100 vjetori i Xhamisë "Fazl" Xhamia e parë e Londrës
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

100 vjetori i Xhamisë “Fazl” Xhamia e parë e Londrës

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Nesër Xhemati në Mbretërinë e Bashkuar po organizon një ceremoni për të kremtuar Qindvjetorin e Xhamisë Fazl në Londër. Në këtë ceremoni, janë ftuar edhe fqinjët dhe mysafirët etj. Xhamia Fazl ka një status të veçantë në historinë e xhematit, pasi është xhamia e parë e Xhematit Ahmedia, e cila u ndërtua në vatrën e krishterimit dhe më pas pikërisht nga këtu nisi gjerësisht përhapja e mësimit të Islamit në mesin e njerëzve.

Kundërshtarët tanë na akuzojnë duke thënë se Xhemati Musliman Ahmedia është një farë e mbjellë vetë nga britanikët, por është për t’u çuditur që kjo e ashtuquajtura “farë” sot është kthyer në një pemë dhe po përhap bukurinë e Islamit dhe po u tërheq vëmendje perëndimorëve dobësitë e fesë së tyre. Është për t’u ardhur keq se ata kundërshtarë që kanë sajuar këto shpifje, nuk patën mundësinë të zhvillojnë veprimtarinë e përhapjes së fesë, në këtë mënyrë.

Historia e xhamisë së parë në Angli

Ndonëse, para se të ndërtohej xhamia Fazl në Londër, ekzistonte një xhami tjetër në Woking (Xhamia “Shah Xhehan” ndërtuar më 1889). Orientalisti i njohur Gottlieb Wilhelm Leitner, i cili kishte punuar si drejtor i Kolegjit Oriental në Lahore. (atëherë India Britanike) dhe ishte kthyer në Angli. Në 1889, ai nisi ndërtimin e kësaj xhamie në qytetin Woking. Është një rastësi e këndshme se 1889, është gjithashtu viti, në të cilin Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Mesihu i Premtuar dhe Imam Mehdiu alejhislam themeloi Xhematin Musliman Ahmedia.

Ai themeloi gjithashtu një institut të studimeve orientale në mënyrë që edhe muslimanët të fitojnë njohuri fetare si dhe të kryejnë adhurimet e tyre në xhami. Një pjesë të konsiderueshme të financimit, për ndërtimin e kësaj xhamie, kishte dhuruar mbretëresha e Bhopalit znj. Shah Xhehan, dhe xhamia mori emrin pas saj.

Rihapja e Xhamisë në Woking

Mirëpo, në vitin 1899, prof. Leitner ndërroi jetë dhe pas vdekjes së tij, kjo xhami gjithashtu u mbyll. Nuk kishte asnjëri të kujdesj për këtë xhami, dhe pikërisht në këtë kohë, në periudhën e Hazret Hakim Molana Nurudinit, Kalifit të Parë të Mesihut të Premtuar a.s., Hoxha Kamaludin sahibi mbërriti këtu. Ai bëri përpjekje të shumta që xhamia të hapej sërish dhe përfundimisht arriti ta realizonte këtë. Hazret Çaudri Zafrullah Khan sahibi ishte gjithashtu i pranishëm në momentin e hapjes së xhamisë.

Ai e njoftoi Hazret Kalifin e Parë për këtë lajm të gëzueshëm dhe i shkroi “Tashmë është themeluar një bord që do të kujdesej për çështjet e xhamisë. Unë jam emëruar mbikëqyrës i këtij bordi. Ne kemi filluar prapë namazin dhe ritet fetare në këtë xhami”. Kështu ai në fillim, fali dy rekate atje dhe bëri shumë lutje. Në këtë mënyrë, filloi namazi i rregullt në këtë xhami.

Çaudri Fateh Muhammed Sajal, misionari i parë ahmedian në Angli

Më vonë, Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi, Kalifi II r.a. u bëri thirrje anëtarëve për të dërguar misionarë në Angli, por nuk kishin fonde të mjaftueshme. Më vonë, ai dërgoi disi Çaudri Fateh Muhammad Sial sahibin dhe ai punoi bashkë me Hoxha Kamaludin sahibin për ca kohë.

Pastaj pas vdekjes së Kalifit I-rë r.a., kur Hoxha Kamaludin sahibi nuk u betua për besnikërinë ndaj Kalifit të dytë, Çaudri Fateh Muhammed Siali u nda prej tij, dhe shkoi në një vend tjetër. Ndonëse xhamia në Woking ishte padyshim xhamia e parë, por xhamia e parë që e ndërtoi një grup muslimanësh, është pikërisht Xhamia Fazl, në Londër, që ka ndërtuar Xhemati Musliman Ahmedia. Natyrisht, sot ka shumë xhami muslimane në Londër, në Angli, ose në vendet e tjera perëndimore, por Xhamia Fazl ka nderin të jetë xhamia e parë në Londër. Përpos kësaj, xhamitë që janë këtu nuk po përhapin mësimet e bukura të Islamit në botë apo në vendet perëndimore. Nuk ka xhami që përhapin mesazhin e bukur të dashurisë, paqes dhe harmonisë të Islamit, ashtu siç po kumbon nga xhamitë e Xhematit Musliman Ahmedia, dhe kjo është vetëm mëshira e Allahut të Madhëruar.

Xhamitë që shohim sot në Perëndim, janë financuar në përgjithësi nga shtetet, ose nga qeveritë e huaja muslimane. Madje edhe tani, organizatat muslimane në Angli marrim fondet nga qeveria britanike, por Xhemati Musliman Ahmedia nuk merr asnjë qindarkë nga fondet publike.

Xhamitë e xhematit: vatrat e thirrjes islame

Xhamitë e Xhematit Musliman Ahmedia dallohen nga xhamitë e tjera, pasi ata janë realizuar vetëm nga kontributet dhe sakrificat e anëtarëve, dhe me mëshirën e Allahut, tani Xhemati Musliman Ahmedia ka ndërtuar vetëm në Angli disa duzinë xhamish falë sakrificave vetëmohuese të anëtarëve. Ndërsa xhamitë e ndërtuar në Perëndim janë veç.

Sot, dua të përmbahem vetëm në xhaminë Fazl. Megjithatë, mund të kuptojmë më mirë rëndësinë e kësaj xhamie, ose mund të nxjerrim ndonjë dobi nga festimi i 100-vjetorit të saj, kur me të vërtetë hedhim hapa në përmbushjen e qëllimeve të saj. Cilat janë të drejtat e xhamisë karshi nesh: ta gjallërojmë atë me praninë tonë, të reformojmë dhe përmirësojmë veten, të rrisim dhe forcojmë lidhjen tonë me Zotin dhe të thellojmë lidhjen e brezave tanë me xhami. Duhet të kushtojmë vëmendje të veçantë ndaj përmbushjes së detyrave të Islamit.

Një musliman ahmedian nuk duhet të kënaqet e mburret vetëm me organizimin e një ceremonie, apo me zbukurimin dhe ndriçimin e xhamisë, përkundrazi duhet të jemi të përqendruar në përmbushjen e të drejtave të saj. Duhet të hedhim vështrimin ndaj historisë së saj të lavdishme e pastaj të reflektojmë në gjendjen tonë.

Përhapja e Islamit në Perëndim

Së pari, dua t’ju them se Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka folur gjerësisht rreth përhapjes së Islamit në Perëndim, dhe kjo çështje duhet të jetë thelbi i veprimtarisë sonë të përhapjes së thirrjes islame. Në lidhje me shtrirjen e Islamit në Perëndim, Mesihu i Premtuar ka përmendur një ëndërr. Ai shkruan:

“Ne gjithashtu besojmë në lindjen e diellit nga Perëndimi. Megjithatë, përmes një ëndrre, Zoti më kazbuluar se ngritja e diellit nga Perëndimi do të thotë se ato vende, të cilat ishin në mosbesim e devijim që nga lashtësia, do të ndriçohen edhe njëherë me anë të diellit të së vërtetës, dhe do të bekohen me Islamin.”

Ky shkrim i fuqishëm na bën të besojmë bindshëm se Islami do të përhapet edhe në këto vende. Pastaj, ai bëri një profeci dhe tha:

“Unë e kam parë veten në qytetin e Londrës, në një foltore, duke folur me argumente për të mbrojtur vërtetësinë e Islamit. Pastaj, kam zënë disa zogj, të cilët ishin ulur nëpër degë të disa pemëve të shkurtra. Këta zogj ishin të bardha dhe në formë, u ngjanin thëllëzave. Unë kam kuptuar nga kjo ëndërr, se ndonëse unë vetë nuk do t’i takojë ata, por shkrimet e mia do të përhapen midis këtyre njerëzve, dhe një numër i madh prej tyre do të pranojnë të vërtetën.

Përnjëmend, vendet perëndimore nuk kanë pasur deri më sot një qasje të mjaftueshme me të vërtetat shpirtërore. Duket sikur Zoti i Madhërishëm ka zgjedhur Azinë për dijen shpirtërore dhe për dijen lëndore e tokësore, ka zgjedhur Europën dhe Amerikën. Zoti zgjodhi Azinë edhe për vargun e profetëve si dhe për dhuntitë e vilajetit. Tani Zoti ka vendosur të shfaqë mëshirën e Tij ndaj këtyre popujve.”

Kjo është porosia, dëshira, lutja dhe myzhdeja e Mesihut të Premtuar a.s.. Xhemati Musliman Ahmedia duke u frymëzuar prej tyre, po përhap sot mesazhin e Islam-Ahmediatit në Angli, në Amerikë dhe në vendet e tjera perëndimore e më gjerë. Ndërtimi i xhamisë Fazl në Londër, ishte gjithashtu hallka e këtij misioni.

Misionarët e parë që punuan në Angli

Siç kam thënë edhe më parë se në fillim Hoxha Kemaludin sahibi kishte mbërritur në xhaminë e Woking-ut , por meqë ai nuk kishte bërë betimin e besnikërisë ndaj Kalifit të Dytë, Çaudri Fatih Muhammed Sijal sahibi nuk pëlqeu të bashkëpunonte me të. Ai vendosi të ndahej prej tij dhe të themelonte një tjetër qendër për përhapjen e Islam Ahmediatit. Allahu i dha edhe suksese në përpjekjet e tij. Në këtë mënyrë, mund të themi bindshëm se Çaudi Fatih Muhammed Sijal sahibi është misionari i parë i Xhematit Musliman Ahmedia i cili mbërriti në Angli. Fruti i parë i përpjekjeve të tij ishte një gazetar me emrin z. Korio, i cili pranoi Islamin, dhe pastaj më shumë se një duzinë njerëz pranuan Islam-Ahmediatin.

Çaudi Fateh Muhammad Sajal (1887-1960)

Çaudri sahibi më së shumti predikonte Islamin nëpërmjet ligjëratave. Ai mbante fjalime nëpër vende të ndryshme, nëpër klube dhe organizata të ndryshme.

Pas pak kohësh, Hazret Kalifi II r.a. thirri Çaudri Fatih Muhammed Sijal sahibin prapë në Kadijan, Indi dhe e zëvendësoi me Kadi Abdullah sahibin. Kadi sahibi ishte sahabiu i Mesihu i Premtuar a.s.. Ai punoi në rrethana shumë të vështira, pasi në atë kohë, lufta e parë botërore ishte nisur. Për të filluar punën në mënyrë të qëndrueshme, ai mori me qira një ndërtesë në Star Street. Ndërkohë, Kadi sahibi punonte këtu, Hz. Kalifi i Dytë dërgoi Hz. Mufti Muhammed Sadik sahibin në Angli, i cili punoi këtu nga 1917 deri në janar 1920.

Në 1919, ai dërgoi këtu Çaudri Fatih Muhammed Sijal sahibin dhe Molvi Abdurrahim Nejir sahibin. Ata punuan me përkushtim të plotë dhe predikuan mesazhin e Islam-Ahmedijatit anembanë vendit.

Blerja e truallit për ndërtimin e xhamisë

Në 1920, Hz. Kalifi i Dytë r.a. porositi Sijal sahibin për të blerë një truall në Angli dhe për të ndërtuar një xhami dhe një qendër për përhapjen e thirrjes së Islamit. Ata u angazhuan menjëherë me gatishmëri për ta realizuar këtë plan dhe përfundimisht u ble kjo tokë këtu në Putney kundrejt një pagese prej 2,200 sterlina britanike. Kur Hz. Kalifii i Dytë mori këtë lajm, ai ndodhej në Dalhozi. Ai organizoi menjëherë një ceremoni të madhe. Në këtë ceremoni, ai i dha xhamisë së ardhshme emrin “Fazl” dhe bëri një thirrje për mbledhjen e fondeve të nevojshme.

Çaudri Fatih Muhammed Sijal sahibi kishte blerë këtë truall nga një hebre. Trualli shtrihej në një sipërfaqe prej 4040 m2 dhe përfshinte një banesë.

Konferenca e Feve të Gjalla në Wembley, 1924

Në 1924, gjatë panairit në Wembely, disa intelektualë hodhën planin se bashkë me këtë panair ndërkombëtar, duhet organizuar një panair që hedh dritë mbi fetë botërore. Pra, duke lënë mënjanë fenë krishtere, për të cilën Perëndimi ka njohuri të thellë, duhet organizuar diçka që qytetarët të mësojnë edhe për fetë e tjera. Në këtë plan, organizatorët vendosën të ftojnë përfaqësues të feve të ndryshme, të cilët do të kumtojnë nëpër sesione të kësaj konference. Sipas planit, ata ftuan dhe Molvi Abdurrahim Derd sahibin, të mbante një ligjërim duke përfaqësuar Xhematin Musliman Ahmedia. Molvi Derd sahibi njoftoi menjëherë qendrën e Kadijanit për këtë zhvillim. Hazret Kalifi i Dytë r.a. e njoftoi se do të dërgonte një përfaqësues nga Kadijani, i cili do të mbajë një ligjëratë mbi mësimet e Islamit. Ai filloi të shkruante një temë, në të cilën shkroi cilësitë dhe dallimet e Islamit. Kjo temë u kthye tashmë në një libër voluminoz, dhe është botuar tashmë me titullin, “Ahmediati ose Islami i vërtetë”.

23 shtatori 1924 është një ditë historike në turneun evropian të Kalifit të Dytë r.a., kur traktati i tij u lexua në Konferencën e Feve në Wembley. Në këtë mënyrë, ai solli mesazhin e Islamit në kuptimin e vërtetë në Europë. Kjo ishte edhe një përmbushje e ëndrrës së Mesihut të Premtuar a.s. për mbajtjen e një fjalimi në Londër”.

Më vonë, u mblodh këshilli i Xhematit në Kadijan, në të cilin Hazret Mirza Bashir Ahmedi dhe Hazret Molvi Abdurrahim sahibi sugjeruan se Hazret Kalifi i Dytë r.a. në vend që të dërgonte ndonjë përfaqësues në këtë konferencë ndërkombëtare në Angli, duhet të merrte pjesë personalisht në të. Kështu u vendos që Hz. Kalifi i Dytë r.a. do të shoqërohej me një grup anëtarësh, dhe ata do të vizitojnë Damaskun (Sirinë), Egjiptin dhe përfundimisht do të mbërrijnë në Europë.

Itinerari i udhëtimi të Hz. Kalifit të Dytë r.a. 

Në këtë udhëtim, Hazret Kalifin e Dytë r.a. e shoqëronin gjithashtu Hazret Çaudi Zafrullah Khan sahibi dhe Hz. Mirza Sherif Ahmed sahibi r.a., të cilët kishin ndërmarrë këtë udhëtim me harxhime të veta. Po ashtu, Hz. Kalifi i Dytë r.a. kishte udhëtuar me shpenzimet e tij.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. në fillim mbërriti në Damask, pastaj ai u ndal në Egjipt, udhëtoi nëpër Itali e Zvicër dhe pastaj duke udhëtuar nëpër Francë ai mbërriti përfundimisht më 22 gusht 1924 në Angli. Këtu vlen të përmendet se Hazret Kalifi i Dytë r.a. kishte parë një ëndërr si ai kishte zbritur në Angli, në një vend afër detit. Ai kishte parë veten si një gjeneral triumfues i cili vëzhgon territorin e tij nga lartësi. Pikërisht në atë kohë, ai dëgjoi fjalët “William the Conqueror” (d.m.th. Wiliam Triumfues). Kjo ëndërr tregon se fitorja shpirtërore e Britanisë ishte lidhur me ardhjen e Hazret Kalifit të Dytë r.a..

Më 22 gusht 1924, Hazret Kalifi i Dytë r.a. mbërriti në Stacionin Victoria në Londër dhe drejtoi një lutje për suksesin e këtij udhëtimi historik.

Gazetat e asokohe mbuluan mbërritjen e Hazret Kalifit të Dytë r.a. dhe udhëtimin e tij në Angli me interes të madh. Në fillim, Hazret Kalifi i Dytë r.a. kishte mbërritur në stacionin Viktoria në Londër. Prej këtu, ai dhe grupi i tij shkuan para katedrales madhështore të Shën Palit, e cila ishte më e madhja e Anglisë në atë kohë. Hazret Kalifi i Dytë qëndroi përballë kësaj kishe dhe bashkë me grupin e tij, a u lut për fitoren e Islamit dhe teuhidit dhe më pas hyri në qytet me grupin e tij. Xhemati kishte organizuar qëndrimin e tij në një shtëpi të madhe, e cila ishte marrë me qira.

Kështu Hazret Kalifi i Dytë r.a. ishte marrë me përgatitjen e fjalimit për konferencën e feve, si dhe priste në takime private mysafirët të cilët vinin për ta takuar. Gjatë kësaj kohe, Hz. Kalifi i Dytë r.a. mësoi se Nematullah Khan sahibi, një ahmedian i zellshëm është martirizuar në Kabul të Afganistanit përmes gurëzimit.

Këto ngjarje i dhanë emrit të Xhematit një famë të madhe, dhe shumë gazeta trajtuan gjerësisht këto zhvillime. Mirëpo, pas këtyre ceremonive dhe zhvillimeve, erdhi radha për hedhjen e gurthemelit të xhamisë së re, dhe falë mëshirës së Allahut, edhe kjo punë u krye në mënyrë madhështore.

Lindja e idesë për ndërtimin e xhamisë në Angli

Historia e Xhematit tregon se menjëherë pas nisjes së punës së predikimit të Islamit në Angli, Hazret Kalifit të Dytë r.a. i ishte lindur ideja e ndërtimit të një xhamie në Angli. Për shkak të ndërrimit të shpeshtë të banesave me qira, puna e thirrjes ishte dëmtuar. Xhemati kishte nevojë të kishte adresë permanente. Nëse xhemati vazhdonte të kalonte nga një adresë te tjetra, kjo lëvizje e vazhdueshme ndikonte negativisht në veprimtarinë e xhematit. Nevoja e një qendre permanente ishte e pashmangshme, por kjo punë duke e vështirë. Rrethanat ishin të tilla që deri në vitin 1919, kjo ide nuk mund të realizohej. Furnizimi me rupi dhe blerja e një trualli në Londër, që do të ishte i mjaftueshëm për nevojat e xhematit, dhe të ndodhej në një lagje të aristokratëve, dhe të ishte i lirë nga parakushtet dhe kufizimet ligjore, të gjitha këto përbënin pengesa të mëdha. Sigurimi i fondeve dhe vëzhgimi i procesit të ndërtimit, dhe më shumë se çdo gjë tjetër, tërheqja e njerëzve drejt kësaj Qendre do të bënin sfida të mëdha, në rrugëtimin e saj. Megjithatë, Allahu ndreqi të gjitha pengesat në mënyrën më të mirë dhe zgjodhi planin më të duhur për realizimin e saj.

Sigurimi i mjeteve financiare për xhami

Pengesa e parë ishte sigurimi i fondeve financiare. Zoti bëri që pas përfundimit të Luftës I Botërore, vlera monetare e Anglisë gjeti një periudhë kur kursi i këmbimit të sterlinës Britanike shënoi pikën më të ulët. Hazret Kalifi II r.a. konsideroi këtë si moment më të përshtatshëm për të vepruar. Më 6 janar 1920, kur ai po matej të kthehej në banesë pas faljes së drekës, i duhet të priste në xhami, deri sa të përfundonin namazin, ata që kishin ardhur me vonesë dhe tashmë po falnin rekate të mbetura. Kalifi II r.a. ndenji në një qoshe dhe thirri drejtorin e departamentit të financës në Xhemat dhe e porositi për të siguruar 14-15 mijë rupi me anë të huas dhe më pas për t’i dërguar ato para në Angli. Ai i tregoi se nëse do të këmbeheshin ato para në valutat kombëtare të Anglisë, ata mund të siguronin më shumë sterlinat britanike.

Më pas, kur erdhi në shtëpi, Hz. Kalifi II r.a. i dha kësaj thirrjeje formën përfundimtare. Ai i shkroi një porosi drejtorit të Drejtorisë Financiare në të cilën në vend të 14 ose 15 mijë rupi, ai shënoi 30 mijë rupi. Po ashtu, në vend fjalës “kredi”, ai shkroi fjalën “çanda” d.m.th. donacion.

Hazret Kalifi II r.a. thoshte se kjo ndodhi vetvetiu, dhe nuk kishte asnjë paramendim etj.. Hazret Kalifi II r.a. ia dorëzoi këtë shkrim drejtorit të Drejtorisë Financiare në kohën e Iqnidisë. Ai e porositi për të lajmëruar anëtarët në kohën e akshamit në xhami, po atë ditë.

Sipërfaqja e xhamisë “Mubarek” është mjaft e vogël dhe koha kur ishte njoftuar për këtë tubim ishte gjithashtu e shkurtër, megjithatë pas thirrje së Kalifit, që në ditën e parë, ahmedianët derdhën 6 mijë rupi në këtë arkë. Ditën e dytë, Hazret Kalifi II r.a. iu drejtua grave në një tubim të posaçëm. Më pas, në të njëjtën ditë, ai kërkoi një takim me burrat e xhematit në xhaminë Aksa. Përfundimisht, ditën e xhumasë, më 9 janar 1920, ai bëri thirrje publikisht gjatë hutbes së xhumasë për të kontribuuar në këtë arkë. Deri më 12 janar, vetëm donacioni i ahmedianëve që jetonin në Kadian kishte arritur 12 mijë. Edhe pse gra dhe burrat ahmedianë nuk gëzonin kushtet e mira financiare, ky xhemat i varfër siguroi shumën e nevojshme përmes sakrificave të jashtëzakonshme.

“Grumbullimi i një shume të tillë nga një komunitet i varfër nuk mund të arrihej pa një mbështetje të fuqishme prej Zotit dhe jam i bindurse mëshira e veçantë e Allahut është përfshirë në këtë kontribut.” Ai tha se emocionet dhe dëshira e zellshme e njerëzve ishin të dukshme dhe këtë e dinë vetëm ata që i kanë parë me sytë e tyre. Të gjithë burrat dhe gratë jepnin paratë në këtë arkë në frymën e thellë të sakrificës.

Një fëmijë tregoi se kishte mbledhur 13 rupi e gjysmë për këtë qëllim. Unë e di se babai i tij është i varfër dhe punëtor krahu. Ndonëse trembëdhjetë rupi e gjysmë, nuk kishin ndonjë vlerë të madhe, madje edhe në atë kohë të rënies së monedhës britanike, ato vlenin pak a shumë një apo një sterlinë e gjysmë. Megjithatë, ai djalë thotë se është 13 rupi e gjysmë, të cilat po e dërgon si dhuratë në këtë arkë. Hazret Musleh Mo’udi r.a. vijon duke thënë: “Nuk di se me çfarë aspirata dhe dëshira mund t’i ketë mbledhur këto para ky fëmijë, por dashuria ndaj fesë e frymëzoi atë të sakrifikonte ato aspirata dhe ato para për hir të Zotit.”

Në këtë mënyrë, njerëzit vazhduan të shtoheshin në listën e kontribuuesve. Më pas, Hazret Kalifi i Dytë r.a. bëri thirrje xhemateve në Gurdaspur, Lahor etj. dhe mendoi se tashmë mund të mblidheshin 30 mijë rupi nga këto tri rrethe. Më vonë, ai rriti shumën e nevojshme deri në 100,000 rupi, në mënyrë që edhe anëtarë të tjerë të mos privohen nga shpërblimi. Por, një anëtar i shkroi Hazret Musleh Mo’udit r.a. duke kërkuar lutje, që nëse Zoti i Plotfuqishëm i jep sukses në biznes, ai do të merrte përsipër të gjitha shpenzimit për ndërtimin e Xhamisë në Angli.

Hazret Kalifi i Dytë r.a. thotë: “Por, unë nuk i dhashë leje sepse nuk doja të privoja askënd. Megjithatë, këto para filluan të grumbulloheshin dhe përmes Bankës së Indisë, ata dërguan shumën e mbledhur që kapte vlerën e 3468 sterlinave. Le të ndalemi këtu për pak çaste, dhe të krahasojmë gjendjen tonë e sotme, me atë të asaj kohe. Shuma e mbledhur ishte 52.000 rupi, që u mblodh brenda një jave, që u dërgua menjëherë në Sterlina, ndërsa pjesa tjetër e dërguan më vonë. Vlera e sterlinës ra përsëri gjatë atyre ditëve, duke mundësuar blerjen e më shumë sterlinave me më pak rupi. Më pas, vlera e një sterline zbriti nga 15 rupi në 6 rupi. Kjo ishte historia e përgjithshme e hedhjes së gurthemelit dhe ndërtimit të kësaj xhamie.

Ceremonia e hedhjes së gurthemelit të xhamisë

Hazret Mirza Bashirudin Mahmud Ahmedi, Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar vuri gurthemelin e kësaj xhamie ditën e diel, më 19 tetor 1924. Një gazetë e asokohe botoi këtë ngjarje me këto fjalë: Sipas parashikimit të meteorologëve, 19 tetor do të ishte një ditë e kthjellët me diell, por plani i Zotit e nxori këtë parashikim të gabuar. Zoti tregoi se Ai është i Plotfuqishëm dhe bëri që shiu të binte që nga mëngjesi.

Kur anëtarët e xhematit ia shprehën shqetësimin e tyre Kalifit të Dytë r.a., ai u tha ahmedianëve: “Nuk duhet të shqetësoheni aspak. Është bërë më mirë, se tani vetëm ata do të vijnë në ceremoninë e inaugurimit, që kanë sinqeritet në zemër. Dashtë Allahu, kjo ceremoni do të zhvillohet me sukses.”

Për këtë ceremoni, xhemati kishte ngritur një tendë të vogël në mënyrë që njerëzit të shikonin dhe të dëgjonin programin duke ndenjur në të. Ata u kishin dërguar ftesa njerëzve të ndryshëm, përfshirë politikanët, deputetët, diplomatët etj. Meqë, programi ishte organizuar me nxitim, pritej një numër i vogël mysafirësh, megjithatë numri i pjesëmarrësve ishte më i madh sesa pritej. Në program, morën pjesë përfaqësues nga vende të ndryshme dhe programi përfundoi me sukses në çdo aspekt.

Gjatë ceremonisë, Hazret Kalifi i Dytë r.a. qëndroi në vendin ku do të vendosej guri i themelit. Hazret Hafiz Roshen Ali Sahibi recitoi dy sure, pra El-Lejlin dhe El- Alan.

Fjalimi i Hz., Kalifit të Dytë r.a. në ceremoninë e gurthemelit të xhamisë

Pas kësaj Hazret Kalifi i Dytë r.a. mori fjalën dhe iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë. Ai tha:

“Sot jemi mbledhur për një qëllim të veçantë, dhe për një çështje unike në natyrën e saj, domethënë për të hedhur gurthemelin e një ndërtese që do të shërbejë vetëm për të kujtuar Krijuesin e kësaj bote dhe për të shprehur bindjen e nënshtrimin e plotë ndaj Tij. Në praninë e Atij Zoti, zhduken dallimet dhe njëjësohen të gjithë njerëzit, pavarësisht nga vendi ku banojnë, nga pushteti në të cilin jetojnë, apo gjuha që flasin. Ata njëjtësohen para Asaj qenieje, e cila është pika qendrore, para të cilit zhduken kuptimet e të qenit të madh apo të vogël, të zinj apo të bardhë, të qenit oriental ose oksidental. Sa më shumë njeriu i afrohet Atij, aq më shumë zbehen ndryshimet dhe thellohen ngjashmëritë.

Sot, ne jemi mbledhur këtu, për të hedhur themelet e një ndërtese, e cila është simboli i unitetit, dhe bashkimit. Prania e saj do të na tërheq vëmendjen se zanafilla dhe pikëpjekja jonë janë të njëjta. Dallimet tona nuk duhet të na nxisin drejt ndasisë, mosmarrëveshjes madje deri në shpalljen e luftës kundër njëri-tjetrit.”

Më pas ai tha: “Mosmarrëveshjet dhe mospajtimet në vetvete nuk krijojnë një dukuri të re në botë. Madje larmia dhe shumëllojshmëria në të kuptuar përbëjnë një vlerë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se mosmarrëveshjet shërbejnë si simbol i mëshirës dhe nuk sjellin dëm. Por ajo që është e papranueshme është mungesa e tolerancës, domethënë të mungojë aftësia apo gatishmëria për të toleruar ekzistencën e opinioneve a sjelljeve që dikush nuk i pëlqen apo nuk është dakord me to. Kjo vjen nga dëshira e tepruar për të sheshuar kundërtitë ndërmjet më shumë pikëpamjeve. Pra, secili të kërkojë me ngulm se të tjerët të pajtohen me mendimin e tij, dhe të mos ekzistojë asnjë opinion a pikëpamje tjetër, përkundrazi të ekzistojë pajtimi i plotë në çdo çështje.

Prania e mendimeve ndryshe është një shenjë progresi dhe nëse njeriu arrin të zhvillojë aftësinë e tolerancës, ai i vjen më afër suksesit. Ajo që njeriu duhet të synojë është pikërisht aftësia e të duruarit e të toleruarit. Disa thonë se mosmarrëveshja është një dukuri negative, por nëse mosmarrëveshja përnjëmend është aq e keqe, atëherë çfarë kuptimi ka toleranca? Po nuk pate mosmarrëveshje, nuk përfton dot as tolerancën. Toleranca zhvillohet vetëm në ambientet ku ekziston mosmarrëveshja. Kur shfaqet mosmarrëveshja, njeriu duhet të shfaqë durimin dhe të mos ngutet t’i sjellë dëm tjetrit padrejtësisht. Pra, këtë parim duhet të keni gjithmonë parasysh.”

Pastaj ai tha: “Ajo që i duhet botës është toleranca, domethënë njerëzit duke pasur besime dhe parime të ndryshme, të dinë të bashkëjetojnë me frymën e dashurisë. Njëmend, çdo njeri ka të drejtë të ftojë të tjerët në atë që mendon se është më mirë për të, sepse dituria nuk mund të zhvillohet derisa nuk përhapet. Megjithatë, askush nuk ka të drejtë të kërkojë që tjetri të ndryshojë gjuhën apo veprat, kur ai ende nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’ia ndryshuar zemrën. Po ashtu, njeriu nuk ka të drejtë t’i çojë dëm dikujt, vetëm se ai nuk pajtohet me të në disa çështje. Në vend të ushtrimit të forcës ndaj gjuhës apo veprimeve të tjetrit, përpjekja duhet të përqendrohet për të bindur tjetrin përmes argumentit.

Xhamia synon të kultivojë këtë frymë në shoqëri. Në Islam, vendi i adhurimit quhet Bejtullah d.m.th “shtëpia e Allahut”, pra një shtëpi, ku njeriu nuk mund të largojë apo cenojë tjetrin duke u nisur nga premisa e gabuar të mosmarrëveshjes. Kjo nuk është shtëpia e njeriut, por i Zotit të Gjithësisë, i cili është edhe Zoti i kundërshtarit.”

Hoxhallarët pakistanez sot mendojnë se kanë të drejtë të veprojnë si t’u teket dhe kanë vështirësuar frekuentimin e ahmedianëve në xhami. Hazret Kalifi i Dytë r.a. tha në vijim:

“Kjo nuk është shtëpia e njeriut, por e Zotit të Gjithësisë, i cili është Zotit i armikut të tij në të njëjtën mënyrë siç është Zoti i tij. Në Kuranin Famëlartë, Allahu i Madhëruar thotë:  وَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّن مَّنَعَ مَسَاجِدَ اللَّهِ أَن يُذْكَرَ فِيهَا اسْمُهُ Kush mund të jetë më mizor sesa ai që ndalon njerëzit nga vendet që janë ndërtuar për të adhuruar Allahun dhe të pengojë adhurimin e Allahut në xhamitë e Tij (Kurani 2:115).

Sot këtë mizori po bëjnë hoxhallarët pakistanezë në emër të Islamit. Megjithatë, Hazret Kalifi II r.a. tha: “Historia e Islamit tregon se një delegacion i të krishterëve nga Jemeni erdhi për të takuar Profetin e Shenjtë s.a.v.s.. Gjatë bisedës me të, u kishte ardhur koha e adhurimit dhe ata i kërkuan leje që të dilnin nga xhamia dhe të kryenin faljen e tyre. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha se nuk kishin nevojë të dilnin jashtë për të kryer adhurimin e tyre. Ai u tha: ‘Bëni adhurimin tuaj në xhaminë tonë.’ Porosia e Kuranit të shenjtë dhe praktika e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. vërtetojnë se dera e xhamisë në Islam është e hapur për këdo që dëshiron të adhurojë Zotin e Madhërishëm dhe xhamitë në Islam janë pika qendrore për të bashkuar njerëzit që u përkasin feve të ndryshme.”

Më pas ai tha: “Ne si Xhemati Musliman Ahmedia kemi vendosur ta ndërtojmë këtë xhami me frymën dhe ndjenjat që kemi përshkruar. Por para se të hedh gurthemelin e kësaj xhamie, dua t’ju bëj me dijeni se në Islam xhamitë ndërtohen vetëm për adhurimin e Zotit të Madhëruar në mënyrë që të shtrihet dashuria ndaj Zotit në botë dhe njerëzve t’u tërhiqet vëmendje ndaj fesë, pa të cilën nuk ka as paqe e as zhvillim të vërtetë në tokë.

Ne nuk do të pengojmë kurrsesi një person që dëshiron të adhurojë Zotin e Plotfuqishëm në të, me kusht që ai të respektojë rregullat që administratorët kanë caktuar për menaxhimin e saj dhe me kusht që ai të mos pengojë adhurimin e atyre që kanë ndërtuar këtë xhami për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore e fetare. Unë jam i bindur se fryma e tolerancës që do të përhapet nga kjo xhami, do të ndihmojë në zhdukjen e ngatërresës dhe korrupsionit nga bota dhe në vendosjen e paqes dhe rendit. Së shpejti do të vijë dita kur njerëzit do të heqin dorë nga konfliktet dhe luftërat dhe do të jetojnë me paqe e dashuri me njëri-tjetrin. Shumë shpejt bota do të kuptojë se derisa Krijuesi i gjithë njerëzimit është një, ata duhet të sillen me njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra, dhe në vend që të pengojnë zhvillimin e njëri-tjetrit, të përkrahin njëri-tjetrin në zhvillim e përparim. Ashtu si një baba nuk i pëlqen kurrë që fëmijët e tij të zihen mes vete, ashtu edhe Zoti i Plotfuqishëm nuk i pëlqen kurrë që krijesat e tij të përfshihen në konflikt.”

Pastaj ai tha: “Luftërat zhvillohen sepse njerëzit janë larguar nga besimi në Zotin e Plotfuqishëm. Allahu i Madhëruar ka dërguar në këtë kohë Mesihun e Premtuar a.s. themeluesin e Xhematit Musliman Ahmedia për t’i bashkuar njerëzit, për t’i afruar ata tek Allahu, për t’i larguar mosmarrëveshjet e tyre dhe për t’u ngjallur atyre dashuri e unitet. Prandaj, Xhemati Musliman Ahmedia do të vazhdojë pareshtur përpjekjet e tij për të zhdukur çdo mosmarrëveshje në bazat etnike dhe politike.

Shpresojmë që njerëzit zemërmirë të feve të ndryshme të çdo vendi do ta përkrahin atë në përpjekjet për të vendosur paqen.

Sot, njerëz të nderuar që u përkasin feve dhe kombeve të ndryshme janë mbledhur këtu, dhe kjo tregon dukshëm se kemi nisur rrugëtimin tonë drejt bashkimit.”

Guri i themelit që përmban lutjet e Kalifit të Dytë

Sot, pas 100 vjetësh, edhe në këtë epokë jemi dëshmitarë të së njëjtës dukurie, që edhe sot kur njerëzit nga kombe të ndryshme, të feve të ndryshme, kur vijnë, thonë se të gjithë bëhemi një në platformën e Xhematit Ahmedia. Ndoshta keni parë një pllakë guri në këtë xhami që është vendosur nga Hazret Kalifi i Dytë r.a.. Ndoshta, ata që vijnë rregullisht në xhami, kanë mundësi ta shikojnë këtë. Në këtë pllakë, gjendet ky shkrim i Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedit r.a.:

Gurthemeli që përmban lutjet e Kalifit të Dytë r.a.

“Unë, Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi, Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar, kryetar i Xhematit Musliman Ahmedia, me qendër në Kadian, Penxhab, Indi, duke synuar kënaqësinë e Zotit dhe me qëllim që emri i Tij të lartësohet në Angli dhe që qytetarët e këtij vendi të tërheqin bekimet që kemi marrë ne, sot, më 2 Rabiul Evel, 1343 h. i hedh themelet e kësaj xhamie. I lutem Zotit që ta pranojë këtë përpjekje të sinqertë të burrave dhe grave të Xhematit Ahmedia, të krijojë kushtet për popullsinë e kësaj xhamie dhe ta bëjë atë përgjithmonë qendrën e përhapjes së mirësisë, devotshmërisë, drejtësisë dhe dashurisë. Zoti mundësoftë që rrezet e dritës së Vulës së Profetëve Hazret Muhammed Mustafa s.a.v.s. dhe të Hazret Ahmedit, Masih i Premtuar dhe i Dërguar i Premtuar dhe shërbëtori i Muhammedit a.s., të përhapin nga kjo xhami në këtë vend dhe në vendet e tjera. O Zot! Ashtu qoftë!” 19 tetor 1924

Ky është shkrimi që mund të lexoni vetë. Me mëshirën e Allahut, gurthemelet e kësaj xhamie janë hedhur me lutje të tilla. Gazeta të ndryshme të asaj kohe mbuluan gjerësisht lajmin e xhamisë, si dhe botuan disa pjesë të fjalimit të Hazret Kalifit të Dytë r.a. si dhe vlerësuan veprimtarinë e xhematit. Unë gjithashtu kam treguar në mënyrë të përmbledhur vetëm disa pjesë të fjalimin të tij. Hazret Kalifi i Dytë r.a. ka shpjeguar këto pika në mënyrë të zgjeruar dhe ata që duan të lexojnë mund të lexojnë fjalimin e plotë në origjinal.

Përurimi i xhamisë Fazl në 1926

Përfundimisht, kjo xhami u përurua pas dy vitesh në vitin 1926. Për përurimin e xhamisë, duhet të vinte Mbreti Fejsal, i cili ishte princ në atë kohë. Për këtë qëllim, ai kishte marrë leje nga babai i tij, por më vonë për shkak të reagimit të muslimanëve, i ati e ndaloi nga pjesëmarrja, dhe më pas e përuroi Shejh Abdul Kadiri. Gjatë fjalimit, ai tha: “Ndonëse nuk jam ahmedian, por derisa duam t’i shërbejmë Islamit, duhet të përkrahim njëri-tjetrin dhe të lëmë pas dallimet tona.” Me këtë gjest, ai shfaqi një sjellje të guximshme dhe zemërgjerësinë e tij. Allahu e shpërbleftë edhe atë!

Çfarë na frymëzon xhamia “Fazl”?

Megjithatë, kjo ishte historia e shkurtër e xhamisë Fazl dhe arsyeja që rezultoi në ndërtimin e saj, ishte përhapja e Islamit në Perëndim. Ne po zhvillojmë një ceremoni për të shënuar qindvjetorin e saj. Por kjo ceremoni nuk synon asnjë nga qëllimet e kësaj bote, por në bazë të fjalëve të Mesihut të Premtuar a.s., të Kalifit të Dytë r.a. dhe duke u nisur nga ajo që kam thënë, kjo xhami është vendi ku njerëzit mblidhen për të adhuruar vetëm një Zot dhe frymëzohen për t’i përmbushur të drejtat e njëri-tjetrit. Duhet të përmirësoni gjendjen tuaj shpirtërore dhe ruani lartësinë morale. Në këtë kohë, kur njerëzit kanë lënë Zotin, rëndësia e xhamisë është bërë shumë më e qartë.

Rëndësia e xhamisë dhe një thirrje emocionuese

Sipas mësimeve të Allahut, qëllimi i jetës së njeriut është adhurimi e nënshtrimi dhe kjo është ajo nga e cila ne po largohemi. Pra, sot ne duhet të përpiqemi të jemi ata që përmbushin të drejtën e adhurimit dhe gjithashtu në mjedisin tonë për t’i bërë njerëzit që na rrethojnë dhe brezat tanë t’i kushtojnë vëmendje faktit se jeta e vërtetë dhe mbijetesa jonë qëndron në atë që ne të adhurojmë Zotin dhe qofshim ata që përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj krijesave të Tij. Derisa ndjekim porositë e Tij, mund të udhëheqim botën me sukses dhe mund të sjellim paqe e harmoni në jetën tonë. Në të kundërt, nuk ka asgjë tjetër përveç pakënaqësive, konflikteve dhe grindjeve.

Çdo musliman ahmedian duhet të jetë i vetëdijshëm ndaj këtij qëllimi. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Duaje për të tjerët atë që e do për veten tënde”. Sipas këtij mësimi, është detyrë e çdo ahmediani t’i përcjellë botës këtë mesazh dashurie, dhembshurie dhe paqeje të Islamit. Kjo është rruga e vetme që mund të sigurojë paqen në botë dhe mund të garantojë mbrojtjen e jetës njerëzore. Nuk ka rrugë tjetër jashtë tij. Në të kundërt brezat e ardhshëm do të vazhdojnë të ecin drejt greminave. Nuk është e pamundur që nga pasojat e këtyre konflikteve të lindin gjenerata të gjymtuara. Pra, është e rëndësishme të informojmë njerëzit edhe në këtë aspekt.

Allahu na ndihmoftë të gjithëve që të përmbushim të drejtën e kësaj xhamie dhe të përmbushim të drejtën e çdo xhamie. Çdo musliman ahmedian duhet të përpiqet t’i përgjigjet detyrës së tij ndaj çdo xhamie. Ata le të përmbushin këtë të drejtë, t’i përgjigjen të drejtës së adhurimeve, të përmbushin detyrën e përcjelljes së mesazhit të Allahut dhe të përcjellin thirrjen e Islamit ashtu siç duhet. Ata të bëhen muslimanë të vërtetë, për të ngritur të cilët, Allahu dërgoi Pejgamberin Muhammed s.a.v.s., ndërsa në këtë epokë shërbëtorin e tij besnik Hazret Imam Mehdiun a.s., që të shkaktojë ringjalljen e Islamit, dhe për të vendosur sundimin e Islamit dhe të Zotit të Vetëm në zemrat e njerëzve. Allahu mundësoftë të valëvitet flamuri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kudo në botë. Allahu na e mundësoftë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem