Letër Presidentit të Republikës Islame të Iranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Presidenti Barack Obama
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Shtëpia e Bardhë
1600 Pennsylvania Avenue NW
Washington D.C.

8 mars 2012

I dashur Z. President,

Për shkak të rrjedhës së ngjarjeve shqetësuese që po ndodhin në botë, ndjeva se është e nevojshme për mua t’ju shkruaj, pasi jeni President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, President i një superfuqie të botës dhe keni autoritet për të marrë vendime, që do të ndikojnë jo vetëm të ardhmen e kombit tuaj, por edhe të botës më gjerë.

Aktualisht ka një agjitacion dhe shqetësim të madh në botë. Luftëra në shkallë të vogël kanë shpërthyer në disa zona. Fatkeqësisht, superfuqitë nuk kanë qenë aq të suksesshme sa ishte parashikuar, në përpjekjet e tyre për të vendosur paqe në zonat e goditura me konflikte. Në botë, shohim se thuajse çdo vend është i angazhuar në veprimtari për të mbështetur apo për të kundërshtuar vende të tjera; megjithatë, kërkesat e drejtësisë nuk po përmbushen. Është për të ardhur keq se nëse vrojtojmë rrethanat aktuale të botës, gjejmë se themelet e një lufte tjetër botërore janë hedhur tashmë. Sikundër kaq shumë vende, të mëdha e të vogla, zotërojnë armë bërthamore, mëritë dhe tensionet midis shteteve po rriten. Në një situatë të tillë të trazuar, Lufta e Tretë Botërore po përhijon para nesh, thuajse për të mos u zhdukur. Një luftë e tillë do të përfundojë pashmangshmërisht në një betejë bërthamore dhe për këtë shkak, ne dëshmojmë se bota po përparon drejt një shkatërrimi të llahtarshëm. Po të ndiqej rruga e barazisë dhe e drejtësisë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do ta dëshmonim situatën aktuale të botës, e cila tashmë është e gllabëruar nga flakët e luftës edhe një herë.

Siç të gjithë jemi të vetëdijshëm, shkaqet kryesore që e çuan botën në Luftën e Dytë Botërore ishin dështimi i Ligës së Kombeve dhe kriza ekonomike që filloi në vitin 1932. Sot, disa ekonomistë të shquar pohojnë se ka shumë paralelizma midis krizës ekonomike aktuale dhe asaj të vitit 1932. Vërejmë se problemet politike dhe ekonomike edhe një herë kanë çuar shtete të vogla në luftëra a konflikte të brendshme dhe pakënaqësia po bëhet gjithnjë e më mbizotëruese në këto vende. Kjo situatë do të përfundojë në marrjen e pushtetit nga disa forca që do të na çojnë drejt një lufte botërore. Konfliktet në shtetet e vogla nëse nuk do të zgjidhen nëpërmjet politikave dhe diplomacisë, do të krijojnë blloqe dhe grupime të reja në botë. Kjo do të jetë shenjë pararendëse e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. Prandaj, besoj, se tani, në vend të përqendroheni në progresin e botës, është më e rëndësishme dhe padyshim më e nevojshme që ne urgjentisht të shtojmë përpjekjet tona për ta shpëtuar botën nga ky shkatërrim. Ka një nevojë të ngutshme për njerëzimin që ai ta njohë Zotin e tij të Vetëm, që është Krijuesi ynë dhe që është i vetmi garant për mbijetesën e njerëzimit; përndryshe, bota do të vazhdojë të shkojë me shpejtësi drejt vetëshkatërrimit.

Kërkesa ime ndaj jush dhe padyshim ndaj të gjithë liderëve të botës është që, në vend që të përdorni forcën për të nënshtruar kombet e tjera, përdorni diplomacinë, dialogun dhe urtësinë. Fuqitë e mëdha të botës, siç janë Shtetet e Bashkuara, duhet të luajnë rolin e tyre për vendosjen e paqes. Ato nuk duhet të marrin veprimet e shteteve të vogla si pretekst për të prishur harmoninë e botës. Aktualisht, armët bërthamore nuk i kanë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe superfuqitë e tjera, por edhe shtete relativisht të vogla posedojnë armë të tilla që janë shkatërruese për masën e gjerë. Në vende të tilla, liderët që janë në fuqi, shpesh duken të papërgjegjshëm, të lumtur për sa kohë mbajnë gishtin te këmbëza dhe veprojnë pa menduar e pa konsideruar asgjë. Ndaj, ju kërkoj me modesti që të përpiqeni deri në maksimumin tuaj për të parandaluar fuqitë e mëdha e të vogla nga përfshirja në një luftë të tretë botërore. Duhet të jemi të sigurt e të mos kemi dyshime se nëse do të dështojmë në përpjekjet tona, efektet e pasojat e një lufte të tillë, nuk do të kufizohen vetëm në vendet e varfra të Azisë, në vendet e Evropës apo të Amerikës, por kudo në botë, si dhe edhe brezave të ardhshëm do t’u duhet të përballojnë pasojat e llahtarshme të veprimeve tona. Fëmijët kudo në botë do të lindin të gjymtuar e të deformuar dhe ata  kurrë nuk do t’ua falin paraardhësve të tyre një katastrofë të tillë globale. Në vend që të shqetësohemi vetëm për interesat vetjake, ne duhet të mendojmë edhe për brezat që do të vijnë e të mundohemi për të krijuar një të ardhme të ndritur për ta. Zoti i Lartësuar ju bëftë ju dhe gjithë liderët e botës që ta kuptojnë këtë mesazh.

Juaji sinqerisht

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

Image Theme: Marc Nozell; License: Creative Commons

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp