Historia e dy sahabëve - Utbe ibn Gazvani r.a. dhe Sa'd ibn 'Ubade r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Historia e dy sahabëve – Utbe ibn Gazvani r.a. dhe Sa’d ibn ‘Ubade r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Utbe ibn Ğazvân el-Muhaxhiri r.a. |  عتبة بن غزوان بن جابر

Në vazhdë të jetës së sahabëve, në hutben e fundit, është folur për Utbe ibn Ghazvan. Kjo temë vijon edhe sot dhe dua t’ju rrëfej ngjarje të tjera nga jeta e tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nisur një njësi ushtarake nën udhëheqjen e kushëririt të tij Abdullah ibn Xhehsh r.a. në drejtimin e Nekhles. Meqë historia e kësaj ekspedite është përmendur më parë, në kontekst me jetën e një sahabiu tjetër, prandaj do ta cek këtë ngjarje vetëm shkurtimisht. Mirza Bashir Ahmedi r.a. ka shënuar këtë ngjarje në veprën “Siret Khatemun Nebijjin” me këto fjalë:

Ekspedita ushtarake nën drejtimin e Abdullah ibn Xhehshit r.a.

“Për të krijuar mekanizmin që çdo informacion i rëndësishëm të zbulohet e të përcillet me shpejtësi si dhe të forcohet mbrojtja e Medinës nga sulmet e papritura, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi që të vëzhgohen nga afër lëvizjet dhe manovrat e Kurejshve. Për ta arritur këtë qëllim, ai formoi një patrullë zbulimi të përbërë nga muslimanët emigrantë. Për të zbuluar lehtësisht planin e fshehtë të Kurejshve, ai qëllimisht zgjodhi ata muslimanë që u përkisnin fiseve të ndryshme. Ai gjithashtu emëroi kushëririn e tij Abdullah ibn Xhehsh r.a. në krye të këtij grupi. Ndonëse e përcolli këtë grup nga Medina, Profeti s.a.v.s. ende nuk e kishte njoftuar kryetarin për destinacionin dhe qëllimin e misionit. Ai thjesht i dorëzoi një zarf të mbyllur dhe e porositi që udhëzimet gjendeshin në të. Ai gjithashtu theksoi që zarfi të hapet atëherë, kur ata kanë kryer dy ditë rrugë nga Medina dhe të ndiqen porositë e shënuara.

Kur kishin udhëtuar dy ditë radhazi nga Medina, Abdullahu r.a. hapi zarfin dhe gjeti këto fjalë:

“Shkoni në luginën Nekhla, që ndodhet në mes të Mekës dhe Taifit dhe mësoni gjendjen e Kurejshve dhe na lajmëroni nga qëllimet e tyre”. Në fund, gjendej një shënim: “Pasi që janë njohur me objektivën e këtij misioni, nëse dikush nga shokët tuaj nuk dëshiron të jetë anëtar i këtij grupi, ai është i lirë të kthehet”.

Abdullahu ua lexoi këto porosi shokëve të tij dhe që të gjithë shprehën njëzëri gatishmërinë për këtë detyrë. Pas kësaj, ata u nisën drejt luginës së Nakhles. Por rrugës, Sa’d ibn Vekasi r.a. dhe Utbe ibn Gazvani r.a. humbën devetë e tyre. Teksa po kërkonin devetë, ata u ndanë nga grupi tjetër dhe pavarësisht shumë mundimeve, nuk arritën të bashkoheshin me shokët e tyre. Kështu grupi mbeti vetëm me gjashtë anëtarë”.

Përgjigjja ndaj akuzës së Margoles kundër dy sahabëve

Këtu autori Mirza Beshir Ahmedi r.a. i ëshët kundërpërgjigjur një orientalisti Z. Margoles, i cili ka shkruar se Sa’d ibn Vekasi dhe Utbe ibn Gazvani kishin lëshuar devetë e tyre qëllimisht dhe kishin sajuar histori të rreme. Por, një akuzë kaq e shpifur kundër dy figurave shembullorë e besnikë të Islamit, të cilët kaluan tërë jetën me trimëri dhe vetëmohim për hir të Islamit, mund t’i përkasë vetëm sojit të Z. Margoles. Njëri prej tyre ra dëshmor në tragjedinë e B’iri Mej’unas, ndërsa tjetri mori pjesë në luftërat më të rrezikshme dhe përfundimisht fitoi titullin “triumfues i Irakut”. Na vjen çudi se Z. Margoles si pretenduaka që libri i tij është i pastër nga çdolloj paragjykimi. Kjo është mënyrë që ndjekin këta persona që nuk humbasin asnjë mundësi për të baltosur Islamin dhe për të akuzuar muslimanët.

Përleshja e sahabëve me karvanin e Kurejshëve dhe kthimi në Mekë

Tani i kthehem ngjarjes së ekspeditës:

“Ky grup i vogël muslimanësh mbërriti në luginën Nekhla dhe menjëherë ia hyri punës për të mbledhur informacion dhe për të zbuluar lëvizjet dhe planet e mosbesimtarëve. Për të fshehur identitetin e tyre dhe për t’u shtirur si udhëtarë që kanë ardhur për pelegrinazh, ata qethën kokët e tyre. Por, njëditë papritmas aty u shfaq një karvan i vogël i Kurejshëve, i cili po udhëtonte nga Taifi drejt Mekës. Të dyja grupet dolën përpara njëri-tjetrit.

Në atë moment, muslimanët u këshilluan mes veti se si duhet të vepronin. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte dërguar ata vetëm për të grumbulluar informacion sekret dhe jo në ndonjë mision ushtarak. Ndërsa këtu ata ishin ndeshur ballë për ballë me mosbesimtarët. Natyrisht, kishin frikë se meqë karvani i kurejshve tashmë i ka njohur, prandaj misioni i tyre, nuk mund të mbahet i fshehur.

Muslimanët po i mundonte dhe një dilemë. Disa prej tyre kujtonin se ajo ishte dita e fundit e muajit Rexhep, i fundit prej muajve të ndaluar, gjatë të cilëve sipas traditave të moçme arabe nuk lejohej asnjë veprim ushtarak. Të tjerët ishin të mendimit se muaji Rexhep kishte kaluar dhe tashmë kishte hyrë muaji Shaban. Sipas disa burimeve të tjera, kjo ekspeditë ishte dërguar në fund të Xhemadiul Akhir dhe ata dyshonin se ajo ishte dita e fundit të këtij muaji apo dita e parë e Rexhepit. Para tyre qëndronte dhe një tjetër vështirësi. Lugina e Nekhles ndodhej mu në kufi të zonës së Heremit. Ata e kishin të qartë që nëse nuk e ndalonin karvanin, ai do të hynte në zonën e Haremit, dhe ata duhet të respektonin rregullat e tij.

Duke shqyrtuar të gjitha këto çështje, muslimanët arritën në përfundim për të sulmuar karvanin dhe për t’i zënë pjesëtarët e tij si robë lufte apo për të ekzekutuar ata.

Kështu, ata u hodhën në sulm dhe mbytën një pjesëtar të karvanit dhe robëruan dy të tjerë. Por, personi i katërt shpëtoi dhe muslimanët nuk mundën ta ndalonin atë. Tashmë, ata ishin të bindur se lajmi i kësaj përleshje do të mbërrijë shumë shpejt në Mekë, andaj Abdullah ibn Xhehshi dhe shokët e tyre nxituan të ktheheshin në Medinë bashkë me plaçkat e karvanit.

Përgjigje ndaj akuzës së Margolesit

  1. Margoles vazhdon të shpërrallojë duke shpifur se Muhammedi (s.a.v.s.) gjoja kishte dërguar këtë ekspeditë qëllimisht në muajin e shenjtë sepse Kurejshët ishin natyrisht të shkujdesur në këtë kohë dhe kështu muslimanët do të gjenin rastin e sigurtë për të zhvatur plaçkat e karvanit. Megjithatë, çdonjeri me një mendje të shëndoshë do ta hedhë poshtë këtë pretendim sepse ëshët e palogjikshme të dërgohet një ekspeditë ushtarake drejt një vendi kaq të largët, vetëm për të sulmuar dhe plaçkitur një karvan të vogël, e cila ndodhej mu pranë qendrës së armikut. Përpos kësaj, fakti që ata kishin shkuar me mision të fshehur për të mbledhur informacion sekret, mbështetet me provat historike. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mësoi që sahabët kishin sulmuar një karvan, ai shprehu pakënaqësinë dhe u zemërua me ta. Kur këta sahabë shkuan te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i treguan gjithçka që kishte ndodhur, ai i qortoi me zemërim të madh dhe tha: “Unë nuk ju kisha dhënë leje për të bërë përleshje në muajin e shenjtë”. Madje, ai refuzoi të prekte plaçkat e luftës. Abdullah ibn Xhehshi dhe shokët e tij shprehën keqardhje dhe u penduan për sjelljen e tyre. Ata mendonin se duke tërhequr zemërimin e Zotit dhe të Profetit të Tij s.a.v.s., ata janë dënuar me ndëshkim e shkatërrim. Madje, edhe sahabët e tjerë i qortuan për veprën e tyre.

Në anën tjetër, Kurejshët gjithashtu bënë zhurmë të madhe për shkeljen e shenjtërisë së muajit harem. Amr ibn el-Hizremi, i cili ishte mbytur në sulmin e muslimanëve konsiderohej prej krerëve të Kurejshve dhe ishte aleat i Utbe ibn Rabi’as, kreut të Mekës. Kjo ngjarje vetëm i shtoi Kurejshët në inat e mllef dhe ata u angazhuan me një vrull të madh në përgatitje për një sulm vendimtar ndaj Medinës.

Kjo ngjarje ndezi polemikë të zjarrtë si në kampin e muslimanëve po ashtu në rrethin e Kurejshëve dhe përfundimisht Allahu shpalli një ajet kuranor që ua qetësoi zemrat muslimanëve dhe ua letështoi gjendjen:

“Të pyesin ty për muajin e shenjtë, pra, për luftën gjatë tij. Thuaju: “Lufta në të është (mëkat) i madh. Dhe pengimi nga rruga e Allahut, mohimi i tij, pengimi nga Xhamia e shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo është (mëkat) akoma më i madh tek Allahu. Persekutimi është më i keq se vrasja”. Ata nuk do të pushojnë të luftojnë me ju, derisa t’ju kthejnë nga besimi juaj, nëse munden”.

(El-Bekare 2:218)

Historia tregon se krerët e Kurejshëve nuk ndalnin propagandën e tyre armiqësore e demagogjike kundër muslimanëve edhe gjatë muajve të shenjtë. Madje, duke përfituar nga tubimet dhe pelegrinazhet e këtyre muajve, ata ashpërsonin propagandën e tyre shpifëse, dhe me një paturpësi të madhe, e ngushëllonin veten duke lëvizur renditjen e muajve sipas qejfit të tyre, një praktikë mashtruese që e quanin “Nesi”.

Ligësia e Kurejshve arriti në kulm gjatë periudhës së paqes, kur ata e kishin nënshrkuar marrëveshjen e Hudejbijes me palën muslimane, dhe ishin betuar se do t’u nënshtroheshin kushteve të pajtimit. Por kundër çdo normës morale, ata sulmuan fisin aleat të muslimanëve, mu brenda kufijve të Haremit. Ndërsa, kur muslimanët dolën për ta ndihmuar këtë fis kundër agresionit të Kurejshve, ata ngritën shpatë edhe ndaj tyre.

Në këtë mënyrë, shpallja e Kuranit jo vetëm që qetësoi zemrat e muslimanëve, por zbuti dhe ndjenjat hakmarrëse të Kurejshve. Pas pak kohte, ata dërguan një delegacion në Medinë, Për të negociuar lirimin e dy të burgosurve. Por, meqë Sa’d ibn Ebi-Vekasi dhe Utbe ibn Gazvani ende nuk ishin kthyer në Medinë, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte frikë se ndoshta ata kishin rënë në dorën e Kurejshëve, të cilët do t’i ekzekutonin ata. Në këto rrethana, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. refuzoi t’i lironte të burgosurit e Kurejshve dhe premtoi se kur do të ktheheshin shokët e tij mirë e shëndoshë në Medinë, ai me siguri do t’i lironte dhe njerëzit e tyre. Prandaj, kur u kthyen këta dy sahabë në Medinë, ai i liroi të dy të burgosurit kundrejt shpagimit. Megjithatë, moralet e larta e Profetit s.a.v.s. dhe mësimet e bukura të Islamit u kishin bërë aq shumë përshtypje saqë njëri prej tyre refuzoi të kthehej në Mekë. Ai përqafoi Islamin dhe lidhi besëlidhje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Më vonë ai kishte rënë dëshmor në ngjarjen e Biri Me’unasë.

Në këtë mënyrë, si kundërpërgjigje ndaj akuzës së Z. Margoles mjafton të themi se ata kishin përqafuar Islamin përballë përndjekjes së dhunshme dhe ofruan çdolloj sakrifice në mbrojtje të këtij betimi.

Utbe ibn Gazvani r.a. kishte nder të merrte pjesë në të gjitha betejat e Profetit s.a.v.s. përfshirë Bedrin etj. Hababi dhe Sa’di ishin dy skllevër, të cilëve Utbeja u kishte dhënë liri, dhe ata kishin luftuar bashkë me të në Bedr.

Në frontin e luftës kundër persianëve dhe themelimi i qytetit Besre

Utbeja ishte një ndër shigjetarët më të shquar në ushtrinë e Profetit s.a.v.s.. Njëherë Omeri r.a. e dërgoi Utben r.a. drejt tokës së Besrasë që të ndeshej me ushtrinë perse në vendin e quajtur “Ubula”. Para se t’i përcillte ata, Omeri r.a. i dha porosi: “Ju dhe shokët tuaj duhet të marshojnë përpara derisa të mbërrijnë në skaj më të fundit të tokës arabe dhe në fillim të tokës jo-arabe. Vazhdoni përpara me bekimin dhe mirësinë e Allahut. Frikësojuni vetëm Allahut! Të dini se do të përballeni me një kundërshtar të ashpër. Unë jam i bindur se Allahu i Madhërishëm do t’ju ndihmojë fuqimisht kundër tyre. Unë gjithashtu i kam shkruar A’la ibn Hazremit që t’ju ndimojë me anë të Erfexhe ibn Harsemes, sepse ai ka përvojë të madhe dhe është i kalitur në taktikat luftarake”. Pastaj Omeri r.a. e porositi: “Vepro duke u këshilluar dhe fto njerëzit drejt Allahut. Pranoje pendimin e atij që dëshmon për vërtetësinë e Islamit, ndërsa atij që e refuzon Islamin, kërkoji taksën e xhizjes, të cilën ai e paguan me përulësi. Nëse, ai refuzon ta paguajë këtë taksë, duhet të shpallësh luftë kundër atij. Pra, nëse ai nuk dëshiron të pranojë Islamin dhe as nuk pranon të paguajë xhizjen, atëherë si kundërpërgjigje ndaj mosbindjes së tij, keni të drejtë të luftoni me të. Kudo që shkelni tokën e arabëve, nxisni ata për xhihad, silluni me vigjilencë me kundërshtarë dhe frikësojuni Allahut, Zotit tuaj!”

Omeri r.a. përcolli Utben r.a. bashkë me tetëqind ushtarë të tjerë në drejtim të Besrasë. Më vonë, ai dërgoi dhe forcime të tjera ushtarake. Utbeja r.a. triumfoi Ubulen dhe aty shënoi kufijtë e qytetit Besra. Ishte ai që vuri themelet e qytetit Besra dhe zhvilloi atë. Kur Omeri r.a. e kishte caktuar Utben ibn Gazvanin r.a. guvernator për Besre, fillimisht ai kishte qëndruar në Kharibe, një qytet të vjetër të Persisë. Persianët e quanin këtë qytet Vashitabaz Urdshejr, ndërsa arabët e njihnin me emrin Kharibe. Lufta e Xhemelit ishte gjithashtu zhvilluar në këtë vend.

Utbeja r.a. në një letër drejtuar prijësit të muslimanëve Omer r.a. shkroi se ushtria muslimane kishte të pamundur që të kalonte stinën e dimrit në atë vend apo ta zgjidhte atë si bazë prapavije ku ata mund të qëndronin pas kthimit nga fronti i luftës. Si përgjigje Omeri r.a. e porositi për të kërkuar një vend që gjendej afër burimeve ujërore dhe kullotave natyrore. Sipas porosive të Kalifit, Utbeja r.a. vendosi të zgjidhte Besran si bazë ushtarake. Muslimanët ndërtuan kasollë bambuje në Basra, ndërsa në vitin 14 pas hixhretit Utbeja r.a. nisi ndërtimin e një xhamie me bambu. Ai gjithashtu nisi ndërtimin e banesës për guvernator në një truall të hapur pranë xhamisë. Përpara, muslimanët kur niseshin për luftë, çmontonin kasollet e tyre prej bambuje dhe i ruanin të mbledhur, ndërsa kur ktheheshin nga lufta, i montonin sërish. Por, më vonë ata filluan të ndërtonin shtëpi me materiale të qëndrueshme. Utbeja r.a. ngarkoi Mihxhen ibn Edre me ndërtimin e një xhamie qëndrore, dhe kështu u hodhën themelet e xhamisë qëndrore në Besra. Në ndërtimin e saj, u përdorën trungje bambuje.

Pas kësaj, Utbeja r.a. ndërmori pelegrinazhin e Haxhit dhe caktoi Muxhashe ibn Vesudin si zëvendës gjatë mungesës së tij. Ai gjithashtu e porositi për t’u nisur për Ferat, ndërsa Mughejra ibn Shubanin e caktoi për të udhëhequr namazin.

Kur takoi Omerin r.a., Utbeja r.a. iu lut që të lirohej nga detyra e guvernatorit, duke arsyetuar se ishte një përgjegjësi mjaft e rëndë. Ai kërkoi që të caktohej dikush tjetër në vend të tij. Por, Omeri r.a. nuk ia pranoi kërkesën. Sipas një transmetimi, Utbeja r.a. pasi që iu refuzua kërkesa nga Kalifi, bëri një lutje. Ai iu lut me këto fjalë: “O Allah! Mos më kthe në këtë qytet!” Gjatë rrugës nga Meka drejt Besrasë, në vitin 17 pas hixhretit, ai pati një aksident fatal në vendin “M’adin ibn Sulejm”. Ai u rrëzua nga deveja dhe nga ndërroi jetë plagat e marra. Sipas një burimi tjetër, në vitin 17 pas hixhtetit në moshën 57 vjeçare në Besra, Utbeja r.a. kishte pasur dhimbje të forta në stomak dhe ndërroi jetë në këtë sëmundje. Në një burim, ai kishte ndërruar jetë në vitin 15 pas ngjarjes së hixhretit. Pas vdekjes së tij, shërbëtori i tij Suvejdi ia kishte dorëzuar Omerit r.a. pronat dhe plaçkat e Utbes r.a..

Utbeja r.a. Kishte ndërruar jetë në moshën 57 vjeçare. Ishte njëri shtatëlartë dhe i pashëm.

Porosia e Utbeja ibn Gazvanit r.a.

Halit ibn Umejr Advi ka rrëfyer se njëherë Utbeja ibn Gazvani r.a. mbajti një ligjëratë para nesh. Si fillim, ai madhëroi Zotin, pastaj tha se bota ka shpallur fundin e saj. Ajo ka kthyer shpinën dhe po vrapon vrullshëm drejt kijametit. Asaj nuk i ka mbetur kohë më shumë se ajo pije që dikush e lë në gotë pasi që ka zbrazur atë. Së shpejti do të kaloni në banesën e amshueshme. Kjo jetë është kalimtare, prandaj përgatituni për të mërguar në atë vendbanim që është më i mirë. Na është treguar se xhehenemit nuk i dihet fundi. Kur të hidhet një gur në xhehenem, do t’i duhen 70 vjet, por akoma nuk do t’ia arrijë fundin. Pasha Allahun, xhehenemi do të mbushet me shpirtra të liga e mëkatare. Ju akoma keni mundësinë të përfitoni nga kjo jetë dhe t’u kushtoni vëmendje veprave të mira. Përse po çuditeni, derisa Allahu ju ka treguar se hapësira midis dy kapakëve të xhehenemit ëshët 40 vjet, dhe patjetër ai do të tejmbushet me njerëz.

Unë kam qenë prej atyre 7 njerëzve të cilët kishin pranuar Islamin mu në fillim. Kemi pasur kohë, kur jemi ushqyer vetëm me gjethet e pemëve dhe na vriteshin gojat prej tyre. Njëherë gjeta një çarçaf. Unë e ndava në dy copë për veten dhe Sa’d ibn Malikun. Kemi pasur kohë që nuk kishim gjë për të mbuluar veten. Prandaj çarçafin e bëra dysh që të mbuloheshim unë dhe Sa’d ibn Maliku. Kjo ishte gjendja jonë në atë kohë. Ndërsa sot dikush prej nesh gdhin si kryetar i një qyteti. Unë i kërkoj mbrojtje Allahut që të konsideroj veten diçka para Tij. Unë jam asgjë para Tij. Sot, rrethanat kanë ndryshuar dhe Zoti ju ka sjellë mbarësi e begati në jetë, andaj duhet të jeni më të kujdesshëm për sjelljen tuaj”.

Pastaj tha: “Nuk ka qenë ndonjë profetësi a pejgamberllëk në të kaluarën, ndikimi i tij të mos ketë pësuar rënie, apo pasardhësit e tyre të mos kenë shndërruar atë në monarki apo në sundim politik. Ju do të zbuloni realitetin dhe do të kuptoni të vërtetën e pushtetarëve. Do t’u vijë muslimanëve një kohë kur do t’i kaplojë lakmia e kësaj bote. Atëherë, do të kuptoni se unë ju kisha paralajmëruar për të. Ju lë amanet që t’i kushtoni vëmendje vetëm Allahut, rrugës së Tij dhe spiritualitetit, sepse këto janë rrugë që çojnë drejt xhenetit.

Sa’d ibn ‘Ubada el-Ensariu r.a. | سَعْد بن عُبَادة

Sa’d ibn ‘Ubada r.a. i përkiste Benu Sa’ides të fisit Hazrexh të Ensarëve. Babai i tij quhej ‘Ubade ibn Zelim dhe e ëma quhej Amre, e cila ishte vajza e tretë e Mesut ibn Kejsit. Nëna e Sa’dit gjithashtu kishte pranuar Islamin duke bërë besëlidhje me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Nga ana e nënës, Sa’d ibn ‘Ubada r.a. ishte kushëriri i Sa’d ibn Zejd Ash’alit r.a., i cili kishte marrë pjesë në Bedr. Sa’di r.a. kishte bërë dy martesa. Martesën e parë e kishte bërë me Gazje bint Sa’d dhe nga kjo lidhje ishin lindur Sa’id, Muhammed dhe Abdurrahman, ndërsa martesën e dytë e bëri me Fakihe bint ‘Ubejd dhe prej kësaj lidhjeje lindën Kejs, ‘Umame dhe Sedus. Dy motrat e Sa’dit kishin pranuar Islamin duke bërë bejtin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Ato ishin Mendus bint ‘Ubade dhe Lejle bint ‘Ubade.

Sa’d ibn ‘Ubade r.a. njihej me nofkën Ebu Thabit, ndërsa në burime të tjera i është referuar nofka Ebu Kejs. Megjithatë, argumenti i parë duket më i besueshëm se ai njihej me nofkën Ebu Thabit.

Sa’d ibn ‘Ubade r.a. ishte lider i fisit Hazrexh të Ensarëve. Ai shquhej për cilësitë e lidershipit si dhe për bujarinë e tij. Në të gjitha betejat, ka mbajtur flamurin e ensarëve. Të gjithë ensarët ia pranonin këto veti dalluese.

Sa’d ibn ‘Ubade r.a. dinte shkrim e këndim qysh në kohën e injorancës, po ashtu shquhej për aftësitë e tij në not e shigjetari. Meqë, shumë pak njerëz zotëronin njëkohësisht këto tri aftësi, prandaj e quanin Kamil d.m.th. njeri të përsosur.

Bujaria e Sa’d ibn ‘Ubades r.a.

Në kohën para Islamit, Sa’d ibn ‘Ubade r.a. dhe paraardhësit e tij bënin shpallje nga kalaja e tyre se kush ka dëshirë të hajë mish apo dhjamë, i themi bujrëm dhe është mirrseardhur për gosti në kalanë e Dulejm ibn Harithes. Hisham ibn ‘Urveja ka transmetuar nga babai i tij se ai kishte takuar Sa’d ibn ‘Ubaden teksa ai po bënte thirrje nga Kalaja se kushdo që dëshiron të hajë mish, le të vijë te Sa’d ibn ‘Ubadeja. Po ashtu kishte parë djalin e tij, duke vazhduar këtë traditë.

Hisham ibn ‘Urve ka transmetuar nga babai i tij se njëherë, në rininë e tij, po udhëtonte në drejtim të Medinës. Abdullah ibn Omeri gjithashtu udhëtonte pranë tij. Ai po shkonte për të kontrolluar parcelën e tij në ‘Alije, që ndodhej në një luginë, midis Medines dhe Nexhedit, afërsisht 8 milje larg qytetit. Abdullah ibn Omeri r.a. kur iu afrua kalasë, e pyeti: O djalosh! Eja këtu! A dëgjon dikë duke thirrur nga kalaja e Sa’d ibn ‘Ubades për gosti. Babai i Hishamit iu përgjigj se nuk dëgjonte asgjë. Atëherë Abdullah ibn Omeri r.a. i tha: “Mirë ke thënë. Ndoshta, nuk ka mbetur asnjëri kaq bujar sa ishte Sa’d ibn ‘Ubade”.

Nafi’u r.a. gjithashtu ka transmetuar se Abdullah ibn Omeri r.a. kaloi pranë kalasë së Sa’d ibn ‘Ubades r.a. dhe më tha: O Nafi’! çdo vit, paraadhësit e këtyre banorëve bënin ftesë për një gosti të hapur. Lajmëtari njoftonte me këto fjalë: “Kushdo që dëshiron të kënaqet me gatimet e mishit, le të vizitojë shtëpinë e Dulejmit”. Kur vdiq Dulejmi, këtë traditë e vijoi ‘Ubadeja, ndërsa pas vdekjes së ‘Ubades, këtë detyrë e mori Sa’di r.a.. Pas vdekjes së Sa’dit r.a. ishte djali i tij Kejsi r.a. i cili mbajti të gjallë këtë traditë të bukur familjare. Pa dyshim, Kejsi ishte njeriu më bujar ndër të gjithë.

Ky transmetim e bën më të qartë këtë histori se kjo traditë kishte vazhduar brez pas brezi por u zhduk në brezat pasardhëse.

Sa’d ibn ‘Ubade r.a. kishte pranuar Islamin në besëlidhjen e dytë të Ukabasë. Në veprën Siret Khatimun Nebijjin kjo ngjarje e rëndësishme është përhshkruar me këto fjalë:

Ardhja e muslimanëve në Mekë dhe takimi i Mus’abit me nënën e tij idhujtare

“Në vitin 13 pas shpalljes së profetizmit, në kohën e haxhit, shumë njerëz nga fiset Eus and Hazrexh kishin ardhur në Mekë. Ndër këta vizitorë, shtatëdhjetë ishin të tillë që tashmë ishin muslimanë ose donin ta pranonin Islamin ose thjeshtë kishin dëshirë të takonin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Misionari i parë musliman Mus’ab ibn ‘Umejri r.a. gjithashtu i shoqëronte në këtë udhëtim. Nëna e Mus’abit e donte shumë djalin e saj, por nuk pranonte të hiqte dorë nga idhujtaria. Kur ajo mësoi për ardhjen e Mus’abit në Mekë, ajo menjëherë i çoi mesazh që djali i saj në fillim duhet ta takonte atë dhe pastaj të shkonte gjetkë. Mus’abi gjithashtu i përcolli mesazh se meqë ai akoma nuk e kishte takuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., prandaj do të vinte tek ajo, pasi që ishte takuar me Profetin s.a.v.s.. Kështu, në fillim Mus’abi r.a. takoi Profetin s.a.v.s. dhe e raportoi për çështje të rëndësishme të Medinës dhe pastaj u nis për të takuar nënën. Tashmë e zemëruar nga përgjigja e Mus’abit, sa e pa djalin, ajo zuri të qajë me zë të lartë e ankua kundër tij. Mus’abi i tha: “O nënë! A të them diçka që është më e mirë për ty dhe u jep fund të gjitha problemeve”. Ajo e pyeti me habi: “Çfarë është ajo?” Mus’abi iu përgjigj me qetësi “Vetëm që të heqësh dorë nga idhujtaria dhe të pranosh Islamin duke besuar Muhammedin s.a.v.s.”. Ajo i përmbahej idhujtarisë deri në fanatizëm. Sa i dëgjoi fjalët e djalit, filloi të ulërinte “Pasha yjet! Unë Kurrësesi nuk do të besoj fenë tuaj”. Ajo u bëri me dorë të afërmve të saj për të ndaluar Mus’abin, por ai ishte i shkathët dhe vigjilent, andaj u largua me shpejtësi”.

Besëlidhja e dytë të Akabasë 

Lidhur me ngjarjen e besëlidhjes së dytë të Akabasë, gjejmë edhe detaje të tjera.

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte marrë informacion nga Mus’abi për ardhjen e ensarëve në Mekë, madje disa prej tyre ishin tashmë takuar individualisht me të. Por, meqë aty nevojitej një takim kollektiv larg prej të tjerëve, prandaj pasi që kishin kryer zakonet e Haxhit, u caktua data 15 të muajit Dhil Haxh. Në gjysmën e natës, ata vendosën të mblidhen në luginën e Akabasë, siç kishin bërë vitin e kaluar, me qëllim që të kuvendonin me qetësi dhe në mënyrë të fshehur.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte bërë porosi ensarëve për të mbërritur në vendtakim sipas kohës së caktuar, tek e tak apo në çifte. Ai gjithashtu u kishte thënë për të mos zgjuar dikë, që ka rënë në gjumë, dhe për ta mos pritur atë që mungon. Le të vijnë ata që janë të disponueshëm.

Kështu kur erdhi data e caktuar, dhe një e treta e natës tashmë kishte kaluar, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli vetëm nga shtëpia. Rrugës ai mori xhaxhain e tij Abas, i cili ende nuk e kishte pranuar Islamin dhe i ndiqte traditat idhujtare. Abasi e donte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe ishte prijës i familjes Benu Hashim. Kështu këta dy mbërritën në luginën e Akabasë. Nuk kaloi shumë që ensarët filluan të mbërrinin një e nga një. Ata ishin plotë shtatëdhjetë veta dhe u përkisnin fiseve Eus dhe Hazrexh.

Në fillim Abasi e mori fjalën dhe tha: “O fisi Hazrexh! Muhammedi gëzon respekt dhe dashuri në familjen e tij. Kjo familje ka qenë garante për mbrojtjen e tij dhe i është kundërpërgjigjur çdo rreziku me trimëri. Por, tani ai ka vendosur të largohet nga vendlindja dhe të mërgojë në qytetin tuaj. Nëse edhe ju dëshironi ta prisni atë në Medinë, të dini se do të jeni përgjegjës për mbrojtjen e tij dhe duhet t’i kundërpërgjigjeni çdo armiku. Nëse jeni të gatshëm për ta marrë këtë përgjegjësi, përgjigjuni qartë e troç, sepse është më mirë të flasim qartë e shqip”.

Pas Abasit, fjalën e mori Elbera ibn Ma’ruri. Ai ishte një plak i vjetër dhe i urtë i ensarëve. Ai tha: “O Abas! Ne kemi dëgjuar fjalën tuaj, por kemi dëshirë ta dëgojmë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që të na bëj të ditur për përgjegjësi me të cilat ai dëshiron të na ngarkojë”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngrit dhe recitoi disa ajete nga Kurani i Madhërishëm. Pastaj mbajti një fjalim të shkurtër dhe përshkroi mësimet e Islamit. Duke shtjelluar detyrat hyjnore dhe ato njerëzore, ai tha: “Për veten time, dua vetëm që ashtu sikur mbroni familjen dhe farefisnin tuaj, kur të ketë nevojë, të silleni njësoj dhe me mua”.

Kur përfundoi fjalën, Elbera ibn Ma’ruti, e mori dorën e të Dërgaurit të Allahut s.a.v.s. sipas traditës arabe dhe deklaroi: “O i Dërguar i Allahut! Betohemi në Allah, i Cili ju ka dërguar me të vërtetën, ne do t’ju mbrojmë njësoj sikur mbrojmë veten tonë. Ne jemi rritur nën hijen e shpatëve…” Pa e mbaruar fjalën, ndërhyri Ebul Hejshem ibn Tejhani dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Në Medinë, kemi marrëdhënie të moçme me hebrenj. Nëse hyjmë në besëlidhje me ju, do të prishen këto marrëdhënie të vjetra. Druhem se kur Allahu do t’ju triumfojë kundër Kurejshve, do të na braktisni dhe do të ktheheni sërish në vendlindjen tuaj. Kështu do të mbetemi plotësisht të izoluar e të braktisur”.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. buzëqeshi dhe tha: “Jo, kjo nuk do të ndodhë kurrësesi. Gjaku juaj do të jetë gjaku im. Aleatët tuaj do të jenë aleatët e mi dhe armiqtë tuaj do të jenë armiq të mi”.

Abas ibn ‘Ubade el-Ensariu r.a. hodhi një vështrim shokëve të tij dhe pyeti: “O njerëz! A kuptoni se çfarë do të thotë kjo besëlidhje? Kjo nënkupton se tani duhet të jeni të gatshëm për të ballafaquar çdo popull e çdo komb. Duhet të jeni të gatshëm për çdolloj sakrifice”. Të gjithë iu përgjigjën njëzëri: “Ne jemi të vetëdijshëm për rrjedhojën e kësaj besëlidhje. Por o i Dërguar i Allahut! Me çfarë do të shpërblehemi në këmbim të këtyre sakrificave?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: “Ju do të fitoni xhenetin e Allahut, e cila është dhuntia më e madhe ndër të gjitha dhuntitë e Allahut”. Të gjithë e pranuan këtë marrëveshje dhe thanë: “O i Dërguar i Allahut! Zgjatni dorën tuaj!” Profeti s.a.v.s. zgjati dorën dhe ky grup i 70 besnikëve iu nënshtruan atij përmes kësaj marrëveshje mbrojtëse. Kjo ngjarje njihet si “Besëlidhje e dytë e akabasë”.

Pas përfundimit të bejtit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u tha të pranishmëve: “Musai a.s. kishte zgjedhur 12 nekib në popullin e tij, që shërbenin si mbikëqyrës dhe mbrojtës mbi ta në emër të Musait a.s.. Unë gjithashtu dua të caktoj 12 nekib mbi ju, që do t’u ngjajnë 12 dishepujve të Isait a.s., dhe do të japin llogari para meje lidhur me përgjegjësi ndaj popullit të tyre. Prandaj, më sugjeroni emra për njerëz që mund t’i përgjigjen kësaj detyre”. Kështu u sugjeruan 12 emra, të cilët Profeti s.a.v.s. i pranoi. Ai caktoi një nekib për çdo fis, ndërsa për disa fise ai caktoi dy persona, dhe në fund u sqaroi detyrat.

Pasi që Profeti s.a.v.s. përfundoi caktimin e nebikëve, xhaxhai i tij Abas ibn Abdil Muttelibi u tërhoqi vëmendje ensarëve për të vepruar me vigjilencë e zgjuarsi, sepse spiunët e Kurejsve po vëzhgojnë në të gjitha drejtimet. Mos ndodhë që fjalët rreth kësaj besëlidhjeje dhe këtij betimi të përhapen dhe të shfaqen probleme të reja.

Teksa Abasi jepte këto porosi, në terrin e natës u dëgjua pak zhurmë në pjesën e ngritur të luginës. Një keqdashës që fshihej aty për ta spiunuar këtë ngjarje, foli me zë: “O Kurejsh! A keni haber se çfarë planesh dhe zotimesh po kurdisin mudhememi (me’adhAllah) dhe përkrahësit e tij mohues”.

Kjo thirrje tronditi të gjithë, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte plotësisht i qetë dhe tha: “Kthehuni drejt çadrave tuaja ashtu siç kishit ardhur tek a tek apo në grupe të vogla!”

Abas ibn Nedla el-Ensariu r.a. Tha: “O i Dërguar i Allahut! Ne nuk i frikësohemi askujt. Nëse na jepni leje, ne që në mëngjes hidhemi në sulm kundëdr këtyre Kurejshve dhe t’u japim mësim për mizoritë e tyre”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. menjëherë u përgjigj: “Jo, jo. Nuk jam lejuar të ndërmarrë një veprim të tillë. Bëni vetëm kaq se të shkoni me qetësi drejt çadrave tuaja”. Duke dëgjuar porosinë e Profetit s.a.v.s. të gjithë u larguan fshehtas nga lugina, ndërsa vetë Profeti s.a.v.s. bashkë me xhaxhain e tij Abas u kthye në Medinë.

Kurejshët tashmë kishin mësuar se një takim i fshehtë është zhvilluar atë natë, andaj me të gdhirë ata shkuan në çadrat e medinasve dhe u thanë: “Ne kemi marrëdhënie të vjetra dhe nuk duam kurrësesi t’i prishim ato. Por, kemi dëgjuar se mbrëmë keni lidhur një marrëveshje të fshehtë me Muhammedin (s.a.v.s.). Si është kjo çështje?” Idhujtarët nga fiset Eus dhe Hazrexh që nuk ishin në dijeni për këtë ngjarje, shprehën çudi mbi këtë lajmë dhe mohuan kategorisht për një gjë të tillë. Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, i cili më vonë do të bëhej kreu i hipokritëve, gjithashtu bënte pjesë në këtë grup. Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë për një zhvillim të tillë. Ai tha: “A është e mundur që banorët e Medinës të lidhin ndonjë marrëveshje, dhe unë të mos kem dijeni për të?”

Kështu Kurejshët u bindën nga fjalët e tyre dhe u kthyen, ndërsa pak më vonë edhe ensarët u nisën drejt Medinës. Por, pas largimit të tyre, Kurejshët morën informacion të sigurt se në të vërtetë, banorët e Medinës kishin nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me Muhammedin (s.a.v.s.), andaj ata ndoqën karvanin e tyre, por ai tashmë ishte larguar. Ndërkohë Sa’d ibn ‘Ubade r.a. ishte akoma në Mekë dhe për ndonjë sebep nuk ishte nisur akoma. Kurejshët e ndaluan dhe ushtruan dhunë ndaj tij në fushën e zhavorrur të Mekës. Ata e tërhoqën zvarrë duke e kapur me flokë. Më në fund, Xhubejr ibn Mut’imi dhe Harith ibn Harbi të cilët e njihnin Sa’din, mësuan për trajtimin që i bëhej atij, e shpëtuan atë nga mizoritë e Kurejshëve.

Lidhur me jetën e Sa’d ibn ‘Ubade r.a. ka dhe informacion të tjera, të cilat insha-Allah do t’ju rrëfej në hutben e ardhshme.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp