Pesë shtyllat e Islamit

5. Haxhi

5.1. Filozofia e haxhit

5.1.1. Një adhurim plotë me dashuri

Shkuarja në Mekë, në ditët e caktuara, për ta vizituar Qabenë, që ndryshe quhet Shtëpia e Zotit, quhet Haxh. Haxhi është njëra ndër pesë shtyllat e fesë Islame dhe është obligim për çdo musliman që ka mundësi ta bëjë.  Për Qabenë, Kurani Famëlartë thotë:

“Sigurisht, shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo në Mekë, e bekuar dhe udhëzuese për mbarë njerëzimin. Në të ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit. Dhe kush hyn në të, është i sigurt. Njerëzit që kanë mundësi të përballojë rrugën, duhet ta vizitojnë këtë shtëpi për hir të Zotit. E kush mohon, atëherë Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ale Imran 3:97-98)

islami haxhiHaxhi është një adhurim me plot dashuri. Kur një njeri do shumë dikë, dashuria e tij e detyron të bëjë lloj-lloj përpjekjesh për ta kënaqur atë që do. Njeriu i tillë veten e fut në vështirësi, i sillet shtëpisë së tij si i çmendur, madje fillon të dojë e të puth çdo gjë që i përket personit që do. Të gjitha këto gjeste i bën vetëm që ta kënaqë atë dhe të fitojë pëlqimin dhe shikimin e tij të dashur.

Pa dyshim, i Dashuri i vërtetë i një besimtari është vetë Allahu i Mëshirshëm. Pikërisht për ta shuar etjen e tij të dashurisë ndaj Zotit, feja Islame ka vënë një mundësi për të, që gjatë Haxhit ta adhurojë Zotin me një dashuri të veçantë. Ndaj, besimtari vishet me dy çarçafë të paqepur dhe me kokë të pambuluar e flokë të pakrehura viziton Shtëpinë e Allahut duke thënë:

“Erdha o Zot, Erdha te Ti” ose “Të përgjigjem o Zot të përgjigjem”
(Leb-bejk Leb-bejk). 

Atje, ai puth gurin e zi dhe sillet rreth Qabesë si gjeste dashurie.

“Hazret Abis bin Rabia r.a. tregon se ai ka parë Hazret Umerin r.a. duke puthur gurin e zi dhe njekohësisht duke thënë: “E di që je vetëm një gur, as nuk mund të më sjellësh dobi e as dëm. Po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahuts.a.v.s. duke të puthur ty, as unë nuk do të të puthja”. (Buhariu, Kitabul Haxh, Bab ma dhakera fil hexhril esued)


Lutjet e Haxhit dhe të Umrasë

(Klikoni linkun e mësipërm për të mësuar lutjet e Haxhit dhe të Umrasë)


Hazret Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Nga dashuria e madhe, shpirti i njeriut çdo çast qëndron te pragu i të dashurit të tij dhe e puth atë. Në të njëjtën mënyrë, Qabeja është një simbol për të dashuruarit e vërtetë që edhe fizikisht ta shprehin dashurinë ndaj Zotit të tyre. Zoti u thotë: Kjo është shtëpia Ime dhe guri i zi është gur i pragut Tim. Ky urdhër i haxhit është dhënë në mënyrë që njeriu edhe fizikisht ta shprehë dashurinë e tij ndaj Zotit. Prandaj, haxhinjtë fizikisht sillen rreth Qabesë duke vënë veten në një gjendje që tregon përhumbjen e tyre pas Zotit. Kështu, ata nuk zbukurohen, qethen, i sillen Qabesë sikur të jenë të tërhequr pas Shtëpisë së Tij, puthin gurin e zi duke e menduar atë si gur i pragut të Tij.

Këto gjeste fizike e ndezin më shumë zjarrin shpirtëror të dashurisë ndaj Zotit. Kur trupi i sillet Qabesë dhe e puth gurin e pragut të Zotit, atëherë edhe shpirti i bashkohet trupit në këto gjeste, dhe në këtë adhurim nuk ka aspak shirk. Njeriu nganjëherë puth edhe letrën e mikut të tij të dashur. Asnjë musliman nuk e adhuron Qabenë e as nuk i lutet gurit të zi, por ato i konsideron vetëm shenja fizike dhe kaq. Ashtu siç bëjmë sexhde në tokë, që nuk janë për tokën, në të njëjtën mënyrë e puthim edhe gurin e zi, edhe pse puthja nuk është për të. Guri është gur, që askujt nuk mund t’i sjellë as dobi e as dëm. Por i Dashuri i Vërtetë e ka lënë si shenjë të pragut të Tij”. (“Ruhani Khezain”, vëll. 23, “Çeshmae Marifet” f. 100)

5.1.2. Bashkimi i muslimanëve

Përveç dashurisë ndaj Zotit, Qabeja gjithashtu simbolizon bashkimin dhe qendërzimin e muslimanëve. Kurani Famëlartë thotë:

“Për çdo popull ne kemi caktuar një vendtherje, që ta përkujtojnë emrin e Allahut”. (El-Haxh 22:35)

Haxhi si adhurim është shëmbëlltyra e atij vendi, ku të gjithë muslimanët e botës të bashkohen për ta përkujtuar Zotin, për ta falendëruar Atë e për t’iu lutur Atij me dhimbje e përgjërim për problemet që i rrethojnë. Gjithashtu, me këtë rast, të bashkohen muslimanët që jetojnë kudo në botë e të bëjnë hapa për zhvillimin e përparimin e përgjithshëm të tyre.

5.2. Si dhe kur bëhet haxhi?

5.2.1. Koha e Haxhit

Për haxhin, ka muaj të caktuar, të cilët quhen muajt e haxhit (Esh’hurul Haxh). Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin Famëlartë:

Haxhi është në muaj të caktuar. Kush vendos të bëjë haxhin, duhet të largohet nga epshet, grindjet dhe sharjet gjatë haxhit. (El-Bekare 2:198)

Muajt e haxhit janë sheual,  dhulka’dah dhe dhulhaxhah

Praktikisht haxhi bëhet vetëm në muajin dhulhaxhah, por tre muaj janë përcaktuar për haxh, sepse duhet të bësh edhe parapërgatitje për të. Më së pari duhet të bësh nijetin e haxhit, që fillon me pastrimin shpirtëror, ihramin etj. të cilat përfundojnë deri më 13 dhulhaxhah.

5.2.2. Për kë obligohet haxhi?

Haxhi është i obliguar për muslimanin që është në moshën e pjekurisë dhe të ketë mundësitë financiare për ta bërë udhëtimin e haxhit si dhe për t’u kujdesur edhe për shtëpinë gjatë atyre ditëve. Një kusht tjetër për haxhin është edhe siguria e rrugës.

5.2.3. Çfarë është  Ihrami ?

Kur njerëzit mbërrijnë në Mikat për të filluar haxhin e tyre, ata më së pari marrin abdes ose lahen. Përdorin aromë. Veshin dy çarçafë të paqepur: me njërin e lidhin mesin dhe pjesën poshtme të trupit dhe me tjetrin mbulojnë kraharorin. Kokën e mbajnë të pambuluar. Kjo porosi është për meshkuj. Ndërsa femrat mund të bëjnë haxh me veshjet e tyre të zakonshme.

5.2.4. Pjesët kryesore të haxhit

Haxhi ka tri pjesë kryesore:

Ihrami që gjithashtu nënkupton edhe nijetin

Qëndrimi në Arafat më 9 dhulhaxhah. Haxhi nuk mund të kryhet nëse nuk mund të arrish në Arafat në datën e caktuar.

Tavaf ifada, d.m.th. të bësh tavafin e Qabesë pas qëndrimit në Arafat. Pra, ky tavaf bëhet më datën 10 dhulhaxhah ose më vonë.

5.2.4. Në haxh përfshihen këto veprime:

  • Pas Ihramit, haxhinjtë falin dy nafile dhe me nijetin e haxhit të recitojnë telbija, që ka këto fjalë:

Lab-bejka allahuma lab-bejka. Lab-bejka la sherika laka lab-bejka. In-nal hamda uen-ni’mata laka uel mulka laka la sherika laka.

Domethënë: Erdha te Ti o Zoti im erdha. S’ka të barazueshëm me Ty. Unë erdha te Ti. Vetëm Ty të takon lavdia dhe sundimi. S’ka të barazueshëm me Ty.

  • Pas ihramit, haxhinjtë shpesh duhet ta recitojnë telbijanë dhe gjatë gjithë kohës të përqëndrohen vetëm në përkujtimin e Zotit dhe në dërgimin e salavateve të Dërguarit të Allahuts.a.v.s.
  • Kur t’i afrohen Mekës dhe ta shohin Qabenë, atëherë duke përsëritur telbijanë me gjithë sinqeritet dhe dhimbje, të bëjnë edhe lutje për dëshirat e tyre. Sepse ai është një moment i veçantë për pranimin e lutjeve.
  • Kur haxhinjtë hyjnë në Xhaminë e Shenjtë, shkojnë afër gurit të zi dhe e puthin atë. Nëse nuk arrijnë ta puthin, atëherë ta prekin ose të paktën nga larg me një shenjë të dorës, ta puthin atë. Ky quhet Istilam. Nuk është mirë të ngushtojnë apo të shtyjnë të tjerët për të arritur deri te guri i zi.
  • Pas istilamit haxhinjtë fillojnë tevafin e Qabesë. Duke filluar nga e djathta e gurit të zi, të sillen shtat herë rreth Qabesë. Çdo herë kur i afrohen gurit të zi, ta bëjnë istilamin. Pas shtat rrotullimeve, haxhinjtë falin dy nafile te vendi i Ibrahimit.
  • Pas tevafit, vijnë në Safa dhe, duke qëndruar në drejtim të Qabesë e duke ngritur duart, bëjnë lutje, thonë telbija e i dërgojnë selavate të Dërguarit të Allahuts.a.v.s.. Pastaj shkojnë në Marva dhe edhe atje bëjnë të njëjtën gjë. Kjo konsiderohet një ecje midis kodrave të Safasë dhe Marvas. Pastaj nga Marva, shkojnë prapë te Safa për ta plotësuar ecjen e dytë dhe kështu bëjnë shtat ecje, që do të përfundojnë në Marva. Këto shtat ecje quhen Sa’i. Pas saisë, haxhinjtë janë të lirë për atë ditë.
  • Më 8 dhulhaxha duhet të shkojnë në Mina, ku të falin namazet e drekës, ikindisë, akshamit dhe të jacisë. Ata gjithashtu falin edhe namazin e sabahut të datës 9.
  • Atë ditë, në mëngjes, haxhinjtë nisen për në Arafat, që ndodhet afërsisht 15 km larg në juglindje të Mekës. Nga dreka deri në aksham qëndrojnë në fushën e Arafatit. Kjo është një pjesë e rëndësishme e haxhit. Nëse për ndonjë arsye, nuk realizohet kjo pjesë, atëherë haxhi nuk mund quhet i kryer. Arafati është ajo fushë e bekuar, ku Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. kishte mbajtur fjalimin lamtumirës.
  • Pas perëndimit të diellit, haxhinjtë shkojnë nga Arafati në Muzdalfa ku falin namazet e akshamit dhe të jacisë dhe natën atje e kalojnë. Në Kuranin Famëlartë, Muzdalfa është quajtur monumenti i shenjtë (El-Mash’eral Haram)
  • Me 10 dhulhaxha, haxhinjtë mbërrijnë në Mina. Kjo do të jetë dita më e angazhuar e tyre. Në Mina, ata së pari u hedhin gurë të vegjël tri shtyllave të caktuara, që është një akt simbolik për ta goditur shejtanin. Ky quhet ramji el-xhimar.
  • Po me datën 10 dhulhaxha, haxhinjtë bëjnë kurban. Me 10 dhulhaxha, besimtarët muslimanë festojnë Kurban Bajramin në të gjithë botën. Por haxhinjtë atë ditë nuk falin faljen e bajramit.
  • Pas bërjes së Kurbanit, ata qethen, pas së cilës ata mund ta heqin Ihramin dhe të veshin rroba të tyre të zakonshme. Duhet sqaruar se gratë nuk duhet të qethin kokën tërësisht, por u mjafton të presin vetëm disa flokë me gërshërë.
  • Ata vijnë nga Mina në Qabe dhe i bëjnë tevaf Shtëpisë së Allahut. Edhe ky tevaf është një pjesë kryesore e haxhit, i cili quhet tevaf zijara ose tevaf ifada. Pas këtij tevafi, haxhinjve u lejohen të gjitha ato gjëra, që ishin të ndaluara për shkak të ihramit apo haxhit.
  • Para se të përfundojë dita e 10 dhulhaxha, haxhinjtë bëjnë edhe një ecje (sa’i) midis kodrave Safa dhe Marvah.
  • Pas tevafit, haxhinjtë përsëri kthehen në Mina ku do të qëndrojnë deri më datën 12 ose 13 të muajit dhulhaxha. Gjatë këtyre dy ose tri ditëve, ata përsëri bëjnë ceremoninë e hedhjes së gurëve.
  • Në Mina janë tri xhumrah:  xhumratul ula, xhumratul vusta dhe xhumratul ukba, që më përpara kanë qenë në formë shkëmbinjsh të vegjël, por tani janë si shtyllat. Më 11 dhulhaxha, pasdreke, haxhinjtë u hedhin gurë këtyre xhumrave radhazi. Çdonjërës i hedhin nga shtatë gurë. Ky quhet ramji. Edhe më 12 dhulhaxha, haxhinjtë bëjnë ramjin në të njëjtën mënyrë, pastaj ata janë të lejuar të qëndrojnë edhe në 13 dhulhaxha, po për të bërë ramjin ose, siç thotë Kurani Famëlartë:

“Ai që ngutet dhe rri vetëm dy ditë (në Mina), nuk bën gjynah, gjithashtu edhe ai që rri më shumë nuk bën gjynah”. (El-Bekare 2:204)

  • Pasi të lirohen nga ramji, më 12 dhulhaxha (për ata që kanë qëndruar vetëm dy ditë në Mina) ose më 13 dhulhaxha, haxhinjtë kthehen prapë në Mekë për t’i bërë tevaf Qabesë, tevaf ky për ata që nuk janë banorë të Mekës dhe dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre. Ky tevaf quhet tevafus sedrr ose tevaful vida’, d.m.th. tevaf lamtumirës.

Edhe pse nuk janë pjesë të haxhit, haxhinjtë pinë ujin e Zemzemit dhe shkojnë në qytetin Medinë për ta vizituar Xhaminë dhe varrin e bekuar të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

Siç e thamë lart që haxhi kryhet vetëm në ditët e caktuara, ndërsa Umra mund të bëhet në çdo kohë.

 

 

Faqe: 1 2 3 4 5