Lutje për të sëmurin - Lutje nga Kurani, Profeti dhe Mesihu
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Lutje për të sëmurin – Lutje nga Kurani, Profeti dhe Mesihu

lutje per te semurin ilaçi

Lutje për të gjetur shërim nga sëmundja

Kur Hazret Ejubi r.a. ishte në gjendje tejet të dhimbshme, i kërkoi mëshirë Zotit të Madhërishëm me lutjen e mëposhtme. Lutja iu pranua dhe ai u shërua mrekullisht.

(O Zoti im!) Mua më ka zënë një dhimbje e madhe, kurse Ti je më i Mëshirshmi nga të gjithë mëshiruesit.[1]

Lutje për të kërkuar mëshirë dhe falje

Njëherë Hazret Ebu Bekri r.a. i kërkoi të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. që t’i mësonte ndonjë lutje për të bërë në namaz. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mësoi një të tillë, në të cilën në veçanti kërkohej mëshira dhe falja prej Zotit.[2] Një lutje të tillë e kemi edhe në Kuran. Hazret Abdullah Ibni Mesudi r.a. bëri këtë lutje duke lexuar edhe tri ajete të tjera, që i paraprijnë asaj dhe fryu një të sëmurë. I sëmuri u shërua. Ai tha: “Pasha Zotin! Një njeri që e ka besimin të palëkundur nëse e lexon këtë ajet në një mal, edhe ai do t’i dorëzohet”.[3]

O Zoti im! Fal dhe mëshiro! Ti je më i miri nga të gjithë mëshiruesit.[4]

Lutje për të pasur mbrojtjen e Zotit nga çdo e keqe

Hazret Abdullahu r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Lexoni tri suret e fundit të Kuranit para se të flini gjatë natës, sepse ato janë të pashoqe për të kërkuar mbrojtje”.[5]

Hazret Ajshja r.a. rrëfen: “Sa herë që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. sëmurej, lexonte dy suret e fundit të Kuranit dhe frynte në trupin e tij. Në ditët e fundit të jetës së tij, kur gjendja iu përkeqësua, unë i lexoja këto sure, fryja në duart e mia dhe ia fërkoja trupin”.[6]

Surja El-IKHLAS

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Thuaj: Ai, Allahu është i Vetëm. Allahu është i Pavaruri. Ai nuk ka lindur (askënd) dhe as nuk është i lindur. Askush nuk ka qenë asnjëherë i barabartë me Të.[7]

Surja El-Felek

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Thuaj: Kërkoj mbrojtjen e Zotit të agimit; nga e keqja e asaj që Ai ka krijuar; nga e keqja e errësuesit kur sjell errësirë; nga e keqja e atyre që fryjnë në nyje dhe nga e keqja e ziliqarit kur shpreh zili.[8]

Surja En-Nas

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Thuaj: Kërkoj mbrojtjen e Zotit të njerëzve; të Sunduesit të njerëzve; të Adhuruarit të njerëzve, nga e keqja e pëshpëritjes së djallit që fshihet pas pëshpëritjes, që pëshpërit në zemrat e njerëzve; qoftë të xhindëve, qoftë të njerëzve.[9]

Disa nga lutjet e Profetit Muhammed s.a.v.s. për shërim

Hazret Ajshja r.a. thotë se kur dikush nga anëtarët e familjes sëmurej, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., bënte këtë lutje mbi të:

Largoja sëmundjen, o Zoti i njerëzve, dhe shëroje! Ti je Shëruesi! Nuk ka shërim, përveç shërimit prej Teje. Jepi shërim që nuk i lë gjurmë të sëmundjes![10]

Të fryrët gjatë sëmundjes

Hazret Ebu Seid Hudriju r.a. rrëfen: Xhibraili a.s. i erdhi të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe e pyeti: “O Muhammed! A je i sëmurë?” “Po”,  iu përgjigj ai. Atëherë, Xhibraili a.s. me këto fjalë e fryu të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.:

Me emrin e Allahut po të fryj. Allahu të shëroftë nga çdo gjë e dëmshme, nga e keqja e çdo njeriu dhe nga e keqja e syrit xheloz! Allahu të shëroftë! Me emrin e Allahut po të fryj.[11]

Lutje për t’u shëruar nga temperatura

Hazret Ibni Abasi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mësoi këtë lutje, që ta bënte kur të kishte temperaturë ose dhimbje të ndryshme:

Me emrin e të Madhit Allah! Kërkojmë mbrojtjen e të Madhërishmit Allah nga e keqja e çdo vene të fryrë dhe nga çdo e keqe e afshit të zjarrit.[12]

Lutje gjatë dhimbjes

Hazret Osman Ibni Ebil-Asi r.a. iu ankua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për dhimbje në trup. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i mësoi këtë lutje duke e udhëzuar të thoshte tri herë Bismil-lah (Lutem me emrin e Allahut) dhe shtatë herë të bënte lutjen që vijon e të frynte në trupin e vet:

Kërkoj mbrojtjen e Allahut, të nderit të Tij dhe të mrekullibërjes së Tij nga e keqja e gjithçkaje që kam dhe që ndiej.[13]

Lutje për t’u shëruar nga bllokimi i urinës

Hazret Ebu Derda r.a. tregon se njëherë, një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i tha se babai i tij vuante nga bllokimi i urinës, për shkak të gurit në prostatë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke i mësuar lutjen që vijon, i tha ta bënte për babanë e tij dhe t’i frynte:

Zoti ynë është Allahu që është në qiell. I Shenjtë është emri Yt. Ti sundon qiellin e Tokën. Ashtu siç e ke mëshiruar qiellin, mëshiroje edhe Tokën! Falna mëkatet dhe gabimet! Ti je Zoti i të pastërve. Dhuro shërim prej shërimit Tënd, mëshirë prej mëshirës Sate në këtë shqetësim![14]

Lutje për të rifituar shikimin

Hazret Osman Ibni Hunejfi r.a. rrëfen: Një i verbër erdhi tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe i kërkoi të bënte lutje që t’i rikthehej shikimi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Në daç ti do të lutem. Në daç duro, sepse durimi është më i miri për ty. Kur i verbëri këmbënguli për lutjen, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha të bënte këtë lutje, pasi të kishte marrë abdes në mënyrë të mirë:

O Allah! Ty të kërkoj dhe në saje të Profetit Tënd Muhammed, Profetit të mëshirës, Të drejtohem Ty, Zoti im për këtë nevojë timen që të ma plotësosh! O Allah! Pranoje ndërmjetësimin e tij për mua![15]

Lutje për të shpëtuar nga sëmundjet e jashtme e të brendshme

Hazret Enesi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bënte këtë lutje:

O Allah! Më mbro nga paaftësia e përtacia, nga frika e koprracia, nga pleqëria e zemërngurtësia, nga pakujdesia e varfëria, nga poshtërimi dhe nga të qenët nevojtar! Më mbro nga skamja e mohimi, nga pabindshmëria, armiqësia e hipokrizia, nga shtirja dhe dukja! Më mbro nga shurdhimi, të qenët memec, çmenduria, lebra, lebra e bardhë dhe nga sëmundjet e këqija![16]

Lutjet e Imam Mehdiut a.s.

Lutje gjatë gjëmës së sëmundjes

Rreth vitit 1880, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. u sëmur keq. Kaloi 16 ditë me diarre me hemorragji. E njëjta sëmundje i kishte marrë jetën dikujt tjetër në fshat brenda tetë ditësh. Prandaj, njerëzit e shtëpisë së Mesihut të Premtuar a.s., të dëshpëruar i kënduan tri herë suren Jasin. Ai thotë:

Ashtu siç Zoti i Madhërishëm u mësoi lutje të ndryshme disa profetëve të Tij për të shpëtuar nga vështirësitë në të cilat ata gjendeshin, edhe mua më mësoi një lutje, duke më dërguar shpallje.

Siç qe udhëzuar në shpallje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. mori ujin e lumit me gjithë rërën, tha lutjen e shpallur dhe lagu duart, fytyrën, kraharorin dhe kurrizin me të. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shton:

Betohem për Atë Zot, në dorën e të cilit është jeta ime, çdo herë kur i përsërisja fjalët dhe e lagia trupin me ujë, ndieja që zjarrmia më largohej nga trupi, derisa pas gjashtëmbëdhjetë ditësh, sëmundja më kaloi tërësisht.[17]

Lutja në fjalë është:

I Shenjtë është Allahu, me lavdinë e Tij! I Shenjtë është Allahu, i Madhërishmi. O Allah! Lartësoje Muhammedin dhe popullin e Muhammedit!


[1]. Kurani Famëlartë 21:84.
[2]. Tefsir Ed-Durrul-Menthur lis-Sujuti, vëll. 5, f. 18.
[3]. Tefsir Kurtubi, pj. 2, f. 157.
[4]. Kurani Famëlartë 23:119.
[5]. Nisai, Kitabul-istiadha, bab 1.
[6]. Buhariu, Kitab fadailil-Kuran, bab fadili-muavadhat.
[7]. Kurani Famëlartë 112:1-5.
[8]. Kurani Famëlartë 113:1-6.
[9]. Kurani Famëlartë 114:1-7.
[10]. Buhariu, Kitabut-tib, bab mashirr-rraki.
[11]. Muslimi Kitabus-salam, bab et-tib uel-mard.
[12]. Ibni Maxha, Kitabut-tib, bab ma jeudhu bihil-huma.
[13]. Ibni Maxha, Kitabut-tib, bab ma av-vadha bihin-Nebij s.a.v.s.
[14]. Ebu Daud, Kitabut-tib, bab kejfarr-rraki.
[15]. Tirmidhiu, Kitabud-da’vat, bab 119.
[16]. Mustadrik Hakim, vëll. 1, f. 712.
[17]. “Tirjakul-kulub”, “Ruhani Khezain”, vëll. 36-37.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp