Lufta e Jemames dhe vrasja e Musejlima Gënjeshtarit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Lufta e Jemames dhe vrasja e Musejlima Gënjeshtarit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Po vijonte përmendja e Hazret Ebu Bekr es-Sidikut r.a. në lidhje me luftërat që ishin zhvilluar kundër hipokritëve dhe armiqve menjëherë pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Herën e kaluar është folur rreth luftës që Hazret Halit ibn Velidi kishte bërë kundër Musejlima Gënjeshtarit si dhe janë përmendur disa rrëfime të trimërisë së krerëve të batalioneve të ndryshme muslimane.

Trimëria e Hazret Zejd ibn Hatabit r.a.

Siç u përmend, flamurtari i batalionit të ensarëve ishte Hazret Thabit ibn Kajsi ndërsa ai i batalionit të muhaxhirëve qe Hazret Zejd ibn Hattabi. Hazret Zejdi u tha muslimanëve: “O njerëz! Mbahuni fort! Vërsuluni armikut dhe marshoni përpara. Pasha Allahun! Nuk do të flas derisa Allahu nuk e turpëron armikun me humbje ose e takoj Allahun dhe do t’ia paraqes çështjen time”. Pastaj, ai ra dëshmor.[1]

Hazret Zejd ibn Hattabi r.a. ishte gjysmëvëllai i Hazret Omer ibn Hattabit r.a.. Ai ishte ndër ata njerëz të cilët e kishin pranuar Islamin në krye të herës. Hazret Zejdi r.a. mori pjesë në Betejën e Bedrit, si dhe në luftërat e mëpasshme. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shpërngul në Medinë, ai krijoi një lidhje vëllazërie midis Hazret Zejdit dhe Me’an ibn ‘Adi Ensariut r.a.. Të dy u martirizuan gjatë betejës së Jemames. Kur Hazret Halit ibn Velidi r.a. organizoi ushtrinë gjatë betejës së Jemames, ai emëroi Hazret Zejd ibn Hattabin r.a. si udhëheqës të një prej kontingjenteve të ushtrisë. Hazret Zejdi mbante gjithashtu flamurin e muhaxhirëve gjatë kësaj beteje.

Ai vazhdoi të përparonte me flamur në dorë dhe luftoi me guxim të pashembullt derisa ra dëshmor dhe flamuri u rrëzua përtokë. Salimi, skllavi i liruar i Ebu Hudhejfes r.a. ia mori flamurin dhe e siguroi atë nga sulmet. Gjatë kësaj beteje, Zejdi r.a. arriti të vriste Rrexhal ibn Unfuvah, i cili jo vetëm që ishte një kalorës i zoti, por edhe krahu i djathtë i Musejlimes.

Martirizimi i Hazret Zejd ibn Hatabit r.a.

Personi që e martirizoi Zejdin quhej Merjem Hanefi. Ai më vonë u bë musliman dhe në një rast, kur Hazreti Omeri r.a. e pyeti se si kishte martirizuar vëllain e tij, ai tha: “O Amir-ul-Mu’mineen [prijësi i besimtarëve]! Përmes duarve të mia Allahu i Plotfuqishëm e nderoi Zejdin, por as mua nuk më turpëroi nga duart e tij”. Me fjalë të tjera, Zejdi arriti gradën e martirit, por nëse unë do të vritesha nga duart e tij në atë çast, do të kisha pësuar një fund turpërues. Madje, mua më është mundësuar të pranoj Islamin.”

Djali i Hazret Omer ibn Hattabit r.a., Hazret Abdullah ibn Omeri r.a. gjithashtu kishte marrë pjesë në betejën e Jemames. Kur ai u kthye në Medine, Hazret Omeri r.a. i tha në pikëllim për martirizimin e vëllait të tij: “Pse je kthyer në Medinë, kur xhaxhai yt Zejdi, ka rënë shehit, dhe pse nuk fshive fytyrën tënde prej meje?”

Kur Hazret Omeri r.a. mori lajmin e martirizimit të Hazret Zejdit r.a. , ai tha: “Zejdi më ka kaluar në dy vepra të lavdishme. Ai më kaloi në pranimin e Islamit dhe gjithashtu ra dëshmor para meje”.

Kur Hazret Haliti r.a. vrau Malik ibn Nuvejren, vëllai i tij, Mutemmim ibn Nuvejra shkroi disa vargje duke vajtuar vdekjen e vëllait të tij Malik. Ai e donte shumë vëllain e tij, andaj shpesh përmallohej për të dhe këndonte vargje me dhimbje për vdekjen e tij. Kur e takoi Hazret Omerin r.a. në një rast, ai i recitoi disa nga ato vargje për vëllain e tij. Lidhur me këtë, Hazret Omeri r.a. tha: “Nëse do të dija të shkruaja poezinë, do të kisha thurur disa vargje për vdekjen e vëllait tim, Zejdit, njësoj siç ke bërë për vëllain tënd.” Mutemmimi ia ktheu hazërxhevap: “Nëse vëllai im do të kishte vdekur në të njëjtën mënyrë siç përfundoi vëllai yt, pra nëse do të kishte arritur gradën e martirizimit, nuk do të pikëllohesha më kurrë për vdekjen e tij.” Hazret Omeri r.a. u përgjigj:

“Askush nuk më ka shprehur ndonjë ngushëllimin kaq të bukur për vëllain tim ashtu siç keni shprehur sot.”

Hazret Omeri r.a. thoshte “Sa herë që fryn flladi i mëngjesit, më ngjallet kujtimi i tim vëlla”.[2]

Përshkrimi i luftës së Jemames

Tani t’i kthehemi përshkrimit të betejës. Musejlima Gënjeshtari i qëndronte ende i patundur në kundërshtimin e tij dhe ishte kthyer në figurën qendrore për rebelët në betejën e tyre kundër muslimanëve. Pas shqyrtimit të gjendjes, Hazret Haliti r.a. mbërriti në përfundimin se për sa kohë Musejlima ishte i gjallë, kjo nuk do të merrte fund, pasi rënia e krerëve të Benu Hanifes, nuk i demoralizonte aspak rebelët dhe nuk u bënte asnjë përshtypje.

Lufta e Jemames

Trimëria e Hazret Halit ibn Velidit r.a.

Prandaj Hazret Haliti r.a. vendosi të dilte përpara dhe nisi të thërriste secilin nga krerët e palës kundërshtare me emër për një dyluftim kokë më kokë. Ai ngriti dhe parullën e muslimanëve “Ja Muhammeda”. Kështu, kushdo që iu përgjigj kësaj thirrje dhe doli për ndeshje, u vra nga Hazret Haliti r.a.. Kjo u ngjalli muslimanëve një frymë të re dhe ata nisën luftën me zell të madh. Hazret Haliti r.a. sfidoi dhe Musejlimen për dyluftim, të cilën ai e pranoi. Hazret Haliti r.a. në fillim i dhuroi Musejlimes disa sende sipas dëshirës së tij. Më pas, ai iu vërsul Musejlimes, por ai mori arratinë dhe pas tij edhe shokët e tij gjithashtu u larguan nga fushëbeteja. Hazret Haliti r.a. u shpalli njerëzve: “Jini vigjilentë dhe mos tregoni asnjë gabim tani. Hidhuni në sulm dhe mos lejoni që asnjëri prej tyre të shpëtojë.” Pas kësaj, muslimanët u hodhën në sulm.[3]

Musejlima dhe rebelët ia mbathën nga frika

Sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. shfaqën shembullin më të lartë të durimit dhe qëndrueshmërisë në këtë luftë dhe vijuan ndjekjen e armikut derisa Allahu i Madhëruar u dha fitore madhështore ndërsa rebelët ia mbathën me të katra. Muslimanët i ndoqën rebelët, dhe i vranë duke ua goditur qafën me shpata, kurse i detyruan të tjerët të gjenin strehë në një pemishte.

Muhakim ibn Tufejli, një prijës i Benu Hanifes, u tha ushtarëve që iknin: “O njerëz! Hyni në këtë pemishte”. Ajo ishte një pemishte shumë e madhe, e rrethuar nga muret. Muhakkim ibn Tufejli nisi të përballej me muslimanët që i ndiqnin Benu Hanifet. Kjo oazë gjendej në afërsi të fushëbetejës dhe ishte në pronësinë e Musejlimes. Kjo pemishtje njihej si “Hadikatu-Rrahman”, sipas emrit të Musejlimes që njihej si “Rrahman al-Jemama”. Mirëpo, si pasojë e kërdisë së madhe të rebelëve në këtë pemishte, ajo u bë e njohur edhe si “Hadikatul-Maut”, d.m.th. “Pemishtja e Vdekjes”.

Musejlima Gënjeshtari gjithashtu hyri në pemishte për strehim së bashku me shokët e tij.

Trimëria e Hazret Bara’ ibn Malikut r.a.

Hazret Abdurrahman ibn Ebi Bekri r.a. kur e pa Muhakimin, një nga krerët e Benu Hanifes, duke iu drejtuar ushtarëve të tij, ai qëlloi menjëherë shigjetën në drejtim të tij dhe Muhakimi u vra në vend. Benu Hanifet mbyllën portën e pemishtes dhe kështu muslimanët e rrethuan atë nga të katër anët. Muslimanët provuan çdo mënyrë për të hyrë në pemishte, por pemishtja ishte ndërtuar si një kështjellë dhe pavarësisht këmbënguljes së tyre, muslimanët nuk mundën të gjenin asnjë mënyrë për të hyrë. Përfundimisht Hazret Bara’ ibn Maliku r.a., vëllai i Hazret Enes ibn Malikut r.a., i cili kishte luftuar përkrah të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në betejat e Uhudit dhe Hendekut, dhe ishte trim i rrallë u tha muslimanëve: “O vëllezër! Ka vetëm një rrugë për të hapur portën. Duhet të më hidhni brenda në pemishte që të hap portën.” Por muslimanët si mund të pranonin këtë ide, që një sahab kaq i nderuar të sakrfikonte jetën duke u hedhur vetëm në turmën e mijëra armiqve. Pra, muslimanët ia refuzuan kategorikisht këtë sugjerim. Por, Hazret Bara ibn Maliku r.a. u tha sërish në mënyrë këmbëngulëse:

“Ju betohem në Allah, ju duhet të ndihmoni që të kaloj murin e të hidhem në pemishte”.

Muslimanët e gjorë, duke mos gjetur asnjë zgjidhje tjetër, u detyruan ta ndihmonin atë që të ngjitej në murin e pemishtes. Pasi u ngjit në mur, Hazret Bara ibn Maliku r.a. pa numrin e madh të armiqve atje dhe për një çast u shtang në vend. Por më pas, lexoi emrin e Allahut, dhe u turr me vrap drejt portës së pemishtes. Në këtë përpjekje, ai u ndesh me kundërshtarët dhe duke e vrarë secilin që i dilte përpara, ai iu afrua portës. Më në fund, ai mbërriti te porta dhe e hapi atë. Muslimanët rrinin në pritë për hapjen e portës dhe sapo u hap porta, ata hyjnë me vrull dhe nisën të vrisnin çdo armik që u dilte përpara. Benu Hanifet u përpoqën të iknin, por nuk gjetën asnjë rrugëdalje nga pemishtja dhe si pasojë mijëra ushtarë u vranë nga muslimanët. Sipas një transmetimi, nuk ishte vetëm Bara ibn Maliku r.a., por edhe disa muslimanë të tjerë që ishin ngjitur në murin rrethues, dhe kishin shpejtuar drejt portës.[4]

Teksa muslimanët po ballafaqoheshin me rebelët, ata arritën të gjenin Musejlime Gënjeshtarin. Për të mbrojtur veten, ai qëndronte në një pjesë të çarë të murit, sikur të ishte një deve ngjyrë hiri. Ai donte të ngjitej në mur dhe ishte tërbuar nga zemërimi. Vahshi ibn Harbi, i cili e kishte martirizuar Hazret Hamzain r.a. në betejën e Uhudit, u nis drejt Musejlemes. Ai mbante të njëjtën shtizë, me të cilën kishte martirizuar Hazret Hamzain r.a.. Ai e hodhi shtizën drejt Musejlemes, e cila e goditi dhe e përshkoi atë tejendanë. Më pas, Ebu Duxhana Simak ibn Harshahu, shkoi me shpejtësi drejt tij dhe e qëlloi me shpatë, duke e lënë të pajetë. Një grua, e cila e shikonte këtë ngjarje, lëshoi një thirrje të fuqishme nga fortesa: “Prijësi më i bukur është vrarë nga një skllav me ngjyrë”.[5]

Kush e vrau Musejlima Gënjeshtarin?

Lidhur me çështjen se kush e vrau Musejlemen dhe e çoi në Xhehennem, Beladuri ka thënë: “Benu Amirët thonë se anëtar i fisit të tyre, përkatësisht Kidash ibn Beshiri e kishte vrarë Musejlimen”. Sipas një transmetimi, Abdullah ibn Zejdi nga fisi Hazrexh i Ensarëve e vrau atë. Disa [transmetime] tregojnë se Ebu Duxhana ishte auori i kësaj vrasjeje. Muavije ibn Sufjani gjithashtu kishte thënë se ishte ai që e vrau Musejlemen. Sipas disa transmetimeve, ekziston mundësia që të gjithë këta, të kenë pasur gisht në vrasjen e tij. Disa libra, të cilët përfshijnë Et-Tabariun, tregojnë se Musejlimen e kishin vrarë në bashkëpunim një Ensar dhe Vahshi.[6]

Rrëfimi prekës i Vahshi ibn Harbit

Vahshi ibn Harbi r.a. e ka transmetuar rrëfimin e vrasjes së Musejlimes me fjalët e tij. Ai thotë: “Pasi që e martirizova Hazret Hamzain r.a. në luftën e Uhudit, unë u ktheva në Mekë bashkë me njerëzit e tjerë. Unë qëndrova atje derisa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pushtoi Mekën dhe Islami u përhap në mbarë qytet. Pas rënies së Mekës, unë u shpërngula në Taif. Në atë kohë, njerëzit dërgonin emisarë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe ata më thanë gjithashtu se Profeti s.a.v.s. nuk i largon emisarët”.

Vahshiu vijon rrëfimin dhe thotë: “Pra, edhe unë u bashkua me këta emisarë dhe shkova të takoj të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Sapo më pa Profeti s.a.v.s. ai më pyeti: “A je Vahshi?” Unë iu përgjigja me pohim. Ai më tha: “Ulu dhe më trego hollësisht se si e kishe vrarë Hamzain.” Dhe kështu unë ia rrëfeva me detaje gjithë ngjarjen e martririzimit. Kur mbarova së rrëfyeri ngjarjen, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më pyeti: “A ka mundësi të mos më dalësh përpara?” Kështu, pas kësaj u largova prej andej.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë dhe Musejlima Gënjeshtari bëri thirrje për rebelim, unë thashë me vete se patjetër duhet të shkoj te Musejlima dhe ta vras atë, dhe në këtë mënyrë mund të shlyeja vrasjen e Hazret Hamzait r.a.. Unë shkova në luftë bashkë me muslimanët e tjerë dhe pastaj Musejlima pësoi atë që meritonte”.

Pastaj Vahshiu tregon: “Unë pashë një burrë që qëndronte në të çarat e shkëmbit. Trupi i ngjante një deveje ngjyrë gruri dhe flokët i ishin të çrregullta. Unë e qëllova me shtizë, e cila e goditi mu në gjoks dhe ia përshkoi kraharorin midis shpatullave.

Pastaj, Dikush nga mesi i ensarëve u hodh drejt tij dhe e goditi kokën me shpatë. Transmetuesi, Sulejman ibn Jesari rrëfen se ka dëgjuar nga Hazret Abudullah ibn Omeri r.a. se kur u vra Musejlima, një vajzë e re, e cila qëndronte në çatinë e asaj shtëpie, lëshoi thirrje: Një skllav i zi ka vrarë Amirul Muminin (d.m.th. Prijën e besimtarëve).” Ky përshkrim është marrë nga Buhariu.

Vahshiu tregon: “Allahu e di më së miri se cili prej nesh e vrau Musejlimen (d.m.th. ai ose sahabiu ensar). Mirëpo, nëse do të isha unë, atëherë do të isha unë që martirizova jo vetëm njeriun më të shkëlqyer pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., (d.m.th. Hazret Hamzain) po ashtu edhe njeriun më të lig [d.m.th. Musejlimen].”[7]

Karakteri i lartë i Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Për sa i përket hadithit të Sahih Buhariut, ku përmendet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte kërkuar Vahshiut që nëse kishte mundësi, të mos dilte para tij, Hazret Sjed Zejnul Abidin Veliullah Shah Sahibi ka shkruar që transformimi që ndodhi në qenien e Vahshihut pasqyron sinqeritetin e tij. Ishte dëshira e tij e zjarrtë që disi të shlyente gabimin e tij dhe në luftën e ashpër të Jemames, ai arriti ta përmbushte këtë dëshirë të hershme dhe t’ia dilte mbanë. Shah Sahibi mëtej shkruan se këto fjalë të Profetit të Shenjtë s.a.v.s.: فهل تستطيع أن تُغيِّبَ وجهكَ عني؟ “a mundesh të mos dalësh para meje?” Këto janë fjalë që pasqyrojnë moralin e lartë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s ia shprehu dëshirën që nëse ishte e mundur, ai të mos dilte para tij. Ky nuk ishte aspak një urdhër në një ton të prerë, që duhej zbatuar patjetër, por ishte një kërkesë me një ton përulësie që shfaq vetëm dashurinë dhe nderimin që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndiente për Hazret Hamzain r.a.. Po të ishte një njeri hakmarrës, ai mund të qetësonte veten duke marrë gjakun apo duke e ndëshkuar, por Profeti i Shenjtë s.a.v.s. e fali atë dhe shprehu vetëm këtë dëshirë që ai të mos dilte para tij dhe kështu fytyra e tij nuk do të shfaqej përballë dhe ai të mos i lëndonte zemrën duke i ngjallur kujtimet e Hazret Hamzait sesi ai ishte martirizuar brutalisht.[8]

Bëmat e lavdishme të Salimit, Ebu Hudhjefes dhe Thabitit r.a.

Përshkrimet e hollësishme të luftës së Jemames janë përmendur edhe në një vend tjetër dhe trimëria dhe guximi i muslimanëve është përmendur si në vijim:

Të dy ushtritë u ndeshën me njëra-tjetrën në një betejë të ashpër dhe mjaft njerëz nga secila palë ose u vranë ose mbetën të plagosur. Malik ibn Ausi ishte i pari nga muslimanët që ra dëshmor [në këtë betejë] dhe një mori Hafizësh gjiathashtu u martirizuan. Ushtria muslimane dhe ajo e Musejlimes u përleshën në një betejë të ashpër dhe ushtarët e secilës anë u futën në rreshtat e kundërshtarit. Sa herë që tërhiqeshin muslimanët, armiku përparonte me shpejtësi, që të lironte Muxha’an.

Në këtë gjendje, Salimi, skllavi i liruar i Ebu Hudhejfes hapi një gropë dhe mbuloi veten pothuajse deri në gju dhe ngriti flamurin e muhaxhirëve. Thabiti gjithashtu hapi një gropë të ngjashme dhe mbuloi veten me dhe deri në gju. Ata të dy rrokën fort flamujt e tyre përkatës, ndërsa ushtria muslimane ishte shpërndarë në të gjitha drejtimet. Me fjalë të tjera, ata hapën një gropë dhe më pas qëndruan në të dhe i lidhën flamujt e tyre me vete. Salimi dhe Thabiti qëndruan të palëkundur me flamujt e tyre derisa Salimi dhe Ebu Hudhejfa ranë dëshmorë. Koka e Hazret Ebu Hudhjfes mbështetej te këmbët e Salimit, ndërkohë koka e Salimit në këmbët e Hazret Ebu Hudhejfes. Kur Salimi ra dëshmor, për pak kohë edhe flamuri i tij mbeti përtokë, por pastaj Jezid ibn Kaisi, i cili ishte sahabiu i Bedrit, doli përpara dhe ngriti flamurin. Megjithatë, edhe ai ra dëshmor. Pastaj, Hakam ibn Said ibn Asi e rroki flamurin dhe kaloi tërë ditën duke luftuar dhe duke e mbrojtur flamurin, por përfundimisht edhe ai ra dëshmor.

Vahshiu rrëfen këtë ngjarje me këto fjalë:

“Lufta ishte tejet e ashpër dhe tri herë muslimanët u detyruan të tërhiqeshin, por herën e katërt ata bënë një kundërsulm të rrufeshëm dhe kësaj here ata shfaqën një vullnet të pamposhtur dhe me një forcë të pathyeshme qëndruan përballë vringëllimave të shpatave. Kam parë se si shpatat e muslimanëve dhe të Benu Hanifes binin mbi njëra-tjetrën dhe unë shikoja se si përplasja e tyre nxirrte shkëndija dhe dëgjoja vringëlimat e tyre. Allahu i Plotfuqishëm na dha ndihmë kundër armiqve, dhe vrau Musejlemen, dhe përfundimisht Benu Hanifet pësuan një humbje të thellë. Atë ditë kam përdorur shpatën time me kaq forcë dhe mjeshtëri saqë ajo ishte mbuluar me gjak deri në dorezë”.

Hazret Ibn Omeri thotë se ai kishte parë Hazret Amar ibn Jasirin duke u ngjitur në një mal dhe duke bërë thirrje: “O muslimanë! A po i ikni parajsës? Unë jam Amar i biri i Jasirit, ejani drejt meje!” Transmetuesi rrëfen se e kishte parë Jasirin ndërsa veshi i tij i prerë ishte i varur.

Heroizmi i Hazret Ebu Duxhanës r.a.

Ebu Hathima Nexhari thotë: “Kur muslimanët ishin mbizotëruar dhe zmbrapsur në luftën e Jemames, unë u tërhoqa në njërën anë dhe pashë Hazret Ebu Duxhanen”. Emri i tij aktual ishte Simak ibn Harsha dhe njihej me nofkën Ebu Duxhana. Ai është sahabiu i famshëm, i cili kishte marrë pjesë në të gjitha betejat përkrah Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Madje, në luftën e Uhudit, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mbante një shpatë në dorë dhe kishte thënë “Kush do t’i bëjë hak kësaj shpate?” dhe ishte pikërisht Ebu Duxhana, ai që tha: “Unë do t’i bëj hak kësaj shpate.” Më pas, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha atij shpatën. Në transmetime të tjera është përmendur gjithashtu se Ebu Duxhana e pyeti Profetin: “Çfarë është haku i kësaj shpate?” Profeti i Shenjtë s.a.v.s. iu përgjigj: “Muslimanin mos e vrit, dhe mohuesit mos i shpëto”.

Hazret Ebu Duxhana si zakonisht kishte lidhur në kokë një rrip të kuq dhe ecte krenarisht në fushë beteje. Ai qëndroi mu përpara rreshtave të ushtrisë. Mbi këtë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë: “Ndonëse Zoti nuk i pëlqen kjo mënyrë e të ecurit, megjithatë nuk ka asnjë të keqe nëse bëhet në raste të tilla.” Hazret Ebu Duxhana pastaj luftoi me trimëri të madhe dhe vrau shumë jobesimtarë. Duke mbrojtur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. ai duroi shumë plagë megjithatë, nuk pranoi të largohej nga fusha e betejës.

Sidoqoftë, t’i kthehemi betejës së Jemames. Ato ngjarje që sapo kam përmendur në lidhje me Hazret Ebu Duxhanen, kishin ndodhur gjatë jetës së Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Tani, t’i kthehemi luftës së Jemames. Është përmendur se një grup ushtarësh nga Benu Hanifet sulmoi Ebu Duxhanen. Ebu Duxhana luftonte trimërisht me shpatën para e mbrapa, në të djathtë dhe në të majtë. Ai qëlloi një person dhe e rrëzoi për tokë. Në atë çast, ai nuk tha asgjë, dhe grupi i kundërshtarëve u tërhoq dhe u largua, ndërsa muslimanët arritën t’i afroheshin atij. Benu Hanifet pësuan disfatë dhe për t’u strehuar morën drejtimin e kopshtit. Muslimanët shkuan në ndjekjen e tyre dhe ua shtrënguan rrethimin duke i detyruar të mbylleshin brenda kësaj pemishteje.

Kur Benu Hanifet mbyllën portën e kopshtit, Hazret Ebu Duxhana kërkoi që muslimanët ta vendosnin në një mburojë dhe ta kalonin atë më tanë murit me qëllim që ai mund të hynte në pemishte dhe të hapte portën kryesore. Muslimanët vepruan ashtu dhe ai hyri brenda në pemishte. Ai po u thoshte rebelëve që tentonin të arratiseshin se ikja e tyre nuk mund t’i shpëtonte. Ai luftoi trimërisht kundër tyre dhe më në fund arriti të hapte portën kryesore. Një transmetues rrëfen se kur muslimanët hyrën në pemishte, Hazret Ebu Duxhana tashmë kishte rënë dëshmor. Sipas një transmetimi tjetër, ishte Hazret Bara’ ibn Maliku, ai që ishte hedhur në pemishte, megjithatë transmetimi i mëparshëm duket se është më i saktë.[9]

Ka disa detaje të tjera për këtë ngjarje të cilat do t’ju përmend insha-Allah në të ardhmen.

Një thirrje për lutje

Tani, do të doja t’ju bëj thirrje për lutje për Pakistanin. Lutuni veçanërisht për ahmedianët [që jetojnë atje]. Situata e përgjithshme në Pakistan po përkeqësohet ngadalë; në rrethana të tilla ata zakonisht e kthejnë vëmendjen e tyre te ahmedianët. Armiqësia dhe urrejtja [kundër ahmedianëve] po përshkallëzohet. Ata nuk kanë turp as nga çnderimi dhe hapja e varreve të vjetra. Këta njerëz janë jashtëzakonisht të ndyrë dhe moralisht të korruptuar. Allahu i Madhëruar i mbajttë në llogari! Lutuni gjithashtu për ahmedianët që jetojnë në Algjeri, sepse ata gjithashtu po përballen me vështirësi; po ashtu lutuni për ahmedianët në Afganistan. Allahu i Madhëruar dhuroftë mirësinë dhe bekimin e Tij mbi të gjithë!

Namazet e xhenazes

Tani, do të përmend disa anëtarë, të cilët kanë ndërruar jetë dhe më pas do të prij namazin e xhenazes së tyre [në mungesë] pas namazit të xhumasë.

  1. Nasim Mehdi sahibi, ish kryemisionar në Zvicër, Kanada dhe ShBA

Së pari, do të përmend vdekjen e të nderuarit Nasim Mehdi Sahib, i cili ishte një misionar i Xhematit. Ai ishte djali i të nderuarit Mevlana Ahmad Khan Naseem sahibit. Ai është ndarë nga jeta para disa ditësh, në moshën 69-vjeçare. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ Vërtetë, ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.

Me mirësinë e Allahut, ai ishte gjithashtu anëtar i sistemit të Vesijetit. Nasim Mehdi sahibi kishte bërë dy martesa. Bashkëshortja e tij e parë ka ndërruar jetë dhe i ndjeri ka lënë pas gruan e dytë. Ai gjithashtu ka lënë dy djem dhe një vajzë nga bashkëshortja e parë dhe dy djem e një vajzë nga gruaja e dytë.

I ndjeri u diplomua nga Xhamia Ahmedia në Rabvah, Paksitan në 1976 dhe shërbeu në departamentin lokal të Edukimit dhe Udhëzimit. Në vitin 1983, ai u caktua si misionar në Zvicër dhe pati mundësinë të shërbente edhe atje. Në vitin 1984, ai u emërua si Zëvendës Drejtor i Thirrjes (Tebshirit) dhe për disa muaj shërbeu edhe si ushtrues detyre për Drejtorin e Thirrjes. Në dhjetor 1984, ai erdhi këtu në Londër dhe shërbeu si Sekretar Personal i Kalifatul Masih.

Pas qëndrimit disa mujor këtu në Londër në vitin 1985, ai u emërua si misionar në Kanada. Nga viti 1985 deri në 2008, ai pati mundësinë të shërbente si misionar dhe më vonë si krye-misionar dhe Kryetari i Xhematit në Kanada.

Nga viti 2009 deri në vitin 2016 ai pati mundësinë të shërbente si Krye-misionar në ShBA. Më pas, ai u sëmur dhe në këtë kohë, ishte emëruar përsëri në Zvicër. Ai kishte shkruar se mjekët e kishin këshilluar që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk duhet të merrte përsipër ndonjë punë të rëndë dhe kështu ai kërkoi pushim për një kohë të pacaktuar. Dhe kështu i shkrova që sipas gjendjes së tij shëndetësore dhe konform këshillave mjekësore, ai duhet të kujdeset për shëndetin e tij dhe pasi të jetë shëruar plotësisht, le të na informojë dhe inshAllah shërbimet e tij do të shfrytëzohen sërish. Meejithatë, gjendja e tij shëndetësore nuk pati përmirsëim, madje vijoi të përkeqësohej.

Siç e kam përmendur, ai shkoi në Kanada në vitin 1985 dhe në vitin 1986 Xhemati bleu 24 hektarë tokë për shtëpinë e misionit “Bejtul Islam” e cila më pas u shndërrua në një zonë banimi. Shumë ahmedianë ishin shpërngulur në Kanada gjatë periudhës së tij atje, dhe në këtë kohë, ai i ndihmoi ata në çdo mënyrë të mundshme. Anëtarët që kanë përfituar prej tij, janë jashtëzakonisht mirënjohës për mirësinë e tij. Ai kishte digjitalizuar sistemin financiar dhe regjistrimit të anëtarëve. Po kështu, u ndërtuan dy xhami të mëdha në Toronto dhe Kalgari, po ashtu u krijuan disa qendra për namaz në Xhematet e ndryshme. Besoj se ndoshta në kohën e tij është ndërtuar edhe xhamia e Vankuverit. Sido që të jetë, sigurisht që janë ndërtuar dy xhami të mëdha [gjatë kohës së tij atje].

Në vitin 2003, me mëshirën e Allahut të Plotfuqishëm, po gjatë mandatit të tij, u themelua Xhamia Ahmedia Kanada. Po ashtu, ai luajti rolin kryesor në themelimin e Stacionit të MTA-së në Amerikën Veriore. Allahu i Madhëruar i pranoftë të gjitha shërbimet e tij!

Bashkëshortja e tij, znj. Amatul Nasir sahiba shkruan: “Në 26 vitet e martesës sonë, e kam gjetur Nasim Mehdi Sahibin gjithmonë pranë meje në çdo pikëllim a dhimbje. Ai ishte një bashkëshort shumë i dashur dhe i respektueshëm, një baba i shkëlqyer dhe një vëlla i përkushtuar. Ai kujdesej shumë për të respektuar vlerat njerëzore dhe qëndronte gjithmonë si një shërbëtor besnik dhe i nënshtruar i Kalifatit. Ai kishte besim të plotë në Allahun e Madhëruar dhe ishte një njeri i devotshëm.”

Ajo shkruan më tej: “Nasim sahibi u shërbeu njerëzve me vetëmohim të plotë, dhe i takonte të gjithë me dashuri e dhembshuri. Ai kurrë nuk mund të duronte të thuhej ndonjë gjë kundër Xhematit dhe asksuh nuk kishte guxim të thoshte gjëra të tilla në praninë e tij. Ai ishte gjithashtu jashtëzakonisht mikpritës. Ai gjithmonë do t’i kushtonte vëmendje të veçantë dërgimit të salavateve.” Ajo thotë: “Kur shkuam për Umre, e pyeta se për çfarë ishte lutur. Ai u përgjigj duke thënë se ai i kishte dërguar vetëm salavate të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..”

Vajza e tij znj. Sadia Mehdi thotë: “Babai im ishte shumë i përkushtuar ndaj namazit.” Ajo thotë: “Sa herë që i kërkoja lutje, ai më këshillonte të dëigoja Salavate. Për çdo çështje që i kërkoja lutje ai më tërhiqte vëmendjen ndaj dërgimit të salavateve. Një ditë e pyeta se pse këshillonte leximin e salavateve për çdo çështje. Ai u përgjigj duke më këshilluar të dërgoja salavate dhe pastaj më shpjegoi se salavatet përbëjnë lutjen më të rëndësishme dhe nëse pranohet kjo lutje, do të pranohen edhe të gjitha lutjet e tjera.”

Pastaj znj. Ismet Sherif thotë: “Mehdi Sahibi ishte kunati im. Unë e kam parë nga afër për 22 vjet. Ai sillej gjithmonë me respekt, dhembshuri e ngrohtësi dhe takonte të gjithë me shumë dashuri. Ai kishte një lidhje të thellë dashurie me Kalifin e kohës.”

Motra e tij shkruan: “Kur ai po shërbente si misionar në Zvicër, një vajzë zvicerane që kishte pranuar Xhematin, erdhi në Rabvah me rastin e Xhelsa Salanës. Ajo na vizitoi në shtëpinë tonë në Rabvah, duke thënë se donte të takonte nënën e Nasim Mehdi Sahibit. Ajo ishte shprehur se donte të takonte nënën e atij djali që ishte jashtëzakonisht inteligjent dhe i cili, në një kohë rekord, kishte zotëruar kaq shumë gjuhë, dhe i cili ishte i angazhuar në punën e thirrjes pa asnjë pengesë dhe ishte në gjendje të flasë rrjedhshëm mbi çdo temë.”

Nusja e djalit të tij shkruan: “Ai gjithmonë na mësoi për rëndësinë e salavateve dhe dobinë e saj si një mjet mbështetës për pranimin e lutjeve tona. Një herë, ai tregoi se ishte në airoport duke pritur për radhën e tij, kur papritmas ai vuri re se pasaporta i kishte skaduar. Ai nisi menjëherë të recitonte salavatete dhe vazhdoi të priste radhën e tij. Personi që qëndronte në sportel nuk e kontrolloi aspak pasaportën dhe e la të kalonte”.

Dhëndri i tij shkruan: “Që kur jam martuar me vajzën e tij, i ndjeri ka kushtuar dashuri dhe dashamirësi ndaj meje. Ai përgatiste çaj për mua dhe shpeshherë pas namazit të sabahut, ai ulej me mua dhe më shpjegonte ndonjë ajet nga Kurani Famëlartë ose ndonjë ngjarje historike. Kjo ishte mënyra e tij e këndshme për edukimin tonë.”

Vajza e tij znj. Naval Mehdi thotë: “Gjithmonë kam vërejtur se ai i kushtonte një vëmendje të veçantë Kuranit Famëlartë dhe se ai ishte një dashmamirës ii zjarrtë i Kuranit të Shenjtë. Ai gjithashtu na porosiste të studionim me vëmendje Kuranin dhe të përpiqeshim të kuptonim temat e tij. Për shkak të këtyre porosive, ne ishim në gjendje të dëshmonim shfaqjen e fuqisë së Allahut dhe kishim nisur të kënaqeshim me leximin e Kuranit”. Ajo thotë: “Babi falte rregullisht namazin e Tehaxhudit. Ai kalonte një kohë të gjatë duke qëndruar në këmbë, në ruku dhe në sexhde në namaz dhe e falte namazin me një përmallim dhe përkushtim të madh. Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ai mbante vaze nga Kurani dhe bënte përgatitje të veçantë për to (për këtë kanë shkruar edhe shumë të tjerë). Në këtë vaze, ndër të tjerash, Ai shpjegonte kuptimet leksike të fjalëve të vështira nga Kuranin Famëlartë dhe do tregonte fjalë të tjera sninonime që do t’i ndihmonin njerëzit të kuptojnë lehtësisht.”

Lal Khan Sahibi, Kryetar i Xhematit të Kanadasë thotë: “Që nga viti 1987, kam pasur nderin të punoja me ish-Kryetarin dhe Kryemisionarin e Kanadasë. Allahu i Madhëruar i kishte dhuruar cilësi të veçanta, të cilat ai i përdori në shërbim të Xhematit. Allahu i Madhëruar ia mundësoi të krijonte lidhjet miqësore, të cilat ai arriti të ruante e t’i përdorte në dobi të Xhematit. Nëpërmjet raportit personal me departamente të ndryshme të shoqërisë kanadeze, ai ua përcolli mesazhin e Xhematit”.

Masha’Allah me të vërtetë, i ndjeri posedonte këtë cilësi të shkëlqyer dhe ishte në gjendje të ndërtonte lidhje të qëndreshme, ndërsa ata që erdhën pas tij, gjithashtu i ruajtën këto marrëdhënie. Prandaj, pas vdekjes së tij, shumë joahmedianë gjithashtu kanë shprehur ngushëllimet e tyre. Lal Khan Sahib më tej shkruan: “Allahu i Plotfuqishëm e mundësoi atë të përmbushte detyrën e tij, duke ndihmuar dhe mbështetur njerëzit dhe familjet që mbërritën në Kanada nga Pakistani dhe vende të tjera.”

Më pas ai thotë: “Marrëdhënia e tij me anëtarët e Mexhlisi Amiles ishte mjaft miqësore”. Ai thotë: “Kam qenë në gjendje të shërbej nën drejtimin e tij për rreth 20 vjet, dhe gjatë kësaj periudhe ai kurrë nuk më bëri të ndihesha se isha vartës i tij meqë ai vetë ishte Amir. Përkundrazi, ai gjithmonë më trajtoi si një mik.”

Dr. Esfend Daud Sahibi thotë, “Në vitin 2009, Nasim Mahdi sahibi u dekorua me medaljen e Urdhrit të Ontarios, e cila është titulli më i lartë i provincës që mund t’i jepet dikujt, për të njohur dhe për të vlerësuar veprimtarinë e suksesshme dhe shërbimin e jashtëzakonshëm në ndonjë fushë.” Ai thotë: “Kur jam caktuar në Amerikë, e takova një herë në Xhelsa Salana. Pikërisht atëherë, ai më këshilloi duke thënë se tani isha në një gjendje t’u shërbeja më mirë njerëzve. Më tha: Sa herë që ju vjen, ndonjë anëtar i Xhematit, ndihmojeni atë dhe kurrë nuk e qortoni. Bëni gjithçka që është e mundur për të. Ai gjithashtu tha se ndonjëherë njerëzit nuk tregojnë realitetin, megjithatë duhet të përpiqeni t’i ndihmoni fshehurazi duke ua mësuar hallet e tyre.” Ai thotë, “Unë gjithmonë e kam parë të ndjerin duke i ndihmuar të tjerët në nevojë dhe ai e bënte këtë fshehurazi, në mënyrë që ata që janë në nevojë të mos ndjenin kurrë ndonjë siklet.”

Shakur Sahib, i cili shërben si imam, thotë: “Nga këshillat e tij të shumta, një që më ka ngelur në mendje, është se në vitet e mia të hershme në Xhamia, kur isha në vitin e tretë, shkova në xhami për namazin e ikindisë dhe kisha mbathur pantofla. Ai më tha se ata që janë Vakifi Zindagi (pra kanë dedikuar jetën e tyre në shërbim të fesë) kur të dalin nga shtëpia, duhet të jenë të përgatitur për çdo rrethanë, në mënyrë që nëse marrin ndonjë udhëzim, të nisen menjëherë për ta përmbushur atë. Nuk duhet të thoni që së pari duhet të ktheheni në shtëpi për t’u përgatitur. Njeriu duhet të jetë gjithmonë i gatshëm mendërisht dhe fizikisht.”

Frasat Omer sahibi, i cili shërben si misionar në ShBA ka shkruar: “Gjatë intervistës sime për regjistrimin në Xhamia Ahmedia, Mahdi Sahibi më pyeti që nëse më caktojnë në Afrikë si misionar dhe aty përballem me kundërshtimin e banorëve lokalë, kë do të kontaktoja më parë; nënën time apo Hazret Kalifatul Masih?” Unë mendova pak, pastaj iu përgjigja që do ta lajmëroja së pari Hazret Kalifatul Masih. Mehdi Sahibi më tha se do të rekomandonte emrin tim për Xhamia, vetëm sepse kisha dhënë një përgjigje të saktë.”

Koloneli Dildar sahibi, i cili shërben si sekretar në Shtëpinë e Misionit thotë: “Një aspekt i spikatur i Nasim Mehdi Sahibit ishte bindja e tij ndaj Kalifëve. Një ndër veprat e tij është realizimi i “Fshatit të Paqes”. Mënyra se si u realizua kjo vepër është se në atë kohë Xhelsa Salana mbahej në fushën ngjitur me xhaminë Bejtul Islam. Atëherë, pronarja e tokës bujqësore që gjendej përbëri xhamisë, ankohej çdo vit me rastin e Xhalsës se e shqetësonte zhurma e Xhalsës dhe nuk mund të duronte erën e ushqimit që dilte nga kuzhina kryesore. Megjithatë, më vonë kur qeveria zbatoi rregullat e reja për kategorizimin e tokave, u vendos që ajo tokë bujqësore të kthehej në një zonë banimi. Nasim Mehdi Sahibi ishte shqetësuar se deri atëherë ishte vetëm një pronar toke që u shkaktonte telashe, por tani, do të kishte shumë pronarë tokash dhe kjo çështje do të bëhej edhe më e vështirë sepse shumë njerëz do të ndërtonin banesat e reja. Për këtë arsye, me rastin e bajramit, ai u propozoi anëtarëve të xhematit një skemë që të gjitha shtëpitë e reja t’i blejnë ahmedianët. Kështu, anëtarët e xhematit iu përgjigjën kësaj thirrjeje dhe me mëshirën e Allahut, si rezultat u krijua komuniteti i fshatit të paqes.”

Zishan Goraja sahibi, një misionar, shkruan se shumë të rinj morën edukatën morale nga Nasim Mahdi sahibi dhe për shkak të këtij trajnimi moral, ata tashmë po shërbejnë si misionarë në vende të ndryshme të botës dhe po i shërbejnë xhematit. Për shkak të këtij edukimi moral, ata ushqejnë brenda vetes një frymë dashurie dhe besnikërie ndaj Kalifatit.

Në mënyrë të ngjashme, Asif Khan Sahib, sekretari i punëve të jashtme në Kanada shkruan: “Isha 13 vjeç kur kam ardhur në Vaughan. Në atë kohë, kishte rreth dhjetëra shtëpi ahmediane përreth shtëpisë së misionit. Në atë kohë, njohuria ime rreth xhematit, ishte shumë e kufizuar, por ai u bë mësuesi im dhe më mësoi si një fëmijë. Ai do të luante basketboll, megjithatë gjatë gjithë kohës na jepte mësimet e Xhematit. Kur jam rritur, ai më dha detyrën për të kontaktuar politikanët e ndryshëm.” Edhe sot [Asif Khan Sahibi], vazhdon të bëjë aktivitete të shkëlqyera në këtë fushë. Ai shkruan, “Unë i detyrohem atij për këtë përgatitje gjatë viteve të mia të formimit.”

Mirza Maghfur Ahmad Sahibi, Kryetari Kombëtar i Xhematit në ShBA shkruan: “Në vitin 2016, Nasim Mahdi Sahib pati mundësinë të shërbente në ShBA si Kryemisionar dhe Kryetar Kombëtar. Gjatë kësaj kohe, ai realizoi vepra të shkëlqyera në ShBA. Ai ndërmori udhëtime të gjata dhe nisi përpjekjet për përhapjen e Islamit në qytete të ndryshme me rezultate mbresëlënëse. Ai pati mundësinë të përhapte Islamin-Ahmediatin në Amerikë përmes mediave dhe fushatave të ndryshme. Në dritën e udhëzimeve që ai mori nga Qendra për të themeluar degën e Xhematit në Meksikë, ai arriti të ndërtonte shtëpinë e misionit atje.”

Vesim Sjed sahibi, Sekretari i Thirrje në ShBA shkruan: “I ndjeri gjithmonë përpiqej të krijonte një lidhje dashurie dhe dhembshurie midis njerëzve dhe ishte gjithmonë i pari që vepronte në këtë drejtim. Ai dinte të motivonte të gjithë për t’i shërbyer Islamit. Pas ardhjes në ShBA, ai praktikisht i ktheu programet dhe evenimentet e ndryshme që mbahen për të kujtuar sulmin e 11 shtatorit në instrumente të fuqishme të përhapjes së mësimeve të Islamit. Ai gjithashtu nisi iniciativat si “Muslim for Life” (muslimanët për jetën) dhe “Muhammad: Messenger of Peace“ (Muhammed, Lajmëtar i Paqes). Për këto tema u mbajtën ligjërime në 65 universitete në ShBA. Për të gjithë pjesëmarrësit në këto programe, u jepej libri “Jeta e Muhamedit” në mënyrë masive. Ai gjithashtu filloi fushatën “Muslim for Loyalty” (d.m.th. Muslimanët për besnikëri). Ai mbajti ligjërime në universitete të ndryshme, kreu takime me përfaqësuesit e qeverisjes vendore dhe ngriti ndërgjegjësimin për mësimet e Islamit.”

Gjatë fjalimit në Xhelsa Salana, Hazret Kalifatul Masih III r.h. njëherë duke nënvizuar përpjekjet e Xhematit në Zvicër në lidhje me projektin e prodhimit të fletushkave informuese kishte përmendur gjithashtu angazhimin e Nasim Mehdi sahibit. Ai kishte thënë: “Në zonat malore të Zvicrës, jetojnë kryesisht tri fise, të cilët kujdesen për bagëtinë nëpër alpe. Të tri fiset flasin gjuhë të ndryshme. Fisi më i madh ka 28.000 pjesëtarë, ndërsa të tjerët janë më pak se kaq. Megjithatë, ai shprehet: “Rastësisht, ai botoi një fletushkë për fisin që kishte 28 mijë pjesëtarë dhe Allahu e shpërbleftë Nasim Mehdi sahibin se ai u këshillua me mua dhe arriti të shpërndante 8 mijë fletushkë pothuaj në çdo shtëpi. Kur ai përcolli këtë fletushkë në çdo shtëpi të asaj krahine, si pasojë u bë një zhurmë e madhe. Dy gazetat vendase botuan shkrimet kritike ndaj këtij aksioni. Unë i thashë se kjo lutje është pranuar në favor të tij, për faktin se janë shpërndarë qindra mijëra fletushka.” Megjithatë, ky ishte një raport i shkurtër i paraqitur nga Hazret Khalifatul Masih III r.a. gjatë Xhelsas Salanës.

Allahu e faltë të ndjerin dhe e mbuloftë me mëshirën e Tij! Allahu ia lartësoftë shkallat në Xhenet dhe i dhuroftë një vend të posaçëm në mesin e të dashurve të tij! Allahu i dhuroftë durim bashkëshortes dhe fëmijëve të tij dhe i mundësoftë t’i mbajnë gjallë virtytet e të ndjerit! Ashtu siç ai kaloi jetën me besnikëri, edhe pasardhësit e tij ta kalojnë jetën e tyre me besnikëri e sinqeritet.

  1. Muhammed Ahmed Sharim nga Rabva, Pakistani

Më pas, do të përmend Muhammed Ahmed Sharimin nga Rabva, Pakistani. Ky djalë ka ndërruar jetë në moshën 16-vjeçare. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi). Ai ishte djalë i pashëm, gjithmonë i buzëqeshur dhe i dashur për të gjithë, i cili e donte shumë kalifatin. Ai kontribuonte me ngazëllim dhe entuziazëm të madh në skema të ndryshme financiare dhe merrte pjesë rregullisht në programet e xhematit si dhe të organizatave simotra.

Me mëshirën e Allahut, ai ishte anëtar i sistemit të Vesijetit dhe ishte anëtarësuar në këtë skemë në këtë moshë të re. Përveç dy prindërve, ka lënë pas dy motrat. Allahu i Madhërishëm u dhëntë durim dhe kurajë të gjithë të pikëlluarve!.

  1. Znj. Selima Kamar nga Pakistani

Së treti, do të përmend znj. Selime Kamer, bashkëshorten e Rashid Ahmad sahibit. Ajo ka ndërruar jetë më 16 maj 2022. إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ (Vërtet, jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi).

Me mëshirën e Allahut të Madhëruar, ajo ishte pjesëtare e skemës së Vesijatit. Kontaki i parë me xhematin, në familjen e saj kishte ndodhur nëpërmjet Hazret Molvi Veziruddin Sahibit r.a. nga Mukerian, i cili ishte stërgjyshi i saj ose gyshi i babait të saj, Çaudri Muhammed Siddik. Hazret Molvi Veziruddin Sahibi r.a. ishte sahabiu i  Mesihut të Premtuar a.s. dhe shërbente si drejtor shkolle në Kangra, Indi.

Babai i saj, Çaudari Muhammad Sidik sahibi, i cili kishte kryer Molvi Fazil, ishte një figurë e njohur e Xhematit. Për një kohë të gjatë ai pati mundësinë të shërbente si drejtues i Bibliotekës së Kalifatit. Ai gjithashtu pati mundësinë të shërbente si Sadr Umumi në Rabva për një kohë mjaft të gjatë. Ai gjithashtu pati nderin, që sipas porosisë së Hazret Kalifatul Masih II r.a., të ngrinte një tendë dhe të kalonte natën e parë në Rabvah, pas themelimit të këtij qyteti të ri. E ndjera znj. Selima kishte marrë arsimin e hershëm në Rabva dhe më pas studimet master në gjuhën arabe nga Talimul Islam Kolegj.

E ndjera shërbeu në departamente të ndryshme për një periudhë të gjatë. Nga viti 1972 deri në vitin 1982, ajo pati mundësinë të shërbente në nivelin lokal të organizatës Lexhna Imaillah si sekretare e përgjithshme. Nga viti 1982 deri në 1987, ajo shërbeu si bibliotekare në Bibliotekën “Amatul Haj”. Nga viti 1987 deri në vitin 2018, për një periudhë prej 31 vitesh, ajo shërbeu si redaktore e revistës “Misbah”, kohë gjatë së cilës ajo e drejtoi revistën në mënyrë të shkëlqyer, pavarësisht rrethanave të vështira.

E ndjera kishte një natyrë fisnike, të dëlirës dhe të thjeshtë dhe besonte në fuqinë e lutjes. Ajo ishte e rregullt në faljen e namazeve të Tahaxhudit, si dhe në namazet e tjera vullnetare si çasht dhe ishrak. Ajo ishte thellësisht dhe sinqerisht e përkushtuar ndaj institutit të Kalifatit në xhematin Ahmedije. Çdo aspekt i jetës së saj spikaste fuqinë e lutjes. Ajo ishte një grua e virtytshme me sjellje të lartë morale. E ndjera i trajtonte të gjithë me dashuri e simpati të thellë, dhe nuk mërzitej kurrë me askënd. Allahu i Madhëruar e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerën dhe ia lartësoftë shkallët në xhenet! Allahu u mundësoftë pasardhësve të saj që t’i mbajnë gjallë virtytet e së ndjerës! amin

[1] El-Bidaja ven-Nihaja, vëll. 3, pjesa 6, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 2001, f. 320.
[2] Tarikh et-Teberi, vëll. 2, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 1987, f. 280, el-Iktifa, vëll. 2, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 1420 hixhri, f. 111.
[3] El-Kamil fit-Tarikh li-Ibn Ethir Dhikru Musejlimeh ve Ehlul-Jemameti, vëll. 2, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 2003, f. 221.
[4] Muhammed Husejn Hejkel. Hazret Ebu Bakr es-Sidik, f. 200-201, El-Bidaja ven-Nihaja, vëll. 3, pjesa 6, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 2001, f. 321, Mu’xhemul Buldan, vëll. 2, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 268, Usdul-Ghaba, vëll. 1, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 2016, f. 363-364.
[5] El-Bidaja ven-Nihaja, vëll. 3, pjesa 6, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 2001, f. 321, Es-siretun Nebivija Li-Ibn Hisham, Darul Kutub el-Imija, 2001, f. 528.
[6] Prof. Ali Muhsin Sidiki, Es-Sidik, f. 102-103.
[7] Es-siretun Nebivija Li-Ibn Hisham, Darul Kutub el-Imija, 2001, f. 528., Sahih el-Buhariu, Kitab: el-Magazi, Bab: Katlu Hamza ibn Abdil-Mutalibi, nr. 4072.
[8] Zejnul Abidin, Sahih el-Buhariu, përkthim në Urdu, vëll. 8, f. 198-199.
[9] El-Iktifa, vëll. 2, Darul Kutub el-Ilmija, Bejrut, 1420 h., f. 121-126., Sahih el-Muslimi, Kitab: Fedailus-Sahabeti, Bab: Min Fedaili Ebu Duxhana…, Hadith nr. 6353, Kunzul ‘Um-mal, vëll. 4, Musesetur-Rrisala, Bejrut, 1985, f. 339, hadith nr. 10792.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem