Zoti, me mëshirën e Tij të pakufishme, nuk e la njeriun të pafat, që ai vetëm të hamendësojë se Zoti duhet të ekzistojë, por nëpërmjet zbulesës, shpalljes dhe ëndrrës, edhe e thirri për ta njohur Atë, duke e çuar në bindjen se Ai me të vërtetë ekziston. Zoti krijoi dy sisteme kryesore e të pakufishme: sistemin lëndor dhe sistemin shpirtëror, me të cilat njeriu, jo vetëm të dëshmojë ekzistencën e Zotit, por edhe ta njohë dhe ta adhurojë Atë.
Qenia njerëzore mahnitet pas sistemit lëndor: nga yjësitë e deri te miza, që nga bukuritë e begative të pafundme e deri te mrekullitë e dritës, të ujit, të tokës e të çdo krijimi tjetër që sheh dhe zbulon. Ai tërhiqet aq shumë pas këtij sistemi, si një i uritur mbi një sofër të begatshme, si mizat në mjaltë duke harruar dorën e Krijuesit.
Zoti, i Cili e dinte shumë mirë që njerëzit do të anonin nga sistemi material, në të njëjtën kohë u dërgoi sistemin spiritual, për t’u tërhequr vëmendjen që t’i shikonin të dyja krijimet, për njohjen e madhështisë së Tij dhe për ta adhuruar Atë. Prandaj, shpesh, Profetët janë cilësuar si “sihariqdhënës” dhe “alarmues”, “burim i dritës dhe i mëshirës”, për të mos i lënë njerëzit në errësirë.
Duke i njohur të dy sistemet, lëndor dhe shpirtëror, dhe duke zbatuar udhëzimet që vinin nga sistemi spiritual, njeriu do të shikonte me dy sy e nuk do të gabonte. Këtë e kupton më mirë shpirti njerëzor. “Bota spirituale dhe materiale takohen në qendër të universit ku është shpirti”, thotë Ibni Arabiu.[1] Ndërsa Imami i kohës, në librin “Filozofia e mësimeve të islamit”, pohon:
“… njeriu është një mikrokozmos, në të cilin është gdhendur skema e të gjithë kozmosit.”[2]
Pra, te njeriu janë të bashkuara edhe bota lëndore, edhe bota shpirtërore, duke krijuar jetën ose skemën e gjithë kozmosit. Njeriut i është dhënë nga Krijuesi statusi më i lartë, si perceptues i të dy botëve, shpirtërore dhe lëndore, si ura lidhëse e së jashtmes me të brendshmen (fizika klasike me atë kuantike), si niveli më i lartë i zbatimit të harmonisë të të gjitha ligjeve brenda qenies së tij, një vëzhgues me vetëdije dhe me fat. Përfundimisht, që të kuptojmë tërësinë e botës, duhet të kuptojmë kodin njerëzor ku gjendet dhe kodi kozmik.
Problemi është, si të njihet e të zbërthehet ky kod kozmik? Në enigmën e këtij kodi kozmik njeriu ndoshta është pasqyra ku Autori, që e ka krijuar këtë projekt, do të japë diçka nga autorësia dhe konturet e mesazhit hyjnor.
Ajo që kam vënë re nga studimet mbi shkencën dhe Kuranin, që sigurisht janë të kufizuara, është se shkenca shpesh ka hedhur poshtë ose ka vetëkorrigjuar disa teori me kalimin e kohës, ndërsa në Kuran nuk ka asnjë kundërthënie dhe se vërtetësia e tij zmadhohet sa më shumë që kalojnë vitet:
“Ne do t’ju bëjmë të mundshme që të shohin Shenjat Tona në të gjitha horizontet, si dhe në vetveten e tyre derisa t’u bëhet e qartë se ky (Kuran) është i vërtetë”.[3]
Kjo profeci kuranore po vërtetohet në gjithë shtrirjen e shekujve që kanë kaluar, në këtë që po jetojmë, por deri në ditën e Kiametit. Sa më shumë që shkenca zbulon mbi gjithësinë, ajo u afrohet më shumë parashikimeve të Kuranit të Shenjtë.
Dr. Maurice Bucaille[4], në veprën e tij madhështore “The Bible, the Quran and Science”, ka pranuar shprehimisht:
“Nuk ekziston as më i vogli kundërshtim ndërmjet teksteve kuranore që kanë të bëjnë me krijimin, dhe njohurive bashkëkohore mbi formimin e gjithësisë”.[5]
Të jepet përshtypja se shkenca dhe Kurani janë dy gjuhë të ndryshme që flasin për të njëjtën histori. Gjersa shkenca zbulon e përgjigjet, Kurani i ka brenda pyetjet e nënkuptuara që mundohet t’i zbulojë shkenca. Kështu, nëse Zoti në Kuran, thotë:
“Një ditë tek Unë është sa një mijë vjet tek ju”[6],
shkenca i dha përgjigje me teorinë e Relativitetit, nëse ecim me shpejtësinë e dritës. Kurani i Shenjtë, në përgjithësi, nuk merret me detaje mbi shkencën dhe sistemet në fushat e ndryshme. E veçanta te ky libër hyjnor është se ai i trajton gjërat në evoluim, për të mos pasur asnjëherë mospërputhje në kohë dhe në hapësirë. Por në thelb, Kurani na mëson se shkenca dhe spiritualiteti duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të zbuluar të vërtetën:
“Andaj, përqendro vëmendjen tënde për fenë (e Allahut) duke qenë tërësisht i anuar (nga Ai). (Ndiq) natyrën e Allahut në të cilën Ai i krijoi njerëzit. Nuk ka ndryshim në krijimin e Allahut” [7]
Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Imam Mehdiu a.s. duke e shpjeguar këtë ajet, pohon:
“… ky ajet tregon se muslimani është porositur të ndjekë të dyja ligjësitë, edhe Librin e shenjtë (Sheriatin) që ka ligje, edhe “librin” e natyrës që është vepër e Zotit, dhe të mos nxitohet për të marrë një vendim të prerë për Librin e shenjtë, pa pasur një dëshmi edhe nga libri i natyrës. Kështu që, muslimani i përsosur është ai që i ndjek të dy “librat” dhe që sheh me të dy sytë. Muslimani i tillë gjithmonë do të jetë në rrugën e drejtë dhe askush nuk mund ta devijojë dot atë.” [8]
I tillë është dhe kuptimi i shkencës kuantike, sidomos në fushat e kibernetikës dhe i sistemit digjital, ku natyrshëm dalin pyetjet:
Si ka zbritur në zemrën e Profetit të Islamit, të pashkolluar, në shkretëtirën e Arabisë, një libër me 114 kapituj dhe rreth tetëdhjetë mijë fjalë. Çfarë lloj mjeti komunikimi ka qenë midis Krijuesit të padukshëm dhe Profetit? Po engjëjt si ndërveprojnë me njerëzit? Po me lutjet, si komunikohet me Zotin dhe si realizohen ato? Po djalli si cyt në zemrat e njerëzve? Vetëm me daljen e fizikës kuantike u jepet përgjigje këtyre pyetjeve e sidomos me studimin e fenomeneve të dritës, por që Kurani i ka të nënkuptuara përgjigjet dhjetëra shekuj më parë për këto fenomene. Prandaj dhe është mrekulli.
Për të kuptuar se çfarë ndodh pas vdekjes, është një fushë, për të cilën shkenca nuk jep asnjë përgjigje, ndërsa religjioni jep detaje se ku shkojmë dhe se cilat janë dëshmitë në ditën kur do të gjykohemi me drejtësi absolute. Zoti e zbulon mënyrën e paraqitjes së dëshmisë tokësore në rreshtat dhe kodet kuranore; me video, me shkrime, me regjistrime audiovizive, me dëshmitë nga dora, këmba, floku, lëkura, që për kohën kur u shpall Kurani, 1500 vjet më parë, ishin të pakonceptueshme për mendjen njerëzore. Por, sot në botën virtuale, janë shumë të qarta. Habia i kapërcen kufijtë e arsyes, kur kuptojmë se jemi në një mbikëqyrje të vazhdueshme nga të gjitha mjetet që përdor Zoti, për të na bindur në ditën e Gjykimit, me dëshmitë e veprimeve tona në jetën tokësore, tashmë si një film real. Po citojmë disa nga format dhe mjetet që na paraqet Kurani, të cilat sot përdoren nëpërmjet sistemit digjital:
Zoti është në çdo bisedë që bën njeriu. Ai ka një mbikëqyrje të vazhdueshme, si kamerat digjitale që filmojnë e regjistrojnë gjithçka, dy regjistrues të përhershëm që regjistrojnë, pra me zë e me figurë. Nuk ngelet asnjë fjalë a pamje pa u regjistruar, ashtu siç bëjmë një video dhe të gjitha hidhen në një fluturake (disk, flesh, mjet ruajtës i të dhënave) që kthehet në ditën e gjykimit në një dosje të gjithë veprimtarisë sonë, por edhe mund të fluturojë, siç ne i nisim një video dikujt tjetër mijëra kilometra larg brenda fragmentit të sekondës. (Pas 1500 vitesh nga shpallja e Kuranit, sot po përdoren me sukses këto metoda në hetimet dhe gjykimet e njerëzve në sistemet e drejtësisë dhe në atë të komunikimit). Akoma më e habitshme, është sesi Kurani parashikon mjete më të sofistikuara e të zhvilluara, me të cilat punon sot shkenca, me kompjuterët kuantikë, të cilët do të punojnë dhe me fuqinë e mendjes. Por, le të citojmë disa rreshta nga Kurani i Shenjtë:
“A nuk e ke parë që Allahu di gjithçka që është në qiej dhe gjithçka që është në tokë?! Nuk bëhet ndonjë bisedë e fshehtë mes tre (njerëzve), që Ai të mos jetë i katërti i tyre; as mes pesë vetash, që Ai të mos jetë i gjashti i tyre; e as më pak e as më shumë se kaq, që Ai të mos jetë me ta kudo që të jenë ata. Pastaj, Ditën e Kiametit, Ai do t’i informojë për atë që bënin. Sigurisht, Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.”[9]
“Kujdes! E vërteta është se Gjykimin ju e quajtët gënjeshtër. Kurse mbi ju qëndrojnë mbikëqyrës, shkrues të nderuar; ata dinë gjithçka që bëni.”[10]
“Sigurisht, Ne e krijuam njeriun dhe e dimë edhe atë që i pëshpërit vetja e tij. Dhe Ne jemi më afër tij sesa damari i qafës. Kur dy regjistrues (engjëj), regjistrojnë gjithçka duke qëndruar në të djathtë dhe në të majtë (të njeriut). (Njeriu) nuk shqipton ndonjë fjalë, pa pasur pranë një vëzhgues të gatshëm (që ia shënon fjalën).”[11]
“Çdo njeriu i lidhëm dosjen e veprave të tij (fluturaken) në qafë. Atë do t’ia nxjerrim Ditën e Kiametit si një Libër, që ai do ta gjejë të hapur.”[12]
“Atij nuk i fshihet as edhe një grimcë, as në qiej e as në tokë, as ndonjë gjë më e vogël se ajo dhe as më e madhe, madje është (e shënuar) në një Libër të qartë.”[13]
Mesazhi kryesor, i cili përcillet, është drejtësia absolute dhe që Zotit nuk mund t’i fshihet asgjë, qoftë dhe thërrmija më e vogël, siç janë fotonet. Çdo gjë është nën kontrollin e Krijuesit, gjë që po vërtetohet çdo ditë nga fizika kuantike, sipas së cilës gjithësia, ne dhe gjithçka që na rrethon është një ndërthurje ndërvepruese e grimcave atomike dhe subatomike.
Nëse Zoti thotë:
“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë”,[14]
shkenca për shumë vite është përpjekur që ta zbulonte, se a zgjerohej gjithësia apo ishte statike? Në fund zbuloi që ajo po zgjerohet.
Zoti thotë:
“Ata që mohuan, a nuk e kanë parë se qiejt dhe toka kanë qenë të mbyllura dhe Ne i hapëm ato dhe çdo gjë të gjallë krijuam përmes ujit?! A nuk besojnë?!”,[15]
Hapi i parë i krijimit, siç përmendet në Kuran, ngjan shumë me atë që quhet Big Beng, të cilin Kurani e përshkruan këtu në ajetin që cituam. Pastaj, për një mbyllje në formën e një vrime të zezë, pohon:
“Ditën kur Ne do ta palosim qiellin, siç dorëshkrimet palosen rrotull (boshtit). Ashtu siç e nisëm krijimin e parë, Ne do ta përsërisim atë. Është një premtim që kemi marrë përsipër. Ne patjetër do ta bëjmë këtë.”[16]
Mesazhi i qartë i këtij ajeti është se universi nuk është i përjetshëm, që shkenca po e pohon shpesh. Fundi dhe ripërtëritja e krijimit, sipas Kuranit, do të vijojë. Megjithatë, në kozmologji diskutohen skenarë të ndryshëm për të ardhmen e universit.
Mendoj se, nëse shkenca do t’i kishte marrë në konsideratë shumë të dhëna nga Kurani që i ka thënë 15 shekuj më parë, progresi do të ishte shumë më përpara.
Debati i vazhdueshëm është te krijimi, pasi shkenca ka ngelur në pikën e krijimit, duke shtruar pyetjen se: cilat kanë qenë ligjësitë në momentin e krijimit të gjithësisë? Ajo shpesh kalon nga rastësia dhe shpesh thotë se mund të ketë një ndërhyrje hyjnore. Në këtë lojë futet edhe filozofia, duke anuar më shumë nga ateizmi, por ideja e rastësisë në krijim po braktiset gjithmonë e më shumë, duke e lënë shkencën dhe filozofinë të ngatërrohen me idetë e tyre në pamundësi të një zbulimi eksperimental.
Mendoj se fizika kuantike do ta shpjerë jo vetëm shkencën, por dhe filozofinë drejt pranimit të një Krijuesi. Kjo do të lehtësojë shumë ngërçin që ka mbërthyer sot shoqëritë ateiste që kanë devijuar njerëzimin në rrugën e shkatërrimit të pashmangshëm. Shkenca vazhdon të mundohet nga pyetjet:
- “Nga kemi ardhur ne dhe gjithësia?”
- “Pse ligjet e fizikës janë kalibruar kaq saktë sa të bëjnë të mundur ekzistencën e jetës?”
- “Pse Relativiteti i Ajnshtajnit është i papajtueshëm me mekanikën kuantike?”
- “Cilat ishin ligjësitë para krijimit të gjithësisë”
- “Pse jemi këtu dhe cili është qëllimi i krijimit tonë?”
- “Çfarë ndodh pas vdekjes?”
- “A ka shpirti mision jashtë kësaj jete?”
Këto pyetje i gjejmë të zgjidhura në Kuran, por që shkenca i ka të vështira t’i pranojë brenda kufijve të arsyes dhe të eksperimentit. Mendoj se shkenca e shmang rolin e Zotit si Projektues, Krijues, Sundues i gjithçkaje, dhe si shkaku i të gjitha shkaqeve, njëkohësisht duke pritur ta zgjidhë edhe “teorinë e gjithçkaje”. Por, problem është se vizioni mbi botën lëndore ka të meta, kur nuk u jepet përgjigje pyetjeve mjaft të rëndësishme që theksuam më lart, duke krijuar mister dhe formula të pashpjegueshme, të cilat e çojnë njeriun drejt ateizmit.
Në librin “Biocentrism”, thuhet:
“Shmangia apo spostimi për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve të thella dhe bazike ia ka lënë këtë territor historikisht fesë, e cila ka shkëlqyer aty. Çdo njeri me mend e ka ditur gjithmonë se në vijën fundore të fushës së lojës gjendet një mister i pakapërcyeshëm, dhe se nuk ekziston ende një mënyrë për ta kapërcyer atë. Pra, kur ne i shmangim shpjegimet, proceset dhe kauzat që i paraprijnë shkakut të mëpasmë, ne themi, ‘E bëri Zoti.’ Evokimi i një perëndie ishte një kërkesë thelbësore: ai i jepte mundësi kërkimit të arrinte në një lloj përfundimi të pranuar nga të gjithë. Jo më shumë se një shekull më parë tekstet shkencore e citonin rëndom zotin dhe “Lavdinë e Zotit”, sa herë që arrinin te pjesët vërtet të thella dhe pa përgjigje të çështjeve në fjalë.”[17]
Shkenca dhe spiritualiteti janë dy këndvështrime mbi këtë univers mahnitës dhe që shkenca kohët e fundit po futet gjithmonë e më shpesh në zonën e spiritualitetit. Nëse shkenca bazohet vetëm në fakte dhe eksperimente, feja bazohet dhe shprehet se diçka është e vërtetë kur ajo përjetohet personalisht duke pranuar me bindje; se Krijuesi është shkaku i të gjithë shkaqeve. Sipas meje, dy janë problemet që ka Kurani me shkencën, të cilët ndoshta mund t’i përputhë ose t’i zbulojë koha:
Së pari, sipas Kuranit, ekzistojnë shtatë gjithësi. Ne jetojmë në gjithësinë e parë. Sipas Teorisë së Relativitetit të Përgjithshëm nuk mund të flitet për hapësirë dhe kohë jashtë kufijve të gjithësisë dhe nëse shkenca do ta vërtetojë këtë të vërtetë të Kuranit, e ka të lehtë dhe të përcaktojë se cilat kanë qenë ligjësitë mbi kohën dhe hapësirën në çastin e shpërthimit të Big Beng-ut. Ajo, për çka po debaton sot shkenca dhe që zbulimet janë në favor të këtij debati, është se gjithësia jonë zgjerohet me një raport që ruan ekuilibrin e forcave tërheqëse dhe shtytëse në mënyrë të përsosur dhe se ky zgjerim ka një kufi, i cili do ta kalojë gjithësinë në një gjendje tjetër tërheqëse si fillimi. Nëse pranojmë këto të reja të shkencës, lind pyetja: “Çka përtej kësaj gjithësie?” Shkencëtari Robert Lanza, në kapitullin 17 të librit “Biocentrism” shprehet:
“Big Beng (Shpërthimi i Madh) do të thotë se universi lindi, dhe se një ditë duhet të vdesë ndonëse askush nuk e di nëse ky Shpërthim është vetëm një nga ciklet që përsëriten pambarimisht në kohë, apo nëse krahas këtij universi ekzistojnë dhe universe të tjerë paralelë. Kështu pra, përjetësia nuk mund të kundërshtohet.”[18]
Nëse ka tjetër gjithësi, atëherë gjendet përgjigjja e pyetjes, për të cilën vuan sot shkenca: “Cilat kanë qenë ligjësitë në çastin e fillimit të Big Beng-ut, ku nis koncepti kohë dhe hapësirë që ne e përjetojmë?”
Së dyti, Kurani hedh idenë për shpejtësi më të madhe se shpejtësia e dritës, kur thotë se manifestimi i Zotit është “dritë mbi dritë” (Kurani i Shenjtë 24:36), koncept ky që nuk pranohet nga arsyeja, pasi vetë arsyeja është produkt për konceptimin e botës si materie, brenda shpejtësisë së dritës dhe brenda ligjeve të kësaj gjithësie. Pra, materia ekziston brenda kufirit të shpejtësisë së dritës dhe vetë kufiri i shpejtësisë së dritës është fundi i materies (pasi drita është shpirti i materies) njëkohësisht fillimi i një të reje, njësoj si shpirti (drita e trupit) në momentin e vdekjes së njeriut është fundi dhe fillimi i një jete tjetër.
Sipas Albert Ajnshtajnit, shpejtësia e dritës në vakum është kufiri absolut i çdo ndikimi fizik. Nga ky postulat rrjedh se koha nuk është absolute, por varet nga lëvizja e sistemit referues, dhe për shpejtësi që afrohen me shpejtësinë e dritës ajo zgjatet pa kufi.[19]
Kjo tregon se ka materie ose gjendje që nuk kanë përmasat e kësaj kohe dhe hapësire që është mbi shpejtësinë e dritës ose grimca ndarëse që ecin mbi shpejtësinë e dritës. Kapërcimi i shpejtësisë së dritës na nxjerr jashtë, nga bota materiale në atë spirituale, në botën kuantike. Ne ndodhemi në botën materiale sa kohë që nuk kapërcejmë shpejtësinë e dritës. Ndoshta shkenca nuk mund ta pranojë këtë, pasi në teorinë e Relativitetit të Ajnshtajnit deklarohet se nuk ka materie që ecën mbi këtë shpejtësi, megjithëse kohët fundit shkenca e ka pranuar shpejtësinë mbi shpejtësinë e dritës. Kështu, në librin shkencor “Biocentrism” të Robert Lanza, në faqen 52-53, shprehet:
“Në të gjithë këtë, eksperimentet e dekadës së fundit duken vërtet të demonstrojnë se këmbëngulja e Ajshtajnit për “vendndodhjen” – që do të thotë, se asgjë nuk mund të ndikojë çfarëdo gjëje tjetër me shpejtësi më të madhe se të dritës – është e gabuar. Më tepër, entitetet që vëzhgojmë po lundrojnë në një zonë – një zonë të krijuar nga mendja, thotë biocentrizmi – që nuk kufizohet nga hapësira-kohë e jashtme, të teorizuar nga Ajnshtajni një shekull më parë.”[20]
Allahu di atë që ne nuk e dimë dhe Ai jep dituri aq sa Ai do:
“Ai e di gjithçka që është para tyre dhe gjithçka që është pas tyre. Ata nuk mund të zotërojnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai do.”[21]
Kjo përputhet me teorinë e papërcaktueshmërisë së Heisenbergut, sipas së cilës dija jonë është e kufizuar, teori që është në themel të fizikës kuantike:
“Me daljen e mekanikës kuantike kemi arritur të kuptojmë se ngjarjet nuk mund të parashikohen me saktësi absolute, por gjithmonë ngelet një shkallë e papërcaktueshmërisë”.[22]
Prof. dr. Abdus-Salami, fituesi i Çmimit Nobel në Fizikë (1979), mysliman i devotshëm, njëkohësisht e sqaron në thelb këtë parim si më poshtë:
“Ky parim i përket ekzistencës së kufizimit konceptual në njohjen tonë. Ky konfirmon p.sh. se asnjë matje fizike nuk mund të tregojë se në këtë tryezë qëndron një elektron dhe që ai është në gjendje të palëvizshme. Mund të bëhen disa prova për të zbuluar se ku ndodhet saktësisht elektroni; por këto eksperimente do të asgjësojnë çdo mundësi të gjetjes së njëhershme të pyetjes nëse elektroni është në lëvizje dhe nëse po, atëherë me çfarë shpejtësie? Njohja jonë ka një kufizim të qenësishëm që me sa duket është i dekretuar”.[23]
Në parim, kjo është ajo që Hazret Mirza Ghulam Ahmedi aludoi:
“Kjo pa dyshim është e vërtetë që nëse Ai krijoi botën me gjithë krijesat që ka, Ai duhet të ketë lënë edhe hapësirë për ndërhyrje të pafundme, ashtu siç Ai Vetë është i Pafundmë, në mënyrë që në asnjë nivel të mos shfuqizohet Zotësia e Tij.”.[24]
Në fund të shekullit 19-të, shkenca nxori nga skena Zotin, duke premtuar se të vërtetën e zbulon vetëm shkenca. Kjo erdhi dhe si pasojë e njerëzimit që po bëhej me shpejtësi shumë materialist, duke dashuruar këtë botë. Filluan zbulime shumë të rëndësishme në mjekësi, si për të mbrojtur e shëruar nga sëmundjet, por dhe për zgjatjen sa më shumë të jetës. Në të gjitha fushat e lëndës u arritën suksese në zbulime dhe në zhvillimet teknologjike. Në mënyrë të veçantë në fushën e armatimet zhvillimet ishin marramendëse, duke shkaktuar dhe dy luftëra botërore me pasoja qindra miliona njerëz të vrarë dhe shkatërrime katastrofike që vazhdojnë dhe sot. Kjo tregon se sa më shumë shkenca ndikoi në zhvillimin e botës materiale, aq më shumë u përhapën të gjitha mëkatet njerëzore. Këtë tablo e jep 130 vjet më parë Mesihu i Premtuar duke thënë:
“… epoka jonë, sa më shumë është zhvilluar nga ana materiale, aq më shumë ka rënë nga ana shpirtërore, madje shpirtrat nuk e kanë më as durimin për të ndierë vërtetësitë fisnike. Po t’i hedhim një sy të vëmendshëm gjendjes së njerëzve, do të dalim në përfundimin se një forcë shumë tërheqëse fshehtas po i ndjell ata drejt rënies, saqë ata po lëvizin çdo çast e më shumë drejt një gremine, të cilën, me fjalë të tjera, mund ta quajmë si “gjendja më e ulët”.
Aftësitë njerëzore kanë pësuar një ndryshim rrënjësor të atillë, saqë lëvdojnë e përlëvdojnë çdo gjë që u ngjan e bukur, por që është krejt e papëlqyer dhe e shëmtuar nga këndvështrimi shpirtëror. Ndërgjegjja e çdokujt e ndien fort që një forcë tërheqëse po e merr tatëpjetë. Pikërisht për shkak të ndikimeve rrënuese të këtyre tërheqjeve, një botë e tërë është shkatërruar tashmë. Njerëzit nënçmojnë e përqeshin të vërtetat fisnike, ndërsa atë që i përkushtohet sinqerisht Zotit, e quajnë naiv. Të gjithë shpirtrat që banojnë në botë duken sikur janë të kërrusur drejt tokës, thua se janë të sakatuar e të detyruar prej një tërheqjeje të fshehtë!”[25]
Kur shkenca ndeshet me mistere të pafundme të krijimit, në kërkim të shkakut të parë pohon nën zë se këtë e di Zoti. Për të justifikuar dhe mospërputhjet në fushat e ndryshme të fizikës klasike dhe të fizikës kuantike flasin për Teorinë e Gjithçkaje (TOE). Kjo teori do të bashkojë teorinë e Relativitetit të Përgjithshëm me fizikën kuantike, në esencë bashkimin e katër forcave, të gravitetit, elektromagnetike, të forcës bërthamore, dhe të forcës se dobët bërthamore. Por edhe për këtë teori, në mendimin tim, duke qenë se pjesa më e madhe e shkencëtarëve kanë pasur dhe kanë prirje materialiste, ata nuk tentojnë ta gjejnë këtë te modeli i krijimit të njeriut, si unitet i shpirtit dhe trupit. Të gjithë mendimtarët shkencorë janë të mendimit se çdo qelizë e krijimit të njeriut është pjesë e një zinxhiri të pashkëputur të jetës, që në zanafillën e saj, vjen nga fara (sperma) e njeriut të parë. Po për shpirtin shkenca ngec dhe futet në një kufi të pafundmë, duke u bërë memece. Nëse shkenca do që të triumfojë, duhet të thërrasë në skenë Krijuesin, që e ka përjashtuar deri tani, pasi shkenca dhe religjioni janë dy rrugë, që na çojnë te Thesari. Në një hadith kudsi, thuhet:
“Unë isha thesar i fshehtë; vendosa të zbulohesha, andaj krijova Ademin.”
Si u krijua vetëdija (shpirti)? Kush e krijoi atë? Ky është misteri më i madh për shkencën. Këtu ndërhyn dija hyjnore:
“Ai ju krijoi nga një shpirt i vetëm, më pas prej tij bëri çiftin e tij dhe për ju zbriti tetë çifte të bagëtive.” [26]
Pra, shpirti është veti cilësore e trupit të njeriut.
“Dhe kur Zoti yt u tha engjëjve: Njëmend, Unë do të krijoj një njeri prej një balte të thatë kumbuese, prej baltës së tharmuar. Kur ta plotësoj atë dhe të fryj në të prej Shpirtit Tim, bini në sexhde për të (për t’iu nënshtruar atij).”[27]
Ashtu si në gjithë kozmosin është e gdhendur prania e Zotit, ashtu edhe në trupin e njeriut është gdhendur mikrokozmosin. Shpirti ka dy veti: një që mban lidhje unitare me trupin në çdo qelizë e grimcë; së dyti me Krijuesin që e ka krijuar. Ai ndodhet midis dy tërheqjeve: një prej dritës qiellore, dhe një tjetër prej errësirës tokësore.[28] Si rrjedhojë, ai ose merr dritë, ose futet në errësirë.
Sot shkenca, nëpërmjet fizikës kuantike, po i afrohet më shume teorisë se jeta dhe vetëdija janë çelësi për të kuptuar universin, por ata kanë hasur në vështirësinë se çfarë është vetëdija dhe si fillon ajo? Si mund të ndodhë kjo? Dhe a është kjo pyetje më pak enigmatike sesa përpjekja për të kuptuar si mund të rilindë ajo në një kohë të mëvonshme? A është vetëdija sinonim i gjithçkaje? Mendimtarët e mëdhenj të së shkuarës dhe të sotëm kanë të drejtë. Është misteri më i madh njohja e vetëdijes, para të cilit zbehet gjithçka tjetër. Vetëdija, sipas meje, ka lidhje me shpirtin, për të mos thënë se është vetë shpirti, duke na sjellë te dija e Kuranit, i cili pohon:
“Dhe të pyesin për shpirtin. Thuaj: Shpirti është prej urdhrit të Zotit tim dhe (për të) juve ju është dhënë një dije e paktë.”[29]
Sipas Kuranit, vetëdija ose shpirti është veti esenciale kozmike, që ka ardhur, nëpërmjet farës njerëzore bashkë me ADN. Në librin e tij të famshëm, “Filozofia e mësimeve të Islamit”, Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Mesih i Premtuar a.s. pohon:
“Duke iu rikthyer temës së parë, do të doja të thosha se pa dyshim është e vërtetë që shpirti është një dritë e fshehur, që përftohet në trupin e njeriut e që gatitet në mitër. Përftimi i shpirtit do të thotë se së pari qëndron i fshehur dhe i paperceptueshëm dhe pastaj shkëlqen. Pra, brumi i tij gjendet që në spermë. Sigurisht, sipas caktimit prej Zotit dhe sipas urdhrit të Tij, ai qëndron i lidhur me spermën në një pjesë misterioze. Shpirti është ai që i jep dritë spermës. Nuk mund të thuhet se ai përbën ndonjë pjesë të saj, siç janë gjymtyrët pjesë të trupit, por as nuk mund të thuhet që ai vjen nga jashtë, ose që merret nga toka dhe përzihet me brumin e spermës. Por, ai qëndron i fshehur në spermë në atë mënyrë siç zjarri gjendet në strall.”[30]
Duke qenë se shpirti është një dritë hyjnore që është fryrë nga Zoti, që është veti e Superdritës (Krijuesi), ai është sinonimi i gjithçkaje. Vetëdija dhe shpirti, mban lidhje të vazhdueshme me Zotin, pasi Ai e ka fryrë atë. Duke qenë se Zoti është Krijuesi, Sunduesi i gjithçkaje, edhe ajo që Zoti ka fryrë (shpirtin) te njeriu, është sinonim i gjithçkaje.
Te kjo dritë, te shpirti, tek vetëdija, janë të bashkuara të gjitha forcat atomike, me qëllimin final tërheqjen e dashurisë së Zotit:
Unë i kam krijuar xhindet dhe njerëzit vetëm të Më adhurojnë.”[31]
Në funksion të këtij qëllimi, Krijuesi vuri në shërbim të njeriut, nënshtroi çka është në qiell dhe në tokë. Këtu Kurani na tregon se jeta e vërtetë qëndron te shpirti, i cili është dhe produkt i trupit, i spermës.
Këtu kuptova dhe domethënien e një ëndrre, që kisha përjetuar para disa vitesh. Në datën 24 shkurt 2013, më shfaqet dikush, që më thotë se jeta e vërtetë është te grimca, te protoplazma, te shpirti, te atomi. Pastaj më bëhej një pikë që rrotullohej, duke u zvogëluar në pafundësi.
Ose shumë më parë se kjo, më 5 prill 2002, në ditën e lindjes sime, pashë në ëndërr bërthamën e një atomi dhe një vend të ndritshëm. Dikush thotë “ortodoksi”. Gjej një pllakat me kod dhe dikush ma kërkon. Ai që e kërkoi ishte si prift, ndoshta me emrin “Mejsi”. Ia jap pllakatin me kod që ndriste. Ai më falënderoi dhe më tha,
– Një ditë kjo do të vijë me vullnetin e Zotit.
Dhe një të fundit më 13 maj 2024, gjithë natën dëgjoj një thirrje
– “Kuantum Fizik, Kuantum Fizik”
dhe pastaj diçka tjetër që nuk e kuptova.
Referenca
[1] “L’Eredita” f.254.
[2] “Filozofia e mësimeve të Islamit”, Tiranë, 2019, fq. 188.
[3] Kurani i Shenjtë, 41:54
[4] Lexo: Moris Bikaj.
[5] Dr. Maurice Bucaille, “Bibla, Kur’ani dhe Shkenca”, përktheu nga boshnjakishtja: Nazim Juniku, botues: “Shpresa e Kosovës” dhe “SJRC”, pa vend dhe vit botimi, fq. 166.
[6] Kurani i Shenjtë, 22:48 dhe 32:6.
[7] Kurani i Shenjtë, 30:31.
[8] “Kurani i Shenjtë arabisht-shqip, me komentim të shkurtër”, përkthim nga Samad Ahmed Ghori, “Islam International Publications”, botues “Xhemati Musliman Ahmedia i Shqipërisë”, Tiranë, 2023, f. 687, nën ajetin 30:31.
[9] Kurani i Shenjtë, 58:8.
[10] Kurani i Shenjtë, 82:10-13.
[11] Kurani i Shenjtë, 50:17-19.
[12] Kurani i Shenjtë, 17:14.
[13] Kurani i Shenjtë, 34:5.
[14] Kurani i Shenjtë, 51:48.
[15] Kurani i Shenjtë, 21:31.
[16] Kurani i Shenjtë, 21:105. Më shumë për këtë temë, do të gjeni në librin e Hazret Mirza Tahir Ahmedit, të titulluar “Revelation, Rationality, Knowledge and Truth”.
[17] Lanza, MD, “Biocentrism”, BenBella Books, Inc. Dallas TX, USA, 2019, f. 8.
[18] Lanza, MD, “Biocentrism”, BenBella Books, Inc. Dallas TX, USA, 2019, f. 163.
[19] Einstein (1905), Annalen der Physik 17, 891–921; Einstein (1916), Relativity: The Special and the General Theory.
[20] Lanza, MD, “Biocentrism”, BenBella Books, Inc. Dallas TX, USA, 2019, f. 52-53.
[21] Kurani i Shenjtë, 2:256.
[22] Stiven. V. Hoking, libri i cituar, fq. 161.
[23] Pjesë e shkëputur nga fjalimi që u mbajt nga prof. dr. Abdus-Salami, nobelist në Fizikë, në UNESCO House të Parisit, më 27 prill të vitit 1984, pas ftesës nga organizata “Islam and the West”, botuar në shqip me titullin “Kurani Famëlartë dhe Shkenca, përputhshmëria apo konflikti?”, përkthyes: Çapajev Zera, Shahid Ahmad Butt, revista “Vërtetësia”, nr. 4, viti III, botues: “Xhemati Musliman Ahmedia i Shqipërisë”, Tiranë 2011, fq. 62-63.
[24] Mirza Ghulam Ahmed, “Bekimet e lutjes”, Tiranë, 2025, f. 38-39.
[25] Mirza Ghulam Ahmed, “Si mund të gjendet shpëtimi nga mëkati?”, Tiranë, 2014, fq. 11.
[26] Kurani i Shenjtë, 39:7.
[27] Kurani i Shenjtë, 15:29-30.
[28] Hazret Mirza Ghulam Ahmed, “Si mund të gjendet shpëtimi nga mëkati?”,
Tiranë, fq. 11 – 13.
[29] Kurani i Shenjtë, 17:86.
[30] Mirza Ghulam Ahmed, “Filozofia e mësimeve të Islamit”, Tiranë, 2019, fq. 43.
[31] Kurani i Shenjtë, 51:57.