Vula e Profetëve, madhështia e Profetit Muhamed a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Vula e Profetëve, madhështia e Profetit Muhamed a.s.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë e shkëputur nga hutbja. Për hutben e plotë, ju lutemi, ndiqni videon)

Duke treguar besimin e palëkundur të Xhematit të tij dhe bindjen e vërtetë ndaj të Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Sinqerisht ju them të vërtetën duke u betuar në Allahun e Lartësuar që unë dhe Xhemati im jemi muslimanë dhe ne besojmë në Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe në Kuranin e Shenjtë ashtu siç një musliman i sinqertë duhet të besojë. Besoj me bindje që largimi qoftë një hap nga Islami, e shkatërron njeriun.

Besimi im është që sado bekime që një njeri mund të arrijë dhe sado afrimi me Zotin mund të gëzojë, e gëzon vetëm duke pasur bindje të sinqertë dhe dashuri të përsosur ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ndryshe jo. Tanimë, nuk ka asnjë rrugë mirësie, përveç rrugës së Profetit s.a.v.s..

Po, është e vërtetë që unë kurrsesi nuk besoj se Mesihu a.s. të ketë shkuar fizikisht në qiell dhe të jetë i gjallë atje deri më sot. Sepse një besim i tillë është fyerje dhe poshtërim ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.. Unë nuk mund të pranojë qoftë për një çast të vetëm një çnderim të tillë. Të gjithë e dinë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare dhe varri i tij gjendet në Medinën e ndritur. Qindra mijëra haxhinj shkojnë atje vit për vit.

Tani, në qoftë se besimi në vdekjen e Hazret Isait është shkelje, si mund të bëhet një shkelje e tillë ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.?! Pse për të thuhet se ai vdiq dhe u varros. Por, ju këtë e thoni me gëzim. Ata që këndojnë mevludin me zë të bukur rrëfejnë ngjarjen e vdekjes së Profetit dhe edhe para mohuesve e pranoni me mendje të hapur se Profeti s.a.v.s. ndërroi jetë. Atëherë, nuk e kuptoj se pse ngrysni fytyrën dhe nxirni sytë për vdekjen Isait a.s..

Në fakt, edhe sot disa sekte dhe hoxhallarë që bëjnë zhurmë të madhe kundër vdekjes së Hazret Isait a.s., kurse ka nga ata të cilët e mohojnë kategorikisht ardhjen e dytë të Hazret Isait. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Nuk do të hidhëroheshim nëse do të shfaqnit gjithë këtë kundërshtim edhe ndaj vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s., por me keqardhje, ju e pranoni me plot zemër vdekjen e Vulës së Profetëve, të Udhëheqësit të dy botëve, kurse atë që e quan veten jo të denjë qoftë për të lidhur lidhëzen e Profetit Muhammed s.a.v.s., e besoni të gjallë dhe zemëroheni kur dëgjoni fjalën vdekje për të.

Po të ishte i gjallë deri më sot Profeti Muhammed s.a.v.s., nuk do të kishte asnjë pengesë, pasi është pikërisht ai që solli udhëzimin më të përkryer dhe të pashoq në botë dhe tregoi të tilla mrekulli që, që nga Ademi deri më sot askush nuk arriti të sillte shembullin e tyre.

Sinqerisht ju them të vërtetën, bota dhe muslimanët në veçanti kanë nevojë më shumë për Profetin Muhammed s.a.v.s. sesa për Hazret Isain a.s.. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. është ajo qenie e bekuar që kur ndërroi jetë, sahabët u çorientuan. Hazret Omeri r.a. ngrehu shpatën dhe deklaroi:

Ai që tha se ka vdekur Profeti s.a.v.s., unë do t’ia pres kokën!

Në këtë situatë kautike, Allahu i Madhërishëm i dha Hazret Ebu Bekrit një dritë dhe largpamësi të veçantë. Ai mblodhi të gjithë dhe mori fjalën. Ndër të tjera, u lexoi edhe ajetin:

وَ مَا مُحَمَّدٌ اِلَّا رَسُوۡلٌ ۚ قَدۡ خَلَتۡ مِنۡ قَبۡلِہِ الرُّسُلُ

Muhammedi është vetëm një i dërguar dhe të gjithë të dërguarit para tij kanë vdekur.

Tani mendoni vet dhe më thoni se Hazret Ebu Bekri r.a. pse e lexoi pikërisht këtë ajet ditën e vdekjes së Profetit s.a.v.s. dhe cili ishte qëllimi i tij dhe çfarë dëshironte t’u mësonte sahabëve të tjerë? Aq më tepër, në një kohë kur të gjithë sahabët ishin mbledhur bashkë.

Unë besoj fort dhe ju nuk mund të më kundërshtoni që sahabët kishin pësuar tronditje të madhe nga vdekja e Profetit s.a.v.s. dhe e konsideronin parakohe. Ata nuk donin as të dëgjonin lajmin e vdekjes së tij. Situata ishte kaq ekstreme saqë edhe një sahab i shquar sikur Hazret Omeri r.a. nuk arrinte ta kishte veten nën kontroll dhe vetëm ky ajet do ta qetësonte dot atë.

Këta sahabë, po të kishin ditur se Hazret Isai a.s. të ishte ende i gjallë, ata do të vdisnin për së gjalli. Ata ishin marrëzisht të dashuruar me Profetin Muhammed s.a.v.s. dhe nuk donin jetën e askujt përveç jetës së tij. Atëherë si ishte e mundur që ata ta shihnin para syve Profetin s.a.v.s. të vdekur, e Hazret Isain a.s. të besonin të gjallë?! [Sepse, vetëm pasi ua lexoi Hazret Ebu Bekri r.a. këtë ajet, ata e kuptuan vdekjen e Profetit s.a.v.s.]

Në atë kohë sahabët këtë ajet e këndonin nëpër rrugicat e Medinës dhe u dukej sikur ai t’u ishte zbritur pikërisht atë ditë. Hassan bin Thabiti tha një elegji me këto fjalë:

vdekja e profetit - vargjet hasan bin thabiti

Ti ishe bebëza e syrit tim
sot shikimi më është verbuar
tash le të vdesë kushdo pas teje
nga vdekja jote isha frikësuar

Ngaqë ajeti i lartpërmendur tregoi se të gjithë kishin vdekur, edhe Hssani pohoi se nuk merakosej më për vdekjen e askujt. Mbani mend! Sahabët kurrsesi nuk mund të besonin dhe nuk mund të duronin ndonjë [profet] tjetër të gjallë, e Profetin Muhammed s.a.v.s. të vdekur. Në këtë mënyrë, ditën e vdekjes së Profetit s.a.v.s. ky ishte konsesusi i parë i sahabëve të tij që ndodhi në botë dhe ky konsensus dha vendimin e prerë edhe të vdekjes së Hazret Isait a.s..

Duke treguar pozitën e lartë të Profetit Muhammed s.a.v.s., Hazret Imam Mehdiu a.s. pohon:

Ai njeri, i cili nëpërmjet qenies së tij, atributeve të tij, veprave të tij, forcave të tij të pastra shpirtërore tregoi modelin e tij të përsosur në mënyrë sa të fuqishme aq edhe besnike dhe u quajt njeriu i përsosur, pa lënë të mangët asnjë aspekt.

Ai ishte i përsosur edhe në dije, edhe në vepra, edhe sipas kriterit të vërtetësisë, edhe sipas kriterit të qendrueshmërisë. Atëherë ai u cilësua si njeri i përsosur. … Pikërisht ky njeri i përsosur, Profeti i përsosur, që erdhi me bekime të plota, shkaktoi ripërtëritjen shpirtërore dhe kështu në dorën e tij u shfaq kiameti i parë në botë. Sepse një botë e tërë e vdekur u ringjall me ardhjen e tij. Ky Profeti i bekuar, vula e të gjithë Profetëve, prijësi i të dëlirëve, vula e të Dërguarve, krenaria e të gjithë pejgamberëve është Muhamed Mustafai s.a.v.s..

O Zot i dashur! Dërgoji këtij Profeti të dashur salavatet dhe mëshirën, që nuk ia ke dërguar askujt tjetër, qysh prej fillimit të kësaj dynjaje. Po të mos vinte ky Profet madhështor në botë, nuk do të kishim asnjë argument për vërtetësinë e profetëve të vegjël siç ishin Junusi, Ejubi, Isai biri i Merjemes, Malakia, Jahja, Zakarija etj., ndonëse që të gjithë ishin të dashurit e Zotit. Është mirësia e këtij Profeti se edhe këta njerëz u konsideruan të vërtetë në botë.

اَللّٰھُمَّ صَلِّ وَسَلِّمْ وَ بَارِکْ عَلَیْہِ وَ اٰلِہٖ وَ اَصْحَابِہٖ اَجْمَعِیْنَ وَ اٰخِرُ دَعْوَانَا اَنِ الْحَمْدُ لِلّٰہِ رَبِّ الْعَلَمِیْنَ

Allahu i Madhërishëm na mundësoftë t’i dërgojmë përherë salavatet të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., duke kuptuar pozitën e lartë të tij dhe ne të përuelmi para Zotit më shumë se përpara!

Kjo është metoda nëpërmjet së cilës ne mund ta provojmë dashurinë për Profetin s.a.v.s., ta gdhendim atë në zemrat tona, atëherë do të arrijmë t’u kthejmë përgjigjen e merituar edhe kundërshtarëve. Pra, veprat tona vetvetiu do t’i kundërpërgjigjen kundërshtimit të kundërshtarëve. Allahu i Madhërishëm na e mundësoftë këtë gjë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp