Sahabët e Profetit s.a.v.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Sahabët e Profetit s.a.v.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Për hutben e plotë, ndiqeni videon)

Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më ​01.06.2018

Hazret Kalifi i Pestë i Imam Mehdiut, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, në hutben e tij, tregoi ngjarje besimnxitëse të këtyre sahabëve të Profetit s.a.v.s. që morën pjesë në Betejën e Bedrit:

  1. Hazret Ukashe bin Mihsan
  2. Hazret Kharixhe bin Zejd
  3. Hazret Zijad bin Lubejd
  4. Hazret Mu’tab bin Ubejd

Për Hazret Ukashen tha:

Hazret Ibni Abasi r.a. treon:

Kur të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. iu zbrit surja En-Nasr, ai porositi Bilalin të thërriste ezanin. Pas namazit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbajti një hutbe, duke dëgjuar të cilën të gjithë njerëzit qanë shumë. Më pas ai i pyeti:

O njerëz! Si kam qenë unë mes jush si profet?

Njerëzit iu përgjigjën: Allahu të shpërbleftë o i Dërguari i Allahut! Ti je më i miri prej profetëve. Për ne je babai i dhembshur. Për ne je si vëllai jonë që na këshillon dhe na udhëzon. Ti na përcolle mesazhin e Allahut të Madhërishëm, shpalljen e Tij dhe urtësinë e Tij. Dhe me këshillën më të bukur na thirre drejt rrugës së Tij. Zoti të shpërbleftë në mënyrën më të mirë, ashtu siç Ai i shpërblen profetët e Tij.

Më pas i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

O grupi i muslimanëve! Betohem për Allahun dhe betohem për të drejtën tuaj që keni ndaj meje! Nëse i kam bërë keq ndokujt prej jush, le të çohet dhe të hakmerret me mua!

Askush nuk u çua. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u bëri thirrje për herë të dytë. Sërish, asnjëri nuk u çua. Dhe për herë të tretë u tha: Betohem për Allahun dhe betohem për të drejtën tuaj që keni ndaj meje! Nëse i kam bërë keq ndokujt, le të çohet dhe të hakmerret me mua sot, përpara se të vijë dita e kiametit!

Atëherë një plak mes njerëzve u çua, i cili ishte pikërisht Ukashe. Kaloi radhët e besimtarëve, erdhi përpara dhe doli përballë Profetit s.a.v.s. dhe tha:

O i Dërguari i Allahut! U flijofshin prindërit me për ty! Nëse nuk do të betoheshe në mënyrë të përsëritur, unë nuk do të çohesha. Bashkë ishim në një betejë. Në kthim, deveja ime iu afrua shumë devesë sate. Atëherë, unë zbrita nga deveja dhe u përpoqa të të afrohesha që të të puthja këmbën. Por ti godite me një shkop dhe më qëllove në mesin tim. Nuk e di nëse doje të më qëlloje mua apo devenë.

Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Pasha të Madhin Zot! I Dërguari i Allahut nuk mund të të qëlloj me dashje!

Më pas Ai tha: O Bilal! Shko te Fatimja dhe sillma shkopin.

Hazret Bilali shkoi dhe i tha: O bija e të Dërguarit të Allahut! Jepmë shkopin e Profetit! Fatimja tha: Çfarë do të bëjë babai im me këtë shkop? Janë ditët e luftës apo të Haxhit?

Hazret Bilali tha: Sa e pavetëdijshme je, o Fatime, për gjendjen e babait tënd! I Dërguari i Allahut po u thotë lamtumirë njerëzve që të largohet nga kjo botë dhe u kërkon që të hakmerren me të.

Hazret Fatimja r.a. pyeti e habitur: Vallë, kush dashka të hakmerret me Profetin? Pastaj shtoi: Thuaju Hasanit dhe Husejnit që të dalin përpara dhe t’i thonë atij të hakmerren me ta dhe jo me Profetin.

Hazret Bilali erdhi në xhami dhe ia dorëzoi shkopin të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ai ia dha Ukashen. Duke parë këtë, u çuan Hazret Ebu Bekri r.a. dhe Hazret Omeri r.a. dhe thanë: O Ukashe! Mos i bëj gjë të Dërguarit të Allahut dhe hakmerru me ne! I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha: Ndaluni! Zoti e di shumë mirë pozitën tuaj.

Më pas u çua edhe Hazret Aliu r.a. i cili tha: O Ukashe! Gjithë jetën time e kam kaluar me të Dërguarin e Allahut. Nuk më pranon zemra të ta qëllosh atë. Ja ku është trupi im, goditmë njëqind herë nëse do, por jo të Dërguarin e Allahut!

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. edhe Hazret Aliut r.a. i tha të pushonte dhe tha: Zoti e di shumë mirë qëllimin dhe pozitën tënde.

Më pas dolën Hazret Hasani r.a. dhe Hazret Husejni r.a. të cilët thanë: O Ukashe! Jemi nipërit e Profetit dhe të hakmerresh me ne është njësoj sikur të hakmerresh me të. Por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. edhe atyre u tha: Uluni, o të dashurit e mi!

Më pas ai i tha Ukashes! Goditmë!

Hazret Ukashe tha: O i Dërguari i Allahut, kur ti më kishe goditur në bark, nuk kam qenë i veshur.

Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ngriti këmishën. Muslimanët si të marrë filluan të qanin duke menduar se Ukashe do ta qëllonte Profetin Muhammed s.a.v.s. me shkop. Por Ukashe sapo e pa bardhësinë e trupit të Profetit s.a.v.s., iu lëshua me vrap dhe filloi ta puthte trupin e tij dhe tha:

Kush mund të hakmerret me ty o i Dërguari i Allahut?!

Por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Ose do të hakmerresh, ose do të më falësh!

Atëherë, Hazret Ukashe r.a. tha:

O i Dërguari i Allahut, po të fal, me shpresën që Allahu të më falë mua ditën e kiametit!

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. iu drejtua njerëzve dhe tha: Ai që dëshiron të shikojë shoqëruesin tim në xhenet, le ta shikojë këtë plak!

Muslimanët u çuan dhe filluan ta puthnin Ukashen në ballë dhe i thoshin: Paske arritur pozitë shumë të lartë në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut!

Ky ishte Hazret Ukashe, i cili përfitoi nga ky rast dhe duke menduar se a do të gjente ndonjëherë tjetër apo jo që ta përqafonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., arriti ta puthte atë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp