Pozita e lartë e Hazret Omerit r.a., Kalifit të Dytë të Islamit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Pozita e lartë e Hazret Omerit r.a., Kalifit të Dytë të Islamit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 29.10.2021.)

أَشْھَدُ أَنْ لَّا إِلٰہَ اِلَّا اللّٰہُ وَحْدَہٗ لَا شَرِیْکَ لَہٗ وَأَشْھَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُہٗ وَ رَسُوْلُہٗ۔أَمَّا بَعْدُ فَأَعُوْذُ بِاللّٰہِ مِنَ الشَّیْطٰنِ الرَّجِیْمِ۔

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (١)  ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ(٢) ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (٣) مَٰلِكِ يَوۡمِ ٱلدِّينِ (٤) إِيَّاكَ نَعۡبُدُ وَإِيَّاكَ نَسۡتَعِينُ (٥) ٱهۡدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلۡمُسۡتَقِيمَ (٦) صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنۡعَمۡتَ عَلَيۡهِمۡ غَيۡرِ ٱلۡمَغۡضُوبِ عَلَيۡهِمۡ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ (٧

“Omeri është i xhenetit!”

Ndër ata të cilëve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u dha lajmin e mirë të xhenetit, ishte edhe Hazret Omeri r.a..

Hazret Ebu Musa Esh’eriu r.a. rrëfen:

Unë isha me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në një nga pemishtet e Medinës. Ndërkohë erdhi një njeri dhe kërkoi leje që t’i hapet porta. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. më tha:

– Hapja derën dhe jepi lajmin e mirë të xhenetit!

E hapa derën dhe pashë që ai qenkësh Ebu Bekri r.a.! Ia dhashë lajmin e mirë që më kishte porositur Profeti s.a.v.s..

– Elhamdulil-lah! (Lavdi Zotit!), m’u përgjigj ai.

Pastaj, erdhi edhe një njeri tjetër dhe kërkoi që t’ia hapja derën. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Hapja dhe jepi lajmin e mirë të xhenetit!

E hapa derën dhe pashë që ai qenkësh Hazret Omeri r.a.! Ia dhashë lajmin e mirë që më kishte porositur Profeti s.a.v.s..

– Elhamdulil-lah! (Lavdi Zotit!), më tha edhe ai.

Pastaj, erdhi edhe një njeri tjetër dhe kërkoi që t’ia hapja derën. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Hapja derën edhe atij dhe jepi lajmin e mirë të xhenetit, pavarësisht nga një vështirësi që do t’i vijë!

E hapa derën dhe pashë që ai qenkësh Hazret Uthmani r.a.! Ia dhashë lajmin e mirë që më kishte porositur Profeti s.a.v.s..

Edhe ai tha – Elhamdulil-lah! Më pas shtoi:

– Vetëm Allahut mund t’i kërkoj ndihmë për t’u mbrojtur nga vështirësia.[1]

Hazret Abdurrahman bin ‘Aufi r.a. rrëfen se I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

  1. “Ebu Bekri është i xhenetit,
  2. Omeri është i xhenetit,
  3. Uthmani është i xhenetit,
  4. ‘Aliu është i xhenetit,
  5. Talha është i xhenetit,
  6. Zubejri është i xhenetit,
  7. Abdurrahman bin ‘Aufi është i xhenetit,
  8. Sa’d bin Ebi Vekkasi është i xhenetit,
  9. Se’id bin Zejdi është i xhenetit dhe
  10. Ebu Ubejde bin el-Xherrahu është i xhenetit.”[2]

Këtë lajm të mirë Profeti s.a.v.s. u kishte dhënë dhjetë sahabëve të tij.

Hazret Ebu Hurejreja r.a. thotë:

“Një herë ne ishim pranë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ai tha:

“Unë isha në gjumë dhe pashë veten në xhenet. Pashë një grua që po merrte abdes pranë një pallati mbretëror. – I kujt është ky pallat? E pyeta.

– Është i Omer bin Hettabit, m’u përgjigjën të pranishmit.

E kur mendova se Omerit mund t’i vinte turp, unë u ktheva.”

Hazret Omeri r.a. gjithashtu ishte me ne në këtë takim. Filloi të qante dhe tha:

– O i Dërguari i Allahut, si mund të kisha turp unë nga ju?![3]

Me një fjalë, Hazret Omeri r.a. i tha Profetit s.a.v.s. – Pse u ktheve?! Ta kishe bekuar!

Hazret Ebu Se’id Hudriji r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Njëri nga ‘il-lijunët عِلِّیُّونَ do të hedhë shikim drejt banorëve të xhenetit, atëherë vetëm nga fytyra e tij, që do të jetë si një yll i shndritshëm, xheneti do të ndriçohet. Ebu Bekri dhe Omeri janë prej tyre, dhe sa të mirë që janë ata!”[4]

Hazret Abdullah bin Mes’udi r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

– Juve po ju vjen një njeri i xhenetit.

Dhe erdhi Hazret Ebu Bekri r.a.. Më pas, Profeti sërish tha:

– Juve po ju vjen një njeri i xhenetit.

Dhe erdhi Hazret Omeri r.a..[5]

Po kështu, ka një rrëfim që vjen nga Hazret Enesi r.a., i cili thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në lidhje me Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe Hazret Omerin r.a., tha:

“Ebu Bekri dhe Omeri janë prijës të të moshuarve të xhenetit, duke përfshirë edhe të parët dhe të mëvonshmit, me përjashtim të Profetëve dhe të Dërguarve.”[6]

Mandej Hazret Ebu Hurejreja r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Omer bin el-Hettabi është një pishtar për banorët e xhenetit.”[7]

Ka edhe një thënie tjetër të Profetit s.a.v.s. rreth pozitës së lartë të Hazret Omerit r.a.. Hazret Ukba bin ‘Amiri thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Po të kishte Profet pas meje, do të ishte Omeri”

“Po të kishte Profet pas meje, do të ishte Omer bin el-Hettabi.”[8]

Këtu bëhet fjalë për kohën menjëherë pas Profetit s.a.v.s., se përndryshe, Mesihun dhe Mehdiun që do të vinte, Profeti s.a.v.s. vetë e ka quajtur “Profet të Allahut” (nebijullah).[9]

Omeri r.a. ishte muhad-deth, komunikues me Allahun

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e cilësoi Hazret Omerin r.a. si “muhad-deth” (komunikues me Allahut). Në lidhje me këtë, Hazret Aishja r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Edhe popujt e mëparshëm patën muhad-dethët. Nëse umeti im ka ndonjë, atëherë ai është Omer bin el-Hettabi.”[10]

Hazret Ebu Hurejreja r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Umetët para jush kanë pasur muhad-dethë. Nëse umeti im ka ndonjë të tillë, ai është Omeri.”

Muhad-deth është ai që ka komunikim të shpeshtë me Allahun nëpërmjet shpalljeve (ilhamëve) dhe vizioneve (keshfëve).

Një herë tjetër Profeti s.a.v.s. tha:

“Në Bijtë e Izraelit kishte njerëz me të cilët komunikonte Allahu, por që nuk ishin Profetë. Nëse umeti im ka ndonjë të tillë, ai është Omeri.”[11]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Zoti i Madhërishëm gjithmonë ka përdorur gjuhën e figurshme dhe për shkak të natyrës, të cilësisë dhe të kapacitetit, emrin e njërit ia jep tjetrit. Ai që ka zemrën porsi zemra e Ibrahimit, në sy të Zotit ai është Ibrahim. Dhe ai që ka zemrën porsi zemra e Omer Farukut, në sy të Zotit ai është Omer Faruk. A nuk lexoni hadithin:

“Nëse edhe ky umet ka ndonjë muhad-deth, të cilit i flet Allahu i Madhërishëm, ai është Omeri”.

Vallë, ky hadith a do të thotë se të qenët muhad-deth ka marrë fund me Hazret Omerin?! Kurrsesi! Përkundrazi, kuptimi i hadithit në fjalë është që kur gjendja shpirtërore e dikujt i përngjan gjendjes shpirtërore të Omerit, në kohë nevoje, ai do të bëhet muhad-deth.

Kështu që, dikur edhe këtij modesti i erdhi shpallje në lidhje me këtë:

فِيْكَ مَادَّةٌ فَارُوْقِيَّةٌ

“Ke brumë Faruku”.[12]

Shpallja e plotë është si vijon:

اَنْتَ مُحَدَّثُ اللّٰہِ۔ فِیْکَ مَادَّۃٌ فَارُوْقِیَّۃٌ۔

“Ti je muhad-deth; ti ke brumë Faruku.”[13]

Propozimi i Hazret Omerit r.a. për mbrojtjen dhe mbledhjen e Kuranit të Shenjtë

Kam thënë në një nga hutbet e mia në lidhje me propozimin e Hazret Omerit r.a. për mbrojtjen dhe faqosjen e Kuranit. Dua t’jua tregoj këtë rrëfim edhe këtu.

Hazret Zejd bin Ensariu r.a. rrëfen:

Gjatë Kalifatit të Hazret Ebu Bekrit r.a., në betejën Jemama, kur ranë dëshmorë shtatëdhjetë hafizë të Kuranit, Hazret Ebu Bekri më thirri mua. Atë po e shoqëronte Hazret Omeri r.a.. Hazret Ebu Bekri r.a. më tha:

– Omeri po më thotë se në betejën e Jemamasë shumë njerëz ranë dëshmorë dhe se ai ka frikë që do të vriten edhe recitues të tjerë të Kuranit në beteja të ardhshme, dhe kështu një pjesë e madhe e Kuranit ka mundësi të asgjësohet, andaj, sipas tij, unë duhet ta mbledh Kuranin.

Duke iu përgjigjur Hazret Omerit r.a., Hazret Ebu Bekri i tha:

– Si mund të bëj diçka që nuk e ka bërë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?!

– Për Allahun! Kjo puna juaj është e mbarë. – i tha Hazret Omeri

Hazret Ebu Bekri pohon – Omeri vazhdimisht ma kërkonte këtë gjë, dhe erdhi një kohë kur Allahu më hapi zemrën për këtë punë. Dhe tani, edhe unë mendoj të udhës atë që Omeri e mendoi të udhës. Pra, duhet ta mbledhim Kuranin e Shenjtë.

Më pas Zejd bin Thabiti r.a. nisi punën e mbledhjes së Kuranit.[14]

Hazret Omeri ishte hafiz i Kuranit

Ju kam treguar edhe më përpara në lidhje me faktin që Hazret Omeri r.a. e dinte përmendsh Kuranin e Shenjtë. Hazret Musleh Mau’di (Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar) r.a. pohon:

“Ebu Ubejdeja r.a. thotë se ndër sahabët e Profetit, për ata që është e vërtetuar se dinin Kuranin përmendsh, janë:

  1. Ebu Bekri r.a.
  2. Omeri r.a.
  3. Uthmani r.a.
  4. Aliu r.a.
  5. Talha r.a.
  6. Sa’di r.a.
  7. Ibni Mes’udi r.a.
  8. Hudhejfeja r.a.
  9. Salimi r.a.
  10. Ebu Hurejreja r.a.
  11. ‘Abdullah bin Saibi r.a.
  12. ‘Abdullah bin Omeri r.a.
  13. ‘Abdullah bin ‘Abbasi r.a.[15]

Disa çështje në të cilat mendimi i Hazret Omerit r.a. përkoi me shpalljen e Zotit

Ka rrëfime që tregojnë se disa shpallje Allahu i Madhërishëm i dërgoi Profetit Muhammed s.a.v.s. për shkak se përkonin me mendimin e Hazret Omerit r.a..

Librat Sihah Sitte (6 Librat kryesorë të haditheve) përmendin 3 çështje të atilla, në të cilat mendimi i Hazret Omerit r.a. përkoi me shpalljen e Zotit, megjithatë, nëse do t’i studiojmë këto rrëfime më me detaje, numri i çështjeve të tilla shkon deri në 7.

Njëri prej rrëfimeve vjen nga vetë Hazret Omeri r.a. e që gjendet në Sahihun e Buhariut, në të cilin ai thotë:

“Ka tri gjëra në të cilat mendimi im përkoi me Vullnetin e Zotit të Madhërishëm. I thashë – O i Dërguari i Allahut, do të ishte mirë nëse vendin e Ibrahimit ta bëjmë vendfalje. Dhe pas kësaj u zbrit ajeti:

وَٱتَّخِذُواْ مِن مَّقَامِ إِبْرَٰهِۦمَ مُصَلًّى ۖ

“Në qëndrimin e Ibrahimit gjejeni vendin e faljes!”[16]

Po kështu, një herë i thashë – O i Dërguari i Allahut, porositni gratë tuaja të marrin hixhab, sepse ato i takojnë edhe njerëz të mirë, edhe të këqij. Atëherë Zoti i Madhërishëm zbriti ajetin që mban urdhrin e hixhabit.

Një herë tjetër gratë e Profetit s.a.v.s. u bashkuan për t’i kërkuar diçka të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. (ndër to ishte edhe e bija e Hazret Omerit). Atëherë u thashë – Nëse i Dërguari i Allahut ju divorcon, shpresoj se Zoti i tij do t’i japë gra më të mira se ju. Atëherë Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin:

عَسَىٰ رَبُّهُۥٓ إِن طَلَّقَكُنَّ أَن يُبۡدِلَهُۥٓ أَزۡوَٰجًا خَيۡرٗا مِّنكُنَّ

“Ka mundësi që nëse (Profeti) do t’ju divorcojë, Zoti i tij t’i zëvendësojë gra më të mira se ju,”[17], [18]

Një rrëfim tjetër gjendet në Sahihun e Muslimit. Hazret Ibni Omeri r.a. rrëfen se Hazret Omeri r.a. ka thënë:

“Ka pasur tri raste kur pikëpamja ime për një çështje përkoi me vullnetin e Zotit tim: në lidhje me vendin e Ibrahimit, në lidhje me hixhabin dhe në lidhje me të burgosurit e Bedrit.”[19]

Por ky rrëfim nuk është i saktë në lidhje me të burgosurit e betejës së Bedrit. Hazret Musleh Ma’udi (Kalifi II i Mesihut të Premtuar) r.a. ka bërë diskutim të gjerë për këtë çështje. Edhe Hazret Mirza Beshir Ahmedi r.a. paraqet disa dëshmi, po kështu edhe dijetarë të hershëm dhe mufessirë, duke provuar se rrëfimi në lidhje me ndëshkimin e të burgosurve të betejës së Bedrit nuk është i saktë. Këtë temë unë e kam treguar në një nga hutbet e mia të mëparshme.

Në Sahih Muslim përmendet ngjarja sesi pikëpamja e Hazret Omerit në lidhje me mosfaljen e xhenazes së hipokritëve përkoi me shpalljen Kuranore. Hazret Ibni Omeri r.a. rrëfen:

Kur vdiq ‘Abdullah bin Ubej bin Seluli, djali i tij ‘Abdullah bin ‘Abdullahu, erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i kërkoi që t’i dhuronte ndonjë këmishë të tij për qefinin e babait. Profeti s.a.v.s. ia dhuroi këmishën.

Më pas, ai i kërkoi Profetit s.a.v.s. që të drejtonte edhe namazin e xhenazes së tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli nga shtëpia për ta drejtuar namazin e xhenazes së tij. Atëherë Hazret Omeri r.a. u ngrit dhe e kapi Profetin s.a.v.s. nga rrobat e tij dhe tha:

– O i Dërguari i Allahut! A do që të drejtosh namazin e xhenazes së atij, ndërkohë që Allahu të ka ndaluar nga kjo?!

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj:

– Allahu më ka dhënë të drejtën e zgjedhjes duke thënë:

ٱسۡتَغۡفِرۡ لَهُمۡ أَوۡ لَا تَسۡتَغۡفِرۡ لَهُمۡ

“Kërko falje për ta ose mos kërko falje për ta; edhe sikur të kërkosh falje shtatëdhjetë herë, Allahu nuk ka për t’i falur.”[20]

Unë do të kërkoj falje për ta më shumë se shtatëdhjetë herë.

– Por ai është hipokrit! I tha Hazret Omeri r.a.

Megjithatë, Profeti s.a.v.s. e drejtoi namazin e xhenazes së tij. Atëherë Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin:

وَلَا تُصَلِّ عَلَىٰٓ أَحَدٍۢ مِّنْهُم مَّاتَ أَبَدًا

“Kurrë mos i fal (xhenazen) asnjë të vdekuri prej tyre dhe as mos qëndro pranë varrit të tij (për të bërë dua për të).”[21], [22]

Në Sunen et-Tirmidhi përmendet ngjarja sesi pikëpamja e Hazret Omerit përkoi me ndalimin e pirjes së alkoolit.

Hazret Omer bin el-Hettabi bëri lutjen:

– O Allah! Na zbrit një urdhër të prerë në lidhje me alkoolin!

Atëherë zbriti ajeti i sures El-Bekare:

يَسۡـَٔلُونَكَ عَنِ ٱلۡخَمۡرِ وَٱلۡمَيۡسِرِۖ

“Të pyesin ty për alkoolin dhe kumarin. Thuaj: “Nga to ka (edhe) mëkat të madh, edhe dobi për njerëzit. Por mëkati prej tyre është më i madh sesa dobia e tyre.”[23]

Kur Hazret Omeri r.a. e dëgjoi ajetin e porsazbritur, tha:

– O Allah! Na zbrit një urdhër të prerë në lidhje me alkoolin.

Atëherë u zbrit ajeti sures En-Nisa

لَا تَقۡرَبُواْ ٱلصَّلَوٰةَ وَأَنتُمۡ سُكَٰرَىٰ

“O ju që besuat! Mos iu afroni namazit kur jeni të trullosur, derisa (të ktheheni në gjendje) të kuptoni atë që thoni”.[24]

Hazret Omeri kur e dëgjoi këtë ajet, sërish tha:

– O Allah! Na zbrit një urdhër të prerë në lidhje me alkoolin.

Atëherë u zbrit ajeti i sures El-Maidah:

إِنَّمَا يُرِيدُ ٱلشَّيۡطَٰنُ أَن يُوقِعَ بَيۡنَكُمُ ٱلۡعَدَٰوَةَ وَٱلۡبَغۡضَآءَ فِي ٱلۡخَمۡرِ وَٱلۡمَيۡسِرِ وَيَصُدَّكُمۡ عَن ذِكۡرِ ٱللَّهِ وَعَنِ ٱلصَّلَوٰةِۖ فَهَلۡ أَنتُم مُّنتَهُونَ

“Me anë të dehëses dhe të bixhozit, djalli do që të fusë armiqësi dhe urrejtje mes jush dhe t’ju pengojë nga përmendja e Allahut dhe nga namazi. Andaj, a po hiqni dorë (nga ato)?”[25]

Hazret Omeri r.a. kur e dëgjoi këtë ajet, tha:

– Sigurisht, ne kemi hequr dorë nga këto! Ne kemi hequr dorë nga këto![26]

Përveç këtyre bashkëpërkimeve të përmendura në Sihah Sitte, historianët kanë përmendur edhe një sërë bashkëpërkimesh të tjera. Kështu që, ‘Al-lame Sujuti përmend rreth 20 bashkëpërkime të tilla.[27]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“A e dini se sa e lartë ishte pozita e Hazret Omerit r.a. ndër sahabë të tjerë?! Disa herë Kurani zbritej në përputhje me pikëpamjen e tij. Në lidhje me të ka edhe hadithi që pohon:

– Djalli merr arratinë sapo të shohë qoftë hijen e Omerit.

Hadithi tjetër është:

– Nëse do të kishte Profet pas meje, do të ishte Omeri.

Hadithi i tretë është

– Umetët e mëparshëm patën muhed-dethët, nëse këtë umet ka ndonjë muhad-deth, ai është Omeri.”[28]

Pranimi i këshillës së Hazret Omerit r.a. nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nëpër beteja

Këshillimi i Hazret Omerit r.a. nëpër beteja dhe pranimi i këshillës së tij nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Ka rrëfime edhe në lidhje me këtë temë. Një rrëfim vjen nga Hazret Ebu Hurejreja r.a. ose nga Hazret Ebu Se’idi, pasi A’meshi është në mëdyshje se kë prej tyre e kishte dëgjuar. Sifoqoftë, thotë:

Gjatë ditëve të betejës së Tebukut, njerëzit ishin shumë të uritur. Thanë:

– O i Dërguari i Allahut, nëse na lejon, do të sjellim devetë tona ujësjellëse për t’i therur, që të ushqehemi prej tyre dhe të përdorim yndyrnat e tyre.

Profeti s.a.v.s. i lejoi. Atëherë Hazret Omeri r.a. erdhi dhe tha:

– O i Dërguari i Allahut! Po vepruam kështu, do të na pakësohen mjetet e transportit. Më mirë thojani njerëzve të sjellin ushqimin rezervë, dhe ju të bëni lutje për bereqet. Mundet që Allahu i Madhërishëm të na e bekojë.

– Mirë, iu përgjigj i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Rrëfimtari vijon:

U soll një sofër prej lëkure dhe e shtruan. Njerëzit sollën ushqime rezervë. Dikush një grusht misri, e dikush tjetër një grusht hurmash, e një tjetër një copë buke. Në sofër u mblodh një sasi e vogël e ushqimit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri dua për bereqet e më pas tha:

– Sillni enët tuaja.

Njerëzit i sollën të gjitha enët, saqë nuk lanë asnjë enë në tërë ushtrinë. Të gjitha enët u mbushën me ushqime. Të gjithë njerëzit u ushqyen derisa u ngopën. Dhe një pjesë e ushqimeve mbeti pa u konsumuar. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

“Dëshmoj se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut dhe unë jam i Dërguari i Allahut. Kushdo që do të takohet me Zotin duke pasur këto dy dëshmi pa pasur asnjë dyshim, nuk do të pengohet të hyjë në xhenet.”

Ky është rrëfimi që përmendet në Muslim.[29]

Në Buhari ky rrëfim vjen me këto fjalë:

Jezid bin Ebu Ubejdeja rrëfen përmes Hazret Seleme bin Ekvasë r.a. i cili tha:

Njëherë gjatë një udhëtimi, njerëzve u dolën të pakta ushqimet e tyre. Nuk u kishte mbetur gjë për të ngrënë. Ata i kërkuan Profetit s.a.v.s. leje për të therur devetë e tyre. Profeti s.a.v.s. i lejoi.

Më pas, Hazret Omeri i takoi ata, të cilët ia treguan Hazret Omerit gjithë ngjarjen. – Si do të mbijetoni pas therjes së deveve tuaja?! I pyeti Hazret Omeri r.a.. Pas kësaj, ai shkoi te Profeti s.a.v.s. dhe i tha

– O i Dërguari i Allahut! Njerëzit si do të mbijetojnë pasi të mbarojnë devetë?!

Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:

– Lajmëro njerëzit që të sjellin ushqimet e tyre të mbetura.

Më pas, Profeti s.a.v.s. bëri dua mbi këto ushqime. Pastaj u kërkoi të sjellin enët e tyre. Njerëzit filluan t’i mbushnin enët me ushqime aq sa të gjithë u furnizuan me to. Atëherë Profeti s.a.v.s. tha:

– Dëshmoj se nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut dhe unë jam i Dërguari i Allahut.[30]

Ëndrra e Hazret Omerit r.a. për fillimin e ezanit në Islam

Hazret Omerit r.a. i kishte dalë në ëndërr ezani para se ai të fillonte të praktikohej në Islam. Hazret Musleh Ma’udi r.a. në lidhje me këtë thotë:

“Allahu i Madhërishëm u dërgoi shpalljen e Tij edhe sahabëve të Profetit. Abdullah bin Zejdi r.a. ishte njëri prej sahabëve të Profetit, të cilit Allahu i Madhërishëm ia mësoi ezanin përmes shpalljes. Profeti s.a.v.s. duke u mbështetur pikërisht te shpallja që i kishte ardhur atij, nisi praktikën e ezanit në Islam. Më vonë, edhe shpallja Kuranore e mbështeti këtë hap. Hazret Omeri r.a. pohon:

Allahu i Madhërishëm edhe mua këtë ezan ma mësoi, por unë kam qenë i heshtur për njëzet ditë, duke menduar se dikush tjetër ia ka komunikuar këtë Profetit.

Sipas një rrëfimi tjetër Hazret Omeri tha:

Një engjëll më erdhi dhe më mësoi ezanin, ndërkohë unë nuk isha midis gjumit e zgjimit. “[31]

Një rrëfim që gjendet në Sunen et-Tirmidhi, që ju kam lexuar edhe më përpara, por do t’jua tregoj edhe në këtë kontekst, fjalët e fundit të të cilit tregojnë sesa shumë peshë kishte ëndrra e Hazret Omerit r.a. tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Muhammed bin ‘Abdullah bin Zejdi rrëfen përmes babait të tij:

– Në mëngjes shkuam tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe unë ia tregova ëndrrën time.

– Ëndrra jote është e vërtetë, – tha Profeti s.a.v.s, – shko me Bilalin dhe mësoja atë që Zoti të ka mësuar ty, dhe le ta thërrasë ai, pasi ai ka zërin më të lartë se ti.

Hazret ‘Abdullah bin Zejdi r.a. pohon:

Kur Hazret Omeri r.a. e dëgjoi ezanin e Hazret Bilalit, erdhi i nxituar te Profeti s.a.v.s., ndërkohë çarçafi i tij po zvarritej në tokë, dhe thoshte:

– O i Dërguari i Allahut! Pasha Atë Zot që ju dërgoi me të vërtetën! Edhe unë i kam parë të njëjtat fjalë që i shqiptoi ai në ezan.

Rrëfimtari vijon:

Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

Lavdia është e Allahut që kjo u vërtetua edhe më shumë.[32]

Respekti i Hazret Omerit r.a. ndaj Profetit të Shenjtë s.a.v.s.

Se sa shumë Hazret Omeri r.a. e respektonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., këtë e dëshmon një rrëfim i Hazret Ibni Omerit r.a.. Ibni Omeri r.a., hipur në kalin e Hazret Omerit r.a. ishte në një udhëtim bashkë me Profetin e Shenjtë s.a.v.s.. Kali i tij ishte pak i egërsuar dhe herë pas here parakalonte kalin e Profetit s.a.v.s..

– Askush nuk duhet ta përkojë Profetin! i thoshte Hazret Omeri të birit – Ky kali yt, nuk duhet ta parakalojë kalin e Profetit.

I Dërguar i Allahut s.a.v.s. i tha Hazret Omerit r.a.

– Ma shitni këtë kalë!

– I juaji është, o i Dërguari i Allahut, iu përgjigj Hazret Omeri r.a.

Profeti s.a.v.s. ia bleu kalin e më pas iu drejtua birit të Hazret Omerit:

– Ky kalë tani e tutje është yti. Merre dhe bëj çfarë të duash me të.[33]

Hazret Enes bin Maliku r.a. rrëfen:

Profeti i Shenjtë s.a.v.s. erdhi pasi dielli e kaloi zenitin. Fali namazin e drekës, u çua në minber dhe na foli për Orën e premtuar duke thënë se do të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme në atë kohë. Më pas tha:

– Sot më pyesni çfarë të doni, do t’ju përgjigjem, derisa të qëndroj në këtë vend.

Njerëzit filluan të qanin shumë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. sërish tha:

– Më pyesni!

Hazret Abdullah bin Hudhafe Sehmiu u ngrit dhe e pyeti:

– Kush është babai im?

– Hudhafja, iu përgjigj Profeti s.a.v.s..

Më pas, Profeti sërish disa herë tha:

– Më pyesni!

Atëherë Hazret Omeri u ngrit në gjunj dhe tha:

رَضِيْـنَا بِاللهِ رَبًّـا وَبِالإسْلَامِ دِيْـنًا وَبِمُحَـمَّدٍ نَبِيّـاً

“Jemi të kënaqur duke pasur Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhammedin si Profet.”

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. heshti disa çaste. Pastaj tha:

– Edhe xheneti, edhe zjarri më janë paraqitur brenda këtij muri, dhe kam parë të mirën dhe të keqen në atë mënyrë që kurrë nuk i kisha parë më parë.[34]

Në një rrëfim tjetër të Buhariut kjo ngjarje përmendet me disa detaje të tjera. Hazret Ebu Musa r.a. rrëfen:

“Njerëzit e pyetën të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për disa gjëra, që ai nuk i pëlqeu. Kur i bënë shumë pyetje të tilla, ai u zemërua. Më pas u tha njerëzve:

– Më pyesni çfarë të doni.

Njëri u ngrit dhe e pyeti – Kush është babai im? – Hudhafja, iu përgjigj Profeti s.a.v.s..

Pastaj u ngrit tjetri dhe e pyeti – O i Dërguari i Allahut, po babai im, kush është? – Babai yt është Salimi, skllavi i liruar i Shejbasë, iu përgjigj Profeti s.a.v.s..

Hazret Omeri r.a. vuri re ndryshimin në fytyrën e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., atëherë tha:

– O i Dërguari i Allahut! Për gabimin tonë, ne pendohemi tek Allahu i Madhërishëm.[35]

Po në Buhari ka edhe një rrëfim tjetër që vjen nga Zuhriu. Ai thotë se Enes bin Maliku r.a. i tregoi:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli jashtë. U ngrit Hazret Abdullah bin Hudhafja r.a. dhe ai e pyeti – O i Dërguari i Allahut, kush është babai im? – Hudhafja, iu përgjigj Profeti. Më pas Profeti tha disa herë – Më pyesni. Por Hazret Omeri r.a. u ngrit në gjunj dhe tha:

“Jemi të kënaqur duke pasur Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhammedin si Profet.”

Atëherë Profeti s.a.v.s. heshti.[36]

Hazret Ebu Ketade Ensariu r.a. rrëfen se dikush e pyeti Profetin s.a.v.s. për agjërimin e tij. Profetit nuk i erdhi mirë. Atëherë Hazret Omeri r.a. tha:

“Jemi të kënaqur duke pasur Allahun si Zot, Islamin si fe, Muhammedin si Profet, dhe bëjatin tonë si bëjat të vërtetë.”[37]

Ka edhe një rrëfim tjetër në Sahihun e Buhariut që thotë:

Njëherë Hazret Omeri r.a. shkoi te Profeti s.a.v.s. kur ai po qëndronte në një shtëpi në katin e sipërm. Hazret Omeri r.a. rrëfen:

“Kur shkova te Profeti s.a.v.s., pashë që ai ishte i shtrirë në një qilim, pa asnjë shtrojë. Qilimi i vrazhdë i kishte lënë shenja në njërin krah të trupit të tij. Kokën e kishte mbështetur me një jastëk lëkure të mbushur me gjethe hurme. E pashë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe pasha Zotin, në atë dhomë nuk kishte asgjë tjetër përveç tri copëve lëkurash të papërpunuara. I thashë Profetit s.a.v.s.

– Lutu Allahut që Ai t’i japë bereqet umetit tënd, sepse persët dhe bizantinët posedojnë pasuri të madhe; ata gëzojnë botën, edhe pse nuk e adhurojnë Allahun.

Profeti që qe i mbështetur në jastëkun e tij, tha:

– O i biri i Hettabit! Mos je në dyshime akoma?! Ata janë njerëz të cilëve Allahu u dha qejfe të përkohëshme të kësaj bote.

– Lutuni që Allahu të më falë mua, o i Dërguari i Allahut! I kërkova Profetit s.a.v.s.[38]

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Njëherë Hazret Omeri r.a. vizitoi Profetin s.a.v.s. në shtëpinë e tij dhe pa që në shtëpi nuk kishte as mjetet më minimale, kurse Profeti vetë ishte i shtrirë në një qilim të vrazhdë, i cili i kishte lënë shenja në trup. Omeri zuri të qante duke e parë këtë gjendje të tij. – Pse po qan, o Omer? E pyeti Profeti s.a.v.s..

– Duke parë këtë gjendje tënden, iu përgjigj Omeri, nuk i përmbajta dot lotët; Cezari dhe Kisra edhe pse janë mohues, kalojnë një jetë luksi, kurse ju jetoni në kaq shumë vështirësi!

Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha:

– Ç’punë kam unë me këtë dynja! Jam si ai udhëtar që udhëton në deve në një kohë shumë të nxehtë. E kur vapa e mesditës e mundoi tej mase, ai po me atë deve u ndal nën hijen e një peme, dhe pas pak çastesh, në të njëjtën vapë sërish vazhdoi rrugëtimin e tij.”[39]

Profeti s.a.v.s. Hazret Omerit “ Mos na harro në lutjet e tua, o vëlla!”

Ka një ngjarje në të cilën i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kërkoi Hazret Omerit të lutej për të. Hazret Omeri r.a. rrëfen:

“I kërkova leje të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të bërë umre. Ai më lejoi dhe më tha:

لَا تَنْسَنَا يَا أُخَيَّ مِنْ دُعَائِكَ

– Mos na harro në lutjet e tua, o vëlla!

Kjo ishte një fjalë aq e madhe për mua, saqë edhe sikur të më jepej e gjithë bota në vend të kësaj, nuk do të gëzohesha kaq shumë.”

Në një rrëfim tjetër këto fjalë janë si vijon:

أَشْرِكْنَا يَا أُخَيَّ فِي دُعَائِكَ

“Na përfshi edhe ne, o vëlla, në lutjet e tua!”[40]

Dashuria e madhe e Hazret Omerit për Profetin e Shenjtë s.a.v.s.

Se sa shumë e donte Hazret Omeri r.a. të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., këtë mund ta shohim nga një ngjarje, të cilën jua kam treguar edhe më përpara në një hutbe. Hazret Aishja r.a. rrëfen:

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë, Hazret Omeri u ngrit dhe filloi të thoshte – Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut nuk ndërroi jetë!

Hazret Omeri (më vonë) tregonte duke thënë – Betohem në Allah! Kështu më thoshte zemra mua dhe se Allahu patjetër do ta zgjonte Profetin s.a.v.s., në mënyrë që ai t’u priste disa njerëzve duart dhe këmbët. Sidoqoftë, kur erdhi Hazret Ebu Bekri, ai lexoi ajetin 145 të sures Ali-Imran dhe i tha Hazret Omerit ta kuptonte realitetin. Vetëm atëherë situata erdhi nën kontroll.[41]

Në lidhje me këtë ngjarje, Hazret Musleh Ma’udi (Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar) r.a. thotë:

“Ditën kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë, sahabët u bashkuan për një çështje, dhe ajo ishte pikërisht kjo që të gjithë Profetët para Profetit s.a.v.s. kanë ndërruar jetë.

Shkaku i këtij kuvendi ishte që Hazret Omeri r.a. mendonte se Profeti s.a.v.s. nuk kishte ndërruar jetë dhe se do të kthehej. Ishte kaq i bindur në mendimin e tij saqë ishte gati t’i priste qafën çdokujt që thoshte të kundërtën. Por kur Hazret Ebu Bekri r.a. erdhi, ai lexoi para të gjithë sahabëve ajetin:

وَمَا مُحَمَّدٌ اِلَّا رَسُوْل قَدْ خَلَتْ مِنْ قَبْلِہ الرُّسُلُ

“Muhammedi nuk është veçse një i Dërguar, të gjithë Dërguarit para tij kanë vdekur.”

Hazret Omeri r.a. thotë – Atëherë m’u drodhën këmbët dhe unë rashë përtokë. Sahabët thoshin – Ne kemi ndier që ky ajet ishte zbritur pikërisht atë ditë. Atë ditë nëpër rrugë edhe duke ecur këtë ajet e lexonim.

Andaj, po të ishte i gjallë ndonjë Profet përpara Profetit Muhammed s.a.v.s., ky interpretim i sahabëve nuk do të ishte i saktë, sepse ata e kuptuan argumentin që derisa të gjithë Profetët para Profetit Muhammed s.a.v.s. ndërruan jetë, do të ndërronte jetë edhe Profeti Muhammed s.a.v.s.. Hazret Omeri r.a. do ta kundërshtonte duke thënë – Jo e keni gabim, sepse Hazret Isai a.s. është i gjallë në qiell, e për sa kohë që ai është i gjallë atje, si nuk mund të jetë i gjallë edhe Profeti ynë?! Pra, sjellja e sahabëve provon që besimi i tyre ishte pikërisht ky, që Hazret Isai a.s. kishte ndërruar jetë.”[42]

Edhe Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka shprehur rreth kësaj teme, që unë ju kam treguar hollësisht në një hutbe të mëparshme.

Përkushtimi i madh i Hazret Omerit për të ndjekur Profetin e Shenjtë s.a.v.s.

Me çfarë përkushtimi ndiqte Hazret Omeri r.a. Profetin e Shenjtë s.a.v.s., në lidhje me këtë, Hazret Ibni Omeri r.a. thotë:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ktheu kokën nga Guri i Zi, vendosi buzët mbi të dhe qau për shumë kohë. Pasi e ktheu kokën, pa Hazret Omer bin Hettabin r.a. që edhe ai po qante.

– O Omer, ky është vendi ku derdhim lot, i tha Profeti s.a.v.s..[43]

‘Abisi rrëfen përmes Hazret Omerit r.a. se ai iu afrua Gurit të Zi dhe e puthi. Më pas tha:

– Unë e di shumë mirë që ti je vetëm një gur që nuk më sjell dot as dobi e as dëm; por po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke të puthur ty, unë nuk do të të puthja kurrë.[44]

Hazret Musleh Ma’udi (Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar) r.a. thotë:

“Njëherë Hazret Omeri r.a. duke bërë tavafin e Qabes, kaloi pranë Gurit të Zi. Iu drejtua Gurit me shkopin e tij dhe tha:

– Unë e di që ti je vetëm një gur i pafuqishëm, por të puth për shkak të urdhrit të Zotit të Madhërishëm.

Pikërisht kjo ndjenjë e tij për Njëshmërinë e Zotit e lartësoi në botë. Ai ishte i dashuruar me Njëshmërinë e Zotit. Ai nuk mund të duronte dot që fuqitë e Tij t’i atribuoje tjetërkujt. Sigurisht që ai e respektonte Gurin e Zi, por jo sepse ai gur kishte ndonjë fuqi, por për shkak se Zoti tha se ai gur ashtu të respektohet. Ai besonte se nëse Zoti i Madhërishëm na urdhëron të puthim qoftë diçka krejt të pavlerë, ne duhet të jemi gati ta puthim edhe atë, sepse ne jemi robër të Zotit dhe jo të ndonjë guri apo të ndonjë shtëpie. Andaj, ai edhe e respektonte, edhe e ruante ndjenjat e tij për Njëshmërinë e Allahut. Ky pikërisht duhet të jetë qëndrimi i një besimtari të vërtetë

Besimtari i vërtetë beson se Qabja, Shtëpia e Allahut, për nga forma është njësoj si shtëpitë e tjera të botës që janë me gurë e tulla. Besimtari i vërtetë beson se Guri i Zi është një gur njësoj si miliarda gurët e tjerë të botës. Megjithatë, ai edhe e respekton Shtëpinë e Allahut, edhe e puth Gurin e Zi, sepse ai e di që Zoti i tij e ka urdhëruar për t’i respektuar këto gjëra. Andaj, pavarësisht se ai e respekton Shtëpinë e Allahut, pavarësisht se e puth Gurin e Zi, ai beson në mënyrë të padyshimtë se ai është rob i Zotit të Vetëm dhe jo i ndonjë guri.

Ky ishte ai realitet që shprehu Hazret Omeri r.a.. Duke iu drejtuar Gurit të Zi me shkopin e tij, ai tha – Ti nuk ke asnjë fuqi, je një gur njësoj si gurët e tjerë të botës, por ngaqë Zoti im më tha të të respektoj, unë të respektoj ty. Me të thënë këtë, ai iu afrua Gurit të Zi dhe e puthi.”[45]

Hazret Abdullah bin Omeri r.a. rrëfen:

Hazret Omer bin Hettabi r.a. ishte me Profetin e Shenjtë s.a.v.s. gjatë kthimit nga Taifi. Kur ata ndodheshin në Xhe’rane, Hazret Omeri r.a. e pyeti:

– O i Dërguari i Allahut! Në kohën e xhahilijetit (para Islamit) kisha bërë nijet të bëja një ditë itikaf në Xhaminë e Shenjtë (Qabe). A duhet ta plotësoj nijetin tim?

– Shko dhe bëj itikaf për një ditë, iu përgjigj Profeti i Shenjtë s.a.v.s..

Pra, nëse bën ndonjë nijet, por nijeti të jetë për gjërat e lejuara, duhet ta plotësosh atë, është ky mësimi që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka dhënë. Rrëfimtari, më pas, vijon:

Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha Hazret Omerit një vajzë skllave nga pasuria e Khumsit. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. liroi skllevërit që mbanin njerëzit, Hazret Omeri r.a. dëgjoi zhurmën e tyre, të cilët brohorisnin – I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na mundësoi lirinë! Hazret Omeri r.a. pyeti disa njerëz për t’u informuar. Ata i thanë që Profeti i Shenjtë s.a.v.s. i liroi skllevërit që mbanin njerëzit. Hazret Omeri r.a. menjëherë i tha të birit:

– O Abdullah! Shko te ajo vajzë që na kishte dhuruar i Dërguari i Allahut, dhe thuaji se është e lirë nga sot e tutje.[46]

Hazret Hudhejfeja njihej si “ruajtësi i sekreteve” të Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Ai thotë se në betejën e Tebukut, njëherë, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. zbriti nga deveja e tij dhe atëherë i erdhi shpallja. Deveja e Profetit s.a.v.s. që qe ulur, u ngrit dhe zuri të tërhiqte litarin. Unë e kapa litarin dhe e solla devenë te Profeti dhe e ula atje. Vazhdova të qëndroja pranë devesë derisa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngrit në këmbë dhe atëherë ia çova devenë.

– Kush është? Pyeti Profeti s.a.v.s..

– Hudhejfeja, iu përgjigja. Profeti s.a.v.s. më tha

– Dua të tregoj ty një sekret por që ti nuk duhet t’ia tregosh askujt. Allahu i Madhërishëm më ndaloi të drejtoj namazin e xhenazes së këtij dhe të atij hipokriti.

Profeti përmendi emrat e një grupi hipokritësh.

Pas vdekjes së Profetit, gjatë Kalifatit të Hazret Omerit, sa herë që vdiste ndonjëri për të cilin Hazret Omeri mendonte se ishte nga grupi i hipokritëve, ai e merrte Hazret Hudhejfen përdore për të shkuar në namazin e xhenazes. Nëse Hazret Hudhejfeja r.a. e shoqëronte, vetëm atëherë Hazret Omeri r.a. shkonte në xhenaze dhe falte namazin e xhenazes. Nëse Hazret Hudhejfeja r.a. e tërhiqte dorën, Hazret Omeri r.a. nuk shkonte në atë xhenaze dhe nuk falte namazin e tij.[47]

Hazret Omeri r.a. njëherë ishte përpjekur ta përmbushte profecinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. edhe fizikisht. Në lidhje me këtë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Hazret Omeri që qe i mbushur me vërtetësinë dhe sinqeritetin, pati bekime të atilla që u caktua Kalifi i Dytë pas Profetit. Kështu që, çdo sahab i Profetit s.a.v.s. u nderua plotësisht. Atyre u ranë në duar pasuritë dhe princeshat e Cezarit dhe të Kisrasë. Diku është e përmendur në histori që një sahab u paraqit në oborrin mbretëror të Kisrasë. Shërbëtorët kishin shtruar orendi prej argjendi vetëm për të treguar madhështinë e tyre. Por sahabi në fjalë tha – Ne nuk jemi magjepsur nga pasuria juaj. Neve na është premtuar se do të na vijnë edhe byzylykët e Kisrasë. Kështu që, Hazret Omeri r.a. ia dha këta byzylykë një sahabi, që ai t’i vinte në duar dhe ta plotësonte profecinë.”[48]

Hazret Musleh Ma’udi r.a. shkruan:

“Floriri është i ndaluar për burrat në Islam. Megjithatë, Hazret Omeri r.a. vuri byzylykët ari të Kisrasë në duart e një sahabi. Kur ai refuzoi t’i vinte, Hazret Omeri r.a. e qortoi dhe tha – I Dërguari i Allahut s.a.v.s. të tha se po shikonte byzylykët e Kisrasë në duart e tua.

Po kështu, një herë tjetër kur kurora e Kisrasë dhe veshja e tij e mëndafshtë u sollën si plaçkë lufte, Hazret Omeri ato ia dha një sahabi t’i vishte. Kur ai i veshi, Hazret Omeri r.a. zuri të qante. Tha – Deri para pak ditësh, Kisra i veshur me këtë veshje dhe me këtë kurorë e sundonte dhunshëm Iranin, kurse sot ai po endet i arratisur nëpër pyje.

Kjo është gjendja e kësaj bote. Dhe ky veprim i Hazret Omerit, dikujt mund t’i duket jo i përshtatshëm, pasi mëndafshi dhe ari nuk lejohen për burrat muslimanë, por Hazret Omeri r.a. deshi t’u mësonte njerëzve një mirësi dhe përmes saj deshi t’i këshillonte ata. Për këtë arsye, për pak çaste, ai obligoi një njeri të vishte veshje të mëndafshtë dhe të vinte flori nëpër duar. Shkurt, esenca e çdo vepre është takvaja (druajtja ndaj Zotit). Të gjitha urdhëresat Hyjnore kanë si funksion krijimin e takvasë te njeriu. Për të arritur takvanë ndaj Allahut, nëse të duhet të lësh një punë e cila në dukje mund të jetë adhurim, atëherë pikërisht lënia e asaj vepre është shpërblyese.”[49]

Një profeci për Kalifatin e Hazret Omerit r.a.

Hazret ‘Abdullah bin Omeri r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Në ëndërr pashë një pus, ku unë po tërhiqja ujë përmes kovës që ishte lidhur me pusin. Ndërkohë erdhi Ebu Bekri dhe edhe ai nxori ujë një ose dy kova, por ndiente dobësi fizike gjatë nxirjes së ujit. Allahu do t’ia mbulojë dobësinë dhe do ta falë atë. Më pas erdhi Omer bin Hettabi. Atëherë kova e vogël u shndërrua në një kovë të madhe. Nuk pashë ndonjë punëtor kaq të fuqishëm siç punoi Omeri. Ai nxori kaq shumë ujë, saqë të gjithë njerëzit u nginë dhe shkuan në shtëpitë e tyre.”[50]

Hazret Ibni Omeri r.a. tha se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., që tha:

“Njëherë kur isha në gjumë, u soll një tas me qumësht përpara meje. E piva kaq shumë saqë fillova të ndieja lagështinë e qumështit deri në thonj. Më pas pjesën e mbetur të qumështit ia dhashë Omer bin Hettabit”

Sahabët e pyetën – O i Dërguari i Allahut! Si e interpretoni këtë? – Dije, iu përgjigj i Dërguari i Allahut s.a.v.s..[51]

Duke e shpjeguar këtë hadith, Hazret Zejnul-’Abedin Veliullah Shahu r.a. shkruan:

Fjalët “fadlul-’ilm” në këtë hadith nuk do të thotë rëndësia e dijes, por pjesa e mbetur e dijes. Për rëndësinë e dijes ka një kapitull më vete. Ëndrra e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., interpretimi i saj si dhe ngjarjet që ndodhën më vonë e që vërtetuan këtë ëndërr, provojnë që fitoret dhe madhështitë e kësaj bote që muslimanët arritën përmes Hazret Omerit r.a., ishin një pjesë e mbetur e dijes Profetike, të cilën e trashëgoi pikërisht Hazret Omeri r.a..

Për shkak të personalitet kaq të përsosur të Profetit të Shenjtë, Kurani i Shenjtë e quajti “bashkues të dy deteve” (përfshirës i dijeve të botës dhe të ahiretit). … Duke cilësuar politikën si një shkencë, Imam Buhariu r.a. na tregoi që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na solli rrugën e drejtë, e cila përfshin mirësitë e të dyja botëve të njeriut. Kjo pikërisht ishte edhe profecia e Mesihut (Jezusit) a.s., në të cilën ai tha:

“Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai – Shpirti i së Vërtetës – Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.”[52]

Pra, nëse i studiojmë ngjarjet e Hazret Omerit r.a., kuptojmë domethënien e qumështit të mbetur që kishte marrë në saje të bekimit të Profetit të Shenjtë s.a.v.s..”[53]

Çfarë do të thotë kur pi qumësht në ëndërr?

Hazret Musleh Ma’udi (Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar) r.a. thotë:

“Njëherë Hazret Omeri r.a. e pyeti Profetin e Shenjtë s.a.v.s. se çfarë kuptimi ka nëse gjen në ëndërr një tas me qumësht. Profeti s.a.v.s. i tha: Kuptimi i saj është dija.”[54]

Çfarë do të thotë veshje e gjatë në ëndërr?

Hazret Ebu Se’id Khudriji r.a. rrëfen:

E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që tha: “Isha në gjumë dhe pashë njerëzit që ishin paraqitur para meje. Të gjithë ishin veshur me këmishë. Disave këmishët e tyre u vinin deri në gjoks, disave deri më poshtë. M’u paraqit edhe Omeri. Këmisha e tij ishte aq e gjatë saqë ai e zvarriste atë.”

– Çfarë nënkupton kjo? E pyetën sahabët.

– Fenë, iu përgjigj Profeti s.a.v.s..[55]

“Në umetin tim, më i forti në fenë e Allahut është Omeri”

Njëherë, duke përshkruar cilësitë e sahabëve të ndryshëm, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në lidhje me Hazret Omerin r.a. tha:

“Në umetin tim, më i forti në fenë e Allahut është Omeri.”[56]

“Kontrollojeni veten përpara se t’ju bëhet kontrolli”

Hazret Malik bin Migveli rrëfen se Hazret Omeri r.a. tha:

“Kontrollojeni veten përpara se t’ju bëhet kontrolli, sepse kjo është më e lehtë për ju.” Ose tha: “Për ju më e lehtë është që të peshoni veten tuaj, përpara se të viheni në peshore. Jini të përgatitur për llogaridhënien më të madhe.

يَوۡمَئِذٖ تُعۡرَضُونَ لَا تَخۡفَىٰ مِنكُمۡ خَافِيَةٞ

“Atë ditë ju do të paraqiteni. Asnjë fshehtësi nuk do t’ju mbetet e fshehtë.”[57], [58]

Edhe pse nuk ishte ndër të parët që pranuan Islamin, por i parakaloi të gjithë

Hazret Hasani r.a. nganjëherë duke përmendur Hazret Omerin r.a. thoshte:

“Betohem në Allah! Edhe pse ai nuk ishte ndër të parët që pranuan Islamin, dhe as nuk ishte më i madhi nga ata që shpenzuan në rrugën e Allahut, por ai ishte më i forti ndër të gjithë njerëzit për sa i përket mosdashurisë për botën dhe zbatimit me rigorozitet të porosive të Allahut të Madhërishëm, po kështu, ai nuk merakosej aspak për qortimin e asnjë qortuesi në lidhje me Allahun.[59]

Thjeshtësia e Hazret Omerit r.a.

Hazret Sa’d bin Ebi Vekkasi r.a. thotë:

“Për Allahun! Omer bin Hettabi r.a. nuk qe para nesh në pranimin e Islamit, por unë e di se në çfarë pune ai na parakaloi ne. Në krahasim me ne, ai ishte më i dëliri dhe më i larguari nga jeta e dynjasë.”[60]

Hisham bin ‘Urve rrëfen përmes babit të tij, i cili thotë:

Kur Hazret Omeri mbërriti në Sham, këmisha e tij ishte grisur nga mbrapa. Ajo ishte një këmishë sumbulani,[61] pra mjaft e trashë dhe e gjatë që arrinte deri në tokë. Ky lloj veshjeje zakonisht vishej në Romë. Sidoqoftë, ai e dërgoi këmishën e tij te populli adhrijat ose te populli aela.

Aela është një qytet që ndodhet në bregun e Detit të Kuq, ngjitur me Sirinë. Sidoqoftë, rrëfimtari thotë:

Ai e pastroi këmishën dhe e arnoi. Përveç kësaj, Hazret Omerit r.a. i përgatit edhe një këmishë të re prej një pëlhure pambuku, të hollë e të bardhë. Më pas, kur shkoi te Hazret Omeri r.a., i dha këmishën e re të pambuktë. Hazret Omeri r.a. e preku dhe tha:

– Qenka shumë e butë!

Më pas, ia ktheu rrobaqepësit dhe tha – Jepma këmishën time, sepse ajo ma thith më mirë djersën.[62]

Me fjalë të tjera, ai preferoi veshjen e grisur që kishte arnuar.

Hazret Enes bin Maliku r.a. rrëfen:

Unë e pashë Hazret Omer bin Hettabin r.a. në atë kohë kur ai ishte Emiri i Besimtarëve. Këmisha e tij kishte tri arnime mes shpatullave.

Në një rrëfim tjetër përmendet që Hazret Enesi r.a. tha: Kam parë katër arnime prej lëkure në këmishën e Hazret Omerit r.a., mes shpatullave të tij.[63]

Përmendja e Hazret Omerit do të vijojë, inshaAllah, në hutbet e ardhshme.

[Pas hutbes, Huzuri, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, përmendi të ndjerin Dr. Tathir Muxhteba, i cili kishte ndërruar jetë ditët e fundit. I ndjeri ishte kirurg dhe kishte dedikuar jetën në shërbim të njerëzimit. Ai shërbeu për më shumë se 45 vjet si mjek dhe kirurg në vendet e varfra të Afrikës dhe më pas edhe në Pakistan. Huzuri gjithashtu përmendi ngjarje mbresëlënse të këtij njeriu të madh human, si dhe virtyte të larta që ai rrezatonte në jetë. Në fund, Huzuri gjithashtu njoftoi se do të drejtonte namazin e tij të xhenazes, pas namazit të së xhumasë]

Referencat


[1] Sahih el-Bukhari, kitab: “Fedailu as’habun-Nebijj s.a.v.s.”, bab: “Menakibu ‘Umer bin el-Khettab”, hadithi nr. 3693.
[2] Tirmidhi, “Sunen’“, kitab: “El-Menakib”, bab: “Menakib ‘Abdurrahman bin ‘Auf”, hadithi nr. 3747.
[3] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Bedeul-khalk”, bab: “Ma xhae fi sifetil-xhenneti ve enneha makhluk”, hadithi nr. 3242.
[4] Ebu Davud, “Sunen”, kitab: “El-Huruf vel-Kiraat”, hadithi nr. 3987.
[5] Tirmidhi, “Sunen’“, kitab: “El-Menakib”, bab: “Akhbaruhu ‘an itlau rexhulin min ehlul-xhenneti fet-talea ‘Umer”, hadithi nr. 3694.
[6] Tirmidhi, “Sunen’“, kitab: “El-Menakib”, bab: “Iktedu bil-ledhine min ba’di”, hadithi nr. 3664.
[7] Imam Ebu Nu’ajm el-Isfahani, “Huljetul-Evlija”, vëllimi VI, transmetimi nr. 8950, botues: “Mektebetul-Iman”, El-Mensurah 2007, fq. 309.
[8] Tirmidhi, “Sunen’“, kitab: “El-Menakib”, bab: “Leu kane nebijjun ba’di lekane ‘Umer…”, hadithi nr. 3686.
[9] Muslim, “Sahih”, kitab: “El-Fiten”, bab: “Dhikru ed-Dexh-xhal ve sifatuhu ve ma ma’ahu”, hadithet nr. 7373.
[10] Tirmidhi, “Sunen’“, kitab: “El-Menakib”, bab: “Kad kane jekunu fil-umemti muhaddethune”, hadithi nr. 3693.
[11] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Fadailu As’habun-Nebij s.a.v.s.”, bab: “Menakib ‘Umer bin el-Khattab”, hadithi nr. 3689.
[12] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Fet’h-e-Islam”, “Ruhani Khazain”, vëllimi III, fq. 11, fusnota.
[13] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Tadhkirah”, botimi IV, fq. 82.
[14] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Et-Tefsir”, bab: “Kauluhu: lekad xhaekum Resulun min enfusikum…”, hadithi nr. 4679.
[15] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Dibaça Tefsirul-Kuran”, “Envarul-’ulum”, vëllimi XX, fq. 429.
[16] El-Bekare 2:126.
[17] Et-Tahrim 66:6.
[18] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Es-Salat”, bab: “Ma xhae fil-kibleti…”, hadithi nr. 402.
[19] Muslim, “Sahih”, kitab: “Fadailus-sahabe radijAllahu ‘anhum”, bab: “Min fadailu ‘Umer radijAllahu ‘anhu”, hadithi nr. 6206.
[20] Et-Teube 9:80.
[21] Et-Teube 9:84.
[22] Muslim, “Sahih”, kitab: “Fadailus-sahabe radijAllahu ‘anhum”, bab: “Min fadailu ‘Umer radijAllahu ‘anhu”, hadithi nr. 6207.
[23] El-Bekare 2:220.
[24] En-Nisa 4:44.
[25] El-Maidah 5:92.
[26] Tirmidhi, “Sunen’“, kitab: “Tefsirul-Kuran”, bab: “Ve min suretil-Maide”, hadithi nr. 3049.
[27] Imam Xhelaluddin es-Sujuti, “Tarikhul-Khulefa”, botues: “Kitabul-’arabij”, Bejrut 1999, fq. 98.
[28] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Izalah-e-Auham”, pjesa e parë, “Ruhani Khazain”, vëllimi III, fq. 219.
[29] Muslim, “Sahih”, kitab: “El-Iman”, bab: “Ed-Delilu ‘ala enne men mate ‘ala et-teuhid dekhalel-xhennetu kat’an”, hadithi nr. 139.
[30] Bukhari, “Sahih”, kitab: “El-Xhihad ves-Sijer”, bab: “Hamluz-zade fil-gazvi”, hadithi nr. 2982.
[31] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Mas’alah-e-vahji ve Nubuvvat ke Muta’al-lik Islami Nazrijeh”, “Envarul-’ulum”, vëllimi XXIII, fq. 282.
[32] Tirmidhi, “Sunen”, kitab: “Es-Salat”, bab: “Ma xhae fi bedeil-edhan”, hadithi nr. 189.
[33] Bukhari, “Sahih”, kitab: “El-Hibeh”, bab: “Men uhdije lehu hedijjeh”, hadithi nr. 2610.
[34] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Mevakitus-salah”, bab: “Vaktudh-dhuhri ‘indez-zeval”, hadithi nr. 540.
[35] Bukhari, “Sahih”, kitab: “El-’ilm”, bab: “El-Gadabu fil-meu’idhati vet-ta’limi idha rea ma jekrehu”, hadithi nr. 92.
[36] Bukhari, “Sahih”, kitab: “El-’ilm”, bab: “Men tereke ‘ala rukbetejhi ‘indel-imami evil-muhaddith”, hadithi nr. 93.
[37]  Muslim, “Sahih”, kitab: “Es-Sijam”, bab: “Istihbabu sijami thelathetu ejjamin min kul-li shehrin ve saumi jeumu ‘Arafete ve ‘ashurae vel-ithnejni vel-khamis”, hadithet nr. 2747.
[38] Bukhari, “Sahih”, kitab: “El-Medhalim”, bab: “El-Gurfetu vel-’ul-lijjetul-mushrifeti ve gajrul-mushrifeti fis-sutuhi ve gajriha”, hadithi nr. 2468.
[39] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Çeshma-e-Ma’rifet”, “Ruhani Khazain”, vëllimi XXIII, fq. 299-300.
[40] Ebu Davud, “Sunen”, kitab: “El-Vitr”, bab: “Ed-Du’a”, hadithi nr. 1498.
[41] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Fadailu As’habun-Nebij s.a.v.s.”, bab: “Kaulun-Nebijji s.a.v.s.: leu kuntu muttekhidhen khalilen”, hadithet nr. 3667-3668.
[42] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Tuhfetul-Muluk”, “Envarul-’ulum”, vëllimi II, fq. 128.
[43] Ibn Maxhe, “Sunen”, kitab: “El-Menasik”, bab: “Istilamul-haxher”, hadithi nr. 2945.
[44] Bukhari, “Sahih”, kitab: “El-Haxh”, bab: “Ma dhukire fil-haxheril-esved”, hadithi nr. 1597.
[45] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Tefsir-e-Kebir”, vëllimi X, fq. 130.
[46] Muslim, “Sahih”, kitab: “El-Ejman”, bab: “Nedhrul-kafiri ve ma jef’alu fihi idha esleme”, hadithet nr. 4294.
[47] Ali bin Burhanuddin el-Halebi, “Es-Siretu el-Halebijje”, vëllimi III, përkthim, gjysma e parë, shtëpia botuese: “Darul-isha’ah”, Karaçi 2009, fq. 440-441.
[48] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Melfuzat”, vëllimi II, fq. 46.
[49] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Eik Sahib ke Panxh Suvalon ka Xhevab”, “Envarul-’ulum”, vëllimi III, fq. 28.
[50] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Fadailu As’habun-Nebij s.a.v.s.”, bab: “Menakib ‘Umer bin el-Khattab…”, hadithi nr. 3682.
[51] Bukhari, “Sahih”, kitab: “El-’ilm”, bab: “Fadlul-’ilmi”, hadithi nr. 82.
[52] Bibla, Testamenti i Ri, Gjoni 16:12-13.
[53] Bukhari, “Sahih”, përkthim dhe komentim nga: Sejjid Zejnul-’Abidin Shah Velijjull-llah Sahibi, vëllimi I, fq. 156-157.
[54] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi XXIII, fq. 467.
[55] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Fadailu As’habun-Nebij s.a.v.s.”, bab: “Menakib ‘Umer bin el-Khattab…”, hadithi nr. 3691.
[56] Ibn Maxhe, “Sunen”, kitab: “Es-Sunneh”, bab: “Fadailu Khabbab”, hadithi nr. 154.
[57] El-Hakka 69:19.
[58] ‘Ali ibn el-Ethir, “Usdul-ghabeh fi ma’rifetus-Sahabeh”, vëllimi IV, shtëpia botuese: “El-Kutub el-’ilmijje”, Bejrut 2003, fq. 161.
[59] Ibn Ebi Shejbe, “El-Musannaf”, kitab: “El-Fadail”, vëllimi XI, botues: “El-Mektebe er-Rushd Nashirun”, Rijad 2004, fq. 120, hadithi nr. 32546.
[60] Ibn Ebi Shejbe, “El-Musannaf”, kitab: “El-Fadail”, vëllimi XI, botues: “El-Mektebe er-Rushd Nashirun”, Rijad 2004, fq. 121, hadithi nr. 32548.
[61] El-Murteda el-Zebidi, “Taxh el-’Arus”, vëllimi XXIX, botues: “Et-Turath el-’arabij”, zëri: sīn-nūn-bā-lām (سنبل), Kuvajt, 1418 h./ 1997, fq. 231.
[62] Ibn Ebi Shejbe, “El-Musannaf”, kitab: “El-Bu’uth ves-Seraja”, vëllimi XI, botues: “El-Mektebe er-Rushd Nashirun”, Rijad 2004, fq. 580-581, hadithi nr. 34427.
[63] Muhammed ibn Sa’d, “Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-’ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 249.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp