Tre njerëz që u mbyllën në shpellë. Çfarë i shpëtoi ata?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Tre njerëz që u mbyllën në shpellë. Çfarë i shpëtoi ata?

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes

Kjo histori që do të dëgjoni është një mesazh nga Profeti i shenjtë s.a.v.s., që ai ka dhënë 1500 vjet më parë për tri plagë që po vuan shoqëritë sot: sjelljen me prindërit, imoralitetin dhe padrejtesitë në tregti e konkurrencë

Tre njerëz në shpellë

Hazret Omer ibni Hatabi radijallahu ‘anhu tha:

E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë:

Tre njerëz nga ata që ishin para jush u nisën për rrugë. I zuri nata te një shpellë. Ata u futën në të. Papritmas, një shkëmb ra nga mali dhe ua mbylli hyrjen e shpellës.

Ata thanë:

Tanimë, ka vetëm një rrugë për të shpëtuar nga ky shkëmb: t’i luteni Zotit të Madhërishëm duke i paraqitur veprën më të mirë që keni bërë.

Njëri prej tyre u lut:

“O Zoti im! Kam pasur prindërit të moshuar. E konsideroja të ndaluar të ushqeja familjen, shërbëtorin a bagëtinë, përpara se t’i ushqeja prindërit. Një ditë u vonova në kërkimin e kullosës. Kur u ktheva në shtëpi, mola qumësht dhe derisa ua solla i gjeta prindërit në gjumë. Nuk doja t’i zgjoja nga gjumi, por as nuk doja që përpara tyre ta ushqeja familjen dhe shërbëtorin. Qëndrova me enën në dorë duke pritur që ata të zgjoheshin, gjersa zbardhi agimi. Ndërkohë, që fëmijët po më qanin te këmbët e mia, ata u zgjuan dhe më pas e pinë qumështin. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë duke kërkuar vetëm pëlqimin Tënd, na largo këtë shkëmb!”

Shkëmbi lëvizi paksa, por ata ende nuk mund të dilnin nga shpella.

I dyti u lut:

“O Zoti im! Kisha një kushëri, e cila ishte më e dashura për mua sesa gjithë njerëzit. E doja me dashurinë më të madhe që mund të ketë një burrë për një grua. I kërkova të ma plotësonte dëshirën me trupin e saj, por ajo më refuzoi. Një vit uria e ngushtoi kaq shumë, saqë ajo më erdhi duke kërkuar ndihmë. Unë i dhashë 120 dinarë, që në këmbim ajo të ndante kohë intime me mua. Nga halli ajo ma pranoi dëshirën. Në momentin kur isha sipër asaj, më tha:

“Ki druajtjen ndaj Allahut dhe mos bëj imoralitet me mua!”

Unë u ndava prej saj, edhe pse ishte njeriu që e doja më shumë se gjithë njerëzit e botës, dhe ia lashë edhe dinaret që i kisha dhënë. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë duke kërkuar vetëm pëlqimin Tënd, na largo këtë shkëmb!”

Shkëmbi lëvizi edhe pak, por ata ende nuk mund të dilnin nga shpella.

I treti u lut:

“O Zoti im! Njëherë kisha marrë disa punëtorë dhe në fund të ditës, ua pagova hakun e punës të gjithëve përveç njërit, i cili u largua pa e marrë shpërblimin e tij. Pjesa që i takonte atij, e vura në tregti dhe ajo pati bereqet të jashtëzakonshëm. Pas një kohe, i njëjti punëtor më erdhi dhe më tha:

“O robi Allahut! Jepma hakun e punës!”

“E gjithë kjo kope me deve, lopë e bagëti të imët dhe të gjithë këta shërbëtorë që shikon, është pagesa jote”, i thashë.

“Mos bëj shaka me mua, o rob i Allahut!”, tha ai.

I thashë: “Jo, nuk po bëj shaka!”

Atëherë ai i mori të gjitha ato gjëra, pa lënë asgjë aty. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë duke kërkuar vetëm pëlqimin Tënd, na e largo këtë shkëmb!”

Shkëmbi lëvizi aq shumë, saqë ata arritën të dilnin nga shpella duke ecur.

(Sahih Bukhari, Kitabul-ixharah, bab meniste’xhera exhren fe tarake exhrahu; Hadiqatus-Salihin, 2015, Indi, f. 659 – 663, hadith nr. 699)

Të nderuar miq!

Kjo histori na jep shumë mësime dhe dua t’ju rendis disa prej tyre që janë të rëndësishme.

  1. Kemi nevojë të besojmë në Zot. Në një Zot të Gjallë, që dëgjon lutjet e hallexhinjve. Ai Zot që krijoi qiellin, Tokën dhe gjithë universin, nuk i ka krijuar të gjitha këto gjëra thjesht për lojë, por që ne ta njohim Atë e të krijojmë kontakt me Të.
  2. Kemi nevojë të bëjmë disa vepra që janë vetëm e vetëm për të fituar pëlqimin e Zotit dhe përmes tyre t’i lutemi Zotit që Ai të na shpëtojë nga fatkeqësia. Fatkeqësia më e madhe është që njeriu të largohet nga kjo botë, pa e njohur Krijuesin e tij.
  3. Historia e tre njerëzve që u mbyllën në shpellë, nuk është një histori e së kaluarës. Historia na tregoi se këta tre kishin bërë nga një vepër të mirë, përmes së cilës, arritën ta gëzonin ndihmën e Zotit dhe kështu, shpëtuan nga shkatërrimi. Pra, nëse ata nuk do t’i kishin bërë këto vepra, do të mbeteshin në errësirën e shpellës përgithmonë.
  4. Kjo tregon se edhe ne nëse nuk i kemi këto tri cilësi, jetojmë në një shpellë, pa dritë.
  5. A nuk është e vërtetë se tri rastet e përmendura në këtë histori janë tri prej problemeve kryesore që ka bota sot?!
  6. Njeriu i parë i kësaj historie paraqiti veprat e tij të shërbimit ndaj prindërve. A nuk është e vërtetë që sot bota pavarësisht se është po zhvillohet shumë materialisht, njerëzit po largohen shumë nga njëri-tjetri, shpirtërisht dhe emocionalisht. Hendeku mes brezave vetëm po thellohet gjithnjë e më shumë. Ka shumë njerëz që në moshën e tretë mbesin jetimë, sepse fëmijët e tyre nuk kanë kohë për t’u kujdesur për ta. Pra, nëse duam të dalim nga shpella, nëse duam të kemi dritë në jetën tonë, kemi nevojë t’u shërbejmë prindërve dhe të moshuarve tanë.
  7. Njeriu i dytë i kësaj historie paraqiti veprën e tij të frenimit nga imoraliteti. A nuk është e vërtetë që në sot imoraliteti më nuk quhet mëkat në shumë vende?! Shikimi dhe ndjenjat njerëzore janë të pushtuar nga imoraliteti, përveç atij që e ka mëshiruar Zoti. Pra, nëse duam të dalim nga shpella, nëse duam të kemi dritë në jetën tonë, kemi nevojë të pastrojmë shpirtrat tona, shikimin dhe ndjenjat tona nga imoraliteti.
  8. Njeriu i tretë i kësaj historie paraqiti veprën e tij të ndershmërisë në tregti. A nuk është e vërtetë që pandershmëria në tregti është përhapur kudo në shoqërinë tonë. Sot tregtar quajnë atë që di t’i mashtrojë njerëzit. Por kjo histori na tregon se nëse duam të dalim nga shpella, nëse duam të kemi dritë në jetën tonë, kemi nevojë të përvetësojmë ndershmëri në marrëdhëniet tona financiare, sado të vogla apo të mëdha qofshin ato.
  9. Lutjet pranohen përmes veprave të sinqerta.

Zoti na mundësoftë të dritësohemi!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp