Kalifati Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kalifati Ahmedia

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Sot është 27 maj dhe siç çdo ahmedian e di që, në Xhematin Musliman Ahmedia, pas ndërrimit të jetës së Mesihut të Premtuar a.s., këtë ditë filloi Kalifati. Me këtë rast, Xhemati e feston këtë ditë si “Dita e Kalifatit” dhe kështu, ne falënderojmë Zotin e Madhërishëm për përmbushjen e premtimit të Tij, që ishte edhe në formë profecie nga i Dërguari i Allahut s.a. dhe si një lajm i mirë nga Hazret Mesihu i Premtuar a.s.. Ne e falënderojmë Zotin sepse në këtë mënyrë Ai na shpëtoi nga përçarja, na lidhi të gjithë ne në një pe. Me këtë rast ne bëjmë edhe betimin që ne do të jemi të gatshëm për të dhënë çdo sakrificë për qëndrueshmërinë dhe mbarëvajtjen e Kalifatit Ahmedia. (InshaAllah!)

Historia 108-vjeçare e Xhematit Musliman Ahmedia është dëshmitare që gjeneratë pas gjenerate kanë dhënë sakrifica me qëndrueshmëri të plotë për ta përmbushur këtë betim. Allahu i Madhërishëm edhe në të ardhmen mundësoftë çdo ahmedian, që tani është pjesë e Xhematit si dhe atë që do të na bashkohet në vazhdim inshaAllah, përmbushjen e këtij betimi.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha se qëllimi i ardhjes së tij është të afrojë robin me Zotin e Madhërishëm duke e bërë atë të përmbushë detyrimet që ka ai ndaj Zotit, si dhe detyrimet ndaj robërve të tjerë. Duke na tërhequr vëmendjen për këtë pikë, edhe në librin e tij “Testamenti”, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. tha:

“Nëse ju do të anoni tërësisht nga Zoti, atëherë më besoni se unë po ju them sipas dëshirës së Zotit, që ju do të bëheni një popull i zgjedhur i Zotit. Le të vë rrënjë Madhështia e Zotit në zemrat tuaja! Deklaroni Teuhidin e Tij, jo vetëm me gojë, por edhe me vepra, në mënyrë që dhe Zoti t’ju tregojë mirësi e favore në veprimet e Tij Hyjnore. Ruhuni nga mëria dhe silluni me njerëzit me dhembshuri të vërtetë. Përvetësoni çdo rrugë të mirë, sepse ju nuk dini se përmes cilës rrugë do të pranoheni”.

Kështu, nëse ne do të jemi të vendosur në Teuhid (Njëshmërinë e Zotit) dhe do të përparojmë në dhembshurinë ndaj njerëzve e të qëndrojmë të lidhur me Kalifatin Ahmedia, atëherë do të shohim të gjitha përparimet që Allahu i Madhërishëm i ka premtuar Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Këtë njoftim hyjnor që ka marrë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., ai na e kumton me këto fjalë:

“Mos mendoni se Zoti do t’ju lër të prisheni. Ju jeni një farë që është mbjellë nga dora e Zotit në tokë. Zoti thotë se kjo farë do të shtohet, do të lulëzojë dhe nga çdo anë do të dalin degët e saj dhe do të bëhet një pemë e madhe”.

Kështu që, nuk ka asnjë dyshim që Xhemati i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. do të përparojë patjetër. Ky është premtimi i Allahut të Madhërishëm. Kemi nevojë që secili nga ne të bëjë kontroll të vetvetes se çfarë po bëjmë ne për përmbushjen e detyrimeve ndaj Zotit dhe ndaj robërve të Zotit. Bota po mban syrin te ne. Allahu i Madhërishëm neve na ka besuar të vendosim Teuhidin, çka do të thotë, t’i afrohemi Zotit edhe vetë dhe ta afrojmë edhe botën te Krijuesi i saj dhe gjithashtu, të vendosim vlerat njerëzore.

Ditët e fundit kam qenë në turne në vendet skandinave. Aty edhe gazetarët, edhe njerëzit e tjerë intelektualë që më kanë takuar, më pyetën: “Cilat janë synimet tuaja?” Atyre iu jam përgjigjur duke thënë se synimet e Kalifatit Ahmedia janë të njëjta, për të cilat Zoti i Madhërishëm e ka dërguar Mesihun e Premtuar a.s., që janë: të përpiqet maksimalisht për të afruar robin me Zotin e Madhërishëm dhe të përmbushë detyrimet ndaj njerëzve. Nuk kemi asnjë qëllim më shumë sesa kaq.

Sot në botë shohim që sa shumë njeriu po e harron Zotin dhe edhe shërbimet ndaj njerëzve po i bën në përgjithësi për qëllimet e veta. Kjo e fundit sidomos po shkakton shumë shqetësime te njerëzit, thellon hendeqet midis shteteve. Njerëzit materialistë e kanë shumë të vështirë të kuptojnë sesi mund të punohet vetëm për të fituar pëlqimin e Zotit. Ata na pyesin me habi. Disa prej tyre ndoshta edhe mendojnë që ne që ngremë sloganin e dashurisë, e bëjmë vetëm për t’iu afruar njerëzve dhe më pas, kur të kemi forcë të mjaftueshme, do të pushtojmë shtete. Pra ata mendojnë se ndoshta ky qenka synimi ynë.

Një pyetje të tillë ma bëri profesori për shkencat Islame në universitetin e Stokholmit. Atij i jam përgjigjur ashtu siç ka thënë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në këto vargje:

Kalifati“Ç’më duhen shtetet, shteti im është ndryshe nga të gjithë
Ç’më duhen kurorat, kurora ime është pëlqimi i Zotit”

Pikërisht ky është synimi Kalifatit Ahmedia dhe i Xhematit Musliman Ahmedia. Në këtë udhëtim, me bekimin e Zotit të Madhërishëm janë bërë mjaft intervista nga media. Përveç ceremonisë së përurimit të xhamisë së Malmo, u organizuan pritje me jo-muslimanët në Danimarkë dhe në Stokholm, në të cilat kemi treguar mësimet e vërteta të Islamit, të Kuranit Famëlatë dhe modelin e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe atë të Kalifëve të tij të drejtë. Shumica prej të ftuarve haptas kanë shfaqur mendimin e tyre duke thënë – “Sot e kemi kuptuar se çfarë është Islami i vërtetë!”

Kështu ka ndodhur gjithmonë. Kudo në botë, ku Xhemati Musliman Ahmedia organizon ndonjë konferencë, mbledhje ose simpozium për paqen, të ftuarit kështu shprehen. Arsyeja është që Xhemati Musliman Ahmedia në çdo vend të botës është i angazhuar për ta projektuar këtë temë edhe në Lindje, edhe në Perëndim, edhe në Veri, edhe në Jug dhe e gjithë kjo po realizohet sepse ai është i lidhur me Kalifatin Ahmedia dhe punon nën udhëheqjen e Kalifatit Ahmedia.

Siç ju thashë, edhe në këtë turne, shumica e njerëzve thanë se tani e kanë kuptuar mësimet e vërteta të Islamit, nëpërmjet Kalifit të Xhematit Ahmedia. Kështu që, Kalifati që është nisur pas Mesihut të Premtuar a.s., jo vetëm që udhëzon ndjekësit e vet, por ua tregon mësimet e vërteta të Islamit edhe të tjerëve, edhe kundërshtarëve të Islamit. Sa shumë ndikohen jo muslimanët kur vijnë në tubimet tona, do t’ju tregoj me disa shembuj.

(Për të dëgjuar më tej, ju lutemi, ndiqeni videon. Faleminderit)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp