Zgjedhja e Hazret Omer ibn el-Hattabit si kalif | pjesa VI
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Zgjedhja e Hazret Omer ibn el-Hattabit si kalif | pjesa VI

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po vijoja përmendjen e jetës së Hazret Omerit r.a..

Testamenti i Hazret Ebu Bekrit r.a.

Kur iu afrua Hazret Ebu Bekrit koha e vdekjes, ai thirri Hazret Abdurrahman ibn Aufin dhe e pyeti: “Më tregoni rreth Omerit”. Hazret Abdurrahman ibn Aufi i tha: “O Kalifi i Resulullahut! Betohem në Allah, Hazret Omeri është akoma më i lartë dhe i shkëlqyer sesa e keni vlerësuar, veçse është i rreptë nga natyra”. Hazret Ebu Bekri iu përgjigj: “Ai sillet me rreptësi, sepse shikon butësi në sjelljen time. Por, kur do t’i besohet udhëheqje, me siguri, ai do t’u shmanget shumë prej vetive që e karakterizojnë atë. Unë e kam parë atë, kur sillem me rreptësi ndaj dikujt, ai mundohet të më pajtojë me të dhe nëse sillem me butësi ndaj dikujt, ai më këshillon të jem i rreptë ndaj tij”.

Pastaj Hazret Ebu Bekri (r.a.) thirri Hazret Osman ibn Afanin (r.a.) dhe i kërkoi mendimin për Hazret Omerin (r.a.). Hazret Osmani (r.a.) tha: “Brendësia e tij shkëlqen më shumë se e jashtmja e tij, dhe asnjëri nga ne nuk mund të krahasohet me të.” Pas kësaj Hazret Ebu Bekri (r.a.) u tha të dy sahabëve: “Mos ia përmendni dikujt tjetër këtë që ju kam thënë. Nëse e përjashtoj Omerin, nuk mund të shkoj më larg se Osmani”. Kjo do të thotë që sipas vlerësimit të tij, të dy ishin persona që ishin të denjë për të përmbushur detyrën e kalifatit. “Ata të dy janë të aftë që t’u përgjigjen nevojave tuaja. Është dëshira ime që të largohem nga përgjegjësitë tuaja dhe që t’u përkas brezave tuaja të kaluar”.

Gjatë atyre ditëve kur Hazret Ebu Bekri (r.a.) ishte i sëmurë, i erdhi Hazret Telha ibn Ubejdullahu (r.a.) dhe i tha: “Ju e keni caktuar Hazret Omerin si Kalif mbi njerëz, ndërkohë e shikoni se si i trajton ai njerëzit në praninë tuaj. A imagjinoni si do të jetë gjendja kur ai do të jetë vetëm dhe kur ju do të qëndroni para Zotit tuaj dhe Ai do t’ju pyesë për pasardhësin tuaj?” Hazret Ebu Bekri (r.a.) i tha: “Më ndihmoni të ulem”. Njerëzit e mbështetën që të ulej. Pastaj ai i tha: “A më frikësoni nga Allahu? Kur ta takoj Zotin tim dhe Ai do më pyesë, unë do t’i përgjigjem: Unë e kam zgjedhur njeriun më të mirë nga robërit e Tu si Kalif mbi njerëz”.

Pastaj Hazret Ebu Bekri (r.a.) thirri Hazret Osmanin (r.a.) vetëm që t’i shkruante atij testament lidhur me Hazret Omerin (r.a.) dhe tha: “Shkruani! (بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ) (Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit) Ky është testamenti i Ebu Bekr ibn Ebu Kahafes për muslimanët”. Sapo e tha këtë, i ra të fikët dhe humbi vetëdijen. Hazret Osmani (r.a.) shkroi vetë: “Unë e kam caktuar Omer ibn Hatabin si Kalif mbi ju dhe nuk kam kursyer asgjë në dashamirësi e sinqeritet”. Pastaj Hazret Ebu Bekri (r.a.) u përmend e u kthye në vetëdije dhe tha: “Lexomëni çfarë keni shkruar”. Hazret Osmani (r.a.) i lexoi me zë të lartë, dhe Hazret Ebu Bekri (r.a.) i tha: “Allahu Ekber” (Allahu është më i madhi). Më duket se jeni frikësuar se ndoshta do të vdisja ndërkohë isha i pandjenjë dhe se do të plasin mosmarrëveshjet midis njerëzve”. Hazret Osmani (r.a.) tha: “Po, ishte pikërisht ashtu”. Hazret Ebu Bekri (r.a.) tha: Allahu t’ju shpërblejë nga ana e Islamit dhe të muslimanëve”. Kjo tregon se Hazret Ebu Bekri r.a. nuk bëri asnjë vërejtje se përse Hazret Osmani kishte shënuar emrin e Hazret Omerit si Kalif i ardhshëm.

Në Tarikhe-Tabari është shkruar se Muhammed ibn Ibrahim ibn Harisi transmeton se Hazret Ebu Bekri (r.a.) thirri Hazret Osmanin (r.a.) që ta takonte në vetmi dhe tha: “Shkruani. (بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ) (Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit). Ky është një testament nga Ebu Bekri ibn Ebu Kahafa për muslimanët”. Sipas transmetuesit, pas diktimit të këtyre fjalëve, Hazret Ebu Bekri (r.a.) humbi ndjenjat. Ai më tej përshkruan (ngjarjen) njësoj siç u përmend më parë se kur Hazret Ebu Bekri (r.a.) u kthye në vetëdije, ai kërkoi Hazret Osmanin (r.a.) për ta lexuar me zë të lartë atë që kishte shkruar. Kur e dëgjoi këtë, Hazreti Ebu Bekr (r.a.) tha: “Allahu Ekber” (Allahu është më i madhi). Pastaj Hazret Ebu Bekri (ra) tha: “Allahu ju shpërbleftë për të gjithë muslimanët dhe Islamin, pasi keni shkruar këtë fjali”. Hazret Ebu Bekri (r.a.) gjithashtu miratoi këtë shkrim ashtu siç ishte dhe nuk bëri asnjë ndryshim në të.

Sipas një transmetimi, Hazret Ebu Bekri (r.a.) e thirri Hazret Osmanin (r.a.) dhe i tha: “Më sugjeroni dikë për detyrën e Kalifit. Betohem në Allah! Unë ju vlerësoj si njeri që është i denjë që t’i kërkohet mendimi”. Hazret Osmani i sugjeroi emrin e Hazret Omerit. Pastaj Hazret Ebu Bekri e porositi për të shkruar. Kur Hazret Ebu Bekri r.a. do të përmendte emrin, atij i ra të fikët. Kur e mori veten përsëri, ai tha: “Omeri”.

Sipas një transmetimi, Hazret Aisheja (r.a.) ka rrëfyer se Hazret Osmani (r.a.) kishte shkruar testamentin e Hazret Ebu Bekrit (r.a.). Gjatë diktimit, Hazret Ebu Bekri (r.a.) humbi vetëdijen, dhe Hazret Osmani (r.a.) shkroi vetë emrin e Hazret Omerit (r.a.). Kur Hazret Ebu Bekrit (r.a.) iu kthye vetëdija, ai pyeti: “Çfarë keni shkruar?” Hazret Osmani (r.a.) u përgjigj: “Unë e kam shkruar Omerin.” Hazret Ebu Bekri (r.a.) u përgjigj: “Ju keni shkruar saktësisht atë që kisha vendosur për t’ju treguar. Madje, edhe nëse do të kishit shkruar emrin tuaj (për kalifat), ju gjithashtu e meritoni atë”.

Në një transmetim thuhet se kur Hazret Ebu Bekri (r.a.) u sëmur, ai u dërgoi një mesazh Hazret Aliut (r.a.), Hazret Osmanit (r.a.) dhe disa njerëzve nga muhaxhirët dhe ensarët. Në këtë mesazh ai njoftoi: “Siç e shikoni ka ardhur koha dhe nuk mbetet asnjëri që t’ju urdhërojë. Nëse dëshironi, zgjidhni njërin prej jush dhe nëse doni ta zgjedh unë njërin për ju”. Ata thanë: “Zgjidhni dikë për ne”. Ai iu drejtua Hazret Osmanit (r.a.) dhe tha: “Shkruani. Ky është testamenti i fundit që Ebu Bekr ibn Ebu Kahafa ka lënë para vdekjes së tij kur ai u largua nga kjo botë dhe besëlidhja e parë që bëri para se të hynte në jetën e përtejme kur mëkatari do të kërkojë falje, mosbesimtari do të dëshmojë besimin dhe gënjeshtari do të pohojë të vërtetën. Testamenti është si në vijim: Ai dëshmon se nuk ka të adhuruar përveç Allahut, dhe Muhammedi (s.a.v.s.) është robi dhe i Dërguari i Tij. Unë e caktoj si Kalif…”.  Pikërisht në këtë çast, Hazret Ebu Bekrit (r.a.) i ra të fikët dhe ai humbi ndjenjat.

Hazret Osmani (r.a.) vetë e plotësoi fjalinë dhe shkroi emrin e Hazret Omer (r.a.) ibn Hatabit. Kur Hazret Ebu Bekri (r.a.) u kthye në vetëdije, ai pyeti: “A keni shkruar diçka?” Ai iu përgjigj: “Po, unë kam shkruar ‘Omer ibn Hatab’.” Pastaj Hazret Ebu Bekri tha: “Allahu pastë mëshirë mbi ju! Po të kishit shkruar edhe emrin tuaj, do të ishit i denjë për të. Kështu që shkruani: “Unë e kam caktuar Hazret Omer ibn Hatabin si Kalif pas meje dhe unë pajtohem me të për ju”.

Kur u krye shkrimi i testamentit, Hazret Ebu Bekri (r.a.) tha: “Lexojeni atë para njerëzve”. Hazret Osmani (r.a.) i mblodhi njerëzit dhe ua dërgoi letrën njerëzve përmes skllavit të tij të liruar. Në atë kohë, Hazret Omeri (r.a.) ishte gjithashtu me të. Hazret Omeri (r.a.) u thoshte njerëzve: “Mbani qetësi! Dëgjoni se çfarë po thotë Kalifi i të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.). Ai nuk ka kursyer kurrë ndonjë mirësi ndaj jush”. Kështu që njerëzit u ulën me qetësi, dhe fjalët e testamentit u lexuan atyre. Ata i dëgjuan dhe iu bindën. Në atë moment, Hazret Ebu Bekri (r.a.) iu drejtua njerëzve dhe pyeti: “A pajtoheni me atë të cilin unë e kam caktuar Kalif mbi ju, sepse unë nuk kam caktuar dikë prej të afërmve të mi si Kalif mbi ju. Unë e kan zgjedhur Omerin si Kalif për ju. Andaj dëgjojeni dhe bindjuni atij. Betohem në Zot! Kam menduar gjerë e gjatë rreth kësaj çështjeje”. Të pranishmit i thanë: “Ne kemi dëgjuar dhe ne i bindemi”.

Porosia e Hazret Ebu Bekrit r.a. për Hazret Omerin r.a.

Atëherë Hazret Ebu Bekri (r.a.) thirri Hazret Omerin (r.a.) dhe i tha: “Unë ju kam caktuar si Kalif mbi sahabët e të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.)”. Pastaj, Hazret Ebu Bekri r.a. e porositi në lidhje me takvën. Pastaj tha: “O Omer! Sigurisht, Allahu ka disa të drejta që duhet përmbushur gjatë natës dhe Ai nuk i pranon ato gjatë ditës. Ai gjithashtu ka disa të drejta që zbatohen gjatë ditës dhe që ai nuk i pranon gjatë natës. Me të vërtetë, Ai nuk pranon veprat vullnetare (nafile) derisa nuk përmbushen veprat e detyrueshme. O Omer! A nuk shihni se peshorja është e rëndë vetëm për ata që ndjekin të vërtetën dhe kështu peshoret e tyre do të jenë të rënda në ditën e fundit? Kjo është e vërtetë se në peshore do të vendosen vetëm ato gjëra që mbajnë peshë. O Omer! A nuk shihni që peshorja do të mbetet e lehtë vetëm për ata, bilanci i (veprave të) të cilëve do të jetë i lehtë ditën e fundit, pasi ata ndoqën gënjeshtrën, e cila nuk mban asnjë peshë”. Kjo do të thotë, ata nuk e ndoqën të vërtetën dhe nuk bënë vepra të devotshme. Prandaj, në Ditën e Gjykimit, peshorja e tyre do të jetë e lehtë. Madje, në lidhje me Peshoren që nëse vendoset gënjeshtër në të, peshorja do të mbetet e lehtë.

O Omer! A nuk shihni se ajetet me rreptësi janë shpallur krahas ajeteve të butësisë, në mënyrë që besimtarët edhe të ngazëllehen por edhe në ndiejnë frikë”. Nga njëra anë, ata ndiejnë ngazëllim duke bërë vepra të devotshme dhe në të njëjtën kohë të ndiejnë frikë ndaj Allahut. Ata nuk duhet të kenë asnjë dëshirë që nuk lidhet me Allahun, po kështu, nuk duhet t’u frikësohen veprimeve që burojnë nga ata. “O Omer! A nuk shihni se Allahu i ka përmendur banorët e zjarrit vetëm për shkak të veprave të tyre të liga? Prandaj, kur të flisni për ata, duhet të thoni: Unë me siguri shpresoj se nuk jam prej atyre. Në të njëjtën mënyrë, Allahu ka përmendur banorët e Xhenetit për shkak të veprave të tyre të mira dhe pasi Allahu ua ka falur veprat e këqija. Tani kur t’i përmendni ata, thoni: “A u ngjajnë veprat e mia veprave të tyre? Për këtë, duhet të pyesni zemrën tuaj.

Kur iu afrua koha e vdekjes Hazret Ebu Bekrit (r.a.), ai tha: “Kthejuni muslimanëve pasurinë e tyre që ne posedojmë. Unë nuk dua të mbaj asgjë nga kjo pasuri. Pronat e mia, të cilat ndodhin në filan vende, unë i jap në këmbim të asaj pasurie, që i kisha marrë nga Bejtul Mali (drejtoria e financës). Këto prona përbëheshin nga një truall, një deve, një shërbëtor që mprehte shpatat dhe një çarçaf që kushtonte pesë dirhamë. Këto të gjitha iu dorëzua Hazret Omerit (r.a.). Kur Hazret Omeri (r.a.) pa këto sende, ai tha: “Ai (d.m.th. Hazret Ebu Bekri) ka vendosur pasardhësin e tij në një vështirësi të rëndë.

Hazret Kalifi i Parë (r.a.) i Mesihut të Premtuar ka thënë se dikush e kishte pyetur Hazret Omerin r.a. se ai nuk kishte më atë gjaknxehtësi, që e karakterizonte në kohën e injorancës. Hazret Omeri r.a. iu përgjigj: “Gjaknxehtësia ime është e njëjtë, veçse tani ajo shfaqet vetëm kundër mosbesimtarëve”.

Hazret Musleh Mo’udi r.a. ka thënë:

“Njerëzit i thanë Hazret Ebu Bekrit (r.a.) se nëse ai do të emëronte Omerin (r.a.) si pasardhës, nuk do të ishte puna e hajrit, pasi Omeri r.a. është i gjaknxehtë dhe zemërohet shpejt”. Hazret Ebu Bekri (r.a.) tha: “Ai vepron me gjaknxehtësi vetëm për aq kohë, sa jam i pranishëm. Kur nuk do të jem më, ai do të zbutet vetë”.

Hazret Mesihu i Premtuar (a.s.) në lidhje me Hazret Omerin (r.a.) ka thënë: “Është përmendur në lidhje me zemërimin e Hazret Omerit (r.a.) se dikush e pyeti se në kohën para Islamit, ai zemërohej shumë shpejt. Hazret Omeri (r.a.) i tha: “Zemërimi është i njëjtë, veçse përpara ai shfaqej vend pa vend, por tani e zbraz në vendin e duhur”.

Xhami ibn Shidadi ka rrëfyer nga një i afërm i tij, i cili ka thënë se kishte dëgjuar Hazret Omer ibn Hattabin r.a. duke ligjëruar. Gjatë fjalimit, ai kishte thënë: O Zot! Unë jam i dobët, më bëjë të fuqishëm. Unë jam i gjaknxehtë, më bëjë zemërbutë. Unë jam dorështrënguar, më bëjë bujar.

Fjalimi i parë i Hazret Omerit r.a. pasi u bë kalif

Ka disa rrëfime në lidhje me fjalimin e parë, që Hazret Omeri r.a. kishte mbajtur pasi u zgjodh si Kalif. Në një transmetim thuhet se Hamid ibn Hilali transmeton nga një njeri, i cili qe i pranishëm në varrimin e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Ai rrëfen se kur Hazret Omeri r.a. përfundoi varrimin e Hazret Ebu Bekrit, ai shkundi pluhurin nga duart dhe qëndroi në një vend dhe tha: “Sigurisht, Allahu ju ka sprovuar përmes meje dhe mua përmes jush. Ai më ka lënë të mbetem me ju, pas dy shokëve të mi. Betohem në Allah, çdo çështja juaj që do të sillet pranë meje, atë do ta shqyrtoj personalisht. Ndërsa, për çështjet të cilat janë larg nga njohuria ime, unë do të caktoj njerëz të aftë dhe të besueshëm. Pra, do të caktohen njerëz të aftë për të mbikëqyrur punët tuaja. Nëse njerëzit do të sillen mirë me mua, unë gjithashtu do të tregoj mirësi në përputhje me rrethanat. Por, nëse ata kryejnë veprime të liga, unë do t’i ndëshkoj sipas rrethanave”.

Hasani ka thënë: “Ne mendojmë që fjalimi i parë që Hazret Omeri (r.a.) kishte mbajtur është si vijon: Së pari, ai e lavdëroi Allahun, e mandej tha: “Unë jam sprovuar nga ju dhe ju jeni sprovuar nga unë. Pas dy shokëve të mi, unë kam mbetur me ju. Atë çështje, që do ta kem përpara, do ta shqyrtoj vetë, ndërsa çështjen që do ta kem larg meje, për ta hetuar atë, do të caktoj njerëz të aftë e të besueshëm. Ai që do të veprojë me mirësi, unë do ta mbështes në punë të mira, ndërsa ai që do të bëjë të keqen, unë do të marr masat ndëshkimore ndaj tij. Allahu më fal mua dhe ju!

Xhami ibn Shidadi transmeton nga babai i tij se kur Hazret Omeri (r.a.) u ngjit në minber, fjalët e tij të para ishin si në vijim: “Ai tha (اللهم إني شديد فليني، و إني ضعيف فقوني، و إني بخيل فسخني.) “O Allah, unë jam i gjaknxehtë,  më bëjë zemërbutë. Unë jam i dobët, më bëjë të fortë. Unë jam dorështrënguar, më bëjë bujar”.

Xhami ibn Shidadi gjithashtu transmeton nga babai i tij se kur Hazret Omeri r.a. u zgjodh Kalif, ai u ngjit në foltore dhe tha: “Unë do të them disa fjalë e ju duhet të thoni amin pas tyre”. Këto ishin fjalët e para që Hazret Omeri r.a. kishte thënë pasi u zgjodh si Kalif.

Husejn Muri rrëfen se Hazret Omeri (r.a.) tha: “Shembulli i arabëve i ngjan asaj deveje të lidhur me një unazë hunde, e cila shkon pas të Zotit. I Zoti që e nget, duhet të shikojë se si po e drejton atë. Sa për mua, betohem në Zotin e Qabes se do t’i prij ata gjithmonë në rrugën e drejtë”.

Në ditën e tretë, pas zgjedhjes së tij si Kalif, Hazret Omeri (r.a.) mbajti një fjalim të gjatë i cili vijon kështu: “Kur Hazret Omeri (r.a.) mësoi se njerëzit kishin frikë prej tij, ai urdhëroi që të njoftohej se namazi është gati në xhami. Pas këtij njoftimi, njerëzit u mblodhën në xhami. Hazret Omeri r.a. u ul në foltore, pikërisht ku qëndronte Hazret Ebu Bekri (r.a.) në këmbë. Kur u mbush xhamia, ai u ngrit dhe lavdëroi Allahun dhe i dërgoi lutje dhe salavate të Dërguarit të Tij (s.a.v.s.). Ai më pas tha: “Kam mësuar që njerëzit kanë shprehur frikë ndaj gjaknxehtësisë dhe zemërimit tim. Ata kanë thënë se Omeri sillej me ne me rreptësi edhe atëherë kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i gjallë dhe vazhdoi të na trajtonte me ashpërsi edhe kur Hazret Ebu Bekri (r.a.) ishte udhëheqësi ynë. Çfarë do të ndodhë tani kur ai ka në dorë frenat e pushtetit? Kushdo që e ka thënë këto fjalë, ka thënë të drejtë. Vërtet, unë isha me të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe isha shërbëtori dhe robi i tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjendej në shkallë kaq të arrirë të butësisë dhe dhembshurisë saqë askush nuk mund ta arrijë atë. Allahu e kishte mishëruar atë me këto cilësi dhe i kishte dhënë dy nga emra nga atributet e Tij, përkatësisht “Er-Reuf”  (d.m.th. I Dhembshuri) dhe “Er-Rahim” d.m.th. (Mëshirëbërësi). Isha si një shpatë e zhveshur që nëse do ta donte Profeti (s.a.v.s.), ai do të më ngjishte në këllëf dhe nëse më linte, unë të vringëllija djathtas e majtas. Ashtu vazhdoi derisa Profeti (s.a.v.s.) ndërroi jetë.  Ai ishte i kënaqur prej meje dhe i jam mirënjohës Zotit për këtë nder të madh. Pastaj Hazret Ebu Bekri (r.a.) u bë udhëheqësi i muslimanëve. Askush nga ju nuk mund ta mohojë mirësinë, butësinë dhe dhembshurinë e tij. Unë isha shërbëtori dhe ndihmësi i tij. Unë e bashkoja forcën time me butësinë e tij dhe bëhesha shpatë e zhveshur për të. Unë gjithmonë rrija në dorën e tij, që nëse donte të më ngjishte në këllëf, e nëse donte të më linte që të vringëllija gjithkund. Unë qëndrova pranë tij njësoj, derisa Allahu i Madhërishëm i dha vdekje dhe ai ishte i kënaqur prej meje. Elhamdulilah, ky ishte një nder për mua.

O njerëz, tani unë jam zgjedhur udhëheqësi juaj. Të dini se tashmë ajo gjaknxehtësi është topitur, megjithatë ashpërsia ime do të shfaqet kundër atyre që bëjnë mizori dhe shkelin të drejtat e muslimanëve. Kundër jush, më është dobësuar rreptësia, megjithatë ajo do të plaset para kundërshtarëve. Ata që janë të sinqertë, besimtarë dhe të virtytshëm prej jush, do të gëzojnë mirësjellje më të madhe nga unë sesa ajo që ekziston midis jush. Por nëse gjeta dikë që sillej me mizori, ushtron dhunë apo u shkel të drejtat të tjerëve, me siguri, unë do ta rrëzoj për tokë dhe do të vendos këmbën time mbi faqen e tij, derisa ai të kuptojë të vërtetën.

O njerëz, ju keni shumë të drejta ndaj meje, të cilat do t’ju përmend, në rast se unë nuk i përmbush, ju mund të më kërkoni llogari. Ju keni të drejtë që unë të mos fsheh asgjë nga paratë që duhet shpenzuar për mirëqenien tuaj. E njëjta gjë vlen për çdo plaçkë lufte, përveçse të përcaktoj një pjesë të saj në rrugën e Allahut. Ju keni të drejtë që ato para të shpenzohen sipas nevojave tuaja. Ju keni të drejtë që unë vazhdoj t’ju paguaj pagat dhe ndihmat tuaja. Ju gjithashtu keni të drejtë që unë nuk ju çoj në vende të rrezikshme dhe nëse merrni pjesë në ekspedita ushtarake dhe ndodheni larg shtëpive tuaja, unë të kujdesem për familjet tuaja si baba derisa të ktheheni. Unë e them këtë sot dhe i kërkoj falje Allahut për veten time dhe veten tuaj”.

Hazret Omer ibn el-Hattabi r.a. dhe marrëveshja e Hudejbijes

Përulësia e skajshme

Hazret Musleh Mo’udi r.a. ka përshkruar periudhën e Kalifatit të Hazret Omerit r.a. në këto fjalë. Ai shkruan:

“Muslimanët gjithmonë mbanin parasysh ajetin تُؤَدُّوا الْأَمَانَاتِ إِلَىٰ أَهْلِهَا  d.m.th. dorëzojuni amanetet atyre që janë të aftë për të drejtuar çështjet administrative. Pastaj, kur këto amanetet u dorëzoheshin njerëzve, ata gjithmonë mbanin parasysh këtë urdhër të sheriatit që të udhëhiqnin me drejtësi dhe ndershmëri. Nëse do t’i shmangeni drejtësisë apo do të shpërfillni ndershmërinë, nëse vepruat në mënyrë jo të ndershme në përmbushjen e këtyre amaneteve, të dini se Zoti do t’ju kërkojë llogari dhe do t’ju ndëshkojë për këtë shkelje.

Ndikimi i kësaj porosie ishte kaq i thellë dhe i dukshëm mbi ndërgjegjen e Hazret Omerit r.a. saqë njeriu rrëqethet nga përmasa e tij. Hazret Omeri, Kalifi i dytë në Islam, ka kontribuar për zhvillimin dhe përparimin e Islamit dhe të muslimanëve duke dhënë sakrifica të jashtëzakonshme. Autorët europianë të cilët nuk kursejnë kritika ndaj figurës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe shkruajnë paturpësisht në librat e tyre se Profeti s.a.v.s. meazallah nuk kishte vepruar me drejtësi, por kur përmendin Ebu Bekrin dhe Omerin, pranojnë se ata kanë punuar me kaq përkushtim dhe vetëmohim saqë një shembull i tillë nuk mund të gjendet në asnjë sundimtar të botës.

Ata lavdërojnë veçanërisht kontributin e Hazret Omerit r.a. dhe shprehen se ai ishte një njeri i cili përmbushi misionin e tij me përkushtim duke punuar ditë e natë për përhapjen e mësimeve të Islamit dhe përparimin e muslimanëve. Ndonëse kishte lënë mijëra vepra, kishte bërë mijëra sakrifica dhe kishte duruar mijëra mundime, megjithatë ky ajet qëndronte gjithmonë para syve të tij se إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُكُمْ أَن تُؤَدُّوا الْأَمَانَاتِ إِلَىٰ أَهْلِهَا وَإِذَا حَكَمْتُم بَيْنَ النَّاسِ أَن تَحْكُمُوا بِالْعَدْلِ d.m.th. kur t’ju besohet ndonjë detyrë nga Allahu dhe banorët e vendit dhe vëllezërit tuaj ju zgjedhin për sundimin, atëherë punoni me drejtësi dhe harxhoni të gjitha fuqitë tuaja në shërbim dhe ndihmë të njerëzimit. (en-Nisa 4:59)

Ngjarja e Hazret Omerit r.a. para se të ndërronte jetë është shumë emocionale. Një njeri e quajti të padrejtë dhe e sulmoi me hanxhar nga padija dhe injoranca. Kur Hazret Omeri u bind se ai do të ndërronte jetë dhe përpëlitej në shtrat nga dhembjet, ai vazhdimisht thoshte: أللهم لا علي ولا لى O Zot! Ti më ke caktuar në pushtet dhe më ke besuar një amanet. Unë nuk e di se a kam përmbushur detyrën e sundimit apo ju? Tashmë më është afruar koha e vdekjes dhe unë së shpejti do t’i jap lamtumirë kësaj bote dhe do të kthehem te Ti. O Zoti im! Unë nuk të kërkoj asnjë shpërblim për veprat e mia dhe as nuk shpresoj për ndonjë dhunti prej Teje. Përkundrazi, O Zoti im! Unë të kërkoj vetëm këtë që të më falësh dhe të kesh mëshirë ndaj meje. Nëse kam bërë ndonjë gabim në përmbushjen e detyrës sime, të kërkoj që ta shmangësh atë.

Omeri ishte ai njeri i shkëlqyer, shembulli i të cilit është vështirë të gjendet në këtë botë, por për shkak të kësaj porosie وَإِذَا حَكَمْتُم بَيْنَ النَّاسِ أَن تَحْكُمُوا بِالْعَدْلِ (d.m.th. kur të gjykoni midis njerëzve, gjykoni me drejtësi.) kur ai ndërron jetë, jep shpirt në një gjendje ankthi. Të gjitha shërbimet që ai kishte bërë për vendin, të gjitha veprat që kishte realizuar për mirëqenien e njerëzve dhe të gjitha kontributet e vyera që ai kishte bërë për përparimin e Islamit, në atë çast i dukeshin të papërfillshme. Të gjitha shërbimet e tij, që i çmonin muslimanët e atij vendi, të gjitha veprat që u pëlqenin edhe popujve jo muslimanë të atij vendi, të gjitha kontributet të cilat i admironin jo vetëm popujt muslimanë apo jo-muslimanë të atij vendi, madje edhe popujt e vendeve të tjera. Madje veprat e tij i kanë vlerësuar jo vetëm bashkëkohësit e tij por edhe ata që jetojnë tani pas trembëdhjetë shekujve, të cilët nuk kursejnë asnjë akuzë ndaj Zotërisë së tij (Muhammed s.a.v.s.), ama kur u rrëfehen veprat e Omerit, thonë se padyshim Omeri ishte pazëvendësueshëm në veprat e tij. Të gjitha këto kontribute bëhen të papërfillshme në sy të Omerit dhe ai në atë gjendje ndrydhëse shprehet plot dhembje: أللهم لا علي ولا لى O Zoti im! Më ishte besuar një amanet. Unë nuk di se a e kam përmbushur apo jo. Andaj, unë të përgjërohem vetëm kaq se të falësh dobësitë dhe mangësitë e mia dhe të më mbrosh nga dënimi.

Pastaj gjatë një fjalimi të titulluar “Mirëbërësi i botës”, Hazret Musleh Mo’udi r.a. ka thënë:

“Hazret Omeri r.a. ishte ai njeri rreth të cilit historianët e krishterë kishin shkruar që ai kishte sunduar në një mënyrë që nuk kishte bërë asnjëri tjetër në botë. Ata i drejtojnë fjalë të pahijshme të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ndërkohë lavdërojnë Hazret Omerin r.a., ndërkohë ai ishte po ai njeri, i cili gjithmonë qëndronte në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., para se të ndërronte jetë, shpresonte të gjente vend pranë varrit të Profetit s.a.v.s.. Po të bënte i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qoftë një veprim kundër pëlqimit të Zotit, Hazret Omeri r.a. nuk do të dëshironte kurrë të varrosej pranë tij”.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. po argumenton se drejtësia e Hazret Omerit r.a. dhe frika e tij ndaj Zotit buronin nga bindja ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe edukimi që ai kishte marë prej tij.

Respekti dhe mirësjellja ndaj Ehli-Bejtit

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. përshkruan respektin e Hazret Omerit r.a. ndaj ehli-Bejtit (familjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s)

Hazret Aisheja r.a. kishte jetuar gjatë pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Kur u triumfua Irani në kohën e Hazret Omerit r.a., i sollën mullinjtë në Medinë që punonin me erë dhe bluanin drithë. Me ardhjen e tyre, filloi të bëhej mielli i imët. Kur u vendos mulliri i parë në Medinë, Hazret Omeri r.a. urdhëroi që mielli i parë t’i dërgohej si dhuratë Hazret Aishes r.a.. Kështu, mielli i hollë u dërgua te Aisheja r.a. dhe shërbëtorja e saj gatoi pite të holla. Gratë e Medinës, të cilat kurrë nuk kishin parë miell kaq të hollë u mblodhën në shtëpinë e Hazret Aishes r.a. që të shikonin se si ishte ai brumi dhe si ishte buka që gatuhej prej tij? I gjithë oborri ishte mbushur me gratë dhe të gjithë po prisnin për të parë bukën”.

Hazret Musleh Mo’udi r.a. po u drejtohej grave dhe tha: “Ndoshta po mendoni se ai miell me të vërtetë ishte i veçantë. Jo, ai nuk ishte miell i veçantë, madje ishte më i trash se ai që përdor një familje e varfër përditë në shtëpinë e saj. Ndonëse ishte një miell akoma i trashë, megjithatë ishte më cilësor se ai që përdorej në Medinë. Sidoqoftë, u gatuan pitet me këtë brumë të hollë. Gratë u habitën nga cilësia e bukës. Ato i preknin pitet plot habie dhe pyesnin se a mund të bëhej miell më i hollë se ai.

Sidoqoftë, pitet ishin pjekur dhe pikërisht fillon një histori dashurie e Hazret Aishes r.a. me të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe shpërthehen emocionet e saj për të. Hazret Aisheja mori një kafshatë të vogël prej pites dhe e futi në gojë. Gratë që ishin grumbulluar në shtëpinë e saj, e sodisnin Hazret Aishen dhe i vështronin fytyrën duke përfytyruar se ajo ndoshta po kënaqej nga butësia e pites dhe ndoshta ndiente shijen e saj të veçantë. Por, ajo kafshatë mbeti në fyt, sikur dikush e kishte mbyllur dhe ajo nuk e gëlltiste dot. Lotët i derdhnin rrëke. Gratë i thanë: Brumi është shumë i mirë dhe pitja  është gjithashtu shumë e butë. Çfarë ju ka ndodhur që nuk e kapërdini dot kafshatën, madje po derdhni lot? Hazret Aisheja iu përgjigj: Brumit nuk i mungon asgjë. Buka është shumë e butë dhe një gjë të tillë kurrë nuk e kemi parë. Unë nuk emocionohem sepse i mungon diçka brumit, përkundrazi më kujtuan ato ditë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ishte në sëmundjen e tij të fundit. Ai ishte plakur dhe nuk mund të përtypte ushqim të trashë, ndërsa ne bluanim grurin me gurë dhe i jepnim bukë prej këtij brumi. Pra, ai që na siguroi sot këto të mira, u largua nga kjo botë, i privuar prej tyre, dhe ne po gëzojmë këtë nder dhe po shijojmë këto të mira vetëm prej tij. Pastaj nxori kafshatën nga goja dhe tha: Largojeni këtë pite. Këto më mbeten në fyt dhe më kujtojnë kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe unë nuk i gëlltit dot.

Hazret Ibn Abasi r.a. transmeton se sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. shënuan fitore mbi Medain, kryeqytetin e Kisrasë, gjatë periudhës së Hazret Omerit r.a.. Ai i porositi ata të shtronin qilim në xhami dhe plaçkat e luftës të grumbullonin mbi të. Kur u mblodhën sahabët për të marrë diçka nga plaçkat, Hazret Omeri r.a. e nisi shpërndarjen e tyre nga Hazret Hasan ibn Aliu r.a.. Ai i tha: O Prijësi i Besimtarëve! Ju lutem, më jepni pjesën time prej pasurisë që Allahu i Madhërishëm ju ka dhuruar. Hazret Omeri r.a. e priti me kënaqësi dhe nderim dhe porositi që t’i jepej Hazret Hasanit një mijë dirhamë. Pas Hasanit, erdhi Hazret Husejn ibn Aliu r.a.. Ai iu drejtua Hazret Omerit dhe i tha: O Prijës i Besimtarëve! Ju lutem, më jepni pjesën time nga pasuria që Allahu ju ka dhënë juve. Hazret Omeri r.a. e priti edhe atë me kënaqësi dhe nderim dhe porositi që t’i jepej atij një mijë dirhamë.

Pastaj i erdhi djali i tij Hazret Abdullah ibn Omeri r.a. dhe I tha: O Prijës i Besmitarëve! Ju lutem, më jepni pjesën time nga pasuria që Allahu ju ka dhënë juve. Hazret Omeri e priti me nderim dhe dha urdhër që t’i jepeshin pesëqind dirhamë. Hazret Abdullah ibn Omeri r.a. i tha: O Prijës I Besimtarëve! Unë jam një njeri fuqishëm, i cili vringëllonte shpatën bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ndërkohë Hasani dhe Husejni ishin fëmijë dhe silleshin vërdallë nëpër rrugicat e Medinës. Ju i keni dhënë secilit prej tyre një mijë dirhamë, ndërkohë mua vetëm pesëqind dirhamë”. Hazret Omeri r.a. iu përgjigj: Shko dhe më gjej një babë që i ngjan babait të tyre. Më gjej një nënë që i ngjan nënës së tyre. Më gjej një gjysh që i ngjan gjyshit të tyre. Më gjej një gjyshe që i ngjan gjyshes së tyre. Më gjej një xhaxha që i ngjan xhaxhait të tyre, një dajë që i ngjan dajës së tyre dhe një teze që i ngjan tezes së tyre. Sigurisht, ti nuk mund të sjellësh askënd”.

Hazret Ebu Xhaferi transmeton se Hazret Omeri r.a. vendosi t’u caktonte njerëzve asistencë sociale dhe me siguri mendimi i tij ishte më i mirë nga të gjithë njerëzit. Njerëzit i thanë që të fillonte këtë listë me emrin e tij. Ai nuk e pranoi këtë këshillë dhe filloi këtë skemë së pari me të afërmit e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ai në fillim ua caktoi pjesën Hazret Abasit dhe Hazret Aliut.

Hazret Omer ibn Hatabi r.a. i respektonte Hazret Hasanin dhe Hazret Husejnin. Ai vetë i ndihmonte për të hipur në kalë dhe u jepte bujarisht, njësoj siç i jepte babait të tyre. Njëherë, i erdhën disa mantele tradicionale nga Jemeni, të cilat ai ua shpërndau djemve të sahabëve, por këtyre dy djemve, ai nuk u dha asgjë duke thënë se ato veshje nuk ishin të denjë për ta. Pastaj i shkroi guvernatorit të Jemenit dhe i dha porosi që të siguronte mantele të posaçme për ta.

Njoftim për namazin e xhenazes

Kjo temë do të vijojë edhe në të ardhmen. Tani do t’ju përmend disa anëtarë të ndjerë, të cilët kanë ndërruar jetë, dhe pas namazit të së xhumasë, do t’ua udhëheq namazin e xhenazes (në mungesë).

  1. Suhejla Mehbub Sahiba, gruaja e Fejz Ahmed Sahibit ka ndërruar jetë në moshën 90 vjeçare, Indi.
  2. Raxha Khurshid Ahmed Munir Sahibi, Misionar, i cili aktualisht jetonte në Australi, ka ndërruar jetë.
  3. Zamir Ahmed Nadim Sahibi, Misionar, ka ndërruar jetë në moshën 56 vjeçare në Rabvah, Pakistan. Ai vuante nga kanceri.
  4. Issa Moki Talima Sahibi, Zëvendës-Amīr i Tanzanisë, ka ndërruar jetë.
  5. Sheik Mubashir Ahmed Sahibi, Mbikëqyrës në Nazārat Ta’mīrāt në Kadian, ka ndërruar jetë në moshën 33 vjeçare..
  6. Sejf Ali Sahib nga Sidnij i Australisë ka ndërruar jetë në Australi.
  7. Masud Ahmed Hajat Sahibi ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare.

Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) u lut që Allahu të ketë mëshirë për të gjithë të ndjerët dhe të lartësojë pozitën e tyre shpirtërore në xhenet. Amīn.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem