Xhelsa Salana e Anglisë 2022: Porositë për vullnetarët dhe pjesëmarrësit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Xhelsa Salana e Anglisë 2022: Porositë për vullnetarët dhe pjesëmarrësit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Përkthim në shqip i fjalimit të së xhumasë së mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 05.08.2022.)

Përgjegjësitë e vullnetarëve dhe pjesëmarrësve të Xhelsa Salanës

Pas vitit 2019, kjo është hera e parë që Xhelsa Salana në Mbretërinë e Bashkuar po mbahet sërish në përmasat më të gjera. Ndonëse Xhelsa Salana është mbajtur edhe gjatë vitit të kaluar, por me një kapacitet të kufizuar. Edhe pse vetëm Xhemati i Mbretërisë së Bashkuar dhe një numër shumë i kufizuar i mysafirëve të jashtëm po marrin pjesë në Xhelsa Salana të këtij viti, çdo Xhemat brenda Mbretërisë së Bashkuar lejohet të marrë pjesë në të tri ditët dhe ata do ta bëjnë këtë, me dëshirën e Zotit.

Shpresoj që, në dashtë Allahu, pjesëmarrja të jetë e gjerë. Siç ne të gjithë e dijmë, na u desh të anulonim organizimin e Xhelsa Salanës një vit për shkak të pandemisë Covid dhe nuk ishim në gjendje të përfitonim nga bekimet e plota të Xhelsës.

Rëndësia e zbatimit të protokollit

Këtë vit, valët e pandemisë kanë pasur rritje e rënie dhe as tani ajonuk është zhdukur plotësisht. Në fakt, në zona të caktuara këtu si dhe në pjesë të tjera të botës ajo ka treguar një rritje. Ndonëse rregullat e vendosura nga qeveria në lidhje me tubimet e njerëzve nuk janë më aq të rrepta, siç kanë qenë përpara, por kjo nuk do të thotë se ne t’i hedhim poshtë të gjitha masat paraprake. Çdo pjesëmarrës duhet të jetë i ndërgjegjshëm për të gjitha masat paraprake dhe gjithashtu të veprojë në përputhje me rrethanat. Një masë e tillë paraprake është që të gjithë pjesëmarrësit dhe punëtorët duhet të mbajnë maskë; brenda sallës kryesore, gjatë detyrës, si dhe gjatë shëtitjes jashtë. Po ashtu, këtë vit organizatorët kanë marrë masa për shpërndarjen e ilaçeve homeopatike, të cilat sipas tyre janë më të përshtatshme për këtë sëmundje, në mëngjes në hyrje (në Xhelsa) dhe në dalje. Allahu i Madhëruar dhëntë shërim nëpërmjet saj! Fuqia e shërimit në një ilaç është vetëm në dorën e Allahut të Madhëruar, dhe ajo që na takon është të bëjmë përpjekje konkrete. Në këtë drejtim, kërkoj nga çdo pjesëmarrës që të bashkëpunojë me organizatorët.

Zakonisht në hutben e xhumasë që mbaj një javë para Xhelsës, unë tërheq vëmendjen e punëtorëve dhe vullnetarëve, të cilët sakrifikojnë kohën e tyre për t’u shërbyer mysafirëve të Mesihut të Premtuar a.s., drejt disa aspekteve të Xhelsës. Por, unë nuk munda ta bëja këtë në hutben e fundit të së xhumasë. Prandaj, sot do të them disa fjalë në lidhje me këtë temë.

Këtë vit, në mesin e punëtorëve ka disa fëmijë apo të rinj të cilët po bëjnë këto detyra për herë të parë dhe përmes kësaj hutbeje edhe ata do të ndërgjegjësohen për aspekte të ndryshme. Gjatë tri viteve të fundit, shumë njerëz kanë ardhur këtu nga Pakistani, të cilët nuk kanë pasur kurrë ndonjë përvojë në kryerjen e detyrave, pasi nuk është zhvilluar Xhelsa Salana në vendin e tyre prej shumë vjetësh. Prandaj, duke u tërhequr vëmendjen për disa çështje, ata do të bëhen të ndërgjegjshëm për sa u përket përgjegjësive të tyre.

Në mënyrë të ngjashme, siç kam thënë më parë, kjo hutbe do të shërbejë si një kujtesë edhe për vullnetarët me përvojë. Pra, unë do të them shkurtimisht disa fjalë në lidhje me këtë temë, po ashtu do të jap disa porosi në lidhje me sjelljen e mysafirëve. Nëse ndërgjegjësohemi ndaj këtyre çështjeve, do të vijojmë të nxjerrim bekime nga atmosfera e Xhelsës. insha-Allah.

Çfarë synon zhvillimi i Xhelsa Salanës?

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. është shprehur qartë se kjo Xhelsa nuk u ngjan festave të kësaj bote, madje, ne mblidhemi këtu për të dëgjuar fjalët e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij s.a.v.s. dhe për t’i zbatuar ato në jetën praktike. Nëse veprojmë në përputhje me fjalët e Allahut dhe Profetit të Tij s.a.v.s., mund të arrijmë shkallën e atyre robërve që i përmbushin ashtu siç duhet të drejtat që i takojnë Allahut si dhe ato që i takojnë njerëzimit. Megjithatë, siç thashë, fillimisht do të doja t’u them disa fjalë punëtorëve.

Unë kam folur tashmë për mbajtjen e maskave dhe marrjen e ilaçeve, gjë që nuk duhet shmangur. Me mëshirën e Allahut të Plotfuqishëm, të rinjtë, fëmijët, pleqtë si dhe gratë tona janë të zellshëm dhe të përkushtuar për t’u shërbyer mysafirëve të Mesihut të Premtuar a.s. të cilët marrin pjesë në Xhelsa në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë punëtorët që ofrojnë vullnetarisht shërbimet e tyre, e bëjnë këtë me përkushtim të plotë, pavarësisht profesionit apo statusit të tyre shoqëror, nëse janë të pasur apo të varfër.

Puna e Xhelsës nuk kufizohet vetëm me atë që bëhet gjatë tri ditëve të Xhelsës. Përkundrazi, ajo fillon disa javë më parë dhe tani, MTA-ja transmeton rregullisht punën që po realizohet këtu përmes raportimeve në formën e klipeve të shkurtra. Përkundër faktit se një pjesë e punës kryhet nga kompani dhe kontraktorë të tjerë, ka shumë punë të tjera që kërkojnë fuqi njerëzore dhe këtë e realizojnë vullnetarë, të cilët e bëjnë duke sakrifikuar kohën dhe duke punuar me të gjitha forcat dhe mundësitë e tyre.

Gatishmëria e anëtarëve për të sakrifikuar kohën e tyre

Siç e kam përmendur më lart, anëtarët nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe me prejardhje të ndryshme marrin pjesë në këtë aksion. Në shoqëri të tjera, organizatorët e kanë të vështirë të gjejnë vullnetarë, ndërsa historia e Xhematit tonë gjithmonë ka dhënë shembuj krejt të kundërt, dhe në raste të tilla paraqiten kaq shumë vullnetarë saqë organizatorët e kanë të vështirë t’i përzgjedhin ata. Për sa i përket detyrave formale të Xhelsës, fillimisht bëhet një grafik dhe hartohet plani i punës. Pastaj niset procesi i ndarjes së vullnetarëve dhe i sigurohet çdo departamenti numri i nevojshëm të vullnetarëve.

Megjithatë, për punën që kryhet para dhe pas Xhelsës, shpallet njoftim që të paraqiten vullnetarët, shfaqen gjithmonë njerëzit përtej numrit të parashikuar. Vetëm të dielën e kaluar, u shfaqën më shumë vullnetarët në “Hadikatul Mehdi” nga sa kishin pritur organizatorët dhe kam mësuar se nuk ishte përgatitur ushqimi i mjaftueshëm për të gjithë pjesëmarrësit. Megjithatë, organizatorët duhet të kishin marrë parasysh numrin e njerëzve dhe të kishin marrë masat e duhura paraprakisht. Kjo është detyra e departamentit të Zijafetit (mikpritjes). Këta vullnetarë nuk kishin ardhur për të ngrënë një vakt. Ata punonin qysh prej mëngjesit, ose ishin të pranishëm atje nga mëngjesi.

Besoj se në Xhumanë e kaluar, kur kisha bërë thirrje në fund të hutbes, për t’u lutur për xhelsën si dhe për vullnetarët, anëtarët janë frymëzuar dhe me një vullnet të madh janë paraqitur masivisht për punën vullnetare.

Këshillat për të arritur një mikpritje shembullore

Megjithatë, organizatorët duhet të llogarisin mirë numrin e vullnetarëve, veçanërisht gjatë fundjavave. Departamenti i mikpritjes duhet ta mbajë këtë parasysh në të ardhmen. Në mënyrë të ngjashme, edhe gjatë ditëve të Xhelsës, departamenti i mikpritjes duhet të përgatisë ushqime në sasi më të mëdha. Këtë vit, numri i pjesëmarrësve në Xhelsa mbetet i paqartë. Disa njerëz mund të jenë të pavendosur apo skeptik për të marrë pjesë për shkak të pandemisë (Covid) ose për shkak të frikës së tyre mund të jenë të lëkundur a nëse do të marrin pjesë apo jo. Por në anën tjetër, mund të jenë edhe të tillë njerëzish, të cilët duan të vijnë patjetër në Xhelsa, meqenëse ajo po mbahet pas një kohe të gjatë.

Pavarësisht, kur bëhet fjalë për shpenzimet, organizatorët tanë, veçanërisht departamenti i mikpritjes, janë të prirë ta nënvlerësojnë (numrin e njerëzve). Në vend që të përgatisin ushqim me bollëk, ata përgatisin më pak ushqim pasi besojnë se më pak njerëz do të marrin pjesë. Kjo është absolutisht e gabuar. Është përgjegjësi e departamentit të mikpritjes që të presin mysafirët në mënyrën e duhur. Gjithashtu, për sa i përket furnizimit me ushqim, dua të jap disa udhëzime. Kësaj here moti është i nxehtë, prandaj ata duhet të sigurojnë që pas prerjes dhe copëtimit, mishi të transferohet menjëherë në frigorifer e jo të lihet jashtë. Për ndryshe, nga temperatura e lartë mishi mund të prishet dhe si pasojë të sëmuren njerëzit.

Në mënyrë të ngjashme, edhe pjesa tjetër e ushqimit duhet të kujdeset siç duhet. Sido që të jetë, vullnetarët që përmenda më parë kishin ardhur për të kryer detyrën dhe pavarësisht nëse ishin shërbyer me ushqim apo jo, ata u larguan pa u ankuar. Por, kjo solli në dritë një mangësi nga ana e administratës.

Gjithashtu dëshiroj t’u them vullnetarëve që gjatë tri ditëve të Xhelsës, ata duhet t’u shërbejnë mysafirëve të Mesihut të Premtuar a.s., me një pasion të tillë, ku ata gjithmonë të kuptojnë dhe të kenë parasysh se nuk po shërbejnë për të kërkuar ndonjë lloj shpërblimi a vlerësimi nga ana e eprorëve apo mysafirëve, as kjo nuk është diçka që ata do të merrnin. Në të vërtetë, ata duhet t’u shërbejnë mysafirëve të Mesihut të Premtuar a.s. për të arritur kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Ata gjithashtu duhet të ndjekin shembullin e atij sahabi dhe bashkëshortes së tij, të cilët i vunë në gjumë fëmijët e tyre të uritur dhe që vetë mbetën të uritur por e pritën mysafirin ashtu siç duhej. Ata fikën llambën dhe para mysafirit bënin sikur po hanin bashkë me të. Allahu i Madhëruar ishte aq i kënaqur me këtë sjellje të tyre, saqë e njoftoi edhe të Dërguarin e Tij s.a.v.s. për këtë. Të nesërmen, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha atij sahabi: “Edhe Allahu i Madhërishëm buzëqeshi i gëzuar me planin tuaj mbrëmë (për të ushqyer mysafirin). Allahu i Madhëruar ishte shumë i kënaqur dhe buzëqeshi”. Madje, Allahu i Madhëruar ka përmendur shembullin e njerëzve të tillë që me vetëmohim të plotë sakrifikojnë nevojat e tyre, dhe të tillë janë ata që do të ngadhënjejnë.

Prandaj, ky ishte shembulli i sahabëve sesi ata i prisnin të tjerët dhe u shërbenin mysafirëve. Sa me fat janë ata që mundohen t’i presin mysafirët e tyre me kaq ngrohtësi e vetëmohim vetëm për hir të kënaqësisë së Allahut. Në të njëjtën mënyrë, edhe ata mysafirë që kanë ardhur duke iu përgjigjur thirrjes së Imamit të Kohës dhe kanë ardhur për të dëgjuar porositë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij s.a.v.s., me shpresën për të arritur kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

Prandaj, me fat janë të gjithë ata vullnetarë që u shërbejnë mysafirëve që vijnë për hir të besimit të tyre, për të kënaqur Allahun e Madhëruar. Zakonisht, kur numri i pranishmëve është i madh, duhet të bëjmë me njerëz që kanë natyrë dhe temperamente të ndryshme; disa janë të ndjeshëm, zemërohen shpejt dhe disa nganjëherë flasin me vullnetarët me vrazhdësi ose kërkojnë diçka në mënyrë të ashpër. Megjithatë, të gjithë vullnetarët qofshin meshkuj a femra duhet të sigurojnë që të mos sillen kurrë me ashpërsi ndaj askujt.

Nëse dikush u flet ashpër, ata nuk duhet t’i përgjigjen kurrë me ashpërsi; përkundrazi ata duhet të përgjigjen me buzëqeshje. Nëse ata mund të përmbushin kërkesën e tyre, atëherë le ta bëjnë këtë, përndryshe ata duhet të kërkojnë ndjesë me dashamirësi dhe butësi ose ta çojnë individin te eprorët e tyre, të cilët mund të merren me kërkesën e mysafirëve.

Ndonjëherë kjo mund të jetë shumë sfiduese, megjithatë ajo duhet bërë për të arritur kënaqësinë e Zotit. Njeriu duhet t’i mbajë emocionet dhe gjuhën e tij nën kontroll. Në mënyrë të ngjashme, vullnetarët duhet të jenë gjithashtu të sjellshëm kur flasin me njëri-tjetrin ndërsa eprorët dhe përgjegjësit duhet të sillen butësisht dhe përzemërsisht kur t’u drejtohen vullnetarëve të tyre. Nëse dikush bën një gabim, tjetri duhet ta ndihmojë atë për të kuptuar gabimin në një mënyrë më të mirë. Përgjegjësit duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se këta janë vullnetarë që kanë ardhur për t’u shërbyer mysafirëve të Mesihut të Premtuar a.s. për të vetmin synim që të arrijnë kënaqësinë e Allahut.

Pavarësisht se departamenti specifik në të cilin ata shërbejnë, mund të mos jetë fusha e tyre e ekspertizës, ata kanë ardhur me një pasion për të shërbyer dhe po e bëjnë këtë me vetëmohim. Prandaj ata meritojnë respekt e mirësjellje. Allahu i Madhëruar ua mundësoftë të gjithëve që të punojnë së bashku! Kjo mund të ndodhë vetëm kur si përgjegjësit ashtu edhe vullnetarët ta kuptojnë se duhet të shërbejnë me frymën e sakrificës.

Ekziston një transmetim që përmbledh nivelin e shërbimit dhe sakrificës të vendosur nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., edhe nëse mysafiri sillet keq. Është përcjellë se një herë, një mysafir jomusliman mbërriti, i cili u kujdes me një vakt dhe natën iu dha një shtrat për të fjetur. Por gjatë natës, ai fëlliqi shtratin, ndoshta sepse i ishte prishur stomaku pasi kishte ngrënë shumë, ose e kishte bërë qëllimisht për ta bezdisur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Sidoqoftë, ai u largua herët në mëngjes. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u mërzit aspak për atë që mysafiri kishte bërë. Përkundrazi, ai kërkoi pak ujë dhe filloi ta pastronte vetë shtratin. Sahabët tregojnë se pavarësisht se i kishin thënë: “Pse po mundoni veten kaq shumë? Ne jemi këtu, të gatshëm për të shërbyer. Na lejoni ta pastrojmë”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Ai ishte mysafiri im, andaj edhe këtë do ta bëj vetë”. Ai gjithashtu ka thënë: “Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Ahiretit, le të kujdeset për mysafirin e tij dhe ta nderojë.”

Prandaj, është detyra e vullnetarëve, përgjegjësve dhe ndihmësve tanë meshkuj dhe femra që t’i përgjigjen thirrjes së Mesihut të Premtuar a.s. dhe t’u shërbejnë mysafirëve të tij që kanë ardhur vetëm për hir të besimit. Madje, këta vullnetarë nuk duhet të ngurrojnë nga sakrificat që të arrijnë një shkallë më të lartë durimi dhe të shërbejnë me vullnet të lartë pa shprehur asnjë lloj pakënaqësie në fytyrat e tyre.

Me mëshirën e Allahut, shumë nga vullnetarët tanë janë frymëzuar me këtë shpirt dhe shpresoj që të gjithë vullnetarët do të kryejnë punën e tyre me këtë pasion. Përgjegjësit që janë emëruar për departamente të ndryshme duhet të kenë gjithmonë parasysh se kjo mundësi që u është dhënë për të shërbyer mysafirët, është vetëm prej bekimeve të Allahut të Madhëruar. Prandaj, edhe ata duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre, duke e konsideruar veten si shërbëtor dhe jo si shef për të dhënë urdhra. Nëse ata do të bëhen shembullorë për sjelljen e lartë morale, edhe punëtorët dhe ndihmësit e tyre to do të shfaqin një nivel të lartë mirësjelljeje. Allahu i Madhëruar ua mundësoftë të gjithëve për ta arritur këtë!

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka dhënë udhëzime në lidhje me mirësjelljen dhe mikpritjen e mysafirëve. Një herë ai tha: “E shihni, kanë ardhur shumë mysafirë. Disa prej tyre ju i njihni; dhe të tjerët nuk i njihni. Prandaj, është e udhës që t’i konsideroni të gjithë si të denjë për respekt dhe mikpritje”.

Ky parim duhet të mbahet parasysh nga çdo vullnetar, veçanërisht prej atyre që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me njerëz. Po ashtu departamente të tilla si mikpritje dhe shpërndarja e ushqimit duhet t’i përmbahen në veçanti këtij parimi.

Këtë vit, meqenëse duhet pasur kujdes i veçantë për shkak të Covid-it, organizimi duhet të jetë i tillë – dhe besoj se departamenti është përpjekur ta bëjë këtë – ku duhet shmangur grumbullim njerëzish për një kohë të gjatë, ndërsa janë duke ngrënë nëpër tenda. Po ashtu, ata të largohen nga këto hapësira të mbyllura menjëherë pas kryerjes së ushqimit.

Mysafirët gjithashtu duhet ta respektojnë këtë rregull dhe të bashkëpunojnë me organizatorët. Natyrisht, gjatë kohës së ngrënies, nuk ka asnjë mundësi për të mbajtur maskën, megjithatë në përgjithësi, jashtë kohës së ushqimit, të gjithë duhet të sigurohen që të mbajnë maskën. Po ashtu, ndërsa po hanë, të gjithë duhet të kufizojnë bisedat e tyre në minimum. Përpiquni të hani në heshtje dhe të lini ato ambiente me shpejtësi. Mos ua shkaktoni vështirësi vetes e as organizatorëve.

Porositë drejtuar mysafirëve që marrin pjesë në Xhelsa

Unë kam përmendur disa aspekte themelore për vullnetarët dhe gjithashtu kam tërhequr vëmendjen e tyre ndaj shërbimit të mysafirëve.

Tani edhe mysafirët duhet t’u kushtojnë vëmendje disa këshillave. Nëse ata i kuptojnë dhe u përmbahen mësimeve të Islamit, sipas të cilave mysafirët nuk duhet të bëhen barrë e panevojshme për mikpritësit e tyre, kjo do të ndihmojë në ruajtjen e një atmosfere dashurie dhe dhembshurie. Problemet lindin kur mysafirët i mbajnë pritësit e tyre me pritshmëri të gabuara dhe të paarsyeshme. Prandaj, mysafirët nuk duhet të kenë pritshmëri të paarsyeshme, në mënyrë që mikpritësit dhe ata që kanë për detyrë të kujdesen për ta, si dhe vetë mysafirët të mund të rrinë në qetësi. Prandaj, mbajeni parasysh këtë këshillë.

Ata që banojnë në ambientet e ofruara nga Xhemati duhet të jenë mirënjohës ndaj vullnetarëve, vëllezërve dhe motrave të tyre ahmedianë, të cilët, pavarësisht pozitave të tyre në shoqëri, kanë zgjedhur t’u shërbejnë mysafirëve.

Ndonjëherë ushqimi mund të mos jetë sipas pëlqimit a shijes së mysafirëve, megjithëse çdo ahmedian e njeh traditën tonë që në përgjithësi gjatë ditëve të Xhelsës, gjella e mishit me patate dhe supa me thjerrëza janë pjesë të pandashme të menusë. Edhe nëse mysafirët marrin ushqimin që nuk u pëlqen, ata duhet ta hanë atë me kënaqësi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se çdo ushqim që i paraqitet mysafirit nga nikoqiri duhet të pranohet me kënaqësi. Në vitet e mëparshme, nëse dikush nuk dëshironte të hante ushqimin që gatuhej në Lenger (d.m.th. në kuzhinën e Mesihut të Premtuar a.s.), ai shkonte e hante diçka nga pazari i cili është ngritur përkohësisht në ambientet e Xhelsës. Këtë vit, as pazari nuk do të jetë i disponueshëm si zakonisht, prandaj ata që kanë shije të ndryshme duhet të hanë me kënaqësi çdo gjë që është në dispozicion për hir të arritjes së kënaqësisë së Allahut të Madhëruar.

Megjithatë, unë sërish i tërheq vëmendje departamentit të mikpritjes se ata duhet të përpiqen maksimalisht për të bërë gatime të shijshme. Numri i atyre që kanë një natyre të tillë zakonisht është shumë i vogël, megjithatë edhe ky numër mund të shkaktojë shqetësime. Prandaj, shfaqja e sjelljes së lartë morale nuk është vetëm detyrë e vullnetarëve, por e çdo pjesëmarrësi.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u ka thënë pjesëmarrësve të Xhelsës se ata duhet të shfaqin virtyte të larta dhe të kujdesen për njëri-tjetrin. Të gjithë të pranishmit duhet të kenë parasysh se ata kanë marrë pjesë në këtë Xhelse për të shuar etjen e tyre fetare, intelektuale dhe shpirtërore. Për ta përmbushur këtë qëllim, është detyrë të kujtojmë gjithmonë thënien e Mesihut të Premtuar a.s. se kjo Xhelse mbahet vetëm për hir të Zotit.

Prandaj, nuk duhet të lejojmë kurrë që të shprehim padurim ose mosmarrëveshje për çështje të parëndësishme. Vullnetarët janë gjithashtu njerëz; nëse ndonjëherë ata bëjnë një shkelje, ajo duhet të shmanget e të shpërfillet dhe kjo është mënyra më e shkëlqyer për t’i tërhequr vërejtje dikujt për sjelljen e lartë morale. Është e vërtetë që ndonjëherë, lind një situatë ku thuhet diçka që nxit zemërimin, qoftë nga mysafirët apo nga vullnetarët. Megjithatë, sjellja e lartë morale kërkon që çështja të anashkalohet dhe njeriu t’i shmanget një situate të tillë për të ndaluar rritjen e konfliktit. Skenarë të tillë mund të ndodhin në mesin e të rinjve, dhe kështu, duhet pasur gjithmonë parasysh se qëllimi për të cilin jemi mbledhur këtu është shumë i lartë. Ne jemi mbledhur këtu për të plotësuar nevojën tonë shpirtërore, për të shtuar njohuritë tona shpirtërore dhe për të mësuar mënyrat se si mund të përmbushim të drejtat që i detyrohemi Zotit dhe të drejtat që i detyrohen krijimit të Tij.

Për ta arritur këtë, më e pakta që do të duhet të bëjmë është të sakrifikojmë emocionet tona dhe të kërkojmë ndihmë nga Allahu i Madhëruar. Kur arrijmë këtë vetëdije, kur në gojë kemi vetëm përmendjen e Allahut, kur i kushtojmë vëmendje të veçantë pendimit dhe kërkimit të faljes, atëherë edhe nëse dikush bezdiset nga tjetri, ai do të reagojë me falje dhe shpërfillje ndaj rasteve të tilla. Prandaj, në këto ditë, mbani gjithmonë parasysh se ne i kemi lënë shtëpitë tona dhe kemi udhëtuar këtu për hir të Allahut të Madhëruar.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka mësuar lutje për çdo rrethanë e situatë. Për të mbledhur bekimet e xhelsës, disa kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë ardhur këtu. Sigurisht ata do të jenë të mërzitur e të shqetësuar për familjen e tyre. Prandaj, ai ka mësuar këtë lutje: “O Allah! Të kërkojmë mbrojte nga mundimet e udhës, nga pamje të pakëndshme dhe shqetësuese, nga pasoja të rënda në pasuri dhe farefis, si dhe nga ndryshimi i papëlqyer”. Kështu, kur ne lutemi në këtë mënyrë, Allahu i Madhëruar do ta bekojë qëndrimin tonë këtu dhe udhëtimin tonë të Xhelsës. Kështu, gjatë këtyre ditëve, bëni sa më shumë lutje dhe kaloni kohën në përmendjen e Allahut. Sigurisht, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka mësuar një lutje për çdo rast.

Kjo është një lutje e gjithëpërfshirëse, në të cilën kërkojmë mbrojtjen e Allahut të Plotfuqishëm në çdo aspekt si dhe sigurinë e familjes gjatë udhëtimit. Kur çdo besimtar dhe besimtare këtu eci me këtë mendësi dhe duke bërë lutje të tilla, atëherë do të mbizotërojë fryma e paqes dhe qetësisë në atmosferë, zemrat do të gjejnë prehje dhe Allahu i Madhëruar do t’i mbrojë të gjithë nga rrethanat e pakëndshme.

Aktualisht, rritja e Covid-it përbën një shkak për shqetësim. Duhet të jeni më të vëmendshëm ndaj lutjeve që Allahu i Madhëruar t’i ruajë të pranishmit këtu si dhe ata që janë në shtëpi. Gjatë këtyre ditëve, përveç lutjes në përgjithësi, duhet t’i kushtoni vëmendje të veçantë dërgimit të selavateve. Falni namazin në kohët e caktuara dhe mos humbisni kohë në diskutime jashtë sallës. Po ashtu, vullnetarët që nuk janë në detyrë gjatë kohës së namazit duhet të përpiqen të falin namazin me xhemat.

Të gjithë të pranishmit duhet të mundohen të qëndrojnë në sallën e Xhelsës gjatë seancave dhe të dëgjojnë fjalimet. Folësit bëjnë një punë të mundimshme në përgatitjen e fjalimeve, të cilat mbajnë dobitë intelektuale si dhe shpirtërore. Për këtë arsye, mos mendoni të dëgjoni vetëm ata që mbajnë fjalime të mira ose flasin mirë, përkundrazi, mendoni mbi rëndësinë e temës dhe synoni dobitë e saj. Normalisht, fjalimet mbulojnë tema që janë bashkëkohore dhe koherente, dhe nëse dikush dëgjon me vëmendje, ai mund të gjejë përgjigjet për shumë pyetje që i vijnë ndërmend. Prandaj, ju duhet t’i dëgjoni me shumë vëmendje fjalimet.

Edhe pse këtë vit nuk do të organizohet pazari, andaj gjatë pauzave vizitoni dhe përfitoni nga ekspozita të ndryshme – edhe pse ato janë në përmasa më të vogla. Në dashtë Zoti, kur do të përmirësohen kushtet, ekspozitat do të zgjerohen dhe i gjithë plani do të kthehet siç ka qenë përpara.

Ne gjithashtu duhet të jemi të vëmendshëm se këtë vit, moti është gjithashtu shumë i thatë. Nuk bie shumë shi. Për këtë, shpresoj që insha-Allah të mos kemi aq vështirësi në parking si vitin e kaluar. Vitin e kaluar, për shkak të reshjeve të shiut, ka pasur shumë vështirësi. Megjithatë, këtë vit ka përmirësime në përgatitje dhe është rregulluar një pistë (për qarkullimin e automjeteve). Me ndihmën e ekspertëve është bërë shumë punë për një sistem të qëndrueshëm të kullimit të ujit.

Muajin e kaluar, nga mënyra e kullimit të ujit gjatë reshjeve ka sugjeruar se, insha-Allah, kjo vepër do të jetë shumë e dobishme në të ardhmen. Megjithatë, parashikimi i motit tregon për një kohë të thatë gjatë këtyre ditëve. Megjithatë, ndonjëherë organizatorët përballen me vështirësi për shkak të vëllimit të madh të makinave në parking. Nëse ata që vijnë (në Xhelsa) me makinë, bashkëpunojnë me vullnetarët, gjithçka mund të menaxhohet lehtësisht. Mysafirët që vijnë me makinë duhet të tregojnë durim dhe të respektojnë rregullat që janë vendosur për qarkullim në mënyrë që të mos ketë vështirësi.

Në mënyrë të ngjashme, siç e përmend çdo vit, gjatë përdorimit të tualeteve dhe banjave, kini parasysh pastërtinë e tyre dhe gjithashtu mos e shpërdorni ujin, veçanërisht këtë vit. Për shkak të mungesës së reshjeve, qeveria ka tërhequr vëmendjen për përdorimin më të kujdesshëm të ujit. Prandaj, jini të vëmendshëm gjatë përdorimit të ujit. Gjithashtu, bari i thatë mund të marrë zjarr shumë shpejt, prandaj tregoni kujdes të veçantë në këtë drejtim. Çdo lloj neglizhence mund të shkaktojë dëm për veten dhe të tjerët.

Për më tepër, të gjithë duhet të jenë vigjilentë nga ana e sigurisë dhe të jenë të vëmendshëm në mjediset e tyre. Nëse dikush sheh ndonjë çantë ose objekt të dyshimtë, duhet ta njoftojë menjëherë personat në detyrë. Administrata dhe ata që janë në detyrë në skanim duhet t’u kërkojnë të gjithëve që të heqin maskat nga fytyrat kur kontrollojnë kartat e tyre të identitetit për t’u siguruar që ajo përputhet me foton në kartë.

Allahu i Madhëruar i mbrojttë dhe i ruajttë të gjithë nga çdo lloj e keqe dhe u dhuroftë bekimet e Tij të veçanta! Edhe një herë, dua të them që t’i kushtoni vëmendje të veçantë përmendjes së Allahut dhe adhurimit gjatë këtyre ditëve. Lutuni veçanërisht për përparimin e Xhematit dhe që ai të mbetet i mbrojtur nga intrigat e kundërshtarëve. Lutuni për ata që janë burgosur për shkak të besimit dhe që u duhet të durojnë vështirësi të mëdha; Allahu i Madhëruar u mundësoftë lirimin sa më shpejtë. Veçanërisht lutuni për ta gjatë namazit të xhumasë dhe gjithashtu në ditët në vijim.

Një lutje mallëngyjese e Mesihut të Premtuar a.s.

Në fund, dëshiroj të citoj një lutje të Mesihut të Premtuar a.s. në lidhje me Xhelsa. Mesihu i Premtuar (as) thotë: “Lutem që Allahu të jetë me të gjithë ata që udhëtojnë për të marrë pjesë në këtë Xhelsa dhe t’u dhurojë shpërblime të mëdha, t’i mëshirojë, t’u lehtësojë vështirësitë dhe mundimet, dhe t’u largojë vuajtjet dhe hidhërimet e tyre. Ai u mundësoftë ta arrijnë atë që dëshirojnë dhe t’i ringjallë në Ditën e Kiametit në mesin e atyre që u ka treguar mëshirën dhe mirësinë, dhe që Ai të jetë Mbrojtësi i tyre deri në fund të udhëtimit”.

“O Allah! O Dhurues, Mirëbërës dhe Mëshirues! O largues i vështirësive! Dëgjo këto lutje të mia dhe na jep fitore ndaj kundërshtarëve tanë me anë të shenjave të mëdha dhe të qarta, sepse Ti zotëron çdo fuqi dhe forcë. Amin.”

Allahu i Madhëruar ua mundësoftë të gjithëve, burra dhe gra, që të përfitojnë nga lutjet që Mesihu i Premtuar a.s. ka bërë për pjesëmarrësit e Xhelsës. Disa njerëz kanë ardhur nga shtetet e tjera dhe kanë udhëtuar me synimin për të marrë pjesë në Xhelsa, por janë sëmurë pasi kanë mbërritur këtu dhe me gjithë dëshirën e tyre nuk mund të marrin pjesë. Allahu i Madhëruar i shpërbleftë për qëllimet e tyre dhe u mundësoftë që të bëhen edhe përfitues të këtyre lutjeve!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem