Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Zoti është i Gjallë

اللَّـهُ لَا إِلَـهَ إِلَّا هُوَ الْحَيُّ الْقَيُّومُ لَا تَأْخُذُهُ سِنَةٌ وَلَا نَوْمٌ لَّهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا  فِي الْأَرْضِ

“Allahu është Ai që s’ka Zot tjetër përveç Atij. Ai është i Gjallë dhe i Qëndrueshëm . Atë nuk e kap as dremitja e as gjumi. Gjithçka që gjendet në qiej e në tokë i takon vetëm Atij”.[1]

 Themeli i vërtetë i fesë ishte, është dhe do të mbetet, lidhja e njeriut me Zotin.

E gjithë struktura e fesë Islame qëndron mbi këtë themel se Allahu është i Gjallë dhe vazhdimisht komunikon me robërit e Tij te sinqertë.

Feja islame deklaron se krijuesi i kësaj bote është një Zot dhe Ai u shfaqet robërve të Tij, njësoj siç është shfaqur në kohërat e vjetra. Asnjë nga atributet e Tij nuk është pezulluar e as nuk është shfuqizuar. Ai dëgjon edhe sot ashtu siç ka dëgjuar përpara, dhe flet edhe tani, siç ka folur më parë.

Pikërisht të qenit i Gjallë dhe i Qëndrueshëm, e shtyn njeriun për ta besuar Zotin, për tu lidhur me Të, dhe për ta dashur e për ta takuar Atë. Mungesa e të qenit i Gjallë, i Përjetshëm dhe i Përhershëm do të krijojë dyshime të shumta rreth ekzistencës së Tij. Zoti i Lartësuar u bën thirrje njerëzve për ta besuar Atë, duke argumentuar për përjetësinë e Tij. Ai thotë:

Clipboard01

“… dhe mbështetu në Zotin e Gjallë, i Cili nuk do të vdesë kurrë”.[2]

E pastaj në një vend tjetër thotë:

Clipboard03Clipboard04

“Çdo gjë që gjendet në të, është kalimtare, por do të mbetet vetëm madhështia e Zotit tënd të Madhërueshëm dhe të Lavdërueshëm”.[3]

Domethënë çdo qenie që ekziston në botën tokësore dhe qiellore do të pushojë së ekzistuari e do të soset, ndërsa i Amshueshmi, i Përjetshmi dhe i Pandryshueshmi është vetëm qenia e Zotit. Themelues i Xhematit Musliman Ahmedia Mesihu i Premtuar a.s. duke përshkruar këto atribute hyjnore, thotë:

“el-Hajjul Kajjum është njëzëri emri më i lartë i Zotit, që do të thotë Gjallëruesi e Jetëdhënësi shpirtërisht dhe fizikisht, mbështetësi e Furnizuesi për të dyja lloj jetësh, i Vetëmjaftueshmi e Absoluti i cili i gjallëron të tjerët përmes ndriçimit të Tij”.[4]

Lind pyetja: A Zoti komunikoi vetëm me Profetët apo edhe me të tjerët?

Këtë përgjigje e gjejmë ne Kuranin Famëlartë, ku shprehet shumë qartë se nuk kanë qenë vetëm të dërguarit e Zotit, të cilët gëzuan komunikim me Zotin përmes shpalljeve, por këtë dhunti Ai u bëri edhe të tjerëve.

Për shembull, Zoti foli me nënën e Musait alejhiselam, ajo ishte thjesht një besimtare, Allahu tha për të:

Clipboard05

“Ne i bëmë shpallje nënës së Musait”.[5]

Kurani nuk thotë se komunikimi u është dhënë vetëm njerëzve që jetuan para Profetit Muhamed s.a, por sipas tij besimtarët e sinqertë kanë gëzuar atë, dhe do të vijojë ta gëzojnë deri në ditën e kiametit. Allahu thotë ne Kuran:

Clipboard06

“Ata që thanë, Zoti ynë është Allahu, dhe vepruan me qëndrueshmëri, atyre u zbresin engjëjt duke u thënë: Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni”.[6]

A mund ta mohojë ndokush këtë fakt, që engjëjt vijnë me urdhrin e Allahut edhe sot dhe ua japin këtë myzhde besimtareve. Siç thotë Kurani:

Clipboard07

“Atyre u jepen myzhde në jetën e kësaj bote”.[7]

Tani në këtë epokë shpirtërisht të errët, ku njeriu përballet me dyshime të shumta për ekzistencën e Zotit, Ai dërgoi Imam Mehdiun alejhiselam që edhe njëherë t’i tregojë botës se Ai ekziston. Mesihu i Premtuar alejhiselam shkruan:

“Mos mendoni se komunikimi me Zotin është ndërprerë me arsyetimin se ai ka qenë proces i kohës së shkuar, po ashtu mos kujtoni se “Shpirti i shenjtë” nuk mund të zbresë me arsyetim se ai kishte zbritur vetëm ne kohën e kaluar. Unë ju them sinqerisht se çdo derë mund te mbyllet por dera e zbritjes së shpirtit të shenjtë nuk mund te mbyllet kurrë”.

Allahu premton në Kuran:

Clipboard08

“Më thërrisni, dhe Unë do t’ju përgjigjem”.[8]

Edhe ky ajet na tregon shumë qartë se ata që i drejtohen Allahut, marrin përgjigje prej Tij.

Mirëpo, nëse dikush që bën përpjekje për ta arritur këtë komunikim me Zotin, por nuk po e arrin dot suksesin, atij nuk i duhet t’ia hedhë fajin Zotit, duke thënë se Zoti nuk komunikon më. Atributet e Zotit janë të përhershme dhe absolute dhe nuk janë në varësi të kohës.

Për të kuptuar se ku qëndron problemi nëse Zoti nuk i përgjigjet dikujt, ne mund ta nisemi nga jeta jonë e përditshme. Nëse duam të komunikojmë me dikë, duhet së pari të krijojmë një lidhje ose raport me të. P.sh. nëse i shkruaj një personi të famshëm, i cili nuk më njeh, është normale nëse nuk më kthen përgjigjet. Ose të marrim një situatë tjetër, p.sh. ka një mik me të cilin kam raport të mirëfilltë, por e kam hidhëruar atë me sjelljen time. Nëse unë t’i shkruaj atij, ka mundësi të mos më përgjigjet për shkak se është hidhëruar me mua.

Pra, në të njëjtën mënyrë, për të marrë përgjigje nga Zoti për kërkesat tona, së pari duhet të krijojmë një lidhje ose raport të mirëfilltë me Të.

Se si të krijojmë raport ose lidhje të mirëfilltë me Të, Zoti na ka treguar vetë në Kur’anin Famëlartë:

Clipboard09

“Dhe kur robërit e Mi të pyesin ty rreth Meje; (thuaju) Unë jam afër. Unë i përgjigjëm lutjes së lutësit kur ai Më thërret Mua. Pra, edhe le të Më binden dhe të më bësojnë Mua, nëse dëshirojnë të gjejnë rrugë të drejtë”.[9]

Pra në këtë ajet Zoti është duke përmendur raportin midis Atij dhe njeriut, duke iu përgjigjur pyetjes:  Ku është Zoti? Dhe Ai përgjigjet duke thënë: Unë jam afër. Dhe si shenjë e afërsisë së Tij, Ai thotë: Unë i përgjigjem lutjes së atij që më lutet. Fjala ‘Ibadi’, në këtë ajet do të thotë robërit e mi. Kjo fjalë u referohet atyre që janë të gatshëm t’i zbatojnë të gjitha porositë e Zotit, dhe ata që besojnë në të, dhe si rezultat Zoti thotë që Unë do t’i pranoj lutjet e tyre. Pra që t’i kemi lutjet e pranuara, duhet të jemi të sigurt se veprat tona janë në përputhje me porositë e Zotit.

Për ta përfunduar fjalimin do t’i lexoj disa ngjarje që tregojnë që Zoti është i Gjallë dhe u përgjigjet lutjeve të robërve të Tij.

  • Misionari i njohur Molana Ghulam Resul Raxheki rrëfen:

Njëherë isha në Kadijan, dhe nuk kishim asnjë para për të plotësuar nevojat e shtëpisë. Gruaja më tregonte se nuk kishte asnjë para, ndërsa shkolla kërkonte tarifat e saj për fëmijët. Ndërsa bisedonim për këto probleme, më erdhi urdhri nga xhemati për t’u nisur menjëherë për në Delhi për të marrë pjesë në disa tubime. Kur u bëra gati për të dalë, gruaja më pyeti se tani ju po niseni për një udhëtim të gjatë, ndërsa nuk kemi asnjë qindarkë për shpenzime. Si do të kujdesem për këta fëmijë? Unë i thashë se s’mund të refuzoj urdhrin e xhematit, sepse jam betuar se do t’i jap epërsi besimit kundrejt kësaj bote. Sehabët kur dilnin për xhihad në rrugën e Allahut, ata linin familjet e tyre pa asnjë mbështetje. Im shoqe heshti, ndërsa unë iu afrova derës për të dalë. Në ato çaste iu luta Allahut se o Mirëbërësi im! Ky robi yt i dobët po niset për detyrën Tënde, dhe Ti e di mirë situatën në shtëpi. Bëhu i Mjaftueshëm për familjen time dhe plotësoji nevojat e tyre. Robi yt nuk gjen dot asnjë derman e rehati për këta të brengosur e të zemërthyer”. Sa iu afrova derës, dikush trokiti në të. Kur e çela derën, një person më dorëzoi njëqind rupi në dorë dhe tha: dikush më dha këto para për ju dhe porositi që të mos ju përmendja emrin. Unë bashkë me të dola në pazar, bleva gjëra për shtëpi ndërsa para të mbetura i dorëzova time shoqes.[10]

  • Munshi Zafer Ahmed nga Kapurtala, një ndër shokët e Meishut të Premtuar a.s.rrëfen:

Njëherë unë, Munshi Rora sahib dhe Muhammed Khan sahib po ktheheshim nga Kadijani. Ishin ditët e verës, dhe vapa ishte e padurueshme. Pasi që i morëm leje Mesihut të Premtuar a.s., Munshi Rora sahibi tha: Huzur! Ka shumë vapë. Lutuni që lart e poshtë të kemi vetëm ujë. Huzuri tha: Zoti është i Plotfuqishëm. Unë i thashë: Huzur! Lutuni vetëm për Rora Khan sahib e jo për ne. Ne të tre i hipëm karrocës dhe sa kishim kaluar lagjen e pastruesve, menjëherë qielli u vesh me re, dhe zuri një shi i vrullshëm. Në atë kohë, kanalet rreth rrugës ishin mjaft të thella, se karroca jonë u kthye përmbys. Munshi Rora Khan sahibi kishte një trup të mbushur, e ai përfundoi në kanal, ndërsa unë bashkë me Muhammad Khan u hodhëm nga karroca. Munshi Rora Khan sahibi kishte ujë lartë e poshtë, dhe nuk pushonte së qeshuri.[11]

  • Ngjarja sesi Munshi Ata Muhammad pranoi Mesihun e Premtuar a.s. është mjaft interesante. Ai rrëfen se:

Për të vërtetuar se është prej Zotit apo jo, unë i shkrova Mesihut të Premtuar që të lutet se Zoti të bekojë me një djalë të bukur e të mbarë, prej asaj gruaje që dua unë. Ai kishte tri gra dhe donte që fëmijën ta kishte nga gruaja e parë. I kishin kaluar disa vjet, dhe për këtë arsye ai kishte bërë martesë pas martese, pra nuk i kishte mbetur asnjë shpresë. Mesihu i Premtuar iu përgjigj:

“Jam lutur pranë Zotit tim. Allahu do t’ju dhurojë një fëmijë fisnik, fatlum dhe të pashëm nga gruaja që dëshironi. Por me kusht që të pendoheni si Zakaria.”

Atëherë po bëja një jetë të shfrenuar. Nuk dija se cila është pendesa e Zakarias. M’u tha të hiqja dorë nga mosbesimi, të veproja me dispozitat e hallallit dhe t’i përmbahesha namazit e agjërimit. Kështu që hoqa dorë nga jeta e pistë.

Nuk kishin kaluar as pesë muaj, se një ditë pashë gruan time duke qarë me dënesë. Kur i pyeta arsyen, më tha se i ishte ndërprerë edhe menstruacioni. Pra, tashmë nuk kishte asnjë shpresë për të bërë fëmijë. Unë e ngushëllova dhe çova për vizitë. Doktoresha më njoftoi se gruaja ime kishte ngelur shtatzënë. Unë kisha bërë dy martesa sepse kisha mbetur pashpresë nga gruaja e parë.

Tashmë kuptova se ky ishte rezultati i lutjes së Mesihut të Premtuar. Unë u tregova të gjithëve se do të kem një djalë të hijshëm. Askush nuk më besonte, por Zoti e plotësoi fjalën e Tij duke na dhuruar një djalë të mbarë. Ai u rrit shpejt dhe u bë inxhinier.[12]

Pra Zoti iu përgjigj në mënyrë madhështorë lutjes së Mesihut të Premtuar. Sot nëse ndokush dëshiron të vërtetojë se Allahu a komunikon me të vërtet me robërit e Tij, këtë mund ta kuptojë më së miri përmes lutjeve, dhe për t’i larguar dyshimet njëherë e përgjithmonë le ti drejtohet Atij me lutje te sinqerta.

Të nderuar të pranishmit! Sot një rënie morale dhe shpirtërore është evidente në çdo vend të botës dhe ajo ka kapluar ndjekësit e çdo feje. Përveç Mesihut të Premtuar a.s. dhe xhematit të tij, askush nuk po fton drejt Zotit të Gjallë. Besimi i tyre i lashtë bazohet vetëm në legjenda dhe histori të kaluara, ndërsa Mesihu i Premtuar a.s. shtron bindjen në Zotin e Gjallë me këto vargje:

Dëgjoni o njerëz! Zoti i Gjallë nuk është Ai

I cili nuk ka veti për të shfaqur fuqinë në çdo kohë

Njeriu është gjithmonë borxhli për shenjat taze,

Dhe mrekullitë e së kaluarës nuk sjellin asnjë ndikim.

Unë përfundoj fjalimin tim me fjalët frymëzuese të Mesihut të Premtuar a.s. Ai shkruan:

Parajsa jonë është Zoti ynë. Kënaqësitë tona më të larta gjenden në Zotin tonë, sepse ne e pamë Atë dhe çdo lloj bukurie e gjetëm në Të. Kjo pasuri është me vlerë ta marrësh nëse e gjen duke dhënë edhe jetën. Dhe ky rubin është me vlerë ta blesh edhe sikur të kushtojë sa e gjithë qenia jote. O të humbur, vraponi drejt këtij burimi se ky do t’jua shuajë etjen tuaj. Ky është burimi i jetës që do t’ju shpëtojë. Ç’të bëj unë? Si mund ta gdhend në zemrat e njerëzve këtë lajm të gëzuar? Me ç’daulle t’i njoftoj njerëzit se Ky është Zoti juaj? Dhe me ç’ilaçe t’ua kuroj veshët që ata të fillojnë ta dëgjojnë?”[13]

Allahu na mundësoftë që duke ndjekur Imamin e kësaj kohe dhe shërbëtorin e sinqertë të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., të përcjellim mesazhin e këtij Zoti të Vërtetë anë mbanë botës, dhe që t’i ngjallim botës frymën e Zotit të gjallë, i cili dëgjon edhe sot dhe shfaq mrekullitë e Tij, që ata të kthehen tek Ai dhe t’i drejtohen vetëm Atij. Le të ringjallim edhe ne lidhjet tona me Zotin dhe t’i përmbahemi mësimit të Tij, të përmbushim të drejtën e adhurimit, të kuptojnë thelbin e atributeve të Tij dhe të tërheqim mirësitë dhe dhuntitë e Tij. Amin


[1]  Kurani Famëlartë  2:256

[2]  Kurani Famëlartë 25:59

[3]  Kurani Famëlartë 55:27,28

[4]  Hazret Mirza Ghulam Ahmedi, Tuhfa Golervija, Ruhani Khezain, vëll. 17, f. 268

[5]  Kurani Famëlartë, 28:8

[6]  Kurani Famëlartë 41:31

[7]  Kurani Famëlartë 10:65

[8]  Kurani Famëlartë 40:61

[9]  Kurani Famëlartë 2:187

[10]  Hazret Molana Ghulam Resul Raxheki, Hajati Kudsi, vëll. IV, f. 4,5

[11]  Malik Salahudin M.A. Es’habi Ahmed, Vëll. IV, f. 94

[12]  Mirza Bashir Ahmad M.A., Siretul Mahdi, Vëll. I, f. 221,222

[13]  Rruhani Khezain, Vëll. 19, f. 21,22