Tri nivelet e takuasë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
shkallë zhvillimi i njeriut

(Komentimi i Kuranit)

Hazret Mirza Mahmud Ahmedi, Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar, duke shpjeguar një ajet të Kuranit tregon për tri nivelet e takuasë. Më poshtë, citojmë një pjesë të shkëputur nga libri i tij “Njohja e Zotit”:

Një tjetër metodë për të pasur pastrimin shpirtëror është edhe përsëritja. Edhe kjo metodë dëshmohet në Kuranin Famëlartë:

لَیۡسَ عَلَی الَّذِیۡنَ اٰمَنُوۡا وَعَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ جُنَاحٌ فِیۡمَا طَعِمُوۡۤا اِذَا مَا اتَّقَوۡا وَّ اٰمَنُوۡا وَعَمِلُوا الصّٰلِحٰتِ ثُمَّ اتَّقَوۡا وَّ اٰمَنُوۡا ثُمَّ اتَّقَوۡا وَّ اَحْسَنُوۡا ؕ وَاللہُ یُحِبُّ الْمُحْسِنِیۡنَ

Nuk hyjnë në gjynah ata që besuan dhe bënë vepra të mira për ato që kanë ngrënë duke pasur takua (druajtje ndaj Allahut) dhe besim e duke bërë vepra të mira, të cilët sërish e shtuan takuanë e besuan, e mandej prapë e shtuan takuanë dhe u bënë mirëbërës. Allahu i do mirëbërësit.[1]

Në këtë ajet, tri herë përsëritet porosia për të pasur takuanë dhe në të tria herët janë përmendur efekte të ndryshme të saj. Me takuanë e parë, Kurani përmend besimin dhe veprat e mira. Këtu veprat nënkuptojnë ato që besimtarët i realizojnë duke përmbushur të gjitha kushtet e duke pasur besim të sinqertë. Pastaj, kur tha sërish “të shtojnë takuanë” përmendi vetëm besimin. Në lexim të parë, kjo krijon një pyetje: Si është e mundur që në herën e parë takuaja sjell si efekt besimin dhe veprat e mira, ndërsa në herën e dytë ajo sjell vetëm besimin? Duhet të keni parasysh që besimi ka disa nivele. Një besim mund të jetë i tillë që jo medoemos shkakton vepra të mira, një tjetër mund të jetë i tillë që patjetër sjell vepra të mira me vete. Në ajetin e sipërshënuar, ngaqë së pari u përmend ai besim, i cili për shkak të dobësisë së tij jo medoemos sjell vepra të mira, prandaj bashkë me porosinë e besimit janë porositur edhe vepra të mira. Kurse besimi që u përmend për herë të dytë është më i fortë se i pari, i cili natyrisht shkakton vepra të mira, ndaj dhe nuk është përsëritur porosia për vepra të mira. Pastaj, për herë të tretë përsëritet porosia e takuasë dhe efekti i saj është që besimtarët të bëhen mirëbërës. Kjo tregon se me përsëritjen e veprës, njeriu arrin përparim të veçantë, duke hedhur çdo herë hapa përpara.

Fjala arabe muhsin (mirëbërës) që është mbiemër rrjedh nga ihsani dhe kuptimin e saj e ka treguar vetë Profeti Muhammedsa. Ai tha se Ihsani (mirëbërësia) është:

اَنْ تَعْبُدَ اللّٰہَ کَاَنَّکَ تَرَاہُ فَاِنْ لَمْ تَکُنْ تَرَاہُ فَاِنَّہُ یَرَاکَ

“Ta adhurosh Allahun ashtu sikur e sheh Atë. E, nëse nuk arrin ta shohësh, të paktën (të jesh i bindur se) Ai të sheh ty”.[2] Pikërisht kjo quhet njohja e Zotit. Shkurt, ajeti i Kuranit që u citua pak më parë tregon sesa e rëndësishme është përsëritja e një vepre të caktuar dhe se si ajo çdo herë sjell efekt më shumë se përpara. Ajeti tregon se kur një njeri punon me takua, e fiton besimin dhe i jepet mundësia edhe për të bërë vepra të mira. Pastaj, kur sërish punon me takua, ai përparon akoma më shumë në besim, aq sa veprat e mira bëhen pjesë e pandashme e besimit të tij, pasi ato ai mund t’i realizojë natyrshëm. Pastaj, kur sërish punon me takua, përparon akoma më shumë derisa gëzon edhe statusin e mirëbërësit, në shpjegimin e të cilit Zoti i Lartësuar thotë se ai bëhet i dashur i Zotit. Kush mund të rrijë në perde me personin e dashur?! Kurse Profeti Muhammedsa thotë me fjalë akoma më të qarta se njeriu i tillë arrin ta shohë Zotin dhe pikërisht kjo quhet njohje e Zotit.


[1] Kurani Famëlartë 5:94.

[2] Buhariu, Kitabul-iman bab suali Xhibril minel-iman uel-islam ue geirihima.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp