Besimi, durimi dhe namazi
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Besimi, durimi dhe namazi

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Mesihu i Premtuar (as) ka treguar qëllimet e ardhjes së tij në librat, broshurat dhe thëniet e tij të ndryshme. Ne që deklarojmë se kemi bërë bejt (besëlidhje) me Mesihun e Premtuar (as), na duhet që gjithmonë t’i kemi parasysh ato qëllime, në mënyrë që të përmbushim detyrën siç duhet të qenit anëtarë të Xhematit të tij. Sot do të paraqes para jush pikërisht disa nga ato qëllime. Në një libër të tij, Mesihu i Premtuar (as) thotë:

Zoti më ka dërguar në këtë kohë me qëllim që të gjallërohet besimi edhe një herë dhe që njerëzit të gëzojnë përparim në forcën e besimit.

Pra, njerëzit të besojnë fuqimisht se Zoti ekziston, dëgjon lutjet e tyre, i shpërblen për mirësitë dhe i ndëshkon për ligësitë. Ai më tutje thotë:

Derisa besimi nuk përsoset, njeriu nuk mund të realizojë plotësisht veprat e mira… çdokënd ku ka dobësi, edhe veprat e mira do të dalin të dobëta aty. 

Realisht, profetët vijnë për të forcuar te njerëzit besimin dhe bindjen ndaj Zotit të Lartësuar dhe pikërisht ky ishte qëllimi madhor i ardhjes së Mesihut të Premtuar (as), pra që të largohen dobësitë e të përsoset besimi. Tani, si mund të largohen dobësitë e si mund të përsoset besimi, për këtë temë ai ka shkruar gjerësisht. Ai e ka theksuar se kjo nuk mund të arrihet vetëm me anëtarësimin në Xhematin e tij, por për këtë njeriu duhet të bëjë përpjekje maksimale, sepse Zoti i Lartësuar këtë parim e ka përmendur edhe në Kuranin Famëlartë duke thënë:

وَالَّذِیۡنَ جَاہَدُوۡا فِیۡنَا لَنَہۡدِیَنَّہُمْ سُبُلَنَا

Dhe ata që përpiqen për Ne, Ne ua hapim rrugët Tona.

(Kurani Famëlartë 29:70)

Pra, ky është parimi i përsosmërisë së besimit. Me bejtin nuk mund të bëni reformë, nëse menjëherë pas tij, nuk filloni përpjekje të mëtejshme për të sjellë ndryshime në veten tuaj. Nëse nuk bëni përpjekje vetëm për hir të Zotit, e nuk kushtoni vëmendje për të ndryshuar zemrat tuaja, për të bërë vepra të mira në rrugën e Zotit, bejti juaj nuk ka ndonjë dobi.

Në një vend tjetër, Mesihu i Premtuar (as) thotë:

Në botë, çdo gjë përparon gradualisht. Edhe përparimi shpirtëror bëhet në mënyrë graduale. Vetëm me ushtrime fizike asgjë nuk ndodh. Përpjekjet duhen bërë, por edhe ato për hir të Zotit, për ta kërkuar Atë e duke ndjekur mësimin e Tij. Jo sikur ata dervishë, të cilët sajojnë ushtrime nga ana e tyre që bien ndesh me mësimet e Kuranit Famëlartë. Puna ime, për të cilën Zoti më ka dërguar, është që t’i tregoj botës se si njeriu mund të arrijë te Zoti i Madhërishëm.

Çfarë na mësoi Mesihu i Premtuar (as) neve dhe çfarë pritëshmërish kishte ai prej nesh? Ai rivendosi standarde dhe predikoi të tjerët për t’i ndjekur ato, të cilat janë standarde që kishte vendosur Profeti Muhammed ﷺ qoftë në adhurimin ndaj Zotit, qoftë në virtytet e larta, standarde të cilat ishin ndjekur nga sahabët e tij, paqja e Allahut qoftë mbi gjithë ata. Ata u quajtën kërkimtarë të pëlqimit të Allahut dhe rrjedhimisht trashëguan bekimet e Tij, duke u bërë prijës për një pjese të madhe të botës.

Duke shtjelluar se si duhet të jenë ndjekësit e tij, Mesihu i Premtuar (as) thotë:

Nuk dua që anëtari i Xhematit të mësojë vetëm fjalët e bejtit si papagall, sepse kjo nuk ka asnjë dobi. Mësoni dijen për pastrimin shpirtëror, kjo është e rëndësishme. Qëllimi dhe synimi ynë është që ju të krijoni një ndryshim të pastër në veten tuaj, aq sa të bëheni një njeri tjetër. Pra, është e nevojshme që çdokush nga ju ta kuptojë këtë sekret e të sjellë një ndryshim të tillë në veten e tij, saqë ai të mund të thotë se tashmë është tjetër njeri.

Kjo do të thotë se nëse ne nuk përpiqemi për të ndryshuar veten tonë, aq shumë saqë të ketë dallim midis nesh dhe njerëzve të tjerë të botës, deri atëherë, sipas thënieve të Mesihut të Premtuar (as), nuk ka asnjë dobi bejti ynë.

Në një vend tjetër, duke treguar qëllimin e ardhjes së tij, Mesihu i Premtuar (as) thotë:

Ky modest është dërguar që t’i jap robërve të Zotit mesazhin se feja që është e drejtë dhe që përputhet me pëlqimin e Allahut ndër të gjitha fetë është ajo që ka sjellë Kurani Famëlartë dhe dera për të hyrë në botën e shpëtimit është “la ilaha ila-llah Muhammedur-rasulul-llah” (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i dërguari i Allahut).

Në një vend tjetër ai thotë:

Qëllimi dhe synimi ynë është që të shfaqet lavdia dhe madhështia e Profetit Muhammed (sa). Përmendja jonë është dytësore. Historia jonë nëse mbetet, do të mbetet duke pasur në krye historinë e Profetit Muhammed ﷺ.

Pra, ne kemi bërë bejtin për ta përmbushur edhe këtë qëllim dhe për këtë na duhet ta studiojmë Kuranin Famëlartë, që ta praktikojmë siç duhet e ta përhapim edhe te të tjerët, sepse edhe shpëtimi i botës është i lidhur me Profetin Muhammed ﷺ. Andaj, tregojini njerëzve të botës: Ejani edhe ju nën flamurin e shehadetit “la ilaha ila-llah Muhammedur-rasulul-llah”, që të gjeni shpëtimin. Në një vend tjetër, duke treguar sërish qëllimin e ardhjes së tij, Mesihu i Premtuar (as) thotë:

Në këtë kohë, Allahu i Madhërishëm do që ta bëjë Islamin të triumfojë mbi të gjitha fetë. Ai më ka dërguar mua pikërisht për këtë qëllim dhe më ka dërguar në të njëjtën mënyrë siç ishin dërguar të dërguarit e mëparshëm.

Duke sqaruar qëllimin e ardhjes së tij, ai thotë:

Ai më ka dërguar që të bëjë Islamin të triumfojë mbi të gjitha grupet dhe fetë, me anë të argumenteve dhe provave bindëse.

Në një vend tjetër, Mesihu i Premtuar (as) thotë:

Dëshiroj të vendos besimin në Zotin e Madhërishëm, që njeriu të shpëtojë nga helmimi i mëkatit e të krijohet një ndryshim në natyrshmërinë dhe karakterin e tij, që atij t’i vijë një vdekje për të pararendur një jetë të re, në vend të kënaqet nga mëkati, zemra e tij të krijojë urrejtje për të. Ai që bëhet i tillë, mund të pohojë se e ka njohur Zotin. Zoti e di shumë mirë se në këtë kohë, njerëzit nuk e dinë se çfarë është njohja e Zotit. Nuk ka mbetur asnjë fe që ta çonte njeriun deri në këtë stad e ta pajiste atë me natyrshmërinë e duhur. Ne nuk shprehim keqardhje për ndonjë fe të caktuar, por themi se kjo është gjendje e përgjithshme. Sinqerisht ju them të vërtetën, njeriu bëhet engjëll nëse beson në Zot, madje ata mund të bëjnë sexhde për të, sepse ai bëhet me dritë. Çdoherë kur vjen një kohë e tillë, kur nuk gjendet njohja e Zotit dhe bëhen me shumicë veprime shkatërrimtare dhe bëhen ligësitë e të gjitha llojeve, mungon frika ndaj Zotit dhe të drejtat e Zotit u jepen robërve të Tij, atëherë Zoti cakton një njeri duke i dhënë dritën e njohjes së Vet. Ai i caktuar pritet me mallkime, të cilët e shqetësojnë dhe lëndojnë në çdo mënyrë, por përfundimisht ai fiton dhe arrin ta përhapë dritën e së vërtetës në botë. Pikërisht në këtë mënyrë, në këtë kohë, Zoti më ka caktuar mua dhe më ka dhënë dritën e njohjes së Tij.

Në një vend tjetër, ai thotë:

Jam urdhëruar që të përmirësoj aftësitë morale.

Gjatë një takimi, dikush e pyeti se çfarë rezultati do të sjellë deklarata dhe misioni i tij. Domethënë, cilat do të jenë arritjet e tij? Pse ai erdhi? Ai iu përgjigj:

Kontakti me Zotin e Lartësuar është zbehur, dashuria ndaj botës materiale ka mbizotëruar dhe pastërtia shpirtërore është pakësuar. Zoti i Madhërishëm përsëri do ta forcojë lidhjen midis Atij dhe robit, do ta risjellë pastërtinë shpirtërore të humbur, do ta ftohë dashurinë ndaj botës materiale dhe këto punë, do të bëhen përmes meje.

Deklarata dhe qëllimi i ardhjes së tij janë madhore. Në botën e sotme, njerëzit janë dhënë vetëm pas materializmit, aq shumë saqë e kanë harruar Zotin fare. Edhe ata që në dukje besojnë në Zot, nuk e kanë njohjen e plotë rreth qenies së Zotit, rreth besimit ndaj Tij. Për njerëzit gjëja më e shtrenjtë është bërë shkëlqimi i kësaj bote, edhe pse ata mund të jenë ndjekës të ndonjë feje me emër. Në rrethana të tilla, kjo deklaratë padyshim është shumë e madhe, por edhe besimi i tij në Zotin e Madhërishëm dhe në misionin e tij gjithashtu është madhështor, gjë që duket në fjalët e tij që sapo ju lexova. Megjithatë, këto fjalë, deklarata e tij, qëllimi dhe synimi i ardhjes së tij edhe neve na tërheqin vëmendje për përgjegjësitë tona. Ne kemi aderuar Xhematin pasi kemi lexuar këto deklarata, ose ahmediati në erdhi falë bekimit të Zotit nëpërmjet prindërve tanë. Fjalët e Mesihut të Premtuar (as) na kërkojnë që edhe ne t’i bëjmë ato pjesë të jetës sonë. Edhe ne duhet të përpiqemi vazhdimisht për ta arritur qëllimin e ardhjes së tij. Edhe ne duhet të përpiqemi për t’i arritur synimet, për të cilat erdhi Mesihu i Premtuar (as). Edhe ne duhet të bëhemi ndihmës në përmbushjen e misionit të tij. Kur kemi dëgjuar thirrjen e një thirrësi që na ftonte në besim, ne besuam dhe tani ne duhet të deklarojmë: “nahnu ensarullah” (“jemi ndihmës së Allahut”). Por, për këtë na duhet të sjellim ndryshime në gjendjen tonë, na duhet ta përhapim këtë mesazh dhe na duhet të përpiqemi maksimalisht për ta përmbushur synimin për të cilin kishte ardhur Mesihu i Premtuar (as). Pra, ka nevojë që ne të bëjmë një analizë të vetes sonë, të mendojmë, të planifikojmë, t’i kërkojmë ndihmë Allahut të Madhërishëm për të pasur sukses pas suksesi. Nëse ne do të ulemi rehat, pasi e kemi besuar Mesihun e Premtuar (as) e të mos veprojmë e as të mos shqetësojmë, atëherë nuk mund të përmbushim besëlidhjen që kemi bërë. Pushimi dhe heshtja pas pranimit të Xhematit do të na bëjnë fajtorë. Megjithatë, kur shohim mjetet tona, gjendjen tonë, zhytemi në mendime, vallë, a mund të arrihen gjitha këto synime?! Maksimumi çfarë mund të bëjmë ne? Në njërën anë, mjetet tona janë të kufizuara, ndërsa në anën tjetër mbi 80% e popullsisë së botës nuk i intereson fare besimi. Gjithë rendin pas botës materiale. Në vendet e zhvilluara, që janë të pasura, ku ka çdo zhvillim material, mjetet e kësaj bote i kanë larguar njerëzit nga Zoti. Ata thonë se nuk kanë kohë për të kërkuar Zotin e Madhërishëm. Jo më larg se dje, mora një letër nga një ahmedian i Japonisë, i cili me dhimbje të madhe më shkruan se ai ka një shok japonez shumë me virtyte dhe ka marrëdhënie shumë të mira me të. Kur i tha një ditë që ai t’i lutet Zotit e t’i kërkojë udhëzim prej Tij, japonezi i ktheu duke thënë: “S’kam kohë të merrem me kërkimin e Zotit tuaj ose të kërkoj udhëzim prej Tij, kam shumë punë të tjera!”. Kjo është gjendja e botës, sidomos e atyre vendeve që mendojnë se janë të zhvilluara. Këto vende, me forcën e pasurisë së tyre, përpiqen t’i bëjnë edhe popujt e varfër që të ndjekin hapat e tyre. Pra, kur kjo është situata, që njerëzit as nuk duan të dëgjojnë, ose mund të themi pjesa dërrmuese nuk dëshirojnë ta dëgjojnë, ndërkohë materializmi po shtrëngon gjithnjë e më fortë çdokënd në kthetrat e tij, atëherë si mund të luftojmë ne me këtë mashtrim e materializëm, kur edhe mjetet e kemi shumë të kufizuara?! Është e pamundur në dukje që ne ta bëjmë shumicën e njerëzve që ata të njohin Zotin e Madhërishëm, që ne ta shfaqim sërish madhështinë e Profetit Muhammed ﷺ, por Mesihu i Premtuar (as) thotë dhe e thotë me shumë vendosmëri: Unë kam ardhur për t’i realizuar të gjitha këto synime, dhe kjo do të ndodhë, inshallah. Pra, edhe ne, për shkak se kemi bërë bejt me të, i bashkohemi në këtë deklaratë, qoftë në dukje, qoftë me sinqeritet, sepse vetë anëtarësimi ynë në këtë Xhemat na detyron të pohojmë “nahnu ensarullah”  domethënë, “ne jemi ndihmës të Allahut” dhe do të jemi të tillë, inshallah. Nuk do të dëshpërohemi nga mohimi i njerëzve të botës, sepse nuk po hedhim hapa duke matur me kriteret e kësaj bote, por ndihma e vazhdueshme e Zotit të Madhërishëm na qetëson e siguron në çdo hap duke na thënë: “Nëse do të përpiqeni për Zotin, Ai do të na hapë rrugë të reja të përparimit”.

Pra, nëse do të shohim nga këndvështrimi material dhe nëse besojmë në mjetet tona, suksesi ynë duket si imagjinata e një të çmenduri. Ne do të hutohemi duke parë gjendjen e vetëm një vendi. Paramendoni për shembull, për Rusinë, për Kinën, për ndonjë vend të Europës, për ndonjë vend të Amerikës, për ishujt, për ndonjë vend të Afrikës, në çdo vend do të shohim pengesa, që do të na frikësojnë për rrugëtimin tonë përpara. Situatat e vendeve dhe madhështitë e tyre nuk ishin në favorin tonë as para disa dekadash, e as sot. Por, këto janë punë të Zotit të Madhërishëm. Do të bëhen dhe po bëhen, me bekimin e Tij. Për shembull në Rusi kur ajo ishte Bashkimi Sovjetik, për shkak të regjimit komunist nuk na lejohej të përhapnim mesazhin e Islam Ahmediatit. Ndërsa tani, një pjesë që u çlirua nga regjimi i është larguar fesë, sepse shkëlqimi botës materiale ia ka verbuar sytë kurse në pjesën tjetër të saj, ku përfshihen edhe disa shtete muslimane, myftitë dhe liderët fetarë që kanë interesat e tyre, i frikësojnë shtetet e tyre në atë mënyrë që ato po krijojnë pengesa në çdo hap të Ahmediatit, domethënë Islamit të vërtetë. Në vende të tilla, Xhemati ende ka kufizime për të drejtat e tij, madje edhe anëtarët e Xhematit kërcënohen dhe shqetësohen. Në vendet perëndimore aq shumë po shpërthejnë materializmi dhe harbimi, saqë u jepet mbrojtje ligjore punëve të këqija dhe shfrenimit. Në emër të dashamirësisë i jepet mbrojtje ligjore edhe atij shfrenimi, për shkak të të cilit Zoti i Madhërishëm kishte shkatërruar një popull të tërë. Në Kinë, njerëzit përgjithësisht nuk kanë ndonjë interes në fe, edhe kjo për shkak të materializmit, pasi ajo po shfaqet si një superfuqi e botës. Japonia është një vend jashtëzakonisht i zhvilluar, sidomos në teknologji. Shumica e banorëve të saj ndjekin vetëm zakonet e vjetra, por nga feja gjenden larg. Ka shumë të tillë që thonë pikërisht ashtu si ai njeri për të cilin kam folur pak më parë, që thoshte (neudhubilah) s’ka kohë për Zotin, ç’vlen Zoti etj. Padyshim, janë njerëz me virtyte shumë të mira, por materializmi i mban larg fesë. Sa për të thënë, japonezët thonë se feja e tyre është shintaoizmi, por në fakt, ajo është një përzierje e shintaoizmit, krishterimit dhe budizmit. Praktikisht ata ndjekin vetëm ca zakone dhe rrite që bëhen në raste të veçanta si vdekja, varrimi etj. Sidoqoftë, ajo vetëm besim nuk mund të quhet. Shumica e njerëzve perëndimorë, siç ju thashë më parë, e kanë harruar Zotin, dhe jo vetëm që e kanë harruar, por edhe e përqeshin. Feja konsiderohet një barrë. Nuk ka më njerëz që të shkojnë në kishë. Të krishterët po thonë se ata janë duke u përpjekur, por në fakt, kishat po shiten. Pra, bota është në një situatë kaotike. Por, siç ju thashë, mjetet tona janë thuajse zero në këndvështrimin material. Të gjitha këto gjëra janë shqetësuese për ne, dhe duhet jenë të tilla që ne të mendojmë thellë se si duhet të ecim përpara duke mbartur misionin e Mesihut të Premtuar (as). Por, Ai Zot që dërgoi Profetin Muhammed ﷺ, dhe më pas edhe të dashuruarin e tij të vërtetë (Mesihun e Premtuar), na thotë: “Përpiquni duke qenë brenda Nesh, duke kërkuar rrugët Tona!”. Si mund të bëjmë përpjekje në këtë mënyrë? Zoti thotë:

یٰۤاَیُّہَا الَّذِیۡنَ اٰمَنُوا اسْتَعِیۡنُوۡا بِالصَّبْرِ وَالصَّلٰوۃِ ؕ اِنَّ اللہَ مَعَ الصّٰبِرِیۡنَ

O ju që besuat, kërkojini ndihmë Allahut nëpërmjet durimit dhe lutjes. Allahu me të vërtetë është me të duruarit.

(Kurani Famëlartë 2:154)

Pra, ky është Zoti. Nëse i kërkohet ndihmë Atij, edhe pengesat më të mëdha mund të flaken tej e tutje. Allahu i Madhërishëm që ka të gjitha fuqitë, që sundon të gjitha forcat e madhështitë, mund të bëjë të mundur çdo të pamundur. Është Ai Zot, i Cili dërgoi Profetin Muhammed ﷺ si shpëtimtar për çdo kohë e për çdo popull deri në ditën e kiametit; i Cili ia zbriti Kuranin Famëlartë duke përsosur sheriatin për gjithë njerëzimin, duke e pajisur atë me zgjidhjet e të gjitha çështjeve të besimit e të botës; i Cili dërgoi në këtë kohë Mesihun e Premtuar (as) për ta ringjallur Islamin. Ai Zot thotë: “Mos u shqetësoni! Kur përballeni me situata të atilla, me pengesa të atilla, që jua marrin mendjen, atëherë më kërkoni ndihmë me anë të durimit dhe lutjes”.

Pra, nëse do t’i kërkoni ndihmë Allahut duke qenë të sinqertë, atëherë edhe punë të vështira do të realizohen lehtësisht. Ky është premtimi i Allahut të Madhërishëm. Besimi i Tij do të triumfojë, por ju keni nevojë për durimin dhe lutjen, nëse doni të bëheni pjesë e këtij triumfi. Por, çfarë lloj durimi dhe çfarë lloj lutjeje ju nevojiten? Ju kam treguar parimin që duhet të përpiqeni duke qenë në kërkim të Zotit.

Sipas fjalorit fjala sabr (durim) ka disa kuptime. Për shembull, durimi është që të rrish larg ligësive, duke u përpjekur dhe duke u treguar të qëndrueshëm. Është një përgjegjësi shumë e madhe e besimtarit, e ahmedianit që në këtë kohë materializmi, kur nga çdo anë po bëhen sulme djallëzore, ligësitë qëndrojnë në çdo cep duke hapur gojët e tyre, ai të bëjë xhihad për të qenë larg tyre, të përmbahet. Një kuptim tjetër i sabrit (durimit) është që të tregohet i qëndrueshëm në mirësi. Pra, nuk duhet të ndodhë që të bëni një mirësi përkohësisht dhe sa herë që ju tërheq lakmia e botës dhe e ligësisë, ta harroni mirësinë. Duhet që përherë të keni vëmendje për të bërë vepra të mira. Duhet gjithashtu të kërkoni në Kuranin Famëlartë se cilat janë veprat e mira. Një tjetër kuptim i sabrit (durimit) është që në çdo situatë, t’i paraqisni problemet tuaja Zotit të Madhërishëm e nuk duhet të bëni kujë e vajtime, madje në çdo problem, në çdo vështirësi dhe në çdo dhimbje Zotit duhet t’i drejtoheni. Pra, nëse do të keni këtë lloj durimi, atëherë ndihma e Allahut të Madhërishëm do të jetë me ju; atëherë do të përparoni shpirtërisht; qoftë një sterlinë, dollarë a rupi e një besimtari, do të bëjë një punë të tillë përballë pasurisë me miliarda të botës, saqë bota do të habitet.

Përveç durimit, shmangies prej ligësive, qëndrueshmërisë në mirësi dhe paraqitjes së çdo çështjeje pranë Zotit, Allahu i Madhërishëm thotë se kemi nevojë edhe për salat (lutjen). Edhe fjala salat ka disa kuptime: një kuptim i saj është namaz dhe sipas kësaj del që besimtarët duhet t’i kërkojnë ndihmë Allahut nëpërmjet namazit. Pra, ata duhet të përmbushin obligimin e namazit duke plotësuar të gjitha kushtet. Edhe rezultatet më të larta të durimit do të shfaqen atëherë kur do të keni vëmendje ndaj namazeve. Përveç kësaj, fjala salat gjithashtu nënkupton që besimtarët duhet të kërkojnë mëshirën e Allahut të Madhërishëm, të kërkojnë falje për mëkatet e tyre. Të gjitha këto kuptime i përfshin fjala salat. Namazet tuaja nuk duhet të jenë vetëm me formë, por përmbajtja e tyre të jetë plotë me lutje. Mëshirojini krijesat e Allahut, sepse edhe ky është një ndër kushtet e namazit. Gjithashtu, dërgojini selavate edhe Profetit Muhammed (sa), sepse edhe këto janë mjete me të cilat do të tërhiqni ndihmën e Allahut.

Shkurt, nëse durimi dhe salati (namazi dhe lutja) juaj do të marrin kuptime kaq të gjera, atëherë do të fitoni faljen prej Allahut të Madhërishëm dhe punët tuaja do t’ju lehtësohen dhe do të vijojnë të lehtësohen, inshallah; do t’ju hapen dyert e bekimit dhe mëshirës së Allahut të Madhërishëm. Kjo është detyra e një besimtari, që ai t’i çojë deri në kulm përpjekjet e tij, adhurimet e tij, lutjet e tij dhe virtytet e tij. Bëjeni pra, atë që është në mundësitë tuaja, e pastaj lërjani Zotit hallin tuaj. Por, nëse nuk do ta përmbushni detyrën e durimit ashtu siç duhet, nëse nuk do ta përmbushni detyrën e salatit ashtu siç duhet, atëherë padyshim që nuk do të mund të merrni ndonjë pjesë të bekimeve të Zotit të Madhërishëm. Sikundër thashë se një kuptim i durimit është edhe shmangia prej ligësive dhe kjo kërkon që ka nevojë për pendesë dhe istigfar. Lidhur me këtë Mesihut i Premtuar (as) thotë:

Pendesa e vërtetë realizohet atëherë, kur do të keni parasysh tri gjëra: Së pari, t’i largoni të gjitha ato mendime dhe dëshira, që jua prishin zemrën, që ju nxisin për ligësitë. Pra të krijoni urrejtje ndaj çdo mendimi të keq që lind në zemrën tuaj. Së dyti, të pendoheni për gjynahun që keni bërë. Ta mbani këtë pendesë në zemrën tuaj kaq gjatë sa të turpëroheni para vetes dhe të doni që në të ardhmen as të mos e zini në gojë atë. Së treti, të merrni vendim të fortë që kurrë nuk do ta përsërisni atë gabim. Në fakt, kjo është gjendje e durimit dhe vetëm kështu durimi përsoset.

Pra, edhe ne nëse do ta bëjmë shprehi këtë lloj durimi dhe të përpiqemi maksimalisht për të arritur nivele të larta të durimit dhe të salatit, atëherë do të shfaqen shenja të jashtëzakonshme të ndihmës së Allahut, inshallah ta’ala. Ne do t’i shohim pikërisht ato shenja, të cilat Ai ia ka premtuar Mesihut të Premtuar (as). Nuk mund të ndodhë që ne as të mos shmangemi prej ligësive, as të mos tregohemi të qëndrueshëm në mirësi, as të mos e kuptojmë thelbin e misionit të Mesihut të Premtuar (as), as të mos i drejtohemi Allahut të Madhërishëm për çdo problem që kemi, as të mos përmbushim detyrimet që kemi ndaj robërve të Zotit, as të mos i dërgojmë selavate Profetit Muhammed (sa) që na mundësojnë afrimin me Zotin, as të mos e përmbushim detyrën e namazit, e megjithatë, të shpresojmë që ne do ta sjellim botën nën flamurin e Islamit dhe që ne do të përmbushim synimet e ardhjes së Mesihut të Premtuar (as)! Bota do të vijë nën flamurin e Islamit dhe patjetër që do të vijë, por nëse ne nuk do ta përmbushim detyrën tonë e nuk do të çojmë deri në ekstrem durimin dhe salatin tonë, nuk mund të bëhemi pjesë e asaj fitoreje. Kështu që, duhet të përpiqemi maksimalisht për ta kryer këtë detyrë. Botës i tregojmë që jemi ne që do ta triumfojmë botën një ditë. Edhe gjatë turneut tim të fundit, një gazetar në Zelandën e Re më bëri pyetje duke thënë: “jeni kaq pak, pse ju duhet xhami këtu, edhe pse keni një sallë ku faleni?” Këtë ia thashë edhe atij: “Sot jemi pak, me mësimin e Kuranit, një ditë, inshallah ta’ala, do të jemi në shumicë dhe jo një, por do të na duhen shumë xhami këtu”. Pra, ka nevojë që ne të bëjmë përpjekjet tona në çdo vend e të jemi vigjilentë ndaj gjendjes sonë. Por, këtu do të them me keqardhje që, vëmendjen që duhet ta kishim ndaj namazeve, ndaj adhurimeve, ndaj krijimit të lidhjes me Zotin, nuk e kemi. Jo më larg se para dy tre ditësh, një grua erdhi për të më takuar, e cila po qante. Më tha: “Ju na thoni të ndërtojmë xhami, e t’i gjallërojmë ato, të përmbushim detyrën e namazit, por këtu pakësohen namazfalësit menjëherë pas largimit tuaj”. Ajo e kishte fjalën për xhaminë Fadl të Londrës. Nëse numri i atyre namazfalësit që vijnë nga larg, bie, për shkak se në mungesën time ata falen në xhamitë apo në qendrat e namazit afër shtëpive të tyre, atëherë nuk ka problem. Sepse edhe unë shpresoj që ata që banojnë larg, falen dhe duhet të falen në xhamitë e zonave të tyre dhe këtu vijnë vetëm për shkak të Kalifatit. Por, nëse kjo mungesë bëhet nga namazfalësit e zonës së xhamisë Fadl, atëherë me të vërtetë është shumë shqetësuese. Mbani mend! Nëse doni të sillni revolucion, qoftë në Australi, qoftë në Angli, qoftë në ndonjë vend tjetër, nëse doni ta përmbushni misionin e Mesihut të Premtuar (as), nëse doni ta përmbushni detyrën e bejtit, atëherë duhet që ky popullim i xhamive të mos jetë i përkohshëm, por të jetë i përhershëm; duhet të krijoni një ndryshim të pastër në veten tuaj; duhet të ngrini nivelet e adhurimeve që bëni! Mrekullitë do të shfaqen vetëm atëherë, kur do ta përmbushni detyrën e durimit e të salatit, kur ta asgjësoni nefsin tuaj në rrugën e Zotit në mënyrë të përsosur, kur do ta përmbushni detyrën e qëndrimit mbi Teuhidin. E, kur do të ndodhin këto gjëra, atëherë do të dëshmojmë sesi manifestohet premtimi i Allahut në të cilin thuhet:

اِنَّ اللہَ مَعَ الصّٰبِرِیۡنَ

“Me të vërtetë, Allahu është me të duruarit”

(Kurani Famëlartë 2:154)

Atëherë, Zoti vetë do të zbresë për të na ndihmuar; Ai do të vijë me gjithë madhështinë dhe bukurinë e Tij për të na ndihmuar; do të drejtojë drejt nesh zemrat e njerëzve të edhe vendeve materialiste; do të na bekojë punët dhe misionet dhe bota, duke njohur fytyrën e vërtetë të Profetit Muhammed (sa), do të vijë nën flamurin e tij; do të vendoset njëshmëria e Zotit; edhe mohuesit e qenies së Zotit, do të kushtojnë vëmendje ndaj adhurimit të Tij. Allahu i Madhërishëm na bëftë ta përmbushim detyrën tonë e t’i shohim këto pamje.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp