Tortura brutale e policisë e çon në vdekje një musliman ahmedian të nderuar në Pakistan

Me trishtim të madh, Xhemati Musliman Ahmedia konfirmon lajmin që më 30 mars 2012, një ahmedian i shquar dhe shumë i dashur, i nderuari Master Abdul Kudus Ahmed ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda që mori gjatë torturës brutale nga ana e policisë në qytetin Rabvah të Pakistanit.
Master Abdul Kudus Ahmedi, pa asnjë justifikim, më 10 shkurt 2012, u dërgua në paraburgim, ku qëndroi deri më 26 mars 2012 dhe gjatë kësaj periudhe ai ishte torturuar në mënyrën më çnjerëzore nga hetuesia, duke shkaktuar lëndime fatale dhe vdekjeprurëse.
Gjatë kohës kur dëshmori ynë ka qenë në paraburgim, ai u mbajt i varur nga këmbët me kokë poshtë për periudha të gjata. Ndërsa kur ka qenë i shtrirë, në shpinën e tij u vendos një rul i rëndë prej druri, ndërkohë shoqërues qëndronin pranë tij për të siguruar që ai të mos ketë mundësi të lëvizte. Trajtim i tillë çnjerëzor dhe i pamëshirshëm çoi në dëmtimin e organeve dhe muskujve të trupit të tij. Këto janë vetëm disa shembuj të torturës që ka përballuar Master Abdul Kudus Ahmedi.
Pas një trajtim të tillë të pamëshirshëm, ai u lirua më 26 mars 2012 dhe menjëherë u shtrua në spital. Por, pavarësisht nga trajtimi i vazhdueshëm mjekësor, më 30 mars 2012, ai ndërroi jetë si dëshmor tjetër i Xhematit Musliman Ahmedia.
Dëshmori la pas gruan e tij, katër fëmijë dhe prindërit e tij.
I nderuari Master Abdul Kudus Ahmed ishte President i Xhematit Musliman Ahmedia për lagjen Nusrat Abada të qytetit Rabvah. Arrestimi i tij ishte krejtësisht pa justifikim dhe ishte thjeshtë një përpjekje për të diskredituar administratën lokale të Xhematit Musliman Ahmedia. Ai pësoi trajtim brutal të policisë, edhe pse policia nuk kishte asnjë fakt për ta marrë atë në paraburgim, gjë që doli në shesh kur policia u detyrua ta lironte atë.
Abid Khani, zëdhënësi i Xhematit Musliman Ahmedia tha:
“Është shokuese që një grua ka humbur burrin dhe katër fëmijë kanë humbur babanë e tyre nga torturat e tilla të pamëshirshme dhe çnjerëzore. Është absolutisht e qartë se nëse Master Abdul Kudus Ahmedi nuk do të ishte anëtar i Xhematit Musliman Ahmedia, atëherë ai kurrë nuk do të kishte qenë shënjestër e torturës së tillë çnjerëzore. Urrejtje për çdo organizatë ose për anëtarët e saj dhe persekutimi i tyre duhet të dënohet nga të gjithë ata që besojnë në paqe dhe tolerancë. Sulmet e tilla shërbejnë vetëm për të destabilizuar shoqërinë dhe për të përhapur mosmarrëveshje”.
Kërkojmë nga Komuniteti ndërkombëtar, Media dhe organizatat për të drejtat e njeriut të marrin masa për të mbrojtur të drejtat themelore njerëzore të ahmedianëve muslimanë në Pakistan dhe në vende të tjera, ku ata diskriminohen. Në një epokë ku liria e fesë dhe besimit është pranuar si e drejtë themelore e njeriut në të gjithë botën, duket e pabesueshme që ligji anti-ahmedia në Pakistan është ende në fuqi, madje zbatohet me gjithë forcë.