Jeta e Imam Ali ibn Ebi Talibit r.a. Kalif i Drejte i Profetit a.s | pjesa III
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Imam Ali ibn Ebi Talibit r.a. Kalif i Drejte i Profetit a.s | pjesa III

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hutbet e fundit është trajtuar jeta e Hazret Aliut r.a., temë kjo që do të vijojë edhe sot.

Në luftën e Uhudit, Ibni Kamija kishte martirizuar Hazret Mus’ab ibn ‘Umejrin dhe gabimisht ai mendoi se kishte martirizuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Kështu, ai u kthye te Kurjeshët dhe njoftoi që kishte vrarë Muhammedin (s.a.v.s.). Pas martirizimit të Hazret Mus’abit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte besuar flamurin Hazret Aliut, i cili bashkë me muslimanët vazhdoi luftë kundër idhujtarëve.

Trimëria e tij në fushën e betejësa

Sipas një transmetimi, Telha ibn Ebu Telhai, i cili qe flamurtari i idhujtarëve në luftën e Uhudit, sfidoi Hazret Aliun për ndeshje. Hazret Aliu doli përpara dhe i dha atij një goditje kaq të fuqishme, saqë ai u rrëzua në tokë dhe nisi të përpëlitej si peshku në zall. Hazret Aliu vazhdoi sulmet dhe njëri pas tjetrit, mbyti të gjithë flamurtarët e mohuesve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu i dha urdhër Hazret Aliut për t’iu hedhur në sulm një çete mosbesimtarësh. Hazret Aliu e mësyju Amru ibn Abdullah Xhemeiun dhe shpërndau ushtarët e tyre. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha urdhër për të sulmuar një tjetër njësi ushtarake të mosbesimtarëve dhe Hazret Aliu mbyti Shu’ba ibn Malikun. Hazret Xhibrili i tha Profetit: O i Dërguar i Allahut! Me të vërtetë, ai (d.m.th. Hazret Aliu) meriton dhembshuri”. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shpreh: Po, Aliu është prej meje dhe unë jam prej Aliut. Me të dëgjuar fjalët e Profetit, Hazret Xhibrili gjithashtu tha: Unë jam prej ju të dyve.

Lidhje besnikërie me Profetin a.s.

Hazret Aliu transmeton: në luftën e Uhudit, kur muslimanët ishin ndarë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., unë nisa të kontrolloj trupat e dëshmorëve, por nuk e gjeta dot Profetin. Atëherë thashë, pasha Zotin! I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ishte prej të arratisurve. Megjithatë, nuk e kisha gjetur dot as ndër trupat e dëshmorëve. Ndonëse, Allahu është zemëruar me ne e andaj ka larguar të Dërguarin e Tij prej nesh. Rruga e vetme që më mbetet është të luftoj deri në frymën e fundit dhe të vdes si dëshmor”. Pastaj e prisha këllëfin e shpatës dhe u hodha në sulm ndaj mohuesve, të cilët menjëherë u shpërndanë andej këtej, dhe pashë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjendej mu në mesin e tyre.

Kjo është historia e pavdekshme e dashurisë dhe besnikërisë, që ia gjeti zanafillën në fëmijëri dhe shkëlqeu fuqishëm në çdo periudhë të jetës.

Në lidhje me plagët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në luftën e Uhudit, gjejmë një transmetim nga Hazret Sehl ibn Sa’di r.a.. Kur sahabët e pyetën për plagët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në luftën e Uhudit, ai kishte thënë: Nëse më pyesni, dua t’ju them duke u betuar në Allah se unë e di se kush po pastronte plagët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Sikur e shoh para syve të mi se kush po lëshonte ujë dhe çfarë melhemi i vihej atij për të mjekuar plagët. Qe Hazret Fatimeja, vajza e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., e cila po ia pastronte plagët dhe qe Hazret Aliu i cili po lëshonte ujë me mburojën e tij. Kur vuri re Hazret Fatimeja që gjaku nuk po pushonte së rrjedhuri, ajo mori një bar, e dogji atë e pastaj e ngjiti mbi plagën. Vënia e barit ndaloi menjëherë gjakun. Atë ditë, atij i ishte thyer dhëmbi i përparmë dhe fytyra i ishte gjakosur nga thyerja e përkrenares në krye.

Hazret Sa’id ibn Musajabi transmeton se në luftën e Uhudit, Hazret Aliu kishte pësuar 16 plagë. Hazret Kalifi II ka thënë që pas sprovave të rënda, fshihen visaret e bekimeve. Në vijim të këtij mendimi, ai ka thënë se kur u kthye Hazret Aliu nga lufta e Uhudit, ai ia dorëzoi shpatën Hazret Fatimes dhe e porositi për ta larë atë. Ai gjithashtu i kishte thënë që ajo shpatë kishte vringëlluar në fushëbetejë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu ia dëgjoi fjalët dhe tha që nuk qe vetëm shpata e tij, por edhe vëllezërit e tjerë kishin vërtitur shpatet në luftë dhe kishin shfaqur trimërinë e tyre. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia përmendi 6-7 sahabë, të cilët kishin duruar vështirësi të mëdha dhe përfundimisht kishin arritur fitore madhështore.

Lufta e Hajberit

Lufta e Hajberit ishte zhvilluar në muajin Sheval dhe në vitin 5 hixhri. Në atë kohë, kur mohuesit e rrethuan qytetin e Medinës, krerët e tyre vendosën njëzëri që të bënin një sulm të beftë ndaj muslimanëve. Në fillim, ata kërkuan atë pjesë të hendekut, përmes së cilës, ata mund të kapërcenin vijën e thellë dhe kalorësit e tyre të gjendeshin përpara sahabëve të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Por, me gjithë përpjekjen e tyre, ata nuk arritën të gjenin ndonjë pjesë të kalueshme të hendekut. Ata folën me njërin-tjetrin se kjo taktikë e hendekut nuk ishte përdorur kurrë në arabi dhe qe plani i një iraniani, i cili ka këshilluar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për të. Pastaj, ata arritën të gjenin një vend të ngushtë, që nuk vëzhgohej nga trupat muslimanë dhe Ikrama ibn Ebu Xhehli, Nofil ibn Abdullahu, Darar ibn Hatabi, Hubejra ibn Ebu Vehbi dhe Amr ibn Abdi Vudi kapërcyen hendekun. Amr ibn Abd Vudi po këndonte disa vargje dhe u bënte thirrje muslimanëve për një ballafaqim. Ai recitoi:

ولقد بححت من النداء * لِجَمعهم هل مِن مُبارِز

Më është çjerrë zëri, duke i bërë thirrje grupit të tyre që të dalë dikush për dyluftim.

Hazret Aliu si përgjigje recitoi këto vargje:

لا تعجلن فقد أتاك * مجيبُ صَوتِك غيرُ عاجز
في نِيَّةٍ وبصيرةٍ * والصدقُ مَنجَي كُلُّ فَائِزٍ
إني لأرجو أن أُقِيمَ *  عليك نَائِحَةِ الجَنائز
من ضربةِ نَجلاءَ * يبقى ذكرُها عِندَ الهَزاهِز

Mos u ngutni! Ju ka ardhur tashmë ai, që ju përgjigjet thirrjes dhe nuk ankohet për dobësi dhe pafuqi. Me të vërtetë, vendosmëria e çeliktë, urtësia e plotë dhe qëndrueshmëria e lartë janë mjete për të arritur fitoren. Unë jam i bindur se do t’i mbledh vajtoret për ty, që do të qajnë për vdekjen tënde. Unë do të të godas dhe do të të jap një plagë kaq të rëndë, që do të mbahet mend gjatë në histori.

Kur Hazret Ali ibn Ebi Talibi i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për të ballafaquar Amr ibn Abdi Vudin, Profeti s.a.v.s. ia dorëzoi shpatën e tij dhe ia lidhi çallmën në krye. Pastaj ai u lut: o Allah! Ndihmoje Aliun kundër Amr ibn Abd Vuddit.

Kur ata u afruan me njëri-tjetrin për dyluftim, nga lëvizjet e tyre një re pluhuri mbuloi vendin. Kur dëgjuam thirrjen e Tekbirit, ne kuptuam që Hazret Aliu e kishte vrarë atë. Duke parë përfundimin e Amrit, shokët ia mbathën me të katra, dhe falë kuajve të tyre të shpejtë, ata arritën të shpëtonin.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkuar këtë ngjarje në këtë mënyrë:

Amru ishte një luftëtar i paepur, dhe për shkak të trimërisë së tij, krahasohej me një mijë ushtarë. Nga lufta e Bedrit, ai ishte kthyer i mundur e i poshtëruar dhe ishte mbushur me mllef e ndjenjat e hakmarrjes ndaj muslimanëve. Sa zbriti në fushë, ai lëshoi thirrje plotë mburrje e kërkoi dyluftim. Sahabët ngurronin t’i dilnin përpara, por Hazret Aliu me lejen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., doli përpara për t’u ndeshur me të. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha Hazret Aliut shpatën e tij dhe u lut për të.

Hazret Aliu iu afrua dhe i tha Amrut: Kam dëgjuar se ke marrë betim që nëse dikush nga kurejshët të shtron dy këkresa, ti me siguri do t’i bindesh njërës prej tyre. Amru ia vërtetoi fjalët. Hazret Aliu i tha: Atëherë, të shtroj kërkesën e parë që të bëhesh musliman dhe të fitosh mirësitë e Zotit duke besuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Amru ia refuzoi kërkesën dhe tha: Kjo nuk mund bëhet kurrsesi. Hazret Aliu i tha: Nëse nuk e pranon kërkesën time, atëherë dil dhe lufto me mua. Amru nisi të qeshte me tallje dhe tha: Nuk e kisha ditur që ndonjëri të guxonte të më thoshte këto fjalë. Pastaj ai ia pyeti Hazret Aliut emrin dhe fisin dhe pastaj i tha: O nipi im! Ti je akoma një fëmijë. Nuk dua të derdh gjakun. Shko dhe dërgo dikë tjetër më të madh në moshë. Hazret Aliu i tha: Ti le të mos duash, por unë nuk do të ngurroj aspak për të derdhur gjakun tënd. Tashmë Amru ishte mbushur me mllef dhe si i marrosur në zemërim zbriti nga kali dhe ia preu kyçin e këmbës dhe e rrëzoi për tokë, që t’i mos mbetej asnjë rrugë kthimi. Ai vrulloi drejt Aliut si një flakë dhe qëlloi kaq fuqishëm shpatën saqë, atij u nda mburoja në mes dhe tehu i shpatës goditi në ballë. Por Hazret Aliu gjithashtu ngriti sloganin Allahu Ekber dhe i dha një godite kaq të fortë, saqë shpata ia ndau Amrut krahun dhe hyri në trup dhe kështu ai dha shpirt me një vuajtje të rëndë. Pas vrasjes së Amr ibn Abd Vudit, mohuesit i dërguan një mesazh të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i kërkuan trupin e tij në këmbim të dhjetë mijë dirhamëve. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha si përgjigje: “Merreni këtë, ne nuk marrim çmimin e kufomave”.

Roli i tij në marrëveshjen e Hudejbijes

Hazret Bera ibn Azibi r.a. tregon se kur i Dërguari i Allahut bëri marrëveshjen e paqes me banorët e Hudejbijes, Hazret Ali ibn Ebu Talibi shkroi tekstin e traktatit dhe shkroi emrin e Profetit si “Muhammed i Dërguar i Allahut”. Idhujtarët e kundërshtuan këtë dhe kërkuan që të mos shkruheshin fjalët “i Dërguar i Allahut” pas emrit Muhammed. Ata i thanë: “Po të ishit me të vërtetë i Dërguar i Allahut, nuk kishim arsye të luftonim kundër jush”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. porositi Hazret Aliun për t’i fshirë ato fjalë, por ai i tha: “Unë nuk mund të jem ai që fshin këto fjalë”. Atëherë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i fshiu ato fjalë me dorën e vet dhe hyri në marrëveshje me ta, me kushtin që ai dhe sahabët e tij do të qëndronin vetëm tri ditë në Mekë dhe do të hynin në qytet duke mbajtur armët në Xheluban.” Njerëzit e pyetën Hazret Berain se çfarë është Xhelubani? Ai tregoi se Xhelubani është ai këllëf pëlhure, brenda të cilit mbahet shpata me gjithë mbajtësen e saj.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka përshkruar këtë ngjarje pak më hollësisht. Ai shkruan:

“Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjendej në bisedë për traktatin e Hudejbijes dhe mohuesit po propozonin kushtet e marrëveshjes, sahabët mbanin flakën e zemërimit brenda tyre. Zemrat e tyre po digjeshin nga zjarri i dhunës dhe mizorisë që mohuesit kishin ushtruar për 20 vjet ndaj tyre. Shpatat e tyre donin të dilnin nga këllëfët e tyre. Ata donin të gjenin qoftë një mundësi, për t’u hakmarrë për të gjitha ato shtypje, që kishin bërë mohuesit ndaj Islamit. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjonte me vëmendje fjalët e mohuesve, dhe kur ata parashtruan mendimin e ujdisë, ai menjëherë ua pranoi propozimin.

Megjithatë, kurejshët shtuan që muslimanët nuk mund të bënin Umre atë vit dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u pajtua edhe me këtë kusht. Pastaj, ata thanë që kur do të vijnë muslimanët vitin tjetër për Umre, ata nuk duhet të qëndrojnë në Mekë për më shumë se tri ditë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pranoi edhe këtë kusht. Pastaj, mohuesit kërkuan që muslimanët nuk do të kishin të drejtë për të hyrë në Mekë me armët e tyre.

Në një anë po përpiloheshin kushtet e traktatit, në anën tjetër sahabët mezi po mbanin mllefin e tyre.

Hazret Aliu r.a. ishte caktuar për shkrimin e traktatit. Në fillim të dokumentit, ai shkroi që ajo marrëveshje po lidhej midis Muhammedit të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. e shokëve të tij dhe në anën tjetër midis filan e filan krerëve mekasë dhe banorëve të Mekës. Kjo i acaroi mohuesit dhe ata thanë “ Ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë këto fjalë sepse ne nuk e konsiderojmë Muhammedin si të Dërguarin e Allahut. Po ta pranonim të Dërguarin e Allahut, nuk do të kishim arsye për të luftuar me të. Ne po lidhim këtë marrëveshje me të si Muhammed ibn Abdullah dhe jo në cilësinë e të Dërguarit të Allahut. Prandaj, këto fjalë nuk mund të lejohen të hynë në traktat”. Zemërimi i sahabëve në këtë moment arriti kulmin dhe ata po dridheshin nga mëria. Ata menduan se tashmë Zoti u ka dhënë një mundësi tjetër dhe tani as i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk do të pranojë kërkesën e mohuesve, dhe në këtë mënyrë ata do të gjejnë një tjetër shans për të shfryer zemërimin e tyre. Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përkrahu ankesën e tyre dhe tha: “Ata kanë të drejtë. Këto fjalë duhen hequr nga traktati”. Pastaj iu drejtua Hazret Aliut dhe tha: “Ali! Fshiji këto fjalë”. Por, Hazret Aliu, i cili qe shëmbëlltyra e bindjes dhe besnikërisë, në atë moment nuk u përmbajt dot dhe lotët i shkuan rrëke dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Unë mund t’i fshij këto fjalë”. Atëherë Profeti e kërkoi dokumentin, dhe fshiu me dorën e vet fjalët “Resulullah”.

Dyluftim me Merhebin

Në Sahihun e Muslimit, gjendet një transmetim i gjatë në lidhje me luftën e Hajberit, i cili ishte zhvilluar në muajt Muharrem e Safer të vitit 7 hixhri. Hazret Selma ibn Ekvau tregon: “Kur mbërritëm në Hajber, na doli përpara Merhebi duke vringëlluar shpatën e tij. Ai gjithashtu po thoshte: i gjithë Hajberi është në dijeni se unë Merheb jam luftëtar i paepur dhe i papërkulshëm. Trimëria ime shfaqet atëherë, kur vijnë luftërat me zjarret e tyre flakëruese”.

Hazret Selma ibn Ekvau vijon këtë rrëfim dhe thotë: “Për t’u ballafaquar me të, doli xhaxhai im Amiri. Ai si kundërpërgjigje i tha: “I gjithë Hajbari është në dijeni se unë jam Amiri, i cili është një luftëtar i paepur, i cili nuk u trembet rreziqeve”. Pastaj të dy i dhanë njëri-tjetrit goditje të forta. Gjatë dyluftimit, Merhebi qëlloi Amirin me shpatë, e cila u përplas me mburojë, por kur Amiri tentoi ta qëllonte atë nga poshtë, shpata i ra vetë atij. Nga goditja iu pre damari dhe ai u martirizua.

Kur shkova pranë tij, dëgjova disa sahabë, të cilët po bisedonin se të gjitha veprat e Amirit kanë dalë të pavlefshme. Unë shkova te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me sy të përlotur dhe i tregova se si disa sahabë po bisedonin se të gjitha veprat e Amirit tashmë janë asgjësuar. Profeti më pyeti se kush kishte thënë këto fjalë dhe unë i tregova emrat e atyre sahabëve. Profeti s.a.v.s. e hodhi poshtë këtë mendim dhe tha që Amiri kishte fituar dyfish sevap.

Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më dërgoi tek Hazret Aliu, ndërsa ai kishte dhimbje në sy. Profeti s.a.v.s. tha se ai do t’i jepte flamurin e tij, atij i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij s.a.v.s.. Unë shkova tek Aliu r.a. ndërkohë i binte ujë në sy. Unë erdha te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bashkë me Hazret Aliun r.a. dhe ai (s.a.v.s.) futi pak pështymë në sytë e tij dhe ata u shëruan plotësisht. Profeti s.a.v.s. ia dorëzoi flamurin.

Tashmë kur doli Merhebi dhe tha “Unë jam Merhebi, luftëtar i paepur dhe të gjithë për trimërinë time”. Hazret Aliu e sfidoi për ndeshje dhe tha:

أنا الذي سمتني أمي حيدره
كليث غابـــات كـــريه المــــنظرة **او فيهم بالصاع كيل السندرة

Nëna ime më ka ngjitur emrin Hajdar, si një luan i llahtarshëm që jeton nëpër pyje. Në këmbim të një sait, unë kthej një sentera. Kjo është një shprehje arabe, që do të thotë që ia kthej në të njëjtën monedhë. Një sa’ është i barabartë me tri sejr ose 2800 gram. Kuptimi leksikor i fjalës “Sendera” është مكيال واسع  d.m.th. një njësi e madhe e matjes së peshës.

Pastaj, Hazret Aliu qëlloi fort mbi kryen e Merhebit dhe e mbyti atë. Ky është transmetim i Imam Muslimit.

Shërimi i dhimbjes së syve

Hazret Musleh el-Mau’udi r.a. shkruan që i Dërguari i Allahut s.a.v.s në ditën e Hajberit kishte njoftuar se ai do t’i jepte mundësi atij, i cili e do Allahun dhe të cilin e do Allahu, dhe që do t’i besonte shpatën atij, të cilit Allahu gjithashtu i ka dhënë epërsi.

Hazret Omeri gjithashtu gjendej në atë kuvend. Ai gjithashtu ka thënë që ai herë pas here ngrinte kokën, me qëllim që t’i binte në sy dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ta dallonte atë. Por edhe nëse ai e këqyrte, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk i thoshte asgjë. Pastaj erdhi Aliu dhe kishte shumë dhimbje në sy. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi që t’i afrohej, pastaj ai vuri pështymën e tij mbi sytë e Aliut dhe tha që Allahu t’i shëronte sytë dhe ia dorëzoi shpatën.

Hazret Kalifi II r.a. ka përshkruar këtë ngjarje në një vend tjetër. Ai shkruan:

“Afërsisht pesë muaj pas kthimit nga Hudejbija, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi që hebrenjtë të dëboheshin nga Hajberi, i cili ndodhej vetëm disa milje larg Medinës, pasi ai mund të shërbente si vend strategjik për ndonjë komplot kundër Medinës.

Rënia e Hajberit nën udhëheqjen e tij

Për këtë qëllim, në gusht 628, ai u nis në drejtim të Hajberit, i cili ishte një qytet i fortifikuar. Në të katër anët e qytetit, gjendeshin fortesa, të ndërtuara mbi shkëmbinjtë. Mposhtja e këtij qyteti me një numër të vogël ushtarësh ishte mjaft e vështirë. Ndonëse, kulla të ndryshme të vrojtimit kishin rënë, por hebrenjtë tashmë ishin mbledhur në kështjellën kryesore të qytetit dhe deri tani të gjitha përpjekjet për fitoren e saj nuk kishin dhënë asnjë rezultat.

Një ditë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u njoftua përmes shpalljes që fitorja e këtij qyteti varej nga Aliu. Prandaj, në sabah i Dërguari i Allahut s.a.v.s. njoftoi se ai do t’i besonte flamurin e Islamit atij të cilin e duan Allahu dhe i Dërguari i Tij. Allahu ka vendosur që fitorja e kështjellës tashmë varet prej këtij personi.

Të nesërmen, ai thirri Hazret Aliun dhe e nderoi me flamurin e Islamit. Hazret Aliu bashkë me çetën e sahabëve u hodh në sulm ndaj kalasë. Edhe pse hebrenjtë ishin të fortifikuar, Allahu u dha Hazret Aliut dhe sahabëve të tjerë kaq shumë fuqi, saqë para se të binte nata, kalaja kishte rënë.

Hazret Musleh el-Mau’udi r.a. ka përshkruar këtë ngjarje edhe në një vend tjetër, ai shkruan:

“Kur lindi pyetja për fitoren e Hajberit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. thirri Hazret Aliun dhe deshi t’i jepte atij udhëheqjen e ushtrisë muslimane, por ai kishte dhimbje të forta në sy. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa Hazret Aliun në këtë gjendje, ai e porositi për t’iu afruar dhe pastaj vuri pështymën e tij mbi sytë e Hazret Aliut dhe ata u shëruan plotësisht”.

Hazret Musleh el-Mau’udi r.a. ka përmendur për fuqinë shëruese të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ka shkruar:

“Nganjëherë, ne dëshmojnë disa raste në botë, kur të sëmurët shërohen në kushte të jashtëzakonshme. Madje, edhe pse nuk u ishte ofruar asnjë mjet, ata janë shëruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Një ndër ngjarje të tilla, ne dëshmojmë edhe në jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. gjatë luftës së Hajberit.

Një ditë ai iu drejtua sahabëve dhe u tha që fati i Hajberit është lidhur me atë njeri, të cilit do t’i besoj flamurin. Hazret Omeri ka treguar që kur erdhi ajo ditë, unë e shikoja Profetin s.a.v.s. duke zgjatur kokën, duke shpresuar se ai atë flamur të ma besonte mua. Por, ai nuk e zgjodhi atë për këtë detyrë.

Ndërkohë, erdhi Hazret Aliu dhe ai kishte dhimbje të forta në sy. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ngjiti pështymën mbi sytë dhe ata u shëruan përnjëherë. Profeti s.a.v.s. i besoi flamurin dhe e ngarkoi me detyrën e fitores së Hajberit.

Karakteri i lartë i Hazret Aliut në fushën e betejës

Një ngjarje e Hazret Aliut është e tillë që na shton besimin. Ai doli për t’u ndeshur me një komandant hebre dhe të dy luftuan për një kohë të gjatë me njëri-tjetrin, pasi edhe hebreu ishte një luftëtar i kalitur. Por në fund, Hazret Aliu arriti ta rrëzonte atë. Ai e mbizotëroi duke u ulur mbi gjoksin e tij dhe kishte ndër mend ta mbyste atë duke e qëlluar me shpatë. Por, hebreu e pështyju në fytyrë dhe Hazret Aliu menjëherë e la atë dhe u mënjanua prej tij. Veprimi i papritur i Hazret Aliut, i bëri përshtypje të madhe, dhe ai e pyeti se përse e kishte lënë të lirë, pasi e kishte mbizotëruar atë. Hazret Aliu iu përgjigj: Unë po luftoja me ty për hir të Allahut, por kur ti më pështyve në fytyrë, më hipi inati. Në atë çast kam menduar që nëse do të të vrisja, do ta bëja atë për veten time e jo për hir të Allahut. Prandaj, të lashë të lirë që të më qetësohen nervat dhe veprimi im të mos ishte për veten time”. Ky është një shembull i lartë, që ai e la të lirë kundërshtarin e egër, vetëm sepse deshi që vrasja e tij të ishte për hir të vullnetit të Allahut e jo për dëshirat vetjake.

Leximi i ajeteve të shpallura par haxhinjve

Sipas transmetimeve, Hazret Aliu kishte shpallur ajetet e para të sures et-Tueube në kohën e haxhit. Ebu Xhafer Muhammed ibn Aliu transmeton se kur zbriti surja Berajet (Teube) mbi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ai tashmë e kishte nisur Hazret Ebu Bekrin si kryetar të haxhit. Sahabët e sugjeruan që t’i dërgonte ato ajete Hazret Ebu Bekrit, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Këtë detyrë nuk mund të përmbushë askush tjetër përveç Ehle-Bejtit (d.m.th. përveç familjes sime).

Ai e thirri Hazret Aliun dhe e porositi për të marrë ajetet e para të sures et-Teube dhe për t’i recituar ato para njerëzve në ditën e sakrificës, kur ata të gjenden në Mina. Në këto ajete përmendej se asnjë mohues nuk do të hynte në xhenet dhe pas këtij viti, asnjë idhujtar nuk do të kishte të drejtë për të kryer ritet e haxhit e as për të bërë tevafin e Qabesë duke qenë lakuriq. Po ashtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të respektojë afatin e marrëveshjes, me çdo palë.

Hazret Aliu r.a. kishte hipur në devenë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., e cila quhej Azbah dhe rrugës u takua me Hazret Ebu Bekrin. Ai e pyeti Hazret Aliun: A ju ka caktuar (i Dërguari i Allahut s.a.v.s.) kryetar të haxhit, apo do të më bindeni mua? Hazret Aliu iu përgjigj: Do të jem në varësinë tuaj.

Pastaj, ata vazhduan udhëtimin dhe Hazret Ebu Bekri mbikëqyri çështjet e haxhit. Atë vit, të gjithë arabët kishin vendosur tendat e tyre në ato vende, ku ata qëndronin në kohën e injorancës.

Kur erdhi dita e sakrificës, u ngrit Hazret Aliu dhe bëri njoftimin sipas porosive të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe tha: O njerëz! Nuk do të hyjë asnjë mosbesimtar në xhenet dhe pas këtij viti asnjë idhujtar nuk mund të kryejë ritet e haxhit. Po ashtu, çdo njeri që është i zhveshur, nuk do të ketë të drejtë për të bërë tevafin e Qabesë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. do të plotësojë afatin e marrëveshjes me çdokënd. Pas këtij njoftimi, çdo popull do të ketë afat 4 mujor për t’u kthyer në vendet e tyre. Pastaj, nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo ujdi me idhujtarët, përveç atyre që kanë qenë në fuqi dhe nuk u është përfunduar afati. Pas atij viti, asnjë idhujtar dhe asnjeri i zhveshur nuk bëri haxh.

Zbulimi i një letre sekrete dhe bindja në vërtetësinë e Profetit a.s.

Pas kryerjes së haxhit, Hazret Ebu Bekri dhe Hazret Aliu u kthyen te i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Hadithin e radhës ndonëse e kam cituar edhe më parë në lidhje me jetën e një sahabiu, dua ta përmend sërish në lidhje me Hazret Aliun r.a.. Në të përmendet një ngjarje e cila ka ndodhur në muajin ramazan, 8 hixhri ose përkatësisht në janar të vitit 630. Hazret Aliu transmeton: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi Zubjerin, Mikdad ibn Esvedin dhe mua në Roda Khakh. Ai na tregoi se aty do të gjenim një grua në deve, e cila posedon një letër sekrete. Ne duhet ta siguronim atë letër prej saj!” Ne menjëherë u nisëm drejt këtij vendi dhe kalëruam vrullshëm për të mbërritur sa më shpejt në Roza Khakh. Kur mbërritëm atje, gjetëm një grua që udhëtonte në deve. Ne e urdhëruam të na dorëzonte letrën, por ajo refuzoi dhe tha se nuk posedonte asnjë letër. Ne i thamë se duhet të dorëzonte letrën, ndryshe ne do ta zhvishnim e do ta kontrollonim. Ajo u frikësua dhe nxori një letër që e kishte fshehur në tufë flokësh. Ne ia morëm letrën dhe ia dorëzuam të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Kjo letër u ishte drejtuar banorëve të Mekës pra idhujtarëve dhe ishte shkruar nga Hatib ibn Ebi Beltea dhe mbante informacion lidhur me planin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Profeti s.a.v.s. menjëherë thirri Hatib ibn Ebi Beltea dhe i kërkoi sqarim për këtë veprim. Ai iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Ju lutem, mos nxitoni për çështjen time. Kam qenë i prejardhur në Mekë dhe nuk isha prej kurejshëve. Muhaxhirët kanë lidhjet farefisnore në Mekë dhe kishin mundësi për të mbrojtur familjet dhe pronat e tyre. Meqë nuk kisha asnjë lidhje gjaku me mekasit, prandaj mendova t’u bëj një favor dhe ndoshta edhe ata të më kthejnë favorin. Unë nuk e bëra këtë nga hipokrizia, mosbesimi apo mohimi i Islamit. Unë nuk e kam mohuar Islamin, as nuk jam hipokrit. Asnjëri nuk i kthehet mosbesimit, pas pranimit të Islamit”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pranoi arsyen e tij dhe ia vërtetoi fjalët.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. gjithashtu ka përshkruar këtë ngjarje. Ai shkruan:

“Një sahab i dobët u kishte shkruar një letër banorëve të Mekës, në të cilën kishte përmendur se ‘I Dërguari i Allahut s.a.v.s. është nisur me 10 mijë ushtarë. Unë nuk di se cili është qëllimi i tij, megjithatë mendoj se Profeti s.a.v.s. po i drejtohej Mekës. Unë kam disa të afërm që jetojnë në Mekë. Unë shpresoj që në këtë kohë të vështirë, ju do t’i mbroni ata, dhe nuk do të lejoni që t’i godasë ndonjë fatkeqësi’.

Kjo letër akoma nuk kishte mbërritur në Mekë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e thirri Hazret Aliun në mëngjes dhe i tregoi se ai është informuar nga Allahu i Madhërishëm që në filan vend gjendet një grua në deve, e cila mban një letër sekrete për mekasit. Ai e porositi Hazret Aliun që ta siguronte këtë letër me çdo kusht, dhe t’i sillte atij pa asnjë vonesë.

Para se të nisej Hazret Aliu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi: shiko, ajo është një grua, prandaj mos u tregoni të ashpër ndaj saj. Ju thjesht duhet t’ia kërkoni letrën me këmbëngulje, e në mënyrë të prerë pa asnjë lëshim. Por, nëse ajo nuk pranon, dhe nuk u përgjigjet kërkesave tuaja, ju mund të merrni edhe masat e rrepta disiplinore ndaj saj. Madje, nëse nuk ju bindet në asnjë mënyrë, keni të drejtë edhe për ta ekzekutuar, por mos lejoni që të kalojë letra.

Hazret Aliu mbërriti në vendin e caktuar dhe e gjeti një grua. Ajo nisi të qante dhe betohej se nuk qe tradhtare a mashtruese. Pranoi që të kontrolloheshin sendet e saj. Sahabët ia kontrolluan plaçkat, xhepat por nuk gjetën asnjë letër. Ata thanë se ndoshta ajo nuk kishte asnjë letër. Hazret Aliu u nxeh dhe tha: Mos flisni ashtu. Pasha Zotin! I Dërguari i Allahut nuk mund të gënjejë. Ai zhveshi shpatën dhe i tha asaj: Nxirre letrën pa asnjë vonesë, ndryshe do të të kontrolloj duke zhveshur, sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë të vërtetën dhe ti po gënjen”. Ajo u tremb nga fjalët e Hazret Aliut dhe nga kërcënimi i zhveshjes, dhe menjëherë liroi gërshetat, brenda të cilëve kishte fshehur letrën dhe ia dorëzoi atij.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka cituar këtë ngjarje gjithashtu në një vend tjetër. Ai shkruan:

“Në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., një sahab deshi të lajmëronte fshehurazi të afërmit e tij që jetonin në Mekë, për sulmin e muslimanëve. Ai mendonte se banorët e Mekës për shkak të këtij favori, do të trajtonin më mirë të afërmit e tij. Megjithatë, Allahu i Madhërishëm e kishte njoftuar të Dërguarin e Tij për këtë veprim. Ai menjëherë porositi Hazret Aliun dhe disa sahabë të tjerë që në filan vend gjendet një grua, ata duhet të niseshin menjëherë dhe të sekuestronin atë letër prej saj. Kur grupi i sahabëve mbërriti në atë vend, dhe ia kërkuan me këmbëngulje letrën asaj gruaje, ajo refuzoi prerazi se posedonte një gjë të tillë. Disa sahabë menduan që ndoshta i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka gabuar, por Hazret Aliu nuk u pajtua me mendimin e tyre dhe tha që Profeti s.a.v.s. nuk mund të gabonte në asnjë mënyrë. Ai bëri të qartë se derisa nuk do të zbulonte letrën, ai nuk do të largohej nga ai vend. Kur ai e qortoi rëndë, ajo grua frikësua dhe i dorëzoi letrën.

Një këshillë profetike lidhur me marrjen e përgjegjësisë

Pas fitores së Mekës, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndodhej në xhaminë e shenjtë, Hazret Aliu i erdhi, duke mbajtur çelësat e Qabes në dorë. Ai i kërkoi të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. lejen për të bërë sikaje për haxhinjtë (d.m.th. për t’u shërbyer me ujë të pijshëm) si dhe detyrën e çeljes dhe mbylljes së Qabesë. Profeti s.a.v.s. pyeti për Osman ibn Telhain. Kur erdhi ai, Profeti s.a.v.s. ia mori çelësat Hazret Aliut dhe ia dorëzoi Osman ibn Telhait dhe tha: “O Osman! Ky çelës tashmë të takon ty. Sot është dita e mirësisë dhe besnikërisë”. Pastaj ai iu drejtua Hazret Aliut dhe tha: “Unë nuk do t’ju ngarkoj me diçka që ju rëndon si detyrë dhe ju mundon, por gjithmonë do t’jua besoj atë përgjegjësi që është e bekuar për ju dhe mban mirësi. Po ashtu, nuk do t’ju ngarkoj me diçka që ju kërkoni vetë”.

Falja e Profetit a.s.

Hazret Umi Hani bint Ebu Talibi ka thënë se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u strehua në pjesën malore të Mekës, i erdhën dy të afërm nga e vjehërrisë. Në të njëjtën kohë, erdhi dhe vëllai i saj Hazret Aliu dhe tha: Betohem në Allah! Kam për t’i mbytur ata. Hazret Umi Hani i strehoi në shtëpinë e saj dhe i kyçi derën, e pastaj shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili ndodhej në pjesën malore të qytetit. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s po lahej me një enë, që mbante shenjat e brumit. Vajza e tij, Hazret Fatimeja r.a. kishte ngritur një çarçaf për ta mbuluar. Pas larjes, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi rrobat dhe fali 8 rekate nafilat e paradites. Pastaj ai iu drejtua asaj dhe pyeti: Mirë se vjen Umi Hani. Çfarë të solli këtu? Ajo ia rrëfeu ngjarjen rreth Hazret Aliut dhe dy njerëzve të tjerë, të cilët i kishte strehuar në shtëpinë e saj, dhe që si Hazret Aliu po donte t’i mbyste ata. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. pasi dëgjoi kërkesën e saj, i tha: Jo ti, por unë u kam dhënë mbrojtje. Atyre të cilëve u ke dhënë strehim, edhe ne u garantojmë mbrojtje, prandaj le të mos bëjë ai asgjë kundër tyre.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte shpallur urdhrin për ekzekutimin e Huvejrith ibn Nukejdit, sepse ai i shkaktonte sfilitje të rënda në Mekë, e përgojonte dhe bënte shpifje të ndyra ndaj tij. Madje, kur xhaxhai i Profetit Hazret Abasi kishte dërguar Hazret Fatimen dhe Hazret Umi Mektumin nga Meka në Medinë në deve, ky Huvejrith e kishte rrëzuar devenë e tyre. Gjatë fitores së Mekës, Hazret Aliu kishte ekzekutuar Huvejrith ibn Nukejdin, ndërkohë ai po përgatitej për arratisje.

Lufta e Hunejnit

Në luftën e Hunejnit, e cila ishte zhvilluar në vitin 8 hixhri, Hazret Aliu kishte mbajtur flamurin e muhaxhirëve. Kjo qe një luftë e ashpër, dhe njëherë gjatë një sulmi të rrufeshëm të mohuesve, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe disa sahabë ishin mbetur plotësisht të vetmuar e të izoluar, ishte Hazret Aliu që i qëndronte pranë.

Në luftën e Hunejnit, një person po udhëhiqte ushtrinë e idhujtarëve. Ai ishte hipur në një deve të kuqe dhe mbante një flamur të zi, të cilin kishte lidhur me një shtizë të gjatë. Njerëzit e fisit Benu Hevazin qëndronin pas tij. Kushdo që i dilte përpara, ai e qëllonte me shtizë dhe e mbyste menjëherë. Nëse dikush i shpëtonte shtizën, ai u bënte me shtizë të ngritur dhe njerëzit i qëndronin pas i vërsuleshin atij. Gjakderdhja e muslimanëve, ua tërhoqi vëmendjen Hazret Aliut dhe një sahabiu ensar dhe ata dolën për ta mbytur atë. Hazret Aliu iu afrua nga mbrapa dhe qëlloi mbi gungën e devesë dhe ajo u rrëzua për tokë. Në të njëjtën sahabiu ensar kërceu me vrull dhe i dha një goditje kaq të fuqishme saqë iu pre kërciri nga mesi. Kjo e gjallëroi besimin e muslimanëve dhe ata u hodhën sërish në sulm ndaj idhujtarëve.

Ekspedita ndaj fisit Benu Tej

Në lidhje me ekspeditën ushtarake ndaj fisit Benu Tej nën udhëheqjen e Hazret Aliut, ne gjejmë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nisur 150 ushtarë për rrëzimin e idhullit të tyre Fuls. Territori i fisit Benu Tej shtrihej në verilindje të Medinës. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dhënë Hazret Aliut një flamur të madh në ngjyrë të zezë dhe një flamur të vogël në ngjyrë të bardhë. Hazret Aliu sulmoi Benu Hatimin në mëngjes dhe përmbysi idhullin e tyre Fuls. Para se të kthehej në Medinë, ai gjithashtu kishte mbledhur një sasi të madhe plaçkash dhe i kishte zënë ushtarët kundërshtarë si rob lufte.

Lufta e Tebukut

Lufta e Tebukut ishte zhvilluar në muajin Rexhep të 9 hixhri. Hazret Mus’ab ibn Sa’adi ka transmetuar nga babai i tij se para se të nisej drejt Tebukut, i Dërguari i Allahut caktoi Hazret Aliun si zëvendës të tij në Medinë. Hazret Aliu e pyeti: O i Dërguar i Allahut! A po më lini pas midis grave dhe fëmijëve. Profeti i tha: A nuk gëzohesh ti, se paske të njëjtën pozitë me mua, siç e kishte Haruni me Musain, ndonëse nuk ka profet pas meje.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka rrëfyer këtë ngjarje në këtë mënyrë:

“Njëherë i Dërguar i Allahut s.a.v.s. u nis për luftë dhe emëroi Hazret Aliun si zëvendësi i tij në Medinë. Meqë, nga burrat kishin mbetur vetëm hipokritët në qytet, ai u bë merak dhe shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i shtroi kërkesën që t’i lejohej të ishte pjesë e ushtrisë muslimane. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ngushëlloi atë dhe i tha:

أمَا ترضَى أن تكونَ منِّي بمنزلةِ هارونَ مِن موسى؛ غيرَ أنَّه لا نبيَّ بَعدِي،

A nuk kënaqesh që të gëzosh të njëjtin raport me mua, siç e kishte Haruni me Musain. Pra, njëlloj si Haruni, edhe ti do të bëhesh mëkëmbësi im, megjithatë nuk do të jesh profet.

Udhëtimi drejt Jemenit dhe porosia e Profetit për drejtësinë

Në vitin 10 pas hixhretit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e nisi Hazret Aliun për në Jemen. Para tij, Profeti s.a.v.s. kishte dërguar Hazret Halit ibn Velidin që t’i ftonte banorët e Jemenit në Islam, por ata nuk e pranuan këtë thirrje. Pas refuzimit të tyre, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi Hazret Aliun. Ai ua lexoi letrën e Profetit dhe i gjithë qyteti i Hemdanit pranoi Islamin brenda një dite.

Hazret Aliu përmes një letre, njoftoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për ngjarjen e pranimit të Islamit. Pas leximit të letrës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përsëriti tri herë këto fjalë: Paqja qoftë mbi Hemdanin!

Qyteti i Hemdanit ndodhet në Jemen, dhe 1150 kilometra larg Medinës në drejtim juglindje.

Pastaj, banorët e Jemenit gjithashtu pranuan Islamin. Kur Hazret Aliu njoftoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për këtë, ai bëri sexhde në shenjë mirënjohje ndaj Allahut.

Hazret Aliu ka transmetuar se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dërgoi në Jemen si Kadi (gjykatës). Ai rrëfen: Unë i thashë: O i Dërguar i Allahut! Ju po më dërgoni në Jemen, ndërkohë jam i ri dhe nuk kam asnjë njohuri për çështjet e drejtësisë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Allahu do të të ndriçojë zemrën me udhëzim dhe do t’i dhurojë qëndrueshmëri gjuhës sate. Nëse të vijnë dy palë kundërshtare me mosmarrëveshjen e tyre, nuk duhet të nxitosh në dhënien e vendimit, derisa nuk e ke dëgjuar argumentin e të dy palëve. Nëse vepron në këtë mënyrë, ka më shumë gjasa që vendimi të bëhet i qartë për ty. Hazret Aliu ka shtuar që pas kësaj porosie, ai nuk kishte pasur asnjë mëdyshje në dhënien e vendimit.

Dashuria e Profetit a.s. ndaj Hazret Aliut r.a.

Hazret Amr ibn Sh’ath el-Eslemiu, i cili qe i pranishëm edhe në marrëveshjen e Hudejbijes ka thënë se kishte udhëtuar me Hazret Aliun drejt Jemen dhe gjatë udhëtimit, ai e kishte trajtuar me kaq shumë rreptësi, saqë kishte pasur mendime kundër tij. Kur ai u kthye nga Jemeni, ishte ankuar kundër Hazret Aliut në xhami. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu kishte mësuar për fjalët e tij. Një ditë kur Hazret Amr ibn Sh’ath el-Eslemiu hyri në xhami, ai e gjeti Profetin s.a.v.s. duke kuvenduar me sahabët e tij. Kur Profeti s.a.v.s. e pa atë, ai i hodhi një vështrim mprehtë, dhe kur u ul Profeti s.a.v.s. i tha: O Amru! Pasha Allahun, ti më ke munduar. Hazret Amru i tha: O i Dërguar i Allahut! Unë i kërkoj mbrojtjen Allahut nga çdo gjë që ju ka shkaktuar dhimbje. Profeti s.a.v.s. i tha: Ai që e mundon Aliun, më mundon mua. Ky transmetim gjendet në Musned Ahmed ibn Hanbel.

Hazret Ebu Sa’id el-Hudriu rrëfen se njëherë kur njerëzit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj Hazret Aliut, u ngrit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe iu drejtua atyre dhe ndër të tjerash tha: O njerëz! Mos u ankoni ndaj Aliut. Pasha Zotin! Ai i frikësohet Atij shumë dhe nuk dëshiron që njerëzit të shprehin pakënaqësi ndaj tij.

Kjo temë do të vijojë edhe në vazhdim.

Një thirrje për t’u lutur për ahmedianët e Algjerisë dhe Pakistanit

Edhe sot dua t’ju tërheq vëmendje për lutje. Të xhumanë e kaluar, nuk ishte përmendur emri i Algjerisë, ku ahmedianët po përballen me rrethana mjaft të vështira. Disa janë arrestuar dhe janë futur në qeli. Lutuni që Allahu t’ua lehtësojë gjendjen dhe t’u dhurojë liri sa më shpejtë të burgosurve. Allahu i dhëntë mend kësaj qeverie, që t’i përmbahet drejtësisë dhe të respektojë të drejtat e ahmedianëve. Po kështu, situata në Pakistan po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Duhet të luteni për disa zyrtarë individë. Nëse këta udhëheqës fetarë dhe zyrtarë të lartë nuk duan të ndërgjegjësohen apo ashtu qenka fati i tyre, atëherë duhet të luteni për kapjen e tyre nga Allahu. Allahu afroftë dënimin e tyre dhe ua lehtësoftë gjendjen ahemdianëve!

Në fund të hutbes Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) përmendi lajmin pikëllues për vdekjen e Rashid Ahmed sahibit, i cili kishte ndërruar jetë më 28 tetor 2020, në moshën 76 vjeçare në Rabuah. Ai posedonte cilësi të shumta dhe shquhej për dhembshurinë ndaj njerëzve të varfër. I ndjeri qe babai i Tahir Ahmed Nadim sahibit, i cili shërben si murabi në Redaksinë Qëndrore Arabe. Huzuri udhëhoqi xhenazen e të ndjerit në mungesë pas namazit të së xhumasë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp