Jeta e Sa’d ibn ‘Ubades r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Sa’d ibn ‘Ubades r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Një sqarim lidhur me renditjen e hutben e fundit

Në hutben e fundit, bashkë me shpalljen e hapjes zyrtare të vitit të ri financiar të arkës “Vakfi Xhedid”, kisha lexuar renditjen e shteteve për sa i përket kontributit të tyre në këtë arkë. Në vazhdim, kisha lexuar edhe emrat e xhemateve në Angli dhe kisha thënë që Islamabadi kishte siguruar vendin e parë, rezultati ky që doli i pasaktë pas shqyrtimit të shifrave. Sipas rezultatit përfundimtar e të rishqyrtuar, xhemati Oldershaw ka siguruar vendin e parë në mbarë Angli, ndërsa Islamabadi duhet të kënaqet me vendin e dytë. Nuk dua të hyj në detaje lidhur me arsyet që çuan në këtë gabim e keqllogaritje, por thjesht për të vënë faktet para jush, kam dashur t’jua sqaroj këtë korrigjim. Xhemati ynë në Oldershaw ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme dhe kryetarja e Lexhna Imailah ka njoftuar se gratë ahmediane kanë bërë kontribute të veçanta. Shpirti i sakrificës dhe vetëmohimit të këtyre grave është shembullor. Allahu ua shtoftë pasurinë dhe i bekoftë ata.

Në hutben e fundit, unë gjithashtu kisha rrëfyer disa ngjarje frymëzuese të sakrificës dhe vetëmohimit nga njerëzit e thjeshtë prej vendeve të varfra. Qëllimi im për një përzgjedhje të tillë ishte vetëm t’u ngjall anëtarëve të pasur frymën e sakrificës, përndryshe edhe në këto vende të zhvilluara ka shumë anëtarë që kontribuojnë duke shpërfillur nevojat e tyre personale.

Sa’d ibn ‘Ubade el-Ensariu r.a. | سَعْد بن عُبَادة

Tani i kthehem temës së hutbes së sotme, e cila është cikli i jetës së sahabëve të Bedrit. Në hutben e parafundit, ishte trajtuar jeta e Sa’d ibn ‘Ubades r.a., temë kjo që vijon edhe sot. Më duhet të bëj një korrigjim lidhur me një referencë, që kisha cituar në hutben e parafundit. Ndonëse e kisha vënë re nevojën e korrigjimit, nuk ua kisha përcjellë vërejtjen time punonjësve të grupit kërkimor. Megjithatë, ata më dërguan korrigjimin dhe kështu u qartësova dhe unë lidhur me këtë çështje. Masha-Allah ata i përgjigjen kësaj detyre me përkushtim të madh dhe zbulojnë burime duke punuar me mund. Megjithatë, nganjëherë për shkak të nxitimit në punë, ata nuk hyjnë në thellësi të temës dhe citojnë referencat që shkaktojnë pështjellim, duke ngatërruar dy ngjarje të ngjashme të dy sahabëve të ndryshëm. Ngjanjëherë mospërzgjedhja e fjalëve të duhura në përkthimin e tekstit burimor nga arabishtja, nuk e kthjellon mjatueshëm kontekstin e temës.

Sidoqoftë, zyra e kërkimit e studimit e kanë dërguar vetë këtë sqarim, prandaj para se të nis temën e sotme, do t’ju tregoj këtë sqarim:

Në hutben e 27 dhjetorit mbi jetën e Sa’d ibn ‘Ubades r.a. u përmend për lidhjen vëllazërore që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte krijuar midis Sa’d ibn ‘Ubades r.a. dhe Tulejb ibn ‘Umejrit r.a. i cili kishte ardhur duke bërë hixhret nga Meka në Medinë. Ndërsa sipas Ibn Is’hakut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhjen vëllazërore midis Sa’dit dhe Ebu Dherr Gafarit r.a. Por ekziston edhe qëndrimi i tretë, i cili u kundërvihet dy qëndrimeve të mëparshme. Përkrahësit e këtij qëndrimi, në të cilët bën pjesë dhe Vakidiu, mendojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte vendosur lidhje vëllazërore midis ensarëve dhe muhaxhirëve para se të zhvillohej beteja e Bedrit. Ebu Dherr Gafariu r.a. nuk kishte mbërritur akoma në Medinë, për këtë arsye ai nuk kishte marrë pjesë në betejat e Bedrit, Uhudit apo Handekut. Kështu koha e ardhjes së tij përputhet me periudhën pas këtyre luftërave.

Këto të dhëna për lidhjen e vëllazërisë ose Muakhat’ ishin përmendur në kontekstin e jetës së Mundhir ibn Amrit r.a.. Por sipas grupit kërkimor, libri nga i cili është marrë ky citim, kishte përmendur disa të dhëna për Sa’d ibn ‘Ubaden r.a.. Prandaj kjo temë iu referua gabimisht Sa’d ibn ‘Ubades r.a., ndërkohë ajo kishte lidhje me Mundhir ibn Amrin r.a.. Këto të dhëna kam përmendur në hutben time të datës 25 janar.

Pas këtij korrigjimi, vijoj me temën e sotme.

Gjatë luftës së Handekut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mendoi për t’i dorëzuar një të tretën e gjithë prodhimit të hurmës në Medinë Ainje ibn Hisnit si shpagim për ta shtyrë atë të tërhiqej nga rrethimi i qytetit me fisin e tij Gatfan. Ai nuk e diskutoi këtë çështje me askënd, por u kërkoi mendimin Sa’d ibn Mu’adhit r.a. dhe Sa’d ibn ‘Ubades r.a.. Ata e pyetën njëzëri Profetin s.a.v.s.: “A keni marrë urdhër prej Zotit për të vepruar në këtë mënyrë?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përgjigj me mohim. Ata thanë: “Pasha Allahun! Atëherë nuk do t’u japim asgjë përveç shpatës. Ata do të marrin dënimin që meritojnë për shkak të tradhëtisë së tyre dhe shkeljes së marrëveshjes”. (d.m.th. do t’u kërkojmë hakun tonë me anë të shpatës). I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: “Nuk kam marrë asnjë urdhër lidhur me këtë çështje, por është thjesht mendimi im personal, që kam ndarë me ju”. Ata i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Nëse nuk kanë pritur një sjellje të tillë nga ana jonë gjatë kohës së injorancës, si mund ta presin këtë tani, kur kemi gjetur udhëzim prej Allahut”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u gëzua nga përgjigja e tyre.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkruar rrethanat e luftës së Handekut me këto fjalë:

“Për muslimanët këto ishin ditë të errëta, të vështira e të rrezikshme. Me zgjatimin e rrethimit, atyre u dobësohej rezistenca. Ndonëse shpirti i tyre ishte mbushur me bindje e besnikëri, por trupi i cili i nështrohet ligjit të materies, kishte nisur t’i priten forcat.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shqyrtoi rrethanat dhe ftoi krerët e ensarëve Sa’d ibn Mu’adhin dhe Sa’d ibn ‘Ubaden për diskutim. Së pari, ai i bëri të ditur me gjendjen dhe situatën e brendshme dhe u kërkoi mendimin për hapat që duheshin ndërmarrë për të lehtësuar vuajtjen e muslimanëve. Ai gjithashtu u tha që nëse pranojnë, mund t’i dorëzohej fisit Gatfan një pjesë e taksave të Medinës, si shpagim për të evituar konfliktin e përgjakshëm. Sa’d ibn Mu’adhi dhe Sa’d ibn ‘Ubada iu përgjigjën njëzëri: “O i Dërguar i Allahut! Ne pajtohemi plotësisht me këtë mendim nëse keni marrë ndonjë shpallje hyjnore lidhur me këtë”. Profeti s.a.v.s. iu përgjigj me mohim se nuk kishte marrë urdhër prej Zotit, por duke parë vuajtjen e banorëve, ai donte të diskutonte me ta për të gjetur ndonjë zgjidhje. Ata dy iu përgjigën njëzëri: Nëse kërkoni mendimin tonë, do të themi që nëse nuk jemi dorëzuar para armikut gjatë kohës së injorancës, pse vallë t’u japim diçka atyre tani kur jemi bërë muslimanë. Pastaj ata shtuan duke thënë: Nuk do t’u japim atyre asgjë përveç tehut të shpatës.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. po brengosej për vuajtjen e rëndë që kalonin ensarët, dhe duke qenë banorë vendasë të Medinës, Profeti s.a.v.s. merakosej veçanërisht për moralin dhe qëndresën e ensarëve, që të mos dobësohej para rrethimit të gjatë të armikut. Qëllimi i tij nga kërkimi i mendimeve prej dy krerëve të ensarëve ishte ndoshta gjithashtu të mësonte gjendjen e tyre të brendshme se mos vallë u ishte venitur entuziazmi përballë atyre sfilitjeve ose janë të lodhur e të dërrmuar nga mundimet. Profeti s.a.v.s. donte t’u jepte zemër dhe t’i ngushëllonte ata. Prandaj, ai ua pranoi mendimin me entuziazëm dhe kështu muslimanët kalitën qëndresën e tyre në këtë luftë”.

Në veprën e tij “Siret Khatimun Nebijjin” Hazret Mirza Bashir Ahmedi, në vijim të luftës së Handekut, ka mbajtur një shënim për fisin Benu Kurejza. Ai shkruan:

“Ebu Sufjani hodhi një hap të kurdisur, dhe porositi kryetarin hebre të fisit Benu Nezir Haj ibn Ekhteb për të shkuar fshehurazi në terrin e natës drejt kalasë së Benu Kurejzas dhe për ta bindur kryetarin e tij Ka’b ibn Esed që të bashkohet me të. Kur Haj ibn Ekhtebi mbërriti në shtëpinë e Esed ibn Ka’bit, ai në fillim refuzoi ta dëgjonte atë, duke thënë se ka bërë marrëveshje me Muhamedin (s.a.v.s.) dhe që ai gjithmonë ka respektuar me besnikëri kushtet e pajtuara, prandaj ai në asnjë mënyrë nuk mund ta shkelte marrëveshjen.

Megjithatë, Haji i bëri premtime të rreme në mënyrë kaq djallëzore, saqë Ka’b ibn Esedi u bind se së shpejti Islami do të shkatërrohej. Ai gjithashtu u zotua me kaq bindje se nuk do të ktheheshin mga Medina derisa nuk do të çrrënjosnin Islamin, saqë Ka’bit iu mbush mendja dhe ai besoi plotësisht fjalët e Hajit. Në këtë mënyrë, pesha e fuqisë së Benu Kurejzas iu bashkua palës kundërshtare. Edhe pse ata posedonin fuqinë qysh prej herët, por tashmë me bashkimin e Benu Kurejzas, kjo aleancë ishte bërë akoma më e fuqishme.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi për tradhtinë e Benu Kurejzas, ai në fillim vërtetoi këtë lajmë duke dërguar dya  tri herë Zubejr ibn el-Evamin në misione sekrete, që të raportonte fshehurazi mbi situatën e brendshme. Pastaj, ai dërgoi një delegacion zyrtar, të përbërë nga krerët e fiseve Eus e Hazrexh, gjegjësisht Sa’d ibn Mu’adhin dhe Sa’d ibn ‘Ubaden si dhe disa sahabë të tjerë me ndikim drejt fisit Benu Kurejza. Ai gjithashtu i porositi ata që në rast se konfirmojnë diçka shqetësuese, nuk duhet ta bëjnë publike, për të shamngur panik te banorët e Medinës.

Kur mbërritën në qendrën e Benu Kurejzës dhe takuan kryetarin e tyre, Ka’b ibn Esedin, njerëzit e tjerë të fisit u shprehën me neveri “Largohuni prej këtej! Nuk kemi më asnjë marrëveshje me Muhamedin (s.a.v.s.)”. Me të dëgjuar këto fjalë, delegacioni i sahabëve u ngrit nga vendi dhe u kthye në Medinë. Sa’d ibn Mu’adhi dhe Sa’d ibn ‘Ubada ia përcollën këtë lajm të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Gjatë luftës së Benu Kurejzës, Sa’d ibn ‘Ubada i ngarkoi devetë me hurma për ushqimin e Profetit s.a.v.s. dhe muslimanëve të tjerë. Duke parë bujarinë e Sa’d ibn Mu’adhit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte shprehur: “Sa e mirë qenka hurma si ushqim”.

Në vitin 8 pas hixhretit, u zhvillua lufta e Mu’tes. Zejdi r.a. kishte rënë dëshmor në këtë luftë, andaj i Dërguar i Allahut s.a.v.s. vizitoi familjen e tij për t’i shprehur ngushëllime. Vajza e Zejdit erdhi pranë Profetit, ndërsa po qante me dënesë nga dhimbja e babait. Profetit gjithashtu lotët i shkuan rrëke. Sa’d ibn Mu’adhi r.a. po shikonte këtë gjendje, ai e pyeti Profetin plotë habi: “O i Dërguar i Allahut! Ç’farë është kjo?” Ai iu përgjigj:

هذا شوق الحبيب الى الحبيب

“Kjo është dashuria e një të dashuri ndaj të dashurit”.

Sipas një transmetimi të Buhariut, Hisham ibn ‘Urvaja rrëfen nga babai i tij se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi marshimin drejt Mekës, Kurejshët gjithashtu dërguan Ebu Sufjan ibn Harbin, Hakim ibn Hizamin dhe Budejl ibn Verkan për të ndjekur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. derisa mbërritën në vendin مر الزھران Merruz-Zuhran, i cili ndodhej 5 milje larg nga Meka në drejtim të jugut. Ky vend shquhej për oazat, burimet dhe kopshtet e hurmës. Kur grupi i kurejshëve mbërriti në atë vend, ata vështruan vatrat të ndryshme të zjarrit, të ngjashme me ato që ndizeshin në Arafat gjatë periudhës së Haxhit. Ebu Sufjani shprehu çudinë për atë që shikonte dhe tha: Ç’janë këto zjarre? A mos vallë janë këto si në fushën e Arafatit? Budejl ibn Verka ndërhyri në bisedë dhe tha: “Këto i ngjajnë zjarrit të Benu Amrus, d.m.th. fisit të Khuzas. Ebu Sufjani u përgjigj në refuzim dhe tha numri i fisit Khuza’a është shumë i vogël në krahasim me ata që gjendeshin atje.

Teksa po bisedonin me njëri-tjetrin, u shfaqën disa ushtarë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilët kishin diktuar praninë e tyre. Ata i arrestuan dhe i paraqitën para Profetit s.a.v.s. Ebu Sufjani pranoi Islamin. Para se të marshonin muslimanët në drejtim të Mekës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Ebasin për të ndaluar Ebu Sufjanin te qafa e malit, që ai të vështronte më mirë ushtrinë muslimane.

Fiset e ndryshme marshonin bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe njësitë e tyre kalonin një nga një para Ebu Sufjanit. Kur kaloi një njësi ushtarake, Ebu Sufjani e pyeti Ebasin “Cilët janë këta?” Ebasi iu përgjigj: “Këta janë nga fisi Ghafar”. Ebu Sufjani shprehu me shpërfillje “Ç’kam unë me Ghafarin”. Pastaj kaloi grupi i fisit Xhuhejna, dhe Ebu Sufjani sërish komentoi në të njëjtën mënyrë. Pastaj kaloi grupi i Sa’d ibn Huzejmit dhe sërish Ebu Sufjani bëri sikur nuk kishte marrë ndonjë përshtypje. Pastaj kaluan pjesëtarët e fisit Sulejm, për të tërhequr të njëjtin qëndrim prej Ebu Sufjanit. Por në fund, kaloi një grup kaq i madh, saqë u habit Ebu Sufjani nga përmasa e tij dhe pyeti plot habinë: “Cilët janë këta?” Ebasi iu përgjigj: Këta janë Ensarë me kryetarin e tyre Sa’d ibn ‘Ubada, i cili mban flamurin e tyre.

Sa’d ibn ‘Ubada thirri me zë të lartë: “O Ebu Sufjan! Sot do të kemi një betejë të ashpër. Sot lufta është bërë e lejushme në Qabe”. Ebu Sufjani iu përgjigj: “Sot është dita e shkatërrimit. Do të ishte mirë nëse të kisha mundësi për t’iu kundërpërgjigjur këtij sulmi”. Pastaj kaloi një grup tjetër, më i vogël se grupi i ensarëve. Në këtë grup ndodhej i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me muhaxhirët, ndërsa Zubejr ibn el-Evami kishte ngritur flamurin e Profetit.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi pranë Ebu Sufjanit, ai e pyeti: A e dini se çfarë më ka thënë Sa’d ibn ‘Ubada? Pastaj, Ebu Sufjani ia rrëfeu fjalët e Sa’dit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Sa’di ka bërë gabim, nëse ai ka thënë fjalë të tilla. Sot është dita kur Allahu do të vendosë madhështinë e Qabes dhe do t’i vihen perdet e reja, por nuk do të zhvillohet asnjë luftë.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë ngjarje më imtësisht. Ai shkruan:

Kur kjo ushtri nisi të marshonte drejt Mekës, Profeti s.a.v.s. e porositi Abasin r.a. që të merrte Ebu Sufjanin dhe shokët e tij e të qëndronte në një cep të rrugës, në mënyrë që ata të shihnin ushtrinë muslimane dhe devotshmërinë e saj. Abasi r.a. e zbatoi porosinë. Para tyre filluan të ecnin varg fiset arabe, njëri pas tjetrit, për të cilat, Meka shpresonte se do ta ndihmonin atë, por tanimë, nuk mbanin flamurin e mohimit, por atë të Islamit. Gjuhët e tyre lëshonin parulla të njëshmërisë së Zotit të Plotfuqishëm. Ata nuk luftonin më për t’ia marrë jetën Profetit Muhammed s.a.v.s., siç mekasit shpresonin prej tyre, por tani ata ishin gati për të derdhur deri edhe pikën e fundit të gjakut për hir të Profetit s.a.v.s. dhe synimi i tyre më i lartë ishte pikërisht ai, që të vendosnin njëshmërinë e Zotit dhe këtë thirrje ta bënin në të gjithë botën.

Ndërsa po marshonin ushtritë, njëra pas tjetrës, kaloi edhe ushtria e fisit Eshxhe. Fytyrat e parullat e tyre rrezatonin dhe pohonin fuqishëm dashurinë dhe ndjenjat e tyre të sakrifikimit ndaj Islamit. Ebu Sufjani pyeti: “O Abas! Kush janë këta?” “Është fisi Eshxhe”, iu përgjigj ai. Ebu Sufjani shikonte i befasuar fytyrën e tij duke thënë: “Armiq më të mëdhenj të Profetit sesa këta, nuk gjendeshin në Arabi”. “Ky është bekimi i Zotit, i Cili, kur deshi, ua futi në zemrat dashurinë e Islamit”, i sqaroi Abasi r.a..

Në fund, kaloi Profeti Muhammed s.a.v.s. me çetën e muhaxhirëve dhe të ensarëve, që përbëheshin prej dy mijë ushtarëve, të cilët, nga koka gjer në këmbë, ishin të mbuluar me veshje luftarake. “Ecni me hapa të kujdesshëm, që rreshtat të jenë në ekuilibër”, thoshte Omeri r.a. teksa po i rregullonte rreshtat. Frymëzimi, vendosmëria dhe patosi i tyre u shkëlqenin në fytyra këtyre flijuesve të vjetër të Islamit. Ebu Sufjanit i drithëroi zemra kur i pa. “Po këta, kush janë?” e pyeti Abasin r.a.. “Po shkon Profeti Muhammed s.a.v.s. së bashku me batalionet e muhaxhirëve e të ensarëve”, iu përgjigj ai. “Vallë, kush mund të guxojë në botë të përballet me këtë ushtri!”, u shpreh Ebu Sufjani dhe tha “O Abas, nipi yt, sot është bërë mbreti më i madh i botës”. “Ende nuk t’u hapën sytë! Kjo nuk është mbretëri, por profetësi” i tha Abasi r.a.. “Po mirë e ke, ky është profetësi”, pohoi Ebu Sufjani.[6]

Gjatë kohës kur kjo ushtri po kalonte para Ebu Sufjanit, Sa’ad ibni Ubada r.a., komandanti i ensarëve iu drejtua Ebu Sufjanit dhe tha: “Sot, Zoti na bëri të lejueshme hyrjen me forcën e shpatës në Mekë. Sot, do të poshtërohet përfundimisht populli kurejsh”. Kur Profeti s.a.v.s. kaloi pranë Ebu Sufjanit, ai e thirri ankueshëm:

“O i Dërguari i Allahut, a i keni dhënë leje popullit tuaj për vrasje? Kështu po thoshte komandanti i ensarëve Sa’adi r.a. që kaloi pak para jush. Ai më tha se ju keni pohuar se sot do të bëhet luftë dhe se shenjtëria e Mekës nuk do t’ju ndalojë nga kjo dhe që kurejshët do t’i poshtëroni patjetër. O i Dërguari i Allahut, ju jeni njeriu më i mirë, më i mëshirshëm dhe më përdëllimtar ndaj farefisit në botë. A nuk do t’i harroni sot mizoritë e popullit tuaj?”

Fjalët e Ebu Sufjanit u ngjallnin mëshirë në zemër edhe muhaxhirëve, të cilët dikur zvarriteshin dhe rriheshin nëpër rrugicat e Mekës, që përjashtoheshin nga pronat dhe pasuritë e tyre. Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut, nuk e dimë se si do të sillen me kurejshët, ensarët që dinë të gjithë historinë e barbarisë që bënin mekasit”. Profeti s.a.v.s. tha: “Ebu Sufjan, Sa’di r.a. e ka gabim. Sot është dita e mëshirës. Sot, Allahu i Lartësuar do të bekojë me nder kurejshët dhe Qaben”. Pastaj, Profeti i dërgoi Sa’adit një njeri me urdhrin që flamurin që po mbante ai, t’ia dorëzonte djalit të tij, Kejsit, sepse ai do ta zëvendësonte në postin e komandantit të ensarëve.[7] Në këtë mënyrë, Profeti s.a.v.s. u dha zemër mekasve dhe njëherësh i mbrojti edhe ensarët që të mos lëndoheshin në shpirt.

Për sa i përket Kejsit r.a., Profeti s.a.v.s. kishte besim të plotë tek ai, sepse ai ishte jashtëzakonisht shpirtmirë. Për butësinë e tij përmendet në histori. Në kohën kur ai ishte afër vdekjes, disa njerëz i shkuan për vizitë dhe disa jo. Atëherë, ai pyeti shokët e tij për mos ardhjen e atyre që ai i njihte. ata thanë:

“Jeni një njeri i pasur dhe çdokujt i jepni hua kur ai gjendet në vështirësi. Shumë nga njerëzit e qytetit ju kanë borxhe. Ata nuk po vijnë, sepse kujtojnë se ndoshta keni nevojë për para dhe ju do t’jua kërkoni borxhet”.

Kejsi tha: “Po më vjen shumë keq. Miqtë e mi për kot u futën në vështirësi. Njoftoni nga ana ime në gjithë qytetin që çdokush që i ka borxh Kejsit, i falet”.

Pas këtij njoftimi, kaq shumë njerëz erdhën për ta vizituar Kejsin, saqë iu thyen shkallët e shtëpisë.

Lufta e Hunejnit (Lufta e Havazinit)

Hunejni është një luginë, e cila ndodhet 30 milje larg Mekës, në drejtim të Taifit, dhe gjendet midis këtyre dy qyteteve. Kjo betejë u zhvillua në vitin 8 pas hixhretit, pas triumfit të Mekës. Plaçkat e kësaj lufte, i kishte shpërndarë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. midis muhaxhirëve, dhe ensarët e kishin ndierë këtë.

Musned Ahmed ibn Hanbeli ka shënuar një hadith të gjatë, për këtë ngjarje.

Ebu Sa’id Hudriu r.a. ka transmetuar se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpërndau plaçkat dhe pasuritë e tjera midis kurejshëve dhe fiseve të tjera arabe, ensarët nuk morën asgjë. Ata e kishin ndjerë diçka në zemër dhe ishin llafosur me njëri-tjetrin për këtë çështje. Disa prej ensarëve u shprehën se tashmë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është bashkuar me popullin e tij, dhe ai na ka harruar.

Sa’d ibn ‘Ubada shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha: O i Dërguar i Allahut! Meqë keni ndarë gjithë pasurinë dhe plaçkat mes kurejshve dhe fiseve të tjera arabe, dhe ensarëve nuk u keni dhënë asgjë, andaj populli ynë po ndien hidhërim përbrenda. Profeti s.a.v.s. e pyeti: O Sa’d! Çfarë mendoni ju në këtë çështje? Ai i tha: O i Dërguar i Allahut! Unë jam një pjesëtar i thjeshtë i fisit tim dhe nuk gëzoj ndonjë pozitë të veçantë”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi për t’i mbledhur ensarët në shesh. Sa’di tuboi krejt ensarët në një shesh, ndërsa erdhën edhe disa muhaxhirë. Sa’di nuk i ndaloi ata, derisa nuk kishte më vend për të tjerët. Kur u mblodhën gjithë ensarët, Sa’di r.a. njoftoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Ai doli para tyre dhe në fillim e madhëroi Zotin. Pastaj tha: O grup i ensarëve! Çfarë janë këto fjalë që po më vijnë prej jush se jeni të pakënaqur, meqë nuk keni fituar asgjë nga plaçkat e shpërndara. A nuk ishit ju të zhytur në injorancë, ndërsa Zoti ju përudhi? A nuk ju ishte shtrënguar gjendja ekonomike, dhe Zoti jua mbarësoi punët? A nuk ishit të përçarë dhe mbanit hasmëri ndaj njëri-tjetrit, ndërsa Ai ju bashkoi me dashuri e vëllazëri? Ata iu përgjigjën njëzëri: Po. Me siguri, Allahu dhe i Dërguari i Tij na kanë bërë mirësi dhe favore të pallogaritshme. Profeti s.a.v.s. i pyeti sërish: “O grup i ensarëve! Përse nuk i përgjigjeni pyetjes sime?” Ata i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Si t’ju përgjigjemi kur mirësia dhe hijeshia i takojnë vetëm Allahut dhe Profetit të Tij”. I Dërguari i Allahut u tha: “Pasha Allahun! Po të kishit dashur, mund të kishit thënë me të drejtë, se ju na kishit ardhur, kur populli juaj ju kishte përgënjeshtruar, ndërsa ne ju besuam e ju u bindëm. Njerëzit tuaj, ju kishin braktisur, ndërsa ne ju mbështetëm. Ju na kishit ardhur, kur njerëzit tuaj ju kishin dëbuar dhe përzënë nga shtëpitë tuaja, ndërsa ne ju hapëm dyert dhe ju strehuam. Ne ju gjetëm me familje të madhe dhe vendosëm lidhje të ngushta me ju. O grup i ensarëve! A jeni brengosur për pasurinë e ulët  dhe të pavlerë të dynjasë? Nëse u kam dhënë pasuri të tjerëve, qëllimi im ka qenë vetëm, t’i afroj ata në fe dhe t’i fuqizoj në besim. O grup i ensarëve! A nuk po kënaqeni se të tjerët të marrin dele, dhi dhe deve, ndërsa ju të ktheheni me të Dërguarin e Allahut në shtëpi? Pasha Allahun, në dorën e të Cilit qëndron jeta e Muhammedit! Po të mos ishte hixhreti, do të isha një prej ensarëve. Nëse njerëzit ecin në një luginë, kurse ensarët në luginën tjetër, unë do të pëlqej t’u bashkohem ensarëve. O Allah! Mëshiroji enarët, djemtë e tyre, dhe djemtë e djemve të tyre”.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. pushoi së foluri, lotë po rridhnin nga sytë e ensarëve, derisa mjekrat e tyre ishin njomur me lotë. Ata po i thoshin Profetit me dënesë: “Ne jemi të kënaqur me ndarjen që keni bërë dhe jemi të gëzueshëm me hisen tonë. Mjafton ta kemi Profetin”.

Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye në shtëpi dhe njerëzit gjthashtu u shpërndanë.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Mekë për haxhin e lamtumirës, atij iu humb mjeti i udhëtimit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Ebu Bekri r.a. kishin të njëjtën deve, të cilën e ruante shërbëtori i Ebu Bekrit r.a., dhe ai kishte humbur atë gjatë natës. Sefvan ibn Mu’atili, i cili ecte në fund të karvanit, kishte gjetur atë deve, me gjithë ngarkesëf. Kur Sa’d ibn ‘Ubada r.a. dëgjoi këtë ngjarje, ai dhe djali i tij Kejsi shkuan menjëherë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkë me një deve të ngarkuar. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndronte te pragu i derës dhe në atë moment ai mësoi se ia kishin gjetur devenë. Sa’di r.a. nuk e dinte këtë, prandaj ai iu drejtua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i tha: O Profet i Allahut! Kemi mësuar se ju ëshët humbur deveja në të cilën po udhëtonit. Ne kemi sjellë një deve tjetër, që t’ju shërbejë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu pëgjig: Allahu i Madhërishëm na ka bashkaur me devenë e humbur, andaj kthehuni me devenë tuaj. Allahu jua bekoftë!

Osama ibn Zejdi r.a. rrëfen se vajza e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. i përcolli mesazh se fëmija i saj ishte në gjendje të rëndë e në grahmat e fundit dhe i kërkoi që të vinte në shtëpi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ktheu përgjigjen “Çdo gjë që dhuron ose merr Allahu, i takon Atij. Ai ka caktuar një afat për çdo gjë. Prandaj, mbahu durimit dhe kërko pëlqimin e Allahut”. Pas pak kohe, ajo kërkoi sërish me ngulm që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të vinte në shtëpinë e saj. Profeti s.a.v.s. shkoi në shtëpinë e saj, bashkë me Sa’d ibn ‘Ubaden, Mu’adh ibn Xheblin, Ubej ibn Ka’bin, Zejd ibn Thabitin dhe sahabë të tjerë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në shtëpi, ata e sollën fëmijën pranë tij, teksa ishte në grahmat e vdekjes. Fëmija rënkonte nga dhimbja dhe nxirrte tinguj të përvajshëm. Osama r.a. ka thënë që fëmija rënkonte njësoj sikur zëri që nxjerr kusia e vjetër. Ai po merrte frymë me shpejtësi. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjeti fëmijën në këtë gjendje, lotët i përshkuan faqes. Sa’di e pyeti: O i Dërguar i Allahut! Çfarë është kjo? Ai i tha: kjo është mëshira e Allahut, që Ai ka ngulitur në natyrën e njerëzve. Allahu i mëshiron vetëm ata që sillen me të tjerët me mëshirë e dhembshuri. Kjo është mirësi prej Allahut.

Abdullah ibn Omeri r.a. ka rrëfyer se njëherë Sa’d ibn ‘Ubada r.a. vuante nga një sëmundje, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vizitoi atë bashkë me Abdurrahman ibn Aufin, Sa’d ibn Abi Vekasin dhe Abdullah ibn Masudin. Meqë, Sa’di ishte në gjendje të rëndë dhe e kishin rrethuar gjithë anëtarët e familjes, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shqetësua për të dhe pyeti se a mos kishte ndërruar jetë ai. Ata iu përgjigjën se ai ishte i gjallë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu afrua dhe pa nga afër gjendjen e tij. Duke e parë në këtë gjendje, Profeti s.a.v.s. nisi të qante, ndërsa sahabët gjithashtu qanin me ngashërim. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: A nuk shikoni? Allahu nuk ndëshkon për shkak të lotëve që derdhën sytë dhe zemrave që i ka pushtuar dhimbja. Por Ai do të ndëshkojë njeriun apo do ta mëshirojë atë për shkak të kësaj. Profeti bëri me shenjë kah gjuha. Pastaj ai tha: Allahu dënon të vdekurin për shkak të vajtimit që i bëjnë familjarët.

Kjo ngjarje tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ka ndaluar nga të qarat, por ka ndaluar që njeriu të shprehë pakënaqësi ndaj vullnetit dhe caktimit të Allahut. Nëse lotët derdhen nga sytë për të fituar pëlqimin e Allahut, ato tërheqin mëshirën e Tij, por nëse dalin si shfaqje e mospëlqimit dhe mosbindjes, duke i shtuar vajtimi, ato tërheqin zemërimin e Allahut.

Abdullah ibn Omeri r.a. ka transmetuar se ne ndodheshim në praninë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., kur i erdhi një person prej ensarëve. Ai i bëri selam Profetit s.a.v.s., kur mati të kthehej, ai e pyeti: O vëlla ensar! Si është vëllai im Sa’d ibn ‘Ubada? Ai iu përgjigj se është më mirë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i pyeti sahabët: Kush nga ju dëshiron të më shoqërojë për vizitë tek Ai? Sahabët u ngritën për ta shoqëruar Profetin s.a.v.s.. Ne ishim pak a shumë dhjetë persona e ishim të zbathur, e nuk kishim rregulluar as kapuç a këmishë. Ne nxituam për të shkuar te Sa’d ibn ‘Ubada. Kur mbërritëm në shtëpinë e tij, ai ishte i shtrirë, dhe njerëzit e kishin rrrethuar nga të gjitha anët. Duke parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. ata u tërhoqën që të afrohej ai. Ky hadith është transmetuar nga Imam Muslimi, dhe në vazhdim rrëfehet ngjarja e lartëpërmendur.

Xhabir ibn Abdullah ibn Harami transmeton se babai im më porositi për të përgatitur Harira.

Ajo është një gatim i famshëm që përgatitet me miell elbi, gjalpë dhe uji. Ndërsa, sipas fjalorit të hadithit, Harira përgatitet me miell e qumësht.

Xhabir ibn Abdullahu transmeton se babai im më porositi të përgatisja Hariren, të cilën e solla te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ai ishte në shtëpi dhe më pyeti: Xhabir! A është me mish ky? Unë iu përgjigja: O i Dërguar i Allahut! Kjo është Harire, që kam gatuar sipas porosisë së babait tim dhe e kam sjellë për ju. Kur u ktheva në shtëpi, babai më pyeti se a e kisha parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Unë iu përgjigja “po”. Pastaj më pyeti se a më kishte thënë diçka i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe unë i thashë se Profeti më kishte pyetur se a ishte ajo ndonjë gjellë me mish. Babai im duke dëgjuar bisedën time, mendoi se ndoshta i hahet mishi të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Të nesërmen, ai theri një dhi, dhe përgatiti mish të pjekur. Pastaj më porositi për ta çuar atë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Kështu Xhabiri e mori mishin dhe i dha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai iu lut Allahut me këto fjalë: O Allah! Bekoji Abdullah ibn Amr ibn Haramin dhe Sa’d ibn ‘Ubaden dhe shpërbleji ata me të mira!

Ebu Usejdi transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha se “ndër familjet e ensarëve më e mirë është familja Benu Nexhar, pastaj Benu Abd Esh’al, pastaj Benu Harith ibn Hazrexh, pastaj Benu Sa’ideh. Çdo familje e ensarëve rrezaton mirësi”. Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ishte ndër sahabë më të shquar prej ensarëve. Ai kishte virtyte të shkëlqyera, prandaj sipas hadithit të Buhariut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dhënë një pozitë të lartë. Sahabët gjithashtu e bënë të ditur se Profeti s.a.v.s. i kishte dhënë pozitë të lartë.

Ebu Usejd Ensariu r.a. ka rrëfyer se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se shtëpia më e shkëlqyer e ensarëve është e Benu Nexharëve, pastaj të Benu Esh’alit, pastaj të Benu Harith ibn Hazrexhit, pastaj të Benu Sa’ides. Me të vërtetë, Zoti ka vendosur mirësi në çdo familje të ensarëve.

Ebu Selma ka shtuar se njerëzit e kritikojnë për këtë transmetim. Nëse do të kisha thënë të pavërtetë, do të nisja renditjen me familjen e Benu Sa’ides.

Kur Sa’d ibn ‘Ubada mësoi këto fjalë, ai ndjeu keqardhje. U përhapën fjalët gjoja e kishin vendosur në vendin e fundit, ndër katër të parët. Sa’d ibn ‘Ubada dha porosi për t’i vënë samarin gomarit dhe u mat të nisej për të takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Nipi i tij Sehli e pyeti se a shkonte për të kundërshtuar fjalët dhe renditjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ndërkohë ai e di më së miri? A nuk ju mjafton se jemi një ndër katër të parët. Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ndërroi mendjen pas fjalëve të nipit dhe u shpreh se me të vërtetë Allahu dhe i Dërguari i Tij s.a.v.s. dinë më së miri. Pastaj dha urdhër që të hiqej samari prej gomarit. Ky hadith, gjithashtu gjendet në Muslim.

Hisham ibn ‘Urva r.a. ka transmetuar nga babai i tij se Sa’d ibn ‘Ubada r.a. bënte këtë lutje: O Allah! Më bëj të lavdishëm dhe dhuromë respekt e nderim. Njeriu nuk mund të fitojë nder e respekt, pa pasur vepra të mira e të lavdishme. Po ashtu, njeriu ka nevojë për mjetet financiare që të realizojë veprat e tij. O Allah! Nuk mund të kënaqem me pak dhe as nuk mund të sillem mirë në këtë gjendje.

Kjo ishte lutja që ai bënte. Sipas një transmetimi të Imam Muslimit, Ebu Hurejra r.a. ka rrëfyer se Sa’d ibn ‘Ubada r.a. e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se a i duhej të nxjerrë katër dëshmitarë, nëse do të gjente bashkëshorten në pozicion komprometues me një mashkull tjetër?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia konfirmoi pyetjen duke thënë po. Sa’di u shpreh: “Për Zotin, në asnjë mënyrë. Pasha Allahun, i Cili ju ka dërguar me të vërtetën, nëse do të veproja vetë, do të vendosja përmes shpatës”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Dëgjoni çfarë po thotë kryetari juaj! Ai është sedërmadh, por unë kam më shumë sedër se ai, ndërsa Allahu ka më shumë sedër se mua.

Lidhur me këtë temë, gjendet një transmetim në Muslim. Mughejra ibn Sh’aba rrëfen se Sa’d ibn ‘Ubada kishte thënë se nëse do të gjente bashkërshorten e tij me një mashkull tjetër në një pozicion komrometues, ai do ta vriste atë, duke e qëlluar me anën e mprehtë të shpatës. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi se çfarë kishte thënë Sa’di, ai u shpreh duke thënë: “Ndoshta po habiteni me sedrën e Sa’dit. Pasha Allahun, unë jam më sedërmadh se Sa’di, ndërsa Allahu ka më shumë sedër se unë. Për shkak të sedrës së Tij, Allahu i ka ndaluar sjelljet imorale të njeriut, qofshin të dukshme apo të fshehura. Askush nuk ka më shumë sedër se Allahu dhe askush nuk i ngjan Atij në falje.”

Pra nëse Allahu është sedërmadh, Ai gjithashtu Falës dhe Bujar. Askush nuk i ngjan Atij në këto atribute. Pastaj ai tha:

“Prandaj, Allahu i ka dërguar të dërguarit të Tij si mbartës të lajmeve të gëzueshme dhe si paralajmërues e alarmues. Askush nuk e do lavdinë më shumë se Allahu, prandaj Ai ka premtuar për xhenet. Lavdia e Allahut është shmangia e veprave të shëmtuara. Nëse Allahu e ndëshkon robin, Ai nuk vepron me nxitim, por e fal atë, nëse robi pendohet para Tij shpreh keqardhje për sjelljen e mëparshme. Po ashtu, Ai jo vetëm që e fal robin, por edhe i dhuron mirësi. Prandaj, mos i kapërceni kufijtë e Allahut dhe respektoni caqet e caktuara prej Tij”.

Në Musned Ahmed ibn Hanbel, shënohet një hadith, të cilin e rrëfen Sa’d ibn ‘Ubada r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: “Kontrolloni paratë e sadakasë të filan fisit, por silluni me kujdes që mos vallë dilni në ditën e Gjykimit duke mbajtur në krah të voglin e devesë, i cili lëshon klithma”. Sa’d ibn ‘Ubada iu përgjigj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. “O i Dërguar i Allahut! Ju lutem, më mirë ngarkojeni dikë tjetër me këtë përgjegjësi”. Atëherë, Profeti s.a.v.s. gjithashtu i kaloi atë detyrë dikujt tjetër, sepse ajo kërkonte drejtësi.

Në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. gjashtë sahabë kishin kontribuuar në ruajtjen e Kuranit Famëlartë dhe Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ishte një prej tyre. Kalifi i Dytë r.a. ka shkruar se emrat e hafizëve të shquar ndër ensarët janë si më poshtë:

“Ubada ibn Samiti, M’uadhi, Mexhme ibn Harithe, Fazala ibn Ubejd, Muselema ibn Muhalad, Ebu Derda, Zejd ibn Thabit, Ubej ibn Ka’bi, Sa’d ibn ‘Ubada dhe Umi Verka. Sipas historisë mjaft sahabët ishin gjithashtu kishin mësuar përmendësh Kuranin Famëlartë”.

Insha-Allah pjesa tjetër që mbetet nga historia e tij, do të trajtohet në të ardhmen.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp