Pse mbajnë shaminë gratë muslimane? - Xhemati Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
mbulesa shami

Allahu i Madhërishëm, duke treguar arsyen e obligimit të hixhabit (mbulesa islame) në Kuranin Famëlartë thotë:

mbulesa“Kjo është më e përshtatshme që ato të njihen dhe të mos ngacmohen”.[1]

Sipas Islamit, një grua e devotshme që i druhet Zotit duhet të shfaqet në publik duke mbartur vlerat e larta morale të dëlirësisë dhe të fisnikërisë. Ajo gjithashtu dëshmon që dashuria e saj ndaj Zotit është më e madhe se kënaqësia e kësaj jete. Duke mbuluar trupin dhe flokët e saj, ajo bën të qartë se ajo nuk është një vajzë që kërkon të jetë në qendër të vëmendjes. Po ashtu, ajo nuk pranon assesi të flirtohet apo të përkëdhelet nga burrat e huaj. Një vajzë e mbuluar muslimane i distancohet vetëdijshëm çdo gjëje që mund të njollosë nderin e saj. Ajo dëshiron të identifikohet si një grua, e cila duke ndjekur porositë e Zotit, ka arritur paqen dhe lumturinë e brendshme.

Prandaj, nuk i pëlqen të preket integriteti i saj. Mbulimi i flokëve dhe i pjesëve të tjera tërheqëse të trupit, jep një mesazh të qartë për meshkujt që këtu është një grua, e cila nuk dëshiron të joshet a të ledhatohet nga meshkujt e huaj, apo të kompromentojë me nderin e saj. Sjellja e saj modeste por elegante, si një pengesë e pakalueshme, frenon shikimin epshor e të shthurur të meshkujve që tenton të bredhë lirisht mbi të në kërkim të ëndjes.

mbulesa

Foto nga Officer CC BY 3.0 de, via Wikimedia Commons

Mbulesa sipas Kuranit

Për të mos lënë asnjë mëdyshje, Allahu deklaron në mënyrë të qartë:

“O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”.[2]

Ndërsa në një vend tjetër, lexojmë porosinë lidhur me shaminë:

“Thuaju besimtareve që të frenojnë shikimet e tyre (nga e ndaluara), të ruajnë organet e tyre gjinore dhe të mos shfaqin bukurinë dhe stolitë e tyre, përveç asaj që shfaqet në mënyrë të vetvetishme. Le të zgjasin mbulesat e tyre të kokës mbi kraharorët e tyre dhe të mos shfaqin bukurinë dhe stolitë e tyre, përveçse para bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim, ose shërbëtorëve meshkuj që nuk kanë dëshirë epshore ose fëmijëve që nuk dinë për pjesët intime të femrave. Le të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të zbulohen stolitë e tyre të fshehta. O besimtarë, kthehuni të gjithë tek Allahu duke u penduar, që të arrini shpëtimin![3]

Nganjëherë thuhet që ky ajet u tërheq vëmendjen grave muslimane që t’i shmangen vesit të shfaqjes së pjesës së kraharorit, por në të njëjtën sure, lexojmë edhe këtë porosi:

“Gratë e vjetra, që nuk shpresojnë më të martohen, nuk është gjynah ta heqin mbulesën e jashtme, por jo duke i treguar stolitë e tyre. E, nëse përmbahen, është edhe më mirë për ato. Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha”.[4]

Lejimi i heqjes së mbulesës së jashtme për gratë e moshuara, nuk duhet përdorur si pretekst që ato të dalin kokëzbuluar. Së dyti, në ajetin e sipërm, është porositur shprehimisht që gratë muslimane “të mos shfaqin bukurinë dhe stolitë e tyre, përveç atyre që shfaqen në mënyrë të vetvetishme”. Kjo tregon qartë se gratë muslimane nuk duhet të ndihen të penguar apo të paafta në punën e tyre të përditshme dhe të kontribuojnë denjësisht në zhvillimin e shoqërisë dhe vendit.

Megjithatë, është pyetur disa herë: Përse vetëm gratë muslimane duhet të jenë të kufizuara në aspektin e veshjeve, dhe përse duhet të jenë vetëm ato që mbulohen për t’iu shmangur shikimeve epshore e të papërgjegjshme të meshkujve? A nuk duhet të ishin meshkujt, të cilët duhet të frenonin shikimin e tyre? Po kështu anasjelltas, a mund të themi që nuk ka gra që i kundrojnë meshkujt e tjerë me joshje? Përse të mos mbulohen edhe meshkujt me shami?

Në të vërtetë, Kurani duke përshkruar tiparet e një shoqërie hyjnore, u drejtohet fillimisht meshkujve besimtarë që të ulin shikimin e tyre ndaj grave të huaja. Sipas tij, besimtarët muslimanë nuk duhet të vështrojnë të ndaluarat, kategori kjo që përfshin edhe grat e huaja. Ata duhet të sillen me modesti, druajtje e vetëpërmbajtje dhe të kalojnë një jetë të moralshme. Islami nuk u jep meshkujve kompetencë për të imponuar urdhrin e mbulesës mbi gratë, por i porosit për t’i përmbajtur sytë e tyre.

Disa njerëz, duke shprehur pakënaqësinë e tyre, pyesin që përse u është dashur grave muslimane të heqin dorë nga liria e tyre, për të vetmen arsye që disa meshkuj të pafytyrë sillen me to në mënyrë fyese. Përse u mohohen të drejtat e tyre, vetëm se disa meshkuj mund t’i manipulojnë ato? Me të vërtetë, po të silleshin njerëzit ashtu siç duhet, nuk do të nevojiteshin as shami, as hixhab e as masa të tjera mbrojtëse. Por, fatkeqësisht në këtë kohë, sjellja e shumë njerëzve nuk është gjithmonë në shkallën e dëshirueshme. Përderisa, nuk është kaq e lehtë për të larguar babëzinë e grykësinë nga kjo botë materiale, shoqëria muslimane në tërësi duhet të ndërmarrë masat e nevojshme në aspektin e parandalimit të stimujve që nxisin shthurjen dhe përmbysjen e jetës shoqërore në baza morale. Këto masa synojnë të parandalojnë pasojat që rezultojnë nga mungesa e kontrollit mbi instinktet joshëse.

Cilat janë këto masa? Në Kuranin Famëlartë ne gjejmë këto udhëzime:

“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre dhe t’i ruajnë pjesët e tyre intime! Kjo është mënyra më e dëlirë për ta, dhe Allahu është i Dijshëm për çka bëjnë ata”.[5] “Dhe mos iu afroni kurvërisë, se me të vërtetë ajo është shthurje morale dhe një rrugë e shëmtuar”.[6] “Me të Vërtetë, Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh … për meshkujt që i ruajnë pjesët e tyre intime dhe gratë që i ruajnë pjesët e tyre intime”.[7]

Megjithatë, në mesin e muslimanëve ekziston një pakicë njerëzish, e cila duke qenë e dobët dhe e cenueshme, nuk arrin dot të mposhtë instinktet e saj. Ka edhe të këtillë “që dëshirat e veta i kanë bërë zot”[8] dhe kështu duke mos iu përgjigjur udhëzimeve hyjnore, ata zbrazen edhe nga vlerat morale.

Profeti Muhammed s.a.v.s. ka thënë:

“Ndër banorët e xhehenemit, ka lloje njerëzish që ende nuk i kam parë. Burra me kamxhik si bishtat e lopëve me të cilat ata i rrahin njerëzit (d.m.th. udhëheqës tiranë) dhe gra që janë të veshura por të zhveshura, të joshura (në rrugën e gabuar) dhe bëjnë që njerëzit të joshen pas tyre, flokët e tyre janë si pjerrtësia e gungave të devesë. Ato nuk do të hyjnë në Xhenet, e as nuk do ta nuhasin aromën e tij edhe pse ajo kundërmon në largësi të mëdha”.[9]

Mbulesa dhe veshja dinjitoze e një gruaje muslimane rrezaton modestinë, por edhe krenarinë për identitetin e saj, duke i paralajmëruar meshkujt që pushtohen nga dëshira të shfrenuara, të sillen në mënyrë më të përgjegjshme ndaj tyre.

Urdhri i Kuranit Famëlartë lidhur me mbulimin e flokëve dhe vënien e hixhabit për gruan muslimane, është një shprehje dhe formë e vetëmbrojtjes së saj. Duke iu bindur kësaj porosie kuranore, ajo jep një mesazh të qartë se i nënshtrohet plotësisht dëshirës së Zotit, dhe mbivendos vullnetin e Tij mbi çdo dëshirë apo interes të saj që lidhet me jetën e kësaj bote. Përmes paraqitjes së saj të jashtme, ajo demonstron se është e gatshme për të sakrifikuar çdo kënaqësi materiale, për të arritur sjelljen e lartë morale dhe ngritjen në gjendjen shpirtërore.

Ajo është e vetëdijshme, që dashuria e vërtetë kërkon sakrifica të mëdha. Në këtë mënyrë, duke shfaqur nënshtrimin e saj ndaj Zotit dhe besnikërisë ndaj bashkëshortit, ajo dëshmon se nuk ka kurrfarë interesi për meshkujt e huaj. Duke qenë e moralshme dhe besnike ndaj fesë së saj, ndonëse ajo privon veten nga përvojat dhe aventurat e lidhjeve të shfrenuara të një jete të shthurur, ajo fiton një kënaqësi të thellë dhe gjen lumturinë që nuk mund të përjetohet kurrë në lidhje të paligjshme.

mbulesa

Foto nga mentatdgt, CC0 License, pexels.com

Përpos kësaj, mënyra e të veshurit në publik, ia forcon ndjesinë e modestisë dhe përulësisë, dhe fuqizon lidhjen dhe sjelljen e saj të sinqertë brenda familjes. Kjo i ngjall vetëdije dhe i forcon dinjitetin e vetëbesimin.

Ajo nuk humbet më kohë duke u marrë aq shumë me rregullimin e vetes në mënyrë estetike, për t’u bërë sa më joshëse, që t’i tërheqë edhe ata sy të shfrenuar e të papërgjegjshëm, që gjejnë ëndje në bukurinë e saj të jashtme. Prandaj shfaqja publike e një vajze muslimane në veshje modeste e dinjitoze, nuk është simboli i shtypjes apo nënshtrimit, por një shprehje e qartë e dinjitetit dhe vullnetit të saj.

Ne po jetojmë në një kohë, në të cilën njeriu në kërkim të kënaqësisë, po nëpërkëmb e përmbys të gjitha normat morale e shoqërore. Prandaj, duhet të ekzistojë doemos kufiri midis ndershmërisë e pandershmërisë, turpit dhe paturpësisë, normave morale e shthurjes etj. Islami e bën këtë vijë ndarëse qartësisht të dalluar, duke shquar kufirin e pikënisjes së joshjes nga kufiri aktual i “joshjes” i cili është gjithçka që bie në sy.

Hixhabi ose shamia, nuk janë vetëm masa mbrojtëse për t’iu shmangur imoralitetit, që mund të burojë nga të tjerët, por edhe si një nxitje, që një muslimane duhet të përqendrojë përpjekjet e saj për të arritur dëlirësinë, dhe duhet të distancohet nga çdo mendim a veprim, që mund ta devijojë nga ky objektiv.

Mbulesa dhe shamia janë gjithashtu kundërmasat e një vajze muslimane për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e saj. Ajo e bën të qartë se nuk dëshiron të jetë objekt i kënaqësisë së meshkujve të paskrupullt dhe assesi nuk është e disponueshme për t’u plotësuar nevojat e tyre epshore.

Sipas Kuranit Famëlartë, gratë muslimane nuk kanë të drejtë vetëm për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e tyre, por Islami jep udhëzime të hollësishme që u nevojiten për të ndërtuar karakterin dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre.

Si duhet të jetë veshja e besimtarëve?

Megjithatë, një pyetje akoma ka nevojë për t’u sqaruar. A duhet të jenë vetëm gratë muslimane ato të cilat duhet t’i mbulojnë pjesët e trupit apo edhe meshkujt muslimanë? Veshjet e meshkujve duhet t’u mbulojnë pjesët intime e nuk duhet të jenë të ngushta, që tregojnë formën e pjesëve intime. Nuk pëlqehet që veshjet e burrave t’u ngjajnë atyre të grave dhe të krijojnë ngjashmëri midis dy gjinive.[10] Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. ka porositur që muslimanët duhen t’u shmangen veshjeve ekstravagante e nuk duhet të sillen me mendjemadhësi.[11] Prandaj është ndaluar veshja e floririt dhe mëndafshit për burrat muslimanë.[12] Ai mbante një çallmë (Amama) në kokë.[13] Profeti a.s. ka thënë: Meshkujt duhet të vishen me rroba normale që ua mbulojnë pjesët e trupit dhe t’i mbulojnë flokët kur të dalin jashtë shtëpisë. Ai personalisht mbante çallmë në kokë.[14] Të gjitha shkollat e jurisprudencës Islame pranojnë unanimisht që mbulimi i kokës veçanërisht gjatë namazit është një praktikë e pëlqyeshme (مستحب). Kjo është arsyeja që meshkujt muslimanë kur dalin në publik shpesh e mbulojnë kokën me kapuç apo me diçka tjetër.

Pritet që çdo musliman qoftë mashkull apo femër t’u nënshtrohet vullnetarisht mësimeve të Islamit. Në Kuranin Famëlartë, Zoti deklaron:

“E vërteta është ajo që vjen prej Zotit tuaj. Kush të dojë le t’i bindet, dhe kush të dojë le ta mohojë atë”.[15] “Nuk ka imponim në fe”.[16] Allahu tregon rëndësinë e ndjekjes së rrugës së Profetit a.s. duke thënë: “Thuaj (o Muhammed)! Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua. Kështu edhe Allahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë gjynahet”.[17] “Vërtet, ka një model të shkëlqyer në të Dërguarin e Allahut për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e kujton shpesh Allahun”.[18]

Muslimanët, si burri ashtu gruaja, nuk duhet të veshin rroba, që janë tejet tërheqëse e ekspozuese, të cilat në vend të mbulojnë tiparet fizike të bukurisë, i zbulojnë ato në mënyrën më provokuese. Veshjet e tilla shërbejnë vetëm për të rënë në sy, për të tunduar ndjenjat erotike dhe për të nxitur rrjedhimisht “kërkesat e padëshirueshme”.

Mbulesa nuk është shprehja e ekstremizmit e as demonstrimi i aspiratave politike për të arritur pushtet. Mbulesa shërben si një mjet për t’iu shmangur dëshirave epshore dhe për t’u mbrojtur nga instinktet e ulëta. Ajo është element i qenësishëm i etikës islame dhe një ndër dispozitat jetike të edukimit të moralshëm.

Dispozita e hixhabit ndihmon në ruajtjen e dëlirësisë së jashtme dhe të brendshme, dhe u jep një mesazh të qartë të tjerëve se kjo vajzë nuk simpatizon apo toleron sjellje imorale a të pahijshme. Mbulesa është pjesë integrale e mësimeve islame, dhe nuk është e mundur që muslimanët të ndryshojnë apo të shfuqizojnë një dispozitë të tillë, për të cilën gjejmë udhëzime të qarta në Kuran dhe në praktikën profetike.


[1] Kurani Famëlartë 33:60
[2] Si më sipër
[3] Kurani Famëlartë 24:32
[4] Kurani Famëlartë 24:61
[5] Kurani Famëlartë 24:31
[6] Kurani Famëlartë 17:33
[7] Kurani Famëlartë 33:36
[8] Kurani Famëlartë 45:24
[9] Sahih el-Muslim, libri 40, nr i hadithit 6840
[10] Sunen Ebu Daudi, nr. i hadithit 4098
[11] Sunen En-Nisai, nr. i hadithit 2559
[12] Ibn Maxhe nr. i hadithit 3595, Ebu Daudi, nr. i hadithit 4057
[13] Ibni Maxha, Kitabul-Libas, nr. i hadithit 3585
[14] Rijadus Salihin, libri 4, nr. i hadithit 784
[15] Kurani Famëlartë 18:30
[16] Kurani Famëlartë 2:257
[17] Kurani Famëlartë 3:32
[18] Kurani Famëlartë 33:22

Related Questions by Topics
Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp