I dashur Muhammed Osman Chou (1925-2018) | Alsilam.al
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

I dashur Muhammed Osman Chou (Chini sahib)

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Ka ndërruar jetë para disa ditësh, një dijetar dhe personalitet i shquar i Xhematit i nderuar Osman Chou sahibi. Ina lil-lahi ue ina ilejhi raxhiun. Allahu i Madhërishëm, përmes fuqisë së Tij, bëri që ai të udhëtonte nga Kina, një vend i largët dhe mbërrinte në Pakistan e të pranonte Islam-Ahmediatin. Me anë të shkrimeve, ai ka rrëfyer në hollësi kujtimet e tij. Në këto rrëfime, ai ka treguar sjelljen dhe mbështetjen e Zotit të Madhërishëm ndaj tij, udhëtimin e tij drejt Ahmediatit, dëshirën e tij për të fituar dijen fetare dhe vendimin për t’i kushtuar jetën shërbimit të fesë. Ndonëse, këto rrëfime nuk mund të paraqiten as në tërësi e as në detaj, megjithatë ato janë jashtëzakonisht besimnxitëse. Jeta e tij është mbushur me aq shumë ngjarje, vepra e kontribute të mëdha, saqë një libër voluminoz mund të hartohet rreth tij. Unë mendoj se Khudamul Ahmedia e Pakistanit mund ta realizojë denjësisht këtë detyrë.

Sot, dua t’ju rrëfej disa aspekte nga jeta e këtij njeriu shembullor, i cili dedikoi jetën dhe shërbeu si misionar i Xhematit. Ai nuk ishte vetëm një dijetar i kalibrit të madh, por një zbatues i përpiktë i çdo fjale. Jeta e këtij njeriu të shenjtë është shembullore për çdo musliman ahmedian në përgjithësi, dhe veçanërisht për ata që kanë dedikuar jetë për hir të Zotit apo shërbejnë si misionar i Xhematit. Do t’ju tregoj edhe përshtypjet dhe kujtimet e njerëzve rreth tij.

Jeta e tij e hershme

I ndjeri njihej si Osman Çini, ndërsa emri i tij i plotë ishte Muhammed Osman Chou Chung Sai. Ai ndërroi jetë më 13 prill 2018. Ai lindi më 13 dhjetor 1925 te një familje muslimane në provincën Anhui. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai ndoqi studime të larta në Universitetin Nanching, ndërsa pak më vonë ai u regjistrua në fakultetin e shkencave politike. Meqë, nuk e tërhiqte ky drejtim, ai vendosi të zgjidhte juridikun, filozofinë apo teologjinë si drejtim.

Pranimi i xhematit dhe regjistrimi në Xhamia Ahmedia

Fillimisht, ai kishte menduar për të shkuar në Turqi, por në 1949, ai mbërriti në Pakistan. Duke studiuar Xhematin personalisht, ai përqafoi xhematin dhe u regjistrua në Xhamia Ahmedia (Instituti Ahmedian për studimet fetare). Në 1957, ai përfundoi një program të veçantë për misionarët në Xhamia. Ndërsa më 16 gusht 1959, ai vendosi të kushtohej plotësisht në shërbim të fesë. Në janar 1964, ai u caktua si misionar. Për të përfunduar programin e plotë, ai u regjistrua sërish në Xhamia Ahmedia dhe mbrojti titullin Shahid në 1964. Ai shërbeu fillimisht në departamentin e botimit në Rabvah, e pastaj si Misionar në Karaçi e Rabvah. Në 1966, ai shërbeu si misionar në Lindjen e Largët. Gjatë kësaj kohe, ai shërbeu për 31/2 vjet në Singapor dhe katër muaj në Malezi. Në 1970, ai u thirr prapë në Pakistan, dhe gjatë kësaj kohe shërbeu në vende të ndryshme si misionar. Ai bëri Umra dhe haxh. Kur Hazret Kalifi i IV r.a. mërgoi në Angli, u themeluan departamente të ndryshme të xhematit këtu. Për të stimuluar literaturën e Xhematit në gjuhë të ndryshme, u ndje nevoja për krijimin e redaksisë së gjuhës kineze. I ndjeri Osman Çau sahibi gjithashtu u thirr në Londër, i cili drejtoi përkthimin e literaturës në kinezisht. Vepra më e rëndësishme ishte padyshim përkthimi i Kuranit Famëlartë. Përpos kësaj, ai shkroi një sërë librash rreth besimit dhe mësimit të Xhematit Musliman Ahmedia.

I ndjeri ka lënë pas bashkëshorten, një djalë dhe dy vajza.

Përkthimi i Kuranit Famëlartë

Në 1986, pas porosisë së Kalifit IV r.a. ai nisi përkthimin e Kuranit Famëlartë. Në muajin maj, ai u ftua në Angli. Ky përkthim i Kuranit përfundoi pas katër vjet pune të palodhshme. Ai vetë ka treguar se përkthimi i Kuranit kërkonte punë dhe mundime të jashtëzakonshme, ndërsa Hazret Kalifatul Masih IV r.a. na kishte porositur që përkthimi i Kuranit duhet të përfundonte para qindvjetorit të xhematit, i cili do të bëhej në 1989. Ai ishte shumë i shqetësuar për përmbushjen e kësaj detyre brenda afatit të caktuar. Duheshin njerëz kompetentë, të cilët mund të kontribuonin në përmirësimin e gjuhës së përkthimit sipas standardit bashkëkohor, si dhe në redaktimin e tij. Megjithatë, kjo detyrë nuk ishte e lehtë, duke qenë në Pakistan a Angli. Nëse, dikush shkëlqente në gjuhën kineze, ai çalonte në njohurinë e Islamit, dhe nëse shquhej për dijen fetare, dilte i mangët në njohurinë e gjuhës. Ishte me të vërtetë një punë tejet e mundimshme. Megjithatë, kur përfundoi së përkthyeri, sipas porosisë së Hazret Kalifit IV r.a., ai udhëtoi në Kinë e Singapur për redaktimin e përkthimit nga gjuhëtarët kinezë. Në këtë mënyrë, pas ndërhyrjes së nevojshme, u përgatit një përkthim i shkëlqyeshëm i Kuranit në gjuhën kineze. Ndërsa i ndjeri Osman sahibi u shpreh përulësisht se e gjithë kjo ishte vetëm mirësia e Zotit, ndryshe, ai nuk mund ta përfundonte këtë detyrë me përpjekje të veta.

Epërsia e përkthimit të Kuranit nga Xhemati Musliman Ahmedia

Përkthimet e Kuranit Famëlartë në gjuhën kineze, që janë botuar përpara ose pas këtij varianti të xhematit, janë më shumë se dhjetë. Megjithatë, përkthimi i Kuranit nga Xhemati Musliman Ahmedia, shquhet nga të gjitha përkthimet e tjera, për shkak të tipareve dalluese, një prej të cilave është padyshim epërsia e dijes kuranore në literaturën e Xhematit. Botimi i Kuranit Famëlartë tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe kritikëve kinezë si nga Kina po ashtu nga vende të tjera. Ata njëzëri e cilësuan këtë përkthim si më i miri dhe shprehën komplimente për gjuhën e kulluar dhe botëkuptimin e gjerë. Përkthimi ynë i Kuranit është shumë i kërkuar dhe mjaft i pëlqyer nga lexuesi kinez. Ndonëse, ka edhe zëra të cilët akuzojnë që përkthimi është tendencioz. I janë shtuar konceptet e xhematit midis rreshtave si dhe komentimi i ajeteve ndjek pikëpamjet e xhematit. Megjithatë, në përgjithësi përkthimi ynë gëzon një popullaritet të lartë dhe konsiderohet një ndër përkthimet më të mira të Kuranit në kinezisht.

Dëshmia e prof. Ling Song-ut

Ling Song është një profesor në Kinë, i cili ka shkruar një libër rreth përkthimeve të Kuranit Famëlartë në gjuhën kineze gjatë shekullit të kaluar. Ndër të tjerat, ai u ndal edhe në përkthimin tonë, dhe kushtoi 15 faqe të librit për të komentuar botimin tonë. Profesori i nderuar ka komentuar në mënyrë mjaft të qartë veçoritë e përkthimit tonë. Për shembull, ai ka nënvizuar që disa dijetarë duke përkthyer Kuranin, qëllimisht e lënë disa fjalë pa përkthyer, duke përmendur vetëm fjalët arabe e duke shtuar fusnota për shpjegimin e tyre. Kjo na lë përshtypje që ndoshta ato pjesë ishin të paqarta edhe për ta. Ndërsa te Osman sahibi, vërejmë që ai ka përkthyer edhe ato pjesë, dhe në fusnotë arsyeton me argumente bazën e atij përkthimi dhe e shpjegon me referenca mbështetëse.

 

Pas këtij vlerësimi, profesori i nderuar është takuar disa herë me Osman sahibin. Duke përshkruar personalitetin e të ndjerit, ai ishte shprehur që ai është njeri i thjeshtë, i sinqertë, i drejtë dhe zbatues i përpiktë i porosive kuranore. Njëherë profesor Ling Songu e kishte ftuar të ndjerin në shtëpi gjatë muajit të ramazanit. Profesori i nderuar komentoi që Osman sahibi agjëron gjatë ramazanit, dhe konsideron Kuranin Famëlartë si ligji më i lartë hyjnor. Ndonëse, disa pjesë nga përkthimi dhe komentimet e tij nuk përputhen me pikëpamjen e muslimanëve tanë sunni, megjithatë nuk kemi asnjë dyshim që ai beson fuqimisht në njëshmërinë e Allahut, i nënshtrohet besnikërisht të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i ndjek vendosmërisht porositë e Zotit.

Veprat dhe përkthimet e tij në gjuhën kineze

Literatura e xhematit në gjuhën kineze, e cila u përgatit në drejtimin e tij përfshijnë këta tituj:

  1. Jeta ime dhe prejardhje (My Life and Ancestry)
  2. Hyrje në parimet morale

Këta dy janë librat e tij. Ndërsa numri i librave të përkthyerë prej tij, apo nën mbikëqyrjen e tij arrijnë numrin 35. Disa prej tyre janë si më vijon:

  1. Një paraqitje për Xhematin Musliman Ahmedia
  2. Një paraqitje për Islamin
  3. Pyetjet themelore rreth Islamit dhe përgjigjet e tyre
  4. Koncepti islamik i Xhihadit dhe Xhemati Musliman Ahmedia
  5. Kontributi i Xhematit Musliman Ahmedia në botë
  6. Nevoja e besimit në jetën njerëzore

Këto janë vetëm disa prej kontributeve intelektuale, që kam përmendur në mënyrë të përmbledhur.

Rrëfimi besimnxitës i bashkëshortes

Bashkëshortja e të ndjerit ka shkruar që kur më erdhi propozimi për martesë nga Pakistani, babai im fillimisht nuk e pranoi për shkak të dallimit të madh në moshë. Unë isha 20 vjeçe, ndërsa Osman sahibi po i afrohej pesëdhjetës. Për disa muaj, babai im nuk më njoftoi për këtë propozim dhe e mbajti të fshehur. Pastaj, një ditë nxori letrën dhe e vuri para meje, e tha që të vendosja vetë. Unë përpara kisha parë një ëndërr që ndodhesha midis një fushe të madhe, në një vend të huaj, krejtësisht e vetmuar. Në atë moment, më shkrepi një mendim se çfarë do të ndodhë me mua. Teksa po mendoja, pashë një burrë në veshje të bardha, dhe dëgjova një zë se të gjitha nevojat e mia do të plotësohen përmes këtij njeriu. Pasi që lexova atë letër, pashë Osman sahibin në ëndërr. Ai qëndronte pranë meje, në të bardha, ndërsa unë isha e shtrirë. Kur më treguan fotografinë e Osman sahibit, e dallova menjëherë, sepse e kisha parë në ëndërr. Kështu e pranova propozimin e martesës.

Fejesës sonë, i kaluan katër vjet, por nuk e nxirrnim dot pasaportën, për shkak të revolucionit kulturor në Kinë, si dhe situatës së vështirë politike. Në atë kohë, Osman sahibi kishte parë një ëndërr që e fejuara e tij, mund t’i bashkohej në Pakistan, vetëm pas vdekjes së Mao Zedongut, udhëheqës i republikës popullore të Kinës. Ai ishte mirë dhe i shëndoshë, dhe kalonte jetën normalisht. Osman sahibi mendoi se ndoshta periudha e pritjes do të zgjatet akoma, prandaj vendosi t’i shkruante një letër Kryetarit Mao. Ai ishte rrugës për të postuar letrën, kur mësoi që kryetari Mao ka ndërruar jetë. Bashkëshortja e tij rrëfen se vetëm disa ditë pas vdekjes së tij, iu lëshua pasaporta. Ajo mori pasaportën e re dhe shkoi drejt në shtëpinë e të atit. Atë natë ra një shi i rrëmbyeshëm, pas një periudhe të gjatë thatësie. Shiu ishte aq i vrullshëm, saqë rrëketë e mëdha shkaktuan rrëshqitje dherash. Një fqinji yni joahmedian më tha që po të kishe ardhur pak më herët, nuk duhej të vuanim aq shumë. Pas një jave, u nisa nga Kina. Kisha me vete vetëm dy palë rrobash, të dhuruara nga vëllai i Osman sahibit dhe disa kubike të salcës së sojës.

Unë mbërrtia në Karaçi më 12 gusht 1978, dhe Çaudri Muhammed Mukhtar sahibi shpalli nikahun tonë. Ai ishte edhe kujdestari im për shkak të mungesës së babait. Ditën e tretë duhet të paraqiteshim në ambasadën kineze në Islamabad. Ne nisëm udhëtimin me tren, ku burrat dhe gratë udhëtonin në vagonë të ndryshëm. Ne para se të hipnim në tren, kishim vendosur që do të takoheshim në stacionin e fundit e do të zbrisnim vetëm pasi të kenë zbritur pasagjerët e tjerë. Meqë unë isha e re, andaj kur zbritën të gjitha pasagjerët nga vagoni im, duke kujtuar se ishte stacioni i fundit, zbrita edhe unë. Por, kur treni filloi të nisej, kuptova se kisha gabuar, megjithatë për shkak të fluksit të madh të njerëzve, nuk arrita të hipja prapë. Një oficer policie, duke më parë vetëm në stacion, më ofroi ndihmë dhe më dërgoi deri në ambasadën kineze. Sidoqoftë, kur mbërritëm në ambasadë, ata nuk besonin se isha kineze, sepse kisha vënë hixhab dhe një pallto të gjatë. Ata më dhanë një revistë kineze dhe më kërkuan ta lexoja atë. Pastaj, ata thirrën taksinë. Rastësisht taksisti ishte ahmedian, dhe ai më çoi deri në shtëpi. Madje, ai shprehte habi se nuk kishte parë një vajzë të re duke u humbur në këtë mënyrë dhe duke gjetur prapë destinacionin. Sidoqoftë, ky ishte fillimi i jetës sonë bashkëshortore.

Një bashkëshort shembullor e udhërrëfyes shpirtëror

Osman sahibi nuk ishte vetëm një bashkëshort shembullor por edhe mësuesi im shpirtëror. Kur mbërrita në Pakistan, ai më mësoi namazin. Kur kthehej nga xhamia, ai falte namazin me mua. Më mësonte fjalët arabe duke harxhuar orë të tëra me mua. Më mësoi krejt namazin, fjalë për fjalë dhe rresht për rresht. Ai më porositi për të përsëritur fjalët e namazit rregullisht, e nëse harroja ta mbaja librin e namazit me vete. Për gjashtë muaj, më mësoi abetaren e arabishtes. Pastaj, më mësoi të lexoja Kuranin, dhe që të mos mërzitesha më mësoi edhe përkthimin.

Ai ishte njeri i durueshëm. Më shpjegonte kuptimin e Kuranit me anë të shembujve. Gjithmonë kujdesej për lidhjet farefisnore. Kishte sjellë nënën e tij nga Kina dhe i shërbente me përkushtim. Nganjëherë nuk kishim para, dhe mund të blinim vetëm një shishe qumësht, por Osman sahibi edhe atë ia jepte nënës së tij. Kudo që shkonte ai, e merrte nënën me vete, dhe kështu i shërbeu shumë. Jeta e tij ishte përqendruar në përkushtimin ndaj detyrës së tij. Kur ishte i mirë me shëndet, punonte deri vonë në zyrë. Nganjëherë, i agonte dita duke punuar. Detyra e tij më kryesore në shtëpi ishte edukimi i fëmijëve. Nuk e tërhiqnin punët e tjera të shtëpisë. Ishte njeri shumë modest në veshje dhe ushqim.

Dëshmia e vajzës së madhe

Vajza e tij e madhe dr. Kuratul Ejn shkruan: E kam shumë të vështirë të përshkruaj në fjalë, cilësitë e babait tim. Ai ishte shumë i dashur, i dhembshur, punëtor i palodhur, mirëdashës dhe i përulur. Në diskutim, na përfshinte vëllezër e motra, madje edhe dhëndurët e tij. Interesohej për arsimin tonë në shkollë dhe mësonte përshtypjet e mësuesve rreth nesh. Shpesh në porosiste që qëllimi ynë i vetëm duhet të jetë përhapja e Islam-Ahmediatit në popullin kinez. Për këtë, ai vazhdimisht na këshillonte për të ngritur nivelin tonë shpirtëror, moral dhe mendor. Na thoshte që karakteri, morali dhe vepra jonë duhet të jenë të tilla, që t’i ngjallin tjetrit besimin në Zot. Sepse fëmijët që besojnë në Zot, janë më të mirë se ata që nuk besojnë. Ai gjithashtu na porosiste për të qenë të rregullt në çdo punë që kemi nisur. Në fëmijëri ai asnjëherë nuk na kishte bërtitur, madje na këshillonte me dashuri. Nëse ka vepruar me rreptësi ndaj nesh në ndonjë çështje, ishte vetëm për namazin. Për të na mësuar namazin, ai na merrte në xhami për pesë vakte. Gjatë pushimeve, na jepte ndonjë libër dhe në fund na merrte në provim.

Njëherë, ai më dha një kopje shumë të vjetër të librit “Varka e Nuhut” për të lexuar, dhe shtoi që gjuha e tij është e lehtë për t’u kuptuar. Ky ishte libri i parë që ai kishte lexuar gjatë studimit në Xhamia.

Porosia për hixhabin

Lidhur me dispozitën e hixhabit, ai më lejoi për t’u regjistruar në universitet me kushtin që t’i përmbahesha hixhabit. Ai pyeti Kalifin IV r.a. dhe pastaj na tha që mund të shkonim në universitet duke mbajtur hixhabin. Por, nëse nuk na lejohet hixhabi në mjedisin e universitetit, dhe detyrohemi për të hequr mbulesën, atëherë nuk duhet të bëjmë makijazh, e të mbulohemi menjëherë pas daljes nga universiteti.

Dëshmia e vajzës së vogël “nxitje për ngritjen shpirtërore”

Vajza e tij e vogël Munaza ka shkruar që babai ynë gjithmonë na këshillonte për të arritur hënën, e nëse nuk arritëm dot hënën, do të arrinim yjet. Pra, njeriu gjithmonë duhet të ketë synime të larta. Bashkë me pesë namazet e detyruara, ai na porosiste për të falur edhe namazin e tahaxhudit. Na zgjonte për sabahun, me pika uji. Na tërhiqte vërejtje për të lexuar librat e Mesihut të Premtuar a.s. dhe kalifëve të tij. Ai kurrë nuk mërzitej nga pyetjet tona dhe na përgjigjej me shumë durim për orë të tëra. Sigurisht, kjo sjellje është shembull për çdo prind. Ai na thoshte për të shfrytëzuar aftësitë tona e jo për t’i shpërdorur ato dhe për të synuar adhurimin e Zotit në çdo vepër. Ngritjen shpirtërore na shpjegonte me shembullin e shkallës, së cilës nganjëherë i mungojnë shulat, pra hasim ndërprerje, por vetëm për të hedhur hapa drejt lartësive më të mëdha.

Ai na ushqeu me thjeshtësi e përulësi dhe na mësoi t’u japim epërsi të tjerëve. Kur ishte president i Xhematit në Islamabad, të gjitha shtëpitë po lidheshin me sistemin qendror të ngrohjes. Ai siguroi që shtëpia jonë të ishte e fundit për t’u lidhur.

Dëshmia e djalit

Djali i tij dr. Daud ka shkruar që babai i tij e kishte treguar që kur mësoi për vdekjen e babait dhe vëllait të madh me anë të telegramit, ai po përgatitej për provimet e xhamias. Ai mendoi se ky lajmë është një sprovë për të, sikur provimet e xhamias, prandaj iu kushtua plotësisht përgatitjes së provimeve dhe nuk harxhoi asnjë kohë.

Djali i tij ka shkruar që babai im kishte zell dhe dëshirë të madhe për të përcjellë mesazhin e xhematit në popullin kinez. Kudo që shkonte, përçonte mesazhin e ahmediatit dhe shpërndante fletushkat. Kur u detyrua të lëvizte me karrocë, për shkak të gjendjes shëndetësore, ai insistonte për të mbushur xhepin e saj me libra dhe literaturë të ndryshme për të shpërndarë.

Mësimi i ndershmërisë në fëmijëri

Kur isha i vogël, shkoja në zyrën e tij. Kur desha të merrja ndonjë laps apo stilolaps nga zyra, ai nuk më lejonte ta përdorja atë. Madje, i thoshte nënës që ajo të më blinte stilolaps, derisa kisha nevojë për të. Nëse kisha nevojë për fotokopje nga zyra e tij, ai më kërkonte të sillja letra nga shtëpia e pastaj të bëja fotokopje. Ai gjithmonë na porosiste për të mësuar emrat e bukur të Allahut. Ai kishte shkruar një poemë në gjuhën kineze, në të cilën përmendeshin njëqind emrat e bukur të Allahut. Ai këndonte këtë poemë çdo natë, ndërsa na nxiste të garonim me njëri-tjetrin për të mësuar sa më shumë emrat e Allahut, dhe na jepte dhurata.

Një kërkesë drejtuar Kalifit

Para dy apo tri muajsh, ai kishte ardhur për të më takuar, tok me dhëndrin dhe familjen e tij. Dhëndri i tij ka shkruar se para se të vinim për takimin, ai më diktoi disa pika të cilat duhet t’i pyesja Kalifit, meqë ai nuk mund të fliste dot. Një prej tyre ishte kështu:

Unë jam zaif dhe nuk qëndroj dot në këmbë, prandaj jam ulur në karrocë, prandaj kërkoj ndjesë. Më lejoni të bëj tabligh e thirrje deri në frymën e fundit të jetës. Unë nuk mundem më të shkoj në zyrë, andaj më lejoni të punoj në shtëpi.

Simpatia e dhembshuria për popullin kinez

Ai kishte pasion të madh ndaj detyrës, prandaj nuk pëlqeu të rehatohej pranë familjes, por kërkoi leje për të punuar në shtëpi. Ai shkoi për haxh bashkë me dhëndrin e tij. Ai kishte rimuar fjalët e lutjes në vargje shumë të bukura. Kur anëtarët e grupit e pyetën se çfarë po shkruante, ai u përgjigj se po i shkruaj këto në vargje, që të përfitoj prej tyre në të ardhmen. Unë kam bërë lutje për popullin tim kinez, që Allahu ta udhëzojë atë drejt Islamit të vërtetë. Kjo i habiti të tjerët, se si një plak i moçëm, i cili nuk ecën dot pa mbështetje, brengosej për udhëzimin e popullit të tij.

Njohuria e tij e thellë për çështjet fetare

I ndjeri Osman Chou sahibi në jetëshkrimin e tij ka shkruar që mësimet e budizmit, konfucianizmit dhe taoizmit janë përzier me njëra-tjetrën, prandaj një shumicë kinezësh ndjekin njëkohësisht mësimet e këtyre tri feve. Ndërsa sot, ata kanë përmbledhur këto mësime dhe kanë themeluar një fe me vete, e cila përqendrohet për të përmirësuar gjendjen morale të njeriut. Kur intervistat e mia u botuan në tri gazeta kineze, shoqëria deiste e Malajzisë, e cila është një fe e re, më shprehu dëshirë për të shkruar një temë lidhur me mësimet e Islamit rreth moralit, me qëllim që ata ta botojnë atë bashkë me mësimet e feve të tjera rreth moralit. Kur u dërgova shkrimin tim, ata më falënderuan duke shkruar që u kisha dhuruar një shkrim madhor rreth Islamit. Ne jemi shumë mirënjohës që keni paraqitur vlerat e Islamit në mënyrë të paanshme. Çështjet që i keni pasqyruar në këtë shkrim janë mjaft të mprehta dhe të thella, të cilat dëshmojnë për njohurinë tuaj të gjerë rreth feve të ndryshme. Populli kinez akoma është i panjohur me Islamin, sepse ai është predikuar në gjuhën kineze. Meqë keni ardhur në Singapur për përhapjen e Islamit, prandaj natyrisht Islami do të fitojë zemrat e kinezëve dhe ata gjithashtu do të marrin pjesë nga këto bekime.

Dëshmia e një shoku të ngushtë

Aga Sejfullah sahib ishte kolegu i tij në Xhamia Ahmedia. Ai ka shkruar që Osman Chou sahibi ishte kolegu im në jetën studentore. Edhe në lulen e rinisë, ai ishte i dëlirë, i pastër dhe me morale shumë të larta. Kryente namazin me ngashërim dhe mallëngjim të thellë. Lutej me përshpirtshmëri. Agjëronte vullnetarisht dhe falte nafile. I pëlqente të kalonte kohën duke madhëruar Zotin dhe duke e përmendur Atë. Shprehte falënderim se kishte gjetur ahmediatin dhe gjithmonë shprehte ndjenjat e dashurisë, besnikërisë, sinqeritetit dhe sakrificës. Kam parë që disa herë gjatë periudhës së studimit, nga hidhërimi e pikëllimi i thellë, i rridhnin lotët. Na tregonte mallin e tij për të takuar nënën dhe vëllezërit e tij. Shprehte dhimbje për mirëqenien e tyre nën sundimin e një regjimi autoritar. Brengat dhe dhimbjet e tij, i drejtonte Zotit me anë të lutjes me një dhimbje e mallëngjim të thellë. Edhe tani, në këtë moshë të thyer, përmallohem për ato momente të veçanta. Me të vërtetë, gjithçka që kishte kërkuar ky rob i Zotit në këtë periudhë të mundimshme, Zoti ia plotësoi dhe i pranoi të gjitha lutjet. Përmes bekimit të Ahmediatit, i fali çdo gjë, dhe i zbriti mëshira të pakufishme. Madje, edhe krijesa e Zotit përfitoi nga kjo mirësia e Zotit ndaj tij.

Kam pasur fat që në fëmijërinë time, kam qenë në shoqërinë e robërve të zgjedhur të Zotit si molvi Ghulam Resul Raxheki sahibi, Hazret Molvi Abdul Latif sahib Bahavalpuri, Sahibazada Sjed Abul Hasan sahib etj, dhe kam parë se si luteshin ata dhe si pranoheshin lutjet e tyre. Nga përvoja ime e deritanishme, dhe vëzhgimi i kujdesshëm, mund të them me plot gojë që për sa u përket përkushtimit në adhurim, ngashërimit në kujtimin e Allahut dhe pranimit të lutjeve, Osman Chou sahibi ishte shëmbëlltyra e këtyre njerëzve të mëdhenj. Kam dëshmuar disa herë në çështjet e mia personale, se si i pranoheshin lutjet. Ai gjithmonë më kërkonte mua dhe shokët e mi që të luteshim për të.

Ai gëzonte zgjuarsi e largpamësi të besimtarit. Ai ishte shumë i përmbajtur e i kujdesshëm për të shprehur mendimin lidhur me funksionimin e strukturës së xhematit. E respektonte plotësisht sistemin e Xhematit dhe kërkonte të njëjtën besnikëri nga miqtë dhe dashamirësit e tij. Kishte një respekt e nderim të plotë ndaj institucionit të Kalifatit, dhe shprehte mirënjohje ndaj kalifëve. Nëse dikush i kërkonte lutje, ai e bënte pyetje retorike: A i keni shkruar Kalifit të kohës për lutje?

Përkushtimi i tij ndaj namazit me xhemat

Dr. Ridvan sahibi është presidenti i Xhematit në Islambad të Anglisë. Ai ka nënvizuar përkushtimin e tij ndaj namazit. Vitet e fundit, edhe ato pak minuta që i duheshin për të mbërritur në xhami nga shtëpia ishin shumëfishuar dhe ishin bërë të mundimshme. Kjo distancë e rraskapiste dhe i duhej të ndalej disa herë për të marrë frymë, megjithatë kurrë nuk e pashë që të ketë bashkuar namazet. Njëherë, kur intervali midis akshamit dhe jacisë ishte shkurtuar jashtë mase, unë i thashë “Përse nuk prisni këtu në xhami për kohën e jacisë, ose nuk bashkoni jacinë?” Ai më tha se ecje me këmbë është njëlloj stërvitje për mua, ndërsa duke ecur nga shtëpia deri në xhami fitoj edhe sevap.

Hoxha kinez që shpërndau vetëm dashuri

Rashid Badruddin sahibi ka shkruar nga Abu Dhahbi që ahmedianët apo jo-ahmedianët të gjithë kanë përfituar nga lutjet e tij. Kur ai shërbente si murabi në Drig Road në Karaçi, burrat e gratë të gjithë i vinin për të marrë këshillat për çështjet e tyre personale etj. Unë dëshmoj se duke ndjekur porositë e tij, dhe me anë të lutjeve të tij, njerëzve u zgjidheshin probleme të mëdha. Ky hoxhë kinez i rrugës Drig në Karaçi ishte i dobishëm për të gjithë, përtej çdo dallim fetar apo etnik, dhe shpërndau vetëm dashuri. Edhe pse ishte vendosur në Angli, jo-ahmedianët e kujtonin për një kohë të gjatë. Unë kam parë se si i ndjeri Osman sahibi i shërbente nënës së tij me përkushtim të madh. Nganjëherë nëna e tij e qortonte, por ai prapë e përkëdhelte dhe ia përmbushte çdo nevojë. Ai i kushtonte një vëmendje aq të madhe, saqë nuk merakosej për askënd tjetër, dhe i shprehte një dashuri të çiltër.

Dëshira e madhe për të përcjellë mesazhin e xhematit

Muhammed Maxhanov sahibi nga xhemati Takmov i Kirgistanit ka shkruar që unë kam takuar Osman Chou sahibin për herë të parë në 1994 gjatë një udhëtimi në avion. Fillimisht nuk dija se ishte musliman apo dijetar i Xhematit Musliman Ahmdia. Por, kur ai tha bismillah me ngritjen e avionit, kuptova se ai ishte musliman. Pastaj e përshëndeta, dhe filluam të bisedonim për çështje të ndryshme. Ai më pyeti se a kisha njohuri për Xhematin Musliman Ahmedia. Unë iu përgjigja me mohim. Pastaj ai më pyeti se a kam lexuar përkthimin e Kuranit në kinezisht. Unë i thashë se kisha lexuar të gjitha përkthimet e Kuranit që ishin botuar deri atëherë. Ai më pyeti se a i njihja edhe përkthyesit e Kuranit? Unë i thashë që po, i njoh të gjithë. Ai më tha se njëri prej tyre quhet Osman Chou. A e njeh edhe atë? I thashë: Po, e njoh, megjithatë unë ende nuk ia kam lexuar përkthimin e as nuk e kam takuar. Ai më pyeti: Si e njeh Osman Chou? Unë i thashë se unë e di që është dijetar, dhe ka përkthyer Kuranin në gjuhën kineze. Por unë ende nuk e kam takuar. Atëherë, ai më tha se unë jam Osman Chou. Mua nuk më besohej se isha pranë tij. Ne shkëmbyem adresat dhe numrat tonë të kontaktit. Pas dy ditësh, ai më thirri në telefon dhe shprehu dëshirë për të më vizituar. Unë as që kisha përfytyruar se një dijetar i këtij kalibri, do të vinte për të më takuar mua. Unë e prita në shtëpi. Ai po shoqërohej nga dy miq pakistanez. Ne biseduam për dhjetë minuta e pastaj Osman Chou sahibi më ftoi për darkë në një restorant. Unë i thashë se jeni mysafir, dhe është detyra ime ta ftoja atë. Por, ai insistoi që isha student, ndërsa ai ishte më i madh në moshë, tamam si prind, prandaj nuk duhet të më rëndonte mua. Pastaj shkuam në një restorant, dhe darkuam së bashku dhe biseduam për çështje të ndryshme.

Pastaj, një ditë shkova për vizitë në banesën e tij në godinën e Bankës Qendrore. Osman Chou sahibi më pyeti lidhur me vdekjen e Isait a.s., Vulën e Profetësisë, Jaxhuxhin e Maxhuxhin, xhindet, Imam Mehdiun dhe Kuranin e hadithin etj. Unë iu përgjigja ashtu siç përgjigjen muslimanët në mënyrë tradicionale. Osman Chou sahibi buzëqeshi pak duke dëgjuar përgjigjet e mia. Pastaj, ai më mësoi përgjigje të duhura me argumente të qarta. Unë nuk i gjeja fjalët se si ta falënderoja atë. Fjalët e tij më bënë përshtypje të thella. Ai më dha përkthimin e Kuranit Famëlartë dhe disa libra të tjerë të Xhematit. Më porositi për t’i lexuar ata libra dhe këmbënguli që t’i shkruaja përshtypjet e mia. Pasi që lexova ata libra, më ndryshoi krejtësisht mendimi. Atëherë nuk kisha njohuri për bejtin, prandaj bejtin e bëra më vonë. Gjithmonë kam ndier nder që Zoti më mundësoi të njihja Imam Mehdiun a.s. dhe të mësoja rreth xhematit të tij.

Pranimi i lutjes: Si u evitua një situatë e rrezikshme?

Njerëzit kanë shkruar ngjarje të ndryshme të pranimit të lutjeve të tij. Një Shad sahibi ka shkruar që njëherë po udhëtonim me tren nga Rabvah për në Karaçi bashkë me 60 fëmijë që kishin marrë pjesë në aktivitetin e organizatës së fëmijëve Mexhlis Atfalul Ahmedia. Gjatë udhëtimit, kur falëm bashkërisht namazet, pasagjerët jo-ahmedianë kuptuan që jemi ahmedianë. Hoxhallarët e tyre filluan të mbanin fjalime nëpër vagonë, duke i nxitur pasagjerët e tjerë kundër nesh. Ne ishim shumë të shqetësuar, prandaj i dhamë secilit nga një detyrë sipas situatës së rrezikshme. Osman Chou sahibi gjithashtu po udhëtonte me ne. Ai më pyeti se çfarë është detyra ime? Unë i thashë që të ulej në stol dhe të bëjë lutje. Hoxhallarët kishin planifikuar të na sulmonin e të na rrihnim në Multan. Por, kaloi stacioni i Multanit dhe nuk ndodhi asgjë. Hoxhallarët ranë në qetësi. Kur shkoi dikush për të mësuar se çfarë po bëhej, gjeti se hoxha ishte në gjumë. Ai duhet të zbriste në Multan, por kaloi stacioni dhe nuk i doli gjumi. Ai zbriti në një stacion tjetër, dhe kështu u evitua një situatë e pakëndshme.

Pranimi i lutjes: Një çështje që zvarritej zgjidhej brenda ditës?

Adnan Zafar sahibi ka shkruar që dosja e tij po zvarritej në zyrën e ministrisë së brendshme. Kur paraqitesha në drejtori, për të kërkuar pasaportën time, ata më përgjigjeshin se sistemi nuk nxjerr asnjë informacion për qëndrimin tim në Angli. Për tre a katër muaj interesohesha rregullisht për këtë çështje duke marrë leje nga puna. Një ditë takova Osman Chou sahibin në Islamabad, i cili po kthehej në shtëpi nga xhamia. Unë i kallëzova gjithë hallin tim. Ai aty për aty, ngriti duart për lutje dhe bëri një lutje aq të dhimbshme e mallëngjyese, që sikur lëshonte klithma plot dhimbje e dhembshurie. Unë u frikësova për veten se sa shumë e kisha munduar që ai po lutej në këtë mënyrë. Iu bashkuan edhe të tjerët në lutje.

Të nesërmen, kur avokati im thirri në drejtorinë përkatëse, askush nuk i përgjigjej. Teksa binte telefoni, po kalonte drejtori aty pranë. Ai e ngriti telefonin dhe dëgjoi gjithë çështjen. Ai na porositi për t’u paraqitur të nesërmen në zyrë. Adnan sahibi tregon se unë u paraqita në recepcion dhe sipas porosisë së drejtorit, u thashë që dua të takoj z. Riçard. Askush nuk më besonte se si shefi i departament më ka thirrur mua, madje nuk donin as për ta lajmëruar atë. Sidoqoftë, një punonjës e njoftoi z. Riçard për ardhjen time, e ai erdhi vetë deri në recepsion dhe më mori në zyrën e tij. Kërkoi të dhënat e mia në kompjuterin e tij, pastaj lajmëroi sekretarin e tij dhe lëshoi urdhër që të më lëshohej pasaporta. Jo vetëm kaq, z. Riçard më përcolli deri në dalje. Gjithë stafi po habitej se kush qenka ky njeri që vetë drejtori ka ardhur për ta përcjellë. Unë nuk dija se çfarë t’i thosha. Ishin vetëm lutjet mallëngjyese të Osman Chou sahibit që çështja ime, e cila po zvarritej për katër muaj, u zgjidh brenda ditës, përmes drejtorit kryesor të departamentit.

Mbështetja tek Allahu

Ka aq shumë ngjarje nga jeta e tij, që nuk mund të rrëfehen. Sjed Hussejn Ahmed sahibi Murabbi ka shkruar që ne takoheshin çdo javë. Takimet zgjateshin deri vonë. Asnjëri nga misionarët, nuk kishte automjet. Ne vinim me autobus, por për t’u kthyer prisnim që të shoqëroheshim me ndonjë anëtar të amiles. Por, Osman Chou sahibi nuk priste askënd, dhe nisej me këmbë. Ai gjithmonë gjente ndonjë autobus apo automjet.

Thjeshtësia e durimi

Banesa e tij në shtëpinë e misionit ishte mjaft e vogël. Njëherë, ai na kishte ftuar për darkë. Gjatë bisedës, e pyetëm se ku banonte, dhe ai tregoi se në atë dhomë, e cila shërbente edhe si dhoma e grave. Kur vinin gratë për namazin apo për aktivitetin e tyre, ai mblidhte plaçkat e tij, dhe kur lirohej, ajo dhoma u shërbente për fjetje e ngrënie etj. Pra, ai qëndronte përulësisht me familjen e tij në një hapësirë kaq të vogël.

Dashuria ndaj xhamisë dhe namazit

Rashib Arshad sahibi ka shërbyer për 33 vjet bashkë me të në redaksinë kineze. Duke kujtuar vlerat e tij, ai ka shkruar që i ndjeri ishte shumë i kujdesshëm dhe i përpiktë në faljen e namazeve me xhemat. Përkushtimi i tij ndaj namazit ishte një shembull për ne. Qoftë shiu, stuhia apo bora, asgjë nuk e pengonte dot nga ardhja në xhami për namazet me xhemat. E kam parë kur ishte dobësuar nga pleqëria, dhe distancën e disa minutave midis shtëpisë dhe xhamisë, e bënte në njëzet minuta duke u ndalur për të marrë frymë, megjithatë, vinte rregullisht në xhami.

Ai namazin e tehexhudit e falte rregullisht. Njëherë, shkuam në një vend të Kinës duke bërë një rrugë të gjatë. Meqë kuvenduam deri vonë me ahmedianët vendas, prandaj mendoja që do të jetë e vështirë të zgjohemi për tehexhud. Por, kur u zgjova, pashë që Osman sahibi falte tehexhudin. Ndonëse, e shkurtoi namazin, por nuk e ndërpreu.

Osman Chou sahibi ka shkruar vetë që kur mbërriti në Rabvah nga Kina, ajo që i bëri shumë përshtypje ishte mënyra e namazeve të njerëzve fisnikë. Ata faleshin duke u pushtuar nga ndjenjat e thella mallëngjyese e dhembshurie ndaj Zotit. Mënyra se si agjëronin, bënin itikaf e luteshin, e bëri atë për veten. Ai vendosi që do të ndiqte rrugën e këtyre njerëzve të dashur. Ai gëzoi udhëzimin dhe udhëheqjen e Kalifit II r.a., dhe pati shoqërinë e Hazret Mirza Bashir Ahmedit r.a. dhe Hazret Mirza Sharif Ahmedit r.a. Ai gjithashtu përfitoi nga lidhjet e afërta me figurat si Molana Ghulam Resul Raxheki sahib, Mukhtar Ahmed Shahxhehanpuri, Hazret Muhammed Ibrahim Bekapuri dhe Sjed Valiullah Shah sahib etj. Allahu zbukuroi e ndriçoi personalitetin e tij, për shkak të shoqërimit me këta robër të dashur, dhe ia forcoi lidhjen shpirtërore.

Ndonëse, Osman Chou sahibi ishte i qetë, i heshtur dhe fjalëkursyer nga natyra, por kemi dëshmuar që kur bënte tablig, kishte një pasion dhe entuziazëm të lartë. Nganjëherë bisedonte për orë të tëra në telefon për tablig. Kur nisej biseda për tablig, nuk mendonte më për kohën, dhe fliste për orë të tëra. Cilësinë e mikpritjes, e kishte trashëguar nga paraardhësit e tij. Babai i tij ishte mikpritës i përzemërt. Në fshatin e tij, nuk kishte as bujtinë e as hotel, prandaj babai i tij kishte thënë se shtëpia jonë është hotel. Bashkëshortja e të ndjerit gjithashtu e ndihmonte në pritjen e mysafirëve.

Pavarësisht vështirësisë apo pamundësisë fizike, ai prapë mundohej të respektonte ndjenjat e çdokujt. Njëherë kishte pasur një takim që zgjati deri natën vonë. Kur hipëm në veturë, dikush i tha që shtëpia e tij ishte shumë pranë dhe e ftoi për vizitë. Rashid sahibi ka shkruar që fillimisht kishim menduar se ai do të refuzojë, por ai pranoi ftesën me përzemërsi. Pastaj filluan përgatitje për darkë. Kjo vizitë zgjati deri vonë dhe kur u kthyem në shtëpi, ora tregonte një.

Përkthimet e tij fituan zemrat e muslimanëve

Nasir Ahmed Badr sahibi i cili është Murabbi në xhemat, ka shkruar që Xhemati më caktoi për të mësuar gjuhën kineze. Unë e kontaktova dhe përmes tij pata mundësinë për të bërë tabligh në vende të ndryshme të Kinës. Kam përfituar mjaft nga këshillat dhe porositë e tij të urta. Ai më udhëzonte me anë të letrave. Gjatë qëndrimit tim, kam përcjellë mesazhin e Mesihut të Premtuar a.s. te mijëra kinezë, me anë të bisedave apo përmes librave e fletushkave. Kudo që kam shkuar, kam dëgjuar fjalë shumë të mira për Osman Chou sahibin. Ai konsiderohej si një dijetar i madh i Islamit në Kinë. Trashëgimia e tij është literatura që ai ka lënë në gjuhën kineze, e cila nuk do ta lërë kurrë të vdesë. Është një oqean i gjerë i dhjetëra librave dhe përkthimeve të panumërta, të cilat kanë dalë nga penda e tij, nga thesari shpirtëror i Mesihut të Premtuar a.s. Gjuha e tij e kulluar dhe magjepsëse, i ngjall lexuesit një tërheqje të veçantë. Unë mësova këtë duke vizituar një medrese në një vend ku jetonin muslimanët. Kur shkova atje pas një kohe të gjatë, të gjithë muslimanët kinezë më pritën me përzemërsi e dhembshuri që nuk kisha ndier në herën e parë. Unë pyeta një shok se përse ishin bërë aq të dashur ndërsa nuk më kishin treguar kaq përzemërsi në herën e parë? Ai shok kinez më tregoi se ata libra që i kishe dhuruar hoxhës, hoxha jonë i lexon në hutbe, veçanërisht nga shkrimet e zgjedhura të Mesihut të Premuar a.s., dhe kjo ngjall frymën e besimit dhe ngazëllim te dëgjuesit. Ne nuk kemi dëgjuar shkrime aq të bukura në jetën tonë, prandaj na sillni prapë libra të tjerë.

Rasti i një imami jo-ahmedian

Pastaj shkova në vendlindjen e Osman Chou sahibit ku takova të afërmit e tij. Të gjithë e përmendnin emrin e tij me admirim e dashuri të madhe. Kushdo që vinte më tregonte lidhjen e tij me Osman sahibit. Për aq kohë që kam qëndruar atje, ata më pritën bujarisht dhe treguan një mikpritje të ngrohtë, për të vetmen arsye që unë e njihja Osman Chou sahibin dhe isha përfaqësues i Xhematit Musliman Ahmedia. Përkthimi i Kuranit Famëlartë i bërë nga Osman Chou sahibit është i thjeshtë dhe i kuptueshëm nga çdo lexues, megjithatë pasqyron një gjuhë të kulluar akademike e estetike. Prandaj, edhe pse gjenden përkthime të tjera të Kuranit në kinezisht, përkthimi i Osman Chou sahibit dallohet nga krejt përkthime të tjera, dhe është më i pëlqyer dhe më i dashur dhe konsiderohet përkthimi më autentik i Kuranit. Kjo është arsyeja që duke u takuar me dijetarët kinezë, kuptova që pavarësisht mospranimit të pikëpamjeve të Xhematit, ata e shikojnë këtë përkthim me admirim e nderim të madh dhe kështu shuajnë etjen e tyre ndaj Kuranit. Gjatë udhëtimit tim në këtë vend, takova një imam, e duke parë përkthimin e Kuranit në dorën time i shkëlqenin sytë. Ai ishte shumë i kënaqur dhe më kërkoi me këmbëngulje që t’ia falja atë Kuran, sepse e kishte kërkuar shumë gjatë. Ne i thamë që për momentin kemi vetëm një kopje, por nëse na jepni adresën tuaj, ne me siguri mund t’ju nisim me postë. Ai mendoi pak, pastaj më tha a mund të ma jepni këtë kuran si borxh, vetëm për ta fotokopjuar. Duke parë entuziazmin dhe dëshirën e madhe, për të fotokopjuar një kuran me afro 1450 faqe, ne vendosëm t’ia dhuronim atë kopje që kishim me vete. Ai u gëzua pa masë, dhe na falënderoi aq shumë sikur i kishim dhuruar një thesar. Me të vërtetë, ai është një thesar, por ai nuk e fshihte dot kënaqësinë e tij.

Adhurimi e lutje për 40 ditë rresht dhe pranimi i lutjes

Ai ka pasur mjaft kontakte në Kinë. Misionarët që kanë shërbyer në Kinë kanë shkruar që kudo që kanë shkuar ata, kanë dëgjuar rreth Osman Chou sahibit. Një prej këtyre misionarëve është Zafrullah sahibi i cili po shërben në Pakistan tani. Ai ka shkruar që në 2004, kur Osman Chou sahibi kishte vizituar Pakistanin, duke udhëtuar nga Islambadi në drejtim të Rabvasë, ai më tregoi një vend në Kalar Kahar, ku gjatë periudhës së shkollimit në Xhamia Ahmedia, ai kishte kaluar 40 ditë në adhurim e lutje në vetmi. Ai më rrëfeu një ngjarje të pranimit të lutjes. Gjatë kësaj periudhe 40 ditore, ai kishte vizituar një familje, e cila nuk kishte asnjë fëmijë, edhe pse i kishin kaluar 10 vjet martesës së tyre. Osman Chou sahibi u lut për atë familje, dhe në ëndërr kishte parë që Çodri Zafrullah Khan sahibi ishte shtrirë në krevat. Ai ua tregoi këtë ëndërr dhe shpjegoi që Zoti ka dhënë myzhde për lindjen e një djali. Kështu pas pak kohe, ata u bekuan me një djalë.

Edhe mua më kujtohet që në kohën e Kalifit II r.a., kur ishim të vegjël, kishim shkuar në Kalar Kahar për ta takuar atë. Ai rrinte në një dhomë të vogël dhe lutej duke mbajtur Kuran në dorë. Ne fëmijë dhe të mëdhenjtë i kërkuam lutje. Ai na përgjigjej me shumë dhembshuri e buzëqeshje.

Dr. Nuri sahibi ka shkruar që para 14 vjetësh, në 2004, kur ai kishte ardhur në Pakistan, ne bëmë disa analiza për të parë gjendjen e tij shëndetësore. Nga këto analiza, zbuluam se ai vuante nga zemra, megjithatë nuk mund të bënim asgjë. Unë isha shumë i shqetësuar sepse përveç lutjes dhe disa ilaçeve të thjeshta, nuk kishim ndonjë masë konkrete që mund të merrnim. Përpos kësaj, mundësia e jetëgjatësisë për pacientë të tillë është shumë e vogël, pra me të gjitha masat e marra, pacienti nuk mund të mbijetojë më shumë se disa vjet. Por, jam çuditur nga rasti i Osman Chou sahibit. E kam takuar disa herë gjatë kësaj periudhe. Edhe pse mosha dhe sëmundja kishin ndikuar në gjendjen shëndetësore, por ai vazhdoi të punojë, dhe nuk lejoi që asgjë të pengonte detyrën e tij.

Dikush ka shkruar që një herë kishte rënë shumë borë, dhe kujtova që ndoshta nuk vjen asnjëri në xhami për të falur sabahun në kohë. Mendova që ndoshta as Osman sahibi nuk do të vinte për të falur sabahun. Por, kur kam dalë jashtë, pashë gjurmët e hapave. Ai jo vetëm që kishte ardhur, por falte tehexhudin.

Homazh nga Imam Ataul Muxhib Rashid sahibi

Imam Ataul Muxhib Rashid sahibi ka përshkruar karakterin e tij në mënyrë mjaft të përmbledhur. Ky është një përshkim i bukur dhe i vërtetë. Ai shkruan:

“I ndjeri ka lënë një boshllëk të madh. Ai ishte njeri fisnik me karakter të lartë. Ai gjithmonë mbështetej në lutje dhe Zoti ia pranonte lutjet. Ishte jashtëzakonisht i përpiktë në namaze dhe pavarësisht nga sëmundja apo pafuqia, ai gjithmonë shkonte në xhami. Ai ishte shumë i sinqertë, i druajtur dhe i sillte dobi çdokujt. Ai ishte njeri dashamirës dhe gjithmonë jepte këshilla të urta. Ishte i thjeshtë nga natyra dhe gjithmonë sillej me çiltërsi e ngrohtësi. Mikpritja e përzemërt e karakterizonte atë, dhe kujdesej me një dashuri të skajshme. Ai ishte njeri me guxim të hekurt, i cili vazhdonte të ecte përpara pavarësisht pafuqisë fizike. Ai përmbushi detyrën e tij ndaj besimit me një përkushtim, dedikim dhe dashuri të flaktë. Kishte një ambicie dhe pasion të pashuar që t’i shërbente besimit deri në frymën e fundit. Padyshim, ai ishte shërbëtor besnik, i dëlirë dhe i sinqertë i Kalifatit Ahmedia. Gjithmonë takohej me buzëqeshje dhe ngazëllim të thellë”.

Allahu ia lartësoftë përjetësisht shkallët shpirtërore të Osman Chou sahibit. Allahu i dhëntë durim dhe forcë bashkëshortes së tij, dhe e ruajttë atë. Allahu i mundësoftë fëmijët e tij që të trashëgojnë lutjet dhe mirësitë e të ndjerit. Allahu i mundësoftë të ndjekin gjurmët e të atit. Insha Allah do të udhëheq xhenazen e tij pas xhumasë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp