Kalifati: mëshira e Allahut | Fjalimi i së xhumasë 25.05.2018
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Kalifati: mëshira e Allahut

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Kalifati – një premtim i kushtëzuar i Allahut

“Allahu u ka premtuar atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, se do t’i bëjë patjetër kalifë në tokë, ashtu siç i ka bërë kalifë ata që ishin para tyre. Ai do t’ua përforcojë fenë e tyre, të cilën e ka pëlqyer për ta dhe do t’ua shndërrojë frikën e tyre në siguri. Ata do të më adhurojnë Mua dhe nuk do të Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që tregohen mosmirënjohës edhe pas kësaj, pikërisht ata janë të pabindur. Mbajeni namazin, jepni zekatin dhe binduni të Dërguarit, në mënyrë që të mëshiroheni”.

Ajetet e lartpërmendura përmbajnë një premtim. Allahu i Madhërishëm bën një premtim, që nëse veproni në këtë mënyrë, do të gëzoni shpërblimin prej Zotit në formën e Kalifatit. Ky bekim prej Tij, do t’jua forcojë besimin dhe pas gjendjes së frikës, do t’ju dhurojë paqe e harmoni. Kjo nuk është profeci por një premtim, i cili është varur prej disa kushteve. Cilat janë ato kushte? Allahu thotë që ata duhet të më adhurojnë Mua dhe t’i shmangen plotësisht shirkut, pra për të shoqëruar dikë me Allahun. Fjalët e këtij premtimi qartësojnë që besimtarët nuk mund të përfitojnë siç duhet nga mirësia e Allahut, përderisa ata nuk e përmbushin dispozitën e adhurimit apo nuk i shmanget shirkut në të gjitha format e tij. Me të thënë këtë, del që edhe nëse ekziston institucioni i Kalifatit, njerëzit e tillë, për shkak të mospërmbushjes së kushteve, do të privohen nga bekimet që shoqërohen me Kalifatin.

Kalifati Ahmedia në rrugën profetike

Kurani Famëlartë si dhe fjalët profetike na tregojnë për vendosjen e Kalifatit në rrugën profetike në kohë të mëvonshme. Ky Kalifat do të zgjatet pa ndërprerje, siç na ka shpjeguar Mesihu i Premtuar a.s. me anë të shkrime të tij. Megjithatë, Allahu i Madhërishëm në këto ajete ka bërë të qartë që për të merituar premtimin e Kalifatit, besimtarëve nuk do t’u mjaftojë vetëm titulli musliman apo dëshmia gojore e besimit, por u duhet të ndryshojnë rrënjësisht gjendjen e tyre. Kjo është arsyeja që Allahu i nxit muslimanët, për ta adhuruar vetëm Atë, për t’iu shmangur shirkut, për të ngritur namazet, për të paguar zekatin dhe për të ndjekur gjurmët e Profetit, me qëllim t’u zbresë mëshira e Allahut. Në lidhje me bindje ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., duhet ta kujtojmë atë porosi, në të cilën ai tha: Ai që iu bind Emirit (kryetarit) tim, të caktuar prej meje, më është bindur mua, ndërsa ai që e kundërshton Emirit tim, të caktuar prej meje, është treguar mosbindës ndaj meje. Në sistemin e Kalifatit, Kalifi është Emiri i caktuar prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Prandaj, bindja ndaj Kalifatit është si bindje ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Sigurisht, nga kalifati nuk nënkuptohet sistemi që vendoset me forcë, me mbështetjen e shefave të tyre të kësaj bote. Këtu bëhet fjalë për kalifatin që vendoset nëpërmjet rrugës profetike, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është shprehur qartazi se ai sistem do të vendoset pas ardhjes së Mesihut të Premtuar. Kjo ndërmarrje shpirtërore do të ngrihet pas tij, sepse Mesihu i Premtuar është vula e kalifëve. Ky Kalifat nuk do të shpallë luftë e as të bëjë zullum, por do të ndërgjegjësojë njerëzit ndaj kryerjes së namazit, përhapjes së besimit, përmbushjes së detyrave ndaj njerëzve të tjerë, pagimit të zekatit dhe dhënies së pasurisë për hir të Zotit. Ky sistem hyjnor ekziston sot vetëm në Xhematin Musliman Ahmedia.

Nuk mund të arrihet bashkim pa kalifat

Një tjetër qëllim i rëndësishëm i bindjes ndaj Pejgamberit a.s. është bashkimi dhe uniteti, i cili nuk mund të arrihet pa kalifat. Ndonëse të gjithë muslimanët falin namaze, zemrat u janë përçarë për shkak të mungesës së bashkimit. Edhe pse ndjekin të njëjtën rrugë, ata janë të ndarë nëpër grupe e fraksione. Ulematë po përleshen me njëri-tjetrin për të mbrojtur foltoren dhe interesat e tyre. Në Pakistan, hoxhallarët kanë hyrë në politikë, andaj i mbrojnë edhe interesat politike.

Para pak kohësh në Pakistan, njerëzit kishin dalë nëpër protesta kundër qeverisë aktuale. Por gjatë këtyre protestave, dy grupe ulemash, u përplasën me njëri-tjetrin. Kryetari i njërit grup kishte mobilizuar ndjekësit e vetë me sloganin Labek ja-Rasulallah, ndërkohë në realitet synonte interesat personale për t’u bërë lider. Ndërsa, në grupin tjetër, dikush po tentonte të siguronte më shumë përkrahje në emër të vulën e profetësisë. Të gjitha këto show, u transmetuan nëpër ekranin televiziv, megjithatë militantët që i ndjekin verbërisht këta liderë, nuk arrijnë të kuptojnë.

A do të jenë këta liderë, që do të forcojnë besimin? A do të jenë këta katalizatorë për popullin apo qytetarët muslimanë? A do të jenë këta udhëheqës të denjë? Sigurisht, kjo nuk mund të bëhet kurrsesi. Këta liderë të devijuar, të cilët, në fjalët profetike, janë përshkruar si krijesa më sherrxhi në kupën e qiellit, nuk mund të japin një udhëheqje dinjitoze. Media pakistaneze ka treguar që ata kanë bërë skandale me paratë e zekatit dhe kanë abuzuar milionat nga fondit i Zekatit. Nuk bëhet fjalë që të shpenzohet qoftë një qindarkë për përhapjen e Islamit. Çfarë po bëjnë shtetet që janë themeluar në emër të Islamit dhe janë pasuruar me petrodollarë? Nuk ka asnjë veprimtari në horizont për përçimin e Islamit. Nëse dikush po vepron e sakrifikon në këtë fushë, është sërish Xhemati Musliman Ahmedia.

Ecuria e kësaj veprimtarie gjithashtu kërkon sistemin e Kalifatit. Disa ulema apo intelektualë pranojnë nevojën e Kalifatit, por kur u thuhet që të pranojnë këtë sistem që është themeluar prej Allahut, ata fillojnë t’u shmangen, përkundrazi dalin në kundërshtim.

Një ngjarje e rëndë e kundërshtimit në Pakistan

Ngjarja e fundit e këtij kundërshtimi ka ndodhur vetëm para dy ditësh kundër xhamisë dhe ndërtesës së banueshme ngjitur me të në Sialkot, Pakistan. Policia dhe administrata në bashkëpunim, madje duhet thënë që në udhëheqjen e tyre, hoxhallarët bashkë me disa qind nxënës, iu vërsulën objekteve të xhematit. Kanë bërë një vepër të lavdishme e madhështore për të mbrojtur Islamin. Policia kishte bllokuar këtë banesë para disa ditësh, dhe nuk qëndronte asnjë arsye ligjore për ta rrëzuar atë. Në momentin e sulmit, nuk qëndronte asnjëri në atë banesë, dhe policia në një veprim të mirëplanifikuar dëmtuan ndërtesën.

Kjo xhami dhe banesë nuk ishin bërë tani por qëndronin atje për më shumë se njëqind vjet, shumë kohë para se të krijohej shteti i Pakistanit. Prandaj, akuzat që ahmedianët i kanë bërë shtuar minare dhe kupolë asaj ndërtese, janë të paqena dhe të pavërteta.

Gjendja e mjerueshme e klerikëve muslimanë

Një hafiz i cili i përket një partie politike, është shfaqur duke paralajmëruar për aksione të tilla kundër xhamive të Xhematit. Ndonëse mbajnë titullin e Hafizit, por janë të zbrazur nga mësimet e Kuranit Famëlartë. Ata kanë rënë në këtë derexhe, sepse kanë mohuar Mesihun e Premtuar a.s. i cili është vula e kalifëve dhe gjykatës i drejtë për këtë kohë. Armiqësia e tyre ndaj tij, i ka boshatisur nga dija e Kuranit. Edhe pse kanë mësuar për mëndësh fjalët e Kuranit, mendjet u janë kyçur dhe nuk arrijnë dot në kuptimin e tij. Ata janë dënuar prej Zotit në këtë mënyrë, që nuk mund të zbërthejnë kuptimin e Kuranit.

Ndërkohë, për sa u përket ngatërresave dhe çrregullimeve, ata janë jashtëzakonisht të mprehtë e të aftë. Mendja e tyre e sëmurë, shpik gjithnjë lloj-lloj metodash për t’i pështjelluar gjërat. Ne kurrë nuk mund t’i përballojmë ata në këtë fushë. Duke folur kundër njëri-tjetrit nga minberi dhe duke kurdisur planet ngatërresash e trazirash në xhamitë e tyre, ata e kanë njollosur shenjtërinë e tyre. Ndërsa, xhamitë tona, të cilat janë ndërtuar për të vetmin qëllim adhurimin e Allahut, janë mbyllur me dhunë dhe janë çnderuar me anë të sulmeve të tyre. Këto janë pasojat e vënies së interesave vetjake mbi fenë. Ata, përderisa nuk i nënshtrohen udhëheqjes së Kalifatit, e cila është në përputhje me profecinë e Profetit s.a.v.s., do të vijojnë të kryejnë akte të tilla, dhe nuk mund të presim asgjë të hajrit prej tyre.

Ka shumë pak njerëz të ndershëm që guxojnë të shprehin keqardhje dhe dënojnë këtë veprime. Një politikane e tillë ka guxuar ta dënojë këtë akt të dhunshëm në parlament, e do të shikoni se si këta hoxhallarë, fanatikë apo politikanë sahanlëpirës do të shfryjnë mllefin kundër saj. Deri tani kemi parë vetëm këtë se çdokush që guxon të mbrojë të vërtetën, detyrohet të distancohet nga politika apo të kërkojë falje publikisht.

Ne reagojmë duke ia paraqitur dhimbjen tonë vetëm Allahut

Për sa i përket reagimit tonë, ata kanë dëmtuar vende historike që kishin lidhje me Mesihun e Premtuar a.s. dhe janë konfiskuar nga shteti. Reagimi ynë është ka qenë gjithmonë i njëjtë:

إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللّهِ

Unë dhimbjen time dhe hidhërimin tim ia paraqes vetëm Allahut. (Kurani 12:88) Edhe pse kishim një lidhje emocionale me këtë ndërtesë, por lidhja me Mesihun e Premtuar a.s. nuk shprehet duke i ruajtur ndërtesat, por duke ndjekur mësimet e tij dhe duke iu bashkuar sistemit të Kalifatit. Ne mund të forcojmë lidhjen me Mesihun e Premtuar a.s. duke synuar ato objektiva që janë të domosdoshme për të fituar bekimet e Kalifatit. Këtë mund të arrijmë duke përmirësuar standardin e adhurimeve, duke iu bindur porosive të Allahut dhe duke ngritur nivelin e bindjes sonë. Ne gjithmonë duhet të orvatemi për ta arritur këtë nivel.

Qëllimi i ardhjes së kalifit është “reformë”

Një herë dikush e pyeti Mesihun e Premtuar a.s. për qëllimin e ardhjes së Kalifit. Përgjigja që dha ai duhet të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes sonë. Ai tha “reformë”. Pastaj ai shtjelloi këtë duke thënë që raca njerëzore ka zanafillë në kohën e Ademit a.s. Pas njëfarë periudhe, kur njeriut iu dobësua shkalla e veprave dhe ai iu shmang qëllimit të jetës dhe duke harruar qëllimin e librit të Zotit, ai u largua rruga e udhëzimit, atëherë Allahu i Madhërishëm përmes mëshirës së Tij të pakufishme, udhëzoi botën me anë të një të dërguari dhe shpëtoi njeriun nga gremina e humbjes. U shfaq sërish madhështia e Allahut dhe drita e njohurisë së tij u shkëlqe gjithkund. Besimi i u shndërrua në një fener të ndritur.

Kjo është praktika e Allahut, të cilën e kemi dëshmuar që nga Ademi a.s. gjer në të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Sa herë që bota harron mësimet e profetit të mëparshëm, dhe humbet rrugën e drejtë, pasurinë e besimit dhe dritën e njohurisë, dhe bota kaplohet nga errësira e rrezikshme e devijimit, ligësisë dhe imoralitetit, shfaqen atributet e Allahut. Ai përmes një njeriu të madh, vendos sërish emrin e Tij, teuhidin dhe moralet e larta në botë. Përmes tij, manifestohen mijëra shenja të qarta të ekzistencës së Zotit dhe përnjëherë ripërtërihen njohuria, takvaja dhe dëlirësia e humbur në tokë. Sot, besimi dhe takvaja u mungojnë si muslimanëve ashtu edhe jo-muslimanëve. Prandaj, në përputhje me profecinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Allahu i Madhërishëm ka dërguar vulën e kalifëve në këtë periudhë, përmes të cilit është hedhur themel për një revolucion madhor. Xhemati ynë është themeluar sipas kësaj praktike të vjetër.

Pra, qëllimi i themelimit të Xhematit Ahmedia është shfaqja e shenjave të qarta për ekzistencën e Zotit, rivendosja e teuhidit në tokë dhe ripërtëritja e virtyteve të larta. Nëse i hedhim një vështrim gjendjes së muslimanëve, shumica prej tyre janë dobësua në besim. Një pjesë po adhuron varret dhe bën lloj-lloj bidatesh. Mëkatet dhe ligësitë janë përhapur gjerësisht. Ata shkruajnë komente në gazetë për të reflektuar mbi gjendjen e tyre. Megjithatë, me kokëfortësi nuk duan ta pranojnë shpëtimtarin e tyre, i cili ka ardhur në kohën e duhur e në përputhje me fjalët profetike për t’i shpëtuar ata nga gremina e poshtërimit. Bëjnë shirk të fshehur dhe janë privuar nga moralet e larta.

Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje fjalisë së fundit të Mesihut të Pemtuar a.s. që ky xhemat është themeluar sipas praktikës së vjetër. Sa herë që bota mbulohet nga ligësia, pështjellimi e mëkatet, shterohen moralet dhe njëshmëria e Zotit zëvendësohet nga idhujtaria, atëherë Allahu i Madhërishëm dërgon dikë nga robërit e Tij të dashur për të ripërtërirë besimin. Prandaj, nëse ne nuk i sjellim këto ndryshime në gjendjen tonë, pasi që kemi pranuar Mesihun e Premtuar a.s., atëherë me të vërtetë kjo është për t’u shqetësuar. Ne vazhdimisht duhet të analizojmë veten tonë se a po u përgjigjemi atyre kushteve që janë të domosdoshme për të fituar bekimet e Kalifatit. Ne duhet të shqyrtojmë shkallën e ibadeteve tona. Si janë namazet tona? A është e pastër çdo fjalë dhe vepër jona nga ndyrësia e shirkut? Si është shkalla e sakrificave tona financiare? Si është shkalla e bindjes sonë? A me të vërtetë ne gjendemi në atë shkallë, që është caktuar prej Allahut dhe të Dërguarit të Tij s.a.v.s? A po mundohemi mjaftueshëm për të arritur modelin që ka caktuar Mesihu i Premtuar a.s. për ndjekësit e tij?

Adhurimi, një kusht i rëndësishëm për vendosjen e Kalifatit

Lidhur me rëndësinë e adhurimit dhe namazit, gjejmë një thënie të Profetit s.a.v.s. Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që çështjen e parë, për të cilën do t’u kërkohet llogari njerëzve në ditën e Kijametit është namazi. Nëse kjo llogari del e saktë, ai do të shpëtojë, por nëse del i mangët në këtë llogari, ai është i humbur dhe ka për të dështuar. Nëse del mangësi në namaze të detyrueshme, Allahu do të urdhërojë që robi im ka edhe nafile. Plotësojini farzet e tij me namazet nafile. Po kështu do t’i shqyrtohen edhe veprat e tjera.

Këto ditë, njerëzit në përgjithësi i kushtojnë rëndësi të veçantë faljes së namazeve në xhami. Por, dispozita e namazit nuk është kufizuar me muajin e ramazanit. Allahu nuk do të kërkojë llogari për namazet tona gjatë ramazanit, por për namazet e tërë jetës sonë.

Kjo është mirësia e madhe e Allahut ndaj robërve të Tij që mangësia në namaze të detyrueshme, për shkak të dobësive njerëzore, do të plotësohet nga namazet vullntare.

Hazret Xhabiri r.a. ka transmetuar që ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që lënia e namazit e shpie njeriun drejt shirkut e mosbesimit.

Shirku është vepra më e urryer tek Allahu. Ai fal çdo gabim të njeriut, përveç shirkut. Ne si mund të gëzojmë bekimin e Kalifatit, duke bërë një shkelje kaq të rëndës siç është shirku.

Si mund të kuptojmë që adhurimet tona janë të pranueshme?

Si duhet të jetë namazi? Cila është esenca dhe thelbi i namazit? Mesihu i Premtuar a.s. u përgjigjet këtyre pyetjeve duke thënë:

“Disa njerëz shkojnë në xhami, falin namaze dhe i përmbushin edhe obligimet e tjera të Islamit, por u mungon mbështetja dhe ndihma e Zotit, e as nuk shfaqet ndonjë ndryshim i veçantë në sjelljen dhe zakonet e tyre”.

Ata që falen rregullisht, sjellja dhe morali i tyre duhet të jenë në një shkallë shumë të lartë, por nëse nuk ndodh kjo, atëherë ibadetet dhe zakonet e tyre nuk kanë asgjë në thelb dhe ata i bëjnë vetëm si traditë. Ndjekja e porosive hyjnore është si një bërthamë që ndikon në shpirtin dhe qenien e njeriut. Ashtu siç një farë zhvillohet dhe shndërrohet në një bimë që lulëzohet shpejt, po ashtu namazet duhet të ndikojnë drejtpërdrejtë në shpirtin, trupin dhe moralet e dukshme.

“Njeriu lëvron tokën dhe me shumë mundim mbjell farë në tokë. Nëse farat nuk riprodhohen brenda një apo dy muajve, ai kupton se ato ishin të sëmura. I tillë është shembulli i adhurimit. Nëse njeriu beson se Zoti është një dhe i Vetëm, fal namaze, agjëron dhe në përgjithësi zbaton të gjitha porositë hyjnore, megjithatë nuk e shoqëron mbështetja e ndihma hyjnore, atëherë duhet pranuar që fara është e prishur.

Ne duhet ta mbajmë parasysh këtë parim dhe përmes përmirësimit në adhurimin dhe gjendjen morale duhet të njohin afërsinë e Zotit. Nëse ato janë në përmirësim e sipër, atëherë natyrisht namazet tona po na sjellin dobi, ndryshe po i afrohemi as pranë Zotit e as nga namazet nuk po fitojmë asgjë.

Çfarë është namazi i vërtetë?

Mesihu i Premtuar a.s. shtjellon kuptimin e namazit duke thënë:

“Çfarë është namazi? Ajo është lutje që bëhet me mallëngjim duke madhëruar, lavdëruar dhe shenjtëruar (Zotin) dhe me kërkim faljesh e dërgimin e salavateve. Prandaj, duke falur namazin, në lutjet tuaja mos iu përmbani vetëm fjalëve arabe si njerëz të paditur”. Meqë arabishtja nuk është gjuha juaj amtare, prandaj ata që nuk e dinë këtë gjuhë, nuk duhet t’i qëndrojnë besnikë vetëm arabishtes, sepse kjo nuk ia ngjall lutësit atë gjendje emocionale që i duhet. “Sepse namazi dhe istikfari i tyre janë vetëm zakone që nuk kanë asgjë thelbësore. Por, kur ju falni namazin, përveç Kuranit i cili është fjala e Zotit dhe përpos lutjeve profetike, në të gjitha lutjet tuaja përdorni fjalë mallëngjyese në gjuhën tuaj amtare, me qëllim që ndjenjat ngashëruese e mallëngjyese të ndikojnë në zemër.

Namazi është diçka që e bën qiellin të përkulet te njeriu. Ai që bën namazin në mënyrën e duhur, ndjen sikur ka vdekur dhe shpirti i tij është shkrirë në pragun e Zotit. Ajo shtëpi ku bëhet namazi në këtë mënyrë, nuk do të shkatërrohet kurrë. Sipas një hadithi, nëse do të kishte ekzistuar namazi në kohën e Nuhut a.s., ai popull nuk do të dënohej kurrë. Dispozita e haxhit është e kushtëzuar. Agjërimi është i kushtëzuar sepse i sëmuri dhe udhëtari përjashtohen nga ky obligim. Udhëtari mund të plotësojë ditë të mbetura më vonë, por nganjëherë i sëmuri nuk agjëron dot gjatë gjithë vitit. Zekati është gjithashtu i kushtëzuar, sepse vetëm ai mund të paguajë zekat, i cili ka pasuri të mjaftueshme. Të gjitha këto ibadete duhet përmbushur një herë në vit, ndërsa namazi obligohet pesë herë në ditë. Prandaj, derisa namazi nuk falet plotësisht, nuk mund të fitohen as bekimet që janë lidhur me të, dhe as anëtarësimi nuk do të sjellë asnjë dobi”.

Paralajmërimi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për rënien e muslimanëve

Allahu i Madhërishëm gjithashtu na ka porositur që të ruhemi nga shirku. Sipas një hadithi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. druhej që umeti i tij do të bjerë në sprovë përmes shirkut. Ibadah bin Nasi r.a. ka transmetuar se Shadad bin Aus r.a. po qante me dënesë. Kur u pyet se përse po qante, ai u përgjigj: “M’u kujtua diçka që kisha dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe kjo më emocionoi. Unë e kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë që unë frikësohem lidhur me shirkun dhe dëshirat e fshehura në umetin tim. Hazret Shadadi r.a. e pyeti Profetin a.s.: O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! A do bëjë umeti juaj shirk pas jush? Ai u përgjigj: Po. Ama, ata nuk do të adhurojnë diellin, hënën, idhujt apo gurët, por do të sillen me syfaqësi në veprat e tyre. Do të veprojnë me dredhi, shtirësi, dyfaqësi dhe do t’u binden dëshirave të tyre të fshehta. Nëse dikush prej tyre do të agojë si agjërues, gjatë ditës i del përpara një dëshirë, dhe ai do të prishë agjërimin dhe do t’i nënshtrohet dëshirës.

Javën e kaluar, ju kisha treguar për një shkrim në gazetat britanike, në të cilin intervistuesit rrëfenin se hanin syfyr bashkë me prindërit, ndërsa hanin drekë në Pazar, dhe në darkë uleshin prapë me familjarët, sikur kanë agjëruar gjithë ditën dhe tani mezi po presin momentin e çeljes së agjërimit. Kjo është për t’u ardhur keq. Nëse edhe ne ia nënshtrojmë vetveten tonë një analize të thellë, do t’i gjejmë lloj-lloj formash të shirkut të fshehur që gjëllijnë në qenien tonë. Nganjëherë, ne i lëmë namazet duke i ndjekur dëshirat tona. Humbasim agjërimet për hir të disa arsyeve materiale.

Para disa ditësh, takova një të ri, i cili ka një piceri. Më tha që nuk agjëronte dot apo duhet të linte disa ditë paagjëruar, sepse i duhet të shijojë picat. Mund të them vetëm ina lil-lahi va ina ilejhi raxihun nëse dikush të bëjë një veprim të tillë duke qenë ahmedianë. Nuk mund të them se çfarë kishte ndierë ai pas kësaj bisede, por mua më vjen shumë keq kur dëgjoj fjalë të tilla nga disa persona. Nëse njeriu synon mirësinë e Allahut, por nuk u bindet urdhrave të Tij, atëherë qëllimi i tij nuk është i sinqertë.

Ruajtje nga shirku

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka thënë:

Zoti në Kuranin Famëlartë ka thënë: و یغفر ما دون ذلک  Çdo mëkat mund të falet, përveç shirkut, të cilin kurrë nuk e duron Zoti. Mos iu afroni shirkut dhe konsiderojeni atë pemën e ndaluar. Teuhidi nuk është vetëm një dëshmi nga gojë La ilaha il-lallah (nuk ka të adhuruar përveç Allahut) ndërkohë qëndrojnë mijëra idhuj në zemër. Madje, njeriu i çmon punën, dredhinë, mashtrimin apo planin njësoj si Zot, apo i beson njeriut tjetër ashtu siç duhet besuar Zoti, apo e madhëron vetveten ashtu siç duhet madhëruar Zoti, atëherë në të gjitha këto raste ai është idhujtar në sy të Zotit.

Pra, ky është komentimi i hadithit të mëparshëm. Idhulli nuk është vetëm ai që bëhet me flori, argjend, bronz apo me gur dhe nderohet si hyjni, por çdo gjë, fjalë apo vepër, e cila nderohet njësoj siç duhet nderuar Zoti, quhet idhull në sy të Zotit. Prandaj, duhet të shqyrtojmë veten tonë me imtësi.

Shpenzimi në rrugën e Allahut

Një ndër tiparet e besimtarëve, të cilëve u është premtuar bekimi i Kalifatit është që ata paguajnë zekatin dhe shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Zotit.

Në një hadith që transmetohet nga Ibni Masudi r.a. thuhet që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që lejohet lakmia a marazi përveç ndaj dy njerëzve. Ndaj atij që ka pasuri dhe që e jep atë në rrugë të Allahut dhe ndaj atij që ka urtësi/dituri dhe me atë gjykon midis njerëzve dhe ua mëson të tjerëve.

Hazret Hasani r.a. rrëfen se i Dërguar i Allahut s.a.v.s. ka thënë: Ruani pasurinë tuaj me anë të zekatit dhe shëroni të sëmurit tuaj përmes sadakasë. Profeti a.s. na ka tërhequr vëmendje ndaj zekatit, sadaksë dhe çdo sakrifice tjetër me anë të pasurisë. Prandaj, ata të cilëve u detyrohet zekati, duhet ta paguajnë atë. Sigurisht, jo çdo musliman është i detyruar të paguajë zekatin, prandaj sipas porosive të Mesihut të Premtuar a.s., ata duhet të bëjnë sadaka e të kujdesen për nevojtarët e të varfrit.

Kjo dispozitë jo vetëm që shërben për mirëqenien e shtresave të ulëta në shoqëri, por tregon rëndësinë e bashkimit. Sepse, zekati dhe paratë e tjera të sadakasë mund të shpenzohen denjësisht brenda sistemi të kalifatit. Ne kemi edhe sistemin e xhematit, i cili disponon të dhënat e njerëzve të nevojë. Xhematet që ende nuk kanë bërë një gjë të tillë, duhet të grumbullojnë apo të përditësojnë këto të dhëna. Meqë Kalifi i kohës ka qasje dhe njohuri të vendeve të ndryshme në mënyrë drejtpërdrejtë, dhe ka burime të ndryshme të dhënash, prandaj ai udhëzon sistemin që ku duhen shpenzuar ato para. Kjo është arsyeja që Xhemati Musliman Ahmedia ka arritur të kanalizojë burimet e tij për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në Afrikë apo në vende të tjera. Për shembull, xhemati ka ofruar shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale në këto vende. Unë kam parë mjaft ahmedianë që ndihmojnë vëllezër të tyre të varfër me një dhimbje e dhembshuri të madhe, dhe kështu realizohet një bashkim e unitet.

Mesihu i Premtuar a.s. na ka tërhequr vëmendje ndaj namazit dhe zekatit. Ai ka përshkruar lidhjen midis këtyre dy obligimeve me këto fjalë:

“Kur njerëzit falin namazet me një dhimbje e mallëngjimi, ata si rrjedhojë e natyrshme fillojnë t’u shmangen gjërave të padobishme. Ata gjejnë shpëtim në këtë botë të ndyrë. Dashuria ndaj dynjasë u ftohet, dhe u ngjallet dashuria ndaj Zotit të Madhërishëm dhe rrjedhimisht ھم للزکوۃ فعلون  ata fillojnë të paguajnë zekatin. Ndërsa ajo në vetvete është rezultati i عن اللغو معرضون d.m.th. nga shmangia e gjërave të padobishme.

Duke mos harxhuar paratë në çështje të padobishme dhe duke u ftohur në raport me dynjanë, u ngjallet dëshira për të shpenzuar në rrugën e Zotit. Edhe nëse të kenë thesaret aq të mëdha sikur Karuni, ata nuk do të shqetësohen aspak, dhe nuk do të ngurrojnë për t’i harxhuar ato në rrugën e Zotit. Ai shkruan:

“Ka mijëra njerëz që nuk paguajnë zekatin dhe mbajnë një qëndrim moskokëçarës, ndërsa shohin se njerëzit e varfër e të kamur po vuajnë e vdesin në mjerim. Zoti i Madhërishëm ka obliguar pagimin e Zekatit mbi çdo send qoftë edhe stolitë. (Ndonëse diamantet etj. përjashtohen). Njerëzit e pasur e të kamur janë të obliguar nga sheriati që të bëjnë pasqyrimin e gjendjes së pasurisë, që nuk ka qarkulluar për një vit, e të paguajnë zekat sipas normave të tij.

Pra, pagimi i zekatit i shpëton ata nga veprime të kota dhe u dhuron kënaqësinë e adhurimeve. Pra, këto janë të gërshetuara me njëri-tjetrin si shkak-pasojë. Namazi na nxit për t’iu shmangur veprimeve të padobishme, dhe shmangia e kotësisë na prin drejt përmbushjes së obligimeve të Allahut, që të harxhojmë pasurinë tonë në rrugën e Tij. Kështu Mesihu i Premtuar a.s. ka nxjerrë përfundimin që shpenzimi në rrugën e Allahut, e shpëton njeriun nga gjëra të padobishme.

Përvetësimi i besnikërisë dhe bindjes dhe largimi nga mosmarrëveshja e përçarja

Allahu i Madhërishëm na ka tërhequr vëmendjen për të përmirësuar shkallën e besnikërisë dhe bindjes sonë. Hazret Ibada r.a. ka transmetuar se kemi pranuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. me kushtin që do të dëgjojmë e do të bindemi, edhe nëse na pëlqen apo jo. Do t’i qëndrojmë besnikë të vërtetës e gjithmonë do të themi të drejtën, dhe nuk do të konfliktohemi me dikë që ka drejtë. Nuk do të frikësohemi nga qortimi i çdo qortuesi, derisa na qorton në çështjen e Allahut.

Kjo porosi nuk është vetëm në lidhje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., por vlen edhe për sistemin e Kalifatit. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra r.a. gjejmë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë që duhet t’i bindesh prijësit dhe t’u bindesh urdhrave të tij, në të gjitha rrethanat, në shtrëngim a në mbarësi, në mjerim a në lumturi, në shkelje të drejtash a në sjellje diskriminuese. Mesihu i Premtuar a.s. ka cituar këtë hadith duke shpjeguar rëndësinë e nënshtrimit. Ai shkruan:

Bindjuni Allahut, të Dërguarit të Tij dhe sunduesit! Bindja është diçka e tillë që nëse bëhet me sinqeritet, e ndrit zemrën dhe shpirtit i jep një kënaqësi e shkëlqim. Nuk ka nevojë për përpjekjet aq sa ka nevojë për bindjen. Megjithatë, bindja duhet të jetë e sinqertë dhe kjo është diçka e vështirë. Në bindje, njeriu duhet të flijojë të gjitha dëshirat vetjake dhe derisa nuk bënë këtë ajo nuk quhet bindje. Dëshirat vetjake janë të tilla që edhe në zemrën e besimtarëve shndërrohen në idhull. Sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) gëzonin mirësi të veçantë dhe ishin të përkushtuar në bindjen e Profetit. Me të vërtetë, një popull nuk mund të quhet i tillë, derisa ai nuk është frymëzuar me bashkimin e unitetin, dhe derisa ai nuk i përmbahet parimit të besnikërisë. Por, nëse i shfaqen mosmarrëveshje dhe përçarje, të kuptoni që këto janë shenjat e rënies dhe degradimit. Ndër shkaqet që i çuan muslimanët në shfuqizim dhe rënien e tyre, janë mosmarrëveshje dhe përçarje të ndërsjella.

Nëse ata heqin dorë nga mosmarrëveshjet e tyre dhe t’i binden vetëm atij, për të cilin i ka urdhëruar Allahu i Madhërishëm, do të arrijnë sukses në çdo çështje. Dora e mëshirshme e Allahut qëndron sipër xhematit sepse Atij i pëlqen teuhidi (unikatësia). Ky bashkim nuk mund të arrihet derisa ata veprojnë me besnikëri. Në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ka pasur sahabë të mëdhenj që shquheshin për mendjemprehtësinë e tyre. Zoti i kishte përgatitur ata në atë mënyrë që kupzonin dhe parimet e politikës. Kur Ebu Bekri r.a., Omeri r.a. dhe sahabët e tjerë shërbyen si kalifë, ata plotësuan detyrën e udhëheqjes së pushtetit në mënyrë kaq të shkëlqyer që nxjerr në pah aftësitë e tyre si drejtues e organizator. Megjithatë, kur qëndronin në praninë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ata i konsideruan mendimet dhe gjykimet e tyre si të papërfillshme, dhe iu bindën fjalëve të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ata ishin përparuar aq shumë në besnikërinë e tyre ndaj Profetit s.a.v.s. saqë kërkonin bereqet në ujin që i mbetej nga abdesi, e konsideronin të bekuar edhe pështymën e tij. Nëse, nuk do të ishin ushqyer ata me frymën e bindjes, e secili mbronte mendimin e vet, me siguri, do të shfaqej përçarje midis tyre dhe ata kurrë nuk do arrinin këto grada të larta.

Mua më mjafotn vetëm një argument për të sheshuar mospajtimin midis sunive e shiitëve që sahabët e nderuar, nuk kishin asnjë grindje, mosmarrëveshje, përçarje apo hasmëri ndaj njëri-tjetrit. Arritjet dhe sukseset e tyre dëshmojnë që ata ishin si një trup, dhe nuk kishin as konfliktin më të vogël.

Kundërshtarët e paditur kanë akuzuar që Islami është përhapur me anë të dhunës. Unë them që kjo nuk është e vërtetë. Bindja e besnikëria qarkullonin në arteriet e zemrës. Falë këtij bashkimi e nënshtrimi, ata i nënshtruan zemrat e të tjerëve. Unë besoj fuqimisht që ata ngritën shpatën vetëm në vetëmbrojtje, ndryshe botën do të kishin fituar vetëm me gjuhë.

سخن کزدل بروں آید نشیند لا جرم بردل

Fjalët që burojnë nga zemra, ndikojnë në zemër. Ata kishin pranuar një vërtetësi dhe realitet me çiltërsinë e zemrës, e nuk silleshin me shtirësi e dukje. Sinqeriteti i tyre u bë mjet për të gjitha sukseset e tyre. Është e vërtetë që njeriut i sinqertë përdor shpatën e sinqeritetit. Fytyra e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. shkëlqente me nurin e besimit ndaj Zotit, dhe hijeshia e madhështia rrezatoheshin prej saj, kishte një tërheqje e forcë që vetvetiu i shtynte zemrat pas vetes. Qëndrueshmëria e xhematit të Profetit s.a.v.s. ishte jashtëzakonshme, ndërsa shembulli i tyre në besnikëri ndaj tij ishte i tillë që çdokush që binte në kontakt me të, tërhiqej pas tyre. Gjendja e sahabëve dhe bashkimi i tyre nevojiten edhe tani, sepse Allahu i Madhërishëm ka bashkuar xhematin që po përgatitet nga Mesihu i Premtuar me xhematin e të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. Ky xhemat do të përparojë me anë të njerëzve të tillë, që u përgjigjen plotësisht mësimeve të xhematit dhe tregojnë shembullin e lartë të bindjes.

Ne duhet t’u ngjajmë sahabëve në bindje dhe vëllazëri

Prandaj, ju që veten e quani ndër xhematin e Mesihut të Premtuar a.s., dhe shpresoni për t’u bashkuar me sahabët e Profetit s.a.v.s, duhet të ngjallni shembullin e tyre. Bindja juaj duhet t’i ngjajë bindjes së tyre, dashuria juaj duhet t’i ngjajë dashurisë së tyre dhe vëllazëria juaj duhet t’i ngjajë vëllazërisë së tyre. Pra, përvetësoni pamjen e sahabëve në çdo aspekt. Nëse dëshironi që xhemati të përparojë pandërprerë dhe bekimi i kalifatit të qëndrojë përherë mu ju, atëherë përmbahuni me qëndrueshmëri shembujve të tyre.

Këto janë kritere dhe kushte që duhen arritur për të merituar bekimin e Allahut. Ne duhet të lartësojmë shkallën e adhurimit tonë. Duhet t’i ruajmë namazet tona. Duhet të pastrojmë çdo fjalë e vepër tonën nga shirku. Duhet të shpenzojmë pasuritë tona në udhën e Allahut. Duhet t’i qëndrojmë besnik Kalifatit dhe duhet të lartësojmë shkallën e bindjes sonë. Vetëm në këtë mënyrë, ne mund të meritojmë bekimin e Kalifatit dhe mund të fitojmë mirësi të tjera që janë lidhur me të. Vetëm kështu mund të mbajmë veten dhe pasardhësit tanë të lidhur me këtë udhëheqje shpirtërore e cila do të ekzistojë deri në kiamet.

Kalifati është manifestimi i fuqisë së dytë të Zotit

Mesihu i Premtuar a.s. duke dhënë sihariqin për këtë kalifat të përhershëm, shkuran:

“… është e domosdoshme për ju ta shihni edhe fuqinë e dytë të madhështisë së Tij. Ardhja e saj është më e mirë për ju, sepse ajo do të jetë e përhershme dhe nuk do të përfundojë deri në Ditën e Gjykimit. Por ajo fuqi e dytë nuk mund të ndodhë para se unë të largohem. Pasi unë të kem shkuar, atëherë Allahu do t’jua dërgojë juve fuqinë e dytë të madhështisë së Tij, që do të mbetet përgjithmonë me ju.

Kështu është premtuar nga Allahu edhe në “Berahine Ahmedia” dhe ky premtim nuk është për mua, por është për ju, siç thotë Allahu: Unë do ta bëj këtë Xhemat, që janë pasuesit e tu, mbizotërues mbi të gjithë të tjerët deri në Ditën e Gjykimit. Pra, është e pashmangshme dita kur ju do ta shihni largimin tim, në mënyrë që, pas asaj, t’ju vijë dita e premtimit të përhershëm. Zoti ynë është Ai që mban premtimet e Tij dhe është shumë Besnik dhe shumë i Vërtetë. Ai do t’ju tregojë të gjitha ato që ju ka premtuar. Edhe pse këto janë ditët e fundit të botës dhe shumë fatkeqësi pritet të ndodhin, megjithatë, është e domosdoshme që kjo botë të vazhdojë të ekzistojë, deri sa të përmbushen të gjitha ato gjëra, të cilat Allahu jua ka premtuar. Unë erdha nga Allahu si një manifestim i Fuqisë së Tij dhe jam mishërim i Fuqisë së Allahut. Pas meje do të vijnë persona të tjerë, që do të jenë manifestim i dytë i Fuqisë së Tij”.

(Testamenti, f. 7-8)

Allahu na ka dhuruar këtë mirësi dhe për 110 vjet po dëshmojmë mëshirën e Allahut ndaj nesh dhe përmbushjen e premtimit të Tij me Mesihun e Premtuar a.s. Allahu e mundësoftë secilin, që ka pranuar Mesihun e Premtuar a.s., të ndjekë porositë e Allahut të Madhërishëm dhe të përfitojë nga bekimet e Kalifatit.

Javës së kaluar, ju kisha bërë thirrje për t’u lutur për pakistanezët. Tani, sërish ju bëj thirrje, e veçanërisht pakistanezëve që të luten për veten. Duhet të shtoni namazet, nafilet dhe dhikrin tuaj. Allahu na mundësoftë. Amin

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp