A i përkrah Islami konkubinat?
Një nga kuptimet e shprehjes “çfarë ke nën pronësi” lidhet me robërit e luftës. Në Kuranin Famëlartë përdoret ky term gjithashtu për skllavet dhe shërbyesit.
Prej jush, ata që nuk kanë mundësi materiale të martohen me besimtaret e lira, (mund të martohen) me skllavet tuaja besimtare, që janë në pronësinë tuaj. Allahu e di më së miri besimin tuaj. Disa prej jush kanë lidhje me disa të tjerë. Pra, martohuni me to me lejen e pronarëve të tyre dhe jepuni dhuratën e tyre martesore sipas rregullit, pra, ato të mbeten të ndershme e jo të shthurura dhe, as si ato që zënë dashnorë. E kur ato të martohen dhe pastaj të bëjnë ndonjë imoralitet, kanë gjysmën e ndëshkimit që u jepet grave të lira. Ky (lëshim) është për atë prej jush që i frikësohet mëkatit. Nëse duroni, do të jetë mirë për ju. Allahu është shumë Falës, shumë Mëshirëbërës.[1]
Prandaj, Islami lejon martesat mes pronarëve dhe skllaveve – që i liron ata automatikisht nga marrëdhënia pronar-skllave. Në këtë varg vërejmë gjithashtu një tjetër paralajmërim për imoralitetin. Kështu, ish-skllaveve u është dhënë një dënim më i lehtë për një akt të pamoralshëm që ato mund të kryejnë, duke qenë se ato janë rritur në një mjedis jomusliman. Ndër aktet më të pamoralshme është tradhtia bashkëshortore, dhe ndëshkimi do të jetë gjysma e atij që u jepet besimtareve të lira.
Vargu në fjalë shton më tej, “disa prej jush kanë lidhje me disa të tjerë”, që do të thotë se pavarësisht se u përkasin klasave të ndryshme, të gjithë besimtarët muslimanë janë të njëjtë. Para Islamit, asnjë pronar arab nuk merrte mundimin të shkelte traditën. Asnjë arab fisnik nuk mund të mendonte të martohej me një skllave. Por me Islamin, arabët kuptuan se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:
Askush nga ju të mos i thërrasë robërit e vet të luftës “Skllavi im” apo “Skllavja ime”, as një skllav t’i thërrasë pronarit “Zoti im!”. Por pronari të thërrasë ndonjë duke thënë: “I riu im” apo “E reja ime” dhe skllavi të thërrasë pronarin “Shefi im”, sepse, në të vërtetë, të gjithë jeni skllevër dhe Zoti juaj është Allahu, i Plotfuqishmi.[2]
Profeti Muhammed s.a.v.s. përhapi një mënyrë të re të të menduarit në shoqërinë arabe, duke përcaktuar një marrëdhënie tjetër mes pronarit dhe skllaves, aq sa ai vetë u martua me një ish-skllave.
[1] Kurani Famëlartë 4:26.
[2] Sunan Masnad Ahmad, Kapitulli 9.