shkaktuar muslimanëve një gjendje kaotike. Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë gjendje në hollësi dhe u është referuar burimeve të ndryshme që hedhin dritë mbi këtë ngjarje. Ky përshkrim nxjerr në pah trimërinë, vendosmërinë dhe shembullin vetëmohues të Talhait r.a.. Ai shkruan:

“Disa sahabë të tjerë, që maksimumi mund të ishin tridhjetë veta, u turrën ta shpëtonin Profetinsa dhe e rrethuan atë. Mohuesit e sulmuan fort pikërisht vendin ku gjendej Profeti sa. Në mbrojtjen e tij, sahabët filluan të binin dëshmorë njëri pas tjetrit. Përveç shpatëmbajtësve që sulmonin në fushë, ishin edhe harkëtarët nëpër kodra, që qëllonin breshëri shigjetash drejt tij. Në ato momente, duke parë që të gjitha shigjetat e armikut vinin drejt fytyrës së Profetit s.a.v.s., Talha r.a., njëri ndër kurejshët dhe muhaxhirët (mërgimtarët), ngriti dorën e tij për ta mbrojtur fytyrën e Profetit s.a.v.s.. Shigjetat, njëra pas tjetrës, ia shponin dorën, por kryetrimi dhe sahabi besnik nuk e lëvizi aspak. Nga ky vërshim i shigjetave, dora e tij u gjymtua përjetë dhe atij i mbeti vetëm një dorë. Pas shumë vitesh, gjatë kohës së Kalifit të Katërt të Islamit, kur kishte krisur kryengritja midis muslimanëve, një armik me tallje e quajti Talhanë “sakat”. Një tjetër sahab që dëgjonte, i tha: “Po është sakat, por sa sakat i bekuar që është! A di që ai u gjymtua duke mbrojtur fytyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.?!” Pasi mbaroi beteja e Uhudit, dikush e pyeti Talhanë: “A nuk ndieje dhimbje kur shigjetat ta përshkonin dorën? Nuk rënkove as për të thënë “ah”?” Talha iu përgjigj: “Sigurisht që më dhembte. Edhe rënkimet i kisha te goja. Por nuk rënkoja që të mos më lëvizte dora dhe të mos e qëllonte ndonjë shigjetë fytyrën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”.

Në luftën Humraul Esed, duke e ndjekur armikun, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. takoi Talha ibn Ubejdullahun. Profeti s.a.v.s. e pyeti : O Talha! Ku i keni armët? Ai iu përgjigj se i kishte afër. Pastaj ai shkoi menjëherë dhe i solli armët. Në atë kohë, Talhai kishte 9 plagë vetëm në kraharor, që i kishte marrë në luftën e Uhudit. Gjithsej, ai kishte 70 plagë në trup. Ai vetë ka rrëfyer se më tepër ai shqetësohej për plagët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Pastaj, Profeti e pyeti se ku e kishte parë armikun dhe Talhai e tregoi se e kishte parë në luginë. Profeti i tha: “Unë besoj që Kurejshët kurrë nuk do të kenë mundësinë të veprojnë sërish në këtë mënyrë, derisa Allahu të na mundësojë të triumfojmë Mekën.

Në luftën e Tebukut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi që disa hipokritë po grumbullohen në shtëpinë e hebreut Suvejlim. Shtëpia e tij ndodhej në Xhasum. Ky vend njihej gjithashtu me emrin Bi’ri Xhasim. Ky vend gjendej në drejtim të Sirisë, në afërsi të Ratixhit. Këtu ndodhej pusi i Ebu Hejthim ibn Tejhan dhe shquhej për ujin e ëmbël. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu kishte provuar atë ujë. Suvejlimi po inkurajonte hipokritët të mos shkojnë në luftën e Tebukut, përkrah të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Profeti a.s. dërgoi Talhain bashkë me disa sahabë të tjerë me porosinë për t’i vënë flakë shtëpisë së Suvejlimit. Talhai r.a. zbatoi porosinë e Profetit s.a.v.s. dhe Sahak ibn Halifa i cili po tentonte të arratisej nga pjesa e pasme të shtëpisë, u rrëzua nga lartësia dhe përfundoi me një këmbë të vrarë, ndërkohë shokët e tij arritën të largohen me shpejtësi.

Aliu r.a. ka rrëfyer se ka dëgjuar me veshët e tij të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që Talhai dhe Zubejri do të qëndrojnë pranë tij në xhenet si fqinjë.

Ka’ab ibn Maliku r.a. kishte mbetur në Medinë gjatë luftës së Tebukut, dhe për këtë arsye atij i ishte bërë bojkoti shoqëror. Kur Allahu i Madhërishëm pranoi pendimin e tij pas një periudhë dyzet ditore, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpalli për faljen e tij. Ka’ab ibn Maliku erdhi në xhami për të takuar Profetin s.a.v.s., atëherë Talha ibn Ubejdullahu ishte i vetmi person që u ngrit dhe e përqafoi dhe përgëzoi Ka’abin. Ka’abi nuk harroi kurrë këtë gjest human të Talhait.

Sa’id ibn Zejdi ka transmetuar se mund të dëshmonte për nëntë persona se do të hynin në xhenet. Ai gjithashtu ka thënë që nuk do të bënte mëkat, nëse do të jepte një dëshmi të tillë për një person të dhjetë. Kur të pranishmit e pyetën për hollësinë e kësaj ngjarje, ai u shpreh se ishte me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në kodrën e Hirasë, kur ajo nisi të lëkundej. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua kodrës: Ndalu o Hira! Sot një profet, një i vërtetë dhe një dëshmor qëndrojnë sipër teje. Kur e pyetën se cilët ishin ata? Sa’id ibn Zejdi r.a. tha: i Dërguar i Allahut s.a.v.s., Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Talhai, Zubejri, S’adi dhe Abdurrahman ibn ‘Aufi. Këta ishin nëntë persona. E pyetën: Cili është personi i dhjetë? Ai pushoi për një çast e pastaj tha: Personi i dhjetë jam unë, pra Sa’id ibn Zejdi.

Sa’id ibn Xhubejri rrëfen se Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Talhai, Zubejri, S’adi, Abdurrahmani dhe Sa’id ibn Zejdi gëzonin një pozitë kaq të lartë, saqë në fushën e betejës, ata luftonin përpara të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ndërsa në namaz qëndron në rreshtin e parë pas tij.

Xhabir ibn Abdullahu r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që ai që dëshiron të shikojë ndonjë dëshmor, le të shikojë Talha ibn Ubejdullahun.

Musa ibn Talhai dhe Isa ibn Talhai rrëfejnë nga babai i tyre Talha ibn Ubejdullahu se sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. thanë se njëherë një beduin erdhi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e pyeti: Kujt i referohen fjalët مَّن قَضَىٰ نَحْبَهُ se ndër besimtarët ka edhe të tillë që e kanë përmbushur besëlidhjen e tyre? (el-Ahzab 33:24). I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk i dha asnjë përgjigje. Beduini i shtroi pyetjen për herë të dytë dhe Profeti s.a.v.s. nuk foli asgjë. Beduini bëri të njëjtën pyetje për herë të tretë dhe Profeti s.a.v.s. mbajti heshtje. Ndërkohë, (rrëfen Talha ibn Ubejdullahu) kam hyrë në xhami nga dera dhe isha veshur në veshje jeshile. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më pa mua, pyeti se ku ishte pyetësi që pyeste për kuptimin e fjalëve مَّن قَضَىٰ نَحْبَهُ. Beduini iu afrua Profetit, dhe ai s.a.v.s. bëri me shenjë nga unë dhe tha: Shiko ky është ai që ka përmbushur besëlidhjen e tij.

Abdurrahman ibn Osmani rrëfen se njëherë ishim me Talha ibn Ubejdullahun dhe kishim veshur ihramin. Dikush na solli si dhuratë mishin e zogut. Meqë Talha r.a. po flinte, andaj disa prej nesh hëngrën prej atij mishi, ndërsa të tjerët iu shmangën. Kur u zgjua Talhai r.a., ai mbështeti qëndrimin e atyre, që e kishin ngrënë mishin e zogut dhe tha që në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ata gjithashtu kishin ngrënë mishin e gjahut, në gjendje të ihramit, kur e kishte sjellë dikush tjetër.

Eslemi, skllavi i çliruar nga Omeri r.a. ka transmetuar që Omeri r.a. kishte parë Talha ibn Ubejdullahun, në gjendje të ihramit, të veshur me dy këmisha, të lyera me dhe të kuq. Ai e pyeti: O Talha! Si është puna e këtyre veshjeve (të ngjyrosura)? Ai iu përgjigj: O prijësi i besimtarëve! Unë i kam lyer vetëm me dhe. Omeri r.a. i tha: O grupi i sahabëve! Ju jeni pararendës dhe njerëzit ndjekin rrugën tuaj. Nëse një i paditur ju shikon në këto veshje, ai do të kujtojë se Talhai ka veshur rroba me ngjyrë, edhe pse ishte në gjendje të ihramit. Do të akuzojë se në vend të rrobave të bardha, Talhai ka veshur rroba me ngjyrë. Sipas një transmetimi tjetër Omeri r.a. tha: Veshja më e përshtatshme për atë që është në gjendje të ihramit, është e bardhë. Prandaj, mos krijoni dyshime për njerëzit!

Hasani r.a. transmeton se njëherë Talha ibn Ubejdullahu i shiti Osman ibn Afanit r.a. një tokë kundrejt 700 mijë dirhamë. Osmani r.a. i pagoi paratë menjëherë. Kur Talha ibn Ubejdullahu i solli paratë në shtëpi, mendoi që nëse dikush ruan kaq shumë para në shtëpi, nuk i dihet se çfarë vendimi vjen për të prej Zotit. Ai bashkë me shërbëtorin e tij, kaloi tërë natën duke u sjellë poshtë e lartë në rrugicat e Medinës, për t’i shpërndarë paratë mes njerëzve në nevojë. Ai u gdhi në një gjendje, kur nuk i kishte mbetur asgjë nga ato para.

Ibni Xheriri transmeton se njëherë Talhai r.a. e takoi Osmanin r.a., kur ai po dilte nga xhamia. Talhai r.a. i tha se ai i detyrohej atij për 50 mijë dirham, paratë këto që tashmë i kishte siguruar. Prandaj, ai iu lut Osmanit r.a. për të dërguar dikë, që të merrte ato para. Osmani r.a. i tha: O Talha! Ato para ju kam bërë dhuratë, për shkak të ndershmërisë suaj.

Talhai r.a. kishte rënë dëshmor në luftën e Xhemelit. Kejs ibn Ebu Hazimi ka rrëfyer se në ditën e luftës së Xhemelit, Mervan ibn Hakami e kishte qëlluar Talhain me shigjetë që e goditi në gju, dhe shkaktoi hemorragji. Kur ai e shtrëngonte atë, gjaku i ndalej, dhe sa e lëshonte, fillonte të derdhej me sasi të madhe. Talhai r.a. bëri këtë lutje: Pasha Allahun! Akoma nuk na kanë arritur shigjetat e tyre. Pastaj tha: Lirojeni plagën sepse kjo shigjetë është prej Allahut.

Talha ibn Ubejdullahu r.a. u martirizua në ditën e luftës së Xhemelit, më 10 xhemadiuth-thani më 36 hixhra. Në kohën e martirizimit, ai ishte 64 vjeç. Sa’id ibn Musajibi rrëfen se një njeri po përgojonte Aliun, Talhain dhe Zubejrin. Sa’ad ibn Maliku d.m.th. Sa’ad ibn Ebi Vekasi e qortoi atë dhe i tha: “Mos fol keq për vëllezërit e mi!” Por ai nuk pushoi së foluri. Sa’adi r.a. u ngrit dhe fali dy rekate namaze. Pastaj bëri këtë lutje: O Allah! Nëse ato fjalë që ka thënë ky njeri, të ngjallin zemërim e pakënaqësi, të lutem Ty që ta ndëshkosh para meje dhe ta bësh atë shembull për të tjerët”. Nuk kaloi shumë që ai njeri, doli për t’u kthyer, ndërkohë po rendte një deve e tërbuar, duke çarë turmën. Deveja e ndeshi atë njeri në një fushë shkëmbore dhe e përplasi në tokë për vdekje. Transmetuesi shton që kishte parë njerëz të cilët e përgëzonin Sa’adin për pranimin e lutjes.

Ali ibn Zejdi transmeton nga babai i tij që një njeri e kishte parë Talhain në ëndërr dhe ai i kishte thënë për të lëvizur varrin në një vend tjetër, pasi uji e lagështia i sillnin dëm. Ai e kishte parë këtë ëndërr tri herë, prandaj shkoi te Ibn Abbasi dhe ia rrëfeu ëndrrën. Njerëzit shkuan për të kontrolluar varrin, dhe vërtetuan që ajo pjesë ishte bërë jeshile nga lagështia e madhe. Më pas ata i ndërruan vendin dhe e zhvendosën në një vend tjetër. Transmetuesi i kësaj ngjarje ka thënë që ai sikur akoma po shikon kamfurin që ishte vendosur mbi sytë e tij dhe përveç ngjyrës së flokëve, trupi nuk kishte pësuar asnjë ndryshim. Ata blenë një ndër shtëpitë e Ebu Bekrasë, kundrejt një pagese prej 10 mijë dirhamësh dhe e varrosën Talhain atje.

Talha ibn Ubejdullahu fitonte 4-5 qind mijë dirham nga të korrat e Irakut. Po ashtu, ai fitonte 10 mijë dinar nga drithërat që prodhoheshin në rajonin “Sera”, që ndodhej në Perëndim të Gadishullit Arab. Vargmali që shtrihej nga Veriu në Jug, njihej gjithashtu me emrin “Xhebelus Sera”. Nuk kishte asnjë familje e varfër në Benu Tejm, që të mos mbështetej e furnizohej nga Talhai r.a.. Nuk kishte gra të ve, që të mos i ketë martuar, nuk kishte njerëz skamës, që të mos kenë marrë përkrahje prej tij dhe nuk kishte njerëz të rënduar nga borxhet, që të mos i kishte shlyer borxhet. Çdo vit, nga të ardhurat e të korrave, Talha ibn Ubejdullahu dërgonte 10 mijë dirhamë Aishes r.a.. Njëherë Muavija e pyeti Musa ibn Talhain se çfarë pasuri kishte lënë Talha ibn Ubedullahu. Ai i tregoi se ai kishte 220 mijë dirham dhe 2 qind mijë dinar. Të gjitha të ardhurat e tij buronin nga të korrat, që vinin nga tokat që gjendeshin në vende të ndryshme.

Talha ibn Ubejdullahu kishte rënë dëshmor në luftën e Xhemelit. Do t’ju rrëfej këtë ngjarje me hollësi në hutben e ardhshme. Insha-Allah do t’u gjeni sqarim disa çështjeve të cilat na ngrihen në mendje. Këtë do t’ju rrëfej në xhumanë e ardhshme.

Ashtu siç kam thënë në xhumanë e kaluar, vazhdoni të merrni masat parandaluese kundër epidemisë së Koronavirusit. Duhet të merrni të gjitha masat, nëse vini në xhami. Duhet t’u shmangeni vendeve të tilla publike, nëse vuani nga temperatura sado e ulët apo ndieni dhimbje apo lodhje trupore. Ruhuni vetë dhe ruajini të tjerët. Kushtojuni vëmendje lutjes. Allahu e ruajttë botën nga çdolloj fatkeqësie!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem