Dashuria ndaj Zotit, mbi të gjitha dashuritë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Libri “Udhëtim drejt dritës dhe dashurisë” nga Bujar Ramaj, i paraqitur mbi një tavolinë në një ambient të ngrohtë leximi.

Zoti thotë në Kuranin e Shenjtë:

“Unë i kam krijuar xhindet dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë.”.[1]

Ky qëllim i krijimit të njeriut nga Zoti, në fillim të duket si i pakuptimtë, pasi mendon se Zoti është i Vetëmjaftueshëm dhe s’ka nevojë për asgjë. Mirëpo, kur thellohesh më tej, kupton se brenda këtij misioni të njeriut në këtë botë zbulohet ideja gjeniale e kuptimit të jetës dhe e raportit të saj me: adhurimin, dashurinë dhe lirinë. Sipas mësimit kuranor, dashuria dhe adhurimi i parë i takon Zotit, Krijuesit të qiejve, tokës dhe çka midis tyre, në të kundërt do të jeni skllevër të asaj çka adhuroni, duke krijuar idhuj të rremë, të cilët të çojnë në përfundime tragjike.

Në përgjithësi, njeriu i krijon idhujt e tij, objektin e adhurimit sipas stadeve të jetës. Kështu, në fëmijëri adhuron ose bie në dashuri me prindërit dhe natyrën. Në adoleshencë lulëzojnë me vrull instinktet që tentojnë të bëjnë idhuj seksin, pijet alkoolike, drogën, muzikën, lojërat dhe lojtarët, artistët. Në rini, idhujt marrin formën e femrës ose të mashkullit. Më vonë adhuron fëmijët, pasurinë dhe pushtetin. Në fund, nëse zemra e njeriut nuk është pushtuar nga besimi, atëherë njeriu adhuron jetën e kësaj bote duke ngelur peng i saj. Nëse njeriu, gjatë këtij udhëtimi jetësor, bëhet peng i këtyre adhurimeve, ai kthehet tragjik kur idhulli i adhurimit, vdes ose zhduket. Sigurisht që, në të gjitha këto adhurime, njeriu ndihet i lumtur përkohësisht, duke shpresuar se në to do të gjejë kënaqësinë dhe lumturinë e përhershme. Kur nuk e gjen atë, ai bie në pesimizëm, trishtim e deri në vetëflijim. Më mirë se askush tjetër këtë temë e ka trajtuar Shekspiri i madh, i cili, në veprat e tij, hedh idenë se: “Nëse adhuron diçka mbi Perëndinë, atëherë fundi është tragjik”. Kështu, Hamleti adhuroi babanë mbi Zotin dhe pati fund tragjik; Romeo e Zhuljeta adhuruan njëri-tjetrin dhe fundi i tyre ishte tragjik; Makbethi adhuroi pushtetin dhe fundi i tij ishte tragjik; edhe Mbreti Lir adhuroi fëmijët e tij dhe që të gjithë përfunduan tragjikisht.

Për të shpëtuar nga të gjithë këta vargonj të përkohshëm, që e bëjnë njeriun skllav të tyre, Zoti ndërhyn duke i afruar njeriut shpëtimin prej idhujve me dashurinë e përjetshme të Tij. Kjo dashuri i jep njeriut ndjenjën e përjetësisë, e bën të lirë nga vargonjtë e idhujve tokësorë, duke i dhënë një përmasë pafundësie dhe drite të veçantë, një ndjenjë optimizmi e shprese kuptimplote, që nuk e jep dot as shkenca, as sociologjia, as politika, as pasuria dhe as pushteti. Ata njerëz, të cilët kanë provuar shijimin e dashurisë së Zotit, e kuptojnë se adhurimet e tjera janë si shkëndija lumturie të fragmentizuara para kënaqësisë dhe lumturisë së përjetshme që të jep adhurimi i Krijuesit.

Kur i afrohesh adhurimit e dashurisë së Zotit ndodh një fenomen i habitshëm në qenien njerëzore: të gjitha mëkatet dhe pasionet e kësaj bote bien si gjethet e pemës dhe kupton se lehtësohesh nga barra e tërheqjes së tyre, duke u ndriçuar nga drita e ëmbël dhe dehëse e Zotit. Kjo quhet nënshtrim, vrasje e unit, e egos, e nefesit, rilindje dhe përsosje. Ky përjetim është real për një besimtar dhe iluzion dhe gati mashtrim për një mosbesimtar.

Mesihu i Premtuar a.s. thekson:

“Nëse dikush e do dikë me gjithë shpirt, atëherë ai sikur e thith apo e kapërdin atë, pra i përngjan plotësisht moralit dhe sjelljes së tij. Sa më e flaktë të jetë kjo dashuri, aq më shumë tërhiqet njeriu pas vetive të të dashurit të tij, derisa shëmbëllehet me pamjen e tij. Ky është ai mister që njeriu, i cili i afrohet Zotit dhe jepet pas dashurisë së tij, e përfton prej dritës që rrezaton qenia e Zotit, sipas aftësisë së vet sipas shëmbëllimit… Njeriu kur u përngjan vetive të Zotit, përfiton edhe dritën e Zotit”.[2]

“Njeriu kur e asgjëson veten në dashurinë e Zotit të Lartësuar, atëherë kjo vdekje i jep një jetë të re. A nuk po kuptoni se edhe dashuria është zjarri, edhe mëkati është zjarri. Ndërsa zjarri i dashurisë së Zotit, e përpin zjarrin e mëkatit, dhe ky është thelbi i shpëtimit”.[3]

Ky konceptim i dashurisë, si një tërheqje midis dy qenieve e më gjerë, na barazon gravitacionin dhe forcat e tjera tërheqëse si efekt të dashurisë. Kështu atomi tërheq elektronin me dashuri të veçantë. Toka e tërheq gjithë krijimin e saj drejt vetes si një nënë e dashur, duke përfshirë njerëzit, kafshët, zogjtë, frutat, gurët dhe ujin. Dielli i tërheq me një dashuri të fshehur planetët e tij në orbita të caktuar. Galaktika tërheq yjet e kështu në pafundësi, ku tërheqja ose dashuria e madhe bëhet nga Krijuesi, pra dashuria dhe tërheqja kanë afinitet. Shkenca e emërton këtë me emrin tërheqje ose gravitet, kurse feja e emërton si dashuri.

Por, në Kuran, gjendet shpjegim më i thellë se pse e ka nënshtruar çdo gjë në qiej dhe në tokë për njeriun dhe pse qëllimi i krijimit të njeriut është adhurimi vetëm i Zotit. Sipas Kuranit, Zoti ka qëllim përsosjen e njeriut dhe fitimin e përjetësisë, që është dhe rruga më e vështirë dhe që mundet të ndiqet vetëm nga një besimtar mjaft i devotshëm, i cili duhet të zbatojë shtatëqind urdhëresat që janë në Kuran dhe të ndjekë modelin më të përsosur të vulës së gjithë profetëve, pra, atë të Profetit Muhammed a.s.:

“Unë i kam krijuar xhindet dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë.”.[4]

Dhe në një ajet tjetër:

“Ne do t’ua heqim çfarëdo urrejtje (qoftë) në kraharorët e tyre.”.[5]

Pra, Zoti do t’i shpërblejë me dhuntitë e Veta ata që besuan dhe bënë vepra të mira, dhe urrejtjen do t’ua zëvendësojë me dashuri. Albert Ajnshtajni, në letrën, të cilën thuhet se ia dërgoi vajzës së tij, Lieserl, (letër, autenticiteti i së cilës mbetet i diskutueshëm) shkruan një mesazh që, pavarësisht debatit, mbetet i goditur dhe domethënës:

“Ekziston një fuqi shumë e fuqishme për të cilën shkenca nuk ka gjetur deri tani një shpjegim formal. Është një forcë që vepron në univers e që nuk është përcaktuar akoma nga ne, që: kupton, përfshin e rregullon të gjitha të tjerat e që është mbrapa çdo fenomeni. Dashuria shpaloset dhe zbulon. Për dashurinë jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuri. Kjo forcë është Dashuria. Dashuria është dritë që ndriçon atë që e jep dhe atë që e merr. Dashuria është gravitet tërheqës midis njëri-tjetrit. Dashuria është energji, pushtet, sepse shumëzon të mirën te  ne duke ndalur njerëzimin nga shtegu qorr i egoizmit. Dashuria zbulon vellon e mistereve. Për dashuri ia vlen të jetohet e të vdesësh.

Kjo forcë zbulon të gjitha kuptimet e mëdha të jetës, është esenca e saj. Kjo është mundësia që e kemi injoruar ndoshta nga një lloj frike, por dashuria është e vetmja forcë dhe energji e Universit që njeriu akoma nuk e ka mësuar ta përdor në qëllim të tij… Nëse duam që specia jonë të mbijetojë, nëse duam t’i japim kuptim jetës, nëse duam ta shpëtojmë botën dhe çdo qenie që kërkon strehim në këtë planet, dashuria është zgjidhja e vetme.

Ndoshta nuk jemi akoma gati të fabrikojmë një bombë atomike të dashurisë për të shkatërruar të gjithë urrejtjen, lakminë, egoizmin, zilinë që po e mbysin planetin tonë. Të gjithë ne kemi brenda nesh një gjenerator të energjisë universale me emrin dashuri, të cilën duhet ta vëmë në funksion dhe, kur ta vëmë në funksion, atëherë do të kuptojmë që dashuria fiton gjithçka…

Babai juaj, Albert Ajnshtajn”.[6]

Kur adhurojmë e dashurojmë Zotin, ne ndiejmë përjetësinë dhe kuptojmë që ky adhurim është domosdoshmëri për përsosjen tonë dhe asgjë për Krijuesin, i Cili nuk ka nevojë për asgjë. Ai është i Vetëmjaftueshëm. Krijuesi, me këtë mesazh hyjnor, na tregon qëllimin e kësaj jete dhe pse-në e krijimit të gjithësisë. Lum ai që e kupton dhe e shijon këtë ndjesi! Kur kuptova këtë qëllim të krijimit tonë si njeri, i shtova të gjitha përpjekjet e mia që të isha plotësisht i zoti; në dashurinë ndaj Tij, në sjellje, në zbatimin e urdhëresave hyjnore, në bindje, në sprovat dhe sakrificat. Sa më shumë që bëja përpjekje, aq më shumë ndieja që po futesha në një dimension tjetër, plot dritë, i mbrojtur, i dashuruar me Krijuesin, aq sa nuk mund të jetoja pa Zotin. Qëllimi im ishte vetëm Ai. Profeti Muhammed a.s. thekson:

“Veprat varen prej qëllimeve”.[7]

Ndërsa në një thënie tjetër, Profeti a.s. raporton që Zoti i Madhërsihëm ka thënë:

“Unë i shpall luftë atij që armiqësohet me mikun Tim. Gjërat më të dashura, me të cilat robi Im më afrohet Mua, janë ato që ia kam urdhëruar atij; dhe robi Im vazhdon të më afrohet Mua duke kryer veprat shtesë (nafile, vullnetare), derisa Unë ta dua atë. E kur ta dua atë, Unë bëhem veshi i tij, me të cilin ai dëgjon; bëhem syri i tij, me të cilin ai sheh; bëhem dora e tij, me të cilën ai prek; bëhem këmba e tij, me të cilën ai ecën. Kur ai Më kërkon diçka, ia jap. Kur Më kërkon mbrojtje nga djalli ose nga armiku, e mbroj”.[8]

Miq të mitë, unë e kam shijuar dhe provuar efektin e kësaj porosie të Profetit Muhammed s.a.v.s., që është niveli më i lartë i kënaqësisë dhe i dashurisë.

Lum ai që e kupton dhe e shijon këtë!

Referenca

[1] Kurani i Shenjtë, 51:57.

[2] Mirza Ghulam Ahmad, “Nurul-Hak”, pjesa II, “Ruhani Khazain”, vëllimi IX, fq. 430. Sajti: https://www.ahmadiyya-islam.org/al/fjalimet-e-xhumave/2014/04/04/2014-04-04/, qasja e fundit: 26.10.2019, ora: 20:50.

[3] Mirza Ghulam Ahmad, “Qadian kay Ariya Aur Hum”, “Ruhani Khazain”, vëllimi XX, fq. 448.

[4] Kurani i Shenjtë, 51:57.

[5] Kurani i Shenjtë, 15:48.

[6] Sajti: http://www.mpasceri.it/sito/racconti/lettera_di_a-einstein_alla_figlia.asp, qasja e fundit: 27.10.2019, ora: 10:20.

[7] Sahih el-Buhari, kitab “Bede’el vahj”, bab “Kejfe bede’e-l-vahju ila resulull-llah s.a.v.s.”, hadithi nr. 1

[8] Sahih el-Buhari, hadithi nr. 6502.

Keni pyetje?
Shpërndaje
Share via