Përse u bëra musliman ahmedian: Temim ebu Dakkah | alislam.al
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Temim Ebu Dakkah: Pse u bëra ahmedian?

Njëherë, në një takim formal, një ndër të pranishmit më shtroi një pyetje: Përse u bëra ahmedian?

I thashë: Sepse unë besoj që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është vula e profetëve, prijësi i të parëve dhe të mëvonshmëve, dhe nuk ka asnjë profet pas tij, as i ri e as i vjetër.

Ai më tha: “Kush beson se ka profet pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.?”

I thashë: “Sipas akides së shkollës tradicionale Isai alejhiselam është i gjallë në qiell dhe do të zbresë në Tokë pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe ai do të jetë pejgamberi i fundit për këtë umet. Por, mua nuk më linte sedra për Islamin dhe për pozitën e lartë të Profetit Muhammed s.a.v.s. ta pranoja një akide të tillë. Mirëpo, ekzistojnë dhe dëshmi të pakontestueshme nga Kurani Famëlartë dhe hadithet profetike që e hedhin poshtë këtë mendim”.

Duke dëgjuar përgjigjen time, ndërhyri personi që ishte ulur pranë tij dhe tha: “Pse, a nuk qenka Isai alejhiselam i gjallë në qiell dhe a nuk do të zbresë në tokë në ditët e vona?”

I thashë: “Sot për sot vetëm selefët e pranojnë këtë kuptim”.

Por ai më ktheu menjëherë: “Unë nuk jam selefi”.

Argument nga Kurani për vdekjen e Isait a.s.

Unë i thashë me një buzëqeshje: “Sidoqoftë, Kurani Famëlartë ka shpallur vdekjen e Isait alejhiselam në mënyrë të prerë. Madje Kurani refuzon kategorikisht edhe kthimin e tij sërish në tokë para ditës së Kiametit, dhe citon dëshminë e Isait alejhiselam që:

Dhe kur Allahu i tha: “O Isa i biri i Merjemes! A ti u the njerëzve – më adhuroni mua dhe nënën time si dy zota pos Allahut?”, ai tha: “Je i Shenjtë! Nuk mund të them diçka që nuk kam të drejtë. … Kam qenë dëshmitar mbi ta derisa isha mes tyre. Dhe kur ma more shpirtin, Ti ishe Mbikëqyrësi i tyre”.[1]

Këto ajete konstatojnë që ai është larguar nga kjo botë para se të devijoheshin të krishterët nga parimet themelore të besimit dhe ta quanin atë si zot. Po qe i gjallë, me siguri duhet të ishte i njohur me gjendjen e pasuesve të tij dhe shtrembërimin që kishin pësuar në doktrinat e tyre. Ndërkohë, dialogu i tij me Zotin e përgënjeshtron një gjë të tillë dhe ne arrijmë në përfundimin që Isai alejhiselam nuk do të zbresë fizikisht për ta ndrequr këtë çrregullim, për të thyer kryqin dhe për t’i ndëshkuar ata. Në një hadith të famshëm kudsij, i cili njihet si hadith i “Haudit”, të transmetuar nga hz. Osmani r.a., i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka argumentuar pikërisht duke cituar fjalët e Isait a.s.. Ai ka thënë:

Pastaj do të them ashtu siç tha robi i përkushtuar i Allahut (Isai a.s.): “Unë kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe…”.[2]

Tani dihet që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u nda nga sahabët për shkak të vdekjes, njësoj siç ishte larguar Isai a.s. nga populli i tij po për shkak të vdekjes dhe nuk kishte dijeni se ç’kishte ndodhur pas tij.

Pastaj shtova: “Sigurisht, lajmi për ardhjen e Mesihut në kohë të mëvonshme është i vërtetë, por shohim që Isai a.s. që përmendet në Kuran ka vdekur dhe ai nuk mund të kthehet në jetë. Pra, nuk na mbetet zgjidhje tjetër, përveçse të pranojmë që Mesihu që përmendet në hadithe është një person krejtësisht tjetër, e sidomos duke ditur që tiparet fizike të Isait a.s. dhe të Imam Mehdiut a.s. hadithet i tregojnë krejtësisht të ndryshme. Çuditërisht, Imam Buhariu r.a. ka renditur të dyja hadithet në të njëjtin kapitull. Ai shkruan që Isai biri i Merjemes a.s. ka trup të bardhë, flokë kaçurrelë, dhe kraharor të gjerë[3], ndërsa Isai i cili do të vijë në kohën e Dexhallit do të jetë një njeri ngjyrë gështenje dhe me flokë të drejtë[4].

Vdekja e Isait a.s. – argumente të pathyeshme nga Kurani Famëlartë

Pastaj i thashë: “Për sa i përket Dexhallit, ai përbën arsyen tjetër që më shtyu drejt Ahmediatit. Unë nuk besoja në legjendën e shfaqjes së një përbindëshi, qorr në një sy, i cili do të vinte hipur mbi një gomar gjigant dhe do të kryente veprime të pabesueshme. Për mua, këto ide u përngjanin përrallave me mbret që u rrëfehen fëmijëve para gjumit.

Ndërsa ne besojmë që këto janë profeci të mëdha, të cilat shpalosin të padukshmen duke përdorur shprehje metaforike, dhe duke u përmbushur në mënyrë të jashtëzakonshme kanë ripërtërirë vërtetësinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.”.

Unë po u shpjegoja besimin tim dhe ata po më dëgjonin plot kureshtje.

“Sidoqoftë, besimi ynë si muslimanë ahmedianë është rrënjosur thellë në Kuran, sunet dhe hadith, ndërsa kundërshtarët tanë që rropaten ditë e natë janë kapur në ide që nuk kanë asnjë bazë e mbështetje. Ata janë mbërthyer në rrethin vicioz të gabimeve trashanike dhe koncepteve të shtrembëruara të cilat tentojnë të minojnë themelet e fesë islame.

A mund të ketë diçka më të tmerrshme se të besohet se Profeti ynë s.a.v.s. ka ndërruar jetë, ndërkohë Isai biri i Merjemes është i gjallë në qiell? Ku bazohet ky besim? A e gjeni dot këtë mendim në Kuranin Famëlartë, apo ai deklaron pa asnjë mëdyshje vdekjen e Isait a.s.? Sigurisht Zoti i Gjithëdijshëm e dinte se më vonë muslimanët do ta pasonin këtë doktrinë të krishterë e do ta ngurtësonin atë si akide themelore. A gjendet qoftë dhe një hadith i saktë që tregon se Isai a.s. është ngritur në qiell dhe është i gjallë atje fizikisht? Sigurisht nuk ka asnjë hadith të tillë.

Me të vërtetë, kjo doktrinë e ka origjinën në hadithet që paralajmërojnë zbritjen e Mesihut në kohë të mëvonshme, e cila është një profeci e vërtetë. Prandaj, për të zbritur Isain a.s. nga qielli, ata e ngjitën në qiell, edhe pse hadithet që lajmërojnë për ardhjen e tij janë të zbrazëta nga fjala “qiell” dhe harruan që fjala nuzul (zbritja) do të thotë zgjidhje apo ardhje.

Vdekja e Isait a.s. – argumente nga hadithet e Profetit s.a.

Shkurt, besimi i tyre nuk është një përfundim deduktiv e as nuk vërtetohet nga provat e argumentet që bazohen në parimet themelore të Islamit, përkundrazi janë fyese ndaj tyre. Disa prej besimeve të tyre kanë kontradikta të dukshme me disa pjesë të Kuranit, dhe përplasen me sunetin dhe hadithin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ndërsa, besimi ynë buron nga themelet e Islamit dhe mbështetet në Kuranin Famëlartë, sunetin e pastër dhe hadithet profetike. Ai rrëzon çdolloj mospajtimi që duket midis tyre. Atëherë më thoni, cili nga këto dy grupe kanë të drejtë?

Sikur, kundërshtarët tanë të ndaleshin pak para këtyre fakteve të ndritshme që rrëzëllejnë si diell. Por fatkeqësisht, ne shohim që ata u shmangen këtyre fakteve. Në vend që të shqyrtojnë këto argumente të qarta, ata harxhojnë gjithë mundin dhe vëmendjen e tyre në përgënjeshtrimin e Mesihut të Premtuar a.s.. Ata qëllimisht e anashkalojnë këtë çështje duke thënë që edhe nëse e pranojmë që Isai a.s. ka ndërruar jetë, prapë nuk vërtetohet që Mesihu juaj i Premtuar na qenka Mesihu i vërtetë, kërkojnë argumente të tjera për vërtetësinë e tij ose thjesht e refuzojnë atë duke rrëfyer disa histori qesharake.

Ne themi: Kush thotë që këto janë dëshmi për vërtetësinë e Mesihut tonë? Kjo thjesht nxjerr në pah pavlefshmërinë e besimit tuaj, dhe nëse ju pranoni gabimin e botëkuptimit tuaj, atëherë mund t’i vështroni provat e vërtetësisë së tij, të cilat gjenden me bollëk. Tërheqja e kundërshtarëve evidenton që ata nuk kanë asgjë në dorë, përveç mohimit e refuzimit dhe që ata nuk u kushtojnë asnjë rëndësi mbrojtjes së parimeve islame, pozitës së Profetit Muhammed s.a.v.s. e as vulës së profetësisë, siç mburren ata. Ata nuk vlerësojnë as parimin e drejtësisë.

Hapi i parë i kërkimtarit të së vërtetës është drejtësia, dhe ai nuk mund të gjejë udhën e drejtë përderisa nuk i drejtohet Zotit dhe nuk i kërkon ndihmë. Mjerisht, kundërshtarët tanë kanë flakur drejtësinë dhe e përbuzin atë që ka shpallur Allahu. Ata u japin epërsi mendimeve të tyre të errëta e të shtrembra kundër urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Përfundimi i atyre që kundërshtojnë vendimin e Kuranit Famëlartë dhe gjykimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. është vetëm dështim dhe humbje.

Shkrimi origjinal në arabisht mund të gjendet këtu: http://bisatahmadi.com/articles/لماذا-أصبحت-أحمدياً؟/


[1] El-Maide 5:117-118
[2] Buhariu, Libri “Ndodhitë e pejgamberëve”, numri i hadithit 3349
[3] عَنِ ابْنِ عَبَّاسٍ ـ رضى الله عنهما ـ قَالَ قَالَ النَّبِيُّ صلى الله عليه وسلم ‏ “‏ رَأَيْتُ عِيسَى وَمُوسَى وَإِبْرَاهِيمَ، فَأَمَّا عِيسَى فَأَحْمَرُ جَعْدٌ عَرِيضُ الصَّدْرِ، وَأَمَّا مُوسَى فَآدَمُ جَسِيمٌ سَبْطٌ كَأَنَّهُ مِنْ رِجَالِ الزُّطِّ ‏”‏‏
Transmetohet nga Hazret Ibne Abbasi r.a. se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “E kam parë Isain, Musain dhe Ibrahimin. Për sa i përket Isait, ai ka trup të bardhë, flokë kaçurrelë, dhe kraharor të gjerë. Për sa i përket Musait, ai ka ngjyrë gështenje, i lartë, flokë të drejtë sikur të jetë nga fisi ez-zutt.” (Buhariu, Libri i Pejgamberëve, numri i hadithit 3437)
[4] ، عَنْ نَافِعٍ، قَالَ عَبْدُ اللَّهِ ذَكَرَ النَّبِيُّ صلى الله عليه وسلم يَوْمًا بَيْنَ ظَهْرَىِ النَّاسِ الْمَسِيحَ الدَّجَّالَ، فَقَالَ ‏”‏ إِنَّ اللَّهَ لَيْسَ بِأَعْوَرَ، أَلاَ إِنَّ الْمَسِيحَ الدَّجَّالَ أَعْوَرُ الْعَيْنِ الْيُمْنَى، كَأَنَّ عَيْنَهُ عِنَبَةٌ طَافِيَةٌ ‏”‏‏.‏ ‏”‏ وَأَرَانِي اللَّيْلَةَ عِنْدَ الْكَعْبَةِ فِي الْمَنَامِ، فَإِذَا رَجُلٌ آدَمُ كَأَحْسَنِ مَا يُرَى مِنْ أُدْمِ الرِّجَالِ، تَضْرِبُ لِمَّتُهُ بَيْنَ مَنْكِبَيْهِ، رَجِلُ الشَّعَرِ، يَقْطُرُ رَأْسُهُ مَاءً، وَاضِعًا يَدَيْهِ عَلَى مَنْكِبَىْ رَجُلَيْنِ وَهْوَ يَطُوفُ بِالْبَيْتِ‏.‏ فَقُلْتُ مَنْ هَذَا فَقَالُوا هَذَا الْمَسِيحُ ابْنُ مَرْيَمَ‏.‏ ثُمَّ رَأَيْتُ رَجُلاً وَرَاءَهُ جَعْدًا قَطَطًا أَعْوَرَ عَيْنِ الْيُمْنَى كَأَشْبَهِ مَنْ رَأَيْتُ بِابْنِ قَطَنٍ، وَاضِعًا يَدَيْهِ عَلَى مَنْكِبَىْ رَجُلٍ، يَطُوفُ بِالْبَيْتِ، فَقُلْتُ مَنْ هَذَا قَالُوا الْمَسِيحُ الدَّجَّالُ ‏”‏‏.‏ تَابَعَهُ عُبَيْدُ اللَّهِ عَنْ نَافِعٍ‏.
Transmeton Ubejdullahu se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ka thënë: “Në ëndërr pashë te Qabeja, ishte një njeri ngjyrë gështenje, me atë bukuri që mund të ketë vetëm njeriu ngjyrë gështenje, kishte flokë të drejtë që i binin mbi kraharor, kurse nga koka i pikonin pika uji. Duart i kishte hedhur mbi supet e dy burrave dhe bënte tevaf rreth Qabesë. Kush është ky? – pyeta. Ata m’u përgjigjën: Ky është Mesihu, biri i Merjemes! Pastaj pas tij, pashë një njeri, kaçurrel, qorr në syrin e djathtë, më shumë i përngjante Ibn Kattanit nga të gjithë që kam parë. Duart i kishte vendosur mbi kraharorin e një njeriu dhe bënte tavaf rreth Qabesë. Kush është ky? – pyeta unë. Ata m’u përgjigjën: El-Mesihud-Dexhxhall! (Dexhxhalli i kohës së Mesihut)”
(Buhariu, Libri “Ndodhitë e Pejgamberëve”, numri i hadithit 3439, 3440)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp