Thirrje e fuqishme e historike në OKB, për të drejtat e palestinezëve
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Një thirrje e fuqishme dhe historike në OKB, për të drejtat e palestinezëve

Ish President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Konflikti shkatërrues midis Palestinës dhe Izraelit ka ekzistuar për dekada të tëra. Sulmi i forcave izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në tokën e pushtuar të Jerusalemit Lindor pranë xhamisë së shenjtë el-Aksa është vetëm një shembull tjetër e një liste të gjatë mizorish të kryera në rajon.

Bota muslimane e cila është përfshirë vetë në konfliktet e saj të brendshme fetare apo politike, e bën sehir situatën e krijuar. Nga pamundësia për të ndaluar dorën e agresorit, politika e vendeve muslimane rehatohet duke nxjerrë “deklarata të forta” për shtyp, ndërsa populli shpreh indinjatën e saj për brutalitetin ndaj popullit palestinez duke organizuar protesta në qytetet kryesore botërore dhe në këtë mënyrë solidarizohet me viktimat. Pastaj, jeta kthehet sërish në orbitën e vet si “Business as usual”.

Xhemati Musliman Ahmedia gjithmonë ka mbështetur të vërtetën dhe ka dënuar ashpër padrejtësitë kudo dhe kurdo që janë kryer. Në nëntor 1947, kur krijimi i Izraelit po diskutohej në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Sir Çaudri Zafrulla Khan-i i Pakistanit mbajti një fjalim historik, duke u tërhequr vëmendje të drejtave të palestinezëve, të cilat po shkeleshin nëpërkëmbë.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Shkëlqesia e Tij, Muhammad Zafrulla Khan (djathtas), Presidenti i Sesionit të 17-të të Asamblesë së Përgjithshme po u drejtohej korrespondentëve në Selinë e OKB-së.
Burim: UN Photos

Sir Muhammad Zafrulla Khani (r.a.) (1893-1985) ishte një ndër figurat themeluese të Pakistanit. Ai ishte një politikan, diplomat dhe jurist me famë ndërkombëtare, dhe njihet veçanërisht si Ministri i parë i Punëve të Jashtme i Pakistanit (1947-1954). Ai ishte Presidenti i parë musliman dhe pakistanez i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë nga 1954 në 1961. Ai ishte gjithashtu një studiues i shquar dhe një shkrimtar i dalluar i Xhematit Musliman Ahmedia i cili kishte nderin të ishte prej dishepujve (sahabëve) të Hazret Mirza Ghulam Ahmedit (a.s.), Mesih i Premtuar dhe Imam Mehdi. Ai shkroi disa libra dhe përktheu Kuranin Famëlartë në gjuhën angleze.

Ky fjalim, i cili u mbajt në Asamblenë e OKB-së, ishte botuar për herë të parë në dhjetor 2002 në revistën “Review of Religions” dhe po ribotohet në dobi të lexuesve.

TAKIMI PLENAR i 126-të

U mbajt në Sallën e Asamblesë së Përgjithshme
në Flushing Meadow, New York,
ditën e premte, më 28 nëntor 1947, në orën 11 të mëngjesit

Kryetar: Z. O. ARANHA (Brazil).

  1. Vazhdimi i diskutimit për Çështjen Palestineze

Kryetari:

Përfaqësuesve duhet t’u ofrohen kushtet më të mira të mundshme, në mënyrë që të trajtojnë me vëmendjen më të lartë çështjen serioze që gjendet përpara Asamblesë së Përgjithshme. Prandaj, Kryetar më duhet t’i kujtoj audiencës që të përmbahet nga duartrokitjet ose çfarëdolloj ndërhyrjeje në debatin e Asamblesë së Përgjithshme.

Ka dhjetë folës në listën e Kryetarit. Fjalën e ka Përfaqësuesi i Pakistanit.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Sir Muhamed Zafrulla Khan
Burim: UN Photos

Fjalimi historik i Sir Muhammad Zafrullah Khanit në OKB për Çështjen e Palestinës

Sir Muhammad ZAFRULLA KHAN (Pakistan):

Shpreh kënaqësinë duke vënë re që, ju Z. Kryetar, jeni i shqetësuar për të siguruar, të paktën për sa i përket kësaj pyetjeje, një diskutim të qetë, pa ndërhyrje dhe pa ndikime. A do të jetë votimi po aq i lirë dhe i pandikuar, nuk është më çështje kënaqësie. Megjithatë, unë nuk do të merrem me atë çështje.

Ata që nuk kanë qasje në atë çfarë po ndodh në prapaskenë, kanë mësuar mjaft nga shtypi për të pasur frikë në zemrat e tyre se nuk do të lihet pas dore, jo vetëm kjo pyetje – pasi kjo është vetëm një pyetje – por edhe shqyrtimet e pyetjeve vendimtare që gjenden përpara këtij trupi të nderuar, në të cilat janë përqendruar shpresat e botës për të ardhmen.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Vendi i gazetarëve në OKB, në seksionin për shtyp të sallës së kongreseve në takimin e fundit të Komitetit Ad Hoc për çështjen palestineze gjatë seancës së dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke miratuar rezolutën për ndarjen e Palestinës në dy Shtete. Burim: UN Photos

Ky është një moment i rëndësishëm dhe kritik në historinë e botës, në historinë e kësaj Organizate të madhe, le të shpresojmë të paktën, të madhe. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) sot është në gjyq. Bota po shikon dhe do të shohë se si kjo Organizatë e shfajëson veten – sërish, ndoshta, jo aq nga pikëpamja se nëse miratohet ndarja apo jo, por nga pikëpamja nëse është lënë ndonjë hapësirë për ushtrimin e drejtësisë dhe për vendimet e ndërgjegjshme mbi pyetjet e rëndësishme.

Ne shpesh jemi të prirë për të lexuar historinë së prapthi, dhe unë pranoj që kjo është një metodë shumë e gabuar për të lexuar historinë. Historia, që të vlerësohet siç duhet, duhet lexuar së mbari. Për të dhënë ndonjë mendim a vlerësim për ndonjë dukuri apo ngjarje dhe për ta gjykuar atë, njeriu duhet të vendosë veten në ato rrethana.

Me lejen tuaj, Z. Kryetar, më lejoni të ftoj përfaqësuesit të lexojnë historinë në këtë mënyrë për disa çaste, të paktën atë pjesë të historisë që ka të bëjë me Asamblenë e Përgjithshme.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Një foto e zyrës së Shtypit të Bashkuar në Sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Flushing Meadows, pasi Asambleja votoi për të miratuar ndarjen e Palestinës. Burim: UN Photos

Tridhjetë e dy vjet më parë – për të mos shkuar shumë larg – Aleatët Perëndimorë ishin në mes të një lufte të përgjakshme me Fuqitë e Evropës Qendrore. Turqia sapo kishte hyrë në luftë në anën e Gjermanisë. Fati i kauzës së Aleatëve po lëkundej fort. Arabët, të cilët vetëm mund të ndihmonin për rivendosjen e ekuilibrit në rajonin jetësor të Lindjes së Mesme, ishin ftuar për të shpallur kryengritjen ndaj Turqisë dhe për të hedhur peshën e tyre në anën e Aleatëve. Por në këmbim të çfarë çmimi? Në këmbim të një premtimi nga Mbretëria e Bashkuar, të konfirmuar më pas edhe nga Franca, se në fund të luftës, Arabët do të gëzonin liri vetë në tokat e tyre. Ata ranë dakord dhe kontribuuan pjesën e tyre.

Tani si janë përmbushur këto zotime që u ishin premtuar? Shpesh na kanë kujtuar se këto zotime janë përmbushur në masën e nëntë të dhjetave, dhe se një përmbushje e tillë duhet të jetë e mjaftueshme. A është ky standard që dëshirojmë të shohim të vendosur dhe të cilit duhet t’i  përmbahemi në çështjet ndërkombëtare, kombëtare dhe madje edhe personale? Ne i kemi përmbushur këto zotime në masën e nëntë të dhjetave dhe, prandaj, duhet të jetë e mjaftueshme. Nëse është kështu, ndaloni për një çast dhe paramendoni: A do të ketë më besim në premtime të tilla, e sidomos në premtimet e Fuqive Perëndimore?!

Mos harroni, ju shtete Perëndimore! Nesër do të keni nevojë për miq, do të keni nevojë për aleatë në Lindjen e Mesme. Ju lutem, mos e prishni dhe mos e shkelni besueshmërinë tuaj në ato vende.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Seanca e rregullt e 17-të e Asamblesë së Përgjithshme u hap në Selinë e OKB-së dhe zgjodhi si President të saj Ambasadorin Muhamed Zafrulla Khan, nga Pakistani. Në tribunën presidenciale z. Khan (djathtas) duke dëgjuar një nga folësit. Ulur pranë tij është Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së U. Thant.
Burim: UN Photos

Është thënë se ka disa dyshime nëse Palestina ishte përfshirë në premtimet që u ishin dhënë arabëve. Gjatë këtyre bisedimeve të gjata në komitet si dhe në nën-komision, pastaj prapë në komitet dhe më pas në Asamblenë e Përgjithshme, askush nuk ka kërkuar të argumentojë se Palestina nuk ishte përfshirë në ato premtime ose ishte përjashtuar nga ato premtime. Sidoqoftë, u sugjerua që nëse kishte ndonjë dyshim në lidhje me këtë pyetje, ajo duhet t’i referohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, opinioni këshillues i të cilit duhet të kërkohet në mënyrë që çështja të zgjidhet, një herë e përgjithmonë, në një mënyrë ose në një tjetër, meqenëse deri më tani asnjë gjykatë e pavarur dhe e paanshme nuk ishte ftuar të shprehte një mendim mbi këtë pyetje. Por, ky opinioni këshillues nuk u pranua.

Cili është përfundimi? Se ata që kanë ndonjë dyshim në lidhje me këtë çështje janë të bindur se cila do të jetë përgjigjja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Është deklaruar, në mënyrë të veçantë nga përfaqësuesi i Çekosllovakisë, se këto ishin vetëm premtime, që nuk mund të trajtohen si marrëveshje ndërkombëtare, që do të thotë se një premtim nuk ka nevojë të përmbushet ndërsa një marrëveshje ndërkombëtare është e detyrueshme. Sidoqoftë, përpara se të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare, veçanërisht në mes të një situate emergjente si një luftë botërore, ne duhet të vendosim besueshmëri në premtimet tona. Nëse premtimet tona nuk janë të besueshme, kurrë nuk do të jemi në gjendje t’ua kërkojmë edhe të tjerëve përmbushjen e premtimeve.

Ishte thënë atëherë: “por deklarata e Balfour-it është gjithashtu një premtim”. E vërtetë, ajo është gjithashtu një premtim, por ekziston kjo pikë: ose ai mund të mbetet në fuqi në përputhje me premtimet e mëparshme ose nuk është në përputhje me premtimet e mëparshme. Nëse kjo deklaratë nuk është në përputhje me zotimet e mëparshme, meqenëse zotimet e mëparshme kanë zënë fushën, prandaj rrjedhimisht nuk ka më fushë për t’u zënë nga një premtim i pa mbajtur; ose ajo është në përputhje me premtimet e mëparshme. Me fjalë të tjera, deklarata e Balfour-it nënkuptonte krijimin e një strehe kombëtare hebreje në një Palestinë të lirë dhe të pavarur. Të dyja këto zotime mund të qëndrojnë së bashku, prandaj le të qëndrojnë së bashku dhe le të plotësohen të dyja.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Deklarata e Balfour-it ishte një deklaratë publike e bërë nga Qeveria Britanike e cila ishte në favor të vendosjes së Palestinës si një ‘strehë kombëtare për popullin hebre’ © Wikimedia Commons

Sa i përket Fuqisë së detyrueshme, një premtim është përmbushur: është krijuar një shtet për hebrenjtë. Tani duhet të vendoset pavarësia e Palestinës si një e tërë. Përsëri, është argumentuar: “jo, deklarata e Balfour-it nënkuptonte diçka më shumë se kaq”. Shume mire. Nëse ekziston çështja e ligjshmërisë së jurisprudencës të kësaj deklarate, dërgojeni atë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe Nën-Komiteti 2 e kishte bërë këtë propozim, por është refuzuar.

Shumë vëmendje i është kushtuar edhe aspektit humanitar të kësaj pyetjeje, aspekt i cili nuk mund të mohohet. Por, nga pikëpamja humanitare, nuk bëhet fjalë vetëm për refugjatët hebrenj dhe njerëz të shpërngulur. Çdo njeri që është persekutuar a diskriminuar ose është shfrytëzuar padrejtësisht, ka të drejtën e dëmshpërblimit të duhur. Kjo nuk mohohet.

Çfarë ka bërë Palestina? Cili është kontributi i saj drejt zgjidhjes së çështjes humanitare pasi kjo ndikon te refugjatët hebrenj dhe personat e shpërngulur? Që nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Palestina ka marrë mbi katërqind mijë emigrantë hebrenj. Që nga fillimi i persekutimit të hebrenjve në Gjermaninë naziste, Palestina ka marrë gati treqind mijë refugjatë hebrenj. Kjo nuk përfshin imigrantë të paligjshëm të cilët nuk mund të numërohen.

kombet e bashkuara asembleja e përgjithshme

Imazhi është marrë nga Wikimedia Commons

Vihet re se ata që ligjërojnë për parime humanitare dhe kanë mundësi të bëjnë më shumë, kanë bërë minimumin për ta lehtësuar këtë problem. Megjithatë, ata janë gati – madje janë të zellshëm – për të qenë më bujarë në kurriz të arabëve.

Ka pasur disa periudha në histori kur pjesëtarët e racës hebre nuk janë persekutuar në pjesë të ndryshme të Evropës. Në një kohë, kur mbretërit dhe baronët anglezë dëfreheshin e argëtoheshin duke shkulur dhëmbët e tregtarëve dhe bankierëve hebrenj si një masë e butë për t’i bindur ata të bashkëpunonin në forcimin e ekonomisë së tyre feudale – një lloj huadhënie njëkahëshe mesjetare – Spanja Arabe u siguroi hebrenjve mbrojtje dhe strehë të sigurt që qe një parajsë për ta.

Sot thuhet: vetëm hebreu i shkretë dhe i përndjekur i Europës është i pastrehë. Është e vërtetë. Por, më tej thuhet: atëherë le t’i atij sigurojë Palestina Arabe, njësoj siç kishte bërë Spanja Arabe, jo vetëm një strehë dhe vendbanim, por edhe një Shtet në mënyrë që ai t’i sundojnë arabët. Eh çfarë bujarie e çfarë humanizmi qenka kjo!

Komiteti i Posaçëm i OKB-së për Palestinën, siç e dimë, në rekomandimin numër 7, i cili ishte një nga rekomandimet unanime, kërkoi që Asambleja e Përgjithshme përveç problemit të Palestinës t’i përgjigjet menjëherë çështjes së refugjatëve dhe të njerëzve të shprëngulur, në mënyrë që të zvogëlojë vuajtjen e popullit të persekutuar hebre dhe ta lehtësojë këtë problem humanitar si dhe çështjen palestineze.

Por, çfarë ka arritur ky trup i shkëlqyeshëm dhe i nderuar në këtë aspekt? Nën-Komiteti 2 bëri një rekomandim dhe, bazuar në të, përpiloi një projekt-rezolutë (rezoluta II, dokumenti A / AC. 14 / 32). Së pari, le të riatdhesohen ata refugjatë hebrenj dhe personat e shpërngulur që mund të rikthehen në vendet e tyre. Së dyti, ata që nuk mund të riatdhesohen duhet t’u shpërndahen Shteteve Anëtare në përputhje me kapacitetin e tyre për të pritur refugjatë të tillë. Së treti, duhet të ngrihet një komision për të përcaktuar kuotat për këtë qëllim.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Pamje e përgjithshme e takimit të 26-të të Komisionit Ad-Hoc me 57 anëtarë për Çështjen Palestineze në sesionin e dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Lake Success, New York.
Burim: UN Photos

Rezoluta është paraqitur për shqyrtim se a do të riatdhesohen ata në vendet e tyre? Australia thotë jo; Kanadaja thotë jo; Shtetet e Bashkuara thonë jo. Nga një këndvështrim, ky qëndrim ishte mjaft inkurajues. Edhe nëse të jenë të gatshëm për t’u kthyer në vendet e tyre, pas gjithë përvojave të tyre të hidhura e të tmerrshme, le t’u mos kërkohet të kthehen në vendet e tyre. Në këtë mënyrë, shpresonim se do të miratohej propozimi i dytë dhe ne të gjithë t’u jepnim strehë këtyre njerëzve. A do të shpërndahen këta refugjatë midis Shteteve Anëtare në përputhje me kapacitetin e tyre për t’i strehuar ata? Australia, një vend i vogël i mbipopulluar me zona të mbingarkuara, thotë jo, jo, jo.  Kanadaja është gjithashtu po aq e mbingarkuar dhe e mbipopulluar, thotë jo. Shtetet e Bashkuara, një vend i madh humanitar, por me një sipërfaqe të vogël dhe me burime të kufizuara, thotë gjithashtu jo. Ky është kontributi i tyre ndaj parimit humanitar. Por ata gjithashtu deklarojnë: le të shkojnë këta njerëz në Palestinë, që ka sipërfaqe të shumë mëdha, një ekonomi të madhe dhe që nuk ka asnjë telashe. Ata mund të pranohen lehtësisht atje.

Ky është kontributi i dhënë nga ky komision i nderuar për zgjidhjen e kësaj çështje në bazë të parimit humanitar.

Cili është pozicioni sot, përveç këtyre konsideratave të tjera? Sapo të përcaktohet Mandati, kjo është situata që do të paraqitet. Unë ju tërheq vëmendjen në paragrafin 4 të Nenit 22 të Konventës së Lidhjes së Kombeve, sipas së cilës është dhënë Mandati. Citoj:

“Disa komunitete të cilat në të kaluarën bënin pjesë në Perandorinë Turke kanë arritur një fazë zhvillimi, ku ekzistenca e tyre si shtete të pavarura mund të njihet provizorisht, duke iu nënshtruar zbatimit të këshillave dhe ndihmës administrative sipas një mandati, i cili mbetet në fuqi, derisa ato arrijnë fazën e mëvetësisë”.

Ky është paragrafi që i referohet Palestinës.

Fuqia e mandatuar shprehet se ajo vetë do të përcaktojë kohën e Mandatit. Komiteti Special i OKB-së për Palestinën thotë se Mandati duhet të përcaktohet. Të gjithë pajtohen se në një ose në mënyrë tjetër Palestina duhet të jetë e pavarur.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Duke biseduar (nga e majta në të djathtë): Z. Nathan Barnes (Liberi); dr. Tesfaye Gebre-Egzy (Etiopi); Z. Leo Malania i Zyrës Ekzekutive të Sekretarit të Përgjithshëm; dhe Z. Muhammad Zafrulla Khan (Pakistan), President i Asamblesë së Përgjithshme.
Burim: UN Photos

Faza e dhënies së këshillës dhe të ndihmës administrative që ka përfunduar, dhe sipas statusit ligjor, Palestina, pavarësia provizore e së cilës është njohur juridikisht, do të jetë e pavarur nga ajo datë. Ky është problemi me të cilin duhet të merret OKB-ja.

Si do të arrijë Palestina pavarësinë e saj? Çfarë lloj pavarësie do jetë kjo? Cila është zgjidhja, për të cilën jemi ftuar ta mbështesim dhe të përpiqemi ta zbatojmë? Në fakt, propozimi përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së thotë që ne, e jo populli i Palestinës, do të vendosim se çfarë lloji pavarësie do të ketë Palestina, pa asnjë dispozitë për vetëvendosje dhe pa asnjë dispozitë për pëlqimin e atyre që do të qeverisen. Ne do ta quajmë Palestinën të pavarur dhe sovrane, por Palestina do të na përkasë neve dhe nuk duhet të jetë molla për sytë e shumtë që e shohin me lakmi nga kahje të ndryshme, me drejtim të ndryshëm, e aq më tepër të bëhet molla e sherrit midis Lindjes dhe Perëndimit, me qëllim që “bashkimi”, të cilin e reklamon emri ynë me aq lakmi, të ketë një mundësi për t’u rrënjosur.

Ne së pari do ta copëtojmë trupin e Palestinës në tri pjesë për një Shtet Hebre dhe tri pjesë për një Shtet Arab. Atëherë do të kemi enklavën Xhafa (Jaffa); dhe zemrën e Palestinës, Jeruzalemin, i cili do të mbetet përgjithmonë një qytet ndërkombëtar. Ky është fillimi i asaj forme që do të ketë Palestina.

Pasi ta kemi copëtuar Palestinën në këtë mënyrë, do ta vendosim trupin e saj të përgjakur mbi një kryq. Kjo nuk do të jetë e përkohshme; por do të jetë përgjithmonë. Palestina kurrë nuk do t’i përkasë popullit të saj; por do të mbërthehet në kryq për gjithmonë.

Çfarë të drejtë ka Organizata e Kombeve të Bashkuara për ta bërë këtë? Cilin autoritet ligjor dhe cilën të drejtë juridike ka ajo për ta bërë këtë, për t’ia nënshtruar një shtet të pavarur përgjithmonë administratës së OKB-së.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Foto von Haley Black von Pexels

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara është shprehur që problemi është i paprecedent, që do të thotë se nuk ishte vizualizuar dhe për këtë arsye nuk është parashikuar në statusin tonë. Megjithatë, ai mendon se nëse 38 shtete pranojnë planin e ndarjes, kjo do të mjaftojë si ligj. Cila është rëndësia e kësaj vërejtje të bërë nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Komitet dhe më pas në shtyp? A nuk është ky një pohim që këtij plani i mungon autoriteti ligjor, juridik dhe kushtetues dhe se ju jeni thirrur jo vetëm ta pranoni këtë skemë si të tillë, por me votën tuaj gjithashtu t’i jepni asaj autoritetin juridik që i mungon? Me fjalë të tjera, ju në fakt jeni ftuar të ndryshoni statusin me votën tuaj dhe të shkruani në të kapitullin më të ri dhe më të diskutueshëm. A do ta merrni përsipër këtë përgjegjësinë? Në cilën pjesë së statusit, është parashikuar ky autoritet për ta bërë atë që jeni ftuar të bëni? A ka Asambleja e Përgjithshme autoritet për ta bërë këtë? A ka Këshilli i Sigurimit autoritetin për ta bërë këtë? Apo të dyja këto institucione të vepruara së bashku, a kanë autoritet për ta bërë këtë?

Për çfarë jeni ftuar? Ju jeni ftuar së pari për të krijuar një komision që të ushtrojë autoritetin sovran mbi dy shtete të pavarura. Ju jeni ftuar të krijoni këto shtete dhe të ushtroni autoritet mbi to gjatë periudhës tranzitore – duke drejtuar të gjitha funksionet e qeverisë: legjislativ, ekzekutiv dhe administrativ. Kujt i përket sovraniteti i përhershëm i këtyre dy shteteve? A u përket qytetarëve të këtyre dy shteteve? Në asnjë mënyrë. Sovraniteti i përhershëm do të jetë në duart e një bordi të përbashkët ekonomik. A duhet të jetë ai bord një lidhje midis dy shteteve në kuptimin që nuk do të merret parasysh interesi i askujt tjetër? Përgjigja është përsëri, jo. Ky bord do të jetë një këshill që do të përbëhet nga nëntë anëtarë, që do të drejtojnë administrimin e Palestinës: 3 anëtarë nga Shteti Arab, 3 nga Shteti Hebre dhe 3 nga OKB-ja. Në çfarëdo situate, ata do të drejtojnë doganat, financën, hekurudhat, fluturimet ndërkombëtare, zhvillimin e burimeve ujore dhe energjisë ujore, zhvillimin e bujqësisë etj. Dihet që pa arritur këto, asnjë shtet nuk do të jetë funksional; domethënë, asnjë shtet nuk do të jetë në gjendje të ofrojë shërbimet e tij administrative e shoqërore ose të sigurojë integritetin tokësor. Madje një shtet i tillë nuk do të bëjë asnjë lloj përparimi. Kush e gëzon në të vërtetë sovranitetin? Këtë e gëzon Bordi i Përbashkët Ekonomik, i cili përbëhet nga 3 anëtarë arabë, 3 anëtarë hebrenj dhe 3 përfaqësues të OKB-së. OKB-ja do të gëzojë përgjithmonë sovranitetin e plotë në Palestinë. Po nga e ka marrë (OKB-ja) autoritetin për ta bërë këtë?

Madje, për sa i përket Jeruzalemit, do të jetë një qytet ndërkombëtar, i cili do të administrohet ndërkombëtarisht – edhe kjo – përgjithmonë. Raporti i nën-Komitetit 1 përmbante një dispozitë, sipas së cilës, pas dhjetë vjetësh ky sistem mund të rishqyrtohet. Pra, nëse 2/3 e banorëve të Jeruzalemit do të shprehnin një pikëpamje, qoftë pro apo kundër, kjo pikëpamje gjithashtu do të merret në konsideratë. Por kjo dispozitë është zhdukur gjatë ndryshimeve. U shpreh se ne duhet ta bëjmë Jeruzalemin një qytet ndërkombëtar përgjithmonë, për t’u administruar nga një guvernator i cili do të emërohet nga OKB-ja.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Përfaqësuesit e Pakistanit dhe Jemenit nënshkruajnë “Instrumentin e Zbatimit” në statusin e OKB-së, gjatë ceremonisë së pranimit në anëtarësim. Ulur në tryezë në zyrën e Z. Lie janë, nga e majta: Trygve Lie, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së; Sir Mohammad Zafarullah Khan i Pakistanit; dr. Hanna Saba, Drejtor i Divizionit të Traktateve, Departamenti Ligjor i OKB-së dhe Princi Sejf el-Islam Abdullah i Jemenit.
Burim: UN Photos

A ka ndonjë pretendim që Jeruzalemi në të vërtetë do të jetë një qytet i pavarur? Jo. Ku qëndron autoriteti për të? Për sa i përket Asamblesë së Përgjithshme, ajo është përmendur në Nenet 11 dhe 14 të Traktatit. Neni 11 pohon që Asambleja e Përgjithshme mund të diskutojë dhe të bëjë rekomandime. Neni 14 thotë që Asambleja e Përgjithshme mund të ndërmarrë hapa për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve midis Shteteve Anëtare.

Ku është parashikuar autoriteti i Asamblesë së Përgjithshme për ta bërë atë, për të cilën ajo është ftuar sot? Për sa i përket Këshillit të Sigurimit, janë referuar Nenet 34, 39 dhe 41 të Traktatit. Për më tepër, si rezultat i asaj që është cilësuar si Amandamenti Danez (dokumenti A/AC.14/43 / Rev. l) Nenet 39 dhe 41 tani janë përfshirë në rezolutën përfundimtare. Por a do të aplikohen ato? Në parathënien e rezolutës që gjendet në dokumentin A/516, thuhet se nëse situata e kërkon, Këshilli i Sigurimit, duke marrë masa sipas Neneve 39 dhe 41 të Traktatit, do të autorizojë Komisionin e OKB-së ta bëjë atë që Komisionit i është kërkuar në këtë skemë. Unë nuk arrij të kuptoj plotësisht përmbajtjen e deklaratës, se marrja e masave sipas Neneve 39 dhe 41, do të autorizojë Komisionin e OKB-së për ta bërë atë që Komisioni është autorizuar të bëjë. Ku hyjnë Nenet 39 dhe 41, pasi ato zbatohen ndërmjet Shteteve Anëtare?

Por problemi është ky. Së pari, ku është parashikuar autoriteti për OKB-në që ajo të sundojë shtetet sovrane? Së dyti, Anëtarët e Asamblesë janë të vetëdijshëm se arabët e Palestinës nuk do të bashkëpunojnë në ngritjen e një shteti arab. Unë nuk po flas për gjakderdhje apo për dhunë. Ata thjesht nuk do të bashkëpunojnë. Atëherë, si do të krijojë Asambleja e Përgjithshme një shtet arab? Si do të realizohen shërbimet administrative në këtë shtet arab? Si do të sigurojë ajo integritetin tokësor dhe mbrojtjen e kufijve të këtij shteti arab? Si do të ekzekutojë të gjitha funksionet e shumta që duhet të kryejë një qeveri në pushtet? Ku e ka parashikuar Asambleja e Përgjithshme autoritetin për ta bërë këtë? Këto pyetje janë ngritur në mënyrë të përsëritur, por ato nuk kanë gjetur përgjigje. E vetmja gjë që ka tërhequr vëmendje, është se si do të veprohet nëse shtetet fqinje arabe do të krijojnë ndonjë shqetësim.

Ky nuk është problemi për të cilin jam i shqetësuar. Unë shpresoj- madje, jam i bindur – që shtetet arabe, të cilat bëjnë pjesë në këtë Organizatë, nuk do të bëjnë asnjë përpjekje të tillë që u kundërvihet obligimeve të Traktatit që ne kemi marrë përsipër si anëtarë të kësaj Organizate. Por si do të krijojë Asambleja e Përgjithshme një shtet arab nëse populli thotë: jo, ne nuk do të bashkëpunojmë? Si do të marrin shërbimet? Kush do të mbajë rendin publik? Këto shqetësime ishin vënë në dukje, por ku janë përgjigjur ato?

Nëse përdorimi i forcës bëhet i domosdoshëm për qëllimin e ngritjes së Shtetit Arab, nga do të burojë ajo? Kush do të kontribuojë në të? Kush do ta sigurojë atë? Nga do të ngrihet struktura administrative? Nga do të burojnë financat? Kjo situatë do të vazhdojë si një plagë e pezmatuar e cila do të katranosë punën e trupit ndërkombëtar. Forcat dhe financat mund të kërkohen në përmasa gjithnjë në rritje, siç e vërteton edhe përvoja e deritanishme e sistemit të mandateve. Ja përse Mbretëria e Bashkuar nuk i përmbahet çështjes së Mandatit mbi Palestinën.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Sir M. Zafrullah Khan (në të djathtë, nga Pakistani) flet me Amir Fejsel al Saud, (në qendër) dhe Sheik Asad al Faqih, nga Arabia Saudite, në sallën e konferencave përpara takimit të 30-të të Komitetit Ad Hoc për Çështjen Palestineze të Sesionit të Dytë të asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Burimi: UN Photos

Në lidhje me pyetjen mbi autoritetin ligjor a juridik të OKB-së për të gjitha çështjet ishte shprehur që kjo pyetje duhet t’i referohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. A e autorizon Traktati OKB-në për të përmbushur këto qëllime që janë propozuar? Kjo çështje ishte hedhur në votim në Komitetin Ad Hoc dhe referimi në Gjykatën Ndërkombëtare u refuzua me 20 vota pro dhe 21 kundër. Vetëm 21 anëtarë u shprehën formalisht se ishin “të kënaqur” ose pretenduan të ishin të kënaqur që disi, diku, duhet të ketë autoritet për të përmbushur detyrat që i janë propozuar. Vetëm 21, madje një shumicë e madhe e këtyre anëtarëve votuan, jo sepse ishin vërtet të kënaqur me çështjen ligjore, por sepse ishin prirë për të mbështetur çfarëdo plani për Palestinën para se të ndërpritet Asambleja e Përgjithshme, edhe pse t’i bëhet një trajtim i përciptë.

Le të kalojmë te problemet praktike. Cila do të jetë situata në lidhje me mundësinë e ekzistencës së dy shteteve? Merrni rastin e shtetit arab. Vetë Komiteti i Posaçëm i OKB-së për Palestinën ka pranuar se nuk mund të realizohet një shtet arab, dhe rrjedhimisht ka parashikuar ngritjen e një bordi të përbashkët ekonomik. Unë i kam tërhequr vëmendjen Komitetit Ad Hoc drejt deklaratës së një hebreu të shquar, një intelektual të madh dhe shumë të respektuar, dr. Judah Magnes, i cili është President i Universitetit Hebraik, për të cilin unë personalisht kam admirimin dhe respektin më të madh, dhe i cili ka thënë: “Bashkimi juaj ekonomik pa pasur bashkimin politik është një dështim që në hapin e parë dhe që nuk do të funksionojë kurrë”. Ai shton “Çfarë shprese mund të sjellë një bashkim ekonomik kur nuk është arritur bashkimi politik!” Nëse arabët nuk do të bashkëpunojnë, siç kanë shprehur ata, as shteti hebre nuk do të jetë funksional. Ai do të qëndrojë gjithmonë në një gjendje të tendosur financiare si dhe ekonomike, e cila do të shtrihet edhe në fushën e personelit. Si do ta bëni këtë plan të zbatueshëm? Sërish, kush do të sigurojë dhe do të vazhdojë të sigurojë financat?

Le të analizojmë këtë zgjidhje në këndvështrimin e drejtësisë, pasi të gjithë kanë shprehur besimin se kjo është një zgjidhje e drejtë që do të funksionojë nëse shtetet arabe bashkëpunojnë dhe nëse populli palestinez, hebrenjtë si dhe arabët, gjithashtu punojmë me një frymë bashkëpunimi.

Le të shqyrtojmë tri konsiderata në bazë të të cilave është shprehur se kjo është një zgjidhje e drejtë.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Në foto, duke shkëmbyer pikëpamje (nga majta në të djathtë) Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Muhamed Zafrulla Khan (Pakistan); Z. Talaat Ghoussein, Ministër i Kuvajtit në Uashington dhe Kryetar i Delegacionit në OKB; Lartmadhëria e tij Shejh Saba el Ahmed Al-Sabah, Ministri i Jashtëm i Kuvajtit; dhe Z. Saeed Yacoob Shammas, Vëzhguesi i Përhershëm i Kuvajtit në OKB.
Burim: UN Photos

Mosmarrëveshja e parë është kjo: Ka 1,300,000 arabë në Palestinë dhe 650,000 hebrenj – me gjasa të jenë më shumë – dhe problemi është bërë i pazgjidhshëm. U tha: Prandaj, le të ndajmë (territorin) sepse do të ishte e padrejtë dhe jo etike që 33% e popullsisë – e cila është popullsia hebre e Palestinës sot – të marrë statusin e minoritetit në një shtet unitar. Le të gjejmë një zgjidhje të drejtë: Arabët dhe hebrenjtë të kenë shtetin e tyre.

Kufijtë u vizatuan sipas rrethanave. Shteti arab do të jetë një shtet arab në kuptimin që vetëm dhjetë mijë hebrenj do të jetojnë në të ndërsa arabët do të jenë pothuaj një milion. Shumë mirë, por si do të jetë shteti hebre? Në shtetin hebre do të ketë 498,000 hebrenj dhe 435,000 arabë. A e keni zgjidhur problemin? Hebrenjtë nuk duhet të jetojnë si pakicë nën arabët, por arabët duhet të jetojnë si pakicë nën sundimin e hebrenjve. Nëse njëra nga këto nuk është e drejtë, atëherë edhe tjetra del e padrejtë; dhe nëse njëra nuk përbën zgjidhje, as tjetra nuk mund të quhet e tillë.

Le të shqyrtojmë kufijtë për një çast. Si janë ndarë këto zona? Hebrenjtë përbëjnë 33% të popullsisë dhe arabët 67%, mirëpo 60% e sipërfaqes palestineze do t’i bashkohet shtetit hebre. Aq më tepër, cilat janë karakteristikat gjeografike të zonës, duke përjashtuar tokën shterpë të shkretëtirës, ​​së cilës do t’i referohem më vonë? Nga toka pjellore e Palestinës që mund të shfrytëzohet për mbjellje, fushat në përgjithësi shkojnë në shtetin hebre, ndërsa kodrat tek arabët. Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar u kishte shpërndarë një dokument anëtarëve të komiteteve, i cili tregonte se 84% e sipërfaqes nga toka pjellore e cila është e lidhur me sistemin e kanalizimit të ujërave, do të jetë në Shtetin Hebre dhe vetëm 16% në Shtetin Arab. Me të vërtetë është një ndarje shumë e drejtë që 1/3 e popullsisë të marrë 84% të sipërfaqes, ndërsa 2/3-at të kënaqen me 16%.!

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Palestina në hartën britanike të vitit 1924
© Wikimedia Commons

Vetë Komiteti i Posaçëm i OKB-së ka vërejtur se eksporti më i madh nga Palestina përbëhet nga agrumet, dhe mbjellja e tyre ndahet pothuajse gjysmë për gjysmë midis arabëve dhe hebrenjve, si dhe (pas ndarjes së kufijve) zona e agrumeve do të kalojë pothuajse tërësisht në Shtetin Hebre. Sa e drejtë është kjo? Palestina prodhon vetëm 50% të drithërave nga ajo që i duhen, dhe pjesa tjetër duhet të importohet. 80% e zonës që prodhon drithëra gjendet në Shtetin Hebre, dhe vetëm 20% në Shtetin Arab.

Përveç kësaj, mbetet edhe çështja e mundësisë për zhvillim. Shikoni në hartë. Ku ka hapësirë për zhvillim në Shtetin Arab? Një përfaqësues na tha – Oh, mund të krijoni ullishte edhe në kodra. Pa dyshim, ju mund të rrisni prodhimin e ullinjve në kodra; por mesatarisht ullinjve u duhen 25 vjet derisa të japë prodhimin e plotë.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Plani i ndarjes së Palestinës nga OKB në 1947
© Wikimedia Commons

Po si do të jetë bujqësia e zakonshme? Ashtu siç është theksuar në Komitet, në Negeb (Negev), beduinët arabë kanë kultivuar dy milionë dunam (dylym)[1] tokë, në varësi të reshjeve të pakta të shiut dhe tani 99% e kësaj sipërfaqeje po i jepet Shtetit Hebre. Në këtë zonë, 15% e tokës është në pronësi të pronarëve privatë. Nga 15% e kësaj sipërfaqe, 14% është në pronësi të arabëve dhe 1% në pronësi të hebrenjve, ndërsa tani e gjithë kjo sipërfaqe, do të përfundojë në territorin e Shtetit Hebre. Popullsia arabe është mbi njëqind mijë, ndërkohë popullsia hebre është vetëm dy mijë, megjithatë e gjithë kjo sipërfaqe do të përfundojë në Shtetin Hebre.

Tani merrni zonën që ndodhet në jug. Të gjithë kanë pranuar se ai trekëndësh këndngushtë është një tokë shterpë e papunuar, një shkretëtirë e përvëluar. Ndonëse informacioni që posedoj mund të mos jetë i saktë, megjithatë jam në dijeni që përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Nën-Komitetin 1 ka ngritur të njëjtën pyetje se përse kjo zonë i është caktuar Shtetit Hebre. Por, atij nuk i është dhënë asnjë arsye. Sidoqoftë, nëse dikush e analizon hartën, ai mund të gjejë një arsye: Ky hap e çon kufirin e Shtetit Hebre deri në Gjirin Akaba dhe kështu i jep atij një dalje në Detin e Kuq. Para pak kohe, në lidhje me planin që ishte propozuar së fundmi dhe që nuk ishte miratuar, Pushteti i Mandatit ishte i etur për ta siguruar atë zonë. Sidoqoftë, Pushteti i Mandatit ishte më i sinqertë dhe kishte treguar qartë se arsyeja përse donin ta zgjeronin deri në këtë zonë ishte të siguronte rrugë në Gjirin Akaba, i cili kishte rëndësi strategjike për interesat e tij. A me të vërtetë kjo zonë mban rëndësinë strategjike për Shtetin Hebre? Kjo nuk duket e vërtetë, pasi nëse flasim për dalje në det, Shteti Hebre laget vetë nga ujërat e Mesdheut. Pse duhet të kalojnë nëpër këtë shkretëtirë që të dalin në Gjirin Akaba? Kujt i interesohet rëndësia strategjike e këtij vendi? Në fakt, kjo zonë do të qëndrojë në Shtetin Hebre për qëllime të tjera, dhe deri tani nuk është dhënë asnjë arsye për përfshirjen e saj.

Analizoni situatën në lidhje me industrinë. Praktikisht e gjithë industria hebraike ndodhet brenda kufijve të Shtetit Hebre. Pasi e vura në dukje këtë çështje në Komitet, një përfaqësues ndërhyri dhe tha: “Atëherë, po tërhiqni vërejtjen se përse industria hebre gjendet brenda Shtetit Hebre!? Por ajo këtu duhet të jetë”. Sigurisht, ajo aty duhet të jetë dhe nuk kam thënë ndryshe. Unë kam thënë që kjo ishte plotësisht e drejtë dhe e duhur. Megjithatë, çfarë është bërë në lidhje me industrinë arabe? 40% e industrisë arabe është përfshirë brenda kufijve të Shtetit Hebre. Po kjo, a është e drejtë?

Si përgjigje do të thuhet, siç është thënë deri tani, se arabëve u është bërë një lëshim i madh në lidhje me Xhafa. Por çfarë është ky koncesion? Qyteti Xhafa i cili banohet kryesisht nga arabët është prerë si një enklavë (territor i rrethuar) që do të përfshihet në shtetin arab. Pse është trajtuar si një enklavë? Harta e përfshirë në raportin e pakicës së Komitetit të Posaçëm 1 tregon se përmes zonave arabe, ajo mund të lidhej me pjesën jugore të Shtetit Arab. Harta e përfshirë në raportin e shumicës 2 tregon se, përmes zonave kryesisht arabe, qyteti mund të jetë pjesë e Shtetit Arab. Atëherë, pse duhet të mbetet si një enklavë? Tokat midis qytetit Xhafa dhe Shtetit Arab në lindje dhe në jug janë kryesisht arabe. Pse duhet të trajtohet Xhafa si një enklavë?

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Muhamed Zafrulla Khan (majtas), Nga Pakistani dhe Nënsekretari i OKB-së për Çështjet e Asamblesë së Përgjithshme, C.V. Narasimhan, i cili është gjithashtu Shef i Kabinetit, duke shkëmbyer mendime në sallën e konferencës
Burim: UN Photos

Në lidhje me kufijtë është propozuar një amendament dhe është sugjeruar që, nëse ndarja është e pashmangshme, të paktën duhet të përcaktohen kufijtë në mënyrë të ndershme. Amendamenti propozon që kufijtë të rekomandohen nga një komision i përbërë nga tre ekspertë kufijsh, të cilët do të emërohen nga Këshilli i Sigurimit. Ky komision duhet të siguronte që brenda Shtetit Arab nuk duhet të kishte tokën në pronësi të hebrenjve më shumë se 10% të tokës në pronësi private atje, dhe, në të njëjtën mënyrë, në Shtetin Hebre nuk do të kishte një zonë në pronësinë arabe më të madhe sesa 10% të pronësisë private atje. Ky propozim duhet të ishte mjaft i drejtë, megjithatë ai nuk gjeti pothuajse asnjë mbështetje jashtë Shteteve Arabe.

Tani arrijmë te pyetja nëse ky plan është me të vërtetë i zbatueshëm. Siç e kam thënë, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara ka shprehur shpresën që nëse e përkrahin shtetet fqinje arabe përreth si dhe populli i Palestinës, ky plan mund të funksionojë. Sigurisht shtetet fqinje arabe nuk do ta mbështesin një eksperiment të tillë; por gjithçka që mund të pritet prej tyre është që, si shtetet sovrane, ato nuk do të ndërmarrin asnjë hap që u kundërvihet detyrimeve të tyre sipas traktatit.

Por, arabët e Palestinës kanë deklaruar se ata nuk do të bashkëpunojnë. Anëtarët e Asamblesë gjithashtu duhet të dinë se ky plan nuk është një eksperiment. Ky nuk është si eksperiment që ishte bërë në lidhje me Komitetin e Përkohshëm [Interim Committee] i cili ishte krijuar para një viti, ku nëse plani dështon, ai mund të tërhiqet dhe Asambleja e Përgjithshme mund të miratojë një plan tjetër.

Përkundrazi, ky plan është propozuar si një zgjidhje e përhershme. Nëse plani dështon, dështon dhe OKB-ja. Kjo organizatë është një strukturë e përhershme, prandaj ky plan përfaqëson meritat, nderin madje vetë ekzistencën e OKB-së. Prandaj, më mirë të përqendrojmë gjithë vëmendjen tonë në këtë fazë për të kuptuar se çfarë situate po i drejtohemi. A është e gatshme Asambleja e Përgjithshme për ta vënë këtë bast?

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Oswaldo Aranha (i dyti nga e majta) bisedon me (nga e majta në të djathtë) Mohamed Zafrullah Khan, Kryetari i delegacionit i Pakistanit; Camille Chamoun, Ministri i Brendshëm i Libanit dhe Kryetar i delegacionit; dhe Larry Lesueur, komentator në radio CBS, pas takimit të 127-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shtyu për 24 orë votimin përfundimtar mbi ndarjen e Palestinës në Flushing Meadows, New York.
Burim: UN Photos

Le të ndalemi pak dhe të shqyrtojmë përpara se të nisim OKB-në në një rrugë, që e detyron atë për të zbatuar një plan, të cilit i mungon justifikimi moral dhe që është përtej autoritetit të saj ligjor dhe juridik dhe që është e pamundur të arrihet. Nëse ju e bëni këtë përpjekje të kotë dhe fatale, i keni shkelur nëpër këmbë dëshirat dhe aspiratat e 66% të popullit të Palestinës. Ju do të shkatërroni besimin dhe do të zhgënjeni shpresat e të gjitha shteteve fqinje në ndershmërinë dhe paanësinë e OKB-së, veçanërisht duke parë atë që ka ndodhur gjatë tri ose katër ditëve të fundit, të gjitha manovrat, madje edhe në lidhje me mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme, në të cilën po marrin pjesë shtetet e mëdha dhe të nderuara.

Në zemrat e popullatave të të gjitha vendeve, nga Bregu i Atlantikut të Afrikës Veriore deri në stepat e Azisë Qendrore, ju mbillni dyshim dhe mosbesim ndaj planeve dhe motiveve të fuqive perëndimore. Ju po rrezikoni të shkatërroni çdo mundësi të bashkëpunimit të sinqertë midis Lindjes dhe Perëndimit, në një shkallë që është përtej mundësisë së riparimit. Për ta zbatuar këtë plan me dhunë dhe forcë, keni futur pyka Perëndimore në zemrën e Lindjes së Mesme.

Si e ka përmbushur OKB-ja përgjegjësinë e saj në lidhje me këtë çështje shumë të vështirë, shumë të ndjeshme dhe shumë njerëzore?

Ka pasur dy propozime, dhe ato janë përshkruar si propozime ekstreme. Një propozim parashikonte një shtet unitar dhe tjetri kërkonte ndarje. U ngritën dy nën-komisione. Njëri nën-komision mbështeti planin unitar dhe kishte përgjegjësinë për të hartuar një propozim që i përgjigjej këtij plani. Ndërsa nën-komisioni i dytë përbëhej nga anëtarët që përkrahnin ndarjen e territorit dhe gjegjësisht kishte përgjegjësinë të hartonte një propozim mbi këtë bazë.

A ka bërë ndonjë përpjekje Organizata e Kombeve të Bashkuara për të afruar arabin dhe hebreun së bashku, për të gjetur një rrugë të mesme që mund të sigurojë një zgjidhje mbi të cilën të dy popujt mund të kombinohen për të punuar – e vetmja zgjidhje që mund të ketë ndonjë shans të mundshëm për t’u përpunuar me sukses?

Ishte raporti i pakicës. Gjithashtu, pati edhe disa sugjerime të tjera, dhe, nëse burrështetësia nuk është falemintuar plotësisht, ekziston mundësia për sugjerime të tjera, të cilat mund të shqyrtoheshin nga një organ i tretë. Një numër i madh i delegacioneve nuk e kanë mbështetur as idenë unitare dhe as idenë e ndarjes. Përse nuk u përdor zotësia e tyre për të gjetur ndonjë zgjidhje apo një rrugë të mesme?

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

Dhoma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Kur Nën-Komiteti 2 filloi punën, e gjeti veten të përbërë nga anëtarë që kishin marrë një mendim në mënyrë konsensuale. Përfaqësuesi i Kolumbisë, i cili ndërkohë ishte zgjedhur Kryetar i Nën-Komitetit, kishte shprehur pakënaqësinë mbi këtë situatë. Ai kishte sugjeruar që t’i drejtoheshin Kryetarit të Komitetit Ad Hoc për Çështjen Palestineze dhe t’i kërkonin emërimin në Nën-Komitetin 2 disa shtete të tjera përveç Kolumbisë që nuk ishin pro idesë së një shteti unitar, shtete të cilat mund të merrnin një qëndrim të mesëm, dhe të përpiqen të gjenin një zgjidhje që mund të jetë e pranueshme për të gjitha palët.

Kjo kërkesë iu dorëzua Kryetarit të Komitetit Ad Hoc dhe ai u informua gjithashtu se dy nga shtetet arabe ishin të gatshme për t’u larguar nga Nën-Komiteti, për t’i hapur rrugë riformimit dhe rindërtimit të tij. Por, ky sugjerim u refuzua; Kryetari nuk denjoi as t’i përgjigjej kërkesës. E vetmja përpjekje që ishte bërë në këtë drejtim, u refuzua tërësisht.

Tani na është thënë: Ju duhet të pranoni ose ndarjen ose asgjë. A është kështu dhe a është kjo zgjidhja e vetme? Sa mbështetje të mirëfilltë ka marrë plani i ndarjes? Në Komitetin Ad Hoc, ai mori mbështetjen e 25 delegacioneve. Disa nga këto 25 delegacione janë shprehur se e kanë mbështetur planin e ndarjes me gjysmë zemre, ndërsa të tjerët thanë se e kanë votuar planin me ngurrim, për të vetmen arsye se nuk u ishte ofruar asnjë zgjidhje tjetër. Kjo tregon se Asambleja e Përgjithshme në tërësi, nuk është e kënaqur të angazhohet në këtë zgjidhje të ashtuquajtur.

U përmend që nëse nuk pranohet plani i ndarjes, nuk do të arrijmë asnjë zgjidhje. Përkundrazi, nëse pranohet ndarja, e kemi marrë hapin fatal. Arabët dhe hebrenjtë do të ndahen me anë të dhunës dhe ata kurrë nuk do të kenë shans për t’u bashkuar sërish. Një numër i madh hakmarrjesh të papërfunduara do të bllokojë rrugën përpara. Nëse e shtyni zbatimin e këtij plani dhe nuk ndërmerrni hapin fatal, ju sërish u keni lënë hapur arabëve dhe hebrenjve mundësinë e një zgjidhjeje pajtimi përmes së cilës ata të ndërtojnë një të ardhme të bashkuar. Nuk është se nëse nuk merrni një vendim përfundimtar sot, juridiksioni juaj do të tkurret apo të shfuqizohet.

Kjo do të thotë se … asnjëra nga këto dy zgjidhje nuk është e pranueshme, dhe që duhet gjetur ndonjë rrugë tjetër. Përgjegjësia bie mbi ju, prandaj mos i shmangeni këtij shans. Mos e mbyllni derën që mund të mos hapet përsëri. Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të gjejë një zgjidhje që nuk është vetëm e drejtë dhe e ndershme, por që ka mundësinë më të madhe për suksesin në lidhje me popullsinë hebre dhe arabe në Palestinë.

Një thirrje e fuqishme për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve

(Nga e majta në të djathtë): Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së U Thant; Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Muhamed Zafrulla Khan (Pakistan); dhe Këshilltari Ligjor i OKB-së Konstandin Stavropulos.
Burim: UN Photos

Vota jonë sot, nëse nuk mbështet ndarjen, nuk përjashton mundësinë e zgjidhjve të tjera. Vota jonë, nëse miraton ndarjen, mbyll mundësinë e të gjitha zgjidhjeve paqësore. Lëreni atë që do të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Thirrja ime për ju është: mos e mbyllni këtë mundësi. Kombet e Bashkuara duhet të synojnë të afrohen, të bashkohen dhe të gjejnë konvergjencë e jo të ndahen dhe shfaqin divergjencë.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara iu referua lutjes dhe dëshirës sime që unë kisha shprehur në fund të fjalimit tim në Komitetin Ad Hoc. Unë e përsëris këtë lutje me përulësi, me sinqeritet dhe me dëshirë të zellshme:

Qoftë Ai që sundon mbi gjitha zemrat dhe i di mendimet dhe qëllimet më të fshehura, i cili vetëm mund të çmojë vlerën e vërtetë dhe parashikon pasojat e të gjitha veprimeve njerëzore, me madhështinë dhe mëshirën e Tij të drejtojë gjykimin tonë! Ajo që ne vendosim këtu sot, ndihmoftë dhe nxittë paqen, mbarësinë dhe mirëqenien e të gjitha krijesave të Tij: hebrenj, arabë e johebrenj, dhe riktheftë lavdinë e Tij përgjithmonë!

Sir Muhammad Zafrulla Khan përfundoi fjalën e tij në arabisht.

وَآخِرُ دَعْوَانَا أَنِ الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ

(Përkthyer nga arabishtja): “Thirrja jonë e fundit është: Lavdia është e Allahut, Zotit të botëve!”


Shënime:

[1] dunam, dynym ose dylym ishte një masë e sipërfaqes së tokës që përdorej në vendet që janë pushtuar nga Perandoria Osmane. Një dunam është i barabartë me 1000 metra katrorë. (shënim përkthy.)

Burim: United Nations: https://unispal.un.org/UNISPAL.NSF/0/93DCDF1CBC3F2C6685256CF3005723F2

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp