Njeriu i pakujdesshëm në rrugën e tij jetësore, i joshur nga dhurata e jetës mbi këtë tokë, i apasionuar pas bukurive dhe kënaqësive, i revoltuar nga vështirësitë, i zemëruar nga padrejtësitë, ecën, përplaset, rrëzohet dhe prapë ngrihet, prapë rrëzohet e prapë ngrihet, niset drejt enigmës së të ardhmes, i hutuar nga fati i paparashikuar i jetës së tij, i afrohet sfondit ku shfaqen trishtueshëm portat e vdekjes. Aty ndalet, mediton, gjykon dhe, për një çast, thotë:
“Nga erdha? Ku isha? Ç’është jeta? Çfarë bëra? Si e bëra? Si iku koha? Tani që po më afrohet fundi, kush jam unë?”
Kërkon gjithandej të kapet diku, kërkon ndihmë, por askush nuk e ndihmon. Instinktivisht ngre kokën nga qielli e thërret i pavetëdijshëm: “O Zot! O Zot!” Ky është i vetmi zë i brendshëm, i natyrshëm që buron nga thellësitë që e pushtojnë qenien. Është një litar, pas të cilit kapet përpara greminës ku e ka sjellë eksperienca dhe dija e kësaj jete…
Ky është momenti kur njeriu kthen kokën mbrapa për të parë rrugën e përshkuar. Këtu nis fillimi, enigma, kodi i jetës, çelësi i të gjithë çelësave, hapi drejt njohjes së Krijuesit.
Pikërisht kjo më ndodhi mua në prag të dyzetave. As nuk mund ta mendoja se një fenomen, që kishte qenë fare i papërfillshëm për mua gjatë dyzet viteve të jetës sime, do të bëhej shkak për ndryshimin rrënjësor të jetës sime, të mënyrës së sjelljes, të menduarit, të vepruarit, të medituarit dhe të konceptuarit të botës. Nuk thonë kot se
“fati është mbreti i gjërave”.
Jeta ime dyzetvjeçare ishte një ndërthurje historish, faktesh, fatesh, njerëzish në rrafshe të ndryshme, si një film amatoresk. I teti i fëmijëve, i lindur në një datë që as babai dhe as nëna nuk e kujtonin. Nëna thoshte se e kishin zënë dhimbjet në një mëngjes të bukur të fillimit të prillit, ndërsa babai thoshte se atë ditë kishim këputur qengjat.
Pata një fëmijëri aventureske. Rrethohesha nga kuajt, delet, dhitë, lopët dhe qentë e fortë. U rrita në një fshat ku lumi, fusha, mali dhe kodra ishin pranë e pranë e të pandarë. Mosha pesëmbëdhjetëvjeçare më zuri në kryeqytetin Tiranë, në një shkollë të mesme ushtarake, ku kishte disiplinë e privim të lirisë në ekstrem. Përfundova po në një shkollë tjetër të lartë ushtarake. Pra, tetë vitet më të bukura të jetës sime i kalova gjysmë i burgosur, ku u përgatita se si duhet të vrisja njerëz e si të mbrohesha prej tyre. Përfitimi i vetëm prej shkollës ishte përgatitja e lartë fizike, të mësuarit me disiplinë dhe një kohë më se e mjaftueshme për të lexuar libra.
Kështu ngadalë-ngadalë, në një rrugëtim me plot ngritje e zbritje, gëzime e trishtime, dënime e lartësime, iu afrova moshës dyzetvjeçare, moshë në të cilën njeriu priret të bëjë një bilanc të jetës së tij, të reflektojë, të kthejë vështrimin për të parë rrugën që ka përshkruar, të nisë të kuptojë misionin që ka në këtë jetë dhe vetë kuptimin e jetës. Kjo moshë ngjan si një pushim i shkurtër i anijes kozmike “Jeta”, ku njeriu vendos t’i përkasë qiellit apo tokës. Pikërisht në këtë kohë, unë pashë një ëndërr që do të më jepte një drejtim krejt tjetër të jetës sime. Nuk i kisha vlerësuar asnjëherë ëndrrat, por prej atij momenti dhe në vazhdim ato janë bërë pjesë e jetës sime, si një antenë marrëse nga një magazinë e informacionit kozmik, i mistershëm dhe i lashtë, sa vetë bota.