Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe profecia për byzylykët e Kisrasë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe profecia për byzylykët e Kisrasë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Para dy hutbeve, po trajtohej tema e ngjarjeve nga jeta e Hazret Ebu Bekr es-Siddikut r.a. dhe ishte përmendur ngjarja e Surakes se si ai në lakmi të shpërblimit, ishte nisur në ndjekje të Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Mirëpo, kur caktimi i Allahut të Madhërishëm i krijoi pengesa, ai i kërkoi mbrojtje Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Ai gjithashtu iu lut që kjo mbrojtje t’i jepej në një shkrim, me qëllim ta kishte si dokument për kohën kur Profeti të vinte në pushtet.

Profecia për byzylykët e Kisrasë, perandori i Persisë

Ka transmetime të ndryshme, që e përshkruajnë këtë ngjarje. Sipas një transmetimi, teksa Suraka po largohej, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua atij dhe i tha: “O Suraka ! Si do të jetë gjendja jote kur byzylykët e Kisrës do të jenë në duart e tua?” Suraka u kthye i habitur dhe tha: “Kisra, i biri i Hurmuzit?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Po, Kisra, biri i Hurmuzit”. Kështu, më vonë gjatë periudhës së kalifatit të Hazret Omerit r.a., kur iu sollën byzylykët, kurora dhe brezi i Kisrës, ai thirri Suraken dhe tha: “Ngri duart”. Pastaj i vuri byzylykët rreth kyçeve të duarve dhe tha: “Thuaj! Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut të Madhëruar, i Cili ia mori këto dy (byzylykë) Kisrës, birit të Hurmuzit dhe të dhuroi ty”.[1]

Është përmendur gjithashtu se Suraka nuk e kishte pranuar Islamin gjatë kohës së hixhretit, por e pranoi më vonë kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po kthehej nga Hunejni dhe Taifi, në vendin e quajtur Xhirana . Xhirana është emri i një pusi që ndodhej afër Mekës dhe në rrugën drejt Taifit. [Me atë rast, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Surakes: “Si do të jetë gjendja jote kur të veshësh byzylykët e Kisrës?”[2]

Siret Khatem-un- Nebijin (Jeta dhe karakteri i Vulës së Profetëve s.a.v.s.), Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahibi e ka përshkruar këtë ngjarje si në vijim:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nisur udhëtimin, por kishte kaluar vetëm pak kohë kur Hazret Ebu Bekri r.a. vuri re se një kalorës po vraponte mbrapa në ndjekje të tyre. Hazret Ebu Bekri r.a. u shqetësua shumë dhe tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Dikush po na ndjek.’ I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha : ‘Mos u brengos! Allahu është me ne’. Ky njeri ishte Suraka ibn Maliku, i cili vetë ka përshkruar ngjarjen e ndjekjes së tij me këto fjalë:

“Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u largua nga Meka, të pafetë e Kurejshëve njoftuan se kushdo që e kthen Muhammedin (s.a.v.s.)  ose Ebu Bekrin të gjallë apo të vdekur, do t’i jepet filan shpërblim dhe ky lajmërim na ishte përcjellë edhe nëpërmjet korrierëve të tyre”. Suraka tha këtë: “Pas kësaj, një ditë, isha ulur në një kuvend të popullit tim, Benu Mudlixh, kur një njeri nga Kurejshët erdhi te ne dhe m’u drejtua duke thënë: “Sapo kam parë dy njerëz në drejtim të bregdetit. Më duket se ndoshta ata janë Muhammedi s.a.v.s. dhe shoku i tij”. Suraka thotë: “Unë menjëherë kuptova se këta patjetër duhet të ishin ata”.

Pas kësaj, Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi r.a. ka përmendur detajet e kësaj ngjarjeje, duke përfshirë ndjekjen e Surakes, hedhjen e shortit që nuk kishte dalë në favor të tij dhe gjithashtu fundosjen e kalit të tij në rërë, të cilat tashmë janë përmendur. Megjithatë, Suraka thotë: “E gjithë kjo sprovë më bëri të besoja se ylli i tij së shpejti do të shkëlqejë dhe se në fund, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të triumfojë. Prandaj, si një gjest paqeje, i thashë: “Populli juaj ka shpallur një shpërblim për vrasjen ose kapjen tuaj, dhe njerëzit kanë thurur këto plane kundër jush. Edhe unë erdha me të njëjtin qëllim, por tani do të kthehem.”

Pastaj për sa i përket detajeve të mëtejshme në lidhje me suren dhe profecinë e rrathëve të Kisrasë, Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi r.a. shkruan:

“Kur Suraka po kthehej, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Cila do të jetë gjendja jote kur byzylykët e Kisrasë do të jenë në kyçet e dorës sate?” I habitur, Suraka e pyeti: ‘Kisra , biri i Hurmuzit, perandorit të Persisë?’ “Po” u përgjigj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. . Sytë e Surakasë mbetën të hapur nga habia. Një beduin i shkretëtirës arabe dhe byzylykët e Kisrasë, Perandori i Iranit! Por shikoni shfaqjen e fuqisë të së vërtetës. Kur Irani u pushtua në periudhën e Hazret Omerit r.a., thesari i Kisrasë kaloi në pushtimin e muslimanëve si plaçkë lufte. Kur këto plaçka mbërritën në Medine, aty gjendeshin edhe byzylykët e Kisrasë. Hazret Omeri r.a. thirri Suraken, i cili pas fitores së Mekës kishte pranuar Islamin, dhe vuri byzylykët e Kisrasë, të gdhendura me xhevahire e gurë të çmuar në duart e tij”.[3]

Duke përmendur këtë ngjarje, Hazret Musleh Maud r.a. thotë:

“Mekasit shpallën një shpërblim prej 100 devesh për këdo që do të kapte Muhammedin s.a.v.s.)ose Ebu Bekrin, të gjallë apo të vdekur. Ky njoftim u shpall edhe nëpër fise përreth Mekës. I tunduar nga shpërblimi, Suraka ibn Maliku, një prijës beduin, filloi të ndiqte gjurmët e Profetit dhe në fund i gjeti në rrugën për në Medine. Me të parë dy deve dhe personat që ishin hipur në to, ai kuptoi se ata duhet të ishin Profeti s.a.v.s. dhe Ebu Bekri r.a.. Ai menjëherë shtyju kalin dhe vrapoi pas tyre.”

Hazret Musleh Maudi r.a. më pas ka përmendur ngjarjen e pengimit dhe rrëzimit të kalit të Surakes dhe se si ai kishte hedhur short duke kërkuar një shenjë fati. Hazret Musleh Maudi r.a. vazhdon: Suraka ka rrëfyer: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ecte plotë madhështi mbi devenë e tij, dhe nuk shikonte prapa. Ndërsa Ebu Bekri ra , (nga frika se mos i shkaktoja ndonjë dëm Profetit të Shenjtë s.a.v.s.), herë pas here kthente kokën nga mbrapa”.

Pasi ka përmendur hollësisht ngjarjen e Surakes se si i kishte ndjekur nga mbrapa, Hazret Musleh Maud r.a. shkruan: “Në momente që Suraka bëhej gati për t’u kthyer në Mekë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori një shpallje nga Allahu i Plotfuqishëm për ngjarjet e së ardhshme dhe tha: “Suraka , si do të ndihesh me byzylykët e artë të Kisrasë në duart e tua? I habitur plotësisht, Suraka e pyeti: ‘Cili Kisra? Kisra ibn Hurmuzi, perandori i Persisë?’ I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha : ‘Po.’

16 apo 17 vjet më vonë, kjo profeci u përmbush fjalë për fjalë. Suraka e kishte pranuar Islamin dhe tashmë jetonte në Medine. Pas vdekjes së Profetit të Shenjtë s.a.v.s., së pari Hazret Ebu Bekri r.a., dhe më pas Hazret Omeri r.a. ishin kalifë. Duke u frikësuar nga madhështia e Islamit, e cila gjithnjë po rritej, persianët nisën sulme mbi muslimanët, por në vend që ta shtypnin Islamin, ata vetë u mposhtën prej muslimanëve. Kryeqyteti i Iranit ra në duart e muslimanëve, dhe ata rrëmbyen thesaret mbretërore, duke përfshirë byzylykët prej floriri që Kisraja mbante në duar kur ulej në fronin mbretëror.

Pas pranimit të Islamit, Suraka e rrëfente me shumë krenari ngjarjen e shpërnguljes. Kështu, muslimanët e dinin mirë se çfarë i kishte thënë atij i Dërguari i Allahut s.a.v.s. se o Suraka! Si do të jetë gjendja jote kur byzylykët e artë të Kisrasë do të jenë në duart e tua?

Kur plaçkat e luftës u vendosën para Hazret Omerit, ai vuri re edhe byzylykët e artë të Kisrasë dhe kujtoi pikërisht atë ngjarje. Ishin rrethana të vështira në të cilat i Dërguari i Allahut ishte detyruar të largohej nga vendlindja e tij dhe të shpërngulej në Medine. Arsyeja pse Suraka dhe burra të tjerë ishin lëshuar me kuajt në ndjekje të tij ishte që ata me çdo kusht donin ta kthenin atë të gjallë apo të vdekur te mekasit dhe të fitonin shpërblimin prej 100 devesh. Ishte pikërisht një kohë e tillë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dha këtë paralajmërim: “Suraka! Si do të ndihesh kur byzylykët e artë të Kisrasë do të vendosen në duart e tua?” Sa madhështore qenka kjo profeci? Me çfarë qartësie Zoti kishte shpalosur një ngjarje nga e padukshmja? Kur Hazret Omeri r.a. pa byzylykët e Kisrasë përpara tij, i kaloi para syve fuqia mbizotëruese e Zotit. Ai menjëherë thirri Suraken. Kur erdhi Suraka, Hazret Omeri r.a. e urdhëroi të vinte ata byzylykë. Suraka iu përgjigj: “O Kalif i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.! A nuk është e ndaluar për burrat muslimanë të veshin ar”. Hazret Omeri r.a. i tha: Po, është e vërtetë, por kjo ndalesë nuk është për një rast si ky. Allahu i Plotfuqishëm i kishte treguar Profetit të Shenjtë s.a.v.s. se byzylykët e artë të Kisrasë do të vendosen në kyçet e tua; prandaj vishi ata menjëherë ose do të të ndëshkoj”.

Suraka po ngurronte vetëm nga respekti ndaj sheriatit; përndryshe ai ishte po aq i etur sa kushdo tjetër për të përmbushur profecinë e madhe të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Suraka veshi byzylykët dhe muslimanët dëshmuan me sytë e tyre përmbushjen e kësaj profecie madhështore.”[4]

Më tej përmendet se gjatë kthimit Suraka takoi një grup kalorësish që ishin dërguar nga Kurejshët për të gjetur Profetin e Shenjtë s.a.v.s.. Ata kërkuan nga Suraka ndonjë informacion rreth të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., por Suraka jo vetëm që nuk u dha asnjë informacion, madje ai foli me ta në një mënyrë të tillë që ata ndërprenë ndjekjen e tyre.[5]

Ndalesa te tenda e Umi Ma’bedes

Gjatë udhëtimit të shpërnguljes, është shënuar një ngjarje në lidhje me Umi Ma’bed. Kjo ngjarje është si vijon:

“Gjatë udhëtimit të mërgimit, karvani i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u ndal pranë një tende për të marrë ushqime për rrugë. Kjo ishte tenda e Umi Ma’bades , emri i vërtetë i së cilës ishte Atika bint Khalid. Ajo i përkiste degës së fisit Khuzah nga Benu Kabi. Ajo ishte motra e Hazret Hubejsh ibn Halidit, i cili ishte një sahab dhe kishte nderin të përcillte thëniet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Burri i Umi Ma’bedes njihej si Ebu Ma’bad . Thuhet se edhe ai kishte nderin të përcillte traditat e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Ai ndërroi jetë gjatë jetës së Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Emri i vërtetë i Abu Ma’bedit është i panjohur.

Çadra e Umi Ma’bedes ndodhej në Kudejd, i cili është një fshat i vogël afër Mekës, i vendosur disa milje në jug të Rabigit. Këtu ndodhej edhe altari i idhullit të njohur, Manatit. Banorët e Medinës e adhuronin këtë idhull.[6]

Umi Ma’bedja ishte një grua e guximshme dhe e fortë, e cila ulej në pjesën e përparme të çadrës së saj dhe ushqente ata që kalonin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe shokët e tij kërkuan të blinin mish dhe hurma prej saj, por ajo nuk kishte asgjë nga ato që kërkonin ata. Në atë kohë, njerëzit e fisit të Umi Ma’bades ishin të varfër dhe të goditur nga thatësira. Umi Ma’bedja tha: “Nëse do të kishim diçka, nuk do ta fshihnim atë kurrë nga ju.” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pa një dhi në një cep të çadrës dhe pyeti: ‘O Umi Ma’bed! Si është gjendja e kësaj dhie?’ Ajo u përgjigj: Këtë dhi e ka kapluar dobësia deri në atë masë sa nuk mund t’i bashkohet as tufës.’ Me fjalë të tjera, është aq e dobët saqë nuk mund të dalë as të kullosë me pjesën tjetër të kopesë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pyeti : ‘A jep qumësht?’ Ajo u përgjigj: ‘Është aq e dobët saqë është e pamundur që të japë qumësht.’ I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pyeti: ‘A do të më lejoni të provoj të nxjerr qumësht prej saj?’ Ajo tha: ‘Nëse mendoni se ajo mund të japë qumësht, atëherë me çdo kusht. Unë nuk kam asnjë kundërshtim për këtë.

Kështu, Profetit të Shenjtë s.a.v.s. iu soll dhia. Ai e kaloi dorën mbi sisët e saj dhe me emrin e Allahut të Fuqishëm dhe të Fuqiplotë, u lut që dhia e Umi Ma’bedit të bekohej. Dhia qëndronte e qetë para Profetit të Shenjtë s.a.v.s., dhe sisët i ishin mbushur me qumësht, dhe ajo përtypte. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kërkoi prej tyre një mjelcë të madhe që mund të mjaftonte për një grup të madh. Dhia nxori aq shumë qumësht saqë shkuma kishte arritur deri në buzët e enës. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. së pari i ofroi qumështin Umi Ma’bedes, e cila u ngop plotësisht. Më pas ai ua ofroi qumështin shokëve të tij, të cilët gjithashtu u ngopën plotësisht. Pas gjithë të tjerëve, në fund vetë i Dërguari i Allahut e piu atë dhe tha: “Ai që u shërben të tjerëve për të pirë, duhet të pijë i fundit”.

Pas një pauze të shkurtër, i Dërguari i Allahut e moli dhinë edhe një herë derisa ena u mbush përsëri. Ai i la atë mjelcë Umi Ma’bedes,. Ai e bleu dhinë prej saj dhe vazhdoi udhëtimin e tij.”[7]

Është shkruar: “Nga njëra anë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe shoku i tij besnik e i devotshëm, Hazret Ebu Bekri r.a., i cili e shoqëronte në këtë udhëtim,. po udhëtonin me ndihmën hyjnore dhe nën hijen e engjëjve mbrojtës, ndërsa nga ana tjetër, mekasit nuk ishin dorëzuar në kërkimin e tyre. Ata vazhduan në ndjekjen e Profetit s.a.v.s.. Një grup gjurmues i kurejshëve i cili e kërkonte këtë, mbërriti deri në tendën e Umi Ma’bedes. Sapo zbritën nga kuajt, filluan të pyesnin për Profetin s.a.v.s. Umi Ma’bedja e kuptoi se çfarë po ndodhte dhe tha: ‘Ju po pyesni për gjërat për të cilat unë kurrë nuk kam dëgjuar dhe as nuk e kuptoj se çfarë po kërkoni ju njerëz.’

Kur ky grup i kërkuesve u bë më agresiv në pyetjet e tyre, kjo grua e guximshme dhe e mprehtë tha: “Nëse nuk largoheni menjëherë nga këtu, unë do t’i thërras njerëzit e fisit tim”. Ata e njohën statusin e kësaj gruaje dhe kështu kuptuan se do të ishte më mirë të largoheshin”.

Takimi me Hazret Zubejr ibn el-Avam r.a.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ende rrugës kur takoi Hazret Zubejrin, i cili po kthehej së bashku me një karvan tregtarësh muslimanë nga Siria. Hazret Zubejri i dhuroi Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekrit rroba të bardha. Në lidhje me këtë takim, Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib r.a. shkruan: “Rrugës, ai takoi Zubejr ibn el-Avamin, i cili po kthehej në Mekë nga një udhëtim tregtar në Siri bashkë me një grup të vogël muslimanësh. Zubejri i dhuroi një veshje të bardhë Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe një Hazret Ebu Bekrit ra dhe tha: “Pas mbërritjes në Mekë, edhe unë së shpejti do t’ju bashkohem në Medine.”

Ka një transmetim në Buhari që tregon se përgjatë rrugës, shumë nga karvanët që kalonin, e njihnin Hazret Ebu Bekrin r.a. pasi ai shpesh e përdorte këtë rrugë për udhëtimet e tij tregtare. Kur ata e pyesnin se cili ishte ai njeri që e shoqëronte, ai përgjigjej:

Është udhërrëfyesi im dhe më tregon rrugën

ھٰذَا الرَّجُلُ یَھْدِیْنِی السَّبِیْلَ ۔

Me fjalë të tjera: “Ky person më udhëheq në rrugën e drejtë”. Njerëzit kujtonin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte udhërrëfyesi i tij, ndërsa Hazret Ebu Bekri r.a. e thoshte këtë në kuptimin e udhëzimit shpirtëror. Lidhur me këtë, Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahib r.a. shkruan: Meqë veprimtaria kryesore e Hazret Ebu Bekrit r.a. ishte tregtia, ai qarkullonte shpesh në këtë rrugë për vajtje ardhje. Shumica e njerëzve e njihnin atë, por ata nuk e kishin parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Për këtë arsye, ata e pyesnin Hazret Ebu Bekrin r.a., O Ebu Bekr! Kush është ky njeri që lëviz përpara jush?” Hazret Ebu Bekri r.a. i përgjigjej:

ھٰذَا یَھْدِیْنِی السَّبِیْلَ۔

– “Ky është udhërrëfyesi im”. Ata mendonin se ai është një udhërrëfyes i punësuar nga Hazret Ebu Bekri r.a. për t’ia treguar rrugën, por qëllimi i vërtetë i Hazret Ebu Bekrit r.a. ishte tjetër.”

Mbërritja në Kuba

Për sa i përket mbërritjes në destinacionin e fundit, shkruhet se ditën e hënë, pas tetë ditësh udhëtimi, me ndihmën e Zotit më në fund ata mbërritën në Kuba e cila ndodhej në rrugën për në Medine. Në hadith është përmendur se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka lindur të hënën, ka dalë nga Meka të hënën, ka mbërritur në Medine të hënën dhe ka ndërruar jetë të hënën.

Kuba ishte emri i një pusi dhe kështu edhe fshati u bë i njohur si Kuba. Këtu jetonte fisi Ensar “Benu Amr ibn Auf”. Ky fshat gjendej në një distancë prej dy miljesh nga Medina. Sipas mendimeve të tjera, Kuba ndodhej në një distancë prej tre miljesh nga Medina dhe njihej gjithashtu si “Alia”.[8]

Muslimanët e Medinës kishin mësuar për nisjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nga Meka dhe çdo mëngjes ata shkonin deri në Harrah dhe e prisnin atë. Medina gjendej midis dy Harrave dhe fjala “Harra” nënkupton një terren të errët me gurë. Harra e parë njihet me emrin “Harra Vakim” e cila ndodhet në lindje të Medinës dhe banorët e quanin edhe “Harrah Benu Kurejza”. Harra tjetër quhej Harratul Veburah, dhe ndodhet në një distancë prej tre miljesh nga Medina. Ata prisnin derisa dielli i fortë i mesditës i detyronte të largoheshin. Ata shkonin në mëngjes dhe prisnin dhe pastaj ktheheshin në mesditë.

Një ditë, banorët e Medinës pritën mjaft kohë para se të ktheheshin. Sapo kishin hyrë në shtëpitë e tyre, një hebre u ngjit në një nga kalatë e tyre për të bërë disa punë. Ai dalloi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe shokët e tij që kishin veshur rroba të bardha. Mirazhi po zhdukej dhe pamja e trupave po bëhej gjithnjë më e qartë. Me të parë këtë, hebreu nuk u përmbajt dhe thirri me zë të lartë: “O arabë! Ja po vjen prijësi juaj që prisnit!” Muslimanët nxituan për të marrë armët e tyre dhe pastaj vrapuan për të takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në fushën e Harrasë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me pjesën tjetër të sahabëve u kthyen në të djathtë dhe arritën në fshatin Benu Amr ibn Auf. Kjo ishte dita e hënë dhe ishte muaji Rabiul Evvel .

Thjeshtësia e Profetit s.a.v.s. dhe besnikëria e Ebu Bekrit ndaj tij

Hazret Ebu Bekri r.a. u ngrit në këmbë për të pritur njerëzit, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qëndronte ulur në heshtje. Ata ensarë që ende nuk e kishin takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. vinin dhe i përshëndesnin Hazret Ebu Bekrin r.a.. Kur dielli filloi të shkëlqejë mbi Profetin e Shenjtë s.a.v.s. Hazret Ebu Bekri r.a.  doli përpara dhe i bëri hije me mantelin e tij. Atëherë njerëzit kuptuan se cili ishte me të vërtetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi më shumë se 10 net në fshatin Benu Amr bin Auf dhe sipas një transmetimi të Buhariut, ai kaloi 14 net dhe hodhi themelet për xhaminë për të cilën thuhet se themelet e saj janë hedhur në Takua dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte lutur brenda saj.[9]

Sipas këtij transmetimi të Buhariut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi më shumë se 10 net në Kuba. Sipas një transmetimi tjetër, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte kaluar katër ditë në Benu Amr ibn Auf, d.m.th. në Kuba. Kështu bie që këto ishin e hënë, e martë, e mërkurë dhe e enjte. Ditën e premte, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis për në Medinë. Sipas një transmetimi tjetër, thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte kaluar 22 net [në Kuba].[10]

Lidhur me mbërritjen e Profetit s.a.v.s. në Kuba, Hazret Musleh Ma’ud r.a. ka thënë: “Pasi u nda nga Suraka dhe pas disa ndalesave, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Mbërriti në Medinë. Banorët e Medinës e prisnin me padurim ardhjen e tij. Nuk mund të imagjinohej dita më e mbarë për ta, pasi dielli që kishte lindur në Mekë, tashmë kishte ardhur të shkëlqejë në Medinë. Që nga momenti që (banorët e Medinës) kishin dëgjuar lajmin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ishte më në Mekë, ata prisnin ardhjen e tij.

Çdo mëngjes, grupet e tyre udhëtonin me kilometra larg Medinës për ta kërkuar dhe ktheheshin të zhgënjyer në mbrëmje. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në afërsi të Medinës, ai vendosi të qëndrojë për njëfarë kohe në Kuba, një fshat në afërsi të Medinës. Një hebre kishte parë disa njerëz të hipur në deve dhe kishte kuptuar se ky duhet të ishte karvani i Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ai u ngjit në një kodër dhe bërtiti: “O pasardhësit e Kajlës! (Kajla quhej një nga gjyshet e banorëve të Medinës dhe prandaj ata njiheshin edhe si pasardhësit e Kajlës ) Erdhi ai për të cilin prisnit.” Të gjithë në Medine që e dëgjuan këtë thirrje nxituan për në Kuba, ndërsa banorët e Kubës nuk përmbaheshin dot nga gëzimi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndodhej mes tyre.

Thjeshtësia e skajshme e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. ilustrohet nga një ngjarje që ndodhi në këtë çast. Shumica e banorëve të Medinës nuk e kishin parë akoma Profetin e Shenjtë s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. qe ulur nën një pemë jashtë Kubës dhe njerëzit nxitonin drejt tyre nga Medina. Meqenëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte ulur në një mënyrë shumë të thjeshtë, shumë prej atyre që nuk e njihnin, e morën Hazret Ebu Bekrin për Profet. Hazret Ebu Bekri r.a., edhe pse më i ri, kishte mjekër më të thinjur dhe kishte veshur rroba pak më të mira në krahasim me ato të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Prandaj, ata ktheheshin nga ai dhe uleshin përballë tij me shumë respekt.

Kur Hazret Ebu Bekri r.a. e pa këtë, ai e kuptoi se njerëzit po bëjnë gabim. Ai u ngrit shpejt, mori mantelin e tij, dhe e ngriti para Profetit s.a.v.s. dhe tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Ishit në diell, andaj po ju bëj hije’. Në këtë mënyrë të urtë, ai ua sqaroi njerëzve gabimin e tyre.”[11]

Gëzimi i muslimanëve për ardhjen e Profetit s.a.v.s.

Duke përmendur detajet e kësaj ngjarjeje, Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahibi r.a i është referuar një transmetimi të Buhariut dhe shkruan: “Ka një transmetim në Buhari të përcjellë nga Bara’ ibn ‘Azibi se: “Kurrë nuk i kam parë ensarët aq të lumtur sa ishin me ardhjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në Medine. Tirmidhiu dhe Ibni Maxha kanë përcjellë nga Enes bin Maliku se: “Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Medinë, ne u duk sikur Medina ishte ndriçuar; dhe në ditën kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. qyteti i Medinës dukej më i errët se asnjëherë”. Pasi takoi njerëzit që kishin ardhur për ta pritur, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për një arsye që nuk është përmendur në histori, nuk hyri direkt në qytet. Përkundrazi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi në Kuba, një vendbanim që ndodhej në periferi të Medinës në lartësi, dhe në një distancë prej 2 deri në 2.5 milje nga qendra e qytetit. Këtu banonin familje të ndryshme të ensarëve; mes tyre dallohet familja e Amr ibn Aufit. Në atë kohë, Kulthum ibn El-Hidmi ishte kryetari i këtij klani.

Ensarët e Kubës e pritën të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. me një pritje të përzemërt dhe të ngrohtë. Ai s.a.v.s. qëndroi në shtëpinë e Kulthum ibn el-Hidmit. Ata muhaxhirë që kishin mbërritur tashmë në Medinë para ardhjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., banonin kryesisht në Kuba, në shtëpitë e Kulthum ibn el-Hidmit dhe të fisnikëve të tjerë nga radhët e ensarëve. Ndoshta kjo është arsyeja pse i Dërguari i Allahut vendosi të qëndronte fillimisht në Kuba .

Lajmi i ardhjes së Profetit s.a.v.s. u përhap menjëherë në gjithë Medinën. Të shtyrë nga emocionet e dashurisë, të gjithë muslimanët filluan të mblidheshin në grupe në banesën ku qëndronte i Dërguari i Allahut s.a.v.s., me një entuziazëm të madh”.[12]

Ndërtimi i xhamisë në Kuba

Në lidhje me ndërtimin e Xhamisë “Kuba” është përmendur se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbërriti në Kuba, ai hodhi themelet e një xhamie e cila njihet si “Mesxhid Kuba”. Në Sahih Buhari, është përmendur se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kaloi më shumë se 10 net në lagjen e Benu Amr ibn Aufit dhe aty hodhi themelet e një xhamie, për të cilën thuhet se bazat e saj janë hedhur në Takva dhe që Profeti s.a.v.s. kishte falur namaz në të.[13]

Në një transmetim tjetër përmendet se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hodhi themelet e kësaj xhamie, fillimisht ai vendosi një gur në drejtim të Kibles. Pas kësaj, Hazret Ebu Bekri r.a. gjithashtu solli një gur dhe e vuri aty dhe pas tij Hazret Omeri r.a. gjithashtu solli një gur dhe e vuri pranë gurit të Hazret Ebu Bekrit r.a.. Pastaj, njerëzit filluan të punojnë për ndërtimin e saj.

Xhamia Kuba, مسجد قباء

Gjatë ndërtimit të Xhamisë Kuba , i Dërguari i Allahut s.a.v.s. sillte gurë për ndërtim, duke i mbështetur në barkun e tij. Çdo gur që sillte ai, ishte i madh dhe i rëndë dhe Profeti s.a.v.s. vetë vendoste. Nëse dikush mundohej ta ngrinte atë gur nga vendi, ai nuk mund ta lëvizte nga vendi. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u thoshte që ta linin atë dhe të merrnin një gur tjetër.[14]

Në lidhje me Xhaminë Kuba përmendet se është pikërisht kjo xhami, themelet e së cilës nga hedhur në Takua. Megjithatë, sipas disa transmetimeve thuhet se Xhamia e Profetit është ajo themelet e së cilës janë vendosur mbi Takua. Është përmendur në Siret el-Halabijah se nuk ka kundërthënie në të dy transmetime, sepse të dyja xhamitë janë themeluar mbi themelin e Takuas. Kjo pikëpamje është mbështetur edhe nga Hazret Ibn Abasir.a.. Sipas tij , themelet e të gjitha xhamive të Medinës, në të cilat përfshihet edhe Xhamia Kuba, janë vendosur mbi Takua, por xhamia në lidhje me të cilën është shpallur ajeti i Kuranit ishte me të vërtetë Xhamia Kuba .

Pasi kaloi 10 ose 14 net në Kuba, Profeti s.a.v.s. u nis për në Medinë.

Rrugës, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. arriti në fshatin Benu Salim ibn Auf, ishte dita e premte. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. së bashku me muslimanët, fali namazin e xhumasë në xhaminë në Luginën “Ranuna”. Numri i njerëzve të pranishëm ishte njëqind.

Lugina Ranuna ndodhet në jug të Medinës. Qëkur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. fali namazin e xhumasë atje, ajo njihet si “Xhamia e së Xhumasë”. Kjo ishte xhumaja e parë që u fal në Medinë.[15]

Ndoshta kjo xhami ishte ndërtuar më vonë, dhe mori emrin Xhamia e së xhumasë, pasi aty ishte faluar Xhumaja e parë. Më pas përmendet se pasi fali namazin e së xhumasë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hipi mbi devenë e tij dhe u nis për në Medine dhe Hazret Ebu Bekri r.a. ishte hipur bashkë me të.

Lakmia e shpërblimit bëri që shumë njerëz të ndiqnin Profetin s.a.v.s. 

Në histori shënohet një ngjarje si në vijim: Burejdah ibn Husejbi përcjell se “Kur kurejshët shpallën një shpërblim prej njëqind devesh për këdo që e sillte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të gjallë apo të vdekur, edhe unë u tundova nga lakmia. Më pas, u nisa me 70 kalorës nga Benu Sehmi dhe e gjeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. më pyeti se kush isha, dhe unë iu përgjigja se quhesha ‘Burejda’. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye nga Hazret Ebu Bekri r.a. dhe tha: ‘O Ebu Bekr! Na është dhënë freski dhe çështja jonë është lehtësuar’. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pastaj tha: “Cilit fis i përkisni?” Unë iu përgjigja: ‘Fisit Eslam’. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Qofshin në paqe!” Ai më pas pyeti: “Cili është paraardhësi juaj?” Unë iu përgjigja: “Benu Sehmi”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “O Ebu Bekr! Ju jeni shumë me fat”.

Burejda pastaj e pyeti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: “Kush jeni ju?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përgjigj: “Unë jam Muhammedi s.a.v.s., i biri i Abdullahut, i Dërguari i Allahut.” Pas kësaj , Burejda tha: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, dhe Muhammedi s.a.v.s. është robi dhe i dërguari i Tij”. Burejda e pranoi Islamin dhe gjithashtu të gjithë ata që ishin me të. Burejda më pas tha: “Lavdërimi është i Allahut, Benu Sehmi e pranoi Islamin me gjithë zemër pa asnjë detyrim”.

Të nesërmen në mëngjes, Burejda tha: “O i Dërguari i Allahut! Ju duhet të hyni në Medinë me një flamur”. Pastaj ai hoqi çallmën e tij dhe e lidhi atë në një shtizë dhe filloi të ecte përpara Profetit s.a.v.s. derisa muslimanët hynë në Medine.[16]

Në lidhje me hyrjen e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. në Medine, Imam Buhariu ka shënuar transmetim e Enes ibn Malikut se:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi në Medine dhe qëndroi në pjesën e sipërme të Medinës për 14 net te fisi i quajtur Benu Amr ibn Auf. Pastaj ai thirri krerët e Benu Nexharit, të cilët erdhën të armatosur me shpatat e tyre. E mbaj mend këtë ngjarje kaq mirë sikur po e shoh tani të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të hipur në devenë e tij. Hazret Ebu Bekri r.a. ishte hipur pas tij dhe krerët e Benu Nexharit qëndronin rreth tij derisa ai zbriti në oborrin e Hazret Ebu Ejubit r.a.”.

Falja e Xhumasë së parë nga Profeti s.a.v.s. në Medinë

Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahibi r.a. ka përshkruar këtë ngjarje si një vijim: “Pas një qëndrimi prej më shumë se dhjetë ditësh në Kuba, ditën e premte, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nis drejt qendrës së qytetit. Një grup i madh sahabësh nga radhët e ensarëve dhe muhaxhirinëve e shoqëronin Profetin s.a.v.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte hipur në një deve dhe Hazret Ebu Bekri r.a. qëndronte pas tij. Dalëngadalë, karvani filloi të lëvizte drejt qytetit dhe gjatë rrugës erdhi ora e namazit të xhumasë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ndal në lagjen e Benu Salim ibn Aufit. Më pas ai u mbajti hutbe sahabëve të tij dhe e udhëhoqi namazin e së xhumasë. Historianët shkruajnë se, ndonëse namazi i xhumasë tashmë kishte filluar, kjo ishte hera e parë që I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte drejtuar vetë. Pastaj, filloi të praktikohej normalisht namazi i së xhumasë”.

Xhamia Xhuma, مسجد الجمعة, në Medinë, në Arabi Saudite

Ky transmetim sugjeron gjithashtu se xhamia duhet të jetë ndërtuar më vonë.

Entuziazmi i muslimanëve për ardhjen e Profetit s.a.v.s.

“Pas faljes së namazit të së xhumasë, karvani i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. vazhdoi të ecte dalëngadalë më tutje. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kalonte pranë shtëpive të muslimanëve, ata në kulmin e dashurisë së tyre i dilnin përpara dhe i thoshin: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është shtëpia jonë. Pasuria dhe jeta jonë janë në shërbimin tuaj. Ne kemi edhe mjete mbrojtëse. Ju lutemi qëndroni me ne”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. lutej për begatinë e tyre dhe dalngadalë përparonte drejt qytetit. Nga ndjenjat e lumturisë, gratë dhe vajzat muslimane u ngjitën në çatitë e shtëpive dhe filluan të këndonin:

طَلَعَ الْبَدْرُ عَلَیْنَا مِنْ ثَنِیَّاتِ الْوَدَاعِ
وَجَبَ الشُّکْرُ عَلَیْنَا مَا دَعٰی لِلّٰہِ دَاعِ

“Nga Thenijati na doli hëna e plotë, falënderimi na u obligua derisa të mbetet ndonjë thirrës i Allahut, O ti i Dërguar mes nesh! Të bindemi në çdo urdhër që na jep”.

Fëmijët muslimanë vraponin nëpër rrugët dhe rrugicat e Medinës duke kënduar, ka ardhur Muhammedi s.a.v.s.. Ka ardhur i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Për të shprehur lumturinë e tyre për ardhjen e Profetit s.a.v.s., skllevërit afrikanë të Medinës do të tregonin mjeshtërinë e tyre me shpata. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në qytet, çdo individ dëshironte që i Dërguari i Allahut të qëndronte me të. Secili dhe çdo person do të dilte përpara për të ofruar shërbimet e tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u përgjigjej me dashuri të gjithëve dhe do të ecte përpara derisa deveja e tij mbërriti në lagjen e Benu Nexharit. Në këtë vend, njerëzit e Benu Nexharit qëndronin në rreshta, të pajisur me armët e tyre për të pritur të Dërguarin e Allahuts.a.v.s.. Vajzat e këtij fisi recitonin vargjet e mëposhtme duke i rënë defit:

نَحْنُ جَوَارٍ مِنْ بَنِی نَجَّارِ
یَا حَبَّذَا مُحَمَّدًا مِنْ جَارِ

‘Ne jemi vajza të Benu Nexharit; Sa me fat jemi ne që Muhammedi s.a.v.s. , i Dërguari i Allahut, ka ardhur të qëndrojë në lagjen tonë.”[17]

Ardhja e familjes së Profetit s.a.v.s. dhe të Ebu Bekrit në Medinë

Në lidhje me ftesën e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. për familjen e tij dhe familjen e Hazret Ebu Bekrit në Medinë, Hazret Musleh Ma’udi r.a. shkruan: “Pak kohë pasi mbërriti në Medinë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi robin e tij të liruar, Zejdin, në Mekë. për të sjellë familjen dhe të afërmit e tij. Meqë, mekasit ishin ende të pushtuar nga mërzia, për shkak të largimit të papritur dhe të mirëmenduar të Profetit s.a.v.s. dhe të pasuesve të tij, andaj për pak kohë, ata kishin ndërprerë çdolloj mizorie ndaj muslimanëve. Për këtë shkak, kur familjet e Profetit dhe të  Ebu Bekrit u larguan nga Meka, mekasit nuk bënë asnjë kundërshtim. Të dy familjet arritën shëndoshë e mirë në Medine.

Ndërkohë, I Dërguari i Allahut s.a.v.s. hodhi themelet e një xhamie në truallin që kishte blerë. Pastaj, ai nisi ndërtimin e punimeve për shtëpinë e tij dhe të shokëve të tij.”[18]

Pas mërgimit në Medinë, Hazret Ebu Bekri r.a. qëndroi në lagjen Sunh te Hazret Hubejb ibn Isafi. Sunhu ishte emri i një vendi në periferi të Medinës, i cili ishte afërsisht dy milje nga Mesxhid Nebevi. Hazret Hubejbi i përkiste fisit Benu Harith ibn Hazrexh. Në një transmetim, përmendet se Hazret Ebu Bekri r.a. qëndroi me Hazretn Kharixhe bin Zejdi.

Sipas disa transmetimeve, Hazret Ebu Bekri r.a. kishte ndërtuar shtëpinë e tij dhe punishten e tekstilin në Sunh dhe kishte tregtinë prej andej. Dashtë Zoti, kjo temë do të përcillet edhe në të ardhmen.

Përmendja e disa të ndjerëve

  1. Çaudri Asgar Ali Klar

Tani dua të flas për disa anëtarë të ndjerë, ndër të cilët përmendja e parë është i Çaudri Asgar Ali Klar Sahibit, i cili ishte “i burgosuri i ndërgjegjes” për shkak të bindjes fetare. Babai i të ndjerit quhej Muhammed Sherif Klar nga Bahawalpuri. Më 10 janar, ai u sëmur, ndërkohë se ishte në burg dhe ndërroi jetë në spital.

اِنَّا لِلّٰہِ وَاِنَّآ اِلَیْہِ رَاجِعُوْنَ۔

“Vërtet, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.” Në këtë mënyrë ai do të konsiderohet ndër dëshmorët.

Sipas detajeve, më 24 shtator 2021, i ndjeri ishte akuzuar për blasfeminë ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s., në bazë të ligjit famëkeq 295-C, dhe ishte ngritur një padi kundër tij në komisariatin e policisë në Begdad el-Xhedid në Bahavelpur. Ata ngrenë padinë menjëherë kundër ahmedianëve sipas ligjit të blasfemisë. I ndjeri ishte arrestuar më 26 shtator, e pastaj i ndjeri mbeti në burgun Bahavelpur. Më 4 janar, pas të vjellave me gjak, ai ishte transferuar në spitalin Bahavelpur ku po merrte dhe trajtimin mjekësor. megjithatë, më 10 janar, pak para sabahut, ai ndërroi jetë në spital në gjendje të burgimit. “Vërtet, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.” Në kohën e vdekjes, ai ishte 70 vjeç.

Më 8 janar ka pasur një seancë gjyqësore për të shqyrtuar kërkesën e tij për lirim me kusht, por policia nuk kishte sjellë procesverbalet, për çka seanca ishte shtyrë për 11 janar. Mirëpo, para se të shpallej vendimi, i ndjeri ka ndërruar jetë dhe është takuar me krijuesin e tij. Asgar sahib kishe qenë i burgosur për shkak të besimit, për 3 muaj e 15 ditë.

Në vitin 1971, pas përfundimit të provimit të maturës, mu në moshën rinore, i ndjeri kishte bërë bejat dhe ishte zotuar për besnikëri ndaj Xhematit Musliman Ahmedia. Ai ishte i vetmi ahmedian në familjen e tij dhe për shkak të këtij vendimi, iu desh të përballej me shumë kundërshtime, megjithatë ai mbeti gjithmonë i palëkundur dhe i qëndroi besnik këtij zotimi.

Ai kishte mbrojtur master në matematikë nga FC Kolegj [Lahore]. Gjatë studimeve të tij, për shkak se kishte pranuar Ahmediatin, prindërit e tij ia ndërprenë financimin e shkollës. Ata vunë një kusht duke deklaruar se do t’i ndihmonin për të paguar studimet e tij vetëm nëse ai të largohej nga Xhemati Ahmedia. Pavarësisht kësaj trysnie, ai qëndroi i palëkundur dhe financoi tarfiat shkollore duke u dhënë mësim studentëve të tjerë. Më vonë, duke parë qëndrueshmërinë dhe drejtësinë e tij, i ati e ndaloi kundërshtimin e tij. Një virtyt nga ana e babait të tij ishte se ai kishte frikë se djalit të tij, i cili ishte ahmedian, nuk do t’i jepej pjesë nga trashëgimia e tij, babai i tij vendosi të transferojë pjesën e tij gjersa ishte i gjallë.

Me mëshirën e Allahut të Madhëruar, i ndjeri paguante kontributin e Vasijetit në masën 1/8 dhe merrte pjesë me gatishmëri në iniciativat financiare. Ai do të paguante shumën e plotë të arkave, me shpalljen e vitit të ri. Ai kishte një lidhje të sinqertë dashurie me Kalifatin. Mikpritja dhe respekti për dedikuesit e jetës dhe mysafirët nga Qendra ishte një cilësi e veçantë e tij. Ai do të ofronte makinën e tij për t’u përdorur në vizitat zyrtare në xhemat. Ai kishte një pasion për të përhapur mesazhin e Islamit dhe i ftonte me guxim të tjerët drejt Allahut të Madhëruar. Allahu i Plotfuqishëm ua mundësoi shumë shpirtrave të dëlirë që ta pranojnë mesazhin e Ahmediatit dhe t’i bashkohen Xhematit përmes Asgar Sahibit.

Përveçse ishte i rregullt në agjërim dhe në pesë vaktet e obliguara, ai ishte i rregullt në faljen e namazit të tehexhudit. Ai kujdesej për të varfrit dhe ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte dhe mbështeste të tjerët. Pavarësisht kundërshtimit nga familjarët e tij, ai do të ndihmonte financiarisht çdo pjesëtar të familjes dhe tregohej i sjellshëm ndaj tyre. I ndjeri kishte një dëshirë të madhe për të arritur gradën e shehidit dhe Allahu i Madhëruar ia plotësoi dëshirën në këtë mënyrë.

Bashkëshortja e Asgar Sahibit thotë: “Gjatë kohës që ishte në burg, në një vizitë, ai më tha se Allahu i Madhëruar i kishte përcjellë përshëndetjet e paqes tri herë. Ai tregoi një ëndërr tjetër në të cilën pa trupin e tij duke u larguar nga burgu.”

I ndjeri shërbeu si Nazim Ansarullah, Zaim A’la i qytetit Bahawelpur, sekretar për thirrjen islame, Sekretar për skemën “Vakfe Xhedid , Sekretar Islah-o-Irshad i rrethit. Në kohën kur ndërroi jetë, i ndjeri shërbente si Kadi i rrethit. Asger sahibi ka lënë pas bashkëshorten, dy djem dhe një vajzë.

Njëri nga djemtë e tij është jashtë vendit, ndërsa vajza është në Kanada. Allahu i Plotfuqishëm zbrittë mëshirën dhe faljen e Tij mbi Asgar Ali Klar sahibin dhe ia lartësoftë shkallët në xhenet! Allahu i Madhëruar u dhëntë qëndrueshmëri dhe durim pasardhësve dhe u mundësoftë të ndjekin gjurmët e tij! Lutuni edhe për të tjerët që janë burgosur në rrugën e Allahut. Allahu ua mundësoftë lirimin!

  1. Mirza Mumtaz Ahmed sahib

Përmendja tjetër është e Mirza Mumtaz Ahmad Sahibit, i cili ishte një punonjës në drejtorinë Ulja në Rabwah. Mirza Mumtaz sahibi ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare

اِنَّا لِلّٰہِ وَاِنَّآ اِلَیْہِ رَاجِعُوْنَ۔

“Vërtet, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi”.

Falë mëshirës së Allahut, i ndjeri ishte pjesëtar i skemës Vesijet. Ahmediati është themeluar në familjen e tij nëpërmjet babait të tij kapiten dr. Sher Muhamed Ali Sahib, i cili e pranoi xhematin në vitin 1923. Mirza Mumtaz Sahib filloi të punonte si punonjës në zyrën e Amanetit, Tehrike Xhedid në prill të vitit 1964 dhe shërbeu në këtë post për pjesën e mbetur të jetës së tij për 58 vjet.

Ai ishte i martuar me znj. Majide Begum, vajzën e të nderuarit Çaudri Muzafer Din Bengali Sahib. Allahu i Madhëruar i bekoi me dy djem dhe një vajzë.

Nipi i tij Khalid Mansur shkruan: “Gjyshi im gjithmonë na inkurajonte që të vazhdonim t’i shërbenim Xhematit. Ai na shpjegonte rëndësinë e namazit në xhemat dhe gjithmonë na bënte porosi për të.” Ai thotë: “Pas vdekjes së babait tim, gjyshi nuk më la kurrë ta ndjeja mungesën e tij. E kam parë gjithmonë si mik dhe e kam parë gjithmonë të zënë me punën e xhematit. Ai ishte një mik, baba dhe punëtor shembullor i xhematit. Ai sillej me të gjithë me dashuri, dhembshuri dhe mirësi. Ai ishte shumë i përpiktë dhe gjithmonë tregonte për rëndësinë e përpikërisë.”

Said Ahmad Sahibi, një nga kolegët e punës, që pati mundësinë të punonte përkrah tij thotë: “Kam pasur rastin të punoj përkrah tij për një kohë të gjatë. I ndjeri punonte në mënyrë të disiplinuar dhe pas përfundimit të punës i ndihmonte edhe kolegët në detyrën e tyre.”

Lukman Sakib Sahibi, një misionar thotë: “Kam vënë re se pavarësisht se ishte fizikisht i dobët, ai do t’i kryente detyrat që i ishin besuar me efikasitet dhe në mënyrë të shkëlqyer. Kujtesa e tij ishte jashtëzakonisht e shkëlqyer. Ai mund të kujtonte menjëherë çështjet e shumë viteve më parë dhe do të specifikonte se në cilat dosje ndodheshin dhe ku mund të gjendeshin. Ai i vlerësonte shakatë e zgjuara dhe do zbavitej me to, por në të njëjtën kohë, nuk ishte në natyrën e tij të fliste ose të bisedonte pa nevojë. Nëse do të kishte pak kohë shtesë pasi të kishte përfunduar punën e tij, ai do të qëndronte i ulur në zyrë dhe do të shqyrtonte dosje të vjetra.”

Dr. Sultan Mubasher shkruan: “Mirza Mumtaz sahibi ishte njeri shumë i përulur; dhe pavarësisht se ishte një punonjës i vjetër, ai priste gjithmonë radhën e tij dhe nuk shprehte kurrë ndonjë nxitim edhe kur më vizitonte në spital. Një nga cilësitë e tij të mëdha ishte të tregonte mirënjohje dhe vlerësim, si dhe ishte jashtëzakonisht i durueshëm. Edhe pse duroi një sëmundje të zgjatur që i shkaktonte mundim e vuajtje të madhe, ai kurrë nuk u bë i padurueshëm.”

Rrethi i tij i miqve ishte shumë i vogël, që përbëhej nga disa kolegë zyre. Unë vetë e kam parë atë të jetë shumë i qetë në natyrë dhe të ndërveprojë me miqtë e tij të ngushtë. Ishte rutina e jetës së përditshme që të shkonte nga zyra direkt në shtëpi dhe më pas nga shtëpia në zyrë. Ka punuar shumë dhe e ka jetuar me parimin e sinqeritetit dhe besnikërisë. Allahu i Madhëruar e faltë atë dhe e mëshiroftë! Ai u mundësoftë fëmijëve të tij të vazhdojnë virtytet e tij!

  1. Kolonel dr. Abdul Khalik sahib

Përmendja tjetër është e kolonel doktor Abdul Khalik Sahibit, i cili ishte ish-administrator i spitalit Fazl Omer, në Rabva, Pakistan. Ai ka ndërruar jetë, ditët e fundit, në moshën 97-vjeçare.

اِنَّا لِلّٰہِ وَاِنَّآ اِلَیْہِ رَاجِعُوْنَ۔

“Vërtet, ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi”.

Falë mëshirës së Allahut, i ndjeri ishte pjesëtar i skemës së Vesijatit. Xhemati Ahmedia erdhi në familjen e tij përmes babait të tij Mian Muhammed Alam Sahib, i cili pranoi xhematin në vitin 1919. Ndërsa dr. Abdul Khalik Sahib pranoi Ahmediatin në 1938.

Duke rrëfyer ngjarjen rreth Bejatit të tij, ai tregon: “Babai ynë kishte abonuar gazetën el-Fazl, dhe unë u njoha me xhematin duke e lexuar atë. Më pas, në vitin 1938, ne të tre vëllezër e motra e pranuam Ahmediatin. Nëna jonë e nderuar ishte e rregullt në faljen e namazit dhe agjërimit; ajo gjithashtu e pranoi xhematin pak kohë pas nesh”. Ai thotë: “Unë shkova për herë të parë në Kadian me rastin e Xhelsa Salanës në vitin 1939, e cila ishte edhe Xhelsa Jubilare. Pastaj shpesh merrja pjesë në Xhelsa”.

Bashkëshortja e tij ndërroi jetë në vitin 1987 dhe patën dy djem dhe dy vajza. Një nga djemtë e tij është dr Abdu Bari, i cili është Amir i Xhematit në Islamabad, Pakistan. Kur qeveria e kryeminisht pakistanez Zulfikar Ali Bhutto nxori dekretin e padrejtë që shpallte ahmedianë si jomuslimanë në vitin 1974, i ndjeri doktor dha dorëheqje nga puna qeveritare dhe ofroi shërbimet për skemën “Nusret Xhehan”. Në vitin 1977, ai u dërgua nga Shtabi Qendror në Sierra Leone, ku ai realizoi projektet humanitare për tri vjet. Pastaj në vitin 1992, kur filluan fluturimet direkte për në Tashkent; i ndjeri e konsideroi si një mundësi, dhe kërkoi të bënte Vakfe Arzi [të bënte shërbimet vullnetare për një periudhë të përkohshme] në Tashkent, Uzbekistan. Shtabi Qendror e miratoi këtë kërkesë dhe ai, së bashku me motrën e tij të vogël, udhëtuan për në Samarkand dhe Buhara, ku realizuan Vakfe Arzi. Gjatë kësaj kohe, ai me vetëmohim i shërbeu njerëzimit dhe gjithashtu pati mundësinë të përcillte mesazhin e Ahmediatit te populli.

Në vitin 1994, Hazret Kalifatul Masih IV r.a. e emëroi atë si administrator të Spitalit Fazle Omer në Rabvah, detyrë të cilin ai realizoi deri në vitin 2005, një periudhë prej më shumë se dhjetë vjetësh. Gjatë kohës së tij u realizuan projekte të ndryshme ndërtimi dhe zgjerimi. Një nga fëmijët e tij shkruan se pavarësisht se në atë kohë ishte 80 ose 81 vjeç, ai kishte një shpirt rinor të përkushtuar për shërbim. Në të njëjtën kohë, ai ishte i vetëdijshëm se po i afrohej pleqëria. Prandaj, në vitin 2005, ai më dërgoi një kërkesë për lirimin nga detyra, dhe më pas doli zyrtarisht në pension. Pastaj, u vendos në Islamabad, ku shërbeu si Kadi lokal.

Djali i tij i madh, dr. Abdul Bari shkruan: “Ai ishte gjithmonë i ndërgjegjshëm për edukimin fetar dhe moral të fëmijëve të tij. Ai lexonte Kuranin gjatë gjithë ditës dhe kjo ishte praktika e tij e preferuar. Sa herë që duhej të merreshin vendime për çështje të rëndësishme, ai vendoste gjithmonë në dritën e Kuranit të Shenjtë.”

Dhëndri i tij dr. Muzafer Ali Nasiri, i cili është Naib Amir i rrethit Vahkant, thotë: “Deri më sot, nuk kam parë askënd të lexojë Kuranin Famëlartë aq shumë sa ai. Ai e donte Kuranin pamasë. Njëherë, kur doli nga spitali, stafi ishte i trishtuar, dhe i thanë: “Tani kush do t’ua recitonte Kuranin?” Rregullsia e tij në ofrimin e Tahaxhudit, qoftë në dimër apo në verë, ishte shembullore për ne. Ai kishte një dashuri të thellë për Kalifatin dhe Xhematin. Ai bëri një jetë të thjeshtë dhe nuk u ankua kurrë.”

Nipi i tij Abdussamad Rizvi Sahibi shkruan: “Ai duroi çdo vështirësi dhe hoqi dorë nga kënaqësia personale, për të arritur kënaqësinë e Allahut”. Ai thotë: “Kam pasur mundësinë të qëndroj në shtëpinë e tij në Rabvah në shumë raste. Ishte personaliteti i tij që më bëri të njoha Zotin e Gjallë. Niveli i namazit të tij të tehexhudit ishte shembullor; nderi dhe dashuria për Kalifatin ishin të rrënjosura thellë në qenien e tij dhe kjo ishte një mjet i shkëlqyer për edukimin tonë moral.”

Dr. Abdul Haliku, një mjek në Spitalin Fazle Omer thotë: “I ndjeri ishte shumë i sjellshëm me mjekët e rinj në spital dhe do t’i inkurajonte mjekët me përvojë që t’i kushtonin vëmendje të veçantë trajnimit të mjekëve të rinj. Financat e spitalit i menaxhonte me ndershmëri dhe kujdes. Ai kujdesej për të varfrit dhe nevojtarët duke shpenzuar nga xhepi i tij.”

Dr. Eshref Muhammed Ahmedi shkuran: “Dr. Abdul Haliku ishte i përmbajtur, i dhembshur dhe zemërbutë. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe nuk e kishte zakon të fliste shumë. Ai mbante një sy të mprehtë mbi çështjet administrative dhe siguronte që rregullat të respektoheshin në çdo kusht”.

Ai do të inkurajonte mjekë të tjerë që të dedikonin vullnetarisht dhe të bënin Vakfi Arzi në Spitalin Fazle Omer, duke përfshirë edhe djemtë dhe dhëndurët e tij. Allahu i Madhëruar e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerin! Allahu i mundësoftë pasardhësit e tij të trashëgojnë virtytet e tij!

Pas namazit të së xhumasë, unë do t’i kryej këto namaze të xhenazes [në mungesë].

[1] Abdul Hamid Xhoda es-Sihar, Muhammad Rasulullah vel-ledhina Ma’ahu, vëll. 3, f. 65, el-Hixhra, Mekteba Misr.
[2] Buhari Bi-Sharhil Kirmani, vëll. 14, f. 178, Kitab: Bed’il Khalk, Bab: Alamatun-Nubuveti fil-Islam, Dar-Ahjaut-Turath el-Arabiju, Bejrut.
[3] Siret Khatemun Nebijin, f. 240-242.
[4] Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi, Dibaça Tefsirul Kuran, Envarul Ulum, vëll. 20, f. 224-226.
[5] E marrë nga Subul Huda ver-Rishad, vëll. 3, f. 249, Xhima’ Ebvabul-Hixhre ilel-Medineh, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1993.
[6] Er-Rrodul Unf, vëll. 2, f. 325, Umi Ma’bed ve Zoxhuha, botuar në Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut.
[7] Subul Huda ver-Rishad, vëll. 3, f. 244-45, Xhima’ Ebvabul-Hixhre ilel-Medineh, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1993.
[8] Ferheng Siret, f. 230.
[9] Sahih Buhariu, Kitab: Menakibul Ensar, Bab: Hixhretun-Nebi s.a.v.s. ve Es-habihi ilel Medina, hadith nr. 3906, Sahih el-Buhariu, hadith numër 428, Ferhang Siret, f. 101,102.
[10] Es-siretul Halabije, vëll. 2, f. 75, bab: Ardu Rasulillahi s.a.v.s., Dar el-Kutubil Ilmije, Bejrut, 2002.
[11] Hyrje në studimin e Kuranit Famëlartë, Envarul Ulum, vëll. 20, f. 226,227.
[12] Mirza Bashir Ahmed M.A., Siret Khatemun Nebijin, f. 264-265.
[13] Sahihu i Buhariut, Kitab: Menakubul Ensar, Bab: Hixhretun Nebi s.a.v.s ve Es-habihi ilel-Medineh, hadith numër 3906.
[14] Ebul Kasim es-Suhejli, Er-Rrodul Unf, vëll. 2, f. 332, Dar el-kutubil Ilmije, Bejrut.
[15] Es-siretul Halabije, vëll. 2, f. 81, Bab: El-Hixhretu ilel-Medine, Darul Kutub el-Ilmije, Bejrut, 2002.
[16] Sherh ez-Zerkani alel-Mevahibid-dunjej, vëll. 2, f. 148, Darul-Kutub el-Ilmije, Bejrut, 1996
[17] Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a., Siret Khatemun Nebijin, f. 266,267.
[18] Hyrje në studimin e Kuranit Famëlartë, Envarul Ulum, vëll. 20, f. 230.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp