Hallali dhe harami | Cili është koncepti i tyre në Islam?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Koncepti i Islamit rreth hallallit

Islami është një fe që synon të aftësojë njeriun për të arritur potencialin e tij të plotë – veçanërisht në lidhje me pastërtinë e tij shpirtërore. Islami gjithashtu i ngulit në zemër një dashuri të pakrahasueshme për arritjen e përsosmërisë në pastërti e dëlirësi, dhe e edukon të përmbahet tërësisht nga gjithçka që nuk është e pastër. Ky është ai boshti kryesor rreth të cilit sillet koncepti i hallallit (e lejueshme) dhe të haramit (e palejueshme).

Nëse keni një shok apo koleg musliman, me siguri duhet ta keni dëgjuar fjalën hallall, veçanërisht në lidhje me ushqimin. Po ashtu, gjatë kalimit nëpër dyqane ushqimesh apo picërie, me siguri keni parë produkte të etiketuara me logon “Hallall” me shkronja të trasha. Në të vërtetë, termi hallall në Islam ka një domethënie shumë më të thellë, e cila përfshin një hapësirë shumë më të gjerë sesa thjesht ushqimi dhe materialet e konsumit.

Ai përdoret për të përshkruar kufijtë që Zoti ka vendosur në çdo aspekt të jetës sonë, që kanë të bëjnë jo vetëm me ushqimin, por edhe me martesën, me fitimet apo edhe me sjelljen tonë të përditshme. Me anë të këtij termi, Zoti dhe i Dërguari i Tij i Shenjtë, Muhammedi (s.a.v.s.), përfkufizojnë se çfarë është e lejueshme për ne dhe çfarë është e ndaluar, të gjitha për hir të pastrimit të plotë nga çdo lloj zvetënimi e degjenerimi. Ashtu siç është përmendur më parë, mësimet e Islamit kanë për qëllim të zgjidhin problemet duke qëlluar në rrënjët e tyre, dhe synojnë të shamngin edhe rrezikun më të vogël që shkaktohet nga veprat e këqija.

Në Kuranin Famëlartë Zoti ka përmendur një parim të përgjithshëm lidhur me atë që konsiderohet Hallall. Ai thote:

یَسۡـَٔلُونَكَ مَاذَاۤ أُحِلَّ لَهُمۡۖ قُلۡ أُحِلَّ لَكُمُ ٱلطَّیِّبَـٰتُ

Ata të pyesin se çfarë u lejohet. Thuaju: Ju lejohen të pastrat.[1]

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte obliguar t’ia përcillte këtë përgjigje çdokujt që e pyeste se çfarë është e ligjshme. Çdo gjë që është e dobishme dhe e pastër, është bërë Hallall për ne, dhe gjithçka që është e dëmshme për ne është përshkruar qartësisht e ndaluar nga Zoti në Kuranin Famëlartë në terma të qartë. Nuk ka asnjë paqartësi në lidhje me ndalimet specifike të bëra nga Zoti. Për shembull, konsumimi i mishit të derrit[2], pirja e alkoolit[3], marrja e interesit[4] dhe lidhja martesore me gra si nëna, motrat, tezet, hallat [5], janë ndaluar shprehimisht në Kuranin Famëlartë, dyke mos lënë asnjë mëdyshje.

Zoti nuk ka vendosur këta kufij për të na penguar në ndonjë mënyrë, përkundrazi për të na mbrojtur nga shpërdorimi i krijimit të Zotit dhe për të skalitur dëlirësinë brenda shpirtit.

عَنْ سَعِيدِ بْنِ يَسَارٍ، أَنَّهُ سَمِعَ أَبَا هُرَيْرَةَ، يَقُولُ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم ‏ “‏ مَا تَصَدَّقَ أَحَدٌ بِصَدَقَةٍ مِنْ طَيِّبٍ – وَلاَ يَقْبَلُ اللَّهُ إِلاَّ الطَّيِّبَ – إِلاَّ أَخَذَهَا الرَّحْمَنُ بِيَمِينِهِ وَإِنْ كَانَتْ تَمْرَةً فَتَرْبُو فِي كَفِّ الرَّحْمَنِ حَتَّى تَكُونَ أَعْظَمَ مِنَ الْجَبَلِ كَمَا يُرَبِّي أَحَدُكُمْ فَلُوَّهُ أَوْ فَصِيلَهُ ‏”‏ ‏.‏

Një herë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po u shpjegonte sahabëve se lutjet e atij që ushqehet, vishet dhe vepron në kundërshti të hapur (haram), nuk sjellin asnjë rezultat[6].  Në këtë mënyrë, nxjerrim përfundimin se gjithçka që arrihet nga mjetet e paligjshme nuk është hallall, përkundrazi është haram. Nëse i nxjerrim fitimet tona përmes mjeteve të paligjshme, ato fitime dhe gjithçka e fituar përmes tyre, bëhet e paligjshme.

Për sa i përket ushqimit, mishi mbetet gjithmonë një çështje disuktimi. Shumë veta pyesin për një lloj të veçantë mishi prej viçit apo pules është hallall apo jo. Dihet se viçi dhe pula të dy janë hallall, ose me fjalë të tjera të lejueshnme për t’u konsumuar. Zoti ka përmendur në disa pjesë të Kuranit se çfarë është e lejueshme dhe çfarë nuk është. Një shembull i kësaj dispozite është si në vijim:

إِنَّمَا حَرَّمَ عَلَيْكُمُ ٱلْمَيْتَةَ وَٱلدَّمَ وَلَحْمَ ٱلْخِنزِيرِ وَمَآ أُهِلَّ بِهِۦ لِغَيْرِ ٱللَّهِ ۖ فَمَنِ ٱضْطُرَّ غَيْرَ بَاغٍ وَلَا عَادٍ فَلَآ إِثْمَ عَلَيْهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ

Ai ju ka ndaluar vetëm ngordhësirën, gjakun, mishin e derrit dhe atë, për të cilën i është lutur dikujt tjetër përveç Allahut. Por ai që detyrohet tej mase dhe që nuk është as lakmues e as shkelës i kufijve, nuk bën mëkat. Allahu, pa dyshim, është shumë Falës, Mëshirëbërës.[7]

Përveç atyre që Zoti ka ndaluar shprehimisht, çdo gjë tjetër është e lejueshme për t’u konsumuar me kushtin që të jetë e pastër dhe e dobishme për njeriun nga ana shëndetësore, ashtu siç përshkruan Allahu:

وَكُلُوا۟ مِمَّا رَزَقَكُمُ ٱللَّهُ حَلَٰلًا طَيِّبًا ۚ وَٱتَّقُوا۟ ٱللَّهَ ٱلَّذِىٓ أَنتُم بِهِۦ مُؤْمِنُونَ ‎

Dhe hani nga ajo që ju ka dhënë Allahu, të lejuara, të pastra. Kini drojë Allahun, të cilin e besoni.[8]

Zoti ka përmendur se konsumimi i mishit të derrit dhe gjakut është i dëmshëm për njerëzit dhe për shëndetin e tyre, prandaj Ai e ka ndaluar atë. Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s. i cili ka deklaruar se është Mesih i Premtuar dhe ka themeluar Xhematin Musliman Ahmedia, ka shpjeguar një aspekt më të thellë të ndalimit të mishit të derrit. Ai shkruan:

“Kush nuk e di që kjo kafshë ha ndyrësira më shumë se të gjitha kafshët dhe është kryekëput e paturpshme dhe e pacipë. Nga kjo, del në pah edhe arsyeja e ndalimit të saj, sepse sipas ligjit të natyrës, mishi i një kafshe të tillë të paturpshme e të ndyrë në trupin dhe shpirtin e njeriut ndikon ndyrazi, siç e kemi provuar që edhe ushqimet medoemos ndikojnë në shpirtin e njeriut. Prandaj, nuk ka dyshim që një e keqe e tillë, ka ndikim negativ.

Mjekë grekë, që në kohën para Islamit, dhanë mendimin e tyre që mishi i kësaj kafshe ul ndjenjën e turpit dhe shfrenon epshet. Sheriati Islam e ndalon edhe mishin e kafshës së ngordhur, sepse edhe ai ndikon me natyrën e vet tek ai që e ha. Mishi i saj është edhe i dëmshëm për shëndetin”.[9]

Nga ushqimi që konsumojmë deri te mjedisi në të cilin kalojmë kohën – të gjithë këta faktorë ushtrojnë një ndikim të thellë në gjendjen tonë të brendshme apo shpirtërore. Kjo është arsyeja që qëndron pas ndalimit të ushqimeve të tilla të dëmshme dhe urdhrit për ta ngrënë atë që është hallall dhe e pastër. Përveç kësaj, ajeti i mësipërm i Kuranit Famëlartë gjithashtu përmend ndalimin e ushqimit që blatohet ose përgatitet në emër të dikujt tjetër përveç Zotit. Ndonëse, ushqime të tilla nuk përbëjnë ndonjë rrezik të qenësishëm për shëndetin, është vetëm çështje besimi dhe besimtarët gjtihmonë konsumojnë vetëm atë që është përgatitur në emër të Atij, i cili u ka siguruar çdolloj ushqimi.

Megjithatë, Islami është një fe që bazohet në arsye, e cila i identifikon nevojat e njeriut dhe e mbështet dëshirën e tij për t’u mbijetuar. Madje, në rrethanat specifike kur jeta njerëzore është në rrezik, Zoti i bën të ligjshme gjërat që janë të paligjshme në rrethana të zakonshme. Pas ndalimit të gjakut dhe mishit të derrit, Zoti thotë:

فَمَنِ ٱضْطُرَّ غَيْرَ بَاغٍ وَلَا عَادٍ فَلَآ إِثْمَ عَلَيْهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ

Por ai që detyrohet tej mase dhe që nuk është as lakmues e as shkelës i kufijve, nuk bën mëkat. Allahu, pa dyshim, është shumë Falës, Mëshirëbërës.[10]

Nëse mbijetesa e një personi varet nga konsumimi i mishit të derrit, atëherë kjo bëhet përkohësisht e lejueshme për të, por vetëm në masën që i nevojitet për mbijetesë.

Si përfundim, mësimet e Islamit në lidhje me hallall dhe haram janë shumë të qarta dhe zbatimi i tyre i mundëson njeriut pastrimin shpritëror dhe përdorimin e drejtë të krijimit të Zotit. Dispozitat islame synojnë vetëm mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes njerëzore, dhe përpiqen të reformojnë jo vetëm individin, por edhe shoqërinë në tërësi.

Rreth Autorit: Farrukh Tahir është një i sapodiplomuar nga “Instituti Ahmedian i Gjuhëve dhe Teologjisë” në Kanada.


[1] Kurani Famëlartë 5:5
[2] Kurani Famëlartë 16:116
[3] Kurani Famëlartë 5:91
[4] Kurani Famëlartë 4:162
[5] Kurani Famëlartë 4:24
[6] Sahihu i Muslimit, Kitab: ez-Zekatu, bab: Kubulis-Sadakati minel-Kesbit-tejibi ue terbijetiha, hadith nr. 1014a
[7] Kurani Famëlartë 2:174
[8] Kurani Famëlartë 5:88
[9] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., Filozofia e mësimeve të Islamit, f. 66, Islam International Publications Ltd., Tiranë, 2019, ISBN: 978-9928-4491-5
[10] Kurani Famëlartë 2:174

Lexoni:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp