Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Kuptimi i vërtetë i vulës së profetësisë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Propagandimi i klerikëve kundër Xhematit

Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.[1]

Në Pakistan, kohë pas kohe, politikanët dhe klerikët fetarë gjejnë shkas për të shfryer mllefin kundër ahmedianëve. Ata kujtojnë se kjo është mënyra më e lehtë për të fituar famë dhe për të siguruar simpatinë e popullit. Për ta, arma më e fuqishme për t’ua ndezur ndjenjat muslimanëve është çështja e “vulës së profetësisë”. Sa herë që bie grafiku i partive politike, a organizatat pseudo-fetare duan të krijojnë mbështetje politike, a duan të bëjnë shantazh me partinë opozitare apo kandidatët rivalë, këta sajojnë lidhjet e tyre të fshehta me ahmedianët, dhe pastaj propagandojnë se shikoni se çfarë zullumi po shfaqet në vend. Pastaj aludojnë se nën ndikimin e fuqive të huaja, këta duan të integrojnë ahmedianët në arenën politike, ndërkohë sipas tyre ahmedianët mohojnë besimin në vulën e profetësisë. Këta sedërmëdhenj, të cilëve gjoja u dhimbset gjendja e Islamit dhe që zotohen se nuk do të lejojnë askënd të prekë nderin e profetësisë, bëjnë propagandë pompoze kundër ahmedianëve. Ata bëjnë medet që përse ahmedianët janë quajtur muslimanë, dhe betohen për të dhënë edhe jetë për ta ndaluar këtë padrejtësi të madhe. Brengës së tyre i bashkohen edhe përfaqësuesit e pozitës, duke deklaruar në kuvend se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që ahmedianëve t’u jepen të drejtat e tyre. Ata duan t’ua rrëmbejnë ahmedianëve sadopak të drejtat që kanë ata, duke lënë si qytetar i dorës së tretë. Secili prej tyre kanë agjendat politike dhe interesat vetjake, por duan të tërheqin edhe ahmedianët në koklavitjen e tyre, edhe pse ata nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje. Deputetët e pozitës a opozitës mbajnë fjalime të zjarrta në parlament kundër ahmedianëve.

I njëjti skenar është përsëritur sërish në parlamentin e Pakistanit, gjatë debatit pas ndryshimeve kushtetuese që orkestroheshin nga partia në pushtet për interesat e saj politike. Gjatë këtyre ditëve, një kaos dhe zallamahi ka mbizotëruar në Pakistan, dhe përmes medias, kjo situatë ka dalë në mejdan.

Elhamdulilah, jemi muslimanë

Nuk kemi nevojë për ta komentuar këtë gjendje, por për sa i përket Xhematit Musliman Ahmedia, ne kurrë nuk i kemi thënë asnjërit nga vendet e huaja që të lobojnë për ndryshimet kushtetuese në parlamentin pakistanez, dhe që të na jepej e drejta ligjore e kushtetuese për t’u quajtur muslimanë. Po ashtu, ne kurrë nuk kemi lypur asgjë nga shteti pakistanez, e as nuk duam t’ia dimë një “certifikim të tillë”. Ne e quajmë veten muslimanë, sepse Allahu i Madhërishëm dhe i Dërguari i Tij s.a.v.s. na kanë dhënë këtë të drejtë. Ne i besojmë bindshëm shehadetit la-ilahe il-lallahu Muhammedurr Rresulullah. Besojmë në të gjitha shtyllat e Islamit dhe të besimit. I bindemi Kuranit Famëlartë dhe pranojmë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. si vulë e të gjithë profetëve. Ne i qëndrojmë fort këtij besimi se Muhammedi s.a.v.s. është vula e të gjithë profetëve. Madje Mesihu i Premtuar a.s. ka deklaruar shprehimisht se ai që mohon vulën e profetësisë, e konsideroj të pafe dhe të dalë nga Islami, dhe një person i tillë, nuk mund të jetë as musliman e as ahmedian.

Prandaj ky komplot kundër nesh, dhe akuza sikur ne nuk besuakemi vulën e profetësisë, është një shpifje e ulët dhe e poshtër. Kjo akuzë është ngritur kundër Mesihut të Premtuar a.s. qysh prej deklaratës së tij. Sa herë që synojnë interesat e tyre, ata shfryjnë dufin kundër xhematit.

Një shpifje e rëndë kundër ahmedianëve…

Hazret Kalifatul Masih II r.a. gjatë një hutbeu ishte shprehur që për të hedhur poshtë akuzën e pabazë të kundërshtarëve tanë, që ahmedianët nuk besojnë në vulën e profetësisë, kur ne u kundërpërgjigjemi se si mund të qëndrojë një akuzë e tillë, ndërkohë ne besojmë Kuranin Famëlartë, dhe Kurani deklaron qartazi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është vula e profetëve, ata përgjigjen paturpësisht duke thënë se ahmedianët nuk besojnë në Kuran. Aq më tepër, ata pohojnë se ne u japim më shumë rëndësi shpalljeve të Mesihut të Premtuar a.s. se sa Kuranit Famëlartë. Mjaft arabë përqafojnë xhematin, thjesht duke njohur realitetin e kësaj shpifjeje. Ata tregojnë se kur i pyesnin hoxhallarët e tyre rreth Xhematit Ahmedia, ata përgjigjeshin se ahmedianët nuk besojnë në Kuran, por kanë sajuar një libër tjetër. Po kështu ahmedianët nuk pranojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është profeti i fundit, por e quajnë Mirza Ghulam Ahmedin si profeti i fundit. Ata nuk bëjnë haxh në Mekë, madje as nuk falen në drejtim të qabesë. Kur njerëzit kërkojnë të vërtetën, u zbulohet gënjeshtra e hoxhallarëve. Madje, shumëkush ka pranuar xhematin përmes shpifjeve dhe gënjeshtrave të pabazë të këtyre klerikëve.

Ne besojmë fuqimisht në vulën e profetësisë

Si mund të mohojmë Kuranin Famëlartë e si mund të mos pranojmë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. si vulë e të gjithë profetëve? Vetë shpalljet e Mesihut të Premtuar a.s. e quajnë Kuranin Famëlartë si Libër i Zotit dhe burim i çdo mirësie. Një ndër shpalljet e tij vijon kështu:

الخیر کله في القران

Pra, çdo mirësi buron në Kuran.

Ai gjithashtu u shpreh se ata që nderojnë Kuranin në Tokë, do të nderohen në qiell. Shpalljet e tij nuk gëzojnë asnjë pozitë të veçantë apo status të pavarur. Për të kërkuar udhëzim për problemet tona shoqërore dhe për të fituar mirësi e bereqet, ne duhet t’i drejtohemi Kuranit Famëlartë. Shkrimet dhe shpalljet e Mesihut të Premtua a.s. në mënyrë të përsëritur, na tregojnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është vula e profetëve. P.sh. fjalët e një shpalljeje janë kështu:

صل علی محمد و آلِ محمد سیّد ولد آدم و خاتم النبیین

Dërgoji salavate Muhammedit s.a.v.s., prijësit të bijve të Ademit dhe vulës së profetëve dhe të pasardhësve të tij.

Po kështu, është edhe shpallje tjetër:

کل بركة من محمد صلى الله عليه وسلم

Çdo mirësi buron nga Muhemmedi s.a.v.s.

Ndërsa në librin e tij, Texhelijati Ilahije, ai ka shkruar:

“Po të peshonin veprat e mia si male, unë prapëseprapë nuk do të kisha gëzuar komunikim me Zotin, nëse nuk do t’i nënshtrohesha Muhammedit s.a.v.s. e nuk do të isha ndjekës i tij. Tashmë të gjitha profetësitë janë mbyllur, përveç profetësisë së Muhammedit s.a.v.s”.

Pra, Mesihu i Premtuar a.s. është shërbëtor i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Shpalljet e tij i nënshtrohen Kuranit dhe shtjellojnë mesazhin e tij. Edhe sikur t’i konsideronim ato meazallah në shkallën më të lartë se Kurani Famëlartë, atëherë pse vallë bëjmë sakrifica të mëdha financiare për t’i botuar përkthimet e Kuranit Famëlartë. A nuk duhet të botonim shpalljet e Mesihut të Premtuar a.s.? Deri tani kemi botuar përkthimet e Kuranit në 75 gjuhë të botës, ndërsa në disa gjuhë janë në përfundim e sipër. Vetëm ajetet e zgjedhura të Kuranit janë botuar në 111 gjuhë të botës. Këto shtete muslimane dhe organizatat fetare le të përgjigjen se në cilat gjuhë kanë përkthyer Kuranin Famëlartë?

Kuptimi i vërtetë i vulës së profetësisë

Vetëm ne muslimanë ahmedianë, kuptojmë thelbin dhe esencën e titullit Khatemun Nebijjin, dhe jemi ne që përhapim këtë shpallje duke përkthyer Librin e Allahut në gjuhë të ndryshme të botës. Megjithatë, mbetemi sërish në shënjestër të akuzave kinse ahmedianët mohojnë titullin Khatemun Nebijjin. Mesihu i Premtuar a.s. na ka ndritur mendjen e shpirtin duke na përcjellë atë kuptim dhe esencë të vulës së profetësisë, që nuk mund të arrijnë kurrë këta “flamurtarë” dhe “mbrojtësit” e vulës së profetësisë.

Duke qartësuar se vallë a besojmë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është vula e profetëve apo jo, në një kuvend, ai u shpreh:

“Akuza që ngrihet kundër meje dhe xhematit tim që ne sikur nuk e besojmë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. si vulë e profetëve është një shpifje e rëndë. Të tjerët nuk kanë as grimcën e asaj bindjeje, vendosmërie, vetëdije dhe njohurie që kam unë në besimin që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është vula e profetëve. Ata nuk kanë asnjë haber për thelbin dhe esencën që fshihen në të qenit vula e profetëve. Kanë dëgjuar një fjalë nga stërgjyshërit e tyre, por nuk ia dinë kuptimin. Ndërsa Zoti e di mirë se ne e besojmë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. vulën e profetëve me vetëdije të plotë. Allahu i Lartësuar, më ka zbuluar filozofinë e këtij titulli, dhe më ka dhuruar njohjen e tij me aq bujari, saqë unë ndiej një kënaqësi të veçantë, të cilën mund të përfytyrojë vetëm ai që ka shuar etje nga ky burim”.

Kundërshtarët tanë nuk dinë kuptimin e vulës së profetësisë

Më tej, duke zbërthyer kuptimet e vulës së profetësisë, ai shkruan:

“Allahu i Madhërishëm na ka dërguar atë profet, i cili është vula e besimtarëve, vula e njohësve dhe vula e profetëve. Ai ia shpalli atë Libër, i cili gjithashtu ishte përmbledhësi i të gjitha shkrimeve të shenjta dhe vula e librave hyjnorë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s është vula e profetëve. Por kjo nuk do të thotë se profetësia ka përfunduar me qenien e tij, gjoja i ka ardhur fundi dhe ajo është ndërprerë përfundimisht, njësoj sikur i jepet fund dikujt duke e mbytur. Një vulë e tillë, nuk është aspak për t’u krenuar. Përkundrazi, ajo do të thotë se duke fituar këtë titull, të gjitha gradat dhe cilësitë e profetësisë kanë përfunduar në personalitetin e tij. Pra, të gjitha ato shenja dhe cilësi të ndryshme që u ishin dhënë veçmas profetëve, qysh prej Ademit gjer te Isai biri i Merjemes a.s., janë mishëruar në qenien e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Po ashtu, të gjitha mësimet e mëparshme, urdhrat, dispozitat dhe të vërtetat që gjendeshin në sheriate të mëparshme, tashmë kanë përfunduar me ardhjen e Kuranit Famëlartë, dhe prandaj Kurani Famëlartë është cilësuar se vula e librave”.

Fatkeqësisht, kundërshtarët tanë janë të paditur nga këto njohuri, dhe kanë rënë pre të ulemave, të cilëve ata u nënshtrohen verbërisht. Po ta kuptonin këtë realitet, do të binte ndërmarrja e hoxhallarëve, që ata kanë ngritur në emër të fesë.

Allahu i përsosi të gjitha cilësitë e profetësisë në qenien e Profetit Muhammed s.a.v.s.

Duke shtjelluar kuptimin e vulës së profetësisë, ai në një vend shkruan:

“Lidhur me vulën e profetësisë, dua të them sërish që kuptimi themelor i termit Khatemun Nebijjin është që Allahu i përsosi të gjitha çështjet e profetësisë në qenien e të Dërguarit të Tij. Ky është kuptim parësor. Ndërsa kuptimi tjetër është që shtrirja e ekzemplariteteve të profetësisë ka përfunduar me ardhjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Me të vërtetë Kurani Famëlartë ndreqi gabimet e mëparshme dhe e përsosi profetësinë. Islami vërtetoi deklaratën الیوم اکملت لکم دینکم  d.m.th. ju kam përsosur fenë tuaj. Këto janë shenjat e profetësisë, dhe nuk ka nevojë të argumentohet për natyrën dhe thelbin e tyre. Parimet janë të qarta dhe pranohen si të vërteta universale, andaj besimtari duhet t’u bindet pa fjalë. Nëse kundërshtari kundërvihet me akuza, atëherë mund t’i kërkojmë argumente për besimet e tij. Vula e profetësisë është një prej shenjave të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., prandaj si e tillë duhet besuar nga çdo musliman”.

Besimi dhe njohja arritën kulmin e tyre me ardhjen e Islamit

Pra, nëse dikush nuk beson në vulën e profetësisë, ai automatikisht del nga Islami. Mesihu i Premtuar a.s. duke përshkruar pozitën e vulës së profetësisë, epërsinë e Islamit mbi fetë e tjera, shkruan:

“Mund të kuptojmë vulën e profetësisë si skaji i fundit, ku mbarojnë argumentet dhe njohuri. Kjo vijë ndarëse është cilësuar si vula e profetësisë. Nëse dikush vijon të shprehë dyshime si një i pafe, sjellja e tij tregon pandershmëri. Çdo çështje ka nevojë për argumente dhe dëshmi të qarta, por pranimi i tyre varet nga njohje e plotë dhe ndritje hyjnore. Me ardhjen e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. besimi dhe njohja arritën kulmin e përsosmërisë, dhe nga kjo dritë u ndriçuan edhe popuj të tjerë. Përpara asnjë populli nuk i ishte dhënë një ligj i përsosur, madje edhe profetët ishin të kufizuar vetëm te popujt e tyre. Arabët nuk kishin asnjë njohuri rreth ekzistencës së Zotit apo mësimeve fetare.

Megjithatë, ai dielli leu nga Arabia, dhe rrezatoi çdo vend e ndriçoi çdo popull. Ky nder i takon vetëm Kuranit Famëlartë që ai mund të triumfojë mbi çdo fe tjetër në çështjet e njëshmërisë së Zotit dhe profetësisë. Është për t’u krenuar se një libër i tillë u është dhënë muslimanëve. Ndërsa, ata që i sulen Islamit, dhe kritikojnë mësimet e tij, nuk flasin me sinqeritet e ndershmëri”.

Pra, Islami lindi në Arabi dhe arriti në skajet e botës, madje vijon të shtrihet me anë të mësimeve të tij të vërteta. Sot, Xhemati Musliman Ahmedia ka ngritur flamurin e Islamit, dhe duke përdorur të gjitha forcat e mjetet, është angazhuar në përcjelljen e këtij statusi të lartë të njëshmërisë së Zotit dhe të profetësisë. Mesihu i Premtuar a.s. na zbuloi shkallën e lartë të pozitës së Profetit Muhammed s.a.v.s. Ai gjithashtu na argumentoi për vërtetësinë e të dërguarve të tjerë të Zotit, historia dhe mësimet e të cilave ishin përçudnuar tej mase. Ai shkruan:

“Vetëm ai mësim mund të quhet i përsosur, i cili i edukon fuqitë njerëzore dhe u përgjigjet nevojave të tij. Shikoni mësimet biblike se çfarë porositë na japin për natyrën dhe fuqitë e njeriut. Gjendja natyrore e njeriut dhe fuqitë e tij përbëjnë shfaqjen praktike të Librit të Zotit. Prandaj, fjala e Allahut si mund t’i kundërvihet krijesës së Tij?”

Drita e vërtetë gjendet vetëm në Islam

Pra, mësimet dhe porositë e Islamit nuk mund të jenë në kundërshtim me natyrën njerëzore.

Po të mos kishte ardhur i Dërguar i Allahut s.a.v.s., moralet, porositë, mrekullitë dhe ndikimi shpirtëror i profetëve të mëparshëm do të mbeteshin në shënjestër të akuzave të forta. Mirëpo Profeti s.a.v.s. i vërtetoi ata dhe vulosi dëlirësinë e tyre. Prandaj, shenjat e profetësisë së tij janë më të qarta dhe më të ndritshme se dielli. Akuza ndaj tyre i ngjan atij budallai që ditën me diell e quan natë. Fetë e tjera do të kishin mbetur në errësirë, po të mos vinte i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Besimi do të prishej, dhe toka do të shkatërrohej nga ndëshkimi i Zotit. Islami është i ndritur si një fener, që e nxjerr njeriun nga errësira. Po të shfletoni Dhjatën e vjetër, zor të kuptoni parajsën e ferrin. Hapni Dhjatën e re, e nuk do të gjeni asnjë gjurmë për njëshmërinë e Zotit. Padyshim, të dy librat janë prej Zotit, por drita e tyre është shuar me kohë. Drita e vërtetë që është e domosdoshme për shpëtimin, mund të gjendet vetëm në Islam. Nëse kërkoni vetëm teuhidin, atë e gjeni si një shpatë të zhveshur që i bie shirkut mu në rrënjë. Po kështu, shkëlqejnë edhe aspekte të tjera të profetësisë.

Tani nuk mund të vijë asnjë profet, përveç atij që i bindet Muhammedit s.a.v.s.

Ulematë e sotëm po hahen me njëri-tjetrin, por nuk guxojnë t’ua tregojnë feve të tjera të metat e tyre, dhe të shfaqin epërsinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Sot, vetëm Xhemati Musliman Ahmedia falë edukimit dhe dijes së Mesihut të Premtuar a.s. është angazhuar në këtë detyrë. Megjithatë, për ta jemi qafir dhe ata janë besimtarë. Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

“Ai është faqezi e gënjeshtar, i cili deklaron se është i dërguar i Zotit dhe profet, dhe nuk i nënshtrohet Kuranit. Ai që veten e quan profet pas Muhammedit s.a.v.s., a mund t’i bindet ajetit që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është vula e profetëve? Lexuesi i nderuar dhe i ndershëm duhet të dijë se unë kurrë nuk kam deklaruar se jam profet dhe lajmëtar në mënyrë të pavarur. Përdorimi i disa fjalëve në mënyrë metaforike, qoftë edhe në gjuhën e folur sipas kuptimeve leksikore, nuk të shtyn në mosbesim. Mua nuk më pëlqen as ta përdor fjalën profet, sepse këtu ka rrezik që muslimanët mund të keqkuptohen, megjithatë në shpalljet që Allahu i Lartësuar më ka bërë mua, fjalët profet dhe nebi janë përdorur aq dendur, se e kam të pamundur t’i fsheh ato.

Unë e theksoj sërish se fjalët siç i dërguar, profet apo lajmëtar që janë përdorur rreth meje në këtë shpallje, nuk janë përdorur në kuptimin parësor. E vërteta është se ai që deklaron se është profet dhe i dërguar pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe nxit për përgënjeshtrimin e Kuranit dhe mohimin e porosive të sheriatit, ai padyshim është gënjeshtar.

Pra, unë i përmbahem këtij besimi që ai i cili deklaron se është profet në mënyrë të pavarur, dhe ndan veten nga rruga e bekuar e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe shkëputet nga ky burim i pastër, për t’u bërë drejtpërdrejtë profet i Allahut, ai është mohues dhe i pabesë. Mundet që ai të sajojë shehadetin tjetër, apo të sjellë risi në formën e adhurimeve ose të ndryshojë dispozitat fetare. Pra, padyshim ai është vëllai i Muselima Kadhabit, dhe nuk ka asnjë dyshim për mosbesimin e tij. Si mund të shprehim se ai i bindet Kuranit Famëlartë?”

Pra, njeriu mund ta gëzojë këtë gradë të lartë shpirtërore, vetëm duke ndjekur gjurmët e Profetit s.a.v.s. dhe duke zbatuar sheriatin e tij. Ndërsa, ai që del nga nënshtrimi i Profetit s.a.v.s. nuk mbetet as musliman. Pastaj, Mesihu i Premtuar a.s. shtjellon më tej duke shkruar:

“Ne jemi muslimanë dhe i bindemi Kuranit Famëlartë, Librit të Zotit të Madhërishëm. Ne gjithashtu besojmë se prijësi ynë Profet Muhammedi s.a.v.s. është i dërguar dhe lajmëtar i Zotit. Ne besojmë se ai ka themeluar fenë më të përsosur, dhe që ai është vula e profetëve. Asnjeri nuk mund të ngrihet në shkallën e profetit pas tij, përveç atij që është edukuar e kalitur prej tij. Allahu i Madhërishëm ka bekuar evelijat e këtij umeti me komunikim dhe shpallje. Atyre u jepen disa cilësi të profetëve, por ata nuk janë profetë, sepse Kurani Famëlartë ka plotësuar të gjitha nevojat e sheriatit. Atyre u dhurohet kuptimi i Kuranit, por ata as nuk i shtojnë diçka e as nuk i heqin. Ai që tenton t’i shtojë atij apo t’i pakësojë diçka, ai me të vërtetë është shejtan i lig. Nga besimi në vulën e profetësisë, ne kuptojmë se të gjitha ekzemplaritetet e profetësisë kanë përfunduar në qenien e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., i cili është më i miri dhe më i shkëlqyeri ndër të gjithë profetët e tjerë.

Ne besojmë se pas tij, vetëm ai mund të caktohet në shkallën e profetësisë, i cili bën pjesë në umetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., është shërbëtor i tij besnik, i cili të gjitha mirësitë shpirtërore ka fituar prej tij, dhe zemra e tij është ndriçuar nga drita e tij.

Në këtë shkallë nuk mbetet asnjë veçori personale. Kjo nuk është profetësia tjetër, por është Ahmedi s.a.v.s., i cili tashmë shfaqet në një pasqyrë tjetër. Ky nuk është vendi ku të shfaqet sedra apo habi. Si mund të preket njeriu në sedër, nëse Allahu ia shfaq fytyrën në pasqyrë, sepse sedra nuk preket në raport me fëmijët apo nxënës. Prandaj, nëse dikush ka fituar gjithçka nga burimi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe është përkushtuar dhe përhumbur në qenien e tij, atëherë ai ka arritur shkallën e fana-së, pra të asgjësimit në qenien e tij. Ai është pajisur me cilësitë e tij, dhe i mbështjellë në mantelin e tij. Ai ka përftuar qenien e tij shpirtërore përmes të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe gjendja e tij ka arritur përsosmërinë falë dritës profetike. Kjo e vërtetë dëshmon për bekimet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Kureshtarët shohin bukurinë dhe hijeshinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në personalitetin e ndjekësve të tij, sepse duke pasur një dashuri të çiltër dhe dëlirësi të përsosur, qenia e tyre është asgjësuar në qenien e tij. Çdo debat e diskutim kundër këtij është injorancë, sepse kjo është një dëshmi e pakontestueshme nga Allahu se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk ishte fatprerë. Ata që reflektojnë thellësisht, nuk kanë nevojë për shpjegim.

Pra, ndonëse i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk është babai biologjik i asnjërit prej burrave, por përmes ndikimit të profetësisë së tij, ai është babai i çdokujt që arrin përsosmërinë shpirtërore. Ai është vula e të gjithë të dërguarve dhe prijësi i të gjithë të pranuarve. Tashmë, hyrja tek oborri i Zotit i lejohet vetëm atij, që mban vulën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe i përmbahet besnikërisht sunetit të tij. Tashmë nuk do të pranohet në pragun e Zotit asnjë vepër apo ibadet që bëhet pa iu bindur profetësisë së Muhammedit s.a.v.s. dhe pa iu nënshtruar fesë së tij. Ai që ndahet nga Muhammedi s.a.v.s. dhe nuk i ndjek gjurmët e tij, ka zgjedhur rrugën e shkatërrimit. Nuk mund të vijë asnjë sheriat pas tij, dhe askush nuk ka guxim të shfuqizojë apo të ndryshojë fjalën e Tij të pastër. Ai është si një shi i rrëmbyer dhe asgjë nuk i ngjan atij. Kushdo që largohet sadopak nga shiu shpirtëror i Kuranit Famëlartë, përjashtohet nga rrethi i besimit. Askush nuk mund të triumfojë derisa nuk u bindet të gjitha porosive që burojnë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ndërsa, ai që mohon qoftë edhe një porosi të vogël të Profetit s.a.v.s., ai është humbur. Nëse dikush deklaron se është profet, por nuk beson se ai është një nxënës i thjeshtë i njeriut më të madh të gjitha kohërave, pra të Muhammedit al-Mustafai s.a.v.s., dhe që pa të ai nuk është asgjë, e që Kurani Famëlartë është vula e të gjitha ligjeve, atëherë ai u shkatërrua tërësisht dhe u bashkua me mohuesit pafe.

Ai që deklaron veten si i dërguar i Zotit, ndërkohë nuk bën pjesë në umetin e Muhammedit s.a.v.s., nuk pranon që gjithçka që ka fituar është nga mirësia e tij, nuk pranon që është një ndër frytet e kopshtit të Tij, dhe nuk pranon që është një pikë në shiun e tij të bereqetshëm dhe një rreze nga drita e Profetit s.a.v.s., atëherë ai është i mallkuar, dhe mallkimi i Zotit u bie atij, shokëve, ndjekësve dhe përkrahësve të tij.”

Këtu Mesihu i Premtuar a.s. ka qartësuar se ai personalisht ka fituar bekime më të mëdha nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. derisa Allahu i Lartësuar ia dhuroi nderin e profetësisë pa-ligj. Ai shkruan:

“Nuk kemi asnjë profet tjetër përveç Muhammedit, të zgjedhurit të Allahut dhe nuk kemi asnjë libër tjetër përveç Kuranit Famëlartë. Kushdo që i kundërvihet këtij besimi, do të shpie veten në xhehenem”.

Mesihu i Premtuar a.s. në mënyrë të përsëritur ka shtjelluar domethënien e vulës së profetësisë, dhe pozitën e Profetit s.a.v.s., dhe krahas tyre ka përshkruar edhe statusin dhe pozitën e vet. Ai nënvizon se po të ndiqnin muslimanët të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në mënyrën e duhur, nuk do të kishte më nevojë për ardhjen e tij. Ai shkruan:

“Për ta shpjeguar çështjen e vulës së profetësisë me shembujt e kësaj bote, mund të themi se hëna e re përfundon udhëtimin e saj më datën 14, kur ajo bëhet e plotë dhe quhet Bedër. Po kështu të gjitha ekzemplaritetet e profetësisë arrijnë kulmin e tyre në personalitetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ata kanë gabim që mendojnë se profetësia ka përfunduar, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk paska epërsi as mbi Junus bin Metiu. Ata nuk kanë arritur esencën e këtij besimi, dhe janë të paditur nga epërsitë dhe ekzemplaritetet e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Megjithatë, pavarësisht keqkuptimit dhe mosdijes së tyre, ata na akuzojnë se qenkemi mosbesues në vulën e profetësisë.

Çfarë t’u them këtyre të sëmurëve, dhe si t’u shpreh keqardhjen time. Po të mos kishin rënë në këtë derexhe dhe po të mos distancoheshin aq shumë nga Islami, nuk do të kishte më nevojë për ardhjen time. Besimi i tyre ka rënë në plogështi, dhe vetë janë xhahilë nga kuptimi dhe qëllimi i Islamit. Po të mos ishte kjo, përse duhet të shpallnin luftë kundër të vërtetëve, e kështu të meritonin termin qafir. Duke quajtur qafir një musliman që beson shehadetin, ata automatikisht kanë përjashtuar veten nga Islami.

Prandaj, me shumë dashamirësi unë u drejtohem këtyre muslimanëve se kini mëshirë për veten tuaj. Shikoni dhe kuptoni se çka dëshiron Zoti?”

Allahu u mundësoftë muslimanëve të sinqertë, të reflektojnë mbi shkrimet e Mesihut të Premtuar a.s. dhe në vend të baltosjes, le të përsiatin gjendjen e tyre.

Një fjalim urrejtje-nxitës në parlamentin pakistanez kundër xhematit

Pasi që u pajtuan deputetët lidhur me ndryshimin e projektligjit në parlamentin e Pakistanit, një deputet mbajti një fjalim të zjarrtë urrejtje-nxitës. Ai nuk ishte veç një tentativë për t’i provokuar e lënduar deputetët e tjerë në sedër, por edhe një përpjekje e rrezikshme për të nxitur ndjenjat e popullit dhe për të ndezur trazira në vend. Ajo ishte një orvatje dështake për të shtyrë popullin kundër ahmedianëve. Politikani në fjalë tentoi të shtirej si lider besnik i vendit, që t’i jepte pak gjallëri karrierës politike, por politikanët e zgjuar, figurat mediatike dhe personalitete të shquara të shoqërisë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre.

Reagimi i tyre, na bën se besojmë se në Pakistan ekzistuaka një pjesë e shoqërisë, që nuk trembet duke u shprehur kundër padrejtësisë. Ata iu kundërpërgjigjën duke hedhur poshtë të gjitha akuzat e tij dhe duke ngritur lart rolin e ahmedianëve në Pakistan.

Ky deputet që bëri bujë me fjalimin e tij pompoz, dhe kishte deklaruar se nuk e lë sedra që të pranojë që departamentit të fizikës pranë Universiteti Kaide Azem t’i vihet emri dr. Abdul Salam, për arsyen se ai ishte ahmedian dhe mohuesi i vulës së profetësisë.

A kishte harruar ai se propozimin për të vënë këtë emër, kishte bërë vetë kryetari i partisë së tij dhe ish-kryeministri i vendit? Aq më tepër kur ai është edhe vjehrri i këtij deputeti. A nuk u prek në sedër ky deputet kur po merrej ky vendim? Për të vetmen arsye se partia e tij tashmë është në shënjestër të akuzave, ai po nxjerr vrer kundër ahmedianëve.

Ne si ahmedianë nuk na bën asnjë përshtypje vënia apo mosvënia e emrit. Për sa u përket të afërmve të dr. Abdul Salamit, fëmijët e tij i kishin shkruar një letër kryeministrit të Pakistanit, së cilës nuk i morën asnjë përgjigje. Ata i kishin shprehur habinë e tyre, se si i ishte kujtuar shtetit pakistanez për këtë shkencëtar të famshëm, 20 vjet pas vdekjes së tij, që t’ia vinin emrin një departamenti shkencor. Ata shkruan se ndonëse babai i tyre i ndjerë ishte trishtuar se përshkruhej si jomusliman nga kushtetuta pakistaneze, por ai prapëseprapë nuk e lë shtetësinë pakistaneze. Shtetet si Britania, Italia madje edhe India ia ofruan nënshtetësinë e tyre, por ai u shpreh se ka qenë dhe do të mbetet qytetar besnik i Pakistanit, dhe do të vijojë të punojë në të mirën e vendit.

Ata shkruan se janë muslimanë, dhe i janë bashkuar Xhematit Musliman Ahmedia vetëm për hir të Allahut. Ata kanë pranuar Mesihun e Premtuar. Meqë shteti pakistanez nuk respekton të drejtat tona, dhe nuk na lejon të quajmë veten muslimanë, prandaj shprehim distancimin dhe mospërfilljen tonë ndaj vendimit të qeverisë pakistaneze.

Ky ishte reagimi i pasardhësve të dr. Abdul Salamit. Nëse parlamenti pakistanez duan të vënë emrin e tij, atëherë bujrëm, le të bëjnë me kënaqësi. Por, ky veprim nuk i bën asnjë përshtypje familjes së dr. Abdul Salamit apo Xhematit Musliman Ahmedia.

Ky deputet gjithashtu kërkoi që ahmedianët të mos lejohen të rekrutohen si ushtarë. Ndërkohë, historia e Pakistanit është dëshmitare se çdo ahmedian, që ka shërbyer në ushtri, ka bërë sakrifica për atdhe. Në përgjithësi, janë ushtarë, nëntoger, oficer, major apo nënkolonel që marrin pjesë drejtëpërdrejtë në fushëbetejë. Ndërsa, ahmedianët edhe pse shërbenin në gradën e gjeneralit, ishin të pranishëm në frontin e luftës, dhe ranë dëshmorë për vend. Sot, media pakistaneze po sjell këto fakte historike dhe diskuton rreth tyre. Ata sollën shembujt e gjeneral Akhterit, gjeneral Aliut dhe gjeneral Iftikharit etj.

Deputeti në fjalë, që mbajti këtë fjalim të bujshëm, arriti vetëm gradën e kapitenit, e pastaj duke u bërë dhëndëri i kryeministrit, u largua nga ushtria. Ai hyri në garën e parasë dhe u përfshi në politikë. Nëse me të vërtetë, kishte ndjenja patriotike, ai duhet të vazhdonte të shërbente në ushtri, dhe jepte sakrifica për vendin.

Këta akuzojnë se ahmedianët nuk i shërbejnë vendit, dhe nuk janë besnikë ndaj atdheut. Unë mund të them me plot bindje se vetëm ahmedianët në Pakistan i besojnë thënies profetike “atdhedashuria është pjesë e besimit” dhe i përmbahen asaj duke sakrifikuar jetën e pasurinë. Ata nuk mbajnë fjalime të zjarrta, për të ndërtuar karrierën e tyre politike, e as nuk duan të përfshihen në politikë. Ne jemi ata që mund të japim edhe jetë për ndjenjat fetare, ama nuk bëjmë politikë apo nxisim gjakderdhje në emër të fesë. Ne besojmë fuqimisht se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është vula e profetëve, dhe mund të japim çdolloj sakrifice për nderin e tij, madje po japim edhe sot, dhe do të vazhdojmë të japim gjithmonë.

Çdo ahmedian pakistanez duhet të lutet se Zoti ta ruajë këtë vend, për integritetin dhe mbrojtjen e të cilit ahmedianët kanë dhënë sakrifica të mëdha. Allahu e mbrojttë përherë, dhe e shpëtoftë atë nga liderët zullumqar e tiranë dhe dijetarët batakçinj. Allahu e bëftë prej shteteve të lira, dinjitoze dhe të përparuara.

[1] Kurani Famëlartë 33:41