Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
pendesa mekati bejti

(Marrë nga “Malfuzat”, thëniet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.)

1891

Qëllimi i ardhjes

Hazret Maulvi Abdul Kerim sahibi r.a. thotë:

Mbaj mend shumë mirë dhe këtë e kam shkruar edhe në fletoren time që, një njeri në Xhalender pyeti Hazret Imamin e vërtetë, Mirza Sahibin a.s.: Cili është qëllimi i ardhjes suaj në botë?

Ai iu përgjigj:

“Unë kam ardhur që njerëzit të përparojnë në forcën e besimit”.

1895

Z. Mufti Muhamed Sadik r.a. shkruan:

Në vitin 1895, kur shkoja te Hazret Mesihu i Premtuar a.s., shkruaja fjalët e pastra të tij në një fletore, të cilën e merrja në Lahor dhe ua lexoja ahmedianëve të atjeshëm në mbledhjen e tyre javore, dhe këtë e bëja me qejf. … Në vijim do të paraqes një pjesë nga kjo remenishencë. Gjatë asaj kohe, ngaqë nuk i shkruaja datat, çdo gjë po ju tregoj në vijim, është pa datë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Bejti dhe pendesa

Duhet të dini se çfarë dobie ka bejti dhe përse ai është i nevojshëm. Sepse derisa nuk ia dini dobinë ose vlerën diçkaje të caktuar, nuk mund ta çmoni atë. Për shembull, njeriu mban plot gjëra në shtëpi: para, gjëra të pavlerë, dru etj. Çdo gjë nga këto, ai ruan në bazë të vlerës së saj. Ai nuk mundohet kaq shumë për të ruajtur gjëra të pavlerë, siç mundohet për të ruajtur paratë. Drunjtë, për shembull, do t’i lërë në një cep dhe kështu me radhë. Pra, do të ruajë sendet, në varësi të humbjes që mund t’i bëhet nga diçka e caktuar.

Në të njëjtën mënyrë, gjëja më e çmueshme në bejt është tevbe (pendesa), e cila do të thotë kthim. Njeriu krijon lidhje kaq të ngushtë me mëkatet e tij, saqë ato bëhen vendi i tij, në të cilin ai banon dhe jeton. Kuptimi i pendesës është që njeriu të largohet nga ky vend, kurse kuptimi i kthimit është që ai të pastrohet.

Dihet që është shumë zor ta braktisësh vendin, sepse detyrohesh të përballosh mijëra vështirësi. Sa shumë i dhimbset njeriut kur ai braktis një shtëpi! Që të braktisë një vend, i duhet të shkëputë lidhjet me të gjithë shokët e miqtë. Madje, i duhet të braktisë çdo gjë të përditshmërisë, si dhomën, shtratin, fqinjët, skutat, rrugicat, pazaret dhe çdo gjë tjetër, për të mos u kthyer kurrë më aty e për të shkuar në një vend të ri. Kjo quhet pendesë. Shokët e mëkatit janë të tjerë dhe shokët e takvasë (druajtje ndaj Zotit) janë të tjerë. Sufistët këtë ndryshim e kanë quajtur vdekje. Pra, ai që pendohet, detyrohet të mundohet shumë. Pendesa e vërtetë i nxjerr vështirësi të mëdha. Ndërsa Zoti i Madhërishëm që është shumë Mëshirëbërës dhe shumë Bujar nuk e lë atë të vdesë, pa i dhënë më të mirën, në këmbim të pendesës.

Këtë tregon ajeti:

إِنَّ اللَّـهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ

“Sigurisht, Allahu i do të penduarit” (El-Bekare 2:223)

Pra, njeriu që pendohet ngaqë mbetet i vetmuar dhe i gjorë, Allahu i Madhërishëm e do atë, dashurohet me të dhe e pranon atë në xhematin e mirëbërësve.

Popujt e tjerë nuk e konsiderojnë Zotin si Mëshirëbërës dhe Bujar. Të krishterët e kanë pandehur Zotin për mizor, kurse të birin mëshirëbërës. Pra, sipas tyre i ati nuk ta falë mëkatin, kurse i biri vetëflijohet që ty të falet mëkati. Me çfarë naiviteti të madh bëjnë dallim mes të atit e të birit! Zakonisht biri i përngjan babait në morale e në sjellje. (Por, këtu asfare!) Allahu, po të mos ishte Mëshirëbërës, njeriu nuk mund të merrte dot frymë qoftë edhe për një herë të vetme. Ai që krijoi mijëra sende të dobishme për njeriun, përpara se ky i fundit të vepronte, a mund të imagjinosh se Ai nuk do të pranojë pendesën dhe veprën?!

Mëkati dhe pendesa

Realiteti i mëkatit nuk është që Allahu e ka krijuar atë dhe falja e tij iu kujtua pas mijëra vitesh. Ashtu siç miza ka dy krahë: në njërin ka shërim dhe në tjetrin ka helm, edhe njeriu ka dy krahë të tillë: një të mëkateve dhe një tjetër të keqardhjes, të pendesës, të shqetësimit. Njeriu rreh pamëshirë shërbëtorin e tij, por ndien edhe keqardhje për të. Pra, të dy krahët veprojnë njëkohësisht. Bashkë me helmin, ekziston edhe shërimi. Lind pyetja: Përse është krijuar helmi? Përgjigjja është: Helmi edhe pse ekziston, por po ta thërrmosh, ai bëhet eliksir. Po të mos ishte mëkati, njeriut do t’i hipte helmi i mendjemadhësisë dhe do ta shkatërronte atë. Pendesa ia zhdëmton. Mëkati e ruan njeriun nga gjëma e mendjemadhësisë dhe e vetëpëlqimit. Nëse Profeti i dëlirë s.a.v.s. kërkonte falje shtatëdhjetë herë, sa herë duhet të kërkojmë ne? Nga mëkati vetëm ai nuk pendohet, që pajtohet me të. Kurse ai që e njeh mëkatin si mëkat, përfundimisht do të largohet prej tij.

Në hadith thuhet se kur njeriu i kërkon falje Allahut, duke qarë vazhdimisht para Tij, përfundimisht Allahu i thotë: “Të kam falur! Tani, bëj çfarë të duash!” Kuptimi i kësaj është që Zoti ia ndërron zemrën dhe ai njeri do të ketë në natyrë ta urrejë mëkatin. Ashtu siç njeriu që sheh delen duke ngrënë bar, nuk e lakmon të hajë të njëjtën gjë, në të njëjtën mënyrë, edhe ai që e ka falur Zoti, nuk do të mëkatojë. Muslimanët në përgjithësi e urren mishin e derrit, edhe pse bëjnë një mijë punë të tjera që janë haram dhe të ndaluara. Urtësia në këtë është pikërisht kjo që Zoti ka lënë një model për ta urryer dhe e ka mësuar njeriun që kështu duhet ta urrejë edhe mëkatin.

Lutja është ilaç

Mëkatari, duke menduar maketet  e tij të shumta dhe gjëra të tjera si këto, asnjëherë nuk duhet të heqë dorë nga lutja. Lutja është ilaç. Nëpërmjet lutjeve ai përfundimisht do të shohë se sa i keq është mëkati. Ata që janë të zhytur në mëkate dhe për këtë arsye mbeten të dëshpëruar nga pranimi i lutjes dhe nuk pendohen, përfundimisht mohojnë profetët dhe ndikimet e tyre.

Pendesa është pjesë e bejtit

Pra, kjo është pendesa. Përse ajo është pjesë e bejtit? Njeriu jeton i shkujdesur, por kur bën bejt në dorën e atij, të cilit Zoti i Madhërishëm i dha fuqinë e ndryshimit, ai sjell ndryshime. Ashtu siç pema që shartohet, ndryshon natyrën e vet, në të njëjtën mënyrë edhe njeriu që e pranon këtë shartim, merr bekimet dhe dritat e atij (që është i caktuar për të sjellë ndryshime), me kusht që ai të krijojë lidhje të sinqertë me të. Pra, të mos mbetet si një degë e thatë, por të bëhet një trup me të. Sa më e fortë të jetë kjo lidhje, aq më shumë do të përfitojë.

Bejti ritual nuk bën dobi

Bejti ritual nuk ju bën dobi. Një bejt i tillë vështirë t’ju japë diçka. Do të përfitojë vetëm ai që heq dorë nga vetvetja dhe i bashkohet (Imamit) me dashuri e sinqeritet të plotë. Hipokritët që nuk patën lidhje të sinqertë me Profetin Muhammed s.a.v.s., përfundimisht mbetën pabesimtarë. Ata nuk krijuan dot në vete dashuri dhe besnikëri të sinqertë, andaj “la ilaha ilallah” ritual i tyre nuk u bëri dobi. Prandaj, është shumë e nevojshme që të forconi lidhjet.  Nëse (kërkimtari) nuk i forcon këto lidhje dhe nuk përpiqet, ankesa e tij është e pavlefshme. Duhet të forconi lidhjen tuaj të dashurisë dhe të sinqeritetit dhe sa të keni mundësi, t’i përngjani njeriut që ndiqni, edhe në besim, edhe në mënyra veprimi. Nefsi ju bën premtime për jetë të gjatë. Ky është mashtrim. Jetës nuk i besohet. Duhet të ktheheni sa më shpejt te drejtësia dhe adhurimi dhe të bëni llogari për çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë.[1]

Porosia për tehexhud

Çfarë keni siguruar për ahiretin, nëse çdo frymë që keni marrë në këtë botë, e keni marrë për punët e kësaj bote? Çohuni veçanërisht për tehexhudin (namazin e natës) dhe faleni atë me shumë dëshirë e përkushtim. Për shkak të punës, besimtari bie në sprovë në namazet e ditës. Furnizuesi është Allahu i Madhërishëm. Namazin duhet ta falni në kohën e tij. Drekën dhe ikindinë mund t’i bashkoni nganjëherë. Allahu i Madhërishëm e dinte se njerëzit do të jenë të dobët, për këtë arsye e la këtë mundësi. Por kjo mundësi nuk ju lejon të bashkoni tri namaze.

….

1897

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Unë asnjëherë nuk e konsideroj veten hoxhë e as nuk më vjen mirë që dikush të më quajë hoxhë. Madje, kaq shumë më lëndon kjo fjalë, saqë më duket sikur të më ketë sharë tjetri”.

“Njerëzit do t’ju lëndojnë dhe do t’ju shkaktojnë gjithfarë vështirësish, por ju si anëtarë të xhematit tonë, nuk duhet t’u përgjigjeni rrëmbyer. Mos nxirrni fjalë lënduese duke u rrëmbyer. Zoti i Madhërishëm nuk i do njerëz të tillë. Xhematin tonë Zoti i Madhërishëm dëshiron ta bëjë një model”.[2]

“Kjo është punë qiellore dhe puna qiellore nuk mund të ndalet. Unë nuk qëndroj në këtë mes, qoftë edhe me një hap të vetëm”.

“Unë nuk zemërohem nga sharjet e njerëzve”.

“Të pasurit kanë ego, por ulematë e sotëm e kanë edhe më shumë. Egoja e tyre u është bërë pengesë si një mur. Unë dëshiroj ta shemb këtë mur. Kur do të shembet ky mur, ata do të vijnë me përulësi”.

“Allahu i Madhërishëm e do njeriun që ka takva. Jini të frikësuar përpara madhështisë së Zotit dhe mbani mend që të gjithë janë robër të Zotit. Mos bëni padrejtësi ndaj askujt. Mos u nxitoni e as mos nënçmoni dikë. Nëse ka qoftë një njeri të keq në xhemat, ai të gjithë i bën të këqij. Nëse natyra juaj anon nga të qenët e nxehtë, kërkojeni në zemër se ku e ka burimin kjo nxehtësi. Kjo është një çështje shumë e brishtë”.[3]

(Marrë nga “Malfizat”, 2016, vëll. 1, f. 1-5 dhe f. 7-8)

Audio


[1] Më kujtohet që këtë fjalim, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. e mbajti në kohën kur ekonomisti Muhamed Navab Khan bëri bejtin në dorën e tij. (Kryeredaktor) (Gazeta El-Bedër, vëll. 1, nr. 5-6, e datës 2 nëntor dhe 5 dhjetor, 1902)
[2] Gazeta Bedër, vëll. 11, nr. 1, 2 nëntor 1911, f. 3.
[3] Gazeta Bedër, vëll. 11, nr. 8dhe9, 30 nëntor 1911, f. 3.